Manualet dhe Thirrjet
26. Rekomandimet e Tempullit


“26. Rekomandimet e Tempullit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“26. Rekomandimet e Tempullit”, Manuali i Përgjithshëm.

peshkop duke intervistuar një burrë

26.

Rekomandimet e Tempullit

26.0

Parathënia

Hyrja në tempull është një privilegj i shenjtë. Udhëheqësit e lagjeve dhe të kunjeve i nxitin të gjithë anëtarët që të jenë të denjë për një rekomandim aktual tempulli dhe të kenë një rekomandim aktual tempulli edhe nëse nuk jetojnë pranë një tempulli.

Udhëheqësit e Kishës bëjnë çdo përpjekje për t’u kujdesur që të gjithë njerëzit që hyjnë në tempull, të jenë të denjë për të hyrë (shihni te Psalmeve 24:3–5). Udhëheqës të autorizuar të priftërisë kryejnë intervista për rekomandime tempulli dhe u lëshojnë rekomandime tempulli anëtarëve që u përgjigjen pyetjeve të intervistës siç duhet dhe sinqerisht (shihni 26.3). Zoti premton që, në qoftë se njerëzit që hyjnë në tempull janë të pastër, prania e Tij do të jetë atje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 97:15–16).

Anëtarët duhet të kenë një rekomandim aktual tempulli për të hyrë në tempull. Fëmijët nën moshën 8 vjeç që po vulosen te prindërit e tyre ose që vëzhgojnë vulosjen e vëllait dhe motrës së tyre te prindërit e tyre, nuk kanë nevojë për një rekomandim (shihni 26.4.4).

Ky kapitull jep udhëzime për udhëheqësit që lëshojnë rekomandime tempulli. Një peshkop këshillohet me presidentin e tij të kunjit nëse ka pyetje rreth rekomandimeve të tempullit, të cilave nuk u jepen përgjigje në këtë kapitull. Presidenti i kunjit mund të vihet në kontakt me Zyrën e Presidencës së Parë për pyetjet.

26.1

Llojet e Rekomandimeve të Tempullit

Një rekomandim aktual tempulli e lejon një anëtar/e të hyjë në të gjithë tempujt. Udhëheqësit e priftërisë sigurojnë që anëtarët/et të marrin rekomandimin e duhur për rrethanat e tyre. Ka tri lloje rekomandimesh:

  1. Rekomandim tempulli për anëtarët që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Këto rekomandime janë për anëtarë që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të cilët po vulosen me prindërit e tyre ose po kryejnë pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës. Ato lëshohen nëpërmjet sistemit Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (BUN) [LCR]. Për më shumë informacion, shihni te 26.4.

  2. Rekomandim tempulli për ordinanca për të gjallët. Këto rekomandime janë për anëtarët që kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre ose që po vulosen me një bashkëshort/e. Ato lëshohen nga blloku 2 i rekomandimeve. Rekomandimi për ordinancat për të gjallët i bashkëlidhet një rekomandimi të rregullt tempulli për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit (të përshkruar më poshtë). Tempulli e mban rekomandimin e ordinancës për të gjallët kur kryhet ordinanca. Anëtari/ja mban rekomandimin e rregullt dhe e përdor atë kur kthehet përsëri në tempull.

  3. Rekomandim tempulli për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Këto rekomandime janë për anëtarët/et që e kanë kryer më parë ordinancën e dhurimit. Ato lëshohen nëpërmjet sistemit BUN [LCR]. Ato e autorizojnë një anëtar/e që të marrë pjesë në të gjitha ordinancat e tempullit për të vdekurit. Ato gjithashtu përdoren kur një anëtar/e që e ka kryer ordinancën e dhurimit, vuloset me prindër ose fëmijë të gjallë apo të vdekur. Për më shumë informacion, shihni te 26.3.

