4
Mirëqenia Fizike
4.0
Parathënia
Puna misionare kërkon angazhim fizik dhe emocional. Standardet në këtë pjesë dhe në pjesën Përshtatja ndaj Jetës Misionare do t’ju ndihmojnë që të përgatitni mendjen dhe trupin për t’i shërbyer më mirë Zotit dhe kauzës së Tij. Rishikojini rregullisht këto standarde gjatë gjithë misionit tuaj.
4.1
Ushqimi dhe Përgatitja e Ushqimeve
Hidratimi dhe të ushqyerit siç duhet janë të rëndësishëm për mirëqenien tuaj.
4.1.1
Orientime të Përgjithshme për të Ushqyerit
Ju lutemi, ndiqni orientimet e përgjithshme për të ushqyerit që vijojnë:
-
Pini 6 deri në 12 gota (1,5 deri në 3 litra) uji të pastër në ditë. Mund t’ju nevojitet më shumë ujë dhe kripë nëse djersiteni shumë gjatë gjithë ditës ose gjatë ushtrimit fizik.
-
Hani vakte ushqimore të baraspeshuara, të cilat përfshijnë perime, fruta, drithëra, yndyra të shëndetshme dhe proteina.
-
Kufizoni ushqimet pa vlera ushqyese, pijet me gaz, ushqimet e përpunuara në mënyrë industriale dhe fast-food në restorante.
4.1.2
Përgatitja në Mënyrë të Sigurt e Ushqimeve
Respektoni orientimet vijuese që të siguroheni që ushqimi juaj përgatitet në mënyrë të sigurt:
-
Lani sipërfaqet ku përgatitni ushqimet me ujë të pastër, të nxehtë dhe me sapun përpara dhe pas gatimit.
-
Lani pajisjet e gatimit dhe të ngrënies me ujë të pastër, të nxehtë dhe me sapun pas çdo përdorimi.
-
Mbajini mishin e pagatuar, mishin e pulës, vezët dhe prodhimet e detit veç nga ushqimet e tjera gjatë gatimit.
-
Piqeni ose ziejeni plotësisht mishin, peshkun dhe mishin e pulës.
-
Mos hani mishra të papjekur ose të pazier plotësisht apo të pagatuar fare.
-
Qëroni lëkurën e frutave dhe perimeve të pagatuara ose lajini ato plotësisht.
-
Mbajini në frigorifer ushqimet që mbeten dhe ato që prishen. Që të mos sëmureni, hidhni tej çdo artikull të lënë jashtë dhe të hapur më gjatë nga koha e rekomanduar në paketim.
-
Mundohuni të shmangni ushqime nga shitësit në rrugë, sepse nuk dihet cilësia dhe siguria e përgatitjes së ushqimeve.
Zbatojini këto orientime vazhdimisht, edhe nëse të tjerët (përfshirë misionarë të tjerë) përpiqen t’ju mbushin mendjen se nuk janë të rëndësishme apo janë të skajshme.
Shihni këtë material filmik për më shumë informacion rreth të ushqyerit siç duhet dhe sigurisë së ushqimeve.
4.1.3
Siguria Lidhur me Ujin dhe Bulmetin
Vetëm uji i pastër dhe prodhimet e pasterizuara të bulmetit janë të sigurta që t’i pini ose hani.
Ndiqini këto dhe çfarëdo orientimesh të tjera shtesë që ju jepen nga misioni juaj:
-
Përdorni filtrues uji nëse shërbeni në një zonë ku uji i pastruar nuk është lehtësisht në dispozicion.
-
Përdorni ujë të pastër që të lani dhëmbët, që të lani e përgatitni ushqimin.
-
Hani vetëm produkte të pasterizuara bulmeti.
Jini të vetëdijshëm se në disa vende, copat e akullit dhe pijet joalkoolike në restorante ose tregje mund të jenë bërë nga ujë i papastruar. Jini të vëmendshëm dhe mos përdorni akull ose pije joalkoolike nëse mund të mos jenë të sigurta.
