“19. Muzika”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).
“19. Muzika”, Manuali i Përgjithshëm.
19.
Muzika
19.1
Qëllimi i Muzikës në Kishë
Në një zbulesë që iu dha Profetit Jozef Smith, Zoti tha: “Shpirti im kënaqet në këngën e zemrës; po, kënga e të drejtëve është një lutje për mua dhe ajo do të marrë përgjigje me një bekim mbi kokat e tyre” (Doktrina e Besëlidhje 25:12). Ai gjithashtu tha: “Të drejtët … do të vijnë në Sion, duke kënduar këngë gëzimi të përhershëm” (Doktrina e Besëlidhje 45:71).
Muzika e shenjtë e shton besimin te Jezu Krishti. Ajo e fton Shpirtin dhe na mëson doktrinën. Ajo gjithashtu krijon një ndjenjë nderimi, i bashkon anëtarët dhe siguron një mënyrë për të adhuruar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.
19.2
Muzika në Shtëpi
Nëpërmjet profetëve të Tij, Zoti i ka nxitur individët dhe familjet që të përdorin muzikë lartësuese moralisht në jetën e tyre të përditshme. Të kënduarit dhe të dëgjuarit e muzikës së shenjtë mund të ftojë një shpirt bukurie dhe paqeje. Ajo gjithashtu mund të shtojë dashurinë dhe unitetin midis pjesëtarëve të familjes. Himnet mund t’i ndihmojnë individët të fitojnë guxim dhe t’i bëjnë ballë tundimit.
Regjistrimet e muzikës së Kishës janë në dispozicion nga burimet vijuese:
-
Programi kompjuterik Sacred Music [Muzika e Shenjtë]
-
Programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Disqe me muzikë (CD) në store.ChurchofJesusChrist.org
Kisha siguron burime për t’i ndihmuar individët dhe familjet që të mësojnë aftësi muzikore bazë. Ato mund të gjenden te music.ChurchofJesusChrist.org (shih edhe 19.6). Zhvillimi i aftësive muzikore u jep mundësi anëtarëve të shërbejnë në shtëpi dhe në Kishë.
19.3
Muzika në Mbledhjet e Kishës
Muzika e shenjtë është një pjesë jetike e mbledhjes së sakramentit dhe mbledhjeve të tjera të Kishës. Ajo ka fuqi të ftojë Shpirtin, duke i sjellë individët më pranë Perëndisë. “Disa prej predikimeve më të mëdha janë dhënë duke kënduar himne.” (Shih te Himne, f. ix.)
19.3.1
Planifikimi i Muzikës për Mbledhjet e Kishës
Bashkërenduesit e lagjes dhe kunjit për muzikën punojnë me udhëheqësit e priftërisë për të planifikuar muzikën për shërbimet e adhurimit. Ata përzgjedhin muzikën që e shton frymën e adhurimit në mbledhje.
Himnet përdoren sa herë që bashkësia këndon në shërbesat e adhurimit. Himnet ose përzgjedhje të tjera muzikore të shenjta mund të përdoren për muzikën që luhet para fillimit dhe pas mbarimit të mbledhjes, muzikën e korit dhe interpretime si solistë ose në grupe të vogla. E gjithë muzika në mbledhjet e Kishës duhet të paraqitet në frymën e adhurimit të Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, jo si një interpretim për të vënë në dukje talentin muzikor.
Përzgjedhjet muzikore duhet të jenë në përputhje me frymën plot adhurim të himneve. Ato duhet ta japin mësim ungjillin me fuqi dhe qartësi.
Muzika e shenjtë që shkruhet ose këndohet në stile të shumëllojshme muzikore nga ana kulturore, mund të ndihmojë për të krijuar unitet në bashkësitë. Bashkërenduesit e muzikës dhe udhëheqësit e priftërisë mund të përfshijnë një larmi stilesh të përshtatshme muzikore që u pëlqejnë anëtarëve me formime të larmishme kulturore.
19.3.2
Muzika në Mbledhjen e Sakramentit
Anëtarët mblidhet në mbledhjen e sakramentit për të kujtuar Jezu Krishtin nëpërmjet marrjes së sakramentit. Ata mblidhen për të zhvilluar besim e dëshmi dhe për të adhuruar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Muzika duhet të përzgjidhet për të ndihmuar që të arrihen këto qëllime.