26.2

Ruajtja e Rekomandimeve të Tempullit

26.2.1

Ruajtja e Rekomandimeve të Tempullit nga Udhëheqësit e Priftërisë

Udhëheqësit e priftërisë që autorizohen të kenë blloqe të rekomandimeve të tempullit, duhet t’i ruajnë ato me kujdes. Asnjë person tjetër nuk duhet të ketë leje përdorimi të atyre blloqeve. Kur Kisha i përditëson blloqet e rekomandimeve të tempullit, udhëheqësit i asgjësojnë blloqet e vjetruara.

Udhëheqësit e priftërisë gjithashtu sigurojnë që individë të paautorizuar nuk kanë të drejtë përdorimi të informacionit të rekomandimeve të tempullit në sistemin BUN [LCR].

26.2.2

Shkatërrimi i Rekomandimeve të Tempullit që u Ka Mbaruar Vlefshmëria

Anëtarët e presidencës së kunjit ose misionit i kërkojnë rekomandimet e vjetra të tempullit kur intervistojnë anëtarë/e për një rekomandim të ri. Ata i shkatërrojnë rekomandimet e vjetra.

26.2.3

Rekomandimet e Humbura ose të Vjedhura

Peshkopi u kërkon anëtarëve ta njoftojnë sa më shpejt që të jetë e mundur nëse rekomandimi i tyre humbet ose vidhet. Ai ose një këshilltar apo nëpunës i caktuar përdor sistemin BUN [LCR] për ta anuluar rekomandimin sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëse ky sistem nuk është në dispozicion, peshkopi vihet në kontakt me zyrën e tempullit që ta anulojë rekomandimin.

Shpejt pas anulimit të rekomandimit të humbur ose të vjedhur, peshkopi ose një këshilltar i caktuar kryen me anëtarin/en një intervistë për rekomandim tempulli që të lëshojë një rekomandim të ri.

26.2.4

Mbajtësit e Rekomandimit që Nuk po i Jetojnë Standardet e Denjësisë

Nëse peshkopi përcakton se një anëtar/e që ka një rekomandim aktual, nuk po i jeton standardet e denjësisë (shihni 26.3), ai ia merr rekomandimin anëtarit/es. Ai përdor sistemin BUN [LCR] për ta anuluar rekomandimin. Nëse ky sistem nuk është në dispozicion, peshkopi vihet në kontakt me zyrën e tempullit që ta anulojë rekomandimin.

26.3

Orientime të Përgjithshme për Lëshimin e Rekomandimeve të Tempullit

Udhëheqësit e autorizuar të priftërisë kryejnë intervista përpara se një anëtar/e të mund të marrë një rekomandim tempulli. Udhëzimet janë te sistemi BUN. Udhëheqësit e priftërisë duhet ta lëshojnë një rekomandim vetëm nëse anëtari/ja u përgjigjet siç duhet pyetjeve të rekomandimit të tempullit.

Intervistat për rekomandime tempulli i lejojnë anëtarët që të demonstrojnë se kanë një dëshmi dhe po përpiqen fort që t’u binden urdhërimeve të Perëndisë dhe t’i ndjekin profetët e Tij. Udhëheqësit e priftërisë gjithashtu vërtetojnë, nëpërmjet intervistës, se anëtari/ja është i/e denjë.

Intervistat për rekomandime tempulli nuk duhet të bëhen me nxitim. Ato duhet të jenë private. Megjithatë, personi që po intervistohet, mund të ftojë një person tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm. Një i ri ose e re mund të ftojë një prind ose një person tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm gjatë një interviste për rekomandim.

Udhëheqësit e priftërisë nuk duhet t’u shtojnë ndonjë kërkesë atyre që përvijohen në bllokun e rekomandimeve të tempullit. As nuk duhet ta heqin ndonjë kërkesë. Sidoqoftë, kur lëshojnë rekomandime për rininë, udhëheqësit i përshtatin pyetjet sipas moshës dhe rrethanave të të rinjve dhe të rejave.

Ndonjëherë anëtarët kanë pyetje gjatë një interviste për rekomandim tempulli. Udhëheqësi i priftërisë mund të shpjegojë parimet bazë të ungjillit. Ai gjithashtu mund t’i ndihmojë anëtarët që t’i kuptojnë pyetjet e rekomandimit të tempullit nëse nevojitet. Gjithsesi, ai nuk duhet të paraqitë bindjet, parapëlqimet apo interpretimet e tij vetjake si doktrinë ose rregullore të Kishës.

