Biblioteka
4. Mirëqenia Fizike


Jezu Krishti me një qengj

The Lost Sheep [Delja e Humbur], nga Yongsung Kim, havenlight.com

4

Mirëqenia Fizike

4.0

Hyrje

Puna misionare kërkon angazhim fizik dhe emocional. Standardet në këtë pjesë dhe në pjesën Përshtatja ndaj Jetës Misionare do t’ju ndihmojnë që të përgatitni mendjen dhe trupin për t’i shërbyer më mirë Zotit dhe kauzës së Tij. Rishikojini rregullisht këto standarde gjatë gjithë misionit tuaj.

4.1

Të Ushqyerit dhe Përgatitja e Ushqimeve

Hidratimi dhe të ushqyerit siç duhet janë të rëndësishëm për mirëqenien tuaj.

4.1.1

Orientime të Përgjithshme për të Ushqyerit

Ju lutemi, ndiqni orientimet e përgjithshme për të ushqyerit që janë më poshtë:

  • Pini 6 deri në 12 gota (1,5 deri në 3 litra) ujë të pastër në ditë. Mund t’ju nevojitet më shumë ujë dhe kripë nëse djersiteni shumë gjatë gjithë ditës ose gjatë ushtrimit fizik.

  • Hani vakte ushqimore të baraspeshuara, të cilat përfshijnë perime, fruta, drithëra, yndyra të shëndetshme dhe proteina.

  • Kufizojini ushqimet pa vlera ushqyese, pijet me gaz, ushqimet e përpunuara në mënyrë industriale dhe fast food-et.

4.1.2

Përgatitja në Mënyrë të Sigurt e Ushqimeve

Respektojini orientimet vijuese për t’u siguruar që ushqimi juaj të përgatitet në mënyrë të sigurt:

  • Lajini sipërfaqet ku përgatitni ushqimet me ujë të pastër, të nxehtë dhe me detergjent përpara dhe pas gatimit.

  • Lajini enët e kuzhinës dhe të ngrënies me ujë të pastër, të nxehtë dhe me detergjent pas çdo përdorimi.

  • Mbajini mishin e pagatuar, mishin e pulës, vezët dhe prodhimet e detit veç nga ushqimet e tjera gjatë gatimit.

  • Piqeni ose gatuajeni plotësisht mishin, peshkun dhe mishin e pulës.

  • Shmangeni ngrënien e mishrave të papjekur ose të pazier plotësisht apo të pagatuar fare.

  • Qërojeni lëkurën e frutave dhe perimeve të pagatuara ose lajini ato mirë.

  • Mbajini në frigorifer ushqimet që mbeten dhe ato që prishen. Që të mos sëmureni, hidhni tej çdo artikull të mbetur më gjatë nga koha e rekomanduar në paketim.

  • Mundohuni ta shmangni ngrënien e ushqimeve nga shitësit në rrugë, sepse nuk dihet cilësia dhe siguria e përgatitjes së ushqimeve.

Zbatojini këto orientime vazhdimisht, edhe nëse të tjerët (përfshirë misionarë të tjerë) përpiqen t’ju mbushin mendjen se nuk janë të rëndësishme apo janë të skajshme.

Shikoni këtë material filmik për më shumë informacion rreth të ushqyerit siç duhet dhe sigurisë së ushqimeve.

17:51

4.1.3

Siguria Lidhur me Ujin dhe Bulmetin

Vetëm uji i pastër dhe prodhimet e pasterizuara të bulmetit janë të sigurta që t’i pini ose hani.

Ndiqini këto dhe çfarëdo orientimesh të tjera shtesë që ju jepen nga misioni juaj:

  • Përdorni filtrues uji nëse shërbeni në një zonë ku uji i pastruar nuk është lehtësisht në dispozicion.

  • Përdorni ujë të pastër që të lani dhëmbët, që të lani e përgatitni ushqimin.

  • Hani vetëm produkte të pasterizuara bulmeti.

Jini të vetëdijshëm se në disa vende, copat e akullit dhe pijet joalkoolike në restorante ose tregje mund të jenë bërë nga ujë i papastruar. Jini të vëmendshëm dhe mos përdorni akull ose pije joalkoolike, pasi mund të mos jenë të sigurta.

