Manualet dhe Thirrjet
5. Udhëheqja e Përgjithshme dhe Zonale


“5. Udhëheqja e Përgjithshme dhe Zonale”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2021).

“5. Udhëheqja e Përgjithshme dhe Zonale”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Presidenca e Parë

5.

Udhëheqja e Përgjithshme dhe Zonale

5.0

Parathënia

Jezu Krishti është “guri i qoshes” i Kishës së Tij (Efesianëve 2:20). Ai mban të gjithë çelësat e priftërisë. Ai thërret apostuj dhe profetë që ta ndihmojnë Atë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Ai u jep këtyre shërbëtorëve të zgjedhur të gjithë çelësat që aktualisht i përkasin mbretërisë së Perëndisë në tokë. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 27:12–13; shihni edhe 3.4.1 në këtë manual.)

Nëpërmjet profetëve dhe apostujve, Zoti thërret burra për në detyrën e Të Shtatëdhjetëve që të ndihmojnë në veprën e Tij në gjithë botën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:38). Përveç kësaj, Peshkopatës Kryesuese, Drejtuesve të Përgjithshëm dhe udhëheqësve të tjerë, burra e gra, u jepen përgjegjësi të rëndësishme për të ndihmuar në veprën.

Ky kapitull përshkruan rolet e udhëheqësve të përgjithshëm dhe zonalë në Kishë.

5.1

Udhëheqja e Përgjithshme e Kishës

Udhëheqja e përgjithshme e Kishës përfshin të gjithë Autoritetet e Përgjithshme dhe Drejtuesit e Përgjithshëm. Fjala i përgjithshëm tregon se autoriteti dhe përgjegjësitë që lidhen me thirrjet nuk kufizohen nga kufijtë gjeografikë. Ata që i mbajnë këto thirrje udhëheqin, japin mësim dhe u japin shërbesë anëtarëve të Kishës në mbarë botën.

Kjo pjesë përmbledh rolet e Autoriteteve të Përgjithshme, Drejtuesve të Përgjithshëm, dhe këshillave e komiteteve ku ata shërbejnë.

5.1.1

Autoritetet e Përgjithshme

5.1.1.1

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Presidenti i Kishës. Që prej ditëve të lashta, Zoti e ka drejtuar popullin e tij nëpërmjet profetëve (shihni tek Amos 3:14; Efesianëve 4:11–13). Presidenti i Kishës është një profet, shikues dhe zbulues. Ai është gjithashtu Apostulli me më shumë kohë në detyrë. Nën drejtimin e Zotit, ai kryeson mbi Kishën dhe është i vetmi person në tokë i autorizuar të ushtrojë të gjithë çelësat e priftërisë (shihni te Mateu 16:16–19; shihni edhe 3.4.1.1 në këtë manual). Ai ka autoritetin të marrë zbulesë dhe të shpallë vullnetin e Perëndisë për të gjithë Kishën. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 43:2–3; 107:91–92; 128:11.)

Presidenca e Parë. Nëpërmjet Presidentit të Kishës, Zoti thërret këshilltarë për ta ndihmuar në veprën. Presidenti dhe këshilltarët e tij janë “tre Priftërinj të Lartë Kryesues … [të cilët] përbëjnë një kuorum të Presidenc[ës] së Kishës” (Doktrina e Besëlidhje 107:22). Ky kuorum quhet Presidenca e Parë. Anëtarët e Presidencës së Parë janë Apostuj dhe si të tillë janë “dëshmitarë [të] veçantë” të emrit të Jezu Krishtit (Doktrina e Besëlidhje 107:23). Presidenca e Parë kryeson dhe i drejton të gjitha punët e Kishës.

Pjetri, Jakobi dhe Gjoni e përmbushën këtë rol në Kishën e lashtë. Ata ishin me Shpëtimtarin në disa raste të shenjta dhe morën çelësat e mbretërisë. (Shihni te Mateu 16:18–19; 17:1–5; Marku 14:32–42; Doktrina e Besëlidhje 27:12–13; 81:1–2.)

Kur vdes Presidenti i Kishës, Presidenca e Parë shpërbëhet. Këshilltarët kthehen në pozicionet e tyre bazuar mbi kohën e shërbimit brenda Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Nën drejtimin e Apostullit me më shumë kohë në detyrë, Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve udhëheq Kishën. Si kuorum, ata marrin në shqyrtim se kur duhet të riorganizohet Presidenca e Parë. Pas një vendimi unanim, Apostulli me më shumë kohë në detyrë, shugurohet si Presidenti i ri i Kishës dhe thërret këshilltarët e tij.

