Manualet dhe Thirrjet
9. Shoqata e Ndihmës


“9. Shoqata e Ndihmës”, Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (2020).

“9. Shoqata e Ndihmës”, Manuali i Përgjithshëm.

9.

Shoqata e Ndihmës

9.1

Qëllimi dhe Organizimi

Shoqata e Ndihmës i ndihmon fëmijët e Perëndisë që të përgatiten për t’u kthyer në praninë e Tij. Si bija të prindërve qiellorë, anëtaret e Shoqatës së Ndihmës i “sqar[ojnë] shkrimet e shenjta”, e “këshill[ojnë] kishën”, i lartësojnë zemrat dhe “kap[en] pas besëlidhjeve që k[anë] bërë” (Doktrina e Besëlidhje 25:713).

9.1.1

Qëllimi

Shoqata e Ndihmës është një organizatë e themeluar në mënyrë hyjnore për të gjitha gratë në moshë madhore në Kishë. Profeti Jozef Smith dha mësim se qëllimi i Shoqatës së Ndihmës është të shpëtojë shpirtrat dhe të lehtësojë vuajtjen. Ai tha se Kisha e Jezu Krishtit nuk ishte plotësisht e organizuar derisa motrat u organizuan në këtë mënyrë.

Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës punojnë së bashku që të ndihmojnë për të përmbushur veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Ato u shërbejnë të tjerëve, përmbushin përgjegjësitë besëlidhëse, ndërtojnë unitet, mësojnë dhe jetojnë doktrinën.

Motoja e Shoqata e Ndihmës është “Dashuria hyjnore nuk dështon kurrë” (shih 1 Korintasve 13:8). Kjo moto pasqyrohet në vulën e Shoqatës së Ndihmës.

Vula e Shoqatës së Ndihmës

9.1.2

Anëtarësia në Shoqatën e Ndihmës

Shoqata e Ndihmës është një motëri për tërë jetën. Të gjitha motrat në moshë madhore 18 vjeçe e lart janë anëtare të Shoqatës së Ndihmës. Ato janë anëtare edhe nëse nuk mund t’i frekuentojnë mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës.

Një e re mund ta fillojë frekuentimin e Shoqatës së Ndihmës kur mbush moshën 18 vjeçe. Ajo këshillohet me prindërit dhe peshkopin e vet për kohën kur të fillojë frekuentimin. Kur mbush moshën 19 vjeçe ose kur largohet nga shtëpia, si në rastet kur ndjek një universitet apo kur shërben në mision, ajo duhet të marrë pjesë në Shoqatën e Ndihmës.

Gratë e martuara nën moshën 18 vjeçe gjithashtu janë anëtare të Shoqatës së Ndihmës.

Për informacion rreth prindërve të pamartuar nën moshën 18 vjeç, shihni 38.1.5.

9.1.3

ikonë, orientimet për përshtatjen
Përshtatja ndaj Nevojave Vendore

Disa lagje kanë një numër shumë të madh të grave aktive në moshë madhore. Për këto lagje, peshkopi dhe presidenti i kunjit mund të autorizojnë krijimin e më shumë se një Shoqate të Ndihmës në lagje. Secila Shoqatë e Ndihmës ka presidencën e vet. Nëse mundet, çdo Shoqatë Ndihme duhet të ketë anëtare me larmi moshash dhe përvoje.

9.2

Pjesëmarrja në Veprën e Shpëtimit dhe të Ekzaltimit

Perëndia i fton të gjithë njerëzit të vijnë te Krishti dhe të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit nëpërmjet:

  • Të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.

  • Përkujdesjes për njerëzit nevojtarë.

  • Ftesës ndaj të gjithë njerëzve që ta marrin ungjillin.

  • Bashkimit të familjeve për përjetësinë.

Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës planifikojnë mbledhjet e së dielës, aktivitetet, dhënien e shërbesës, shërbimin dhe ndërveprime të tjera për t’i ndihmuar gratë që të marrin pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës dhe anëtarët e kuorumit të pleqve punojnë në unitet për ta përmbushur këtë vepër.

Për më shumë informacion rreth veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit, studioni kapitullin 1.

