Manualet dhe Thirrjet
28. Ordinancat e Tempullit për të Vdekurit


“28. Ordinancat e Tempullit për të Vdekurit”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“28. Ordinancat e Tempullit për të Vdekurit”, Manuali i Përgjithshëm.

28.

Ordinancat e Tempullit për të Vdekurit

28.0

Parathënia

Bashkimi i familjeve për përjetësinë është pjesë e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih 1.2). Ordinancat e kryera në tempuj e bëjnë të mundur që familjet të jenë së bashku në përjetësi dhe të përjetojnë plotësi të gëzimit në praninë e Perëndisë.

Në mënyrë që fëmijët e Atit Qiellor të kthehen tek Ai, secili prej tyre duhet të pendohet, të bëhet i denjë për të marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit dhe t’i nderojë besëlidhjet që lidhen me secilën ordinancë. Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit janë:

  • Pagëzimi.

  • Konfirmimi dhe dhurata e Frymës së Shenjtë.

  • Dhënia e Priftërisë Melkizedeke dhe shugurimi në një detyrë (për burrat)

  • Dhurimi në tempull.

  • Vulosja në tempull.

Ati Qiellor e dinte se shumë nga fëmijët e Tij nuk do t’i merrnin këto ordinanca gjatë jetës së tyre në vdekshmëri. Ai siguroi një mënyrë tjetër që ata t’i marrin ordinancat dhe të bëjnë besëlidhje me Të. Në tempuj, ordinancat mund të kryhen me mëkëmbës. Kjo do të thotë që një njeri i gjallë kryen ordinanca në emër të dikujt që ka vdekur. Në botën e shpirtrave, personat e vdekur mund të zgjedhin t’i pranojnë ose refuzojnë ordinancat që janë kryer për ta (shih te Doktrina e Besëlidhje 138:19, 32–34, 58–59).

Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit nuk kërkohen për njerëzit që nuk ishin të përgjegjshëm në këtë jetë (shih 18.1, 28.3.4 dhe 28.3.5).

Anëtarët e Kishës nxiten t’i identifikojnë të afërmit e vdekur që nuk i kanë marrë ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Pastaj, anëtarët i kryejnë ordinancat në emër të atyre të afërmve. (Shih te Malakia 4:5–6; 1 Korintasve 15:29; Doktrina e Besëlidhje 2:1–3; 128:15–18; shih edhe 25.1 në këtë manual.)

Nëse anëtarët nuk kanë përgatitur emra të familjes për punën në tempull (shih 28.1.1), emrat e personave të vdekur që kanë nevojë për ordinanca, do të jepen në tempull.

Anëtarët nxiten ta frekuentojnë tempullin sa më shpesh që e lejojnë rrethanat e tyre, qoftë nëse po kryejnë ordinanca si mëkëmbës për vetë të afërmit e tyre ose për persona emrat e të cilëve jepen në tempull.

Anëtarët e Kishës bekohen kur kryejnë ordinanca në tempull për të vdekurit. Ndërkohë që kryejnë ordinanca mëkëmbëse, ata janë në gjendje të reflektojnë për vetë besëlidhjet e tyre në tempull dhe për zotimin e tyre për t’i mbajtur ato besëlidhje.

Presidentët e kunjeve dhe peshkopët i ndihmojnë anëtarët që të përgatiten për të pasur përvoja pozitive gjatë kryerjes së ordinancave në tempull. Ata e bëjnë këtë me anë të mësimdhënies së bazave doktrinore për punën në tempull dhe duke u siguruar që anëtarët t’i kuptojnë orientimet për këtë punë. Shihni kapitullin 25 për më shumë informacion.

28.1

Orientime të Përgjithshme për Kryerjen e Ordinancave si Mëkëmbës

Për personat e vdekur që ishin të moshës 8 vjeç e lart në kohën e vdekjes së tyre, mund të kryhen ordinanca si mëkëmbës në emër të tyre. Në shumicën e situatave, anëtarët mund të kryejnë ordinanca tempulli për personat e vdekur sapo të ketë kaluar një vit nga data e vdekjes (shih 28.1.1 dhe 28.3).

