Të Kuptuarit e Bekimit Tuaj Patriarkal
Autoret jetojnë përkatësisht në Ilinois, SHBA, dhe Nju-Jork, SHBA.
Përcaktimi i pjesëve të bekimit tuaj mund t’ju ndihmojë të gjeni drejtim për jetën tuaj.
Jeta është plot me ujëra të parrahura: Në cilën shkollë duhet të shkoj? Çfarë duhet të studioj? A duhet të shkoj në një mision? Me kë duhet të martohem? Nëse do t’ju jepej një hartë vetjake për të lundruar nëpër vendimet e jetës, a do ta ndiqnit atë?
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na e kanë dhënë një hartë të tillë – bekimet patriarkale – që të na japin drejtim në jetën tonë. Edhe pse na jepet dhurata e lirisë së zgjedhjes për të marrë vendime sipas vetë vullnetit tonë të lirë, bekimet patriarkale mund të hedhin dritë mbi atë se cilat shtigje do të sjellin lumturinë më të madhe.
Por thjesht ta kemi një hartë nuk mjafton. Ne duhet ta studiojmë, kuptojmë dhe zbatojmë domethënien brenda hartës. Në mënyrë të ngjashme, teksa arrini të kuptoni gjuhën e përdorur në bekimin tuaj patriarkal – udhërrëfyesin tuaj vetjak në jetë – ju do të jeni në gjendje të dalloni se cili jeni në sytë e Perëndisë dhe çfarë mund të bëheni.
Zbuloni Prejardhjen Tuaj
Para së gjithash, bekimi juaj patriarkal shpall prejardhjen tuaj ose fisin e veçantë prej dymbëdhjetë fiseve të Jakobit (që më vonë u quajt Izrael) të cilit i përkisni. Edhe pse ne nuk jemi të gjithë pasardhës të mirëfilltë të Jakobit, shkrimet e shenjta na mësojnë se anëtarët e Kishës pranohen në shtëpinë e Izraelit: “Sepse të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të quhen sipas emrit tënd e do të llogariten si fara jote dhe do të ngrihen e do të të bekojnë ty, si atin e tyre” (Abraham 2:10).
Shelisa Shrepeli nga Juta, SHBA, thotë: “Njohuria se jam nga shtëpia e Jakobit më ndihmon të kuptoj qëllimin tim në këtë jetë dhe përse thirrem në thirrje të caktuara në Kishë”.
Bekimi juaj patriarkal gjithashtu mund të përshkruajë ndonjë bekim përkatës që e shoqëron fisin tuaj të veçantë. Për shembull, shumë anëtarë të Kishës i përkasin fisit të Efraimit, një fis që ka përgjegjësinë e pashoqe për t’i shpërndarë botës mesazhin e ungjillit të rivendosur (shih Ligji i Përtërirë 33:13–17; DeB 133:26–34).
Gjeni Këshillë Vetjake
Kur përdoret siç duhet, një hartë e ndihmon një udhëtar që të mos ta humbasë udhën. Në mënyrë të ngjashme, në këtë udhëtim tokësor, bekimi juaj patriarkal mund të ofrojë këshillë dhe drejtim për jetën tuaj. Bekimi juaj patriarkal nuk ju tregon thjesht çfarë të bëni, por mund të ofrojë ide të individualizuara se cilat shtigje – nëse ndiqen me besim – mund t’ju ndihmojnë të dini se kur e përputhni jetën tuaj me vullnetin e Atit Qiellor. Teksa e studioni bekimin tuaj patriarkal dhe kërkoni të jetoni në një mënyrë që e fton Shpirtin e Zotit, ju mund të gjeni siguri, gëzim dhe drejtim.
Gabriel Paredes nga Lima në Peru thotë: “Një pjesë të këshillës që m’u dha mua në bekimin tim, kam qenë në gjendje ta vë në jetë tërësisht me familjen time vetëm pasi u vulosa me bashkëshorten time.
Kohët e fundit po e pyetnim veten se çfarë mund të bënim për ta forcuar e ndërtuar familjen tonë të re. Pyetja jonë mori përgjigje nëpërmjet bekimit tim patriarkal. Në të unë këshillohem që t’u jap përparësi respektit, tolerancës dhe dashurisë në familjen time, sepse këto janë disa nga themelet e rëndësishme të ungjillit të Jezu Krishtit.
Teksa jemi përqendruar në këtë, unë dhe bashkëshortja ime kemi qenë në gjendje t’i kapërcejmë problemet. Ne ende kemi sfida herë pas here si familje, por jemi të lumtur. Ndjeva sikur Zoti po më kujtonte se si mund ta kisha familjen që Ai më premtoi. E di që Zoti flet nëpërmjet bekimeve patriarkale dhe që këshilla në to duhet të përdoret në jetën tonë.”
Vërjuani Veshin Këshillimeve
Një hartë nuk do të shënojë domosdoshmërisht çdo rrezik përgjatë udhës por, për fat të mirë, bekimet patriarkale shpesh trumbetojnë paralajmërime për të na mbrojtur përgjatë udhës. Disa prej këtyre këshillimeve ndihmojnë për të na mbrojtur nga ndikimi i Satanit; të tjerat mund të na japin dritë rreth mënyrës se si mund ta mposhtim njeriun natyror brenda nesh.
Për Keitlin Kerrin nga Juta, disa prej këshillimeve në bekimin e saj patriarkal nuk ishin menjëherë të qarta, por studimi i mëvonshëm i bekimit të saj dha ide të reja.
“Kur e mora bekimin tim patriarkal, unë u paralajmërova rreth njerëzve që do të përpiqeshin të më largonin nga e vërteta nëpërmjet ideve që më pëlqenin. Nuk mendova shumë për të; pata besim të palëkundshëm në doktrinat që më ishin mësuar.
Megjithatë, vitin pasues po ndeshesha me ide dhe filozofi që, në sipërfaqe, dukeshin të rrënjosura në paanësi e dashuri, por nuk ishin. Këto mesazhe dukej se vinin nga çdo anë: media, shkolla, madje miqtë më të afërt. Edhe pse e dija që këto filozofi ishin në kundërshtim me planin e Perëndisë, e gjeta vetveten duke dëshiruar që t’i mbështetja si këto ide të reja të botës ashtu edhe Kishën. Shpejt e kuptova se ‘askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve’ (Mateu 6:24) dhe se unë nuk duhej të mbështetesha tek urtësia e njerëzve. Ati Qiellor u dha zgjidhje dyshimeve të mia nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe i foli paqe mendjes e zemrës sime. Si rrjedhojë, dëshmia ime është forcuar dhe jam bërë më e palëkundur në mbrojtjen e asaj që e di se është e vërtetë.”
Zhvilloni Dhunti e Talente
Bekimi juaj patriarkal gjithashtu mund të përmendë dhunti e talente shpirtërore që Zoti jua ka dhënë për ta ngritur mbretërinë e Tij. Nëse bekimi juaj përmend një talent që është i panjohur për ju, kjo mund të jetë ngaqë mund të mos e keni pasur ende rastin për ta zbuluar ose zhvilluar këtë talent. Nëpërmjet kërkimit të zellshëm dhe ndihmës së Zotit, ju mund të arrini ta mishëroni këtë talent dhe shumë të tjerë.
Zhvillimi i talenteve tuaja ju ndihmon të dalloni gjërat e pashoqe që ju jepni si ndihmesë në veprën e Zotit. Xhoana Blekuell nga Kalifornia, SHBA, i përsiat dhuntitë dhe talentet në bekimin e saj kur ndihet e tunduar që ta krahasojë vetveten me të tjerët: “Teksa hedh vështrimin te fjalët në bekimin tim patriarkal, më vjen ndërmend se jam bekuar me dhuntitë që më janë dashur personalisht për t’i mposhtur sprovat dhe për të marrë pjesë në përshpejtimin e veprës së Zotit.
Bekimi im më tregon për aftësinë time për të dashur, falur e pasur kurajën që të shoqërohem me njerëzit përreth meje. Kur i kam praktikuar këto dhunti, Zoti më ka bekuar me një dëshirë në rritje që të takohem e lidhem me njerëz të rinj e kultura të reja. Si rrjedhim, është rritur dëshmia ime që ne jemi të gjithë fëmijë të një Ati të dashur Qiellor dhe unë kam qenë në gjendje t’u shërbej të tjerëve, ndërkohë që secili prej nesh përpiqet të bëhet më shumë si Krishti.”
Kërkojini Bekimet e Premtuara
Së fundi, bekimet tona patriarkale zbulojnë bekimet e premtuara të Atit Qiellor për ne nëse i qëndrojmë besnikë Atij. Nuk ka garanci se kur do të përmbushen këto premtime, por ne mund ta dimë se, për aq kohë sa e jetojmë me bindje ungjillin, ato do të përmbushen, qoftë në këtë jetë apo në jetën që vjen.
Serxhio Gutieres nga Nevada, SHBA, mbështetet në një premtim në bekimin e tij patriarkal kurdoherë që ndihet i shqetësuar rreth planeve të tij të ardhshme të karrierës: “Me raste ndihem i shqetësuar rreth pasigurisë së të ardhmes sime, por ka një premtim në bekimin tim patriarkal që gjithmonë ma qetëson mendjen. Ky premtim më ndihmon ta di se, për aq kohë sa punoj shumë dhe mbetem besnik, unë do të kem burimet e nevojshme që të jem në gjendje të kujdesem për familjen time dhe që të ndërtoj Kishën. Nuk e di ende saktësisht se çfarë shtegu karriere dëshiroj të ndjek, por pasja e këtij premtimi më jep besim e vetëbesim.”
Nëse e keni pyetur veten ndonjëherë se cili është vullneti i Atit Qiellor për ju, ju nuk jeni i vetëm. Zoti e kuptoi se ju do të përballeshit me shumë shtigje të ndryshme që mund t’i ndiqnit në jetën tuaj, prandaj Ai ju ka dhënë një hartë vetjake që ta mbani jetën tuaj në përputhje me ungjillin e Tij. Bekimet patriarkale nuk mund t’i marrin vendimet tona për ne, por mund të na çojnë drejt zbulesës sonë vetjake. Nëpërmjet bekimeve tona patriarkale, na tregohet se si zëmë vend në planin e Zotit për ta mbledhur Izraelin nëpërmjet të mësuarit për fisin tonë; na jepen këshilla, këshillime dhe premtime vetjake; dhe na mësohet rreth dhuntive e talenteve të pashoqe që Ati Qiellor na ka dhënë për t’i shërbyer Atij. Për aq kohë sa përpiqeni të jetoni në përputhje me të gjitha këto elemente të vetë bekimit tuaj patriarkal, ju mund të dini se vendimet tuaja kanë qenë brenda vullnetit të Zotit për jetën tuaj.