9.2.1

Të Jetuarit e Ungjillit të Jezu Krishtit

Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës i përkrahin anëtaret/ët në të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit. Ato theksojnë ushtrimin e besimit, pendimin, rritjen e mbështetjes te vetja dhe bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet marrjes së ordinancave. Ordinanca të tilla përfshijnë dhurimin në tempull. Shihni 1.2.1.

9.2.1.1

Të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi

Kur anëtaret e mësojnë dhe e jetojnë ungjillin në shtëpi, thellohet kthimi i tyre në besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës i nxitin motrat që t’i studiojnë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë, individualisht dhe me familjet e tyre. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe burime të tjera mund ta plotësojnë studimin e tyre.

Mbrëmjet e shtëpisë janë një mënyrë e rëndësishme për ta mësuar ungjillin në shtëpi. Ato zakonisht mbahen çdo javë të dielën, të hënën në mbrëmje ose në ndonjë kohë tjetër. Mund të përfshijnë lutje, studim të ungjillit, dëshmi, këngë dhe veprimtari argëtuese.

9.2.1.2

Mësimdhënia e Ungjillit në Mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës

Shoqatat e Ndihmës mblidhen të dielave për qëllimet vijuese:

  • Të forcojnë besimin.

  • Të krijojnë unitet.

  • Të forcojnë familjet dhe shtëpitë.

  • Të bëjnë plane që të ndihmojnë për të përmbushur veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Mbledhjet zhvillohen në të dielat e dyta dhe të katërta të muajit. Ato zgjatin 50 minuta. Këto mbledhje i planifikon presidenca e Shoqatës së Ndihmës. Një anëtare e presidencës drejton.

Mbledhja fillon me një anëtare të presidencës që drejton çfarëdo pune. Për shembull, motrat mund të këshillohen së bashku rreth aspekteve të përmbushjes së veprës së shpëtimit dhe të ekzaltimit. Më pas duhet t’i jepet kohë e mjaftueshme mësimdhënies dhe diskutimit domethënës të ungjillit.

Mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës përqendrohen tek temat në një ose më shumë biseda nga konferenca e përgjithshme më e fundit. Presidenca e Shoqatës së Ndihmës me lutje përzgjedh mesazhe për t’i diskutuar nisur nga nevojat e motrave. Himne mund të këndohen për ta pasuruar një mësim. Mbledhjet duhet të mbarojnë me një lutje.

Për më shumë informacion, shihni EjaMeNdiq.ChurchofJesusChrist.org.

9.2.1.3

Aktivitetet

Presidencat e Shoqatave të Ndihmës mund të planifikojnë aktivitete. Këto aktivitete i forcojnë motrat dhe u japin mundësi për të shërbyer së bashku. Shumica e aktiviteteve nuk zhvillohen të dielave ose në mbrëmjet e të hënave.

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës i mbikëqyr këto aktivitete. Ajo mund t’i kërkojë një këshilltareje ose motre tjetër që të marrë drejtimin në planifikimin dhe zbatimin e tyre (shih 9.3.4). Presidencat i diskutojnë aktivitetet me peshkopin si pjesë e planifikimit të tyre.

9.2.2

Përkujdesja për Njerëzit Nevojtarë

Si pasuese të Jezu Krishtit, motrat kanë përgjegjësi që t’i ndihmojnë me dashuri njerëzit nevojtarë. Individualisht dhe si Shoqatë e Ndihmës, ato kërkojnë mënyra për t’u shërbyer të tjerëve në lagje dhe komunitet. Atje ku është në dispozicion, faqja JustServe.org sugjeron mundësi shërbimi në komunitet.

Për më shumë informacion rreth mënyrës se si anëtaret e Shoqatës së Ndihmës dhe anëtarët e kuorumit të pleqve kujdesen për njerëzit nevojtarë, shihni 22.2.4.

9.2.2.1

Dhënia e Shërbesës

Dhënia e shërbesës është përkujdesje për të tjerët sikurse do të përkujdesej Shpëtimtari. Motrat marrin nga presidenca e Shoqatës së Ndihmës detyra për të dhënë shërbesë. Për më shumë informacion, shihni kapitullin 21.