Në kunje, një anëtar i presidencës së kunjit ose një nëpunës i kunjit e aktivizon rekomandimin e tempullit në sistemin BUN [LCR] pasi ai lëshohet. Në distrikte, një anëtar i presidencës së misionit ose një nëpunës i misionit e aktivizon rekomandimin. Rekomandimet për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës aktivizohen kur ato shtypen në letër nga një anëtar i peshkopatës ose nga presidenti i degës. Ai përdor sistemin BUN [LCR] për t’i shtypur në letër rekomandimet.

26.3.1

Intervistat për Rekomandime Tempulli për Anëtarët në Lagjet dhe Degët

Në një lagje, peshkopi ose një këshilltar i caktuar kryen intervista për rekomandime tempulli dhe lëshon rekomandime për ata që janë të denjë. Në një degë, vetëm presidenti i degës kryen intervista për rekomandime tempulli dhe lëshon rekomandime.

Në një lagje, peshkopi personalisht interviston anëtarët që:

  • Po marrin ordinancën e tyre vetjake të dhurimit (shihni 27.1 dhe 27.2).

  • Po vulosen me një bashkëshort/e (shihni 27.3).

Në raste të ngutshme kur peshkopi nuk është në dispozicion, ai mund të autorizojë njërin prej këshilltarëve të tij që t’i kryejë këto intervista.

Në lagje të mëdha për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, peshkopët mund të autorizojnë këshilltarë me përvojë për t’i kryer këto intervista.

Përpara se të lëshojë një rekomandim në ndonjë prej situatave të renditura më poshtë, peshkopi e shqyrton dokumentin e anëtarit/es për të verifikuar që nuk përfshin ndonjë shënim shpjegues rreth kufizimeve të anëtarësisë në Kishë. Për anëtarët që marrin ordinancën e dhurimit për veten e tyre ose që po vulosen me një bashkëshort/e, ai gjithashtu sigurohet që:

  • Pagëzimi dhe konfirmimi i personit shënohen në dokumentin e anëtarësisë.

  • Vëllezërit e kanë marrë Priftërinë Melkizedeke.

Nganjëherë, datat për pagëzimin dhe konfirmimin e një anëtari/eje ose shugurimin e anëtarit në Priftërinë Melkizedeke nuk janë shënuar. Në këto situata, ordinancat duhet të vërtetohen dhe shënohen, ratifikohen ose kryhen sërish (shihni 38.2.6).

Pas intervistës nga një anëtar i peshkopatës ose nga presidenti i degës, një anëtar i presidencës së kunjit i interviston anëtarët që jetojnë në një kunj. Ai nënshkruan rekomandimet e njerëzve që janë të denjë. Një anëtar i presidencës së misionit kryen intervistën e dytë për anëtarët që jetojnë në një distrikt. Ai gjithashtu nënshkruan rekomandimet e njerëzve që janë të denjë. Një president distrikti nuk kryen intervista për rekomandime tempulli përveçse kur autorizohet nga Presidenca e Parë.

Presidenti i kunjit ose i misionit personalisht interviston anëtarët/et që:

  • Po kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre.

  • Po vulosen me një bashkëshort/e.

Nëse presidenti i kunjit nuk është në dispozicion, ai mund të autorizojë njërin prej këshilltarëve të tij që t’i kryejë këto intervista.

Një president misioni mund të autorizojë një nga këshilltarët e tij për t’i kryer këto intervista nëse është e nevojshme.

Në një lagje për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, presidenti i kunjit mund t’i autorizojnë këshilltarët e tij për t’i kryer këto intervista.

