“25. Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare në Lagje dhe në Kunj”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).
“25. Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare në Lagje dhe në Kunj”, Manuali i Përgjithshëm.
25.
Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare në Lagje dhe në Kunj
25.0
Parathënia
Bashkimi i familjeve për përjetësinë është pjesë e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni te 1.2). Puna në tempull dhe për historinë familjare është mjeti për bashkimin dhe vulosjen e familjeve për përjetësinë (shihni te Mateu 16:19). Kjo punë përfshin:
-
Bërjen e besëlidhjeve teksa kryejmë ordinancat për veten tonë në tempull (shihni tek Isaia 55:3; Doktrina e Besëlidhje 84:19–23).
-
Zbulimin e paraardhësve tanë të vdekur dhe kryerjen e ordinancave për ta në tempull, me qëllim që ata të mund të bëjnë besëlidhjet me Perëndinë (shihni te Malakia 4:5–6; 1 Korintasve 15:29; Doktrina e Besëlidhje 128:15–18).
-
Vajtjen në tempull rregullisht, atje ku është e mundur, për të adhuruar Perëndinë dhe për të kryer ordinanca për fëmijët e Tij (shihni te Lluka 24:52–53; Doktrina e Besëlidhje 109:13–14).
Tempulli është shtëpia e Zotit. Ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit i bekojnë fëmijët e Atit Qiellor. Ati Qiellor i fton të gjithë fëmijët e Tij të kualifikohen për ordinancat e tempullit dhe t’i kryejnë ato.
Ky kapitull i udhëzon udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës lidhur me punën në tempull dhe për historinë familjare. Më shumë informacion është në dispozicion tek “Temples” [“Tempujt”] dhe “Family History” [“Historia Familjare”] (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org).
25.1
Pjesëmarrja e Anëtarëve dhe Udhëheqësve në Punën në Tempull dhe për Historinë Familjare
Anëtarët e Kishës kanë privilegjin dhe përgjegjësinë për të ndihmuar që t’i bashkojnë familjet e tyre për përjetësinë. Ata vetë përgatiten për të bërë besëlidhje teksa kryejnë ordinancat e tempullit dhe përpiqen fort që t’i mbajnë ato besëlidhje. Ata gjithashtu i ndihmojnë pjesëtarët e familjes që t’i kuptojnë besëlidhjet e tempullit, t’i marrin dhe të përpiqen fort t’i mbajnë ato. Prindërit kanë përgjegjësinë parësore për t’i ndihmuar fëmijët e tyre që të përjetojnë bekimet e tempullit dhe të shërbimit me historinë familjare për pjesëtarë të vdekur të familjes.
Anëtarët e Kishës nxiten të identifikojnë familjarët e tyre të vdekur që nuk i kanë kryer ordinancat e tempullit. Më pas, anëtarët i kryejnë ordinancat në emër të atyre familjarëve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:18). Në botën e shpirtrave individët e vdekur mund të zgjedhin që t’i pranojnë ose refuzojnë ordinancat që janë kryer për ta.
Gjithashtu anëtarët ftojnë familjarë dhe miq që të mësojnë rreth paraardhësve të tyre dhe të zbulojnë historitë e tyre.
Udhëheqësit e Kishës i përkrahin anëtarët në mënyrat vijuese:
-
Japin mësime për rëndësinë e bërjes dhe përpjekjes për të mbajtur besëlidhjet e tempullit.
-
Nxitin anëtarët që të mësojnë rreth paraardhësve të tyre, të zbulojnë historitë e tyre dhe të kryejnë ordinancat e tempullit në emër të tyre.
-
Përkrahin prindërit që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre për të marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare.
-
Nxitin anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, që të kenë një rekomandim aktual tempulli dhe të adhurojnë në tempull sa më shpesh që e lejojnë rrethanat e tyre.
-
Nxitin rininë, anëtarët e rinj dhe persona të tjerë në moshë madhore që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, që të kenë një rekomandim aktual për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës dhe të shkojnë në tempull që të pagëzohen e konfirmohen për të vdekurit.
Shihni te kapitulli 26 për informacion rreth rekomandimeve të tempullit.
25.1.1
Përgjegjësia Individuale për Frekuentimin e Tempullit
Anëtarët përcaktojnë vetë kur dhe sa shpesh të adhurojnë në tempull. Udhëheqësit nuk vendosin synime statistikore ose sisteme raportimi për frekuentimin në tempull.