28.1.1

Përgatitja e Emrave të Personave të Vdekur për Ordinancat e Tempullit

Shumë burime janë në dispozicion për t’i ndihmuar anëtarët të identifikojnë të afërmit e vdekur që kanë nevojë t’u kryhen ordinanca në emër të tyre (shih 25.4 dhe 28.3). Udhëheqësit vijues i ndihmojnë anëtarët të mësojnë se si t’i përgatitin emrat e pjesëtarëve të vdekur të familjes për ordinancat e tempullit:

  • Presidencat e kuorumeve të pleqve dhe presidencat e Shoqatës së Ndihmës (shih 25.2.2)

  • Udhëheqësi i lagjes për tempullin dhe historinë familjare (shih 25.2.3)

  • Këshilluesit e lagjes për tempullin dhe historinë familjare (shih 25.2.4).

Atje ku është e mundur, informacioni që identifikon pjesëtarë të vdekur të familjes, duhet të hidhet në FamilySearch.org përpara se të kryhen ordinancat e tempullit (shih 25.4.2).

28.1.1.1

Dorëzimi i Emrave të Pjesëtarëve të Familjes

Kur dorëzojnë emra për ordinanca mëkëmbëse në tempull anëtarët, në përgjithësi, duhet të dorëzojnë vetëm emrat e personave me të cilët kanë lidhje familjare. Përveç rasteve që shënohen te 28.3, ordinancat mëkëmbëse mund të kryhen një vit pas vdekjes së personit, në qoftë se gjen zbatim cilido nga kushtet vijuese:

  • Një familjar i afërt i personit të vdekur (një bashkëshort/e i/e pashkurorëzuar, një fëmijë në moshë madhore, një prind, një vëlla ose motër) e dorëzon emrin për ordinancat e tempullit.

  • Leja për të kryer ordinancat merret nga një i afërm i ngushtë i personit të vdekur (një bashkëshort/e i/e pashkurorëzuar, një fëmijë në moshë madhore, një prind, një vëlla ose motër).

Nëse asnjëri nga kushtet e mësipërme nuk gjen zbatim, ordinancat mëkëmbëse të tempullit mund të kryhen 110 vjet pasi u lind personi i vdekur.

Për më shumë informacion, shihni artikujt vijues në FamilySearch:

28.1.1.2

Dorëzimi i Emrave të Personave të Famshëm dhe i Grupeve të Paautorizuara

Përgjithësisht, anëtarët e Kishës nuk duhet të dorëzojnë emra në FamilySearch.org nga grupet që vijojnë:

  • Njerëz të famshëm

  • Emra të mbledhur nga projekte të pamiratuara të nxjerrjes së të dhënave

  • Viktimat judease të Holokaustit

Për më shumë informacion, shihni artikullin vijues në FamilySearch: “A mund të bëj punë në tempull për viktimat e Holokaustit judeas?

28.1.2

Kush Mund të Marrë Pjesë në Ordinancat për të Vdekurit

Të gjithë anëtarët që kanë një rekomandim aktual tempulli, mund të marrin pjesë në pagëzime dhe konfirmime për të vdekurit. Anëtarët që e kanë kryer ordinancën e dhurimit për vete dhe kanë një rekomandim aktual tempulli, mund të marrin pjesë në të gjitha ordinancat për të vdekurit. Shihni 26.3.

28.1.3

Pjesëmarrja nga Anëtarët që Kanë Aftësi të Kufizuara Fizike ose Intelektuale

Anëtarët që kanë aftësi të kufizuara, mund të bëjnë punë në tempull për të vdekurit nëse:

  • Kanë një rekomandim aktual tempulli (shih 28.1.2).

  • Kanë kapacitetin intelektual për ta kuptuar ordinancën.

  • Mund të kujdesen për veten apo shoqërohen nga një i afërm ose mik i së njëjtës gjini që ka rekomandim tempulli dhe mund t’iu japë ndihmë nëse nevojitet.

Shih 27.1.3 dhe 27.2.1.3.