9.2.2.2

Nevojat Afatshkurtra

Motrat shërbestare përpiqen t’i kuptojnë dhe t’u përgjigjen nevojave të njerëzve të cilëve u shërbejnë. Anëtareve mund t’u nevojitet ndihmë afatshkurtër në kohë sëmundjeje, lindjeje, vdekjeje, humbjeje të punësimit dhe rrethana të tjera.

Kur nevojitet, motrat shërbestare i kërkojnë ndihmë presidencës së Shoqatës së Ndihmës. Presidenca mund të rekomandojë thirrjen e një bashkërendueseje për shërbimin që t’i organizojë këto përpjekje (shih 9.3.4).

Shoqata e Ndihmës dhe kuorumi i pleqve bashkërendojnë përpjekjet për të trajtuar nevojat afatshkurtra (shih 22.2.4.1). Peshkopi mund të japë ndihmë nga ofertat e agjërimit, nëse nevojitet.

Në disa vendndodhje, peshkopët kanë mundësinë që t’u japin anëtarëve nevojtarë një fletëporosi nga peshkopi për ushqime dhe artikuj të tjerë bazë. Peshkopi në përgjithësi cakton presidenten e Shoqatës së Ndihmës që të takohet me anëtarët dhe të plotësojë fletëporosinë. Gjithsesi, ai mund të caktojë edhe presidentin e kuorumit të pleqve. Një këshilltare në presidencën e Shoqatës së Ndihmës ose një këshilltar në presidencën e kuorumit të pleqve mund të caktohet nëse presidentja/i nuk është në dispozicion. Udhëheqësi/ja i/e caktuar ia dorëzon formularin e plotësuar peshkopit për miratimin e tij.

Për më shumë informacion, shihni 22.6.4.3 dhe “Burimet për Mirëqenien” te Burimet e Udhëheqësit dhe Nëpunësit.

9.2.2.3

Nevojat Afatgjata dhe Mbështetja te Vetja

Nën drejtimin e peshkopit, Shoqata e Ndihmës dhe presidencat e kuorumeve të pleqve i ndihmojnë anëtarët për nevoja afatgjata dhe për mbështetjen te vetja. Ata japin mësim parimet e mbështetjes te vetja materialisht dhe shpirtërisht. Shihni kapitullin 22 dhe pjesën “Mbështetja te Vetja” në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

Nëse një person ose familje ka nevojë për ndihmë, presidentja e Shoqatës së Ndihmës dhe presidenti i kuorumit të pleqve këshillohen së bashku nën drejtimin e peshkopit rreth mënyrës se si ta ndihmojnë (shih 22.6.3).

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës, presidenti i kuorumit të pleqve ose një udhëheqës tjetër e ndihmon personin ose familjen që të zhvillojë një Plan të Mbështetjes te Vetja. Motrat ose vëllezërit shërbestarë mund të ndihmojnë gjithashtu për planin. Shpesh, anëtare të tjera të Shoqatës së Ndihmës ose anëtarë të kuorumit të pleqve kanë aftësi apo përvojë që mund të ndihmojë. Të gjithë ata që ndihmojnë, e trajtojnë informacionin me fshehtësi. Për më shumë informacion, shihni 22.2.4.2 dhe 22.2.4.5.

9.2.2.4

Kur Vdes një Anëtar/e i/e Lagjes

Kur vdes një anëtar/e i/e lagjes, presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve ofrojnë ngushëllim dhe ndihmë. Nën drejtimin e peshkopit, ato mund të ndihmojnë për funeralin.

Nëse është e mundur, anëtarët/et e vdekur/a që e kishin marrë dhurimin në tempull, varrosen me veshjen e tempullit. Peshkopi mund t’i kërkojë presidentes së Shoqatës së Ndihmës që të caktojë një motër që e ka marrë dhurimin në tempull, për ta veshur ose për ta mbikëqyrur procesin e veshjes së një motre të vdekur që e kishte marrë dhurimin në tempull. Për më shumë informacion, shihni 27.3.9.

Presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve, vëllezërit dhe motrat shërbestare, si dhe njerëz të tjerë vazhdojnë të ofrojnë ngushëllim e ndihmë pas varrimit.

