Manualet dhe Thirrjet
29. Mbledhjet në Kishë


“29. Mbledhjet në Kishë”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“29. Mbledhjet në Kishë”, Manuali i Përgjithshëm.

nënë dhe bijë në mbledhjen e sakramentit

29.

Mbledhjet në Kishë

29.0

Parathënia

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme mblidhen së bashku për të adhuruar, për ta lartësuar njëri‑tjetrin, për ta dhënë mësim dhe për ta mësuar ungjillin (shihni tek Alma 6:6; Moroni 6:5–6). Shpëtimtari premtoi: “Kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:20). Mbledhja së bashku është një mënyrë se si zemrat tona mund të jenë “të thurura në bashkim dhe në dashuri” (Mosia 18:21).

Mbledhjet e udhëheqjes i ndihmojnë udhëheqësit të këshillohen së bashku dhe të bashkërendojnë përpjekjet për t’u shërbyer të tjerëve. Megjithatë, zhvillimi i një mbledhjeje nuk duhet ta zëvendësojë kurrë shërbimin dhe dhënien e shërbesës siç e dha Jezu Krishti. Vepra e shpëtimit dhe e ekzaltimit mund të planifikohet në një mbledhje, por më shpesh arrihet jashtë mbledhjes.

29.1

Planifikimi dhe Drejtimi i Mbledhjeve

Udhëheqësit i planifikojnë dhe i drejtojnë mbledhjet “siç udhëhiqen nga Fryma e Shenjtë, sipas urdhërimeve dhe zbulesave të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 20:45; shihni edhe te Moroni 6:9; Doktrina e Besëlidhje 46:2). Ata kërkojnë mënyra se si ta ftojnë ndikimin e Shpirtit në mbledhjet e tyre.

Udhëheqësit sigurohen që numri dhe kohëzgjatja e mbledhjeve të mos krijojë ngarkesa për anëtarët ose familjet e tyre. Për shembull, mbledhjet nuk duhet ta bëjnë të vështirë që familjet të kalojnë kohë së bashku në ditën e Shabatit.

Udhëheqësit gjithashtu sigurohen që mbledhjet të përqendrohen në atë që është më e rëndësishmja. Për shembull, mbledhjet e sakramentit duhet të përqendrohen te sakramenti dhe ndërtimi i besimit te Jezu Krishti. Mbledhjet e presidencës dhe mbledhjet e këshillit përqendrohen te forcimi i individëve dhe familjeve.

Drejtuesi kryesues ose drejtuesja kryesuese mund ta drejtojë mbledhjen. Ose ai apo ajo mund t’i kërkojë dikujt tjetër, për shembull një këshilltari ose këshilltareje, që të drejtojë nën udhëheqjen e tij apo të saj.

Nganjëherë ndodh që gjatë një mbledhjeje drejtuesi kryesues ose drejtuesja kryesuese ndjen nevojën për të sqaruar diçka. Për shembull, dikush mund të japë mësim një doktrinë të pasaktë. Nëse kjo ndodh, drejtuesi kryesues ose drejtuesja kryesuese duhet të bëjë një sqarim pa vënë askënd në siklet.

29.2

Mbledhjet e Lagjes

29.2.1

Mbledhja e Sakramentit

29.2.1.1

Planifikimi i Mbledhjes së Sakramentit

Peshkopata e planifikon dhe e drejton mbledhjen e sakramentit. Ajo sigurohet që përqendrimi i mbledhjes të jetë te sakramenti dhe ndërtimi i besimit te Jezu Krishti.

Mbledhja e sakramentit zgjat një orë. Ajo mund të përfshijë sa vijojnë:

  1. Muzikën e hapjes (shihni 19.3.2 për orientimet). Muzika nderuese përpara se të fillojë mbledhja mund të ftojë një shpirt adhurimi.

  2. Përshëndetjen dhe mirëseardhjen.

  3. Fjalët e falënderimit për autoritetet kryesuese ose udhëheqës të tjerë që janë të pranishëm. Autoritetet kryesuese dhe këshilltarët e lartë që janë të pranishëm duhet të ftohen që të ulen në podium. Drejtuesit e Përgjithshëm gjithashtu ftohen që të ulen në podium, në qoftë se nuk po frekuentojnë lagjen e tyre të vendbanimit.

  4. Lajmërimet. Këto duhet të mbahen në minimum. Shumica mund të shtypen në letër, të shpërndahen elektronikisht ose të jepen në mbledhje të tjera.

  5. Himni dhe lutja e hapjes. Shihni 19.3.2 dhe 29.6.

  6. Punët e lagjes dhe të kunjit, të tilla si ato që vijojnë:

    • Mbështetja dhe lirimi i drejtuesve dhe mësuesve (shihni 30.3 dhe 30.6).

    • Paraqitja e emrave të vëllezërve që do të shugurohen në detyrën e Priftërisë Aarone (shihni 18.10.3).

    • Disa fjalë paraqitëse për anëtarët e rinj të lagjes, përfshirë të kthyerit në besim të kohëve të fundit. Pas disa fjalëve paraqitëse personi që po drejton, i kërkon bashkësisë ta tregojë duke ngritur dorën se e mirëpresin anëtarin ose anëtaren në lagje.

      Kur fëmijët që janë anëtarë me dokument pagëzohen dhe konfirmohen, për ta thuhen disa fjalë paraqitëse në mbledhjen e sakramentit. Sidoqoftë, nuk është nevoja që të paraqiten për t’u mirëpritur në lagje.

  7. Vënien e emrit dhe bekimin e fëmijëve (shihni 18.6). Kjo zakonisht bëhet në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive (shihni 29.2.2).

  8. Konfirmimin e të kthyerve të rinj në besim (shihni 18.8).

  9. Himnin e sakramentit dhe administrimin e sakramentit. Sakramenti është përqendrimi kryesor i mbledhjes. Pjesët e tjera të mbledhjes nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga sakramenti. Kjo ordinancë është një mundësi për anëtarët që t’i drejtojnë mendimet e tyre te Shpëtimtari dhe flijimi i Tij shlyes. Kjo duhet të jetë një kohë e shenjtë e ripërtëritjes shpirtërore.

    Tryeza e sakramentit duhet të përgatitet përpara se të fillojë mbledhja. Peshkopi sigurohet që sakramenti bekohet dhe shpërndahet në mënyrë nderuese dhe me rregull. Ata që administrojnë sakramentin përfaqësojnë Jezu Krishtin.

    Për më shumë rreth përgatitjes, bekimit dhe shpërndarjes së sakramentit, shihni 18.9.

    Për më shumë informacion rreth administrimit të sakramentit në situata të pazakonta, shihni 29.2.1.5 dhe 18.9.1.

  10. Mesazhet e ungjillit dhe të kënduarit si bashkësi ose ndonjë muzikë tjetër. Mesazhet dhe muzika duhet të jenë në përputhje me natyrën e shenjtë të sakramentit. Për informacion rreth përzgjedhjes së folësve, shihni 29.2.1.4. Për informacion rreth përzgjedhjeve muzikore në mbledhjen e sakramentit, shihni 19.3.2.