28.1.4

Caktimi i Takimeve

Anëtarëve mund t’iu nevojitet të caktojnë një takim përpara se të kryejnë ordinanca për të vdekurit. Shihni te temples.ChurchofJesusChrist.org për informacionin e kontaktit të secilit tempull dhe të kërkesave për caktimin e një orari.

28.1.5

Ndihma për Përkthimin ose Interpretimin

Shihni 27.1.4.

28.1.6

Veshjet që Vishen për në Tempull

Shihni 27.1.5.

28.1.7

Kujdesi për Fëmijët

Shihni 27.1.6.

28.2

Kryerja e Ordinancave të Tempullit për Persona të Vdekur

Pjesët vijuese shpjegojnë ordinancat që kryhen në tempuj nga mëkëmbësit për persona të vdekur. Kur kryen ordinanca mëkëmbëse, një anëtar mund të veprojë si mëkëmbës vetëm për një person të vdekur që ka të njëjtë gjini nga lindja sikurse anëtari.

28.2.1

Pagëzimet dhe Konfirmimet për të Vdekurit

Çdo anëtar që ka një rekomandim aktual tempulli, mund të ftohet të shërbejë në detyra që lidhen me pagëzimet. Disa nga detyrat mund të përfshijnë:

  • Të vepruarit si mëkëmbës për pagëzimet dhe konfirmimet.

  • Të vepruarit si dëshmitar për pagëzimet me mëkëmbës.

  • Përkrahjen ndaj frekuentuesve të tempullit.

  • Shpërndarjen e veshjeve dhe të peshqirëve.

  • Ndihmën për regjistrimin e ordinancave të pagëzimit dhe konfirmimit në sistemin kompjuterik.

Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke dhe priftërinjtë në Priftërinë Aarone mund të ftohen të kryejnë pagëzime për të vdekurit. Mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke gjithashtu mund të ftohen për të kryer konfirmimet për të vdekurit.

Vetëm burra që e kanë kryer ordinancën e dhurimit, mund të ftohen që:

  • Të shërbejnë si regjistrues te vaska e pagëzimit.

  • Të shërbejnë si regjistrues të konfirmimeve.

Grupe të organizuara, të tilla si familje, lagje dhe kunje, që dëshirojnë të marrin pjesë në ordinancat në pagëzimore, normalisht caktojnë paraprakisht orare me tempullin (shih 28.1.4). Një ose më shumë persona në moshë madhore me rekomandime aktuale tempulli duhet t’i shoqërojnë këto grupe.

28.2.2

Nistorja dhe Dhurimi

Kur kryhen dhurimet me mëkëmbës për të vdekurit, pjesa nistore e ordinancës së dhurimit kryhet dhe regjistrohet më vete (shih 27.2). Çdo anëtar që e ka kryer ordinancën e dhurimit dhe ka një rekomandim aktual tempulli, mund të veprojë si mëkëmbës për t’i marrë këto ordinanca.

28.2.2.1

Verifikimi i Ordinancave të Domosdoshme për të Kryer Dhurimin

Një person i vdekur duhet të jetë pagëzuar dhe konfirmuar, qoftë në jetë ose me mëkëmbës, përpara ordinancës së dhurimit, përfshirë pjesën nistore që kryhet në emër të tij ose të saj.

Nganjëherë, pasi një person i vdekur e ka marrë ordinancën e dhurimit me mëkëmbës, më vonë zbulohet që pagëzimi dhe konfirmimi që i mori ndërkohë që ishte gjallë, nuk mund të verifikohen. Në këtë rast, personi duhet të pagëzohet dhe konfirmohet me mëkëmbës. Nuk është e nevojshme të kryhet sërish dhurimi pas pagëzimit dhe konfirmimit me mëkëmbës.

