“3. Parimet e Priftërisë”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).
“3. Parimet e Priftërisë”, Manuali i Përgjithshëm.
3.
Parimet e Priftërisë
3.0
Parathënia
Priftëria është autoriteti dhe fuqia e Perëndisë. Ajo ka ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdojë të ekzistojë pa fund (shihni tek Alma 13:7–8; Doktrina e Besëlidhje 84:17–18). Nëpërmjet priftërisë, Ati Qiellor e përmbush veprën e Tij që “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Perëndia u jep autoritet dhe fuqi bijve dhe bijave të Tij në tokë për t’i ndihmuar që ta kryejnë këtë vepër (shihni te kapitulli 1).
3.1
Rivendosja e Priftërisë
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është e vetmja organizatë në tokë me autoritetin e priftërisë. Profeti Jozef Smith i mori Priftërinë Aarone dhe çelësat e saj nga Gjon Pagëzori (shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1). Ai i mori Priftërinë Melkizedeke dhe çelësat e saj nga Apostujt Pjetër, Jakob e Gjon (shihni te Doktrina e Besëlidhje 27:12–13).
Në Tempullin e Kirtlandit, Moisiu, Eliasi dhe Elija iu shfaqën Jozef Smithit dhe i dorëzuan autoritet të mëtejshëm, të domosdoshëm për të përmbushur veprën e Perëndisë në ditët e mëvonshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 110:11–16).
-
Moisiu dorëzoi çelësat e mbledhjes së Izraelit (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Izrael”).
-
Eliasi dorëzoi periudhën e kujdestarisë së ungjillit të Abrahamit. Kjo përfshin rivendosjen e besëlidhjes së Abrahamit (shihni tek Abraham 2:9–11; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje e Abrahamit”).
-
Elija dorëzoi çelësat e fuqisë vulosëse (shihni tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vulos, Vulosje”). Këta çelësa japin autoritetin që i lejon ordinancat të cilat kryhen në tokë, që të jenë lidhëse në jetën që vjen (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:9–10).
Secili anëtar i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve i mban të gjithë këta çelësa të priftërisë sot. Vetëm Presidenti i Kishës, që është Apostulli me kohë më të gjatë në detyrë, është i autorizuar për t’i ushtruar të gjithë këta çelësa. Këta udhëheqës thërrasin dhe autorizojnë anëtarë të tjerë të Kishës që ta përdorin autoritetin dhe fuqinë e priftërisë së Perëndisë për të ndihmuar në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.
Për informacion rreth çelësave të priftërisë, shihni 3.4.1.
3.2
Bekimet e Priftërisë
Nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të priftërisë, Perëndia vë bekime të mëdha në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Tij. Këto bekime përfshijnë:
-
Pagëzimin dhe anëtarësinë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
-
Dhuratën e Frymës së Shenjtë.
-
Marrjen e sakramentit.
-
Autoritetin dhe fuqinë për të shërbyer në thirrje dhe detyra të Kishës.
-
Marrjen e bekimeve patriarkale dhe bekimeve të tjera të priftërisë për shërim, ngushëllim dhe udhërrëfim.
-
Dhurimin me fuqinë e Perëndisë në tempull.
-
Vulosjen e një personi për përjetësinë me pjesëtarët e familjes së vet.
-
Premtimin e jetës së përjetshme.
Fëmijët e Perëndisë mund t’i marrin këto bekime të priftërisë dhe të përjetojnë gëzim të madh kur e jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit.
3.3
Priftëria Melkizedeke dhe Priftëria Aarone
Në Kishë, priftëria ka dy pjesë: Priftërinë Melkizedeke dhe Priftërinë Aarone (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:1).
3.3.1
Priftëria Melkizedeke
Priftëria Melkizedeke është “Priftëria e Shenjtë, sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 107:3). Është fuqia me anë të së cilës bijtë dhe bijat e Perëndisë mund të bëhen si Ai (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–21; 132:19–20).
