Shkrimet e Shenjta
Alma 43


Kapitulli 43

Alma dhe bijtë e tij predikojnë fjalën—Zoramitët dhe disidentë të tjerë Nefitë bëhen Lamanitë—Lamanitët vijnë e luftojnë kundër Nefitëve—Moroni armatos Nefitët me armë mbrojtëse—Zoti i tregon Almës strategjinë e Lamanitëve—Nefitët mbrojnë shtëpitë, liritë, familjet dhe besimin e tyre—Ushtritë e Moronit dhe të Lehit rrethojnë Lamanitët. Rreth 74 para K.

1 Dhe tani ndodhi që bijtë e Almës shkuan mes popullit për t’u njoftuar fjalën. Dhe Alma vetë nuk mund të pushonte dhe kështu shkoi edhe ai.

2 Tani nuk do të flasim më në lidhje me predikimin e tyre, veçse që predikuan fjalën dhe të vërtetën, sipas shpirtit të profecisë dhe të zbulesës; dhe ata predikuan sipas urdhrit të shenjtë të Perëndisë, nga i cili ata u thirrën.

3 Dhe tani, po kthehem në një rrëfim të luftërave mes Nefitëve dhe Lamanitëve, në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të gjykatësve.

4 Pasi vini re, ndodhi që Zoramitët u bënë Lamanitë; prandaj në fillim të vitit të tetëmbëdhjetë, populli i Nefit pa se Lamanitët po vinin mbi ta; prandaj ata bënë përgatitje për luftë; po, ata mblodhën ushtritë e tyre në tokën e Jershonit.

5 Dhe ndodhi që Lamanitët erdhën me mijëra prej tyre; dhe erdhën në tokën e Antionumit; që është vendi i Zoramitëve; dhe një njeri i quajtur Zerahemna ishte udhëheqësi i tyre.

6 Dhe tani, pasi Amalekitët kishin më shumë prirje të këqija dhe vrasëse në veten e tyre se Lamanitët, prandaj Zerahemna i caktoi kryekapitenë mbi Lamanitët dhe ata ishin të gjithë Amalekitë dhe Zoramitë.

7 Tani, këtë gjë e bëri që të mbante urrejtjen e tyre kundër Nefitëve, që t’i nënshtronte ata dhe të plotësonte kështu planet e tij.

8 Pasi vini re, qëllimet e tij ishin të ngjallte zemërimin e Lamanitëve kundër Nefitëve; këtë gjë e bëri që të mund të uzurponte pushtet të madh mbi ta, si edhe që të mund të fitonte pushtet të madh mbi Nefitët, duke i sjellë ata në robëri.

9 Tani, plani i Nefitëve ishte që të mbronin tokat e tyre dhe shtëpitë e tyre dhe bashkëshortet e tyre, dhe fëmijët e tyre, që të mund t’i shpëtonin nga duart e armiqve të tyre; si edhe që të ruanin të drejtat e tyre dhe privilegjet e tyre, po, ashtu dhe lirinë e tyre, që të mund të adhuronin Perëndinë, sipas dëshirave të tyre.

10 Pasi ata e dinin, se në qoftë se do të binin në duart e Lamanitëve, Lamanitët do t’i shkatërronin të gjithë ata që do ta adhuronin Perëndinë, në shpirt dhe në të vërtetë, Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë.

11 Po, dhe ata e dinin edhe urrejtjen e madhe të Lamanitëve kundër vëllezërve të tyre që ishin populli i Anti-Nefi-Lehit që quheshin populli i Amonit—dhe ata nuk merrnin armët, po, ata kishin hyrë në një besëlidhje dhe nuk do ta thyenin atë—prandaj po të binin në duart e Lamanitëve, do të shkatërroheshin.

12 Dhe Nefitët nuk mund të lejonin që ata të shkatërroheshin; prandaj u dhanë toka për trashëgimin e tyre.

13 Dhe populli i Amonit u dha Nefitëve një pjesë të madhe të pasurisë së tyre për të mbajtur ushtritë e tyre; dhe kështu Nefitët qenë të detyruar, vetëm, të përballonin Lamanitët, që ishin një përzierje e Lamanit dhe Lemuelit dhe të bijve të Ishmaelit, dhe të gjithë atyre që ishin shkëputur nga Nefitët, që ishin Amalekitë dhe Zoramitë dhe pasardhës të priftërinjve të Noeut.