28.2.3

Vulosja me Bashkëshortin/en dhe Vulosja e Fëmijëve te Prindërit

Në tempull, personat e vdekur mund të vulosen me bashkëshortin/en që u martuan kur ishin në jetë (shih 38.4.1.3 nëse bashkëshorti ose bashkëshortja është ende gjallë dhe 38.4.1.7 nëse bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë vdekur). Për personat e vdekur, edhe fëmijët e tyre të gjallë ose të vdekur mund të vulosen tek ata (shih 38.4.2.2). Një anëtar që ka kryer ordinancën e dhurimit dhe ka një rekomandim aktual tempulli, mund të veprojë si mëkëmbës për ordinancat e vulosjes.

Ordinancat e pagëzimit, konfirmimit, nistoret dhe dhurimit duhet të jenë kryer, qoftë në jetë ose me mëkëmbës, përpara se një person i vdekur të mund të vuloset me një bashkëshort/e ose te prindërit e vet. Sidoqoftë, një person i vdekur që vdiq para moshës 8 vjeç, ose që nuk ishte i përgjegjshëm në jetë, nuk nevojitet të marrë asnjë ordinancë tjetër përpara se të vuloset te prindërit e vet (shih 18.1, 28.3.4 dhe 28.3.5).

28.3

Rrethana të Veçanta

Kjo pjesë shpjegon rrethanat në të cilat disa prej orientimeve në pjesën 28.1 mund të mos gjejnë zbatim.

28.3.1

Anëtarët që Nuk Mundën të Shkonin në Tempull përpara Vdekjes

Periudha e pritjes një vit pas vdekjes për ordinancat mëkëmbëse të tempullit (shih 28.1) nuk gjen zbatim për anëtarët e denjë dhe të pagëzuar të moshës 8 vjeç e lart që do të kishin shkuar në tempull, por u penguan nga arsye përtej kontrollit të tyre. Kjo përfshin anëtarët që nuk e kishin kryer ordinancën e dhurimit ngaqë nuk kishin arritur një moshë të përshtatshme (shih 27.2.2).

Pjesëtarët e familjes duhet të vihen në kontakt paraprakisht me tempullin për të caktuar një takim për këto ordinanca. Pjesëtarët e familjes duhet të kenë një nga sa vijojnë:

  • Rekomandimin e tempullit të personit të vdekur që ishte i vlefshëm në kohën e vdekjes

  • Një letër nga peshkopi që vërteton denjësinë e personit të vdekur në kohën e vdekjes

Rekomandimi i tempullit ose letra duhet të paraqitet në tempull përpara se të kryhet ordinanca.

28.3.2

Anëtarët që Vdiqën pa u Mbushur një Vit pas Pagëzimit

Nëse një anëtar vdes pa u mbushur një vit pas pagëzimit, ordinancat mëkëmbëse të tempullit mund të kryhen kur ka kaluar një vit nga data që ai ose ajo u konfirmua.

28.3.3

Fëmijët që Vdiqën para se të Lindin (Fëmijët që Lindin të Vdekur dhe Fëmijët e Vdekur prej Dështimit të Barrës)

Ordinancat e tempullit nuk janë të nevojshme ose nuk kryhen për fëmijët që vdesin para lindjes. Për më shumë informacion, shihni 38.7.3.

28.3.4

Fëmijët që Vdiqën përpara Moshës Tetë Vjeç

Fëmijët e vegjël shëlbohen nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe “shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit” (Doktrina e Besëlidhje 137:10). Për këtë arsye, asnjë pagëzim ose dhurim nuk kryhet për një fëmijë i cili vdiq përpara moshës 8 vjeç. Sidoqoftë, vulosja te prindërit mund të kryhet për fëmijët që nuk u lindën në besëlidhje, ose që nuk e kishin marrë atë ordinancë gjatë jetës (shih 18.1).

28.3.5

Njerëzit e Vdekur të Cilët Kishin Aftësi të Kufizuara Intelektuale

Ordinancat e tempullit mund të kryhen për personat e vdekur që njihen se kanë qenë të përgjegjshëm (shih te Doktrina e Besëlidhje 20:71). Ordinancat e tempullit mund të kryhen edhe për persona, përgjegjshmëria e të cilëve nuk dihet.