25.1.2
Udhëtime të Lagjeve dhe Kunjeve për në Tempull
Çdo njësie të Kishës i caktohet një distrikti tempulli. Nuk inkurajohen vizitat e organizuara të lagjeve ose kunjeve për në tempull jashtë distriktit të caktuar të tempullit.
Anëtarët dhe familjet individuale mund të frekuentojnë cilindo tempull që dëshirojnë.
25.2
Organizimi i Punës në Tempull dhe për Historinë Familjare në Lagje
25.2.1
Peshkopata
Peshkopata bashkërendon me presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës teksa i udhëheqin përpjekjet e lagjes për punën në tempull dhe për historinë familjare. Këta udhëheqës këshillohen së bashku rregullisht.
Peshkopata gjithashtu ka përgjegjësitë vijuese për punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje:
-
T’i nxitë individët dhe familjet që të mësojnë doktrinën dhe bekimet e punës në tempull dhe për historinë familjare.
-
Të sigurojë që doktrina dhe bekimet e punës në tempull dhe për historinë familjare jepen mësim në kishë.
-
Të sigurojë që puna në tempull dhe për historinë familjare bashkërendohet në mbledhjet e këshillit të lagjes dhe mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë.
-
Të shqyrtojë dhe miratojë planin e lagjes për tempullin dhe historinë familjare (shihni te 25.2.6).
-
Të mbikëqyrë organizimin e kurseve të përgatitjes për në tempull (shihni te 25.2.8).
-
Të lëshojë rekomandime të tempullit (shihni te kapitulli 26).
Peshkopata këshillohet me presidentin e kunjit për të përcaktuar që të thërrasë apo jo një udhëheqës të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare (shihni te 25.2.3 për më shumë informacion).
25.2.2
Presidencat e Kuorumit të Pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës
Presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës udhëheqin përpjekjet e përditshme të punës në tempull dhe për historisë familjare në lagje (shihni te 8.2.4 dhe 9.2.4). Presidenca e kuorumit të pleqve i udhëheq këto përpjekje për anëtarët e kuorumit të pleqve. Presidenca e Shoqatës së Ndihmës i udhëheq përpjekjet për anëtaret e Shoqatës së Ndihmës. Ata punojnë së bashku për t’i udhëhequr këto përpjekje me këshillin e lagjes, nën bashkërendimin e peshkopit.
Këta udhëheqës kanë përgjegjësitë vijuese:
-
T’i nxitin individët dhe familjet që të mësojnë doktrinën dhe bekimet e punës në tempull dhe për historinë familjare.
-
Të sigurojnë që doktrina dhe bekimet e punës në tempull dhe për historinë familjare jepen mësim në kishë.
-
T’i ndihmojnë anëtarët që të përgatiten për të kryer ordinancat e tempullit dhe për të bërë besëlidhje në tempull.
-
T’i nxitin anëtarët që të adhurojnë në tempull sa më shpesh që e lejojnë rrethanat e tyre.
-
T’i nxitin anëtarët që të mësojnë rreth paraardhësve të tyre dhe të kryejnë ordinancat e tempullit në emër të tyre.
-
Të ndihmojnë këshillin e lagjes që të zhvillojë dhe vërë në zbatim planin e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare (shihni te 25.2.6).
-
Të sigurojnë që puna në tempull dhe për historinë familjare planifikohet dhe raportohet në mbledhjet e këshillit të lagjes dhe në mbledhjet e bashkërendimit të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare.
-
Të udhëheqin punën e udhëheqësit të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Nëse ky udhëheqës nuk thirret, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve e përmbush këtë rol (shihni te 25.2.3).
Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës caktojnë secili një anëtar/e të presidencës që të ndihmojnë për ta udhëhequr punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje. Anëtarët e këtyre dy presidencave punojnë së bashku. Ata marrin pjesë në mbledhjet e bashkërendimit për tempullin dhe për historinë familjare në lagje (shihni te 25.2.7).