14 Tani këta pasardhës ishin aq të shumtë, sa ishin pothuaj Nefitët; dhe kështu Nefitët ishin të detyruar të luftonin me vëllezërit e tyre, madje deri në gjakderdhje.

15 Dhe ndodhi që ndërsa ushtritë e Lamanitëve ishin mbledhur së bashku në tokën e Antionumit, vini re, ushtritë e Nefitëve ishin përgatitur t’i përballonin në tokën e Jershonit.

16 Tani, udhëheqësi i Nefitëve, ose njeriu që ishte caktuar të ishte kryekapiten i Nefitëve—tani kryekapiteni që mori komandën e të gjitha ushtrive të Nefitëve—dhe emri i tij ishte Moroni;

17 Dhe Moroni mori gjithë komandën dhe drejtimin e luftërave të tyre. Dhe ai ishte vetëm njëzet e pesë vjeç, kur u caktua kryekapiten i ushtrive të Nefitëve.

18 Dhe ndodhi që ai përballoi Lamanitët në kufijtë e Jershonit dhe njerëzit e tij ishin të armatosur me shpata dhe me kordha dhe me çdo lloj arme lufte.

19 Dhe kur ushtritë e Lamanitëve panë se populli i Nefit ose se Moroni i kishte përgatitur njerëzit e tij me parzmore dhe me mburoja krahësh, po, dhe gjithashtu me mburoja për të mbrojtur kokat e tyre dhe gjithashtu ishin veshur me veshje të trasha—

20 Tani ushtria e Zerahemnës nuk ishte përgatitur me gjëra të tilla; ata kishin vetëm shpatat e tyre dhe kordhat e tyre, harqet e tyre dhe shigjetat e tyre, gurët e tyre dhe hobetë e tyre; dhe ishin të zhveshur e kishin vetëm një lëkurë përreth ijeve; po të gjithë ishin të zhveshur, me përjashtim të Zoramitëve dhe të Amalekitëve;

21 Por, ata nuk ishin të armatosur me parzmore, as me mburoja—prandaj, kishin jashtëzakonisht frikë nga ushtritë e Nefitëve, për shkak të armatimit të tyre, megjithëse ata ishin në numër shumë më të madh se Nefitët.

22 Vini re, tani ndodhi që ata nuk guxuan t’i sulmonin Nefitët në kufijtë e Jershonit; prandaj u larguan e dolën nga toka e Antionumit për në vendin e shkretë dhe udhëtuan rreth e përqark vendit të shkretë, larg andej nga burimi i lumit Sidon, kështu që të mund të hynin në tokën e Mantit dhe ta merrnin në zotërim atë vend; pasi nuk mendonin se ushtritë e Moronit e dinin se ku ata kishin vajtur.

23 Por ndodhi që porsa ata u nisën për në vendin e shkretë, Moroni dërgoi spiunë në vendin e shkretë për të vërejtur kampin e tyre; dhe Moroni, duke ditur gjithashtu profecitë e Almës i dërgoi atij disa njerëz, duke dëshiruar që ai t’i kërkonte Zotit, se ku duhej të shkonin ushtritë e Nefitëve për t’u mbrojtur nga Lamanitët.

24 Dhe ndodhi që Almës i erdhi fjala e Zotit dhe Alma njoftoi lajmëtarët e Moronit se ushtritë e Lamanitëve po marshonin përqark vendit të shkretë, kështu që të mund të arrinin në tokën e Mantit, që të fillonin një sulm kundër pjesës më të dobët të atij populli. Dhe lajmëtarët shkuan dhe i sollën lajmin Moronit.

25 Tani Moroni, pasi la një pjesë të ushtrisë së tij në tokën e Jershonit, që ndoshta në ndonjë mënyrë, një pjesë e Lamanitëve mund të vinte në atë tokë dhe të pushtonte qytetin, mori pjesën tjetër të ushtrisë së tij dhe marshoi për në tokën e Mantit.