Muzika në mbledhjen e sakramentit përfshin të kënduarit e himneve si bashkësi për ta hapur dhe mbyllur mbledhjen dhe përpara administrimit të sakramentit. Himnet e bashkësisë u sigurojnë mundësi anëtarëve që të bashkohen ndërsa marrin pjesë aktivisht në adhurim së bashku. Himni i sakramentit duhet t’i referohet sakramentit vetë ose flijimit të Shpëtimtarit. Për më shumë informacion, shihni te “Himnet për Bashkësitë”, Himne, f. 262–263.
Muzika hyrëse luhet me nderim ndërsa anëtarët grumbullohen përpara mbledhjes. Qëllimi i saj është të krijojë një atmosferë adhurimi që e fton Shpirtin. Pas lutjes së mbylljes luhet një muzikë mbylljeje ndërsa anëtarët largohen nga mbledhja. Himnet dhe pjesë të tjera muzike të shenjtë mund të përzgjidhen për muzikë hyrëse dhe mbyllëse.
Një mbledhje sakramenti mund të përfshijë edhe një himn shtesë të bashkësisë që këndohet në mes të mbledhjes, për shembull, midis mesazheve nga folësit. Ose mund të përfshijë një apo më shumë përzgjedhje muzikore. Këto mund të paraqiten nga koret (shih 19.3.7), solistët vokalë apo instrumentalë ose grupet e vogla. Koha e mbledhjeve të sakramentit nuk duhet t’u jepet grupeve muzikore që nuk janë pjesë të lagjes.
Pianoja, organoja ose një instrument tjetër i miratuar nga peshkopata mund të përdoret për të shoqëruar të kënduarit e himneve në mbledhjen e sakramentit (shih 19.3.6).
Bashkërenduesit e muzikës dhe peshkopatat përpiqen të gjejnë një baraspeshim midis himneve të njohura dhe atyre më pak të njohura. Përzgjedhjet muzikore të paraqitura nga kori i lagjes ose të tjerët mund t’i ndihmojnë anëtarët të familjarizohen më shumë me himnet që nuk i dijnë dhe aq mirë.
19.3.3
Muzika në Orët Mësimore dhe Mbledhjet e Tjera të Lagjes
Të kënduarit e himneve mund të jetë një mënyrë e efektshme për të paraqitur ose ripërforcuar parimet e ungjillit. Udhëheqësit i nxitin mësuesit të përdorin himnet dhe pjesë të tjera muzike të shenjtë për ta pasuruar mësimdhënien e tyre.
Mbledhjet e kuorumeve dhe orët mësimore të dielën zakonisht nuk fillojnë me një himn hapës.
19.3.4
Muzika në Konferencën e Kunjit
Muzika për konferencën e kunjit duhet të planifikohet për të forcuar besimin dhe dëshminë. Ajo duhet të ndjekë parimet te 19.3.1. Autoriteti kryesues i shqyrton të gjitha përzgjedhjet e propozuara muzikore që herët në planifikim.
Muzika për konferencën e kunjit zakonisht përfshin të kënduarit e himneve si bashkësi dhe përzgjedhje të tjera muzikore nga një kor, solistë ose grupe të vogla. Bashkësia normalisht këndon një himn në mes të mbledhjes. Presidencat e kunjeve mund të miratojnë instrumente solo dhe shoqërues përveç pianos ose organos (shih 19.3.6).
19.3.5
Përdorimi i Muzikës në Ndërtesën Kishtare
Ndërtesa kishtare mund të përdoret me raste për ngjarje artistike kulturore që përfshijnë muzikë laike, të tilla si koncertet, recitalet dhe shfaqje të tjera. Ndërkohë që duartrokitja nuk këshillohet në shërbesat e adhurimit, ajo mund të jetë e përshtatshme për këto ngjarje.
Udhëheqësit vendorë të priftërisë u përgjigjen pyetjeve rreth veprimtarive kulturore të zhvilluara në ndërtesën kishtare. Shihni pjesën 35.5 për informacion rreth përdorimit të duhur të shtëpive të mbledhjeve.
