2020
Mendoni se Nuk Keni një Qëllim si i Ri ose e Re në Moshë Madhore? Mendojeni Sërish
Prill 2020


Mendoni se Nuk Keni një Qëllim si i Ri ose e Re në Moshë Madhore? Mendojeni Sërish

Mendimi për të udhëhequr në Kishë një ditë mund të jetë i frikshëm, por ka mënyra se si mund të filloni të udhëhiqni tani.

Në ditët që do të paraprijnë Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit, do të ketë “luftëra dhe ushtima luftërash.

… Do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ketë zi buke dhe murtajë, dhe tërmete në vende të ndryshme.

Dhe përsëri, duke qenë se paudhësia do të shumohet, dashuria e njerëzve do të ftohet” (Joseph Smith – Mateu 1:28–30).

Në mes të një trazire të tillë, kush do të ndihmojë për t’i udhëhequr sërish vëllezërit dhe motrat tona, si brenda dhe jashtë tufës, drejt Atit tonë Qiellor?

Kjo është koha kur ne futemi në skenë.

Si Duhet të Udhëheqim

Ne jemi quajtur një nga brezat më të shkëlqyer të të rinjve dhe të rejave në moshë madhore. Presidenti Rasëll M. Nelson na përshkruan si ata “të cilë[ve] Perëndia [u] mirëbesoi mjaftueshëm sa t[’i] dërgonte në tokë gjatë periudhës ungjillore më kërkuese në historinë e kësaj bote” (“Qëndroni si Mijëvjeçaristë të Vërtetë”, Liahona, tetor 2016, f. 46).

Pra, si mund ta përmbushim kapacitetin tonë për t’u bërë udhëheqës të shkëlqyer në Kishën e Zotit? Epo, nëse e hidhni vështrimin përreth, ju mund të vëreni se në një mënyrë ose tjetër ju jeni tashmë një udhëheqës.

Ju mund të udhëhiqni në një thirrje në Kishë. Si misionar/e, ju mund të udhëhiqni në një diskutim, të jeni në ngarkim të një aktiviteti predikues ose të caktoheni si udhëheqës zone apo motër udhëheqëse. Ju mund të jeni një udhëheqës/e në familjen tuaj apo midis miqve tuaj. Ju mund t’i çoni paraardhësit tuaj drejt shpëtimit nëpërmjet punës për historinë familjare. Ju madje mund të bëheni një udhëheqës politik dhe gjithmonë mund të udhëhiqni në çfarëdo profesioni që zgjidhni.

Por pyetja është, si duhet të udhëheqim ne? Shpëtimtari udhëhoqi nëpërmjet shembullit të Tij. Ai udhëhoqi me “Eja, më ndiq” në vend të “Mënyra ime është më e mirë”. Ai shërbeu, dha mësim, i deshi dhe u kujdes për ata që ishin përreth Tij. Jezu Krishti është shembulli kryesor i një udhëheqësi. Dhe për t’u bërë një brez i shkëlqyer udhëheqësish, ne mund të fillojmë duke u përpjekur fort që të jemi si Shpëtimtari dhe duke bërë këto gjëra të vogla:

  1. Lutuni për ata që janë në vështirësi, që kanë nevojë për ndihmë, ose për të cilët jeni përgjegjës, dhe kërkoni të dini se si t’i ndihmoni. Lutuni për ata me emër, si individë, ashtu siç Shpëtimtari dha shërbesë, “një nga një” (3 Nefi 11:15).

  2. Gjeni kohë për t’i hulumtuar shkrimet e shenjta posaçërisht për shembuj të mirë të udhëheqjes, veçanërisht nga Vetë Shpëtimtari.

  3. Lutuni për lagjen tuaj, kunjin dhe drejtuesit e përgjithshëm të Kishës. Lutuni gjithashtu për udhëheqësit e qeverisë, që ata të mund të frymëzohen dhe të punojnë në frymën e paqes e të unitetit.

  4. Njihuni me njerëzit që janë rreth jush. Mësoni në lidhje me interesat e tyre, familjet e tyre, studimet e tyre dhe dëshirat e pasionet e tyre në jetë (shih Efesianëve 2:19).

  5. Lexojeni bekimin tuaj patriarkal dhe përsiatni se si mund të bëheni vetja juaj më e mirë.

Ndërsa bëjmë më të mirën për të udhëhequr në drejtësi, ne bëhemi dishepuj dhe pasues të vërtetë të Jezu Krishtit dhe kualifikohemi për shoqërimin e Frymës së Shenjtë. Ndërsa i bëjmë dhe i nderojmë besëlidhjet e shenjta, ne kemi të drejtë të marrim përgatitjen e nevojshme dhe armaturën shpirtërore për të shkuar në betejë kundër kundërshtarit.

Ju Mund të Filloni Tani

Çfarë lloj udhëheqësi do të jeni? Ose, për të cituar Shpëtimtarin: “Çfarë lloj [udhëheqësi] duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27).

Ndërsa i afrohemi Ardhjes së Dytë, Zoti do të ketë nevojë për më shumë udhëheqës të drejtë, të cilët do ta ndjekin profetin e Tij dhe do të mobilizohen në këtë betejë. Ai ka nevojë për ne. Jemi në orën e 11‑të dhe kemi shumë për të bërë. Ne mund të fillojmë të përgatitemi tani për t’u bërë një brez i shkëlqyer udhëheqësish. Nuk është kurrë shumë vonë për të filluar! Nëse ka gjëra për të cilat duhet të bisedoni me peshkopin tuaj, ai mund t’ju ndihmojë në rrugën e pendimit. Nëse keni nevojë për udhëzime se si të përmirësoheni, filloni duke përmirësuar marrëdhënien tuaj me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin; Ata mund t’ju tregojnë se ku të shkoni prej andej. Ju dhe unë jemi thirrur tani për të bërë punën e Zotit dhe për ta ndihmuar profetin tonë të udhëheqë shtëpinë e Izraelit drejt sigurisë dhe, nëse thjesht përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë, ne do t’ia dalim mbanë.