4.2
Ushtrimi Fizik
Ushtrimi fizik ju mban të shëndetshëm dhe ju ndihmon për ta lehtësuar stresin. Bëjeni atë pjesë të rutinës suaj të përditshme (shih 2.4.2). Vihuni në kontakt me zyrën e misionit nëse keni ndonjë pyetje. Ndiqni orientimet e veçanta të misionit si dhe orientimet e përgjithshme vijuese:
-
Bëni lloje të ndryshme ushtrimi fizik gjatë javës, përfshirë ushtrime si ecje, vrapim, forcim dhe fleksibilitet të trupit. Për sigurinë tuaj, shmangni ngritjen e peshave të rënda.
-
Nëse keni një pajisje elektronike, mund të përdorni një program kompjuterik të miratuar nga udhëheqësit e misionit që të planifikoni ushtrimin tuaj fizik.
-
Nuk duhet të ushtroheni në palestra publike ose private.
4.3
Menaxhimi i Stresit
Puna misionare ka kërkesa të mëdha dhe është normale të ndieni stres herë pas here. Ju mund ta përgatitni trupin dhe mendjen më mirë që ta përballoni stresin duke përfituar nga përkrahja e familjes (shih 3.9.1) dhe duke ushtruar zakone të ngrënies së shëndetshme (shih 4.1.1), nëpërmjet ushtrimit të rregullt fizik (shih 4.2), fjetjes së rregullt, çlodhjes dhe shpirtshmërisë (përfshirë lutjen, përsiatjen dhe studimin).
Gjatë gjithë misionit tuaj, përdorni pjesën Përshtatja ndaj Jetës Misionare që t’ju ndihmojë ta menaxhoni stresin dhe të ndihmoni misionarët e tjerë. Nëse e ndieni që ju ose shoku apo shoqja juaj po has vështirësi me menaxhimin e stresit në mënyra të shëndetshme, apo nëse ka ndonjë urgjencë, vihuni në kontakt me udhëheqësit tuaj të misionit.
Nëse ju janë dhënë me recetë mjekime për stresin, ndiqni udhëzimet e recetës mjekësore dhe të doktorit tuaj.
Apostulli Pal reflektoi lidhur me përpjekjet e tij misionare dhe dha mësim se Zoti do t’i mbështetë, përkrahë dhe ndihmojë ata që e kërkojnë Atë. Zoti nuk do t’ju braktisë kurrë. Pali dha mësim:
“Sepse Perëndia që tha: ‘Le të ndriçojë drita në errësirë’, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit. … Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar. … Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: ‘Unë besova, prandaj fola’, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim. … Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie” (2 Korintasve 4:6, 8–9, 13, 17).
Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.6, “Situata të Vështira”.
4.4
Kujdesi Mjekësor
Trajtojeni me seriozitet shëndetin tuaj fizik dhe emocional. Vëreni në dijeni bashkërenduesin mjekësor të misionit për të gjitha problemet mjekësore (të tilla si mjekimet që po merrni, alergjitë që keni ose veprimtaritë të cilat duhet t’i shmangni) që të merrni përkrahjen që ju nevojitet. Vihuni në kontakt me zyrën e misionit nëse keni ndonjë pyetje rreth shqetësimeve shëndetësore.
Për sigurinë tuaj:
-
Mos i jepni njeriu nga mjekimet që ju janë dhënë me recetë apo mos përdorni mjekime të dikujt tjetër.
-
Mos i bëni familjarët ose miqtë tuaj t’ju dërgojnë mjekime që nuk lejohen në vendin apo zonën ku shërbeni.
Nëse keni një urgjencë shëndetësore, ndërmerrni veprime me logjikë të shëndoshë për sigurinë apo përkujdesjen tuaj të menjëhershme. Merrni në telefon shërbimet vendore të urgjencës (të tilla si 911 në Shtetet e Bashkuara) në qoftë se nuk ju janë dhënë udhëzime të tjera në misionin tuaj. Sa më shpejt që të jetë e mundur, vihuni në kontakt me udhëheqësit tuaj të misionit.