19.3.6
Instrumentet Muzikore
Instrumente që luhen drejtpërsëdrejti, përdoren zakonisht për muzikën hyrëse dhe mbyllëse dhe për shoqërimin e himneve në mbledhjet e Kishës. Atje ku janë në dispozicion dhe ku anëtarët mund t’i luajnë ato, organot dhe pianot janë instrumentet standarde. Peshkopatat mund të miratojnë përdorimin e instrumenteve të tjera për të shoqëruar të kënduarit si bashkësi, për muzikën hyrëse dhe mbyllëse dhe në përzgjedhje të tjera muzikore.
Instrumentet muzikore duhet të përçojnë një ndjenjë adhurimi dhe të luhen në harmoni me frymën e mbledhjes.
Në qoftë se nuk ka piano, organo apo persona që u bien atyre, mund të përdoren regjistrime (shih 19.2).
19.3.6.1
Marrja e Instrumenteve Muzikorë
Ndërtesat e Kishës zakonisht pajisen me një organo, piano ose tastiera elektronike. Udhëheqësit mund të vihen në kontakt me përgjegjësin e godinave vendore rreth blerjes së instrumenteve të reja ose zëvendësimit të tyre.
19.3.6.2
Mirëmbajtja e Instrumenteve Muzikore
Pianot akordohen dhe organot mirëmbahen rregullisht. Peshkopi ose përfaqësuesi i kunjit për ndërtesat mund të vihet në kontakt me përgjegjësin e godinave kur ka pyetje. Sipas nevojës, ai mund të dorëzojë edhe një kërkesë te Raportimi i Problemeve të Godinës (RPG) për t’i mirëmbajtur dhe riparuar pianot dhe organot (shih 35.4.2).
19.3.7
Koret
Që nga kohët e Dhiatës së Vjetër, fëmijët e Perëndisë kanë kënduar në kore për t’i ofruar përlëvdim Atij. Koret e Kishës i sjellin lavdi Perëndisë, i bashkojnë dhe i lartësojnë shpirtërisht anëtarët e Kishës dhe u sjellin gëzim pjesëmarrësve dhe bashkësive.
19.3.7.1
Koret e Lagjeve
Atje ku ka anëtarë mjaftueshëm, lagjet mund të organizojnë kore që këndojnë rregullisht në mbledhjen e sakramentit. Peshkopata mund të thërrasë një drejtues/e kori dhe një shoqërues/e kori (shih 19.4.3.3).
Anëtarët e lagjes mund të dalin vullnetarë për të kënduar në kor. Anëtarët si dhe njerëz të tjerë mund të ftohen që të marrin pjesë. Nuk bëhen prova zëri.
Koret nxiten të përdorin himnet e Kishës. Të kënduarit e himneve e fton Shpirtin dhe ndihmon pjesëmarrësit e korit dhe bashkësisë që të mësojnë ungjillin (shih Himne, f. 263–265). Nëse përdoren përzgjedhje të tjera të shenjta muzikore, duhet të ndiqen orientimet te 19.3.1.
Provat e korit zakonisht nuk e kalojnë një orë.
Nëse kori i lagjes ka nevojë për partitura muzikore, ato mund të blihen me fondet e buxhetit të lagjes (shih 19.7.1). Koret e lagjeve nxiten t’i përdorin materialet muzikore që kanë blerë, bashkë me kore të tjera në kunj. Kopjimi i partiturës muzikore pa leje nga pronari i të drejtës së autorit është në kundërshtim me rregulloren e Kishës (shih 38.8.10).
Krahas korit të lagjes, në mbledhjet e Kishës mund të ftohen të këndojnë familje, grupe grash, burrash, të rinjtë, të rejat ose fëmijët.
19.3.7.2
Koret e një Kunji dhe Shumëkunjëshe
Me miratimin e udhëheqësve të kunjit ose të zonës, koret e një kunji dhe ato shumëkunjëshe mund të organizohen për konferencat e kunjeve dhe raste të tjera, të tilla si ngjarjet në komunitet. Pas mbledhjes ose ngjarjes, kori shpërbëhet derisa të dalin raste të tjera.
19.4
Udhëheqja për Muzikën në Lagje
19.4.1
Peshkopata
Peshkopi është përgjegjës për muzikën e lagjes. Ai mund t’ia caktojë këtë përgjegjësi njërit prej këshilltarëve të tij. Peshkopatat kanë përgjegjësitë vijuese:
-
Thërrasin dhe veçojnë anëtarë për të shërbyer në thirrjet për muzikën që përshkruhen te 19.4.2 dhe 19.4.3 sipas nevojës.