“Priftëria Melkizedeke mban të drejtën e kryesimit.” Ajo ka “fuqi e autoritet mbi gjithë detyrat në kishë, në të gjitha epokat e botës, për të administruar në gjërat shpirtërore” (Doktrina e Besëlidhje 107:8). Nëpërmjet këtij autoriteti, udhëheqësit e Kishës e drejtojnë dhe administrojnë të gjithë punën shpirtërore të Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:18). “Gjithë autoritetet ose detyrat e tjera në kishë janë shtesa të kësaj priftërie” (Doktrina e Besëlidhje 107:5).
Presidenti i Kishës është prifti i lartë kryesues mbi Priftërinë Melkizedeke (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:65–67). Presidenti i kunjit është prifti i lartë kryesues në kunj (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:8, 10; shihni edhe te kapitulli 6 në këtë manual). Peshkopi është prifti i lartë kryesues në lagje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:17; shihni edhe te kapitulli 7 në këtë manual).
Për informacion rreth detyrave dhe përgjegjësive të Priftërisë Melkizedeke, shihni 8.1.
3.3.2
Priftëria Aarone
Priftëria Aarone është “një shtesë e … Priftërisë Melkizedeke” (Doktrina e Besëlidhje 107:14). Ajo përfshin çelësat e:
-
Shërbesës së engjëjve.
-
Ungjillit të pendimit.
-
Administrimit të ordinancave të jashtme, përfshirë pagëzimin për heqjen e mëkateve.
(Shihni te Doktrina e Besëlidhje 13:1; 84:26–27; 107:20.)
Peshkopi është presidenti i Priftërisë Aarone në lagje (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:15).
Për informacion rreth detyrave dhe përgjegjësive të Priftërisë Aarone, shihni 10.1.3.
3.4
Autoriteti i Priftërisë
Autoriteti i priftërisë është autorizimi për të përfaqësuar Perëndinë dhe për të vepruar në emrin e Tij. Në Kishë, i gjithë autoriteti i priftërisë ushtrohet nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë.
Anëtarët e denjë meshkuj të Kishës e marrin autoritetin e priftërisë nëpërmjet dhënies së priftërisë dhe shugurimit në detyrat e priftërisë. Të gjithë anëtarët e Kishës mund të ushtrojnë autoritet të deleguar, kur ata veçohen ose caktohen të ndihmojnë në përmbushjen e veprës së Perëndisë. Anëtarët mbajnë përgjegjësi përpara Perëndisë dhe atyre që Ai i ka caktuar për të kryesuar, për mënyrën se si e ushtrojnë autoritetin e Tij (shihni 3.4.4).
3.4.1
Çelësat e Priftërisë
Çelësat e priftërisë janë autoriteti për të drejtuar përdorimin e priftërisë në emër të fëmijëve të Perëndisë. Përdorimi i të gjithë autoritetit të priftërisë në Kishë drejtohet nga njerëzit që mbajnë çelësat e priftërisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 65:2).
3.4.1.1
Njerëzit që Mbajnë Çelësat e Priftërisë
Jezu Krishti i mban të gjithë çelësat e priftërisë. Nën drejtimin e Tij, çelësat e priftërisë u jepen burrave për t’i përdorur në thirrje të caktuara për përmbushjen e veprës së Perëndisë, siç shpjegohet më poshtë.
Zoti i ka dhënë secilit prej Apostujve të Tij të gjithë çelësat që i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. Apostulli i gjallë, me kohë më të gjatë në detyrë, Presidenti i Kishës, është i vetmi person në tokë i autorizuar për t’i ushtruar të gjithë ata çelësa të priftërisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 81:1–2; 107:64–67, 91–92; 132:7).
Nën drejtimin e Presidentit të Kishës, udhëheqësve të priftërisë u jepen çelësa që të mund të kryesojnë në fushat e tyre të përgjegjësisë. Këta udhëheqës përfshijnë:
-
Presidentët e kunjeve dhe të distrikteve.
-
Peshkopët dhe presidentët e degëve.
-
Presidentët e kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke dhe Aarone.
-
Presidentët e tempujve.
-
Presidentët e misioneve dhe presidentët e qendrave të trajnimit të misionarëve.
-
Presidentët e vendeve historike të Kishës.
Këta udhëheqës marrin çelësa të priftërisë kur veçohen në thirrjet e tyre.
