Thirrja Ime si Këshilltar në Presidencën e Kuorumit të Pleqve
Përgjegjësitë
Zoti është mirënjohës për gatishmërinë tuaj për të shërbyer në Kishën e Tij. Më poshtë është një vështrim i përgjithshëm i përgjegjësive për thirrjen tuaj.
Qëllimi i Kuorumit të Pleqve
Priftëria Melkizedeke i ndihmon fëmijët e Perëndisë që të përgatiten për t’u kthyer në praninë e Tij. Anëtarët e kuorumit të pleqve punojnë së bashku që të ndihmojnë të përmbushet vepra e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin. Ata u shërbejnë të tjerëve, përmbushin detyra të priftërisë, ndërtojnë unitet, mësojnë dhe e jetojnë doktrinën (shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 8.1).
Këshilltarët
Këshilltarët e kuorumit të pleqve e përkrahin presidentin në përgjegjësitë e tij për të organizuar përpjekjet me presidencën e Shoqatës së Ndihmës dhe për të mbikëqyrur dhënien e shërbesës, aktivitetet, raportet, dokumentet dhe financat. Këshilltarët nga kuorumi i pleqve dhe këshilltaret nga Shoqata e Ndihmës mund të caktohen për të udhëhequr punën misionare të lagjes ose përpjekjet për në tempull dhe për historinë familjare (shihni te 8.3.3.2).
Presidenca
Presidenca e kuorumit të pleqve dhe sekretari bëjnë mbledhje rregullisht. Një nga përparësitë më të larta të presidencës është të ndihmojë pleqtë e ardhshëm të përgatiten për të marrë Priftërinë Melkizedeke (shihni te 8.4).
Kuorumi i Pleqve dhe Shoqata e Ndihmës
Presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës i bashkërendojnë detyrat e dhënies së shërbesës dhe ndihmojnë për udhëheqjen e punës në tempull dhe për historinë familjare dhe të përpjekjeve për t’i ftuar të gjithë të marrin bekimet e ungjillit. Ato gjithashtu kanë një rol kyç në dhënien mësim anëtarëve të lagjes për parimet e dhënies së shërbesës, intervistat për dhënien e shërbesës, të jetuarit e ligjit të agjërimit, krijimin e mbështetjes te vetja dhe rritjen e përgatitjes vetjake dhe familjare (shihni te 22.6.2).
Mbledhjet e së Dielës
Kuorumet e pleqve mblidhen të dielat e dyta dhe të katërta të muajit për të rritur besimin, për të ndërtuar unitetin dhe për të forcuar familjet dhe shtëpitë. Presidenca e kuorumit të pleqve i përzgjedh me lutje mesazhet nga konferenca e përgjithshme më e fundit për të diskutuar mbi bazën e nevojave të anëtarëve (shihni te 8.2.1.2).
Shërbimi dhe Aktivitetet
Presidencat e kuorumeve të pleqve mund të planifikojnë aktivitete për t’i forcuar anëtarët e kuorumeve dhe për t’u dhënë mundësi për të shërbyer së bashku. Presidencat i diskutojnë aktivitetet me peshkopin (shihni te 8.2.1.3).