Kuorumi i Dymbëdhjetëve Apostujve. Në kohët e lashta, Jezu Krishti thirri dymbëdhjetë Apostuj që të ndihmonin për të udhëhequr Kishën e Tij (shihni te Lluka 6:12–13; Efesianëve 4:11–13; 1 Nefi 13:40). Në kohën tonë, Zoti thërret burra nëpërmjet Presidentit të Kishës që të shugurohen si Apostuj dhe të shërbejnë në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve (shihni te Doktrina e Besëlidhje 18:26–28). Ky kuorum vepron nën drejtimin e Presidencës së Parë për të ndërtuar dhe rregulluar Kishën në të gjitha kombet (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:33). Anëtarë të Të Dymbëdhjetëve e shpallin ungjillin në të gjithë botën (shihni te Mateu 28:19–20; Doktrina e Besëlidhje 107:35).

Secili Apostull mban të gjithë çelësat e mbretërisë dhe i ushtron ata çelësa nën drejtimin e Presidentit të Kishës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 112:30–32). Dymbëdhjetë Apostujt janë “dëshmitarë [të] veçantë” të emrit të Jezu Krishtit (Doktrina e Besëlidhje 107:23; shihni edhe 27:12). Ata i dëshmojnë të gjithë botës për hyjninë e Tij dhe realitetin e Ringjalljes së Tij (shihni te Veprat e Apostujve 1:8, 22; 4:33; Doktrina e Besëlidhje 76:22–24).

Apostujt shërbejnë me kohë të plotë në Kishë për pjesën e mbetur të jetës së tyre (shihni te Mateu 4:18–22).

Këshilli i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Të gjithë anëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve janë profetë, shikues dhe zbulues. Së bashku ata formojnë Këshillin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Nën drejtimin e Zotit dhe me zë unanim, ky këshill ka autoritetin të shpallë dhe interpretojë doktrinën dhe të vendosë rregulloren për Kishën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 1:38; 107:27–31).

Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve

5.1.1.2

Të Shtatëdhjetët

Detyra e Të Shtatëdhjetëve në Priftërinë Melkizedeke përmendet si në Dhiatën e Vjetër edhe në Dhiatën e Re (shihni tek Eksodi 24:1, 9–10; Numrat 11:16–17, 24–25; Lluka 10:1, 17). Sot ka Autoritete të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë dhe Të Shtatëdhjetë Zonalë (shihni 5.2.2). Ata veprojnë në çelësat dhe drejtimin e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ata u vijnë në ndihmë Të Dymbëdhjetëve për të ndërtuar dhe rregulluar Kishën në të gjitha kombet (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107: 34–35, 38).

Presidenca e Të Shtatëdhjetëve. Shtatë anëtarë të Të Shtatëdhjetëve thirren si presidentë për të kryesuar mbi të gjithë anëtarët e Të Shtatëdhjetëve. Një nga shtatë presidentët zgjidhet që të kryesojë mbi gjashtë të tjerët. Ata përbëjnë Presidencën e Të Shtatëdhjetëve. (Shihni te Veprat e Apostujve 6:2–6; Doktrina e Besëlidhje 107:93–94; 124:138.)

Autoritetet e Përgjithshme Të Shtatëdhjetë. Autoritetet e Përgjithshme Të Shtatëdhjetë thirren nga Presidenca e Parë që të jenë dëshmitarë të veçantë të cilët japin dëshmi për emrin e Jezu Krishtit dhe japin mësim për ungjillin në të gjithë botën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:25; 124:139).

Autoritetet e Përgjithshme Të Shtatëdhjetë shërbejnë me kohë të plotë në Kishë. Ata përgjithësisht lirohen vitin kur mbushin 70 vjeç dhe u jepet status nderi. Ndonëse e mbajnë detyrën e Të Shtatëdhjetit, ata nuk kryesojnë më në mbledhje.

Kuorumi i Të Shtatëdhjetëve. Anëtarët e Të Shtatëdhjetëve, përfshirë Të Shtatëdhjetët Zonalë, organizohen në kuorume. Presidenca e Të Shtatëdhjetëve kryeson në këto kuorume. Numrat e anëtarëve të Të Shtatëdhjetëve dhe të kuorumeve të Të Shtatëdhjetëve mund të rriten me rritjen e Kishës. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:95–96; 124:138–139.)