4.2

Ushtrimi Fizik

Ushtrimi fizik ju mban të shëndetshëm dhe ju ndihmon për ta lehtësuar stresin. Bëjeni atë pjesë të rutinës suaj të përditshme (shihni te 2.4.2). Vihuni në kontakt me zyrën e misionit nëse keni ndonjë pyetje. Ndiqni orientimet e veçanta të misionit si dhe orientimet e përgjithshme vijuese:

  • Bëni lloje të ndryshme ushtrimi fizik gjatë javës, përfshirë ushtrime si ecje, vrapim, për forcim dhe fleksibilitet të trupit. Për sigurinë tuaj, shmangni ngritjen e peshave të rënda.

  • Nëse keni një pajisje elektronike, mund të përdorni një program kompjuterik të miratuar nga udhëheqësit e misionit që të planifikoni ushtrimin tuaj fizik.

  • Nuk duhet të ushtroheni në palestra publike ose private.

4.3

Mbajtja nën Kontroll e Stresit

Puna misionare ka kërkesa të mëdha dhe është normale të ndieni stres herë pas here. Ju mund ta përgatitni trupin dhe mendjen më mirë që ta përballoni stresin duke përfituar nga përkrahja e familjes (shihni te 3.9.1) dhe duke ushtruar zakone të ngrënies së shëndetshme (shihni te 4.1.1), të ushtrimit të rregullt fizik (shihni te 4.2), të fjetjes së rregullt, çlodhjes dhe kujdesit shpirtëror (përfshirë lutjen, përsiatjen dhe studimin).

Gjatë gjithë misionit tuaj, përdorni pjesën Përshtatja ndaj Jetës Misionare që t’ju ndihmojë ta mbani nën kontroll stresin dhe të ndihmoni misionarët e tjerë. Nëse e ndieni që ju ose shoku apo shoqja juaj po has vështirësi me mbajtjen nën kontroll të stresit në mënyra të shëndetshme, apo nëse ka ndonjë urgjencë, vihuni në kontakt me udhëheqësit tuaj të misionit.

Nëse ju janë dhënë me recetë mjekime për stresin, ndiqni udhëzimet e recetës mjekësore dhe të mjekut tuaj.

Apostulli Pal reflektoi lidhur me përpjekjet e tij misionare dhe dha mësim se Zoti do t’i mbështetë, përkrahë dhe ndihmojë ata që e kërkojnë Atë. Zoti nuk do t’ju braktisë kurrë. Pali dha mësim:

“Sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit. … Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar. … Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: ‘Unë besova, prandaj fola’, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim. … Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie” (2 Korintasve 4:6, 8–9, 13, 17).

Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.6, “Situata të Vështira”.

4.4

Kujdesi Mjekësor

Trajtojeni me seriozitet shëndetin tuaj fizik dhe emocional. Vëreni në dijeni bashkërenduesin mjekësor të misionit për të gjitha problemet mjekësore (të tilla si mjekimet që po merrni, alergjitë që keni ose veprimtaritë të cilat duhet t’i shmangni) që të merrni përkrahjen që ju nevojitet. Vihuni në kontakt me zyrën e misionit nëse keni ndonjë pyetje rreth shqetësimeve shëndetësore.

Për sigurinë tuaj:

  • Mos i jepni njeriu nga mjekimet që ju janë dhënë me recetë, apo mos përdorni mjekime që i janë dhënë me recetë dikujt tjetër.

  • Mos i bëni familjarët ose miqtë tuaj t’ju dërgojnë mjekime që nuk lejohen në vendin apo zonën ku shërbeni.

Nëse keni një urgjencë shëndetësore, ndërmerrni veprime me logjikë të shëndoshë për sigurinë apo përkujdesjen tuaj të menjëhershme. Merrni në telefon shërbimet vendore të urgjencës (të tilla si 911 në Shtetet e Bashkuara) në qoftë se nuk ju janë dhënë udhëzime të tjera në misionin tuaj. Sa më shpejt që të jetë e mundur, vihuni në kontakt me udhëheqësit tuaj të misionit.