25.2.3
Udhëheqësi i Lagjes për Tempullin dhe për Historinë Familjare
Peshkopata këshillohet me presidentin e kunjit për të përcaktuar që të thërrasë apo jo një udhëheqës të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Nëse ata vendosin ta japin këtë thirrje, peshkopata këshillohet me presidentin e kuorumit të pleqve dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës për të përcaktuar se kë të thërrasin. Ky person duhet të jetë një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Nëse ky udhëheqës nuk thirret, një anëtar i presidencës së kuorumit të pleqve e përmbush këtë rol.
Udhëheqësi i lagjes për tempullin dhe për historinë familjare e përkrah presidencën e kuorumit të pleqve dhe presidencën e Shoqatës së Ndihmës lidhur me përgjegjësitë e tyre për tempullin dhe për historinë familjare. Ai gjithashtu ka përgjegjësitë vijuese:
-
Të bashkërendojë përpjekjet për tempullin dhe për historinë familjare me udhëheqësit/et e organizatave të lagjes, përfshirë presidencat e kuorumeve dhe të klasave të rinisë.
-
Të udhëheqë mbledhjet e bashkërendimit për tempullin dhe për historinë familjare në lagje (shihni te 25.2.7).
-
Të frekuentojë mbledhjet e këshillit të lagjes kur ftohet.
-
Të ndihmojë këshillin e lagjes që të zhvillojë dhe vërë në zbatim planin e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare (shihni te 25.2.6).
-
Të udhëzojë këshilluesit/et e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Të bashkërendojë përpjekjet e tyre për t’i ndihmuar anëtarët për punën në tempull dhe për historinë familjare.
-
Të punojë me udhëheqësin e misionit të lagjes dhe misionarët për t’i ndihmuar ata që mësojnë për ungjillin, anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet, që të përfshihen në punën në tempull dhe për historinë familjare.
-
Kur gjen zbatim, caktoni këshillues/e të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare që të shërbejnë në qendrën e historisë familjare (shihni te 25.3.6).
25.2.4
Këshilluesit/et e Lagjes për Tempullin dhe për Historinë Familjare
Këshilluesit/et e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare shërbejnë nën drejtimin e udhëheqësit të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare ose të anëtarit të presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol. Peshkopata i thërret këta anëtarë që të shërbejnë. Mund të thirren persona në moshë madhore, të rinj dhe të reja. Presidenti i kuorumit të pleqve, presidentet e Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave mund të sugjerojnë se kush mund të shërbejë.
Këshilluesit/et kanë përgjegjësitë vijuese:
-
T’i ndihmojnë anëtarët që të përjetojnë bekimet e zbulimit të paraardhësve të tyre dhe të kryerjes së ordinancave të tempullit në emër të tyre. Këto përvoja janë veçanërisht të rëndësishme për ata që po mësojnë ungjillin, për anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet, si dhe për ata që po përgatiten për të marrë një rekomandim për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës.
-
T’i ndihmojnë anëtarët që të përgatiten për të kryer ordinancat e tempullit dhe për të bërë besëlidhje në tempull.
-
Të marrin pjesë në mbledhjet e bashkërendimit për tempullin dhe për historinë familjare (shihni te 25.2.7).
-
Të shërbejnë në qendrën vendore të historisë familjare kur caktohen (shihni te 25.3.6).
25.2.5
Këshilli i Lagjes
Anëtarët e këshillit të lagjes me lutje zhvillojnë dhe vënë në zbatim një plan të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Për informacion rreth planit, shihni te 25.2.6.
Peshkopi mund ta ftojë udhëheqësin e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare që të marrë pjesë në mbledhjet e këshillit të lagjes.
25.2.6
Plani i Lagjes për Tempullin dhe Historinë Familjare
Çdo lagje duhet të ketë një plan të thjeshtë për tempullin dhe për historinë familjare. Ky plan i ndihmon anëtarët e lagjes, përfshirë fëmijët dhe rininë, që të marrin pjesë në punën për historinë familjare dhe të përgatiten që të adhurojnë në tempull sa më shpesh që e lejojnë rrethanat e tyre.
Presidenti i kuorumit të pleqve dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës e ndihmojnë këshillin e lagjes për ta zhvilluar planin. Ndihmon edhe udhëheqësi i lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Në zhvillimin e planit, ata:
-
Marrin parasysh nevojat dhe burimet në dispozicion.
-
Përcaktojnë veprime për t’i ndërmarrë gjatë vitit.
-
Vendosin se si ta vënë në zbatim planin dhe të bëjnë caktime në përputhje me planin.
