Shkrimet e Shenjta
Helamani 13


Profecia e Samuel Lamanitit drejtuar Nefitëve.

Përfshin kapitujt 13 deri në 15, duke përfshirë edhe të fundit.

Kapitulli 13

Samuel Lamaniti profetizon shkatërrimin e Nefitëve, në qoftë se nuk pendohen—Ata dhe pasuritë e tyre mallkohen—Ata hedhin poshtë profetët dhe i zënë me gurë, rrethohen prej demonëve dhe kërkojnë lumturi duke bërë paudhësi. Rreth 6 para K.

1 Dhe tani ndodhi që në vitin e tetëdhjetegjashtë, Nefitët vazhduan të mbeten në ligësi, po, në ligësi të madhe, ndërsa Lamanitët respektonin në mënyrë të rreptë urdhërimet e Perëndisë, sipas ligjit të Moisiut.

2 Dhe ndodhi që gjatë këtij viti, njëfarë Samueli, një Lamanit, erdhi në tokën e Zarahemlës dhe filloi t’i predikonte popullit. Dhe ndodhi që ai predikoi pendim për shumë ditë mes popullit dhe ata e dëbuan dhe ai qe gati të kthehej në vendin e tij.

3 Por vini re, zëri i Zotit erdhi tek ai, që ai duhej të kthehej përsëri dhe t’i profetizonte popullit çdo gjë që do të vinte në zemrën e tij.

4 Dhe ndodhi që ata nuk e lejuan të hynte në qytet; prandaj ai shkoi dhe u ngjit mbi murin e qytetit, dhe shtriu dorën e tij, dhe thirri me zë të lartë, dhe u profetizoi njerëzve çdo gjë që Zoti i vuri në zemër.

5 Dhe ai u tha atyre: Vini re, unë Samueli, një Lamanit, flas fjalët e Zotit, që ai m’i vë në zemër; dhe vini re, ai i ka vënë ato në zemrën time, që t’i them këtij populli se shpata e drejtësisë varet mbi këtë popull; dhe katërqind vjet nuk do të kalojnë dhe shpata e drejtësisë do të bjerë mbi këtë popull.

6 Po, një shkatërrim i madh e pret këtë popull dhe me siguri do të bjerë mbi këtë popull, dhe asgjë nuk mund ta shpëtojë këtë popull, veçse pendimi dhe besimi në Zotin Jezu Krisht i cili me siguri do të vijë në këtë botë dhe do të vuajë shumë gjëra dhe do të vritet për popullin e tij.

7 Dhe vini re, një engjëll i Zotit ma njoftoi këtë gjë dhe i solli lajme të mira shpirtit tim. Dhe vini re, unë u dërgova mes jush, që t’ju njoftoj edhe juve, që ju gjithashtu të mund të merrni lajme të mira; por vini re, ju nuk më pranoni mes jush.

8 Prandaj, kështu thotë Zoti: Për shkak të ngurtësisë së zemrave të popullit të Nefitëve, në qoftë se nuk pendohen, unë do t’u heq atyre fjalën time dhe do të tërheq prej tyre Shpirtin tim dhe nuk do t’i ndihmoj më, dhe do t’i kthej zemrat e vëllezërve të tyre kundër tyre.

9 Dhe nuk do të kalojnë katërqind vjet para se unë do të bëj që ata të goditen; po, unë do t’i vizitoj me shpatë dhe me zi buke dhe me epidemi.

10 Po, unë do t’i vizitoj me zemërimin tim të rreptë dhe do të ketë prej atyre të brezit të katërt që do të jetojnë, mes armiqve tuaj, që do të shohin shkatërrimin tuaj të plotë; dhe kjo do të ndodhë me siguri në qoftë se ju nuk pendoheni, thotë Zoti; dhe ata të brezit të katërt do të vizitojnë shkatërrimin tuaj.

11 Por, në qoftë se ju pendoheni dhe ktheheni te Zoti, Perëndia juaj, unë do ta largoj zemërimin tim, thotë Zoti; po, kështu thotë Zoti, të bekuar qofshin ata që do të pendohen dhe do të kthehen tek unë, por mjerë ai që nuk pendohet.

12 Po, mjerë ky qytet i madh i Zarahemlës; pasi vini re, është për shkak të atyre që janë të drejtë, që ka shpëtuar; po, mjerë ky qytet i madh, pasi unë parandiej, thotë Zoti se ka shumë, po, madje pjesa më e madhe e këtij qyteti të madh, që do të ngurtësojnë zemrat e tyre kundër meje, thotë Zoti.

