Shkrimet e Shenjta
Alma 20


Kapitulli 20

Zoti dërgon Amonin në Midoni për të çliruar vëllezërit e tij të burgosur—Amoni dhe Lamoni takohen me atin e Lamonit, që është mbret mbi të gjithë vendin—Amoni detyron mbretin plak të miratojë lirimin e vëllezërve të tij. Rreth 90 para K.

1 Dhe ndodhi që pasi vendosën një kishë në atë vend, mbreti Lamoni kishte dëshirë që Amoni të shkonte me të në tokën e Nefit, që të mund t’ia paraqiste atit të tij.

2 Dhe zëri i Zotit i erdhi Amonit, duke thënë: Ti nuk duhet të shkosh në tokën e Nefit, pasi vër re, mbreti do të kërkojë jetën tënde; por ti do të shkosh në tokën e Midonit; pasi vër re, vëllai yt Aaroni dhe gjithashtu Muloki dhe Amahu janë në burg.

3 Tani, ndodhi që kur Amoni e dëgjoi këtë, ai i tha Lamonit: Vër re, vëllai im dhe vëllezërit e tjerë janë në burg në Midoni dhe po shkoj që t’i çliroj.

4 Tani, Lamoni i tha Amonit: Unë di se në fuqinë e Zotit ti mund t’i bësh të gjitha gjërat. Por vër re, unë do të vij me ty në tokën e Midonit; pasi mbreti i tokës së Midonit, i cili quhet Antiomno, është një miku im; prandaj unë do të shkoj në tokën e Midonit, që unë të mund të lajkatoj mbretin e asaj toke dhe ai do t’i nxjerrë nga burgu vëllezërit e tu. Tani Lamoni i tha atij: Kush të tha se vëllezërit e tu janë në burg?

5 Dhe Amoni i tha atij: Askush nuk më tha, vetëm Perëndia; dhe ai më tha mua—Shko dhe çliro vëllezërit e tu, pasi ata janë në burg në tokën e Midonit.

6 Tani, kur Lamoni e dëgjoi këtë gjë, ai bëri që shërbëtorët e tij të përgatitnin kuajt e tij dhe karrot e tij.

7 Dhe ai i tha Amonit: Eja, unë do të vij me ty në tokën e Midonit dhe aty do t’i lutem mbretit që t’i nxjerrë nga burgu vëllezërit e tu.

8 Dhe ndodhi që ndërsa Amoni dhe Lamoni po udhëtonin tutje, ata takuan atin e Lamonit, që ishte mbret mbi të gjithë vendin.

9 Dhe vini re, i ati i Lamonit i tha atij: Përse nuk erdhe në festimin që bëra atë ditë të madhe kur unë bëra festë për bijtë e mi dhe për popullin tim?

10 Dhe ai tha gjithashtu: Ku po vete me këtë Nefit që është një nga fëmijët e një gënjeshtari?

11 Dhe ndodhi që Lamoni i tregoi se ku po shkonte, pasi kishte frikë se mund ta fyente.

12 Dhe ai gjithashtu i tregoi gjithë shkakun e qëndrimit të tij në mbretërinë e vet, që ai nuk shkoi tek i ati për festën që kishte përgatitur.

13 Dhe tani kur Lamoni i tregoi të gjitha këto gjëra, vini re, për habinë e tij, i ati u zemërua me të dhe tha: Lamon, ti do të m’i dorëzosh këta Nefitë që janë bijtë e një gënjeshtari. Vër re, ai grabiti etërit tanë; dhe tani fëmijët e tij po vijnë edhe mes nesh, kështu që me dredhitë e tyre dhe me gënjeshtrat e tyre, të mund të na mashtrojnë, që të grabitin përsëri nga prona jonë.

14 Tani, i ati i Lamonit e urdhëroi që të vriste Amonin me shpatë. Dhe ai e urdhëroi gjithashtu që të mos shkonte në vendin e Midonit, por të kthehej me të në tokën e Ishmaelit.

15 Por Lamoni i tha atij: Unë nuk do ta vras Amonin, as nuk do të kthehem në tokën e Ishmaelit, por unë do të shkoj në vendin e Midonit, që të liroj vëllezërit e Amonit, pasi unë e di se ata janë njerëz të drejtë dhe profetë të shenjtë të Perëndisë së vërtetë.

16 Tani, kur ati i tij dëgjoi këto fjalë, ai u zemërua me të dhe nxori shpatën, që ta qëllonte dhe ta hidhte përdhe.

17 Por, Amoni i doli para dhe i tha: Vër re, ti nuk do ta vrasësh birin tënd; megjithatë do të ishte mirë që të bjerë ai se ti, pasi vër re, ai është penduar për mëkatet e tij; por nëse ti do të biesh tani, në zemërimin tënd, shpirti yt nuk mund të shpëtohet dot.