Çelësat e priftërisë nuk u jepen të tjerëve, përfshirë këshilltarëve të udhëheqësve vendorë të priftërisë ose presidentëve dhe presidenteve vendore të organizatave të Kishës. Në vend të kësaj, këtyre udhëheqësve/eve u jepet autoritet i deleguar kur veçohen dhe kur marrin detyra të caktuara nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë. Presidentët/et e organizatave të Kishës kryesojnë nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë (shihni te 4.2.4).
3.4.1.2
Rregulli në Veprën e Zotit
Çelësat e priftërisë sigurojnë që vepra e shpëtimit dhe e ekzaltimit të përmbushet në një mënyrë të rregullt (shihni te Doktrina e Besëlidhje 42:11; 132:8). Ata që mbajnë çelësat e priftërisë, e drejtojnë veprën e Zotit brenda fushave të tyre të përgjegjësisë. Ata e bëjnë këtë gjë me dashuri e drejtësi. Ky autoritet kryesues është i vlefshëm vetëm për përgjegjësitë e veçanta të thirrjes së udhëheqësit. Kur udhëheqësit e priftërisë lirohen nga thirrjet e tyre, ata nuk i mbajnë më këta çelësa.
Të gjithë ata që shërbejnë në Kishë, veçohen ose caktohen nën drejtimin e një personi që mban çelësat e priftërisë. Kur anëtarët veçohen ose caktohen, ata autorizohen nga Perëndia që të shërbejnë në veprën e Tij.
3.4.2
Dhënia e Priftërisë dhe Shugurimi në Priftëri
Nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë, Priftëria Aarone dhe Priftëria Melkizedeke u jepen anëtarëve të denjë meshkuj të Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:14–17). Pasi jepet priftëria e duhur, personi shugurohet në një detyrë në atë priftëri, si për shembull dhjak ose plak. Një mbajtës i priftërisë e ushtron priftërinë sipas të drejtave dhe caktimeve të asaj detyre (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:99).
Çdo burrë në Kishën e Jezu Krishtit duhet të përpiqet fort që të jetë i denjë që ta marrë dhe ta përdorë Priftërinë Melkizedeke për t’u shërbyer të tjerëve. Kur një burrë e merr këtë priftëri, ai bën besëlidhje që t’i përmbushë besnikërisht përgjegjësitë e tij të priftërisë. Ai gjithashtu merr nga Perëndia një betim, ose një premtim, të bekimeve të përjetshme (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:33–44; shihni edhe tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Betim dhe Besëlidhje e Priftërisë”).
Për më shumë informacion rreth dhënies së priftërisë dhe shugurimit në priftëri, shihni 8.1.1, 10.6, 18.10 dhe 38.2.5.
3.4.3
Delegimi i Autoritetit të Priftërisë për të Shërbyer në Kishë
Autoriteti i priftërisë për të shërbyer në Kishë u delegohet anëtarëve në mënyrat vijuese:
-
Nëpërmjet veçimit në një thirrje në Kishë
-
Nëpërmjet caktimit nga udhëheqësit kryesues të Kishës
3.4.3.1
Veçimi
Kur burrat dhe gratë veçohen nën drejtimin e atyre që mbajnë çelësat e priftërisë, atyre u jepet autoritet nga Perëndia për të vepruar në atë thirrje. Kur lirohen nga një thirrje, ata nuk e kanë më autoritetin që shoqërohej me të.
Disa thirrje shoqërohen me detyra dhe kuorume të priftërisë. Për shembull, një burrë që mban Priftërinë Melkizedeke, mund të thirret si president i kuorumit të pleqve. Kur veçohet nga presidenti i kunjit, atij i jepen çelësat, autoriteti dhe përgjegjësia e priftërisë për të drejtuar punën e kuorumit të pleqve (shihni 3.4.1).
Shumë thirrje të tjera të Kishës nuk shoqërohen me detyrat dhe kuorumet e priftërisë. Por të gjithë anëtarëve të Kishës që veçohen për të shërbyer, u jepen autoriteti dhe përgjegjësia hyjnore për të vepruar në thirrjet e tyre. Për shembull:
-
Një gruaje që thirret dhe veçohet nga peshkopi si presidente e Shoqatës së Ndihmës së lagjes, i jepet autoritet që të drejtojë punën e Shoqatës së Ndihmës në lagje.