9.2.3

Ftesa ndaj të Gjithë Njerëzve që ta Marrin Ungjillin

Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës kanë përgjegjësi që t’i ftojnë të gjithë njerëzit të marrin bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit (shih Mosia 18:9). Ato e bëjnë këtë gjë duke e përhapur ungjillin, duke i forcuar anëtaret e reja dhe duke u zgjatur dorën e ndihmës njerëzve që janë më pak aktivë.

Në mbledhjet e presidencës dhe të Shoqatës së Ndihmës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës diskuton për mënyrat se si motrat mund t’i ftojnë të gjithë njerëzit që t’i marrin bekimet e ungjillit.

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës cakton një anëtare të presidencës për të ndihmuar që ta udhëheqë punën misionare të anëtareve në lagje. Ajo punon me anëtarin e caktuar nga presidenca e kuorumit të pleqve për t’i bashkërenduar këto përpjekje (shih 23.1.1).

Anëtarja e caktuar e presidencës së Shoqatës së Ndihmës merr pjesë në diskutime të shkurtra, joformale për të bashkërenduar mënyrën se si t’i ftojnë të gjithë njerëzit që të marrin bekimet e ungjillit. Këto diskutime zhvillohen çdo javë. Ato udhëhiqen nga një anëtar i caktuar i presidencës së kuorumit të pleqve dhe udhëheqësi i misionit të lagjes (nëse është thirrur). Ato gjithashtu përfshijnë misionarët e lagjes, një ndihmës në kuorumin e priftërinjve, një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe tek Të Rejat dhe misionarët kohëplotë.

9.2.4

Bashkimi i Familjeve për Përjetësinë

Anëtaret e Shoqatës së Ndihmës i mbështetin anëtaret/ët për t’i bashkuar familjet për përjetësinë. Kjo përfshin:

  • Bërjen e besëlidhjeve me Perëndinë nëpërmjet marrjes së ordinancave, përfshirë dhurimin në tempull.

  • Bërjen e punës në tempull dhe të historisë familjare (shih 1.2.4).

Në mbledhjet e presidencës dhe të Shoqatës së Ndihmës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës diskuton për mënyrat se si motrat mund të marrin pjesë në këto përpjekje.

Presidenca i nxit motrat që të mësojnë rreth historisë së familjes së tyre dhe rreth besëlidhjeve dhe ordinancave të tempullit. Ajo gjithashtu i nxit motrat që ta frekuentojnë rregullisht tempullin, atje ku është e mundur.

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës cakton një anëtare të presidencës që të ndihmojë për ta udhëhequr punën për në tempull dhe për historinë familjare në lagje. Ajo punon me anëtarin e caktuar nga presidenca e kuorumit të pleqve për t’i bashkërenduar këto përpjekje (shih 25.4.1).

Anëtarja e caktuar e presidencës së Shoqatës së Ndihmës merr pjesë në diskutime të shkurtra, joformale për të bashkërenduar punën në tempull dhe për historinë familjare. Këto diskutime zhvillohen rregullisht. Ato udhëhiqen nga anëtari i caktuar i presidencës së kuorumit të pleqve dhe udhëheqësi për tempullin dhe historinë familjare në lagje (nëse është thirrur). Ato gjithashtu përfshijnë një ndihmës të kuorumit të priftërinjve, një anëtare të presidencës së klasës me moshën më të madhe tek Të Rejat dhe këshilltarët për tempullin dhe historinë familjare.

9.3

Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës

9.3.1

Peshkopi

Peshkopi takohet zakonisht me presidenten e Shoqatës së Ndihmës çdo muaj. Ata diskutojnë për veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit, përfshirë shërbimin e motrave shërbestare. Gjithashtu diskutojnë për 1) përparimin dhe nevojat e motrave në lagje dhe 2) mbledhjet, mësimdhënien dhe aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës.

9.3.2

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës

9.3.2.1

Thirrja e një Presidence të Shoqatës së Ndihmës

Peshkopi thërret një grua që të shërbejë si presidente e Shoqatës së Ndihmës së lagjes. Nëse njësia është mjaft e madhe, ajo i rekomandon atij një ose dy gra që të shërbejnë si këshilltaret e saj. Peshkopata i merr në shqyrtim rekomandimet e saj dhe i bën thirrjet.