26.3.2

ikonë, orientimet për përshtatjen
Intervistat për Rekomandime Tempulli për Anëtarët në Zona të Izoluara

Disa anëtarë jetojnë në zona që do të kërkonin udhëtim të kushtueshëm ose vështirësi të madhe për t’u takuar me një anëtar të presidencës së kunjit apo misionit. Në këto situata, një president tempulli mund ta intervistojë personin dhe ta nënshkruajë rekomandimin. Përpara kryerjes së intervistës, ai këshillohet me presidentin e kunjit ose misionit. Peshkopi, një këshilltar i autorizuar ose presidenti i degës duhet ta ketë intervistuar tashmë anëtarin/en dhe ta ketë nënshkruar rekomandimin.

Kjo rregullore zbatohet edhe për anëtarët në ushtri që janë në zona të izoluara. Fillimisht ata duhet të intervistohen nga peshkopi i lagjes së vendbanimit të tyre ose i lagjes që e përkrah repartin e detyrës së tyre ushtarake.

rini jashtë tempullit

26.4

Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit për Anëtarët që Nuk e Kanë Kryer Ordinancën e Dhurimit

26.4.1

Orientime të Përgjithshme

Në një lagje, peshkopi ose një këshilltar i caktuar interviston për rekomandime tempulli anëtarët/et që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit. Në një degë, vetëm presidenti i degës kryen intervista për rekomandime tempulli. Udhëheqësi ndjek orientimet te 26.3. Ai e lëshon një rekomandim nëse personi është i denjë.

Rekomandime tempulli u lëshohen anëtarëve që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, sipas mënyrës që vijon:

  • Për anëtarët e moshave 11 vjeç e lart që të pagëzohen dhe konfirmohen për të vdekurit. (Të rinjtë e shuguruar dhe të rejat do të kenë të drejtën për një rekomandim tempulli duke filluar nga janari i vitit kur mbushin 12 vjeç.)

  • Për anëtarët/et e moshave 8 deri në 20 vjeç që të vulosen te prindërit e tyre. Fëmijëve nën moshën 8 vjeç nuk u nevojitet një rekomandim që të vulosen te prindërit e tyre (shihni 26.4.4).

  • Për anëtarët e moshave 8 deri në 20 vjeç që të shohin vulosjet e vëllezërve e motrave, fëmijëve të njerkut/ës ose gjysmëvëllezërve e gjysmëmotrave të tyre te prindërit e tyre.

Anëtarëve që e kanë kryer ordinancën e dhurimit më parë, nuk u lëshohet ndonjë rekomandim i shpjeguar në këtë pjesë.

Një anëtar mashkull i Kishës, i cili ka moshë të mjaftueshme sa të mbajë priftërinë, duhet të shugurohet në një detyrë në priftëri përpara se atij të mund t’i lëshohet një rekomandim tempulli.

Kur lëshohet një rekomandim tempulli, një anëtar i peshkopatës ose presidenti i degës e interviston personin individualisht. Megjithatë, personi mund të ftojë një prind ose një njeri tjetër në moshë madhore që të jetë i pranishëm.

26.4.2

Rekomandime Tempulli për Anëtarët e Sapopagëzuar

Peshkopi i interviston anëtarët e rinj që janë të një moshe të përshtatshme, për të marrë një rekomandim tempulli vetëm për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës. Ai e kryen këtë intervistë pak kohë pas konfirmimit të anëtarit, normalisht brenda një jave (shihni 26.4.1). Për vëllezërit, kjo intervistë mund të mbahet si pjesë e intervistës për të marrë Priftërinë Aarone. Anëtarët meshkuj të Kishës duhet të shugurohen në një detyrë në priftëri përpara se të marrin një rekomandim tempulli.

Anëtarët në moshë madhore të denjë mund ta kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre një vit të plotë pasi të jenë konfirmuar anëtarë të Kishës (shihni 27.2.1.1).

26.4.3

Rekomandime Tempulli Vetëm për Pagëzime dhe Konfirmime me Mëkëmbës

Rekomandimet e tempullit që lëshohen për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës, mund të përdoren vetëm për atë qëllim. Këto rekomandime shtypen në letër duke përdorur sistemin BUN. Ato kërkojnë vetëm nënshkrimet e anëtarit/es dhe të një anëtari të peshkopatës ose të presidentit të degës.