Nëse dihet qartë se personi i vdekur kishte aftësi të kufizuara intelektuale dhe nuk ishte i përgjegjshëm, ordinanca e vetme që kryhet është ajo e vulosjes te prindërit (shih 38.2.4). Kjo bëhet vetëm nëse personi nuk u lind në besëlidhje ose nuk u vulos te prindërit e tij ose të saj ndërkohë që ishte gjallë. Ordinancat e tjera të tempullit nuk nevojiten ose kryhen edhe nëse personi jetoi përtej moshës 8 vjeç e lart.

28.3.6

Njerëzit që Mendohen të Vdekur

Ordinancat e tempullit mund të kryhen për një person që mendohet se ka vdekur. Ordinancat nuk mund të kryhen deri pasi të kenë kaluar 10 vjet që nga koha kur personi mendohet i vdekur ose shpallet i vdekur ligjërisht. Kjo rregullore zbatohet për personat që:

  • Kanë humbur në veprime ushtarake ose kanë humbur në det.

  • U zhdukën në rrethana ku vdekja është e dukshme, por nuk është gjetur trupi.

Në të gjitha rastet e tjera të personave të humbur, ordinancat e tempullit mund të kryhen 110 vjet pas kohës së lindjes së personit.

Presidenti i kunjit mund të vihet në kontakt me Sektorin e Tempullit nëse ka pyetje rreth kësaj rregulloreje:

Posta elektronike: TempleDepartment@ChurchofJesusChrist.org

28.3.7

Personat që Kanë Vrarë Veten

Për personat që kanë vrarë veten, mund të kryhen ordinanca tempulli një vit pas vdekjes (shih 38.6.20).

28.3.8

Personat Anëtarësia në Kishë e të Cilëve u Hoq ose të Cilët Hoqën Dorë nga Anëtarësia

Nëse personave iu është hequr anëtarësia e tyre në Kishë ose kanë hequr dorë nga anëtarësia përpara se të vdisnin, kërkohet miratimi i Presidencës së Parë përpara se të mund të kryhen për ta ordinanca në tempull. Një pjesëtar i familjes mund ta kërkojë këtë miratim në një letër drejtuar Zyrës së Presidencës së Parë pasi të ketë kaluar një vit nga vdekja e personit. Letra duhet të shpjegojë rrethanat. Nuk kërkohet asnjë formular. Peshkopi ose presidenti i kunjit gjithashtu mund të ndihmojë për këtë kërkesë sipas nevojës.

28.3.8.1

Ripranimi i Personave të Vdekur që Nuk e Kishin Kryer Ordinancën e Dhurimit

Personat e vdekur që nuk e kryen ordinancën e dhurimit, por anëtarësia e të cilëve në Kishë u hoq ose të cilët hoqën dorë nga anëtarësia, mund të ripranohen me anë të pagëzimit dhe konfirmimit. Nevojitet miratim nga Presidenca e Parë, sikurse shënohet te 28.3.8. Këta persona të vdekur nuk nevojitet të vulosen te prindërit e tyre përsëri nëse u lindën në besëlidhje ose u vulosën te prindërit kur ishin në jetë.

28.3.8.2

Rivendosja e Bekimeve të Tempullit për Personat që e Kryen Ordinancën e Dhurimit

Personat e vdekur që e kishin kryer ordinancën e dhurimit, të cilëve iu hoq anëtarësia ose që hoqën dorë nga anëtarësia e tyre në Kishë dhe më vonë u ripranuan me anë të pagëzimit dhe të konfirmimit, mund të marrin bekimet e tyre të priftërisë dhe të tempullit vetëm nëpërmjet ordinancës së rivendosjes së bekimeve. Njerëz të tillë nuk shugurohen sërish në ndonjë detyrë në priftëri ose nuk e marrin dhurimin në tempull, pasi këto bekime rivendosen nëpërmjet kësaj ordinance.

Siç shënohet te 28.3.8, kërkohet miratimi i Presidencës së Parë që të kryhet kjo ordinancë për persona të vdekur. Për informacion rreth kryerjes së kësaj ordinance për të gjallët, shihni 32.17.2.