Shembujt se çfarë mund të përfshijë plani renditen më poshtë:
-
Ndihmojini anëtarët të ndërtojnë pemët e familjeve të veta te FamilySearch.org ose me programin kompjuterik Pema Familjare në FamilySearch (shihni te 25.4.2).
-
Përfshini anëtarë të rinj dhe që po kthehen në aktivitet, të rinj, të reja dhe fëmijë në punën për historinë familjare.
-
Ndihmoni anëtarë të caktuar që të përgatiten për të kryer ordinancat e tempullit.
Peshkopi e shqyrton dhe e miraton planin. Anëtarët e këshillit të lagjes janë në role udhëheqëse të vënies në zbatim të planit. Ata raportojnë lidhur me përparimin në mbledhjet e këshillit të lagjes. Ata gjithashtu e përditësojnë planin sipas nevojës.
25.2.7
Mbledhjet e Bashkërendimit të Lagjes për Tempullin dhe për Historinë Familjare
Mbledhje bashkërendimi të shkurtra joformale të lagjes për tempullin dhe për historinë familjare mbahen rregullisht. Nëse thirret një udhëheqës i lagjes për tempullin dhe për historinë familjare, ai i drejton këto mbledhje. Përndryshe i drejton anëtari i presidencës së kuorumit të pleqve që e përmbush këtë rol.
Njerëz të tjerë që ftohen, përfshijnë:
-
Anëtarë/e të caktuar/a të presidencave të Shoqatës së Ndihmës dhe kuorumit të pleqve.
-
Një ndihmës në kuorumin e priftërinjve.
-
Një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe të Të Rejave.
-
Këshilluesit/et për tempullin dhe për historinë familjare.
Qëllimi i këtyre mbledhjeve është që:
-
Të bashkërendohen përpjekjet për ta vënë në zbatim planin e lagjes për tempullin dhe historinë familjare (shihni te 25.2.6).
-
Të planifikohet se si të ndihmohen anëtarë të caktuar të lagjes për punën e tyre në tempull dhe për historinë familjare sipas kërkesës.
Këto mbledhje mund të zhvillohen me prani fizike ose në distancë. Bashkërendimi mund të ndodhë edhe në mënyra të tjera, duke përfshirë telefonatat, mesazhet me celular dhe me postë elektronike.
25.2.8
Kursi i Përgatitjes për Tempullin
Nën drejtimin e peshkopit, një kurs i përgatitjes për tempullin mund të organizohet për t’i ndihmuar anëtarët që të përgatiten për të bërë besëlidhje teksa kryejnë ordinancat e tempullit. Këto kurse zhvillohen jashtë mbledhjeve të rregullta të së dielës në një kohë të volitshme për anëtarët. Ato mund të zhvillohen në një shtëpi mbledhjesh ose në një shtëpi banimi.
Me lutje, anëtarët e këshillit të lagjes përzgjedhin anëtarë që t’i ftojnë të marrin pjesë në secilin kurs. Këto kurse mund të jenë veçanërisht të dobishme për njerëzit vijues:
-
Anëtarët e rinj
-
Anëtarët që përgatiten për të kryer ordinancën e tyre të dhurimit ose të vulosen
-
Anëtarët që po kthehen për t’u aktivizuar në Kishë
-
Anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të cilët nuk i kanë rinovuar rekomandimet e tyre të tempullit për një kohë të gjatë
Peshkopata thërret një ose më shumë instruktorë të përgatitjes për në tempull. Mund të thirren një bashkëshort e një bashkëshorte. Mësimet dhe udhëzimet për organizimin e kursit janë në materialin I Dhuruar nga Lart: Manuali i Mësuesit për Seminarin e Përgatitjes për në Tempull. Pjesëmarrësve u jepen kopje të materialit Në Përgatitje për të Hyrë në Tempullin e Shenjtë. Për burimet e studimit vetjak dhe të mësimeve, shihni te temples.ChurchofJesusChrist.org.
25.3
Organizimi i Punës në Tempull dhe për Historinë Familjare në Kunj
Udhëheqësit e kunjit i përkrahin udhëheqësit dhe anëtarët e lagjeve në përpjekjet e tyre për punën në tempull dhe për historinë familjare.