Për informacion rreth planifikimit të pagëzimeve dhe konfirmimeve për të vdekurit, shihni te 28.2.1.

26.4.4

Rekomandime Tempulli për Vulosjen te Prindërit të Fëmijëve që Janë të Gjallë

Anëtarëve që nuk e kanë kryer ordinancën e dhurimit, të moshave 8 deri në 20 vjeç, u lëshohen rekomandime tempulli që të marrin pjesë në vulosjet siç vijojnë, që:

  • Të vulosen te prindërit e tyre

  • Të shohin vulosjet e vëllezërve dhe motrave të gjalla, të fëmijëve të njerkut/ës ose gjysmëvëllezërve e gjysmëmotrave të tyre te prindërit e tyre

Njerëzit të cilëve u lëshohen rekomandime tempulli për të marrë pjesë në vulosje, intervistohen nga një anëtar i peshkopatës ose nga presidenti i degës. Ata gjithashtu intervistohen nga një anëtar i presidencës së kunjit ose misionit.

Një anëtar i peshkopatës ose presidenti i degës i shtyp në letër këto rekomandime duke përdorur sistemin BUN. Rekomandime tempulli për vulosjet mund të lëshohen për fëmijët individualë ose për një grup fëmijësh nga e njëjta familje. I njëjti rekomandim mund të përdoret për të renditur fëmijët që po vulosen dhe fëmijët që po shohin.

Fëmijëve nën moshën 8 vjeç nuk u nevojitet një rekomandim që të vulosen te prindërit e tyre. As nuk u nevojitet një rekomandim që të shohin vulosjen e vëllezërve dhe motrave, fëmijëve të njerkut/ës ose gjysmëvëllezërve e gjysmëmotrave të tyre te prindërit e tyre.

Anëtarët që janë të moshës 21 vjeç e lart, mund të vulosen te prindërit e tyre ose të shohin një vulosje vetëm në qoftë se 1) e kanë kryer ordinancën e dhurimit dhe 2) kanë një rekomandim aktual tempulli.

Shihni 27.4.4 dhe 38.4.2 për rregullore shtesë lidhur me të shikuarit e vulosjeve dhe vulosjen e tyre te prindërit.

rini duke mbajtur rekomandime jashtë tempullit

26.5

Lëshimi i Rekomandimeve të Tempullit në Rrethana të Veçanta

26.5.1

Anëtarët që Marrin Ordinancën e Dhurimit për Veten e Tyre

Udhëzimet për t’i lëshuar një rekomandim një personi që po kryen ordinancën e vet të dhurimit, jepen në bllokun 2 të rekomandimeve të tempullit. Anëtarët e denjë që dëshirojnë të kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre, mund ta bëjnë këtë gjë kur i plotësojnë të gjitha kushtet vijuese:

  • Janë të paktën 18 vjeç.

  • E kanë përfunduar ose nuk po vazhdojnë më një shkollë të mesme, një shkollë profesionale apo një të barasvlershme me to.

  • Një vit i plotë ka kaluar që nga konfirmimi i tyre.

  • Ata ndiejnë dëshirë për t’i marrë dhe nderuar besëlidhjet e tempullit gjatë gjithë jetës së tyre.

Përveç këtyre, një burrë duhet të mbajë Priftërinë Melkizedeke përpara se të kryejë ordinancën e dhurimit për veten e tij. Për informacion rreth anëtarëve që po përgatiten të kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre, shihni te 25.2.8. Për informacion se kush mund ta kryejë ordinancën e dhurimit, shihni te 27.2.1.

26.5.2

Anëtarët e Sapopagëzuar

Anëtarët në moshë madhore të denjë mund ta kryejnë ordinancën e dhurimit për veten e tyre një vit të plotë pasi të jenë konfirmuar anëtarë të Kishës (shihni 27.2.1.1). Udhëheqësit e priftërisë sigurohen që data kur anëtari do të kryejë ordinancën e dhurimit, do të jetë të paktën një vit të plotë pas datës së tij ose të saj të konfirmimit, jo të datës së pagëzimit. Vetëm Presidenca e Parë mund të autorizojë përjashtime.