Nëse keni nevojë për kujdes mjekësor që nuk përbën një urgjencë, merrni në telefon menjëherë bashkërenduesin mjekësor të misionit. Vizitat mjekësore jo urgjente duhet të miratohen paraprakisht nga bashkërenduesi mjekësor. Bashkërenduesi mjekësor mund t’ju drejtojë te një klinikë kujdesi mjekësor në zonën tuaj.

Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.7, “Shqetësimet e Shëndetit Fizik dhe Mendor”.

4.5

Situatat e Rrezikshme dhe Kërcënimet

Shumë rreziqe të mundshme mund të shmangen me logjikë të shëndoshë e duke respektuar standardet e misionit, përfshirë qëndrimin atje ku mund ta shihni e dëgjoni shokun apo shoqen tuaj. Megjithatë, njerëzit ende mund t’ju lëndojnë edhe kur përpiqeni të jeni të sigurt. Kur keni problem, raportojani menjëherë presidentit të misionit ose bashkëshortes së tij.

Largohuni menjëherë nëse ju ose shoku apo shoqja juaj nuk ndiheni mirë rreth një vendi, personi ose situate (përfshirë një situatë mësimdhënieje). Vëruani veshin nxitjeve shpirtërore. Ju mund të largoheni nga shoku apo shoqja juaj, në qoftë se e ndieni që ai ose ajo mund të jetë një rrezik ndaj jush. Nëse largoheni nga shoku apo shoqja juaj, merrni menjëherë në telefon ose presidentin tuaj të misionit ose bashkëshorten e tij.

Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.8, “Situatat e Rrezikshme”.

4.6

Banimi

Tregoni respekt për banesën tuaj, pronarin e shtëpisë apo personin në shtëpinë e të cilit banoni, si dhe fqinjët tuaj. Nëse shkaktoni dëmtim, ju jeni përgjegjës që të paguani për riparimet nga fondet tuaja vetjake. Flisni me bashkërenduesin e misionit për banimin, në qoftë se keni ndonjë shqetësim rreth banimit.

Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.9, “Siguria e Banesës”.

4.7

Transporti

Gjithmonë ndiqni rregullat, ligjet dhe zakonet vendore të trafikut teksa udhëtoni. Përdorni logjikën e shëndoshë, jini të vetëdijshëm për rrethinat tuaja, njihuni me zonën tuaj dhe ndiqni standardet e përgjithshme të sigurisë në këtë manual.

Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.10, “Siguria e Transportit”.

4.8

Paratë

Fondet për përkrahjen e misionarëve përfaqësojnë sakrificën individuale të anëtarëve të Kishës. Ato janë fonde të shenjta dhe ju duhet t’i përdorni me përgjegjësi, ndershmëri dhe me integritet moral të plotë.

4.8.1

Fondet për Përkrahjen e Misionarëve

Përdorini fondet për përkrahjen e misionarëve që të paguani për artikuj vetjakë për t’ju përkrahur në punën misionare. Me disa përjashtime, përgjithësisht ju duhet t’i përdorni të gjitha fondet tuaja për përkrahjen e misionarëve çdo muaj. Mos i ruani paratë nga këto fonde ose mos ia jepni një pjesë të parave dikujt tjetër, përfshirë këdo në familjen tuaj. Mos jepni ose merrni para hua.

Buxheti juaj për fondet e përkrahjes për misionarët mund të përfshijë sa vijon:

  • Ofertat e agjërimit të paguara në lagjen ose degën ku shërbeni.

  • Ushqimet për të përgatitur vakte me vlera ushqyese (shihni te 4.1.1).

  • Transportin, përfshirë karburantin ose transportin publik.

  • Kujdesin për flokët dhe artikujt për higjienën vetjake.

  • Pajisjet për pastrimin e banesës dhe larjen e rrobave.

  • Shpenzimet postare apo të internetit për komunikime të përjavshme me familjen (shihni te 3.8).

  • Pak vakte ushqimi në restorante apo fast-food‑e.

Nuk nevojitet të paguani të dhjetë për fondet e përkrahjes për misionarët.

Shihni te 4.8.2 për një listë të artikujve që duhet të paguhen me fonde vetjake.