25.3.1
Presidenca e Kunjit
Presidenti i kunjit mban çelësat për veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në kunj. Ai dhe këshilltarët e tij kanë përgjegjësitë vijuese për aspektin e tempullit dhe të historisë familjare të kësaj pune:
-
Të sigurojnë që doktrina dhe bekimet e punës në tempull dhe për historinë familjare jepen mësim rregullisht në mbledhjet e kunjit.
-
T’i ndihmojnë anëtarët që të përgatiten për të bërë besëlidhje të shenjta teksa kryejnë ordinancat e tempullit.
-
T’i nxitin anëtarët që të mësojnë rreth paraardhësve të tyre dhe të kryejnë ordinancat e tempullit në emër të tyre.
-
T’i nxitin anëtarët që të adhurojnë në tempull sa më shpesh që e lejojnë rrethanat e tyre.
-
Të kryejnë intervista për rekomandime tempulli (shihni te kapitulli 26).
Në mbledhjen e tij të rregullt me secilin president të kuorumit të pleqve, një anëtar i presidencës së kunjit diskuton punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje (shihni te 8.3.1). Mund të marrin pjesë këshilltarët në presidencën e kuorumit të pleqve dhe këshilltari i lartë i caktuar për kuorumin.
25.3.2
Komiteti i Kunjit i Udhëheqjes së Personave në Moshë Madhore
Komiteti i kunjit i udhëheqjes së personave në moshë madhore përfshin:
-
Presidencën e kunjit.
-
Presidencën e Shoqatës së Ndihmës të kunjit.
-
Këshilltarët e lartë të caktuar për të punuar me kuorumet e pleqve.
Këta udhëheqës udhëzojnë dhe përkrahin presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës në përgjegjësitë e tyre për punën në tempull dhe për historinë familjare (shihni te 25.2.2). Udhëzimi mund të ndodhë në një mjedis grupi ose individual. Udhëheqësit e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare mund të ftohen për të marrë pjesë në këtë udhëzim.
Për më shumë informacion rreth mbledhjeve të këtij komiteti, shihni 29.3.9.
25.3.3
Këshilltarët e Lartë
Presidenca e kunjit mund të caktojë këshilltarë të lartë për të udhëzuar dhe përkrahur njerëzit që vijojnë në përgjegjësitë e tyre për punën në tempull dhe për historinë familjare:
-
Presidencat e kuorumeve të pleqve
-
Udhëheqësit e lagjeve për tempullin dhe për historinë familjare
-
Këshilluesit/et e kunjit për tempullin dhe për historinë familjare
Një ose më shumë këshilltarë të lartë mund të caktohen për t’i udhëhequr këto përpjekje. Sidoqoftë, të gjithë këshilltarët e lartë i kanë këto përgjegjësi për lagjet dhe kuorumet në të cilat janë caktuar.
Këshilltarët e lartë mund t’i ndihmojnë udhëheqësit e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare që të udhëzojnë këshilluesit/et e lagjes për tempullin dhe për historinë familjare. Këshilltarët e lartë mund të ndihmohen nga këshilluesit/et e kunjit për tempullin dhe për historinë familjare.
Presidenca e kunjit mund të caktojë një këshilltar të lartë që të bashkërendojë përpjekjet e kunjit për indeksimin (shihni te 25.4.3). Ai ose një këshilltar tjetër i lartë mund të caktohet për të mbikëqyrur punën në qendrat e historisë familjare (shihni te 25.3.6).
25.3.4
Presidenca e Shoqatës së Ndihmës të Kunjit
Nën drejtimin e presidentit të kunjit, presidenca e Shoqatës së Ndihmës të kunjit i udhëzon dhe përkrah presidencat e Shoqatave të Ndihmës të lagjeve lidhur me përgjegjësitë e tyre për punën në tempull dhe për historinë familjare.
25.3.5
Këshilluesit e Kunjit për Tempullin dhe për Historinë Familjare
Këshilluesit/et e kunjit për tempullin dhe për historinë familjare e përkrahin punën në tempull dhe për historinë familjare anembanë kunjit. Ata shërbejnë nën drejtimin e presidencës së kunjit dhe të një ose më shumë këshilltarëve të lartë të caktuar për punën në tempull dhe për historinë familjare.