26 Dhe ai bëri që të gjithë njerëzit në atë pjesë të vendit duhej të mblidheshin tok për të luftuar kundër Lamanitëve, për të mbrojtur tokat e tyre dhe vendin e tyre, të drejtat e tyre dhe liritë e tyre; prandaj ata u përgatitën për kohën e ardhjes së Lamanitëve.

27 Dhe ndodhi që Moroni bëri që ushtria e tij të fshihej në luginën që ishte afër bregut të lumit Sidon, që ndodhej në perëndim të lumit Sidon, në vendin e shkretë.

28 Dhe Moroni vendosi spiunë rreth e përqark, që të mund të dinte kur do të arrinin forcat Lamanite.

29 Dhe tani, Moroni duke ditur qëllimin e Lamanitëve të cilët donin të shkatërronin vëllezërit e tyre, ose t’i nënshtronin dhe t’i bënin robër, kështu që ata të vendosnin një mbretëri për vete në të gjithë atë vend;

30 Dhe duke ditur gjithashtu se ishte e vetmja dëshirë e Nefitëve që të ruanin tokat e tyre dhe lirinë e tyre dhe kishën e tyre, prandaj ai nuk e shikonte si mëkat që t’i mbronte ato me strategji; prandaj, ai zbuloi nëpërmjet spiunëve të tij çfarë drejtimi do të merrnin Lamanitët.

31 Prandaj, ai ndau ushtrinë e tij dhe solli një pjesë të saj në luginë dhe e fshehu në lindje dhe në jug të kodrës Riplah.

32 Dhe atë që mbeti e fshehu në luginën perëndimore në perëndim të lumit Sidon dhe kështu në kufijtë e tokës Manti.

33 Dhe pasi vendosi ushtrinë e tij sipas dëshirës së tij, ai qe i përgatitur t’i përballonte ata.

34 Dhe ndodhi që Lamanitët erdhën nga veriu i kodrës ku ishte fshehur një pjesë e ushtrisë së Moronit.

35 Dhe ndërsa Lamanitët kaluan kodrën Riplah dhe arritën në luginë, dhe filluan të kalonin lumin Sidon, ushtria që ishte fshehur në jug të kodrës, që udhëhiqej nga një njeri i quajtur Lehi dhe ai udhëhoqi ushtrinë e tij dhe i rrethoi Lamanitët në lindje, nga prapa.

36 Dhe ndodhi që Lamanitët kur panë se Nefitët po i sulmonin nga pas, u kthyen dhe filluan të luftonin kundër ushtrisë së Lehit.

37 Dhe puna vdekjeprurëse filloi nga të dyja anët, por qe më e tmerrshme nga ana e Lamanitëve, pasi duke qenë të zhveshur, ishin të ekspozuar ndaj goditjeve të rënda të Nefitëve që me shpatat e tyre dhe kordhat e tyre u shkaktonin vdekje pothuajse me çdo goditje.

38 Ndërsa nga ana tjetër, aty-këtu binte ndonjë nga Nefitët, nga shpata dhe nga humbja e gjakut, pasi pjesët më jetësore të trupit ata i kishin të mbrojtura, ose pjesët më jetësore të trupit i kishin të mbrojtura nga goditjet e Lamanitëve, me anë parzmoreve të tyre dhe mburojave të tyre në krahë dhe të përkrenareve të tyre; dhe kështu Nefitët vazhduan punën vdekjeprurëse mes Lamanitëve.

39 Dhe ndodhi që Lamanitët u frikësuan, për shkak të shkatërrimit të madh mes tyre, madje aq sa filluan të iknin në drejtim të lumit Sidon.

40 Dhe u ndoqën pas nga Lehi dhe nga njerëzit e tij dhe u detyruan nga Lehi të futeshin në ujërat e Sidonit, dhe dolën matanë ujërave të Sidonit. Dhe Lehi i ndaloi ushtritë e tij në breg të lumit Sidon, të cilin ata nuk duhet ta kalonin.