-
Punojnë me bashkërenduesin e lagjes për muzikën për të planifikuar muzikën për mbledhjet e sakramentit (shih 19.3.1).
-
Japin mësim rreth rëndësisë së adhurimit nëpërmjet muzikës në mbledhjet. I nxitin anëtarët të marrin pjesë në të kënduarit si bashkësi. I nxitin anëtarët, veçanërisht rininë, që të përdorin muzikë lartësuese çdo ditë në jetën e tyre vetjake (shih 19.2).
-
Vendosin kur mund të përdoren instrumente të tjerë përveç pianos ose organos në mbledhjet e Kishës (shih 19.3.6).
-
E përkrahin korin e lagjes duke i nxitur anëtarët të marrin pjesë.
19.4.2
Bashkërenduesi i Lagjes për Muzikën
Bashkërenduesi i lagjes për muzikën shërben nën drejtimin e peshkopatës. Ai ose ajo ka përgjegjësitë vijuese:
-
Të jetë një burim për peshkopatën dhe udhëheqësit e tjerë të lagjes për çështjet muzikore. Të frekuentojë mbledhjen e këshillit të lagjes sipas ftesës nga peshkopi për të ndihmuar që të bashkërendohet muzika në lagje.
-
Të punojë me peshkopatën që të planifikojë muzikën për mbledhjet e sakramentit (shih 19.3.1 dhe 19.3.2).
-
Të rekomandojë dhe t’i mbikëqyrë trajnimet muzikore në lagje, nëse nevojiten (shih 19.6). T’i ndihmojë anëtarët të gjejnë mundësi për t’i zhvilluar dhe përdorur talentet e tyre muzikore në lagje.
-
Sipas kërkesës nga peshkopata, të rekomandojë anëtarë për të shërbyer në thirrje për muzikën në lagje. T’i orientojë ata që shërbejnë në këto thirrje, duke ofruar përkrahje, udhëzim dhe trajnim sipas nevojës.
-
Të shërbejë në thirrje të tjera për muzikën nëse nuk janë thirrur njerëz të tjerë.
-
Të këshillohet me bashkërenduesin e kunjit për muzikën për trajnim dhe përkrahje sipas nevojës.
19.4.3
Thirrje të Tjera
Në lagjet që janë mjaft të mëdha, peshkopata mund të thërrasë anëtarë që të shërbejnë në thirrjet vijuese. Të rinjtë, të rejat dhe njerëzit nga besime të tjera mund të thirren për të shërbyer. Peshkopatat mund t’i përshtatin këto thirrje si të jetë e nevojshme për të plotësuar nevojat e lagjes së tyre.
19.4.3.1
Udhëheqësi/ja i/e Muzikës në Lagje
Udhëheqësi/ja i/e muzikës në lagje drejton himnet e bashkësisë për mbledhjen e sakramentit dhe për mbledhjet e tjera sipas kërkesës.
19.4.3.2
Shoqëruesi/ja në Piano ose Organo i/e Lagjes
Shoqëruesi/ja në piano ose organo i lagjes ofron muzikën që luhet para fillimit dhe pas mbarimit të mbledhjes dhe muzikën shoqëruese për himnet gjatë mbledhjes së sakramentit dhe mbledhjeve të tjera të lagjes siç kërkohet. Kur nevojitet, shoqëruesi në piano ose organo mund të shoqërojë dhe korin ose të shërbejë si pianist/e në Fillore.
Kur askush në lagje nuk mund të luajë në piano ose organo, janë në dispozicion mundësitë vijuese:
-
Një anëtar mund të luajë në një instrument të ndryshëm të miratuar nga peshkopi (shih 19.3.6).
-
Pianot dhe organot digjitale që luajnë shoqërime të programuara paraprakisht të himneve, janë në dispozicion në disa shtëpi mbledhjesh (shih 19.3.6.1).