Këta këshillues i përkrahin këshilltarët e lartë dhe presidencën e Shoqatës së Ndihmës të kunjit në përpjekjet e tyre për t’i udhëzuar të tjerët lidhur me punën në tempull dhe për historinë familjare (shihni te 25.3.3 dhe 25.3.4). Atyre mund t’u jepen edhe detyrat vijuese:
25.3.6
Qendrat e Historisë Familjare
Nëse burimet janë në dispozicion, kunji mund të organizojë një ose më shumë qendra të historisë familjare. Këto qendra janë që t’i ndihmojnë vizitorët të zbulojnë, mbledhin informacion rreth pjesëtarëve të familjeve të gjallë dhe të vdekur, si edhe t’i bashkojnë ata pjesëtarë. Kushdo është i mirëpritur t’i përdorë këto qendra.
Presidenti i kunjit cakton një këshillues/e të kunjit për tempullin dhe për historinë familjare që të mbikëqyrë përpjekjet në çdo qendër të historisë familjare. Në përgjithësi, secila qendër ka si personel këshilluesit/et e lagjeve për tempullin dhe për historinë familjare. Qendrat e historisë familjare duhet të jenë të hapura në orare të volitshme.
Si përjashtim, bibliotekat e mëdha krahinore për historinë familjare mbikëqyren nga Presidenca e Zonës.
25.3.7
Këshilluesit/et Zonalë/e për Tempullin dhe për Historinë Familjare
Presidencat e Zonave mund të thërrasin këshillues/e zonalë/e për tempullin dhe për historinë familjare. Nëse e lejojnë rrethanat, një person ose një çift mund të thirret për secilin këshill bashkërendues. Këshilluesit/et zakonisht shërbejnë për tre deri në pesë vjet.
Presidenca e Parë mund të caktojë Të Shtatëdhjetë Zonalë që të bashkërendojnë punën e këtyre këshilluesve/eve në këshillat bashkërenduese. Puna e këshilluesve/eve duhet të përputhet me përqendrimin e zonës.
Siç drejtohen nga Presidenca e Zonës dhe Të Shtatëdhjetët Zonalë, këshilluesit i ndihmojnë presidentët e kunjeve që t’i përmbushin përgjegjësitë e tyre për punën në tempull dhe për historinë familjare. Këshilluesit/et i ndihmojnë presidentët e kunjeve në përpjekjet e tyre për t’u mësuar përgjegjësitë e tyre këshilltarëve të lartë, presidencave të Shoqatave të Ndihmës të kunjeve, këshillave të udhëheqësve në moshë madhore për kunjet dhe këshilluesve/eve të kunjeve për tempullin dhe për historinë familjare.
Këshilluesit mund të caktohen për t’i ndihmuar presidencat e kunjeve që t’i përgatitin anëtarët për adhurim në tempujt e saponjoftuar brenda zonës. Përgjegjësi të tjera mund të përfshijnë udhëzimin për udhëheqësit e kunjeve lidhur me parimet dhe praktikat e punës në tempull dhe për historinë familjare. Këto përfshijnë:
-
Si të organizohet puna në tempull dhe për historinë familjare në kunj dhe në lagjet (shihni te 25.3 dhe 25.2).
-
Si t’i përkrahin presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës në përgjegjësitë e tyre (shihni te 25.2.2).
-
Si mund t’i bekojë fëmijët dhe të rinjtë e të rejat puna në tempull dhe për historinë familjare (shihni te 10.2.4, 11.2.4 dhe 12.2.4).
-
Si të zhvillojnë mbledhje të efektshme bashkërendimi për tempullin dhe historinë familjare (shihni te 25.2.7).
-
Si t’i ndihmojnë udhëheqësit e lagjeve që të planifikojnë dhe vendosin synime (shihni te 25.2.6).
-
Si t’i ndihmojnë anëtarët që të përgatiten për të shkuar në tempull (shihni te 25.2.8).
-
Si t’i ndihmojnë anëtarët në përvojën e tyre të parë me pagëzimet me mëkëmbës në tempull (shihni te 23.2).
-
Si t’i ndihmojnë anëtarët që të kenë një përvojë domethënëse për historinë familjare (shihni tek Udhëzim për Udhëheqjen mbi Tempullin dhe Historinë Familjare).