41 Dhe ndodhi që Moroni dhe ushtria e tij iu kundërvu Lamanitëve në luginë, në anën tjetër të lumit Sidon dhe filluan të binin mbi ta dhe t’i vrisnin.

42 Dhe Lamanitët ia mbathën përsëri para tyre në drejtim të tokës së Mantit dhe u gjetën përsëri përballë ushtrive të Moronit.

43 Tani, në këtë rast, Lamanitët luftuan jashtëzakonisht shumë; po, Lamanitët nuk ishin njohur kurrë të luftonin me fuqi te tillë, jashtëzakonisht të madhe dhe me guxim, jo, madje as që nga fillimi.

44 Dhe ata u frymëzuan nga Zoramitët dhe nga Amalekitët, të cilët ishin kryekapitenët dhe udhëheqësit e tyre dhe nga Zerahemna që ishte kryekapiteni i tyre, ose kryeudhëheqësi dhe komandanti i tyre; po, ata luftuan si dragonj dhe shumë nga Nefitët u vranë nga duart e tyre, po, pasi ata çanë më dysh shumë nga përkrenaret e tyre dhe shpuan shumë nga parzmoret e tyre dhe prenë shumë nga krahët e tyre; dhe kështu Lamanitët goditën me zemërimin e tyre të rreptë.

45 Megjithatë, Nefitët qenë frymëzuar nga një qëllim më i mirë, pasi ata nuk luftonin për mbretëri ose pushtet, por po luftonin për shtëpitë e tyre dhe liritë e tyre dhe bashkëshortet e tyre, dhe fëmijët e tyre, dhe për gjithçka që kishin, po, për ritet e tyre të adhurimit dhe kishën e tyre.

46 Dhe ata po bënin atë që ndjenin se ishte detyra për të cilën i detyroheshin Perëndisë së tyre; pasi Zoti u kishte thënë atyre, ashtu si etërve të tyre se: Përderisa ju nuk jeni fajtorë sulmit të parë, as të të dytit, ju nuk do të lejoheni që të vriteni nga duart e armiqve tuaj.

47 Dhe përsëri Zoti ka thënë se: Ju duhet të mbroni familjet tuaja, madje deri në gjakderdhje. Prandaj, për këtë qëllim po luftonin Nefitët me Lamanitët, që të mbronin veten dhe familjet e tyre dhe tokat e tyre, atdheun e tyre dhe të drejtat e tyre dhe fenë e tyre.

48 Dhe ndodhi që kur njerëzit e Moronit panë rreptësinë dhe zemërimin e Lamanitëve, qenë gati të tërhiqeshin dhe t’ia mbathnin prej tyre. Dhe Moroni, duke e kuptuar qëllimin e tyre, çoi fjalë dhe frymëzoi zemrat e tyre me këto mendime—po, mendimet e tokave të tyre, të lirisë së tyre, po, të çlirimit të tyre nga robëria.

49 Dhe ndodhi që ata u kthyen mbi Lamanitët dhe iu lutën të gjithë njëzëri Zotit, Perëndisë së tyre, për lirinë e tyre dhe çlirimin e tyre nga robëria.

50 Dhe filluan t’u bënin ballë Lamanitëve me fuqi; dhe po në atë orë që ata iu lutën Zotit për çlirimin e tyre, Lamanitët filluan t’ia mbathnin para tyre; dhe madje, ata ikën gjer tek ujërat e Sidonit.

51 Tani, Lamanitët ishin më të shumtë, po, më shumë se dyfishi i numrit të Nefitëve; megjithatë, ata u dëbuan kaq shumë, sa u mblodhën tok së bashku në luginë, në breg të lumit Sidon.

52 Prandaj ushtritë e Moronit i rrethuan, po, madje nga të dyja anët e lumit, pasi vini re, në lindje ishin njerëzit e Lehit.

53 Prandaj, kur Zerahemna pa njerëzit e Lehit në lindje të lumit Sidon dhe ushtritë e Moronit në perëndim të lumit Sidon, që ishin rrethuar nga Nefitët, ata u goditën nga tmerri.

54 Tani Moroni, kur pa tmerrin e tyre, urdhëroi njerëzit e tij që të ndalonin gjakderdhjen.