18 Dhe përsëri, është e domosdoshme që të përmbahesh; pasi po të vrisje birin tënd, ai duke qenë njeri i pafajshëm, gjaku i tij do t’i thërriste nga toka Zotit, Perëndisë së tij, për hakmarrje që të bjerë mbi ty; dhe ndoshta ti do të humbisje shpirtin tënd.

19 Tani, pasi Amoni i tha këto fjalë, ai iu përgjigj, duke thënë: Unë e di se po të vrisja birin tim, do të derdhja gjak të pafajshëm; pasi je ti që ke kërkuar ta shkatërrosh atë.

20 Dhe ai shtriu dorën e tij që të vriste Amonin. Por Amoni u bëri ballë goditjeve të tij dhe gjithashtu qëlloi krahun e tij që të mos ishte në gjendje ta përdorte.

21 Tani, kur mbreti pa se Amoni mund ta vriste, filloi t’i lutej Amonit që t’i kursente jetën.

22 Por Amoni ngriti shpatën e tij dhe i tha: Vër re, unë do të të qëlloj në qoftë se ti nuk pranon që vëllezërit e mi të mund të nxirren nga burgu.

23 Tani mbreti, duke pasur frikë se mund të humbte jetën e tij, tha: Në qoftë se do të më falësh mua, unë do të të jap ty çdo gjë që do të kërkosh, madje gjysmën e mbretërisë.

24 Tani, kur Amoni pa se kishte nxjerrë nga mbreti plak aq sa donte ai, i tha atij: Në qoftë se ti pranon që vëllezërit e mi mund të lirohen nga burgu dhe gjithashtu që Lamoni mund të mbajë mbretërinë e tij, që ti të mos jesh i pakënaqur me të, por do ta lejosh që të bëjë sipas dëshirave të tij për çdo gjë që ai mendon, atëherë unë do të të kursej; përndryshe unë do të të qëlloj dhe do të të hedh përdhe.

25 Tani, pasi Amoni tha këto fjalë, mbreti filloi të gëzohej për shkak të jetës së tij.

26 Dhe kur pa se Amoni nuk kishte dëshirë ta shkatërronte dhe kur pa edhe dashurinë e madhe që ai kishte për birin e tij, Lamonin, ai u çudit jashtëzakonisht dhe tha: Meqë kjo është e gjitha që ti ke dëshiruar, që unë të liroj vëllezërit e tu dhe të lejoj që biri im Lamoni të mbajë mbretërinë e tij, vër re, unë do ta pranoj që biri im mund ta mbajë mbretërinë e tij, që nga kjo kohë dhe përgjithnjë; dhe se unë nuk do ta drejtoj më—

27 Dhe unë do të pranoj edhe që vëllezërit e tu të lirohen nga burgu dhe që ti dhe vëllezërit e tu mund të vini tek unë, në mbretërinë time; pasi unë do të dëshiroj shumë të të shoh. Pasi mbreti u çudit shumë nga fjalët që ai tha dhe gjithashtu nga fjalët që u thanë nga biri i tij, Lamoni, prandaj ai kishte dëshirë t’i mësonte ato.

28 Dhe ndodhi që Amoni dhe Lamoni vazhduan udhëtimin e tyre drejt tokës të Midonit. Dhe Lamoni gjeti dashamirësi në sytë e mbretit të vendit; prandaj vëllezërit e Amonit u nxorën nga burgu.

29 Dhe kur Amoni i takoi, i erdhi jashtëzakonisht keq për ta, pasi vini re, ata ishin lakuriq dhe lëkura e tyre u ishte çjerrë jashtëzakonisht, sepse kishin qenë lidhur me litarë të fortë. Ata kishin vuajtur gjithashtu nga uria, nga etja dhe nga çdo lloj fatkeqësie; megjithatë, ata qenë të durueshëm në të gjitha vuajtjet e tyre.

30 Dhe ashtu siç kishte ndodhur, qe fati i tyre që të binin në duart e një populli më të ashpër dhe më kokëfortë; prandaj ata nuk deshën t’u vinin veshin fjalëve të tyre dhe i kishin flakur jashtë dhe qëlluar, dhe dëbuar nga shtëpia në shtëpi dhe nga vendi në vend, madje deri kur arritën në tokën e Midonit; dhe aty i kapën dhe i hodhën në burg, dhe i lidhën me litarë të fortë, dhe i mbajtën në burg për shumë ditë, dhe u çliruan nga Lamoni dhe Amoni.