  11. Himnin dhe lutjen e mbylljes.

  12. Muzikën pas mbylljes.

Mjetet ndihmëse pamore dhe materialet zanoro‑pamore nuk duhet të përdoren në mbledhjet e sakramentit (shihni 38.8.3).

29.2.1.2

Kryesimi i Mbledhjes së Sakramentit

Peshkopi e kryeson mbledhjen e sakramentit, në qoftë se nuk merr pjesë një anëtar i presidencës së kunjit, një I Shtatëdhjetë Zonal në zonën e tij ose një Autoritet i Përgjithshëm. Nëse peshkopi dhe këshilltarët e tij nuk janë në gjendje ta frekuentojnë mbledhjen e sakramentit, presidenti i kunjit cakton dikë që të kryesojë. Normalisht ai cakton presidentin e kuorumit të pleqve. Megjithatë, ai mund të ftojë një mbajtës tjetër të priftërisë, mundësisht një këshilltar të lartë ose një plak.

29.2.1.3

Koha përpara Mbledhjes

Përpara se të fillojë mbledhja, anëtarët e bashkësisë përgatiten shpirtërisht për sakramentin. Ata mund ta bëjnë këtë nëpërmjet lutjes së heshtur dhe përsiatjes. Udhëheqësit japin një shembull nderimi.

29.2.1.4

Përzgjedhja e Folësve

Peshkopata përzgjedh folësit për mbledhjen e sakramentit. Në shumicën e rasteve ata ftojnë anëtarë të lagjes, përfshirë të rinj e të reja (shihni 38.8.17). Presidenti i kunjit mund të caktojë këshilltarë të lartë ose anëtarë/e të presidencave të organizatave të kunjit për të folur. Presidenti i kunjit vendos shpeshtësinë e caktimeve të tilla.

Peshkopata i bën ftesat për të folur shumë kohë përpara mbledhjes. Folësit japin dëshmi për Jezu Krishtin dhe japin mësim ungjillin e Tij duke përdorur shkrimet e shenjta (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:12; 52:9). Mesazhet duhet të ndërtojnë besim dhe të jenë në harmoni me natyrën e shenjtë të sakramentit.

Për informacion rreth misionarëve të sapothirrur ose misionarëve të kthyer kohët e fundit që flasin në mbledhjen e sakramentit, shihni 24.5.2 dhe 24.8.3.

Peshkopata planifikon një mbledhje sakramenti çdo vit për një program të paraqitur nga fëmijët e Fillores. Për informacion rreth këtij programi, shihni 12.2.1.2.

burrë duke folur nga foltorja

29.2.1.5

ikonë, orientimet për përshtatjen
Shërbesat e Sakramentit në Situata të Pazakonta

Çdo anëtar ka nevojë për bekimet shpirtërore që vijnë nga marrja e sakramentit. Megjithatë, disa anëtarë nuk janë në gjendje të marrin pjesë në mbledhjen e sakramentit ngaqë janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpinë e tyre, në spital ose në një qendër përkujdesjeje. Peshkopi mund të caktojë mbajtës të priftërisë për t’ua administruar sakramentin këtyre anëtarëve (shihni 18.9.1).

Në disa raste, peshkopi mund të autorizojë transmetimin e mbledhjes së sakramentit nëpërmjet internetit për ata që nuk mund të frekuentojnë. Për informacion, shihni 29.7.

Kur anëtarët janë në udhëtim ose po jetojnë përkohësisht larg shtëpisë, ata duhet të marrin pjesë në mbledhjen e sakramentit në një lagje aty afër nëse është e mundur. Shërbesat e sakramentit nuk duhet të zhvillohen kur mblidheni për tubim familjar, për pushime ose aktivitete të tjera që nuk janë të financuara nga Kisha.

29.2.2

Mbledhja e Agjërimit dhe Dëshmive

Në një mbledhje agjërimi dhe dëshmish, nuk ka folës të caktuar ose përzgjedhje të veçanta muzikore. Në vend të kësaj, personi që drejton jep një dëshmi të shkurtër. Më pas ai i fton anëtarët e bashkësisë të japin dëshmitë e tyre. Të japësh dëshmi do të thotë të shpallësh të vërteta të ungjillit siç frymëzohesh nga Fryma e Shenjtë. Dëshmitë duhet të jenë të shkurta që të mund të marrin pjesë shumë njerëz.

Fëmijët e vegjël janë të mirëpritur për të dhënë dëshmi në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive. Mënyra më e mirë është që ata të mësojnë ta bëjnë këtë në shtëpi derisa të mund të japin dëshmi pa ndihmë nga të tjerët.

Nën drejtimin e peshkopit, fëmijëve mund t’u vihet emri dhe të bekohen gjatë mbledhjes së agjërimit dhe dëshmive (shihni 29.2.1.1).

29.2.3

Konferenca e Lagjes

Konferenca e lagjes planifikohet për të plotësuar nevojat vendore. Ajo përfshin një mbledhje sakramenti të planifikuar nga presidenti i kunjit. Presidenti i kunjit zakonisht e kryeson mbledhjen dhe një anëtar i peshkopatës zakonisht e drejton atë.

Gjatë kësaj mbledhjeje, një anëtar i presidencës së kunjit ose këshilltar i lartë paraqet emrat e udhëheqësve të përgjithshëm, të kunjit dhe lagjes për një votë mbështetëse. Ai përdor formularin Drejtuesit e Mbështetur, të përgatitur nga nëpunësi i lagjes. Peshkopi dhe presidenti i kunjit zakonisht flasin në mbledhje.

Lagjja zhvillon mbledhje të rregullta të priftërisë dhe të organizatave si pjesë e konferencës së lagjes. Udhëheqësit e kunjit mund të japin udhëzime dhe ndihmë. Ata u japin shërbesë udhëheqësve dhe anëtarëve të lagjes.

Në lidhje me konferencën e lagjes, presidenca e kunjit bën mbledhje me peshkopatën. Ata e shqyrtojnë së bashku përparimin e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit në lagje. Kjo mbledhje mund të zhvillohet të dielën e konferencës së lagjes ose në një kohë tjetër.

29.2.4

Mbledhja e Peshkopatës

Peshkopi i planifikon dhe i drejton mbledhjet e peshkopatës. Çështjet për t’u marrë parasysh mund të përfshijnë:

  • Bashkërendimin e kryerjes së veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit në lagje.

  • Forcimin e individëve dhe familjeve në lagje – veçanërisht të rinjve, të rejave dhe fëmijëve.

  • Përcaktimin e anëtarëve që mund të përgatiten për të marrë ordinancat, përfshirë shugurimet në priftëri.

  • Përcaktimin e anëtarëve për t’i thirrur nëpër pozicione në lagje.

  • Përcaktimin e anëtarëve që mund të rekomandohen te presidenti i kunjit për të shërbyer si misionarë.

  • Shqyrtimin e udhëzimeve nga shkrimet e shenjta, udhëheqësit e Kishës dhe ky manual.