4.8.2

Fondet Vetjake

Fondet vetjake janë para që ju dërgohen drejtpërsëdrejti nga familja. Përdorini fondet vetjake për zëra të tilla si:

  • Blerjen e veshjeve dhe këpucëve.

  • Blerjen, mirëmbajtjen dhe riparimin e biçikletave.

  • Shpenzimet mjekësore që nuk paguhen nga misioni, të tilla si pagesat mjekësore që janë detyrimi juaj, vizitat e zakonshme për sytë apo te dentisti, si dhe kujdesin për gjendje të mëparshme shëndetësore.

  • Gjobat e trafikut dhe të parkimit.

  • Riparimet e banesës nëse shkaktoni dëm.

  • Mjetet zanore apo pamore.

  • Suvenire dhe dhurata.

E dhjeta për fondet vetjake që merrni dhe çfarëdo të ardhure nga një biznes apo investim në atdheun tuaj, duhet të paguhen me fondet vetjake në lagjen tuaj kishtare në atdheun tuaj apo me dhurime nëpërmjet internetit.

4.8.3

Mbështetja te Vetja dhe Plani i Shpenzimeve

Bëhuni të mbështetur te vetja gjatë misionit tuaj duke krijuar dhe ndjekur një plan shpenzimesh. Kjo aftësi do t’ju ndihmojë dhe bekojë gjatë gjithë jetës suaj. Mos u kërkoni shokëve apo shoqeve misionare ose familjarëve fonde shtesë, në qoftë se nuk keni urgjencë.

Krijimi dhe ndjekja e një plani shpenzimesh përfshin bërjen e një liste të gjithçkaje që duhet të blini për muajin dhe më pas të zgjidhni se cilët artikuj janë më të rëndësishmit dhe të paguani fillimisht për to. Gjithmonë zgjidhni çfarë ju nevojitet përpara se të zgjidhni atë që dëshironi.

Nëse ju nevojiten para shtesë ose keni pyetje rreth shpenzimeve, flisni me sekretarin financiar ose udhëheqësit tuaj të misionit.

4.9

Veshja dhe Pamja e Jashtme

Si një përfaqësues i autorizuar i Jezu Krishtit dhe Kishës së Tij të rivendosur, pamja juaj është shpesh mesazhi i parë që marrin të tjerët. Ai duhet të jetë në përputhje me mesazhin e shenjtë që jeni thirrur të jepni. Gjatë gjithë misionit tuaj, sigurohuni që pamja dhe sjellja juaj t’i ndihmojnë të tjerët të përqendrohen tek ai mesazh.

4.9.1

Standarde të Përgjithshme për Veshjen dhe Pamjen e Jashtme

Artikuj dhe stile të caktuara të veshjes do të rekomandohen që t’i përshtaten kulturës dhe klimës së misionit tuaj. Në ditën e përgatitjes, ju duhet të vishni në publik veshje të rregullta misionarësh. Sidoqoftë, nëse është e nevojshme për një aktivitet të veçantë, ju mund të vishni veshje më praktike. Ju lutemi, rishikoni standardet që gjenden te ChurchofJesusChrist.org/callings/missionary/dress-and-appearance. Kjo faqe në internet siguron shembuj të veshjes së duhur e profesionale për misionin tuaj. Udhëheqësit tuaj të misionit dhe Presidenca e Zonës mund t’i modifikojnë këto udhëzime për t’i përshtatur me rrethanat vendore.

Shihni te 7.7.4 për informacion shtesë se si ta mbroni lëkurën tuaj nga kafshimet e kafshëve dhe pickimet e insekteve.

4.9.2

Standarde të Përgjithshme për Pamjen e Jashtme

Ndiqni standardet e përkujdesjes së shëndetshme për pamjen e jashtme:

  • Lahuni çdo ditë, nëse është e mundur.

  • Lani dhëmbët rregullisht.

  • Përdorni deodorant çdo ditë.

  • Lajini flokët shpesh.

  • Lajini duart rregullisht, përfshirë përpara se të përgatitni ushqimet dhe pasi të keni shkuar në tualet.

  • Përdorni krem për t’u mbrojtur nga dielli.

  • Zgjidhni një model të hijshëm e të rregullt flokësh që është i lehtë për t’u mirëmbajtur.