25.4
Burimet e Historisë Familjare
25.4.1
Familja Ime: Historitë që na Bashkojnë
Broshura Familja Ime: Historitë që na Bashkojnë i ndihmon njerëzit që të zbulojnë familjarë dhe paraardhës dhe t’i mbledhin historitë e tyre. Kjo broshurë gjithashtu mund t’i ndihmojë anëtarët që të fillojnë të përgatitin emra familjarësh për ordinancat e tempullit.
Broshura mund të shkarkohet te ChurchofJesusChrist.org. Kopje të shtypura mund të porositen te store.ChurchofJesusChrist.org.
25.4.2
Faqja FamilySearch.org dhe Programet Kompjuterike të FamilySearch‑it
FamilySearch.org është këndi i internetit i Kishës për punën në tempull dhe për historinë familjare. Ajo mund t’i ndihmojë përdoruesit që:
-
Të krijojnë lidhje dhe marrëdhënie të pemës familjare.
-
Të zbulojnë paraardhësit dhe historitë e tyre.
-
Të tregojnë dhe ruajnë ngjarje, fotografi dhe histori familjare.
-
Të përgatitin emra të familjes për ordinancat e tempullit.
Programi Pema Familjare në FamilySearch dhe programi Kujtimet në FamilySearch i mundësojnë njerëzit që të marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare prej aparateve elektronike.
25.4.3
Indeksimi
Indeksimi është procesi i futjes së informacionit nga një dokument i shkruar historik në një bazë të kërkueshme të dhënash në FamilySearch.org. Njerëzit që indeksojnë, e bëjnë të mundur që të tjerët të zbulojnë paraardhësit e tyre më me lehtësi dhe të kryejnë ordinanca të tempullit në emër të tyre.
Çdo njeri mund marrë pjesë në indeksim. Kjo mund të jetë një përvojë veçanërisht përmbushëse për sa vijojnë:
-
Të rinjtë e të rejat
-
Të rinjtë e të rejat në moshë madhore
-
Anëtarët që nuk janë në gjendje t’i frekuentojnë rregullisht mbledhjet e Kishës
-
Anëtarët e rinj
-
Publikun e gjerë
Presidenca e kunjit mund të caktojë një këshillues të kunjit për tempullin dhe për historinë familjare ose një këshilltar të lartë që ta bashkërendojë këtë punë.
Për më shumë informacion, shihni te “Vështrim i Përgjithshëm mbi Indeksimin” në FamilySearch.org.
25.5
Rekomandimi dhe Thirrja e Punonjësve të Tempullit
25.5.1
Rekomandimi i Punonjësve të Tempullit
Punonjësit e mundshëm të tempullit identifikohen në mënyrat vijuese:
-
Anëtarë të identifikuar nga peshkopi ose një udhëheqës tjetër i lagjes
-
Anëtarë që i kërkojnë peshkopit për të shërbyer
-
Anëtarë të rekomanduar nga presidenti i tempullit, kryekujdestarja ose një udhëheqës tjetër në tempull
-
Anëtarët që po përgatiten për një shërbim misionar ose që janë kthyer kohët e fundit nga shërbimi misionar (shihni te kapitulli 24)
Emrat e punonjësve të mundshëm të tempullit dorëzohen duke përdorur mjetin Rekomando Punonjës Tempulli. Ky mjet është në dispozicion të peshkopëve, presidentëve të kunjeve dhe presidencave të tempujve. Procesi për dorëzimin e emrave përvijohet më poshtë.
Kur anëtarët e një presidence tempulli përcaktojnë një punonjës të mundshëm tempulli, ata ia dorëzojnë emrin e personit peshkopit duke përdorur mjetin Rekomando Punonjës Tempulli.
Kur një peshkop përcakton një punonjës të mundshëm tempulli ose merr një rekomandim nga një president tempulli, ai këshillohet me anëtarin/en rreth mundësisë për të shërbyer. Ai shqyrton kërkesat për punonjësit e ordinancave të tempullit (shihni te 25.5.2) ose për vullnetarët e tempullit (shihni te 25.5.3). Nëse si peshkopi ashtu edhe anëtari/ja e ndiejnë që mundësia do të jetë e përshtatshme, peshkopi plotëson dhe dorëzon rekomandimin duke përdorur mjetin Rekomando Punonjës Tempulli. Anëtari/ja duhet të kuptojë se një rekomandim i dorëzuar nuk siguron që ai ose ajo do të thirret ose caktohet si një punonjës/e tempulli.