Elementet e tjera mund të përfshijnë organizatat dhe programet e lagjes, buxhetin e lagjes, raportimet për detyrat dhe planet për mbledhjet dhe aktivitetet e ardhshme.

mbledhje e këshillit të lagjes

29.2.5

Mbledhja e Këshillit të Lagjes

Peshkopi i planifikon, kryeson dhe i drejton mbledhjet e këshillit të lagjes. Nëse mungon, ai mund të caktojë një këshilltar që të kryesojë dhe drejtojë. Megjithatë, këshilli nuk merr vendime madhore pa peshkopin.

Këshilli i lagjes përpiqet t’i ndihmojë të gjithë anëtarët e lagjes që të ndërtojnë forcë shpirtërore, të marrin ordinancat shpëtuese, të mbajnë besëlidhjet dhe të bëhen pasues të përkushtuar të Jezu Krishtit (shihni te Moroni 6:4–5). Gjatë mbledhjeve të këshillit të lagjes, anëtarët e këshillit e planifikojnë dhe bashkërendojnë këtë punë. Ata vendosin së bashku se si anët e forta dhe aftësitë e anëtarëve të lagjes mund t’i bekojnë njerëzit nevojtarë. Ata kërkojnë udhërrëfimin e Shpirtit ndërsa bashkohen me dashuri dhe interesim për anëtarët e lagjes.

Udhëheqësit e organizatave të lagjes marrin pjesë në mbledhjet e këshillit të lagjes në dy role:

  1. Si anëtarë të këshillit të lagjes që ndihmojnë për t’i bekuar të gjithë anëtarët e lagjes.

  2. Si përfaqësues të organizatave të tyre.

Kur takohen së bashku, anëtarët e këshillit të lagjes diskutojnë çështje që do të përfitonin nga përpjekjet e bashkuara të të gjithë këshillit. Secili anëtar i këshillit inkurajohet që të japë mendimet dhe frymëzimin e vet në lidhje me këto çështje.

Mbledhjet e këshillit të lagjes zakonisht nuk zgjatin më shumë se një orë. Ato fillojnë me një lutje dhe një raportim të shkurtër për detyrat e caktuara nga mbledhjet e mëparshme. Më poshtë janë të renditura çështje të tjera që mund të diskutohen. Nuk ka mjaft kohë që ato të gjitha të diskutohen në secilën mbledhje. Peshkopi u jep përparësi çështjeve që janë më të nevojshme për të bekuar individët dhe familjet.

  • Të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit. Të ndihmojë të gjithë anëtarët që të ndërtojnë besim, të marrin ordinanca shpëtuese dhe të mbajnë besëlidhjet e tyre.

  • Përkujdesjes për njerëzit nevojtarë. Të ofrojë burime dhe zotësi për të bekuar individët, familjet dhe komunitetin. T’i ndihmojë anëtarët e lagjes që të bëhen të mbështetur te vetja. (Shihni kapitullin 22.)

  • Ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta pranojnë ungjillin. Të shqyrtojë përparimin e atyre që po mësojnë rreth ungjillit, si dhe të anëtarëve të rinj dhe anëtarëve që po kthehen në aktivitet. Të diskutojë me anëtarët mënyra se si mund ta shpërndajnë ungjillin tek të tjerët. (Shihni kapitullin 23.)

  • Bashkimit të familjeve për përjetësinë. Të shqyrtojë përparimin e anëtarëve që po përgatiten për të marrë ordinanca në tempull. Të planifikojë mënyra se si të ndihmojë më shumë anëtarë që të kualifikohen për një rekomandim tempulli. Të diskutojë mënyra se si anëtarët mund të marrin pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare. (Shihni kapitullin 25.)

Ndërsa anëtarët e këshillit të lagjes i diskutojnë këto çështje, ata marrin parasysh nevojat dhe anët e forta të anëtarëve të cilëve u shërbejnë. Ata mund të mësojnë për këto nevoja dhe anë të forta në mbledhjet e presidencës, në diskutimet me anëtarët e organizatës së tyre (përfshirë intervistat për dhënien e shërbesës) dhe nëpërmjet vetë përpjekjeve të tyre të dhënies së shërbesës. Ndër të tjera, sistemi Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit ka mjete dhe raporte që mund t’i ndihmojë udhëheqësit që të jenë në dijeni për përparimin e anëtarëve. Anëtarët e këshillit duhet ta mbajnë konfidencial cilindo informacion që është privat apo me ndjeshmëri (shihni 4.4.6).

Këshilli i lagjes duhet t’i njohë fëmijët, të rinjtë e të rejat në lagje dhe rrethanat në shtëpitë e tyre. Ata u kushtojnë vëmendje të veçantë atyre që në shtëpi nuk kanë përkrahje për ungjillin.

Pas një diskutimi, peshkopi ose mund të vendosë për një rrjedhë veprimi ose ta shtyjë vendimin ndërkohë që kërkon informacion dhe udhërrëfim të mëtejshëm. Ose mund t’ia drejtojë çështjen një këshilli tjetër, për shembull peshkopatës. Shihni 4.4.3.

Nganjëherë këshilli i lagjes mund të përcaktojë se një aktivitet i lagjes mund të ndihmojë në plotësimin e nevojave të anëtarëve. Këshilli i lagjes mund të mbikëqyrë planifikimin e aktiviteteve të lagjes. Megjithatë, shumica e planifikimit bëhet përpara dhe pas mbledhjeve të këshillit. Për më shumë informacion rreth aktiviteteve, shihni kapitullin 20.

Pasi misionarët kohëplotë kthehen në shtëpi, ata mund të ftohen që të raportojnë për misionet e tyre në këshillin e lagjes (shihni 24.8.3).

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

29.2.6

Mbledhja e Këshillit të Lagjes për Rininë

Peshkopi mund të drejtojë mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë. Ose mund të caktojë dikë tjetër për ta bërë këtë, të tillë si njërin nga ndihmësit e tij në kuorumin e priftërinjve ose presidenten e klasës me moshën më të madhe të Të Rejave. Mbledhjet e këshillit të lagjes për rininë ofrojnë mundësi për të rinjtë e të rejat që të drejtojnë. Peshkopata ose udhëheqës të tjerë mund t’i ndihmojnë që të përgatiten për këto mbledhje gjatë mbledhjeve të presidencës së kuorumeve ose presidencës së klasës.

Përpara çdo mbledhjeje, peshkopi dhe personi që drejton i rishikojnë pikat që do të diskutohen. Këto pika mund të përfshijnë sa vijojnë:

  • Veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

  • Nevojat e rinisë në lagje dhe mënyrat se si t’i trajtojmë ato.

  • Përpjekjet për t’u ofruar ndihmë të rinjve dhe të rejave që janë më pak aktive ose anëtarëve të rinj.

  • Aktivitetet, përfshirë mundësitë për t’u shërbyer njerëzve nevojtarë. Shumica e planifikimit bëhet në mbledhjet e presidencës së kuorumit ose presidencës së klasës (shihni kapitullin 20).

  • Dhënien e shërbesës (shihni kapitullin 21).

  • Orientimin e presidencave të sapothirrura të kuorumeve dhe presidencave të klasave.

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

29.2.7

Mbledhjet dhe Orët e Tjera Mësimore të Lagjes

Mbledhjet për kuorumet e priftërisë dhe presidencat e tyre përshkruhen te kapitujt 8 dhe 10.

