Kapitulli 21
Mesia do të jetë një dritë për Johebrenjtë dhe do të lirojë të burgosurit—Izraeli do të mblidhet me fuqi në ditët e fundit—Mbretërit do të jenë etërit birësues—Krahaso Isaia 49. Rreth 588–570 para K.
1 Dhe përsëri: Dëgjoni, O ju shtëpi e Izraelit, të gjithë ju që jeni ndarë dhe jeni dëbuar për shkak të ligësisë së barinjve të popullit tim; po, të gjithë ju që jeni ndarë dhe jeni shpërndarë nëpër vende të tjera, që jeni të popullit tim, O shtëpi e Izraelit. Dëgjoni, O ishuj dhe dëgjoni ju njerëz nga larg; Zoti më thirri nga barku i nënës; që nga thellësitë e barkut të saj, ai e ka përmendur emrin tim.
2 Dhe ai e ka bërë gojën time si një shpatë të mprehtë; në hijen e dorës së tij më ka fshehur dhe më ka bërë një shigjetë të ndritur, në millin e tij më ka fshehur;
3 Dhe më tha: Ti je shërbëtori im, O Izrael, në të cilin unë do të lavdërohem.
4 Atëherë unë thashë, unë kam punuar më kot, unë kam harxhuar fuqinë time më kot dhe për asgjë; patjetër gjykimi im është me Zotin dhe puna ime me Perëndinë tim.
5 Dhe tani, thotë Zoti—që më formoi nga barku i nënës, që të jem shërbëtori i tij, për t’ia sjellë përsëri Jakobin—edhe pse Izraeli nuk mblidhet, unë akoma do të jem i lavdishëm në sytë e Zotit dhe Perëndia im do të jetë fuqia ime.
6 Dhe ai tha: Është gjë e lehtë që ti të jesh shërbëtori im për të ngritur fiset e Jakobit dhe për të rivendosur të ruajturit e Izraelit. Unë gjithashtu do të të jap si një dritë për Johebrenjtë, që ti të mund të jesh shpëtimi im në skajet e tokës.
7 Kështu i thotë Zoti, Shëlbuesi i Izraelit, i Shenjti i tij, atij që njeriu përbuz, atij që kombet urrejnë, shërbëtorit të sundimtarëve: Mbretërit do të të shohin dhe do të ngrihen, princat gjithashtu do të të adhurojnë për shkak të Zotit që është besnik.
8 Kështu thotë Zoti: Në një kohë të përshtatshme unë ju kam dëgjuar, O ishuj të detit, dhe në një ditë shpëtimi unë ju kam ndihmuar; dhe unë do t’ju ruaj dhe do t’ju jap shërbëtorin tim për një besëlidhje të popullit, për të vendosur tokën, për të trashëguar trashëgimet e shkretuara;
9 Që ti të mund t’u thuash të burgosurve: Dilni jashtë; atyre që ulen në errësirë: Tregoni veten tuaj. Ata do të ushqehen nëpër rrugë dhe kullotat e tyre do të jenë në të gjitha vendet e larta.
10 Ata nuk do të kenë as uri, as etje, as të nxehtit, as dielli nuk do t’i godasë, sepse ai që ka mëshirë për ta do t’i udhëheqë ata, madje pranë burimeve të ujërave do t’i çojë.
11 Dhe unë do t’i bëj të gjitha malet e mia një udhë dhe rrugët e mia do të jenë të ngritura.
12 Dhe atëherë, O shtëpi e Izraelit, vini re, këta do të vijnë nga larg; dhe ja, këta nga veriu dhe nga perëndimi dhe këta nga toka e Sinimit.
13 Këndoni, O qiej dhe gëzohu, O tokë, pasi këmbët e atyre që janë në lindje do të zënë vend; dhe shpërtheni në këngë, O male; pasi ata nuk do të goditen më; pasi Perëndia e ka ngushëlluar popullin e tij dhe do të ketë mëshirë për të vuajturit e tij.
14 Por, vini re, Sioni ka thënë: Zoti më ka braktisur dhe Zoti im më ka harruar—por ai do të tregojë se nuk e ka bërë këtë.
15 Sepse, a mund të harrojë një grua foshnjën e gjirit, që ajo të mos ketë mëshirë për birin e barkut të saj? Po, ata mund të harrojnë, por unë nuk do të të harroj, O shtëpi e Izraelit.
16 Vër re, unë të kam gdhendur në pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua janë vazhdimisht përpara meje.
17 Fëmijët e tu do të nxitojnë kundër shkatërruesve të tu; dhe ata që të bënë të shkretë do të ikin nga ti.
18 Ngri sytë e tu rreth e përqark dhe shiko; të gjithë këta mblidhen së bashku dhe do të vijnë te ti. Dhe sikurse unë jetoj, thotë Zoti, ti do të vishesh me siguri me të gjithë ata, si me një stolisje dhe do t’i lidhësh mbi vete si një nuse.
19 Sepse, gërmadhat e tua dhe vendet e tua të shkreta dhe toka e shkatërrimit tënd do të jenë edhe tani shumë të ngushta për shkak të banorëve; dhe ata që të përpinë ty do të jenë shumë larg.
20 Fëmijët që ti do të kesh, pasi të kesh humbur të parin, do të të thonë përsëri në veshët e tu: Vendi është tepër i ngushtë për mua; më jep vend që të mund të banoj.
21 Atëherë ti do të thuash në zemrën tënde: Kush m’i ka bërë këta, duke parë që kam humbur fëmijët e mi dhe jam e shkretuar, një robëreshë, dhe duke lëvizur poshtë e lart? Dhe kush i ka rritur këta? Vër re, unë isha lënë vetëm; këta, ku kanë qenë?
22 Kështu thotë Zoti Perëndi: Vër re, unë do t’u ngre dorën time Johebrenjve dhe do t’u ngre flamurin tim popujve dhe ata do të sjellin bijtë e tu në krahët e tyre dhe bijat e tua do të mbahen mbi supet e tyre.
23 Dhe mbretërit do të jenë etërit e tu birësues dhe mbretëreshat e tyre tajat e tua; ata do të të përulen me fytyrën e tyre nga toka dhe do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua; dhe ti do të dish se unë jam Zoti; pasi ata që presin për mua nuk do të turpërohen.
24 Sepse, a do t’u merret preja të fuqishmëve, ose do të lirohen robërit e zënë me të drejtë?
25 Por, kështu thotë Zoti, madje robërit e të fuqishmëve do të hiqen dhe preja e të tmerrshmit do të shpëtojë, pasi unë do të luftoj me atë që lufton me ty dhe unë do t’i shpëtoj fëmijët e tu.
26 Dhe unë do t’i ushqej ata që të shtypin ty, me mishin e tyre; ata do të dehen me gjakun e tyre si me verë të ëmbël; dhe të gjithë njerëzit do ta dinë se unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt dhe Shëlbuesi yt, i Fuqishmi i Jakobit.