Më pas rekomandimi shqyrtohet nga presidenti i kunjit për anëtarët që jetojnë në një kunj. Për anëtarët që jetojnë në një distrikt, atë e shqyrton presidenti i misionit. Nëse presidenti i kunjit ose misionit e miraton rekomandimin, ai ia dorëzon atë presidentit të tempullit për shqyrtim duke përdorur mjetin Rekomando Punonjës Tempulli.
Anëtarët që thirren ose caktohen si punonjës tempulli, zakonisht zotohen ndaj një orari të caktuar që të shërbejnë në tempull çdo javë. Udhëheqësit duhet të mos japin thirrje të tjera që do të bien ndesh me aftësinë e anëtarëve për të shërbyer në tempull.
Mjeti Rekomando Punonjës Tempulli gjithashtu u tregon peshkopëve dhe presidentëve të kunjeve një listë të të gjithë anëtarëve nga lagjet ose kunjet e tyre që aktualisht po shërbejnë në tempull.
25.5.2
Kërkesat për Punonjës Ordinancash në Tempull
Punonjësit e ordinancave në tempull ndihmojnë për të kryer ordinanca në tempull. Që të rekomandohet si punonjës ordinancash, një anëtar/e duhet të plotësojë kualifikimet vijuese:
-
Të banojë në distriktin e tempullit për tempullin ku ai ose ajo do të shërbejë.
-
Të ketë kryer ordinancën e dhurimit, t’i nderojë besëlidhjet e tempullit dhe të mbajë një rekomandim aktual tempulli.
-
Të ketë dëshmi të fortë për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.
-
Të jetë fizikisht në gjendje që të administrojë ordinancat pa pasur ndihmë.
-
Të jetë i/e denjë për respekt në Kishë dhe në komunitet.
-
Të punojë mirë me njerëz të tjerë.
-
Të jetë i/e besueshëm/e dhe të ketë shëndet të mirë.
-
Të mos ketë aktualisht një shënim shpjegues në dokumentin e tij apo të saj të anëtarësisë.
Nëse anëtarësia në Kishë e një personi u kufizua formalisht, kufizimet duhet të jenë hequr prej të paktën pesë vjetësh. Nëse personi e kishte kryer ordinancën e dhurimit kur anëtarësia iu hoq ose kur personi hoqi dorë nga anëtarësia, bekimet e tij ose të saj duhet të jenë rivendosur të paktën pesë vjet më parë.
25.5.3
Kërkesat për Vullnetarë Tempulli
Vullnetarët në tempull ndihmojnë për detyra administrative në tempull, të tilla si shërbimi në zyrë ose në lavanderi. Që të rekomandohet si vullnetar në tempull, një anëtar duhet të plotësojë kualifikimet vijuese:
-
Të banojë në distriktin e tempullit për tempullin ku ai ose ajo do të shërbejë.
-
Të ketë kryer ordinancën e dhurimit, t’i nderojë besëlidhjet e tempullit dhe të mbajë një rekomandim aktual tempulli.
-
Të punojë mirë me njerëz të tjerë.
-
Të jetë i/e besueshëm/e dhe të ketë shëndet të mirë.
-
Të mos ketë aktualisht një shënim shpjegues në dokumentin e tij apo të saj të anëtarësisë.
Si përjashtim nga këto kualifikime, anëtarët që dalin vullnetarë për të punuar jashtë tempullit, nuk nevojitet të kenë kryer ordinancën e dhurimit. Një shembull është një anëtar/e që punon në mjediset rrethuese të tempullit.
25.5.4
Thirrja dhe Veçimi i Punonjësve të Ordinancave
Pasi presidenti i tempullit merr rekomandim për dikë që të shërbejë si punonjës/e ordinancash, një anëtar i presidencës së tempullit ose dikush që ai e cakton, e interviston personin. Siç frymëzohet, personi që kryen intervistën, i thërret njerëzit që janë në gjendje të shërbejnë si punonjës ordinancash, dhe i veçon ata.
25.5.5
Caktimi i Vullnetarëve
Vullnetarët e tempullit mund të intervistohen dhe caktohen nga një anëtar i presidencës së tempullit ose dikush që ai e cakton. Vullnetarët caktohen në vend që të thirren. Ata nuk nevojitet të veçohen.