Kapitulli 16
Lamanitët shkatërrojnë popullin e Amonihës—Zorami udhëheq Nefitët në fitore kundër Lamanitëve—Alma dhe Amuleku dhe shumë të tjerë predikojnë fjalën—Ata mësojnë se pas ringjalljes së tij, Krishti do t’u shfaqet Nefitëve. Rreth 81–77 para K.
1 Dhe ndodhi në vitin e njëmbëdhjetë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit, në ditën e pestë të muajit të dytë, pas një periudhe të gjatë paqeje në tokën e Zarahemlës, pasi nuk kishte patur as luftëra as grindje për një numër të caktuar vitesh, madje deri ditën e pestë, të muajit të dytë, të vitit të njëmbëdhjetë, u dëgjua një thirrje lufte në tërë vendin.
2 Pasi vini re, ushtritë e Lamanitëve kishin ardhur nga ana e vendit të shkretë, brenda kufijve të vendit, madje brenda në qytetin Amoniha dhe filluan të vrisnin njerëzit dhe të shkatërronin qytetin.
3 Dhe tani ndodhi, para se Nefitët të mund të ngrinin një ushtri të mjaftueshme që t’i nxirrnin jashtë vendit, ata i kishin shkatërruar njerëzit që ishin në qytetin e Amonihës dhe gjithashtu edhe disa rreth e rrotull kufijve të Noeut dhe morën robër disa të tjerë në vendin e shkretë.
4 Tani, ndodhi që Nefitët donin të merrnin ata që u morën robër dhe që u çuan në vendin e shkretë.
5 Prandaj, ai që ishte caktuar kryekapiten i ushtrive të Nefitëve (dhe emri i tij ishte Zoram dhe ai kishte dy djem të quajtur Lehi dhe Aha)—tani Zorami dhe dy bijtë e tij, duke e ditur që Alma ishte prift i lartë i kishës dhe pasi kishin dëgjuar se ai kishte shpirtin e profecisë, prandaj ata shkuan tek ai dhe deshën të dinin prej tij se ku Zoti donte që ata të shkonin në vendin e shkretë në kërkim të vëllezërve të tyre të cilët ishin marrë robër nga Lamanitët.
6 Dhe ndodhi që Alma iu drejtua Zotit për këtë çështje. Dhe Alma u kthye dhe u tha atyre: Vini re, Lamanitët do të kalojnë lumin Sidon në jug të vendit të shkretë, matanë kufijve të tokës së Mantit. Dhe vini re, aty ju do t’i takoni ata, në lindje të lumit Sidon dhe aty Zoti do t’ju dorëzojë vëllezërit tuaj që u morën robër nga Lamanitët.
7 Dhe ndodhi që Zorami dhe bijtë e tij kaluan matanë lumit Sidon me ushtritë e tyre dhe marshuan matanë kufijve të Mantit, në jug të vendit të shkretë, që gjendej në anën lindore të lumit Sidon.
8 Dhe aty ranë mbi ushtritë e Lamanitëve dhe Lamanitët u shpartalluan, dhe u dëbuan në vendin e shkretë; dhe ata morën vëllezërit e tyre që ishin zënë robër nga Lamanitët dhe nuk pati asnjë shpirt që nuk u shpëtua, nga ata që ishin zënë robër. Dhe ata u sollën nga vëllezërit e tyre për të zotëruar tokat e tyre.
9 Dhe kështu mbaroi viti i njëmbëdhjetë i gjykatësve, Lamanitët u dëbuan jashtë vendit dhe populli i Amonihës u shkatërrua; po, çdo shpirt i gjallë i Amonihasve u shkatërrua dhe gjithashtu qyteti i tyre i madh të cilin ata thonin se Perëndia nuk mund ta shkatërronte, për shkak të madhësisë së tij.
10 Por vini re, brenda një dite ai u shkretua; dhe kufomat u copëtuan nga qentë dhe nga kafshët e egra të vendit të shkretë.
11 Megjithatë, pas shumë ditësh, trupat e vdekur të tyre u mblodhën përsipër faqes së tokës dhe u mbuluan me një shtresë të hollë dheu. Dhe tani kaq e madhe qe era e tyre, saqë njerëzit nuk shkuan të zotëronin tokën e Amonihës për shumë vite. Dhe u quajt Shkretimi i Nehorëve; pasi ata qenë të besimit të Nehorit, që u vranë; dhe tokat e tyre mbetën të shkretuara.
12 Dhe Lamanitët nuk erdhën më të luftonin kundër Nefitëve deri në vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit. Dhe kështu për tre vjet populli i Nefit pati paqe të vazhdueshme në tërë vendin.
13 Dhe Alma dhe Amuleku shkuan dhe i predikuan pendim popullit në tempujt e tyre dhe në vendet e shenjta të tyre dhe gjithashtu në sinagogat e tyre që ishin ndërtuar sipas mënyrës së Judenjve.
14 Dhe të gjithë atyre që donin të dëgjonin fjalët e tyre, ata u dhanë vazhdimisht fjalën e Perëndisë, pa dallim njerëzish.
15 Dhe kështu vazhduan Alma dhe Amuleku dhe gjithashtu shumë të tjerë që ishin zgjedhur për punën, për të predikuar fjalën në tërë vendin. Dhe vendosja e kishës u bë e përgjithshme në tërë vendin, në gjithë krahinën rreth e përqark, mes gjithë njerëzve të Nefitëve.
16 Dhe mes tyre nuk kishte pabarazi; Zoti derdhte Shpirtin e tij në të gjithë faqen e dheut, për të përgatitur mendjet e fëmijëve të njerëzve, ose për të përgatitur zemrat e tyre, të merrnin fjalën që do të mësohej mes tyre në kohën e ardhjes së tij—
17 Që ata të mos ngurtësoheshin kundër fjalës, që të mos ishin mosbesues dhe të përfundonin në shkatërrim, por, që të mund ta pranonin fjalën me gëzim dhe si një degë të shartoheshin në hardhinë e vërtetë, që ata të mund të hynin në prehjen e Zotit, Perëndisë së tyre.
18 Tani, këta priftërinj që shkuan mes popullit predikuan kundër të gjitha gënjeshtrave dhe mashtrimeve dhe zilive, dhe grindjeve, dhe shpirtligësive, dhe sharjeve, dhe vjedhjeve, grabitjeve, plaçkitjeve, vrasjeve, shkeljeve të kurorës dhe çdo lloj dhënieje pas epsheve, duke thirrur që këto gjëra nuk duhet të bëhen—
19 Duke u njoftuar ngjarje që do të ndodhnin së shpejti; po, duke u njoftuar ardhjen e Birit të Perëndisë, vuajtjet dhe vdekjen e tij dhe gjithashtu ringjalljen e të vdekurve.
20 Dhe shumë nga njerëzit pyesnin lidhur me vendin ku Biri i Perëndisë do të vinte; dhe iu mësua atyre se ai do t’u shfaqej atyre pas ringjalljes së tij; dhe këtë gjë njerëzit e dëgjonin me gëzim dhe kënaqësi të madhe.
21 Dhe tani, pasi kisha ishte vendosur nëpër të gjithë vendin—duke arritur fitoren kundër djallit dhe duke predikuar fjalën e Perëndisë në pastërtinë e saj në gjithë vendin dhe Zoti duke derdhur mbi popullin bekimet e tij—kështu mbaroi viti i katërmbëdhjetë i mbretërimit të gjykatësve mbi popullin e Nefit.