-
Anëtarët mund të përdorin regjistrime nga burimet vijuese:
-
Programi kompjuterik Sacred Music [Muzika e Shenjtë]
-
Programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]
-
Disqe me muzikë (CD) në store.ChurchofJesusChrist.org
-
19.4.3.3
Drejtuesi ose Drejtuesja e Korit dhe Shoqëruesi ose Shoqëruesja e Korit
Drejtuesi i korit të lagjes rekomandon muzikën që do të këndohet nga kori, drejton provat e korit dhe e drejton korin në mbledhjet e sakramentit (shih 19.3.7).
Shoqëruesi i korit të lagjes luan muzikë për provat dhe kur kori këndon në mbledhjen e sakramentit.
Për më tepër informacion rreth drejtimit të koreve, shihni manualin Conducting Course [Kursi i Drejtimit], faqet 73–83.
19.4.3.4
Udhëheqësi ose Udhëheqësja e Muzikës në Fillore dhe Pianisti ose Pianistja e Fillores
Shih 12.3.4.
19.4.3.5
Specialistët e Muzikës
Peshkopata mund të thërrasë specialistë që të ndihmojnë për trajnimin muzikor në lagje (shih 19.6).
19.5
Udhëheqja e Muzikës në Kunj
19.5.1
Presidenca e Kunjit
Presidenti i kunjit mbikëqyr muzikën në kunj. Ai mund t’ia caktojë përgjegjësitë vijuese njërit prej këshilltarëve të tij ose një anëtari të këshillit të lartë:
-
Të thërrasë dhe veçojë anëtarë për të shërbyer në thirrjet për muzikën që përshkruhen te 19.5.2 dhe 19.5.3 sipas nevojës.
-
Të konsultohet me bashkërenduesin e kunjit për muzikën që të planifikojë muzikën për konferencën e kunjit dhe ngjarje të tjera të kunjit (shih 19.3.1, 19.3.4 dhe 19.3.7.2).
-
Të japë mësim rreth rëndësisë së adhurimit nëpërmjet muzikës në mbledhjet. T’i nxitë anëtarët të marrin pjesë në të kënduarit si bashkësi. T’i nxitë anëtarët që të përdorin muzikë lartësuese çdo ditë në jetën e tyre vetjake (shih 19.2).
-
Të vendosë kur mund të përdoren instrumente të tjerë përveç pianos dhe organos në mbledhjet e kunjit (shih 19.3.6).
19.5.2
Bashkërenduesi ose Bashkërenduesja e Kunjit për Muzikën
Nën drejtimin e presidencës së kunjit, bashkërenduesi i kunjit për muzikën ka përgjegjësitë vijuese:
-
Shërben si burim njerëzor për presidencën e kunjit dhe udhëheqësit e tjerë të kunjit për çështjet e muzikës.
-
Konsultohet me presidencën e kunjit për të planifikuar muzikën për konferencën e kunjit dhe ngjarje të tjera të kunjit (shih 19.3.1, 19.3.4 dhe 19.3.7.2).
-
Rekomandon dhe mbikëqyr programet e trajnimit për muzikën në kunj (shih 19.6).
-
Sipas kërkesës nga presidenca e kunjit, rekomandon anëtarë për të plotësuar thirrjet për muzikën. I orienton ata që shërbejnë në këto thirrje. Ofron përkrahje, udhëzim dhe trajnim sipas nevojës.
-
Siguron trajnim dhe përkrahje për bashkërenduesit e lagjeve për muzikën sipas nevojës.
-
Shërben si udhëheqës i muzikës dhe drejtues kori në mbledhjet e kunjit nëse nuk janë thirrur të tjerë.
19.5.3
Specialistët e Muzikës në Kunj
Specialistë të muzikës në kunj mund të thirren sipas nevojës. Ata mund të përfshijnë role si drejtues i korit të kunjit, udhëheqës i muzikës në kunj dhe shoqërues në piano ose organo në kunj. Specialistët e muzikës në kunj mund të caktohen edhe për të ofruar trajnim për muzikën (shih 19.6).
19.6
Trajnimi dhe Burimet për Muzikën
Mësimi i aftësive bazë në muzikën i përgatit anëtarët që t’i përdorin talentet e tyre për të shërbyer në Kishë. Burimet vijuese mund t’i ndihmojnë ata që kanë thirrje për muzikën. Ata gjithashtu mund të ndihmojnë të gjithë anëtarët që janë të interesuar të zhvillojnë aftësi muzikore.
