2018
5 Virtyte të Pionierëve që Mund t’i Shpëtojnë Shtëpitë Tona Sot
Korrik 2018


Vetëm në Format Dixhital

5 Virtyte të Pionierëve që Mund t’i Shpëtojnë Shtëpitë Tona Sot

Autorja jeton në Kaliforni, SHBA.

Sfidat tona sot mund të jenë të ndryshme, por neve na duhet e njëjta forcë si pionierët e hershëm.

pioneers

A e keni vrarë mendjen ndonjëherë nëse besimi juaj është po aq i madh sa ishte besimi i pionierëve? Shenjtorët sot mund të mos thirren të ecin 32 km në ditë për muaj të tërë, të lënë pas gjithçka zotërojnë, apo të përballen me përndjekje të egër, por neve na duhet njëmend të marrim vendime që nuk gëzojnë popullaritet, të mbrohemi kundrejt situatave shpirtërisht vdekjeprurëse dhe t’u themi jo rrëkeve të pafundme të zbavitjeve të papërshtatshme që mund të na shpërqendrojnë nga ajo çfarë ka më shumë rëndësi.

Kur zgjedhim ta ndjekim Krishtin, neve na duhet të mbështetemi tek të njëjtat virtyte që u dhanë paraardhësve tanë pionierë forcën e tyre të mrekullueshme.

Këtu janë vetëm pesë nga ato virtyte që mund të na forcojnë çdo ditë:

  1. Besimi. Forca e pionierëve në fakt bazohej në nivel individual. Secili prej tyre e dinte personalisht se ata ishin fëmijë të Perëndisë. Edhe ju gjithashtu mund ta ndërtoni besimin tuaj në Krisht në mënyrë që dëshmia juaj të qëndrojë e fortë pavarësisht se çfarë stuhish do të vijnë.

  2. Guximi. Mund të duket budallallëk ta krahasoni guximin tuaj me të tyrin. Pionierët u përballën çdo ditë me rrezik të vërtetë fizik, por neve na duhet të përdorim po atë guxim brenda nesh për ta shpërndarë ungjillin tek të tjerët dhe për të jetuar ndryshe nga mënyra si jeton bota. Të kujtuarit e guximit të pionierëve mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë sfidat tona.

  3. Vendosmëria. Kur goditi tragjedia, pionierët mund ta kishin vënë në pikëpyetje lehtësisht drejtësinë e gjendjes së tyre, por vendosmëria e tyre i ndihmoi për të vazhduar, duke mirëbesuar se gjithçka do të ishte mirë. Sot, ne mund të kemi po atë bindje dhe ta kuptojmë se, pavarësisht se çfarë na thotë bota, “të gjitha gjërat janë bërë në diturinë e atij që i di të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:24).

  4. Sakrifica. Vizioni i fuqishëm i pionierëve për atë për të cilën po punonin, i ndihmoi ata të bënin sakrificat e domosdoshme për të vazhduar. Ne mund të mbështetemi në të njëjtën largpamësi që i çoi pionierët përpara – në ndërtimin e Kishës së Perëndisë – kur na duhet të sakrifikojmë gjëra sot.

  5. Uniteti. Udhëtimi në varganë me karro do të thoshte se gjithsecili u përkujdes për gjithkënd tjetër gjatë udhëtimit të tyre drejt Sionit. Teksa punojmë për ta ndërtuar Sionin sot në lagjet, kunjet, degët, shtëpitë dhe komunitetet tona, ne gjithashtu duhet të përpiqemi për t’i lartësuar dhe përfshirë njerëzit përreth nesh.