-
Një burri ose një gruaje që thirret dhe veçohet nga një anëtar i peshkopatës si mësues/e në Fillore, i jepet autoritet që t’u japë mësim fëmijëve të Fillores në lagje.
Të gjithë ata që thirren dhe veçohen, shërbejnë nën drejtimin e atyre që kryesojnë mbi ta (shihni 3.4.1.2).
Për më shumë informacion rreth veçimit të anëtarëve për thirrje të Kishës, shihni 18.11.
3.4.3.2
Caktimi
Udhëheqësit kryesues të Kishës mund të delegojnë autoritet me anë të caktimit. Kur burrat dhe gratë i marrin këto caktime, atyre u jepet autoritet nga Perëndia për të vepruar. Për shembull:
-
Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve u delegojnë autoritet Të Shtatëdhjetëve, të cilët caktohen për të administruar në zona dhe për të kryesuar në konferencat e kunjeve.
-
Presidentët e misioneve u delegojnë autoritet misionarëve dhe misionareve që caktohen të udhëheqin dhe trajnojnë misionarë dhe misionare të tjera.
-
Anëtarëve të Kishës u delegohet autoritet për të shërbyer si vëllezër shërbestarë dhe motra shërbestare. Kjo ndodh kur ata caktohen nën drejtimin e peshkopit nga presidenti i kuorumit të pleqve ose presidentja e Shoqatës së Ndihmës.
Autoriteti që delegohet me anë të caktimit, kufizohet vetëm për përgjegjësitë e veçanta dhe kohëzgjatjen e caktimit.
Për më shumë informacion rreth caktimit nëpërmjet delegimit, shihni 4.2.5.
3.4.4
Ushtrimi i Autoritetit të Priftërisë me Drejtësi
Udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës e përdorin autoritetin e dhënë ose të deleguar të priftërisë për ta bekuar jetën e të tjerëve.
Ky autoritet mund të përdoret vetëm me drejtësi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:36). Ai ushtrohet me anë të bindjes, durimit, mirësjelljes, zemërbutësisë, dashurisë dhe mirësisë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 121:41–42). Udhëheqësit këshillohen me të tjerët në një frymë uniteti dhe kërkojnë vullnetin e Zotit nëpërmjet zbulesës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 41:2). Për informacion rreth këshillimit me të tjerët, shihni 4.4.3.
Ata që ushtrojnë autoritet priftërie, nuk e detyrojnë vullnetin e tyre mbi të tjerët. Ata nuk e përdorin atë për qëllime egoiste. Nëse një person e përdor atë padrejtësisht, “qiejt tërhiqen [dhe] Shpirti i Zotit hidhërohet” (Doktrina e Besëlidhje 121:37).
Disa thirrje të Kishës përfshijnë një përgjegjësi për të kryesuar. Për informacion rreth kryesimit në Kishë, shihni 4.2.4.
3.5
Fuqia e Priftërisë
Fuqia e priftërisë është fuqia me anë të së cilës Perëndia i bekon fëmijët e Tij. Fuqia e priftërisë së Perëndisë rrjedh tek të gjithë anëtarët e Kishës – femra e meshkuj – kur ata i mbajnë besëlidhjet që kanë bërë me Të. Anëtarët i bëjnë këto besëlidhje kur marrin ordinancat e priftërisë. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–20.)
Bekimet e fuqisë së priftërisë që mund t’i marrin anëtarët, përfshijnë:
-
Udhërrëfim për jetën e tyre.
-
Frymëzim që të dinë se si t’u shërbejnë pjesëtarëve të familjes dhe të tjerëve.
-
Forcë për të duruar dhe kapërcyer sfidat.
-
Dhuratat e Shpirtit për t’i lartësuar aftësitë e tyre.
-
Zbulesë për të ditur se si ta përmbushin punën që ata shugurohen, veçohen ose caktohen që të bëjnë.
-
Ndihmë dhe forcë që të bëhen më shumë si Jezu Krishti dhe Ati Qiellor.