Një anëtar i peshkopatës i paraqet anëtaret e presidencës në një mbledhje sakramenti për një votë mbështetëse. Peshkopi e veçon presidenten e Shoqatës së Ndihmës. Një anëtar i peshkopatës i veçon këshilltaret e saj.

Peshkopi apo njëri nga këshilltarët e tij i paraqet motrat që thirren në thirrje të tjera në Shoqatën e Ndihmës, për një votë mbështetëse në një mbledhje të Shoqatës së Ndihmës. Shihni 9.3.3 dhe 9.3.4.

Disa njësi të vogla mund të mos kenë një presidente të Të Rejave ose të Fillores. Në këto njësi, presidentja e Shoqatës së Ndihmës mund t’i ndihmojë prindërit që të planifikojnë mësimdhënien për rininë dhe fëmijët.

9.3.2.2

Përgjegjësitë

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës ka përgjegjësitë vijuese. Këshilltaret e saj e ndihmojnë atë.

  • Shërben në këshillin e lagjes. Ajo shërben si 1) anëtare e këshillit që ndihmon për të trajtuar nevojat në lagje dhe për të gjetur zgjidhje, dhe si 2) përfaqësuese për Shoqatën e Ndihmës (shih 7.6.1).

  • Udhëheq përpjekjet e Shoqatës së Ndihmës për të marrë pjesë në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih kapitullin 1).

  • Organizon dhe mbikëqyr shërbimin e motrave shërbestare. Bashkërendon detyrat e caktuara për dhënie shërbese me presidencën e kuorumit të pleqve, duke u mbledhur të paktën çdo tremujor. Kërkon miratimin e peshkopit për detyrat e caktuara për dhënie shërbese. Zhvillon intervista për dhënien e shërbesës të paktën çdo tremujor. Shihni kapitullin 21.

  • Nën drejtimin e peshkopit, këshillohet me anëtaret në moshë madhore të lagjes rreth çështjeve të tjera përveç atyre që janë përgjegjësia e peshkopit, të tilla si denjësia, keqtrajtimi dhe miratimi për të përdorur fonde të ofertave të agjërimit. Shihni CounselingResources.ChurchofJesusChrist.org.

    3:16
  • Me presidencën e kuorumit të pleqve, ndihmon për të udhëhequr përpjekjet në lagje për t’i ftuar të gjithë njerëzit që të marrin bekimet e ungjillit (shih 9.2.3).

  • Me presidencën e kuorumit të pleqve, ndihmon për të udhëhequr punën në tempull dhe për historinë familjare në lagje (shih 9.2.4).

  • Bashkërendon përpjekjet e Shoqatës së Ndihmës për t’i forcuar motrat që janë të reja në moshë madhore në lagje, si beqare dhe të martuara (shih 14.3.3.2).

  • Takohet me secilën anëtare të Shoqatës së Ndihmës individualisht të paktën një herë në vit. Diskuton për mirëqenien e motrës dhe të familjes së saj.

  • U mëson motrave përgjegjësitë e tyre besëlidhëse.

  • Mbikëqyr dhe ndihmon për ta përmirësuar mësimdhënien në Shoqatën e Ndihmës (shih kapitullin 17).

  • Planifikon dhe drejton mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës.

  • Mbikëqyr aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës (shih 9.2.1.3).

  • I ndihmon të rejat që të përgatiten për të marrë pjesë në Shoqatën e Ndihmës (shih 9.4).

  • Mbikëqyr dokumentet, raportet dhe financat e Shoqatës së Ndihmës (shih LCR.ChurchofJesusChrist.org). Një sekretare mund të ndihmojë (shih 9.3.3).

Presidentja e Shoqatës së Ndihmës në kunj e mëson presidencën e Shoqatës së Ndihmës në lagje lidhur me këto përgjegjësi. Ato mund ta bëjnë këtë gjatë mbledhjeve të udhëheqjes së kunjit dhe duke marrë pjesë në mbledhjet e presidencës së Shoqatës së Ndihmës në lagje (shih 29.3.11).