Anëtarëve të rinj që janë të denjë, duhet t’u lëshohet një rekomandim tempulli vetëm për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës (shihni 26.4.2).

26.5.3

Misionarët në Moshë të Re që Kthehen nga Shërbimi larg Shtëpisë

Përpara se një misionar/e në moshë të re që shërben larg nga shtëpia, ta përfundojë shërbimin e vet, presidenti i misionit kryen një intervistë për rekomandim tempulli. Në qoftë se misionari është i denjë, ai i lëshon një rekomandim. Presidenti i misionit i vë datën dhe e aktivizon rekomandimin me qëllim që t’i mbarojë vlefshmëria tre muaj nga data që misionari kthehet në shtëpi.

Peshkopi i interviston misionarët e kthyer nga misioni që të lëshojë një rekomandim të ri tempulli diku pranë fundit të periudhës tremujore të mbarimit të afatit. Në raste të ngutshme kur peshkopi nuk është në dispozicion, ai mund të autorizojë njërin prej këshilltarëve të tij që t’i kryejë këto intervista.

Në lagje të mëdha për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë, peshkopët mund të autorizojnë këshilltarë me përvojë për t’i kryer këto intervista.

Misionarët e kthyer nga misioni më pas takohen me një anëtar të presidencës së kunjit të tyre për një intervistë për rekomandim tempulli.

Në këto intervista për rekomandime tempulli, peshkopi dhe anëtari i presidencës së kunjit gjithashtu shqyrton këshillën e dhënë në intervistën e lirimit të misionarit nga misioni (shihni 24.8.2). Ata diskutojnë përparimin, mirëqenien dhe thirrjen aktuale në Kishë të misionarit të kthyer. Gjithashtu e nxitin atë që të vazhdojnë në një shteg të rritjes shpirtërore dhe shërbimit gjatë gjithë jetës.

Nëse misionari i kthyer nuk ka një thirrje në Kishë, peshkopi dhe presidenti i kunjit bëjnë ç’është e mundur që t’i ofrohet një thirrje. Misionarët e kthyer mund të rekomandohen që të shërbejnë si punonjës ordinancash ose vullnetarë në tempull, në qoftë se një tempull është aty pranë (shihni 25.5).

26.5.4

Anëtarët që Nuk Kanë Jetuar në të Njëjtën Lagje për të Paktën një Vit

Nëse një anëtar nuk ka jetuar në të njëjtën lagje në vazhdimësi për të paktën një vit, peshkopi e shqyrton dokumentin e anëtarit për të verifikuar që nuk përfshin ndonjë shënim shpjegues rreth kufizimeve të anëtarësisë në Kishë.

Peshkopi ose një këshilltar i caktuar vihet në kontakt me peshkopin e mëparshëm përpara se të kryejë një intervistë për rekomandim tempulli. Nëse një këshilltar vihet në kontakt me peshkopin e mëparshëm dhe mëson se ka informacion konfidencial, ai nuk e vazhdon më tej bashkëbisedimin. Ai e njofton peshkopin e tij që të vihet në kontakt me peshkopin e mëparshëm përpara një interviste.

26.5.5

Pas Shkurorëzimit, Ndarjes ose Anulimit

Peshkopi dhe presidenti i degës mund të ndiejnë mbresë që ta intervistojnë një anëtar/e që është shkurorëzuar ose ndarë ligjërisht apo i është anuluar martesa pas kohës kur e mori herën e fundit një rekomandim tempulli. Gjatë kësaj interviste, ata ndihmojnë për ta forcuar shpirtërisht anëtarin. Ata gjithashtu verifikojnë denjësinë e vazhdueshme të anëtarit për tempullin.