Materialet e trajnimit bazë për muzikën janë në pjesën “Përdorimi i Librit të Himneve” te libri Himne dhe te pjesa “Përdorimi i Librit të Këngëve” te Libri i Këngëve të Fëmijëve.
Burimet vijuese mund të jenë të dobishme gjithashtu:
-
Një bibliotekë partiturash muzikore dhe regjistrimesh muzikore për përdorim në shtëpi dhe në kishë është në dispozicion në programin kompjuterik Sacred Music [Muzika e Shenjtë] dhe në internet te music.ChurchofJesusChrist.org. Të dëgjuarit e regjistrimeve mund t’i ndihmojë anëtarët që të njihen më shumë me himnet.
-
Funksioni ndërveprues i dëgjimit të muzikës në ChurchofJesusChrist.org mund t’i ndihmojë ata që kërkojnë të mësojnë aftësi të reja muzikore ose t’i zhvillojnë ato.
-
Basic Music Course [Kursi Bazë i Muzikës] mund t’i ndihmojë anëtarët të mësojnë se si ta lexojnë dhe luajnë muzikën në instrumente. Aty përfshihen Conducting Course Kit [Kompleti i Kursit të Drejtimit] dhe Keyboard Course Kit [Kompleti i Kursit të Tastierës]. Këto burime mund të blihen te store.ChurchofJesusChrist.org.
-
Nga zyrat qendrore të Kishës është krijuar një Fond për Edukimin Muzikor që të sigurojë të ardhura për tastierat, materialet e trajnimit dhe udhëzimet për anëtarët që përpiqen të zhvillojnë aftësitë muzikore. Për informacion rreth këtij fondi, shihni te musicfund.ChurchofJesusChrist.org.
Bashkërenduesit e kunjeve dhe të lagjeve për muzikën mund të organizojnë kurse për trajnime bazë muzikore për udhëheqësit e muzikës, drejtuesit e koreve ose shoqëruesit në piano ose organo. Pjesëmarrësit mund të përfshijnë ata që shërbejnë aktualisht në thirrje për muzikën dhe persona të tjerë në moshë madhore, të rinj e të reja ose fëmijë të interesuar. Bashkërenduesit ose specialistët e muzikës mund t’i japin mësim kurset. Bashkërenduesit për muzikën mund të rekomandojnë instruktorë të kualifikuar për të ofruar trajnim.
Atje ku ka mjaft anëtarë, bashkërenduesit për muzikën mund të konsultohen me udhëheqësit e priftërisë dhe të rekomandojnë organizimin e seminareve trajnuese në kunj ose shumëkunjëshe. Për trajnimet e financuara nga Kisha nuk paguhet asnjë tarifë.
19.7
Rregullore dhe Orientime Shtesë
19.7.1
Marrja dhe Përdorimi i Materialeve Muzikore
Një furnizim me libra himnesh u ofrohet shtëpive të reja të mbledhjeve. Libra himnesh shtesë, materiale me muzikë për koret dhe lloje të tjera të muzikës mund të blihen me fondet e buxhetit të kunjit ose të lagjes.
19.7.2
Përdorimi i Instrumenteve të Shtëpive të Mbledhjeve për Praktikë, Mësime Private dhe Recitale
Kur nuk ka një alternativë të arsyeshme, udhëheqësit e priftërisë mund të autorizojnë përdorimin e pianove dhe të organove të shtëpive të mbledhjeve për prova, mësime private të paguara dhe recitale që përfshijnë anëtarë të njësive që e përdorin shtëpinë e mbledhjeve. Ky autorizim është një përjashtim sikurse përshkruhet te 35.5.2.1. Nuk duhet të kërkohet asnjë tarifë hyrjeje për recitalet.
19.7.3
Koret e Komunitetit
Koret afatgjata të komuniteteve të drejtuara nga anëtarë të Kishës dhe që përbëhen kryesisht prej tyre, nuk financohen nga Kisha. Këto kore nuk duhet të përdorin përmendje të Kishës në emrat e tyre.
Nëse e miraton presidenca e kunjit, koret e komunitetit mund të përdorin ndërtesat e Kishës për provat dhe shfaqjet. Koret duhet të zbatojnë standardet dhe rregulloren e Kishës në lidhje me shtëpitë e mbledhjeve (shih 35.5).