2019
Dështimi Është Pjesë e Planit
Nëntor 2019


Dështimi Është Pjesë e Planit

Katër mësime që mund të mësojmë nga “dështimet” e parapëlqyera në shkrimet e shenjta.

young adult woman

Një pjesë e mirë e internetit duket se i përkushtohet kremtimit të “dështimeve qesharake” – që nga dështimet [për të realizuar projekte të kopjuara nga] Pinterest‑i deri te materialet filmike të kërcimeve mbrapsht në ajër të kryera keq. Ndoshta thjesht duam të dimë se nuk jemi vetëm kur përpjekjet tona më të mira nuk duken mjaft të mira. Epo, ka një mënyrë tjetër për ta ditur.

Nëse e ndieni se ditët tuaja janë mbushur me dështim, merrni zemër nga shkrimet e shenjta. Ato janë plot me përpjekjet jo aq të përsosura të disa njerëzve mjaft të mahnitshëm. Këtu janë vetëm disa nga mësimet e tyre që mund t’ju ndihmojnë ta kuptoni se ndoshta po veproni më mirë nga sa e mendoni.

1. Besimi nuk e parandalon dështimin, ai i jep kuptim.

Nefi ishte plot besim teksa ai dhe vëllezërit e tij u kthyen për fletët prej tunxhi, por kjo nuk i pengoi të dështonin mjerueshëm – dy herë (shih 1 Nefi 3). Por besimi i tij, pavarësisht dështimit, e ndihmoi ta shndërronte dështimin në përgatitje për sukses. A e ndihmuan Nefin takimet më të hershme dhe të dështuara me Labanin që të përgatitej për ta njohur atë, për t’u shtirur si ai, për ta gjetur shtëpinë e tij dhe për t’ia dalë që t’i merrte analet e shenjta? Nuk e dimë me siguri. Por njëmend e dimë se suksesi ynë i ardhshëm shpesh ndërtohet mbi dështimet e kaluara.

2. Perëndia i parashikoi dështimet tona dhe planifikoi paraprakisht.

Pasi Jozef Smithi mësoi se 116 faqet e dorëshkrimit të Librit të Mormonit nuk gjendeshin, ai thirri: “Gjithçka humbi!”1 Ai e dinte se kishte dështuar. E dinte se do të qortohej dhe ndoshta madje do të dëbohej. Dhe sërish, jo gjithçka kishte humbur. Perëndia e kishte parashikuar dështimin e Jozefit afërsisht 2 000 vjet më parë dhe ishte përgatitur për të.

Ngjashëm, Perëndia i parashikoi dështimet tona shumë kohë përpara se bota të krijohej.2 Ai është në gjendje madje t’i shndërrojë gabimet tona në bekime (shih Romakëve 8:28). Dhe Ai siguroi një Shpëtimtar që, kur dështimet tona të përfshijnë mëkatin, ne të mund të pendohemi, duke na lejuar të “mësojmë nga përvoja [jonë] pa u dënuar nga kjo”3.

3. Mos hiqni dorë! Ne nuk e shohim gjithmonë suksesin tonë.

Abinadi u thirr që t’u predikonte pendim njerëzve. Nëse Abinadi do ta maste suksesin e tij bazuar në numrin e njerëzve që u penduan, ai mund të kishte vdekur duke besuar se kishte dështuar plotësisht. Herën e parë kur e paralajmëroi popullin e mbretit Noe që të pendohej, atë nuk e pranuan dhe mezi shpëtoi gjallë. (Shih Mosia 11:20‑29.) Në vend që të hiqte dorë, ai u përpoq sërish, duke e ditur se mund ta vritnin – dhe e vranë.

Por meqë nuk hoqi dorë, populli përfundimisht njëmend u pendua (shih Mosia 21:33). Për më tepër, Alma u kthye në besim, u dha mësim dhe pagëzoi shumë njerëz dhe e organizoi Kishën mes nefitëve. Pasardhësit e Almës e udhëhoqën Kishën dhe nganjëherë edhe kombin, deri në ardhjen e Jezu Krishtit, duke kthyer mijëra njerëz në besim, përfshirë shumicën e lamanitëve (shih Helamani 5:50). Një njeri që nuk heq dorë pavarësisht dështimit, mund të sjellë një ndryshim të jashtëzakonshëm.

4. Ndonjëherë, ta zgjidhësh problemin është më pak e rëndësishme sesa të mësosh prej tij.

Oliver Granxheri ishte mësuar ta kishte autoritetin që të bënte që gjërat të kryheshin. Përpara bashkimit me Kishën në vitet 1830, ai kishte qenë sherif konteje, kolonel në milici dhe një predikues me licencë në kishën e tij. Pas bashkimit, ai shërbeu në dy misione dhe qe anëtar i këshillit të lartë të Kirtlandit. Por më pas, Jozef Smithi i dha Oliverit detyrën thuajse të parealizueshme për rregullimin e çështjeve të sipërmarrjeve të udhëheqësve të Kishës, të cilët i kishin përzënë nga Kirtlandi.4

Duke e ndier se kishte dështuar, Oliveri shkoi te Jozefi dhe e dëgjoi Zotin të thoshte: “Unë e kujtoj shërbëtorin tim Oliver Granger; … dhe kur të bjerë, ai do të ngrihet përsëri, sepse sakrifica e tij do të jetë më e shenjtë sesa suksesi i tij” (DeB 117:12‑13). Nga Oliveri ne mësojmë se rezultati që po kërkon Perëndia, nuk është që ne gjithmonë të gjejmë zgjidhjen e saktë për sfidat tona, por qe ne të rritemi duke u përballur me to.

Përparimi mund të jetë i ngatërruar

Ne jemi këtu që të mësojmë e të rritemi, por rritja nuk vjen pa kundërshti. Ne të gjithë bëjmë gabime, tha Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, por “fati ynë nuk përcaktohet nga numri i herëve që pengohemi, por nga numri i herëve që ngrihemi, shkundim pluhurin dhe lëvizim përpara”5.

Shënime

  1. Shih “Lucy Mack Smith, History, 1844–1845”, libri 7, faqet 5–6. Për më shumë mësime nga kjo përvojë, shih Keith W. Perkins, “Thou Art Still Chosen”, Ensign, janar 1993, f. 14–19.

  2. Jozefi më vonë dha mësim: “Jehovai i madh parashikoi gjithë ngjarjet lidhur me tokën, që i përkasin planit të shpëtimit, përpara se të shpalosej në ekzistencë. … Ai e di situatën si për të gjallët ashtu edhe për të vdekurit dhe ka marrë masa të mjaftueshme për shëlbimin e tyre” (në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 434-435).

  3. Bruce C. Hafen, “The Atonement: All for All”, Liahona, maj 2004, f. 97.

  4. Shih Boyd K. Packer, “The Least of These”, Liahona, nëntor 2004, f. 86–88; shih edhe The Joseph Smith Papers, History, 1838–1856, vëllimi B–1 [1 September 1834–2 November 1838], f. 837.

  5. Diter F. Uhtdorf, “Ti Mund t’ia Dalësh Tani!” Liahona, nëntor 2013, f. 55.