Nëpërmjet shërbimit të saj, presidentja e Shoqatës së Ndihmës në lagje e mbështet peshkopin që të përqendrohet te rinia dhe përgjegjësitë e tij unike.

9.3.2.3

Mbledhja e Presidencës

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës dhe sekretarja takohen rregullisht. Këto mbledhje i drejton presidentja. Rendi i ditës mund të përfshijë pikat vijuese:

  • Të planifikojnë se si t’i forcojnë motrat dhe familjet e tyre.

  • Të planifikojnë se si të ndihmojnë për të përmbushur veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

  • Të bashkërendojnë punën misionare, punën në tempull dhe për historinë familjare.

  • T’u përgjigjen këshillës dhe detyrave të caktuara nga peshkopi.

  • T’u përgjigjen detyrave të caktuara nga mbledhja e këshillit të lagjes.

  • Me lutje të marrin në shqyrtim detyrat e caktuara për dhënien e shërbesës.

  • Të rishikojnë informacionin nga intervistat për dhënien e shërbesës. Të planifikojnë mënyra se si t’i dallojnë anët e forta dhe të ndihmojnë që të plotësohen nevojat. (Shih kapitullin 21.)

  • Të marrin në konsideratë motra që të shërbejnë në thirrjet dhe detyrat e Shoqatës së Ndihmës.

  • Të planifikojnë mbledhje dhe aktivitete të Shoqatës së Ndihmës.

9.3.3

Sekretarja

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës mund të rekomandojë një motër që të shërbejë si sekretarja e Shoqatës së Ndihmës. Një anëtar i peshkopatës e thërret atë, e paraqet për një votë mbështetëse në një mbledhje të Shoqatës së Ndihmës dhe e veçon atë.

Përgjegjësitë e sekretares mund të përfshijnë sa vijon:

  • Të përgatitë rende dite për mbledhjet e presidencës dhe mbledhjet e Shoqatës së Ndihmës.

  • Të mbajë shënime në mbledhje dhe të ndjekë ecurinë e detyrave të caktuara.

  • Të caktojë orarin e intervistave për dhënien e shërbesës (shih 21.4).

  • Të përgatitë dhe të dorëzojë raportet tremujore të frekuentimit dhe numrin e intervistave të zhvilluara për dhënien e shërbesës.

  • Të ndihmojë për të përgatitur një buxhet vjetor dhe të ndjekë ecurinë e shpenzimeve (shih 34.7).

9.3.4

Thirrje të Tjera

Thirrje të tjera shtesë mund të jenë të dobishme. Peshkopi dhe presidentja e Shoqatës së Ndihmës diskutojnë nëse këto thirrje janë të nevojshme.

  • Mësueset e Shoqatës së Ndihmës për të dhënë mësim në mbledhjet e të dielave.

  • Një bashkërenduese për shërbimin që të ndihmojë për të planifikuar dhe për të vënë në zbatim shërbimin për njerëzit nevojtarë (shih 9.2.2.2). Gjithashtu mund të thirren ndihmëse dhe anëtare të komitetit.

  • Një bashkërenduese të aktiviteteve që të ndihmojë për të planifikuar dhe për të vënë në zbatim aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës (shih 9.2.1.3). Gjithashtu mund të thirren ndihmëse dhe anëtare të komitetit.

  • Ndihmëssekretare që të ndihmojnë sekretaren e Shoqatës së Ndihmës.

  • Disa sekretare për dhënien e shërbesës që të organizojnë intervistat për dhënien e shërbesës dhe të ndihmojnë për të përgatitur raportet tremujore.

Nëse nevojiten këto ose thirrje të tjera, presidenca e Shoqatës së Ndihmës rekomandon motra për të shërbyer. Ato ia bëjnë këto rekomandime peshkopatës. Nëse peshkopata i miraton, një anëtar i peshkopatës i thërret ato. Ai i paraqet ato për një votë mbështetëse në një mbledhje të Shoqatës së Ndihmës dhe i veçon ato.