5.1.1.3

Peshkopata Kryesuese

Peshkopata Kryesuese përbëhet nga Peshkopi Kryesues dhe dy këshilltarët e tij. Çdo anëtar i Peshkopatës Kryesuese është një Autoritet i Përgjithshëm dhe mban detyrën e peshkopit. Ata thirren nga Presidenca e Parë dhe punojnë nën drejtimin e tyre.

Peshkopata Kryesuese administron çështje materiale të tilla si mirëqenia, financat, godinat fizike dhe përpjekjet humanitare, për të gjithë Kishën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:68). Ata gjithashtu japin mësim dhe e ndërtojnë mbretërinë e Perëndisë në mbarë botën.

5.1.2

Drejtuesit e Përgjithshëm

Presidenca e Parë thërret gra dhe burra që të formojnë Presidencën e Përgjithshme për organizatat vijuese në Kishë:

  • Shoqata e Ndihmës

  • Të Rinjtë

  • Të Rejat

  • Fillorja

  • Shkolla e së Dielës

Këta Drejtues të Përgjithshëm shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së Parë, Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe Autoriteteve të Përgjithshëm Të Shtatëdhjetë të caktuar. Ata zakonisht shërbejnë për pesë vjet.

Drejtuesit/et e Përgjithshëm/me mund të kenë përgjegjësitë vijuese:

  • Japin mësim dhe dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij.

  • Shërbejnë si anëtarë/e të këshillave dhe komiteteve të përgjithshme të Kishës siç janë caktuar (shihni 5.1.3).

  • Përmbushin detyrat kudo në botë që t’u japin shërbesë anëtarëve.

  • Sigurojnë udhërrëfim për programin mësimor, programet dhe burimet për organizatat e tyre.

  • Sigurojnë udhërrëfim për këshillat e tyre të përgjithshme të organizatave (shihni paragrafin vijues).

  • Udhëzojnë dhe përkrahin këshillueset zonale për organizatat të cilat shërbejnë nën drejtimin e Presidencave të Zonave (shihni 5.2.5.1).

Çdo organizatë e përgjithshme e Kishës mund të ketë një këshill që e ndihmon Presidencën. Anëtarët e këtyre këshillave thirren nga Autoritetet e Përgjithshme. Në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, anëtarët e këtyre këshillave mund të ndihmojnë në orientimin e presidencave të reja të organizatave të kunjeve (shihni 6.2.1.6). Jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, këshillueset zonale për organizatat mund të ndihmojnë për ta dhënë këtë orientim (shihni 5.2.5.1).

5.1.3

Këshillat dhe Komitetet e Përgjithshme të Kishës

Këshillat dhe komitetet e përgjithshme të Kishës sigurojnë udhëheqje dhe drejtim për pjesë të veçanta të veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit. Shembuj të këtyre këshillave dhe komiteteve renditen si vijon:

  • Këshilli Ekzekutiv i Priftërisë dhe Familjes

  • Komiteti Ekzekutiv për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja

  • Këshilli Ekzekutiv i Misionarëve

  • Këshilli Ekzekutiv për Tempullin dhe Historinë Familjare

Anëtarë të këtyre këshillave dhe komiteteve caktohen nga Presidenca e Parë. Ata mund të përfshijnë:

  • Anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

  • Autoritete të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë.

  • Anëtarë të Peshkopatës Kryesuese.

  • Anëtare të Presidencave të Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave ose të Fillores.

5.2

Udhëheqja Zonale

Kisha organizohet në zona gjeografike që mbulojnë gjithë botën. Kjo pjesë përmbledh udhëheqjen e Kishës në këto zona.

5.2.1

Presidenca e Zonës

Në çdo zonë, një Autoritetet i Përgjithshëm i Shtatëdhjetë caktohet nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve për të shërbyer si President i Zonës. Dy këshilltarë, të cilët janë Autoritete të Përgjithshëm Të Shtatëdhjetë ose Të Shtatëdhjetë Zonalë, caktohen për të ndihmuar presidentin.