26.5.6

Anëtarët, Familjarët e Afërt të të Cilëve e Kundërshtojnë Publikisht Kishën ose u Përkasin Grupeve Braktisëse

Peshkopët dhe këshilltarët e tyre duhet të jenë të ndjeshëm kur u lëshojnë rekomandime anëtarëve familjarët e afërt të të cilëve e kundërshtojnë publikisht Kishën ose u përkasin grupeve braktisëse. Anëtarët në këto rrethana nuk duhet t’i bëjnë të ndiejnë se nuk mund të kenë një rekomandim tempulli për shkak të lidhjeve të tyre familjare. Ata duhet të nxiten që të ruajnë një marrëdhënie plot dashuri me familjarët e afërt. Atyre mund t’u lëshohet një rekomandim tempulli nëse u përgjigjen siç duhet dhe çiltërsisht të gjitha pyetjeve të rekomandimit të tempullit.

26.5.7

Anëtarët që e Përcaktojnë Vetveten si Transgjinorë

Anëtarët e denjë që e përcaktojnë vetveten si transgjinorë, por që nuk kryejnë një ndryshim mjekësor, kirurgjikal ose shoqëror drejt gjinisë së kundërt të seksit të tyre biologjik në lindje (“ndryshimi i seksit”), mund të marrin një rekomandim tempulli dhe ordinancat e tempullit.

Ordinancat e tempullit kryhen sipas seksit biologjik të personit në lindje. Për këtë arsye, anëtarëve vijues nuk u lejohet të marrin një rekomandim tempulli, përfshirë një rekomandim për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës:

  • Anëtarët që kanë kryer një ndërhyrje me dëshirë mjekësore ose kirurgjikale si orvatje për ta bërë ndryshimin

  • Anëtarët që kanë kaluar shoqërisht në gjininë e kundërt të seksit së tyre biologjik në lindje

Presidenti i kunjit duhet të këshillohet me Presidencën e Zonës që t’i trajtojë situatat individuale me dashuri si e Krishtit dhe ndjeshmëri (shihni 38.6.23 dhe 38.7.7).

26.5.8

Anëtarët që Kanë Kryer një Mëkat të Rëndë

Një anëtari që ka kryer një mëkat të rëndë, nuk i lejohet të marrë një rekomandim tempulli derisa ai ose ajo të jetë penduar (shihni 32.6). Periudha midis mëkatit dhe lëshimit të një rekomandimi i lihet maturisë së peshkopit dhe presidentit të kunjit. Kjo duhet të jetë e mjaftueshme për të përcaktuar që personi është penduar me të vërtetë.

26.5.9

Anëtarët që Janë Ripranuar pas Heqjes së Anëtarësisë ose Heqjes Dorë Vetë nga Anëtarësia në Kishë

26.5.9.1

Anëtarët që Nuk e Kishin Kryer më Parë Ordinancën e Dhurimit

Pasi një anëtar që nuk e kishte kryer më parë ordinancën e dhurimit, është ripranuar me anë të pagëzimit dhe të konfirmimit, peshkopi mund ta intervistojë atë që të marrë një rekomandim tempulli për pagëzime dhe konfirmime me mëkëmbës (shihni 26.4.2). Kjo intervistë normalisht ndodh brenda një jave nga konfirmimi i anëtarit. Anëtarët meshkuj të Kishës duhet të shugurohen në një detyrë në priftëri përpara se të marrin një rekomandim tempulli.

Këtyre anëtarëve nuk u lejohet t’u jepen rekomandime për të kryer ordinancën e dhurimit për veten e tyre në tempull derisa të kalojë një vit i plotë pas datës së ripranimit të tyre në Kishë me anë të pagëzimit dhe konfirmimit.

26.5.9.2

Anëtarët që e Kishin Kryer më Parë Ordinancën e Dhurimit

Anëtarëve që e kishin kryer më parë ordinancën e dhurimit, nuk u lejohet të marrin ndonjë lloj rekomandimi tempulli derisa bekimet e tyre të tempullit të rivendosen nëpërmjet ordinancës së rivendosjes së bekimeve (shihni 32.17.2). Kur rivendosen bekimet e tyre, atyre mund t’iu lëshohet një rekomandim tempulli për anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit.