Hapi i Parë Drejt Pendimit
Autori jeton në Ouest, Haiti.
Ndjeva që errësira qe ngulur në jetën time. Dhe atëherë kuptova se më duhej të flisja me peshkopin tim.
Kujtoj caktimin e datës së pagëzimit tim me misionarët. Ata më pyetën nëse isha gati ta bëja këtë besëlidhje me Atin tonë Qiellor. Pa u menduar fare rreth saj dhe me një zemër plot gëzim, thashë: “Po!” Doja ta pranoja dhuratën e veçantë që Ati im i dashur më pati dhënë dhe e dija se nuk do të isha aq i lumtur pa Shpëtimtarin në jetën time. Por vërtet nuk isha i sigurt për atë që do të më sillte e ardhmja.
Më në fund, dita e madhe erdhi. Ishte e paharrueshme dhe isha aq i lumtur.
Ditë të Errëta
Pas pagëzimit dhe konfirmimit tim, befas ditët dukeshin të errëta. Po merresha me probleme familjare dhe po luftoja që t’u bindesha të gjitha ligjeve të Perëndisë. Nuk dija çfarë të bëja dhe doja të hiqja dorë nga gjithçka. Dukej sikur askush nuk më kuptonte.
Mua gjithmonë më pëlqente leximi i Librit të Mormonit, por gjatë asaj kohe e lashë mënjanë. Një ditë, ndërsa isha vetëm në shtëpi, ndjeva ëmbëlsinë e Shpirtit që më nxiti të lexoja Librin e Mormonit. U luta paraprakisht, duke dashur të gjej një përgjigje që mund t’i sillte lehtësim vuajtjes sime. E hapa menjëherë tek Alma kapitulli 5. Vargu 27 thotë: “A keni ecur, duke e mbajtur veten të pafajshëm para Perëndisë? A mund të thonit, në veten tuaj, po të thirreshit që të vdisni në këtë çast, se keni qenë aq sa duhet të përulur? Se rrobat tuaja janë pastruar dhe bërë të bardha nëpërmjet gjakut të Krishtit, i cili do të vijë për të shëlbuar popullin e tij nga mëkatet e tyre?”
Më në fund, u ndjeva i prekur nga këto fjalë. E dija se duhej të pendohesha, ndaj lashë një takim me peshkopin tim. Nuk e mohoj që isha i trembur, por e detyrova veten të shkoj dhe të flas me të.
Të Kuptuarit e Premtimit të Perëndisë
Kur arrita në zyrën e peshkopit, u ndjeva aq fajtor saqë doja thjesht të kthehesha mbrapsht. Por u luta për të pasur guximin që të thoja gjithçka që doja të thosha. Peshkopi më mirëpriti në zyrën e tij dhe mandej ai bëri një lutje për të marrë ndihmë nga Perëndia. Ai më foli sikur të isha biri i tij dhe e tregoi dashurinë e tij për mua me fjalët që tha. Ai më këshilloi dhe më kërkoi të bëja disa gjëra me qëllim që të merrja faljen e Perëndisë dhe më pas të rikthehesha për t’u takuar me të.
Isha aq i gëzuar për këtë mundësi. E ndoqa këshillën e tij dhe përfundimisht arrita ta kuptoj premtimin e Perëndisë për faljen e Almës: “Në qoftë se i rrëfen mëkatet e tij para teje dhe meje dhe pendohet me çiltërsinë e zemrës së tij, atë do ta falësh; dhe unë do ta fal atë gjithashtu” (Mosia 26:29). Pas pendimit të sinqertë, e dija se Perëndia më kishte falur. Unë isha më në fund në gjendje ta ndieja dashurinë e Atit Qiellor në zemrën time dhe errësira u largua. Isha i lumtur dhe krenar për veten.
Peshkopi Është Atje për të Ndihmuar
Peshkopi është përfaqësuesi i Zotit për lagjen. Dijeni se ai është atje për t’ju ndihmuar të gjeni lumturinë e vërtetë që Perëndia ka rezervuar për ju. Mirëbesojini atij. Nëse keni probleme apo duhet të pendoheni, shkoni dhe gjejeni. Ai do t’ju ndihmojë.
E di se nuk është gjë e lehtë të shkosh tek ai ndonjëherë. Por sikurse Presidenti Lorenco Snou (1814–1901) shpjegoi rreth planit të përjetshëm të Atit tonë Qiellor: “Unë besoj se në botën [paratokësore] të shpirtrave, kur na u propozua që … të kalonim nëpër përvojën që po kalojmë tani, nuk qe krejtësisht e pëlqyeshme dhe e pranueshme; … Përsëri nuk ka dyshim se ne e pamë dhe e kuptuam qartë në botën e shpirtrave se, me qëllim që të përmbushnim ekzaltimin dhe lavdinë tonë, kjo ishte një përvojë e nevojshme.” Ai vazhdoi duke thënë: “Ne ishim të gatshëm të pajtoheshim me vullnetin e Perëndisë dhe si pasojë ne jemi këtu” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Lorenco Snou [2012], f. 113).
Pendimi është pjesë e asaj që të pajtohesh me vullnetin e Perëndisë. Pra, në vend që t’i trembeni peshkopit, bëjeni mikun tuaj. Ai u zgjodh nga Perëndia dhe ai mund t’ju ndihmojë të pendoheni dhe ta shëroni shpirtin tuaj duke ardhur te Jezu Krishti. Zoti dëshiron të na ndihmojë, por ne duhet ta ndërmarrim atë hap të parë drejt pendimit. Kështu ne mund ta shohim premtimin te Isaia 1:18 të plotësuar: “Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora.” Dhe për këtë peshkopi është atje për të ndihmuar.
Unë dëshmoj se Perëndia jeton dhe se Jezusi është Shpëtimtari ynë. Ata të dy na duan shumë!