Presidenca e Zonës kryeson mbi presidentët e kunjeve e të misioneve në zonë dhe këshillohet me ta. Ata gjithashtu përkrahin presidentët e tempujve dhe kryekujdestaret. Në këshillim me anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe Presidencën e Të Shtatëdhjetëve të cilëve u raportojnë, ata përcaktojnë se si të zbatojnë rregulloren dhe drejtimin e përgjithshëm të Kishës për të përmbushur nevojat në zonën e tyre.

Anëtarët e Presidencës së Zonës udhëtojnë brenda zonës së caktuar për t’u dhënë shërbesë, për të dhënë mësim dhe nxitur udhëheqësit vendorë, misionarët dhe anëtarët e Kishës. Ata caktohen nga Kuorumi i Dymbëdhjetëve Apostujve për të kryesuar në konferencat e kunjeve dhe mbledhje të tjera.

5.2.2

Të Shtatëdhjetët Zonalë

Të Shtatëdhjetët Zonalë thirren nga Presidenca e Parë që të jenë dëshmitarë të veçantë, të cilët japin dëshmi për emrin e Jezu Krishtit dhe japin mësim ungjillin në zonat që iu janë caktuar (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:25; 124:139). Duke punuar nën drejtimin e Presidencës së Zonës, ata i ndihmojnë Të Dymbëdhjetët për të ndërtuar dhe rregulluar Kishën në zonat e tyre.

Të Shtatëdhjetët Zonalë nuk thirren në shërbim me kohë të plotë. Ata zakonisht shërbejnë për pesë vjet. Ata zakonisht caktohen për të shërbyer në zonën gjeografike ku jetojnë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:38, 98). Të Shtatëdhjetët Zonalë mbështeten në konferencën e përgjithshme.

Çdo I Shtatëdhjetë Zonal i përket një kuorumi të Të Shtatëdhjetëve. Këto kuorume organizohen gjeografikisht. Si anëtarë të këtyre kuorumeve, Të Shtatëdhjetët Zonalë kryesohen nga Presidenca e Të Shtatëdhjetëve.

Të Shtatëdhjetët Zonalë punojnë dhe këshillohen së bashku me udhëheqësit vendorë të Kishës për t’i ndihmuar të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Të Shtatëdhjetët Zonalë mund të caktohen që:

  • Të shërbejnë në këshillin e zonës (shihni 5.2.3).

  • Të kryesojnë në mbledhjet e këshillave bashkërenduese (shihni 5.2.4).

  • Të kryesojnë në konferenca kunji dhe të udhëzojnë udhëheqësit e kunjit.

  • Të krijojnë ose riorganizojnë kunje, të veçojnë presidenca të reja kunji dhe t’i japin çelësat presidentit të kunjit.

  • Të bashkërendojnë përgjegjësitë në të gjithë zonën, duke përfshirë aktivitetet (shihni 20.3.3), JustServe.org (atje ku është në dispozicion), rimëkëmbjen nga fatkeqësitë ose detyra të tjera.

  • Të bëjnë udhëtime në misione dhe të udhëzojnë udhëheqësit e misioneve dhe misionarët.

  • Të shërbejnë si një këshilltar në Presidencën e Zonës.

Të Shtatëdhjetët Zonalë kryesojnë në të gjitha mbledhjet e Kishës ku marrin pjesë brenda zonave të tyre veç nëse është i pranishëm një Autoritet i Përgjithshëm. Sidoqoftë, ata nuk kryesojnë mbi punën e përditshme të presidentëve të tempujve, misioneve ose kunjeve. Këta presidentë shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së Zonës.

5.2.3

Këshilli i Zonës

Në çdo zonë, një këshill i zonës mblidhet sipas nevojës (zakonisht një herë në tre muaj) për të bashkërenduar veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit në zonën e tyre. Presidenca e Zonës kryeson mbi këshillin e zonës. Ky këshill përbëhet nga Presidenca e Zonës dhe Të Shtatëdhjetët Zonalë që shërbejnë në zonë. Të tjerë mund të frekuentojnë pjesë ose të gjitha mbledhjet e këshillit kur nevojitet dhe kur ftohen nga Presidenca e Zonës.

Qëllimet e mbledhjeve të këshillit të zonës përfshijnë:

  • Shqyrtimin dhe këshillimin rreth mënyrës se si të zbatohet më mirë drejtimi nga udhëheqësit e Kishës sipas nevojave dhe rrethanave të zonës.

  • Këshillimin për ecurinë e veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit në zonë.

  • Vlerësimin e ecurisë së nismave që janë të veçanta për zonën.