Mbledhjet për motrat e Shoqatës së Ndihmës dhe udhëheqëset e tyre përshkruhen te kapitulli 9.

Mbledhjet për të rejat dhe udhëheqëset e tyre përshkruhen te kapitulli 11.

Mbledhjet për fëmijët e Fillores dhe udhëheqëset e tyre përshkruhen te kapitulli 12.

Klasat e Shkollës të së Dielës përshkruhen te 13.3.

Mbledhjet e këshillit të mësuesve përshkruhen te 17.4.

Mbledhjet bashkërenduese për punën e shpërndarjes së ungjillit dhe forcimin e anëtarëve të rinj dhe anëtarëve që po kthehen në aktivitet përshkruhen te 23.5.7.

Mbledhjet bashkërenduese për punën në tempull dhe për historinë familjare përshkruhen te 25.2.7.

mbledhje e peshkopatës

29.2.8

ikonë, orientimet për përshtatjen
Programet për Mbledhjet e së Dielës

Lagjet përdorin njërin nga programet vijuese dyorëshe për mbledhjet e së dielës.

Plani 1

60 minuta

Mbledhja e sakramentit

10 minuta

Kalimi për në klasat dhe mbledhjet

50 minuta

Të gjitha të dielat: Fillorja, përfshirë çerdhen (shihni 12.2.1.2)

Të dielat e para dhe të treta të muajit: Shkolla e së Dielës (shihni 13.3)

Të dielat e dyta dhe të katërta: mbledhjet e kuorumeve të priftërisë (shihni 8.2.1.2 dhe 10.2.1.2), mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës (shihni 9.2.1.2) dhe mbledhjet e Të Rejave (shihni 11.2.1.2)

Të dielat e pesta: mbledhjet për rininë dhe personat në moshë madhore. Peshkopata përcakton temën dhe cakton mësuesit (zakonisht anëtarë të lagjes ose kunjit). Ata përcaktojnë gjithashtu nëse rinia dhe personat në moshë madhore, meshkuj dhe femra, do të mblidhen veçmas ose së bashku.

Plani 2

50 minuta

Të gjitha të dielat: Fillorja, përfshirë çerdhen (shihni 12.2.1.2)

Të dielat e para dhe të treta të muajit: Shkolla e së Dielës (shihni 13.3)

Të dielat e dyta dhe të katërta: mbledhjet e kuorumeve të priftërisë (shihni 8.2.1.2 dhe 10.2.1.2), mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës (shihni 9.2.1.2) dhe mbledhjet e Të Rejave (shihni 11.2.1.2)

Të dielat e pesta: mbledhjet për rininë dhe personat në moshë madhore. Peshkopata përcakton temën dhe cakton mësuesit (zakonisht anëtarë të lagjes ose kunjit). Ata përcaktojnë gjithashtu nëse rinia dhe personat në moshë madhore, meshkuj dhe femra, do të mblidhen veçmas ose së bashku.

10 minuta

Kalimi për në mbledhjen e sakramentit

60 minuta

Mbledhja e sakramentit

Kur dy lagje mblidhen në të njëjtën ndërtesë dhe njëra ose të dyja kanë pak fëmijë ose të rinj e të reja, mund të jetë e dëshirueshme për fëmijët dhe rininë që t’i frekuentojnë së bashku klasat e së dielës. Oraret e lagjeve për mbledhjet e së dielës mund të mbivendosen siç tregohet më poshtë.

mbivendosja e orareve të mbledhjeve

Ky plan mund të merret parasysh edhe nëse të dyja lagjet përdorin gjuhë të ndryshme, por fëmijët dhe rinia flasin të njëjtën gjuhë.

Përdorimi i këtij plani kërkon miratimin e presidentit të kunjit. Nëse ai e miraton, peshkopi i secilës lagje takohet me udhëheqësit/et e organizatave për të kërkuar këshillë lidhur me zbatimin e planit.

Dy peshkopatat mblidhen së bashku për të përcaktuar se cilët anëtarë nga cila lagje duhet të thirren për të shërbyer në kuorume dhe organizata. Secili peshkop mbetet presidenti i kuorumit të tij të priftërinjve, por të dy peshkopët mund të kryesojnë me radhë në mbledhjet e kuorumit të dielën. Peshkopët nga të dyja lagjet i frekuentojnë mbledhjet e ndërthurura të lagjeve për rininë. Pas zbatimit të planit, udhëheqësit vazhdojnë të mblidhen rregullisht për të bashkërenduar përpjekjet e tyre.

29.3

Mbledhjet e Kunjit

29.3.1

Konferenca e Kunjit

Konferencat e kunjit planifikohen nga Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Zakonisht presidenti i kunjit kryeson te njëra konferencë çdo vit dhe një I Shtatëdhjetë Zonal ose Autoritet i Përgjithshëm i caktuar kryeson tek tjetra.

Drejtuesi kryesues i drejton të gjitha planifikimet për konferencën. Ai i miraton paraprakisht pjesëmarrësit dhe përzgjedhjet muzikore. Për informacion rreth muzikës në konferencën e kunjit, shihni 19.3.4.

Kur një I Shtatëdhjetë Zonal ose Autoritet i Përgjithshëm kryeson, ai mund ta ftojë presidentin e kunjit të sugjerojë tema për udhëzimin në konferencë. Kur presidenti i kunjit kryeson, ai dhe këshilltarët e tij përzgjedhin temat. Presidenca e kunjit mund të diskutojë për tema të mundshme me këshillin e kunjit. Ndërkohë që bëhen këto përzgjedhje, presidenca e kunjit merr në shqyrtim temat që ka theksuar Presidenca e Parë kohët e fundit.

Teksa presidenti i kunjit bën organizimet për konferencën e kunjit, ai mund t’u kërkojë ndihmë kuorumeve të priftërisë dhe organizatave të tjera, individëve dhe familjeve. Për shembull, ata mund të caktohen të rregullojnë karriget, t’i orientojnë njerëzit dhe të pastrojnë ndërtesën.

Secila konferencë kunji normalisht përfshin mbledhjet vijuese:

  • Një mbledhje të Të Shtatëdhjetit Zonal ose Autoritetit të Përgjithshëm (nëse caktohet) me presidencën e kunjit. Marrin pjesë edhe nëpunësi dhe sekretari ekzekutiv i kunjit.

  • Një mbledhje e udhëheqjes së priftërisë në kunj (shihni 29.3.3). Autoriteti kryesues përcakton nëse kjo mbledhje do të zhvillohet të shtunën ose të dielën. Drejton një anëtar i presidencës së kunjit.

  • Një sesion i mbrëmjes të së shtunës për të gjithë anëtarët e kunjit të moshës 18 vjeç e lart. Në varësi të rrethanave vendore, kjo mbledhje mund të zhvillohet të dielën nëse miratohet nga autoriteti kryesues. Drejton një anëtar i presidencës së kunjit.

  • Një sesionin i përgjithshëm, që zhvillohet të dielën, për të gjithë anëtarët dhe të tjerë që do të dëshironin të merrnin pjesë. Presidenti i kunjit drejton dhe flet në këtë mbledhje. Mund të zhvillohet më shumë se një sesion i përgjithshëm i së dielës nëse nuk ka vend për çdo njeri në një sesion. Fëmijët marrin pjesë me familjet e tyre, jo në një mbledhje të veçuar.

