Shkrimet e Shenjta
Mormoni 3


Kapitulli 3

Mormoni u thërret Nefitëve të pendohen—Ata korrin një fitore të madhe dhe lavdërohen me fuqinë e tyre—Mormoni nuk pranon t’i udhëheqë më dhe lutjet e tij për ta janë pa besim—Libri i Mormonit fton dymbëdhjetë fiset e Izraelit të besojnë ungjillin. Rreth 360–362 pas K.

1 Dhe ndodhi që Lamanitët nuk erdhën të na sulmonin derisa kishin kaluar edhe dhjetë vjet. Dhe vini re, unë e vura popullin tim, domethënë Nefitët, në punë që të përgatitnin tokat e tyre dhe armët e tyre për ditën e betejës.

2 Dhe ndodhi që Zoti më tha mua: Thirri këtij populli—Pendohuni dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni, dhe ndërtoni përsëri kishën time, dhe ju do të kurseheni.

3 Dhe unë i thirra këtij populli, por më kot; dhe ata nuk e kuptonin se qe Zoti që i kishte kursyer dhe u kishte dhënë mundësi të pendoheshin. Dhe vini re, ata kishin ngurtësuar zemrat e tyre kundër Zotit, Perëndisë së tyre.

4 Dhe ndodhi që pasi kaloi ky viti i dhjetë, duke bërë që në tërësi të kalonin treqind e gjashtëdhjetë vjet nga ardhja e Krishtit, mbreti i Lamanitëve më dërgoi një letër me të cilën më bënte të ditur se ata po përgatiteshin të vinin përsëri, që të luftonin kundër nesh.

5 Dhe ndodhi që unë bëra që populli im të mblidhej tok së bashku në tokën Shkretim, në një qytet që ishte në kufi, afër ngushticës që të çonte në tokën jugore.

6 Dhe aty, ne vendosëm ushtritë tona, që të mund të ndalonim ushtritë e Lamanitëve, që ata të mos zotëronin ndonjë pjesë të tokave tona; prandaj ne u fortifikuam me gjithë fuqinë tonë kundër tyre.

7 Dhe ndodhi që në vitin e treqindegjashtëdhjetenjëtë Lamanitët zbritën deri në qytetin Shkretim për të luftuar kundër nesh; dhe ndodhi që në atë vit i thyem, kaq sa ata u kthyen përsëri në tokat e tyre.

8 Dhe në vitin e treqindegjashtëdhjetenjëtë zbritën përsëri, që të luftonin kundër nesh. Dhe ne i thyem përsëri dhe vramë një numër të madh prej tyre; dhe të vdekurit e tyre u hodhën në det.

9 Dhe tani, për shkak të kësaj gjëje të madhe që bëri populli im, Nefitët, ata filluan të mburreshin me fuqinë e tyre dhe filluan të betoheshin para qiejve se do të hakmerreshin për gjakun e vëllezërve të tyre që u vranë nga armiqtë e tyre.

10 Dhe ata u betuan për qiej dhe gjithashtu për fronin e Perëndisë se do të luftonin kundër armiqve të tyre dhe se do t’i zhduknin nga faqja e dheut.

11 Dhe ndodhi që unë, Mormoni, nga ai çast e tutje refuzova plotësisht të isha komandant dhe udhëheqës i këtij populli, për shkak të ligësisë dhe të neverisë së tyre.

12 Vini re, unë i kisha udhëhequr, megjithë ligësinë e tyre, i kisha udhëhequr shumë herë në luftime dhe i desha ata, sipas dashurisë së Perëndisë që ishte në mua, me gjithë zemrën time; dhe ia derdha tërë shpirtin tim në lutje Perëndisë, tërë ditën e ditës, për ta; megjithatë ishte pa besim, për shkak të ngurtësisë së zemrave të tyre.

13 Dhe tri herë i shpëtova nga duart e armiqve të tyre dhe ata nuk u penduan për mëkatet e tyre.

14 Dhe kur u betuan për çdo gjë që u ishte e ndaluar nga Zoti ynë dhe Shpëtimtari, Jezu Krishti, që ata do të shkonin të luftonin kundër armiqve të tyre dhe të hakmerreshin për gjakun e vëllezërve të tyre, vini re, zëri i Zotit erdhi tek unë duke thënë:

15 Hakmarrja është e imja dhe unë do ta bëj shpagimin; dhe meqë ky popull nuk u pendua pasi e shpëtova, vër re, unë do ta fshij nga faqja e dheut.

16 Dhe ndodhi që unë nuk pranova aspak të shkoja kundër armiqve të mi; dhe bëra madje, ashtu siç më urdhëroi Zoti; unë qëndrova mënjanë si dëshmitar soditës, për t’i treguar botës gjërat që pashë dhe dëgjova, sipas shfaqjeve të Shpirtit që kishte dëshmuar mbi gjërat që do të ndodhnin.

17 Prandaj, unë ju shkruaj juve Johebrenj, si dhe ty, shtëpi e Izraelit, kur të fillojë puna që ju të jeni gati të ktheheni në tokën e trashëgimit tuaj.

18 Po, vini re, unë u shkruaj të gjitha skajeve të tokës; po, juve dymbëdhjetë fiseve të Izraelit, që do të gjykoheni sipas veprave tuaja nga të dymbëdhjetët që Jezusi i zgjodhi të ishin dishepujt e tij në tokën e Jeruzalemit.

19 Dhe unë gjithashtu i shkruaj mbetjes së këtij populli, që do të gjykohet gjithashtu nga të dymbëdhjetët që zgjodhi Jezusi në këtë tokë; dhe ata do të gjykohen nga të dymbëdhjetët e tjerë që zgjodhi Jezusi në tokën e Jeruzalemit.

20 Dhe këto gjëra m’i shfaq Shpirti mua; prandaj unë po jua shkruaj ju të gjithëve. Dhe për këtë shkak, unë po ju shkruaj, që ju të dini se duhet të dilni para fronit të gjykimit të Krishtit, po, çdo shpirt që i takon tërë familjes njerëzore të Adamit; dhe ju duhet të qëndroni që të gjykoheni për veprat tuaja, qofshin ato të mira ose të liga;

21 Dhe gjithashtu që ju të mund të besoni në ungjillin e Jezu Krishtit, të cilin do ta keni mes jush; dhe gjithashtu që Judenjtë, populli i besëlidhjes së Zotit, të ketë dëshmitarë të tjerë që panë dhe dëgjuan, që Jezusi të cilin ata e vranë, ishte Krishti i vërtetë dhe Perëndia i vërtetë.

22 Dhe unë do të doja që t’ju bindja të gjitha ju skaje të tokës, të pendoheni dhe të përgatiteni të qëndroni para fronit të gjykimit të Krishtit.