  • Pjesëmarrjen për çështje të tjera të zonës.

Presidenca e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës

5.2.4

Këshilli Bashkërendues

Presidenca e Zonës krijon këshilla bashkërendues. Çdo këshill përfshin kunje dhe misione të veçanta në zonë. Presidenca e Zonës cakton Të Shtatëdhjetë Zonalë për të udhëhequr secilin këshill.

Presidentët e kunjve dhe të misioneve frekuentojnë mbledhjet e këshillave bashkërenduese. Presidentët e tempujve, distriktet e tempullit të të cilëve janë brenda kufijve të këshillit bashkërendues, ftohen të marrin pjesë kur është praktike.

Të tjerët mund të marrin pjesë në disa ose në të gjitha mbledhjet kur është e nevojshme dhe kur ftohen nga I Shtatëdhjeti Zonal. Të Shtatëdhjetët Zonalë marrin parasysh largësinë, rrethanat familjare dhe udhëtimin kur i bëjnë këto ftesa.

Qëllimi i mbledhjeve të këshillave bashkërendues është të ndihmojë presidentët e kunjeve, misioneve dhe tempujve t’i ushtrojnë në unitet çelësat e priftërisë. Së bashku ata këshillohen dhe bashkërendojnë përpjekjet për t’i ndihmuar anëtarët në përgjegjësitë e tyre për veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Të Shtatëdhjetët Zonalë thërrasin një mbledhje të këshillit bashkërendues menjëherë pas çdo mbledhjeje tremujore të këshillit të zonës. Mbledhje shtesë mund të zhvillohen kur nevojitet.

Të Shtatëdhjetët Zonalë drejtojnë mbledhjet dhe ndërmjetësojnë diskutimin. Të gjithë ata që marrin pjesë këshillohen së bashku si pjesëmarrës të barabartë.

Në këto mbledhje, pjesëmarrësit:

  • Kërkojnë zbulesë rreth mënyrës se si t’i zbatojnë më mirë mësimet dhe drejtimin e Presidencës së Parë, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe të Presidencës së Zonës.

  • Bashkërendojnë veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

  • Këshillohen së bashku rreth mirëqenies materiale dhe shpirtërore të anëtarëve dhe mënyrës se si t’i ndihmojnë ata të bëhen pasues të vërtetë të Jezu Krishtit.

  • Udhëzojnë dhe e lartësojnë njëri-tjetrin.

  • Bashkërendojnë çështje të shumë kunjeve. Këto çështje mund të përfshijnë aktivitete (shihni 20.3.3), përpjekjet për të krijuar mbështetjen te vetja dhe për të dhënë shërbim në komunitet (shihni 22.10.1), përpjekjet për përgjigje ndaj rasteve urgjente (shihni 22.9.1.3) dhe financat dhe kontrollet financiare (shihni 34.7).

5.2.5

Thirrjet Zonale

Presidenca e Zonës mund t’i thërrasë anëtarët që të shërbejnë në thirrjet e zonës për të ndihmuar Presidencën e Zonës në përgjegjësitë e veta. Ata që shërbejnë në këto pozicione thirren dhe veçohen nga një anëtar i Presidencës së Zonës ose nga një I Shtatëdhjetë Zonal i caktuar. Ata nuk mbështeten.

Shembuj të thirrjeve të zonës mund të përfshijnë sekretarin ekzekutiv të zonës, kontrollorin financiar të zonës, drejtorin zonal për komunikimet, këshilluesin zonal për tempullin dhe historinë familjare dhe këshilluesen zonale për organizatat.

5.2.5.1

Këshillueset Zonale për Organizatat

Jashtë Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, Presidencat e Zonës mund të thërrasin gra që të shërbejnë si këshilluese zonale për organizatat. Këto këshilluese mund të ndihmojnë në orientimin dhe udhëzimin e presidencave të reja të Shoqatës së Ndihmës, të Të Rejave dhe Fillores në kunj, nën drejtimin e presidencave të këtyre udhëheqëseve në kunj (shihni 6.2.1.6). Një anëtar i presidencës së kunjit ose një këshilltar i lartë i caktuar merr pjesë në këtë orientim.

Këshillueset zonale shërbejnë nën drejtimin e Presidencës së tyre të Zonës. Ato gjithashtu marrin udhëzim të rregullt nga presidencat e përgjithshme të organizatave. Ato zakonisht shërbejnë për tre deri në pesë vjet.