Nëse është e nevojshme, sesionet e konferencës mund të transmetohen nëpërmjet internetit në shtëpitë e mbledhjeve ose vendndodhje të tjera në kunj. Për disa anëtarë mund të jetë e nevojshme që konferenca t’u transmetohet nëpërmjet internetit në shtëpitë e tyre. Për më shumë rreth transmetimit të mbledhjeve nëpërmjet internetit, shihni 29.7.

Folësit në sesionin e përgjithshëm nuk duhet të përdorin mjete pamore ose materiale zanoro‑pamore (shihni 38.8.3).

Nëse Drejtuesit e Përgjithshëm, presidenti dhe kryekujdestarja e tempullit, presidenti i misionit me bashkëshorten, apo patriarku i kunjit marrin pjesë, ata duhet të ulen në podium. E njëjta gjë vlen edhe për këshilltarët në presidencat e tempullit dhe të misionit (dhe bashkëshortet e tyre) nëse marrin pjesë në vend të presidentit të tempullit ose të misionit.

Në njërën konferencë të kunjit çdo vit, një anëtar i presidencës së kunjit paraqet drejtuesit e përgjithshëm, të zonës e të kunjit për një votë mbështetëse. Ai përdor formularin Drejtuesit e Mbështetur, që përgatitet nga nëpunësi i kunjit. Kjo bëhet zakonisht në konferencën e parë të kunjit të atij viti.

Nëse drejtuesit e kunjit thirren ose lirohen ndërmjet konferencave të kunjit, ata paraqiten për një votë mbështetëse ose një shprehje falënderimi në konferencën e ardhshme të kunjit. Ose kjo mund të bëhet në mbledhjen e sakramentit të secilës lagjeje. Shihni 30.3 dhe 30.6.

Vëllezërit që janë rekomanduar të shugurohen pleq ose priftërinj të lartë paraqiten për një votë mbështetëse në një konferencë të kunjit. Nëse një vëlla nevojitet të shugurohet përpara konferencës së ardhshme të kunjit, ai mund të mbështetet në mbledhjen e sakramentit të lagjes së tij. Emri i tij më pas do të paraqitet për një votë miratimi në një konferencë të kunjit (shihni 18.10.3).

mbledhje e këshillit për rininë

29.3.2

Mbledhja e Përgjithshme e Priftërisë në Kunj

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e përgjithshme të priftërisë në kunj. Ata i përzgjedhin me lutje temat dhe folësit.

29.3.3

Mbledhja e Udhëheqjes së Priftërisë në Kunj

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e udhëheqjes së priftërisë në kunj. Struktura e këtyre mbledhjeve është e ndryshueshme. Të gjithë pjesëmarrësit mund të mblidhen së bashku për tërë kohën e mbledhjes. Ose, pas disa udhëzimeve të përgjithshme, ata mund të ndahen në grupe më të vogla për udhëzime të posaçme bazuar në thirrjet dhe detyrat e tyre.

Presidenca e kunjit dhe udhëheqës të tjerë të kunjit në përgjithësi japin udhëzime. Me raste mund të ftohen edhe udhëheqës të lagjes, përfshirë udhëheqëse gra, për të dhënë udhëzime.

29.3.4

Mbledhjet e Udhëheqjes së Kunjit

Presidencat e organizatave në kunj i planifikojnë dhe drejtojnë mbledhjet e udhëheqjes së kunjit. Struktura e këtyre mbledhjeve është e ndryshueshme. Të gjithë udhëheqësit mund të mblidhen së bashku për tërë kohën e mbledhjes. Ose, pas disa udhëzimeve të përgjithshme, ata mund të ndahen në grupe më të vogla për udhëzime të posaçme bazuar në thirrjet dhe detyrat e tyre.

Udhëheqësit e organizatave, anëtarët e presidencës së kunjit ose udhëheqës të tjerë të kunjit në përgjithësi japin udhëzime. Me raste mund të ftohen edhe udhëheqësit e organizatave të lagjes për të dhënë udhëzime.

Presidenca e Të Rinjve në kunj nuk zhvillon një mbledhje të udhëheqjes së kunjit. Udhëzimet për ata që shërbejnë në kuorumet e Priftërisë Aarone jepen në mbledhjet e udhëheqjes së priftërisë në kunj (shihni 29.3.3).

29.3.5

Mbledhja e Kuorumit të Priftërinjve të Lartë të Kunjit

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e kuorumit të priftërinjve të lartë të kunjit. Nuk zhvillohen mbledhje për të gjithë priftërinjtë e lartë të shuguruar në kunj.

29.3.6

Mbledhja e Presidencës së Kunjit

Presidenti i kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e presidencës së kunjit. Çështjet për t’u marrë parasysh mund të përfshijnë:

  • Veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në kunj.

  • Forcimin e individëve dhe të familjeve në kunj.

  • Nevojat dhe anët e forta të lagjeve, kuorumeve të pleqve dhe organizatave të tjera në kunj.

  • Rekomandimet e peshkopëve për burrat që duhet të shugurohen pleq.

  • Anëtarët për t’u thirrur në detyra në kunj dhe disa pozicione në lagje siç përvijohet te 30.8.

  • Rekomandimet e peshkopit për anëtarët që do të shërbejnë në misione.

  • Udhëzimet nga shkrimet e shenjta, udhëheqësit e Kishës dhe ky manual.

Pika të tjera mund të përfshijnë aktivitetet dhe programet e kunjit, buxhetin e kunjit, raportimin për detyrat dhe planet për mbledhjet e ardhshme.

29.3.7

Mbledhja e Këshillit të Lartë

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e këshillit të lartë. Këto mbledhje mund të përfshijnë:

  • Marrjen e udhëzimeve nga presidenca e kunjit për doktrinën dhe detyrat.

  • Këshillimin së bashku për forcimin e individëve dhe familjeve në kunj. Sistemi Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit (BUN) [LCR] ka mjete dhe raporte që mund t’i ndihmojnë udhëheqësit të jenë në dijeni për përparimin e anëtarëve.

  • Diskutimin se si të ndihmohet për përmbushjen e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit në kunj.

  • Raportimin e detyrave.

  • Këshillimin me presidencën e kunjit dhe mbështetjen e vendimeve të tyre për të shuguruar vëllezër si pleq dhe priftërinj të lartë.

  • Këshillimin me presidencën e kunjit dhe mbështetjen e vendimeve të tyre për të dhënë thirrje.

  • Ndihmën për planifikimin e mbledhjeve të udhëheqjes së priftërisë në kunj (shihni 29.3.3).

  • Dëgjimin e raportimeve nga misionarët e kthyer (shihni 24.8.3).

Nganjëherë një mbledhje e shkurtër e këshillit të lartë mund të ndiqet menjëherë nga një mbledhje e këshillit të kunjit (shihni 29.3.8). Kjo mund të ndihmojë që të pakësohet numri i mbledhjeve që frekuentojnë udhëheqësit.