Nëse keni nevojë për kujdes mjekësor që nuk përbën një urgjencë, merrni në telefon menjëherë bashkërenduesin mjekësor të misionit. Vizitat mjekësore jo urgjente duhet të miratohen paraprakisht nga bashkërenduesi mjekësor. Bashkërenduesi mjekësor mund t’ju drejtojë te një klinikë kujdesi mjekësor në zonën tuaj.
Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.7, “Shqetësimet e Shëndetit Fizik dhe Mendor”.
4.5
Situatat e Rrezikshme dhe Kërcënimet
Shumë rreziqe të mundshme mund të shmangen me logjikë të shëndoshë e duke respektuar standardet e misionit, përfshirë qëndrimin atje ku mund ta shihni e dëgjoni shokun apo shoqen tuaj. Megjithatë, njerëzit ende mund t’ju lëndojnë edhe kur përpiqeni të jeni të parrezikuar. Kur keni problem, raportojani menjëherë presidentit të misionit ose bashkëshortes së tij.
Largohuni menjëherë nëse ju ose shoku apo shoqja juaj nuk ndiheni mirë rreth një vendi, personi ose situate (përfshirë një situatë mësimdhënieje). Vëruani veshin nxitjeve shpirtërore. Ju mund të largoheni nga shoku apo shoqja juaj, në qoftë se e ndieni që ai ose ajo mund të jetë një rrezik ndaj jush. Nëse largoheni nga shoku apo shoqja juaj, merrni menjëherë në telefon ose presidentin tuaj të misionit ose bashkëshorten e tij.
Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.8, “Situatat e Rrezikshme”.
4.6
Banimi
Tregoni respekt për banesën tuaj, pronarin e shtëpisë apo personin në shtëpinë e të cilit banoni, si dhe fqinjët tuaj. Nëse shkaktoni dëmtim, ju jeni përgjegjës që të paguani për riparimet nga fondet personale. Flisni me bashkërenduesin e misionit për banimin, në qoftë se keni ndonjë shqetësim rreth banimit.
Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.9, “Siguria e Banimit”.
4.7
Transporti
Gjithmonë ndiqni rregullat, ligjet dhe zakonet vendore të trafikut teksa udhëtoni. Përdorni logjikën e shëndoshë, jini të vetëdijshëm për rrethinat tuaja, njihuni me zonën tuaj dhe ndiqni standardet e përgjithshme të sigurisë në këtë manual.
Për më shumë informacion, shihni pjesën 7.10, “Siguria e Transportit”.
4.8
Paratë
Fondet që dhurohen nga ju, familja juaj dhe anëtarët e Kishës për t’ju përkrahur në misionin tuaj, janë fonde të shenjta dhe duhet të përdoren me përgjegjësi dhe ndershmëri.
4.8.1
Fondet e Misionit
Përdorini fondet e misionit që të paguani për shpenzimet e jetesës. Me përjashtime të vogla, ju duhet t’i përdorni të gjitha fondet e misionit tuaj çdo muaj. Mos i ruani paratë nga këto fonde ose mos ia jepni një pjesë të parave dikujt tjetër, përfshirë këdo në familjen tuaj. Mos jepni ose merrni para hua.
Buxheti juaj për fondet e misionit mund të përfshijë sa vijon:
-
Ofertat e agjërimit të paguara në lagjen ose degën ku shërbeni.
-
Ushqimet për të përgatitur vakte të ushqyeshme (shih 4.1.1).
-
Transportin, përfshirë karburantin ose transportin publik.
-
Kujdesin për flokët dhe artikujt për higjienën vetjake.
-
Pajisjet për pastrimin e banesës dhe larjen e rrobave.
-
Shpenzimet postare apo të internetit për komunikime të përjavshme me familjen (shih 3.8).
-
Pak vakte ushqimi në restorante apo fast-food.