13 Por, të bekuar qofshin ata që do të pendohen, pasi unë do t’i kursej. Por vini re, po të mos ishte për të drejtët që janë në këtë qytet të madh, vini re, unë do të bëja që zjarri të zbriste nga qielli dhe ta shkatërronte.

14 Por, vini re, ai kursehet për hir të të drejtëve. Por vini re, koha vjen, thotë Zoti, që kur ju të dëboni të drejtët nga mesi juaj, atëherë ju do të jeni gati për shkatërrim; po, mjerë ky qytet i madh për shkak të ligësisë dhe neverive që janë në të.

15 Po, dhe mjerë edhe qyteti Gideon për ligësinë e neveritë që janë në të.

16 Po, dhe mjerë edhe të gjitha qytetet që janë në tokën rreth e përqark, që zotërohen nga Nefitët, për shkak të ligësisë dhe neverive që janë në to.

17 Dhe vini re, një mallkim do të bjerë mbi këtë tokë, thotë Zoti i Ushtrive, për shkak të njerëzve që janë mbi këtë tokë, po, për shkak të ligësisë dhe të neverive të tyre.

18 Dhe do të ndodhë, thotë Zoti i Ushtrive, po, Perëndia ynë i madh dhe i vërtetë, se kushdo që do të fshehë thesare në tokë, nuk do t’i gjejë më, për shkak të mallkimit të madh të tokës, veçse në qoftë se është njeri i drejtë dhe ta fshehë për Zotin.

19 Pasi unë dua, thotë Zoti, që ata t’i fshehin thesaret e tyre tek unë; dhe mallkuar qofshin ata që nuk i fshehin thesaret e tyre tek unë; pasi askush nuk i fsheh thesaret tek unë përveç të drejtëve; dhe ai që nuk i fsheh thesaret në mua, i mallkuar qoftë ai dhe gjithashtu thesari dhe askush nuk do ta shëlbejë atë për shkak të mallkimit të vendit.

20 Dhe do të vijë dita që ata do t’i fshehin thesaret e tyre, sepse ata kanë vënë zemrat e tyre në thesare; dhe sepse ata kanë vënë zemrat e tyre në thesare dhe do t’i fshehin thesaret e tyre, kur të ikin para armiqve të tyre; meqë nuk do t’i fshehin tek unë, qofshin mallkuar ata dhe gjithashtu thesaret e tyre; dhe atë ditë do të goditen, thotë Zoti.

21 Vini re ju, populli i këtij qyteti të madh dhe dëgjoni fjalët e mia; po, dëgjoni fjalët që thotë Zoti; pasi vini re, ai thotë se ju jeni të mallkuar për shkak të pasurive tuaja; dhe pasuritë tuaja gjithashtu janë të mallkuara, sepse ju keni vënë zemrat tuaja në to dhe nuk keni dëgjuar fjalët e atij që jua dha ato.

22 Ju nuk e kujtoni Zotin, Perëndinë tuaj në gjërat me anë të të cilave ai ju ka bekuar, por ju kujtoni gjithmonë pasuritë tuaja, jo për të falënderuar Zotin, Perëndinë tuaj për to; po, zemrat tuaja nuk i drejtohen Zotit, por ato fryhen me krenari të madhe, deri në mburrje dhe deri në fryrje të madhe, smirë, grindje, shpirtligësi, përndjekje dhe vrasje dhe çfarëdolloj paudhësish.

23 Për këtë shkak, Zoti Perëndi bëri që të binte një mallkim mbi këtë tokë si dhe mbi pasuritë tuaja; dhe këtë e bëri për shkak të paudhësive tuaja.

24 Po, mjerë ky popull, për shkak të kësaj kohe që ka ardhur, që ju i dëboni profetët, dhe i përqeshni, dhe i qëlloni me gurë, dhe i vrisni, dhe bëni të gjitha llojet e paudhësive kundër tyre, madje, si bënin ata të kohërave të vjetra.

25 Dhe tani, kur flisni, ju thoni: Në qoftë se ditët tona do të kishin qenë në ditët e etërve tanë të vjetër, ne nuk do t’i kishim vrarë profetët; ne nuk do t’i kishim zënë me gurë dhe nuk do t’i kishim dëbuar.

26 Vini re, ju jeni më të këqij se ata; pasi ashtu si Zoti jeton, në qoftë se një profet vjen mes jush dhe ju njofton fjalën e Zotit, që dëshmon për mëkatet dhe paudhësitë tuaja, ju zemëroheni me të dhe e dëboni dhe përpiqeni me çfarëdo mënyre ta shkatërroni; po, ju do të thoni se ai është një profet i rremë dhe se ai është një mëkatar dhe i djallit; sepse ai dëshmon se veprat tuaja janë të liga.