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

Për informacion rreth pjesëmarrësve që i bashkohen mbledhjes në distancë, shihni 29.7.

29.3.8

Mbledhja e Këshillit të Kunjit

Presidenti i kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e këshillit të kunjit. Në këto mbledhje anëtarët e këshillit mund:

  • Të marrin udhëzime nga presidenca e kunjit për doktrinën dhe detyrat e tyre.

  • Të këshillohen së bashku për forcimin e individëve dhe të familjeve në kunj. Sistemi BUN [LCR] ka mjete dhe raporte që mund t’i ndihmojnë udhëheqësit të jenë në dijeni për përparimin e anëtarëve.

  • Të diskutojnë misionin e përgjithshëm të veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit në kunj.

  • Të diskutojnë për nevojat materiale të anëtarëve të kunjit dhe mënyrën si t’i ndihmojnë që të jenë të mbështetur te vetja. Të përcaktojnë burimet në dispozicion për komunitetin dhe kunjin. Shembujt mund të përfshijnë shkollat vendore dhe programin UBJ–Pathway Mbarëbotëror. (Shihni 22.12 dhe 22.13.)

  • Të zhvillojnë dhe mbajnë një plan të thjeshtë për kunjin që t’u përgjigjet urgjencave (shihni 22.9.1.3).

  • Të planifikojnë mënyra për anëtarët e kunjit që të japin shërbim në komunitet (shihni 22.9.1). Aty ku është në dispozicion, JustServe.org sugjeron mundësi për shërbim në komunitet.

  • Të raportojnë për organizatat, aktivitetet dhe programet e kunjit.

Nganjëherë një mbledhje e këshillit të kunjit mund të pasohet menjëherë nga një mbledhje e shkurtër e këshillit të lartë (shihni 29.3.7). Kjo mund të ndihmojë që të pakësohet numri i mbledhjeve që frekuentojnë udhëheqësit.

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

Për informacion rreth pjesëmarrësve që i bashkohen mbledhjes në distancë, shihni 29.7.

29.3.9

ikonë, orientimet për përshtatjen
Mbledhja e Komitetit të Kunjit të Udhëheqjes së Personave në Moshë Madhore

Komiteti i kunjit i udhëheqjes së personave në moshë madhore i përkrah presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës të lagjeve në punën e tyre. Anëtarët e komitetit vënë një theks të veçantë te përpjekjet e lagjeve për të shpërndarë ungjillin, për të forcuar anëtarët e rinj dhe anëtarët që po kthehen në aktivitet, si dhe për të marrë pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare.

Ndër të tjera, ky komitet bashkërendon përpjekjet e kunjit lidhur me mirëqenien dhe mbështetjen te vetja, përfshirë programin JustServe.org (aty ku është në dispozicion) dhe programin UBJ–Pathway Mbarëbotëror (shihni 22.13).

Presidenca e kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e komitetit të kunjit të udhëheqjes së personave në moshë madhore. Këto mbledhje mund të jenë shtojca të mbledhjeve të këshillit të kunjit. Për shembull, në fund të disa mbledhjeve të këshillit të kunjit, komiteti i udhëheqjes për personat në moshë madhore mund të mblidhet për të vazhduar një diskutim mbi çështje të caktuara.

29.3.10

ikonë, orientimet për përshtatjen
Mbledhja e Komitetit të Kunjit të Udhëheqjes së Rinisë

Komiteti i kunjit i udhëheqjes së rinisë ka përgjegjësitë vijuese:

  • Të planifikojë shërbimin dhe aktivitetet për të rinjtë e të rejat në kunj. Këto mund të përfshijnë konferencat e rinisë, mbrëmjet e vallëzimit, takimet shpirtërore, projektet e shërbimit dhe ngjarjet shumëkunjëshe. (Për ide shërbimin, shihni JustServe.org, aty ku është në dispozicion.) Të rinjtë e të rejat duhet të udhëheqin në planifikimin dhe zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Aktivitetet e kunjit nuk duhet të jenë aq të shpeshta sa t’u vendosin një barrë lagjeve. Këto aktivitete duhet të jenë plotësuese të aktiviteteve të lagjeve, jo të konkurrojnë me to. Udhëheqësit e lagjeve duhet të njoftohen kohë përpara për aktivitetet e kunjit.

  • Të planifikojë mënyra se si t’i përkrahë konferencat Për Forcën e Rinisë.

  • Të bashkërendojë përpjekjet e kunjit që lidhen me programin Fëmijët dhe Rinia.

Një anëtar i presidencës së kunjit i planifikon dhe drejton mbledhjet e komitetit të kunjit të udhëheqjes së rinisë. Këto mbledhje mund të jenë shtojca të mbledhjeve të këshillit të kunjit. Për shembull, në fund të disa mbledhjeve të këshillit të kunjit, komiteti i udhëheqjes së rinisë mund të mblidhet për të vazhduar një diskutim mbi çështje të caktuara.

29.3.11

Mbledhja e Këshillit të Peshkopëve të Kunjit

Presidenti i kunjit e fton një peshkop të drejtojë këshillin e peshkopëve në kunj. Peshkopi i planifikon dhe drejton mbledhjet e këshillit. Çështjet për diskutim mund të përfshijnë:

  • Ndihmën ndaj rinisë për të përparuar shpirtërisht.

  • Përdorimin e ofertave të agjërimit për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë. Ndihmën ndaj anëtarëve për të krijuar mbështetjen te vetja (shihni kapitullin 22, veçanërisht 22.11). Dhënien e informacionit për burimet që janë në dispozicion në komunitet.

  • Ndihmën ndaj anëtarëve që të pendohen dhe të përjetojnë një ndryshim të zemrës (shihni kapitullin 32).

  • Administrimin e financave të Kishës (shihni kapitullin 34).

Me raste, presidenti i kunjit mund të japë udhëzime. Shumica e këtij udhëzimi vjen nga udhëheqësit e Kishës, përfshirë udhëzimet nga Të Shtatëdhjetët Zonalë në këshillat bashkërendues (shihni 29.4).

Kjo mbledhje nuk i zëvendëson intervistat e rregullta nga presidenti i kunjit me secilin peshkop (shihni 6.2.1.2).

Për t’i kuptuar parimet që i udhërrëfejnë mbledhjet e këshillit në Kishë, të gjithë anëtarët e këshillit duhet të studiojnë pjesët 4.3 dhe 4.4.

mbledhje e këshillit

29.3.12

Mbledhjet e Tjera të Kunjit

Mbledhjet e komitetit të kunjit për personat në moshë madhore beqarë dhe të komitetit të kunjit për të rinjtë dhe të rejat në moshë madhore beqarë përshkruhen te 14.1.1.2.

29.4

Mbledhjet e Këshillit Bashkërendues

Për më shumë informacion rreth këshillave bashkërendues, shihni 5.2.4.

29.5

Shërbesat Mortore dhe Shërbesat e Tjera për të Vdekurit

Kur vdes një anëtar i Kishës, peshkopi mund të ofrojë që të zhvillojë shërbesa për të ndihmuar që të ngushëllohen të gjallët dhe që t’i bëhen nderimet të vdekurit. Shërbesat për njerëzit që vdesin ndryshojnë sipas fesë, kulturës, traditës dhe ligjeve vendore. Udhëzimet vijuese mund t’i ndihmojnë peshkopët të planifikojnë shërbesa të përqendruara tek ungjilli për të vdekurin ndërkohë që i respektojnë këto variacione.