Nuk nevojitet të paguani të dhjetë për fondet e misionit.
Shihni 4.8.2 për një listë të artikujve që duhet të paguhen me fonde personale.
4.8.2
Fondet Personale
Fondet personale janë para që ju dërgohen drejtpërsëdrejti nga familja. Përdorini fondet personale për:
-
Blerjen e veshjeve dhe këpucëve.
-
Blerjen, mirëmbajtjen dhe riparimin e biçikletave.
-
Shpenzimet mjekësore që nuk paguhen nga misioni, të tilla si pagesat mjekësore që janë detyrimi juaj, vizitat e zakonshme për sytë apo te dentisti, si dhe kujdesin për gjendje të mëparshme.
-
Gjobat e trafikut dhe të parkimit.
-
Riparimet e banesës nëse shkaktoni dëm.
-
Mjetet zanore apo pamore.
-
Suvenire dhe dhurata.
E dhjeta për fondet personale që merrni dhe çfarëdo të ardhure nga një biznes apo investim në vendin nga erdhët, duhet të paguhen me fondet personale në lagjen tuaj kishtare në atdheun tuaj apo me dhurime nëpërmjet internetit.
4.8.3
Mbështetja te Vetja dhe Plani i Shpenzimeve
Bëhuni të mbështetur te vetja gjatë misionit tuaj duke krijuar dhe ndjekur një plan shpenzimesh. Kjo aftësi do t’ju ndihmojë dhe bekojë gjatë gjithë jetës suaj. Mos u kërkoni shokëve apo shoqeve misionare ose familjarëve fonde shtesë, në qoftë se nuk keni urgjencë.
Krijimi dhe ndjekja e një plani shpenzimesh përfshin bërjen e një liste të gjithçkaje që duhet të blini për muajin dhe më pas të zgjidhni se cilët artikuj janë më të rëndësishmit dhe të paguani fillimisht për to. Gjithmonë zgjidhni çfarë ju nevojitet përpara se të zgjidhni atë që dëshironi.
Nëse ju nevojiten para shtesë ose keni pyetje rreth shpenzimeve, flisni me sekretarin financiar ose udhëheqësit tuaj të misionit.
4.9
Veshja dhe Pamja e Jashtme
Veshja dhe pamja juaj e jashtme duhet të jenë një demonstrim i përulësisë, respektit dhe besimit. Mënyra se si e paraqitni veten ndikon te mënyra se si mendojnë njerëzit për ju dhe Kishën e Zotit, si dhe mund të ndihmojë për t’ju mbrojtur nga lëndimi.
4.9.1
Standarde të Përgjithshme për Veshjen
Artikuj dhe stile të caktuara të veshjes do të rekomandohen që t’i përshtaten kulturës dhe klimës së misionit tuaj. Në ditën e përgatitjes, ju duhet të vishni në publik veshje të rregullta misionarësh. Sidoqoftë, nëse është e nevojshme për një aktivitet të veçantë, ju mund të vishni veshje më praktike. Ju lutemi, rishikoni standardet që gjenden te missionaryclothing.ChurchofJesusChrist.org.
Përdorni lëndë kundër insekteve sipas nevojës për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe, në zonat ku nevojitet, mbajeni të mbuluar lëkurën sa më shumë që të mundeni (shih 7.7.4).
4.9.2
Standarde të Përgjithshme për Pamjen e Jashtme
Ndiqni standardet e përkujdesjes së shëndetshme për pamjen e jashtme:
-
Lahuni çdo ditë, nëse është e mundur.
-
Lani dhëmbët rregullisht.
-
Përdorni deodorant çdo ditë.
-
Lajini flokët shpesh.
-
Lajini duart rregullisht, përfshirë përpara se të përgatitni ushqimet dhe pasi të keni shkuar në tualet.
-
Përdorni krem për t’u mbrojtur nga dielli.
-
Zgjidhni një model të hijshëm e të rregullt flokësh që është i lehtë për t’u mirëmbajtur.