“17. Mësimdhënia e Ungjillit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).
“17. Mësimdhënia e Ungjillit”, Manuali i Përgjithshëm.
17.
Mësimdhënia e Ungjillit
Ne e japim mësim ungjillin për t’i ndihmuar njerëzit që ta forcojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë njerëzit të bëhen më shumë si Shpëtimtari, të marrin fuqinë e Tij në jetën e tyre dhe përfundimisht të fitojnë jetë të përjetshme. Kur fjala e Perëndisë jepet mësim dhe pranohet me anë të Shpirtit, ajo ka fuqinë për t’i ndryshuar zemrat dhe për ta frymëzuar kthimin në besim. Ajo ka “ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa … çdo gjë tjetër” (Alma 31:5).
17.1
Parimet e Mësimdhënies si të Krishtit
Kur e japin mësim ungjillin, prindërit, mësuesit/et dhe udhëheqësit/et ndjekin shembullin e Jezu Krishtit, i cili është Mësuesi Mjeshtër. Mësimdhënia sipas mënyrës së Shpëtimtarit është një mirëbesim dhe përgjegjësi e shenjtë.
Udhëheqësit/et u flasin për parimet vijuese të mësimdhënies si të Krishtit mësuesve/eve në organizatat e tyre. Këto parime shpjegohen me më shumë hollësi te manuali Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit.
17.1.1
Duajini Njerëzit të Cilëve u Jepni Mësim
Gjithçka që bën Shpëtimtari, është shprehje e dashurisë së Tij (shih 2 Nefi 26:14). Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et e ndjekin shembullin e Tij duke treguar dashuri për njerëzit të cilëve u japin mësim. Ata luten me emër për njerëzit të cilëve u japin mësim, përpiqen të krijojnë lidhje me ta, t’i kuptojnë ata dhe të përqendrohen te nevojat individuale. Ata i ndihmojnë anëtarët në klasat ose kuorumet e tyre të cilët nuk i frekuentojnë orët mësimore.
17.1.2
Jepni Mësim me Anë të Shpirtit
Për t’i frymëzuar njerëzit që të kenë besim te Jezu Krishti, mësuesit/et duhet të japin mësim me anë të Shpirtit. Mësuesit kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit teksa përgatiten e japin mësim dhe ata përpiqen fort të jetojnë të denjë për ndikimin e Tij çdo ditë.
17.1.3
Jepeni Mësim Doktrinën
Shpëtimtari dha mësim doktrinën e Atit të Tij. Duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, mësuesit përqendrohen tek të vërtetat thelbësore, shpëtuese të ungjillit. Ata japin mësim duke përdorur shkrimet e shenjta, mësimet e profetëve të ditëve të mëvonshme dhe materialet e miratuara të programit mësimor. Mësuesit/et udhëheqin diskutime të frymëzuara dhe sigurohen që mësimdhënia e tyre është lartësuese dhe e saktë nga ana doktrinore. Materialet e miratuara renditen në materialin e tanishëm Udhëzime për Programin Mësimor te ChurchofJesusChrist.org.
17.1.4
Ftoni të Mësuarit me Zell
Mësuesit/et i nxitin anëtarët që të jenë të përgjegjshëm për të mësuarit e tyre vetjak. Ata i përkrahin anëtarët në përpjekjet e tyre për ta mësuar ungjillin individualisht dhe me familjet e tyre. Ata i ftojnë anëtarët që të tregojnë atë që po mësojnë dhe të veprojnë sipas saj. Besimi i një personi rritet kur ai ose ajo merr pjesë aktivisht në të mësuarit e ungjillit dhe i zbaton parimet e tij në jetën e përditshme.
17.2
Të Mësuarit dhe Mësimdhënia e Ungjillit të Përqendruar te Shtëpia
Që të bëhet i kthyer në besimin te Zoti Jezu Krisht, çdo anëtar i Kishës është përgjegjës për ta mësuar ungjillin vetë. Përveç kësaj, prindërit janë përgjegjës për t’ua mësuar ungjillin fëmijëve të tyre. Të mësuarit dhe mësimdhënia e ungjillit duhet të përqendrohen te shtëpia. Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et e Kishës nxitin dhe përkrahin të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit të përqendruar te shtëpia.
Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et i nxitin anëtarët që të kërkojnë frymëzimin e tyre vetjak rreth mënyrës se si ta studiojnë dhe japin mësim ungjillin. Burimet e tyre kryesore duhet të jenë shkrimet e shenjta dhe mesazhet e konferencave të përgjithshme. Burimet përkrahëse mund të përfshijnë manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe revista të Kishës.
17.3
Përgjegjësitë e Udhëheqësve
Udhëheqësit janë përgjegjës për mësimdhënien dhe të mësuarit në organizatat e tyre. Më poshtë përvijohen disa nga mënyrat se si e plotësojnë ata këtë përgjegjësi.
-
Japin një shembull duke e mësuar vetë dhe duke e dhënë mësim ungjillin sipas mënyrës së Shpëtimtarit.
-
Sigurohen që mësimdhënia në organizatat e tyre ndërton besim dhe është e saktë nga ana doktrinore.
-
Nëse udhëheqësit janë anëtarë të këshillit të lagjes, ata diskutojnë me anëtarë të tjerë të këshillit se si ta përmirësojnë të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit në lagje. Peshkopi mund ta ftojë presidentin e Shkollës të së Dielës që t’i udhëheqë këto diskutime.
-
Sipas nevojës, i rekomandojnë peshkopatës emra të anëtarëve të lagjes që të thirren si mësues në organizatat e tyre, duke ndjekur orientimet te 30.1.
-
Takohen me mësuesit/et e sapothirrur/a dhe i ndihmojnë të përgatiten për thirrjet e tyre (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 38).
-
U japin përkrahje të vazhdueshme mësuesve në organizatat e tyre. U flasin rregullisht mësuesve rreth përpjekjeve të tyre për të ndërtuar besim te njerëzit të cilëve u japin mësim. Nëse është e nevojshme, i kërkojnë ndihmë presidentit të Shkollës të së Dielës.
17.4
Mbledhjet e Këshillit të Mësuesve
Në mbledhjet e këshillit të mësuesve, mësuesit/et këshillohen së bashku rreth parimeve të dhënies mësim si Krishti. Ata gjithashtu këshillohen rreth mënyrës se si ta përmirësojnë të mësuarit dhe mësimdhënien e ungjillit. Ata përdorin si burim manualin Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit.
Mbledhjet e këshillit të mësuesve mbahen çdo tre muaj gjatë orës mësimore 50‑minutëshe të dielën.
-
Mbledhjet për mësuesit/et e priftërisë, të Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave mund të mbahen në të dielën e parë ose të tretë.
-
Mbledhjet për mësuesit/et e Shkollës të së Dielës mund të mbahen në të dielën e dytë ose të katërt.
Presidenca e Fillores këshillohet me një anëtar të peshkopatës për të përcaktuar se si ta forcojnë mësimdhënien në Fillore. Presidenti i Shkollës të së Dielës mund të ndihmojë sipas nevojës. Më poshtë renditen disa mundësi:
-
Mësuesit/et e Fillores mund të marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të mësuesve me mësues nga organizata të tjera.
-
Për mësuesit/et e Fillores mund të mbahen mbledhje të veçanta të këshillit të mësuesve. Këto mbledhje mund të mbahen gjatë kohës 20‑minutëshe të të kënduarit në Fillore. Si mundësi tjetër, ato mund të mbahen përpara ose pas mbledhjeve të rregullta të së dielës ose në një ditë tjetër gjatë javës.
-
Anëtaret e presidencës së Fillores mund të vizitojnë klasa të Fillores dhe më pas të këshillohen me mësuesit/et rreth mësimdhënies sipas mënyrës së Shpëtimtarit.
Këshilli i lagjes mund të organizojë mbledhje të këshillit të mësuesve për prindërit që t’i ndihmojë për ta përmirësuar mësimdhënien e ungjillit në shtëpi. Ashtu si edhe mbledhjet e tjera të këshillit të mësuesve, këto mbahen gjatë orës mësimore 50‑minutëshe të dielën.
Këshilli i lagjes mbikëqyr dhe cakton orarin për mbledhjet e këshillit të mësuesve. Mbledhjet i drejton zakonisht Presidenti i Shkollës të së Dielës. Megjithatë, peshkopata mund t’i kërkojë një anëtari tjetër që t’i drejtojë ato.
Për më shumë informacion, shihni Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 3, ose teaching.ChurchofJesusChrist.org.