29.5.1

Parime të Përgjithshme

Vdekja është pjesë thelbësore e planit të Atit Qiellor për shpëtimin (shihni tek Alma 12:24–27). Për shkak të Jezu Krishtit, të gjithë do të ringjallen. Një qëllim i rëndësishëm i shërbesave të Kishës për të vdekurit është të dëshmohet për planin e shpëtimit, veçanërisht për Shlyerjen dhe Ringjalljen e Shpëtimtarit. Shërbesa të tilla duhet të jenë përvoja dinjitoze dhe shpirtërore.

Anëtarët e kishës duhet të tregojnë respekt për ritet e feve të tjera në rastet e vdekjes. Megjithatë, ata nuk duhet të bashkohen me ritualet ose traditat që janë në kundërshtim me urdhërimet ose standardet e Kishës. Udhëheqësit e Kishës nuk duhet të përfshijnë rituale të feve ose grupeve të tjera në shërbesat e Kishës për të vdekurit.

Anëtarët këshillohen të mos i përdorin praktikat ose traditat që bëhen barrë për të gjallët. Praktika të tilla mund të përfshijnë udhëtim të tepruar, lajmërime të hollësishme publike, pagesa ndaj familjes, festime të zgjatura dhe kremtime të tepruara për përvjetorët.

Anëtarët e Kishës që marrin pjesë në shërbesat për të vdekurit nuk duhet të pranojnë pagesa apo kontribute.

Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës iu binden ligjeve vendore rreth asaj që duhet të bëjnë kur vdes dikush.

29.5.2

Ofrimi i Ndihmës për Familjen

Si dishepuj të Jezu Krishtit, udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës “vajto[jnë] me ata që vajtojnë … dhe … ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9). Kur një anëtar vdes, peshkopi e viziton familjen për ta ngushëlluar. Ai mund t’u kërkojë këshilltarëve të tij për ta shoqëruar. Ai lajmëron edhe presidentin e kuorumit të pleqve dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës.

Peshkopi ofron ndihmë nga anëtarët e lagjes, përfshirë kuorumin e pleqve dhe Shoqatën e Ndihmës. Për shembull, anëtarët e lagjes mund:

  • Të njoftojnë miqtë dhe të afërmit.

  • Të ndihmojnë për të përgatitur një nekrologji.

  • Të ndihmojnë për të planifikuar shërbesën mortore ose ndonjë shërbese tjetër.

  • Të ndihmojnë për të bërë plane me agjencinë mortore dhe varrezën, si të jetë e zbatueshme.

  • Ta veshin trupin për varrimin (shihni 38.5.8).

  • Të përgatitin vaktet e ushqimit.

29.5.3

Pritjet për Ceremoninë Mortore (Ku Është Traditë)

Nganjëherë në shtëpinë e mbledhjeve në Kishë përpara shërbesës mortore zhvillohet një ceremoni pritjeje për të parë trupin e të vdekurit. Udhëheqësit duhet ta hapin shtëpinë e mbledhjeve për punonjësit e ceremonive mortore të paktën një orë përpara se të fillojnë pritjet për ceremoninë mortore.

Pas pritjes, mund të ofrohet një lutje familjare nëse dëshiron familja. Arkivoli duhet të mbyllet përpara shërbesës mortore.

29.5.4

Shërbesat Mortore (Ku Është Traditë)

Nëse zhvillohet një ceremoni mortore për një anëtar në ndërtesën e Kishës, peshkopi e drejton atë. Nëse ceremonia zhvillohet në një shtëpi banimi, në një shtëpi funerali ose në varreza, familja mund t’i kërkojë peshkopit që ta drejtojë atë. Një këshilltar i peshkopit mund ta drejtojë atë nëse peshkopi nuk mundet. Për informacion rreth shërbesave të zhvilluara për joanëtarët në një ndërtesë të Kishës, shihni 29.5.6.

Një ceremoni mortore e drejtuar nga peshkopi, qoftë në një ndërtesë të Kishës ose diku tjetër, është një mbledhje e Kishës dhe një shërbesë fetare. Ajo duhet të jetë një ngjarje shpirtërore. Peshkopi i nxit pjesëmarrësit për të mbajtur një shpirt nderimi dhe dinjiteti.

Kur një peshkop drejton një ceremoni mortore, ai ose njëri nga këshilltarët e tij e mbikëqyr planifikimin e shërbesës. Ai merr parasysh dëshirat e familjes, duke u siguruar që ceremonia mortore është e thjeshtë dhe dinjitoze, me muzikë dhe fjalime të shkurtra, të përqendruara tek ungjilli. Duhet të theksohet ngushëllimi i ofruar nga Jezu Krishti për shkak të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Tij. Anëtarëve të familjes nuk u kërkohet të flasin ose të marrin pjesë në mënyrë tjetër në shërbesë.

Ceremonitë mortore janë një mundësi për t’i bërë nderime të vdekurit. Sidoqoftë, të tilla nderime nuk duhet të mbizotërojnë në shërbesë. Një mbledhje e veçantë familjare, veçmas nga shërbesa mortore, është zakonisht një mjedis më i mirë nëse familja dëshiron më shumë kohë për të bërë nderime ose për të treguar kujtime.

Paraqitjet filmike nuk duhet të jenë pjesë e një shërbese mortore të zhvilluar në një godinë kishtare.

Ceremonitë mortore duhet të fillojnë në orar. Në përgjithësi ato nuk duhet të zgjatin më shumë se 1 orë e 30 minuta, për respekt ndaj njerëzve që marrin pjesë.

Nëse në ceremoninë mortore merr pjesë një anëtar i presidencës së kunjit, një I Shtatëdhjetë Zonal në zonën e tij ose një Autoritet i Përgjithshëm, ai është personi që kryeson. Personi që drejton këshillohet me të që më parë dhe e vë në dukje praninë e tij gjatë shërbesës. Drejtuesi kryesues duhet të ftohet që të japë fjalët përmbyllëse nëse dëshiron.

Shërbesat mortore zakonisht nuk zhvillohen të dielave.

Në disa raste, peshkopi mund ta rregullojë me agjencitë funerale që të ofrojnë shërbesa mortore dhe shërbesa varrimi të thjeshta nderuese sipas kostos, në qoftë se shpenzimet paguhen nga fondet e ofertave të agjërimit.

Për informacion rreth misionarëve që kthehen në shtëpi për të marrë pjesë në një ceremoni mortore, shihni 24.6.2.7. Për udhëzime rreth transmetimit nëpërmjet internetit të ceremonive mortore, shihni 29.7.

29.5.5

Varrimi ose Djegia e Trupit

Ku është e mundur, anëtarët që kanë ndërruar jetë, të cilët e kanë marrë ordinancën e dhurimit, duhet të varrosen ose të digjen me veshjet e tempullit. Për informacion rreth veshjeve të tempullit për varrosjen dhe veshjen e të vdekurve, shihni 38.5.8.

