2020
COVID-19: Një Mundësi për t’u Përqendruar Sërish te Zemra e Ungjillit
Nëntor 2020


COVID-19: Një Mundësi për t’u Përqendruar Sërish te Zemra e Ungjillit

Gjatë gjithë historisë, ka pasur gjithnjë periudha të vështira. Sot, po përballemi bashkërisht me fatkeqësi të rënda të shkaktuara nga COVID-19. E kemi dëgjuar gjithnjë e më shumë: Këto janë kohë të pashembullta. Shumë prej nesh janë të shqetësuar rreth shëndetit të tyre dhe mirëqenies së njerëzve të tyre të dashur. Të gjithë i kemi ndier pasojat ekonomike dhe emocionale të shkaktuara nga ky virus. Duket sikur asgjë nuk është normale. Shërbimi misionar dhe puna në tempull janë ndërprerë. Shumë njerëz po ndihen të mbingarkuar nga detyra e ndryshimit të rutinës në shtëpi.

Përballja me një të ardhme të pasigurt mund të shkaktojë ndjenja ankthi madje edhe paniku – me gjasë e keni ndier këtë. Por në mes të gjithë këtij kaosi, ka shpresë! Pavarësisht pasigurive dhe ndryshimeve, thelbi dhe themeli i ungjillit nuk kanë ndryshuar:

  • Mbledhjet dhe tubimet formale të kishës mund të jenë anuluar ose kufizuar përkohësisht, por të jetuarit e ungjillit, jo! Ne mund të vazhdojmë të adhurojmë, të japim shërbesë dhe ta ushtrojmë ungjillin në shtëpitë tona.

  • Perëndia është ende lart në qiell.

  • Biri i Tij, Jezu Krishti, qëndron ende në krye të kësaj vepre. Ai i kupton vështirësitë e botës si edhe vështirësitë tona vetjake. Ai ka premtuar: “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju” (Gjoni 14:18). Ai e dërgon Frymën e Shenjtë që të jetë me ne1.

  • Perëndia ka thirrur profetë, shikues dhe zbulues. Dhe nëpërmjet tyre, Ai ka vendosur pikërisht atë që na nevojitet për ta përballuar këtë stuhi2. Mendoni për programin e ri mësimor të përqendruar te shtëpia, bashkë me përshtatje të tjera, që na ka ndihmuar të përgatitemi për këtë kohë dhe për të jetuar e dhënë shërbesë në mënyra më të larta e më të shenjta3. Këto ndryshime të fundit nuk janë rastësi – ato u vendosën nga një Perëndi i gjithëdijshëm dhe i dashur.

Pavarësisht nga kaosi dhe me këto gjëra në mendje, ne mund të përqendrohemi sërish te zemra e ungjillit, që përfshin besimin në Zotin Jezu Krisht.

Por si mund ta ushtrojmë atë besim? Që nga fillimi, Zoti ka lejuar që dishepujt e Tij të përballonin sfida pa i pasur të gjitha përgjigjet. Rrënjët tona të besimit shkojnë më thellë kur na duhet ta ushtrojmë lirinë e zgjedhjes dhe të shkojmë përpara me gjithë pasigurinë. Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e përsëriti këtë duke thënë: “Ti nuk di çdo gjë, por ti di mjaftueshëm!”4

Historia e Nefit dhe e vëllezërve të tij që u përpoqën të merrnin fletët prej tunxhi, është një shembull i shkëlqyer i kësaj. Ata e dinin se çfarë u nevojitej të bënin: të merrnin fletët! Ata madje kishin një ide të mirë se përse duhej ta bënin. Ata thjesht nuk dinin se si ta bënin atë. Pasi dështuan dy herë (shih 1 Nefi 3:10–27), Nefi nuk mund të mbështetej më tek aftësitë e veta. Në vend që të hiqte dorë, ai u përpoq edhe një herë. Vini re zbatimin e drejtpërdrejtë të fjalëve të Nefit ndaj situatës sonë sot:

“Unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja.

Megjithatë, vazhdova të ecja” (1 Nefi 4:6–7).

Pavarësisht pikëpyetjeve të shumta në jetën tonë, nëse “vazhdojmë” përpara si Nefi, duke i mirëbesuar Perëndisë e duke ndjekur profetët e Tij dhe duke u përqendruar te besimi, Ai do të na udhërrëfejë e do të na japë formë. Në një pikë të caktuar në këtë proces, pikëpyetjet tona problematike do të bëhen pikëçuditje themelore.

Le ta rritim besimin tonë në Jezu Krisht, mirëbesimin tonë te shërbëtorët e Tij dhe dashurinë tonë për njëri‑tjetrin teksa përballemi me të ardhmen. Kjo kohë shqetësimi dhe vështirësie mbarëbotërore mund të bëhet mundësi e shenjtë për ne që të vijmë më afër Tij. Teksa e bëjmë këtë, paqja e Tij e ëmbël do ta mbushë shpirtin tonë edhe në mes të trazirave dhe ne do të gjejmë forcën dhe përgjigjet që na nevojiten.

Shënime

  1. Shih edhe Gjoni 14:1, 26–27; 15:26; 16:13–14, 33.

  2. Shih M. Rasëll Ballard, “Perëndia Është në Timon”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 24–27.

  3. Shih Rasëll M. Nelson, “Fjala e Mbylljes”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 121.

  4. Nil L. Andersen, “Ju Dini Mjaftueshëm”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 13.