Sipas nevojës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës mund të caktojë motra që të ndihmojnë për përpjekjet e Shoqatës së Ndihmës në mënyra të tjera. Motrat me detyra afatshkurtra nuk kanë nevojë të thirren dhe të veçohen.

9.4

Ndihma ndaj të Rejave që të Përgatiten për të Marrë Pjesë në Shoqatën e Ndihmës

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës punon me të rejat, prindërit e tyre dhe udhëheqëset e Të Rejave për t’i ndihmuar të rejat që të përgatiten për të marrë pjesë në Shoqatën e Ndihmës.

Udhëheqëset gjithashtu sigurojnë mundësi të vazhdueshme që të rejat dhe motrat e Shoqatës së Ndihmës të zhvillojnë marrëdhënie. Shërbimi së bashku si motra shërbestare është një mënyrë e vlefshme për të krijuar lidhje.

Udhëheqëset i ndihmojnë të rejat që të kuptojnë përgjegjësitë e tyre besëlidhëse. Kur të jetë e dobishme që një e re të japë shërbesë te një motër e caktuar, ajo mund të caktohet si motër shërbestare kur është e gatshme, e aftë dhe e pjekur. Ajo mund të caktohet duke filluar nga viti që mbush moshën 14 vjeçe. Të rejat shërbejnë si shoqëruese të motrave të Shoqatës së Ndihmës (shih 21.3).

Kur të reja në moshë madhore bashkohen me Shoqatën e Ndihmës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës u jep mundësi që të shërbejnë dhe t’i përdorin anët e tyre të forta. Presidenca gjithashtu i ndihmon që të përgatiten për të bërë dhe mbajtur besëlidhje të shenjta në tempull (shih 27.1).

9.5

Udhëheqëset e Shoqatës së Ndihmës në Kunj

Presidenti i kunjit thërret dhe veçon një motër për të shërbyer si presidente e Shoqatës së Ndihmës së kunjit. Nëse një kunj është mjaft i madh, ajo rekomandon një ose dy gra që të shërbejnë si këshilltare dhe një tjetër që të shërbejë si sekretare. Këto gra thirren dhe veçohen nga një anëtar i presidencës së kunjit ose nga një këshilltar i lartë i caktuar. Për informacion rreth përgjegjësive të presidencës dhe sekretares së Shoqatës së Ndihmës në kunj, shihni 5.4.1 dhe 5.4.4.

Presidenti i kunjit takohet rregullisht (zakonisht çdo muaj) me presidenten ose presidencën e Shoqatës së Ndihmës në kunj. Ata këshillohen së bashku për veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit. Gjithashtu diskutojnë për 1) përparimin dhe nevojat e motrave në kunj dhe 2) mbledhjet, mësimdhënien dhe aktivitetet e Shoqatës së Ndihmës.

Presidenti i kunjit cakton një këshilltar të lartë që të punojë me presidencën e Shoqatës së Ndihmës në kunj (shih 5.3.1).

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës në kunj i udhëzon presidencat e Shoqatave të Ndihmës të lagjeve lidhur me përgjegjësitë e tyre për punën misionare, punën në tempull dhe për historinë familjare. Ato e bëjnë këtë gjë nën drejtimin e presidencës së kunjit. Këshilltarë të lartë caktohen që të ndihmojnë. Shihni 23.1 dhe 25.4.

Nëse kunji ka një komitet të të rinjve dhe të rejave në moshë madhore beqarë, një anëtare e presidencës së Shoqatës së Ndihmës në kunj shërben në atë komitet (shih 14.3.2).

9.6

Orientime dhe Rregullore Shtesë

9.6.1

Anëtaret me Aftësi të Kufizuara

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës u jep përkujdesje të veçantë anëtareve me aftësi të kufizuara. Për informacion rreth ndihmës ndaj këtyre anëtareve, shihni disability.ChurchofJesusChrist.org dhe 38.8.31.

9.6.2

Shkrim‑leximi

Sipas nevojës, presidenca e Shoqatës së Ndihmës punon me peshkopin, presidencën e kuorumit të pleqve dhe këshillin e lagjes për t’i ndihmuar anëtarët/et të mësojnë të shkruajnë e të lexojnë.