27 Por vini re, në qoftë se një njeri vjen mes jush dhe ju thotë: Bëni këtë dhe nuk është paudhësi; bëni atë dhe nuk do të vuani; po, ai do të thotë: Ecni pas kryelartësisë së zemrës suaj; po, ecni pas kryelartësisë së syve tuaj dhe bëni çdo gjë që ju do zemra—dhe në qoftë se një njeri do të vijë mes jush dhe do t’ju thotë këtë, ju do ta pranonit dhe do të thoshit se është profet.

28 Po, ju do ta ngrinit lart dhe do t’i jepnit atij nga gjërat tuaja; ju do t’i jepnit nga ari juaj dhe nga argjendi juaj dhe do ta vishnit me rroba të kushtueshme; dhe pasi ai t’ju thoshte fjalë plot lajka dhe t’ju thoshte se gjithçka është në rregull, atëherë ju nuk do t’i gjenit ndonjë të metë.

29 O, ju të ligj dhe ju brez i çoroditur; ju njerëz të ngurtësuar dhe kokëfortë, deri kur besoni se do t’ju durojë Zoti? Po, deri kur do ta lejoni veten të udhëhiqeni nga drejtues të marrë dhe të verbër? Po, deri kur do të zgjidhni errësirën në vend të dritës?

30 Po, vini re, zemërimi i Zotit është ndezur tashmë kundër jush; vini re, ai ka mallkuar tokën për shkak të paudhësisë suaj.

31 Dhe vini re, koha vjen që ai i mallkon pasuritë tuaja, që ato t’ju rrëshqasin nga duart, që ju të mos mund t’i mbani më; dhe në ditët e varfërisë suaj, ju nuk do të mund t’i mbani më.

32 Dhe në ditët e varfërisë suaj, ju do t’i përgjëroheni Zotit; dhe më kot do t’i përgjëroheni, pasi shkretimi juaj tashmë ka ardhur mbi ju dhe shkatërrimi juaj është i sigurt; dhe në atë ditë, thotë Zoti i Ushtrive, ju do të qani dhe do të ulërini. Dhe atëherë ju do të ankoheni dhe do të thoni:

33 O, sikur të isha penduar dhe të mos kisha vrarë profetët dhe të mos i kisha zënë me gurë dhe dëbuar ata. Po, në atë ditë, ju do të thoni: O, sikur të kishim kujtuar Zotin, Perëndinë tonë, atë ditë që ai na dha pasuritë tona dhe ato nuk do të ishin bërë të rrëshqitshme, që ne t’i humbnim; pasi vini re, pasuritë tona na kanë lënë.

34 Vini re, ne lëmë këtu një vegël dhe të nesërmen zhduket; dhe vini re, shpatat tona na merren ditën që i kërkojmë për luftë.

35 Po, ne fshehëm thesaret tona dhe ato na rrëshqitën nga duart, për shkak të mallkimit të vendit.

36 O, po të ishim penduar në ditën që fjala e Zotit erdhi te ne; pasi vini re, vendi është i mallkuar dhe të gjitha gjërat janë bërë të rrëshqitshme dhe ne nuk mund t’i mbajmë dot.

37 Vini re, ne jemi të rrethuar prej demonësh, po, jemi të rrethuar nga engjëjt e atij që ka kërkuar të shkatërrojë shpirtrat tanë. Vini re, paudhësitë tona janë të mëdha. O Zot, a nuk mund ta largosh zemërimin tënd prej nesh? Dhe kjo do të jetë gjuha juaj në ato ditë.

38 Por vini re, ditët tuaja të provës kanë kaluar; ju e keni shtyrë ditën e shpëtimit tuaj, derisa tani është pafundësisht tepër vonë dhe shkatërrimi juaj është i sigurt; po, pasi ju keni kërkuar gjithë ditët e jetës suaj atë që nuk mund ta kishit dot; dhe ju keni kërkuar lumturi duke bërë paudhësi, gjë e cila është në kundërshtim me natyrën e asaj drejtësie që është në Udhëheqësin tonë të madh dhe të Përjetshëm.

39 O ju njerëz të këtij vendi, sikur të dëgjonit fjalët e mia! Dhe unë lutem që zemërimi i Zotit të largohet prej jush, që ju të pendoheni dhe të shpëtoheni.