Shkrimet e Shenjta
2 Nefi 12


Kapitulli 12

Isaia sheh tempullin e ditëve të mëvonshme, mbledhjen e Izraelit dhe gjykimin mijëvjeçar dhe paqen—Kryelarti dhe i ligu do të poshtërohen me Ardhjen e Dytë—Krahaso Isaia 2. Rreth 559–545 para K.

1 Fjala që Isaia, i biri i Amotsit, pa si vegim në lidhje me Judën dhe Jeruzalemin:

2 Dhe do të ndodhë në ditët e fundit, kur mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majë të maleve dhe do të lartësohet përmbi kodra dhe të gjitha kombet do të vërshojnë tek ai.

3 Dhe shumë njerëz do të shkojnë dhe do të thonë: Ejani, dhe le të ngjitemi në malin e Zotit, te shtëpia e Perëndisë së Jakobit; dhe ai do të na mësojë udhët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij; pasi nga Sioni do të dalë ligji dhe fjala e Zotit nga Jeruzalemi.

4 Dhe ai do të gjykojë midis kombeve dhe do të qortojë shumë njerëz; dhe ata do të farkëtojnë shpatat e tyre duke i bërë plugje dhe heshtat në kanxha për të krasitur—kombi nuk do ta ngrejë më shpatën kundër kombit dhe as nuk do të mësojnë më luftën.

5 O shtëpi e Jakobit, ejani dhe le të ecim në dritën e Zotit; po, ejani, pasi ju të gjithë keni humbur, secili në udhët e tij të liga.

6 Kështu që, O Zot, ti e ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse ata janë të mbushur me zakonet e Lindjes dhe dëgjojnë falltarët si Filistinët dhe ata e kënaqin veten me fëmijët e të huajve.

7 Toka e tyre është gjithashtu plot argjend dhe ar dhe as thesaret e tyre nuk kanë fund; vendi i tyre është plot kuaj dhe as karrocat e tyre nuk kanë fund.

8 Toka e tyre është gjithashtu plot idhuj; ata adhurojnë punën e duarve të tyre, atë që vetë gishtat e tyre kanë bërë.

9 Dhe njeriu i ulët nuk përkulet dhe njeriu i madh nuk përul veten, prandaj, mos e fal atë.

10 O ju të këqij, hyni në shkëmb dhe fshihuni në pluhur, pasi frika e Zotit dhe lavdia e madhështisë së tij do t’ju godasin.

11 Dhe do të ndodhë që shikimet krenare të njeriut do të bëhen të përulura dhe krenaria e njerëzve do të bjerë poshtë dhe vetëm Zoti do të lartësohet në atë ditë.

12 Pasi dita e Zotit të Ushtrive vjen së shpejti mbi të gjitha kombet, po, mbi secilin; po, mbi krenarin dhe mbi të lartin dhe mbi çdo njeri që është ngritur lart, dhe ai do të ulet poshtë.

13 Po, dhe dita e Zotit do të vijë mbi të gjitha qitrot e Libanit, pasi ato janë të larta dhe të ngritura; dhe mbi të gjithë lisat e Bashanit;

14 Dhe mbi të gjitha malet e larta dhe mbi të gjitha kodrat, dhe mbi të gjitha kombet që janë të ngritura dhe mbi çdo popull;

15 Dhe mbi çdo kullë të lartë dhe mbi çdo mur të fortifikuar;

16 Dhe mbi të gjitha anijet e detit dhe mbi të gjitha anijet e Tarshishit, dhe mbi të gjitha pamjet e këndshme.

17 Dhe kryelartësia e njeriut do të bjerë dhe krenaria e njerëzve do të pakësohet; dhe vetëm Zoti do të lartësohet në atë ditë.

18 Dhe idhujt, ai do t’i zhdukë krejtësisht.

19 Dhe ata do të shkojnë në vrimat e shkëmbinjve dhe në shpellat e tokës, pasi frika e Zotit do të bjerë mbi ta dhe lavdia e madhështisë së tij do t’i godasë, kur ai të ngrihet për ta tundur tmerrësisht tokën.

20 Atë ditë njeriu do t’u hedhë urithëve dhe lakuriqëve të natës idhujt e tij prej argjendi dhe idhujt e tij prej ari, që i bëri për veten e tij që t’i adhurojë;

21 Për t’u futur në të çarat e shkëmbinjve dhe në majat e maleve të larta, pasi frika e Zotit do të bjerë mbi ta dhe madhështia e lavdisë së tij do t’i qëllojë, kur ai të ngrihet për ta tundur tmerrësisht tokën.

22 Mos u varni më në njeriun, fryma e të cilit është në vrimat e tij të hundës; pasi ç’vlerë ka ai?