3.5.1
Besëlidhjet
Një besëlidhje është një premtim i shenjtë midis Perëndisë dhe fëmijëve të Tij. Perëndia jep kushtet për besëlidhjen dhe fëmijët e Tij bien dakord t’u binden atyre kushteve. Perëndia premton t’i bekojë fëmijët e Tij kur ata e përmbushin besëlidhjen.
Anëtarët bëjnë besëlidhje me Perëndinë kur i marrin ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shihni 18.1). Të gjithë ata që durojnë deri në fund në mbajtjen e besëlidhjeve të tyre, do të marrin jetë të përjetshme (shihni te 2 Nefi 31:17–20; Doktrina e Besëlidhje 14:7). Durimi deri në fund përfshin ushtrimin e besimit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, si dhe pendimin çdo ditë.
Prindërit, udhëheqësit e Kishës dhe njerëz të tjerë i ndihmojnë individët të përgatiten që të bëjnë besëlidhje kur ata marrin ordinancat e ungjillit. Ata sigurohen që personi i kupton besëlidhjet që ai ose ajo do të bëjë. Pasi një person bën një besëlidhje, ata e ndihmojnë që ta mbajë atë. (Shihni te Mosia 18:8–11, 23–26.)
3.5.2
Ordinancat
Një ordinancë është një akt i shenjtë që kryhet me anë të autoritetit të priftërisë. Ordinancat kanë qenë gjithmonë pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit. Ordinancat e para në tokë u kryen në kohën e Adamit dhe të Evës (shihni te Zanafilla 1:28; Moisiu 6:64–65).
Në shumë ordinanca, individët bëjnë besëlidhje me Perëndinë. Shembujt përfshijnë pagëzimin, sakramentin, dhurimin në tempull dhe ordinancën vulosëse të martesës. Në ordinanca të tjera, të tilla si bekimet patriarkale ose bekimet për të sëmurët, individët nuk bëjnë besëlidhje, por marrin udhërrëfim dhe forcë për t’i mbajtur besëlidhjet.
Ordinancat kanë domethënie simbolike e cila i drejton individët tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Në ordinancat që përfshijnë besëlidhje, simbolizmi i ndihmon individët të kuptojnë premtimet që bëjnë dhe bekimet që marrin nëpërmjet besnikërisë së tyre.
Secila ordinancë i lejon individët të marrin bekime të pasura shpirtërore. Zoti zbuloi: “Në ordinancat e [priftërisë], fuqia e perëndishmërisë manifestohet” (Doktrina e Besëlidhje 84:20). Ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit janë thelbësore për jetën e përjetshme. Për më shumë informacion, shihni 18.1.
Individët e gjallë i marrin ordinancat e shpëtimit dhe të ekzaltimit për veten e tyre. Aty ku është e mundur, ata më pas kthehen në tempull që t’i kryejnë këto ordinanca në mënyrë mëkëmbëse për njerëzit që kanë vdekur. Për më shumë informacion rreth kryerjes së ordinancave për të vdekurit, shihni te kapitulli 28.
3.6
Priftëria dhe Shtëpia
Të gjithë anëtarët e Kishës që i mbajnë besëlidhjet e tyre – gra, burra e fëmijë – bekohen me fuqinë e priftërisë së Perëndisë në shtëpitë e tyre për të forcuar vetveten dhe familjet e tyre (shihni 3.5). Kjo fuqi do t’i ndihmojë anëtarët në kryerjen e veprës së Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në jetën e tyre vetjake dhe në familjet e tyre (shihni 2.2).
Burrat që mbajnë Priftërinë Melkizedeke, mund t’u japin bekime të priftërisë pjesëtarëve të familjes për t’u siguruar drejtim, shërim e ngushëllim. Kur është e nevojshme, anëtarët e Kishës mund t’i kërkojnë këto bekime edhe nga pjesëtarë të rrethit familjar, nga vëllezërit shërbestarë ose udhëheqësit vendorë të Kishës. Për më shumë informacion rreth bekimeve të priftërisë, shihni 18.13 dhe 18.14.
Për informacion rreth kryesimit në familje, shihni 2.1.3.