Nëse është e mundur, një anëtar i peshkopatës e shoqëron kortezhin në varreza. Nëse varri do të përkushtohet, ai këshillohet me familjen dhe i kërkon një mbajtësi të Priftërisë Melkizedeke që ta kryejë përkushtimin. Udhëzimet jepen te pjesa 18.16. Nëse e parapëlqen familja, në vend të kësaj mund të ofrohet një lutje te varri.

Për informacion rreth përkushtimit të vendit ku mbahet hiri i trupit të djegur të anëtarit, shihni 18.16.2. Për orientime të tjera rreth djegies së trupit, shihni 38.7.2.

29.5.6

Shërbesat për Joanëtarët

Peshkopi mund ta ofrojë përdorimin e shtëpisë së mbledhjeve të Kishës për shërbesën mortore të një joanëtari. Nëse personi i vdekur i përket një kishe tjetër, shërbesa zakonisht mund të zhvillohet sipas mënyrës së përshkruar nga ajo kishë. Nëse familja dëshiron, shërbesa mund të drejtohet nga kleriku i asaj kishe, me kusht që të jetë dinjitoze dhe e përshtatshme. Megjithatë, ritualet e kishave ose organizatave të tjera nuk lejohet të kryhen në një shtëpi mbledhjesh të Kishës.

29.6

Lutjet në Mbledhjet e Kishës

Lutjet në mbledhjet e Kishës duhet të jenë të shkurtra, të thjeshta dhe të drejtuara nga Shpirti. Cilido anëtar i pagëzuar i Kishës mund të ofrojë një lutje hapjeje ose mbylljeje. Fëmijët që nuk janë të pagëzuar mund të luten në Fillore. Udhëheqësit duhet ta shmangin zakonin që t’i kërkojnë gjithnjë një bashkëshorti dhe bashkëshorteje që të luten në të njëjtën mbledhje.

Anëtarët duhet të luten gjithmonë duke përdorur fjalë që shprehin dashuri dhe respekt ndaj Atit Qiellor. Në shqip, kjo përfshin përdorimin e përemrave Ty, Tënd, Tënde, i Yti, e Jotja, të Tuat dhe Ti kur i drejtohemi Atij.

29.7

Transmetimi nëpërmjet Internetit i Mbledhjeve dhe Zhvillimi i Mbledhjeve Virtualisht

Kur është e mundur, anëtarët e Kishës duhet të përpiqen fort ta frekuentojnë me prani fizike mbledhjen. Megjithatë, nganjëherë kjo nuk është e mundur. Transmetimi nëpërmjet internetit dhe zhvillimi i mbledhjeve virtualisht e bën të mundur arritjen tek ata që nuk do të kishin mundësinë të frekuentonin në një mënyrë tjetër. Këta njerëz mund të përfshijnë (por nuk kufizohen vetëm tek) ata që:

  • Jetojnë në vendndodhje të largëta ose kanë aftësi të kufizuara që të udhëtojnë.

  • Kanë sfida të shëndetit fizik, mendor apo emocional.

  • Vuajnë nga një gjendje imuniteti të dobët ose janë në një qendër përkujdesi apo spital.

  • Janë punonjës që japin shërbime të domosdoshme ose që ndryshe u kërkohet të punojnë ditën e Shabatit.

  • Kujdesen për dikë që nuk del dot nga shtëpia dhe nuk mund të lihet vetëm.

  • Kanë nevojë për interpretim me gjuhën e shenjave.

  • Kanë alergji që e vënë në rrezik shëndetin e tyre në një mbledhje.

Për dobinë e këtyre anëtarëve dhe njerëzve të tjerë, peshkopi, si përjashtim, mund të autorizojë një transmetim të drejtpërdrejtë të mbledhjeve të sakramentit dhe ceremonive mortore e martesore që zhvillohen në shtëpitë e mbledhjeve. Transmetimet i lejojnë të tjerët të shohin dhe dëgjojnë një mbledhje nga distanca, por të mos marrin pjesë drejtpërsëdrejti.

Transmetimi i drejtpërdrejtë i mbledhjes së sakramentit nuk duhet të përfshijë administrimin e sakramentit. Transmetimi duhet të ndalet gjatë sakramentit dhe të rifillohet pas kësaj. Ose peshkopi mund ta vendosë administrimin e sakramentit në fund të mbledhjes pasi të ketë mbaruar transmetimi i drejtpërdrejtë. Mbledhja më pas do të mbyllet me një himn dhe lutje.

Peshkopi mund të autorizojë një prift ose mbajtës të Priftërisë Melkizedeke për t’ua administruar sakramentin me prani fizike atyre që nuk mund ta frekuentojnë mbledhjen (shihni 18.9.1).

Për disa mbledhje, peshkopi ose presidenti i kunjit mund t’i autorizojë anëtarët që nuk mund të frekuentojnë me prani fizike, që ata të marrin pjesë virtualisht. Këto mbledhje mund të përfshijnë:

  • Mbledhjet e udhëheqjes, të tilla si mbledhjet e presidencës ose të këshillit.

  • Mbledhjet e kuorumeve, të Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave.

  • Klasat e Shkollës të së Dielës.

  • Klasat e Fillores dhe kohën e të kënduarit.

Ndryshe nga transmetimet nëpërmjet internetit, mbledhjet virtuale janë ndërvepruese. Ata që marrin pjesë nga distanca, mund të japin ndihmesë duke bërë pyetje, komente dhe duke marrë pjesë në mënyra të tjera.

Presidenti i kunjit mund të autorizojë një transmetim të drejtpërdrejtë të konferencës së kunjit për vendndodhjet e tjera në kunj, duke përfshirë shtëpitë e anëtarëve kur nevojitet. Ai mund të autorizojë edhe udhëheqës të kunjit që t’u bashkohen virtualisht mbledhjeve të udhëheqjes kur nuk mund të jenë me prani fizike (për shembull, për arsyet e renditura më herët në këtë pjesë).

Transmetimet nëpërmjet internetit dhe mbledhjet virtuale nuk janë të synuara për volinë e atyre që fare mirë mund të marrin pjesë me prani fizike. Për shembull, peshkopi nuk e autorizon transmetimin nëpërmjet internetit të mbledhjes së sakramentit për anëtarët e lagjes që po udhëtojnë dhe mund të frekuentonin një lagje tjetër.

Specialistët e lagjeve dhe të kunjeve për teknologjinë mund t’i ndihmojnë udhëheqësit që të mundësojnë transmetimet nëpërmjet internetit dhe mbledhjet virtuale (shihni 33.10). Këta individë gjithashtu mund t’i ndihmojnë anëtarët që të kenë qasje te këto mbledhje.

Transmetimet nëpërmjet internetit dhe mbledhjet virtuale nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga Shpirti. Përgjithësisht, vetëm një aparaturë duhet të përdoret për ta regjistruar mbledhjen. Si aparati ashtu edhe personi që po e përdor atë, duhet të mos bien në sy.

Regjistrimet e transmetimeve nëpërmjet internetit të mbledhjeve të lagjeve dhe kunjeve duhet të fshihen brenda një dite pas mbledhjes.