Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
Mëso nga Unë


2:3

Mëso nga Unë

Një Mbrëmje me Plakun D. Tod Kristoferson

Bisedë drejtuar Mësuesve Fetarë të SAK-ut • 26 janar 2018 • Tabernakulli i Solt‑Lejkut

Jam mirënjohës që jam me ju sonte. Më lejoni të ofroj një fjalë dashurie dhe vlerësimi për mësuesit e brezit të ri në seminar, institut dhe arsimin fetar në shkollat, kolegjet dhe universitetet e Kishës. Unë ju dua dhe jam mirënjohës për punën tuaj të mrekullueshme. Jam gjithashtu mirënjohës për familjet tuaja dhe përkrahjen që ju japin. Ju jeni një bekim i madh për rininë dhe për të rinjtë e rritur që ju i mësoni.

Sonte dua t’ju shpreh një mendim që shpresoj se do të jetë i dobishëm ndërsa përpiqeni t’i ndihmoni studentët tuaj të mësojnë thellësisht në ungjillin e Jezu Krishtit. Mësimi i thellë në ungjill, mësimi me gjithë zemër dhe shpirt, ndodh kur studentët tanë rriten në fuqinë e tyre për të bërë tre gjëra:

  1. Rriten në njohjen dhe të kuptuarit e ungjillit me mendjet e tyre dhe zemrat e tyre.

  2. Ndërtojnë mbi atë njohuri, për të zhvilluar aftësi për veprim të efektshëm dhe të drejtë.

  3. Rriten në cilësi dhe karakter si të Krishtit për t’u bërë gjithnjë e më shumë si Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

Zoti Jezu Krisht, në dy shkrime të shenjta, drejton një ftesë për të mësuar thellësisht. I pari është Mateu 11:28–29: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.”1

I dyti është Doktrina e Besëlidhje 19:23: “Mëso nga unë dhe dëgjoji fjalët e mia; ec në butësinë e Shpirtit tim dhe ti do të kesh paqe në mua”2.

Në të dy fragmentet, Zoti drejton ftesën: Mëso nga unë. Sikurse vërejti Plaku Nill A. Maksuell shumë vite më parë, kjo ftesë përqendrohet në fuqinë shëlbuese të Zotit Jezu Krishtit dhe është një ftesë për të mësuar thellësisht. Plaku Maksuell tha: “Ka shumë mënyra të veçanta me anë të të cilave mund ta krahasojmë veten … [me] shkrime të shenjta rreth Jezusit dhe Shlyerjes, por të gjitha përfshihen në këtë ide: ‘Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë’3. Në fakt, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të mësuar thellësisht!”4

E vetmja mënyrë për të mësuar thellësisht është mënyra e Zotit – me anë të zbulesës dhe frymëzimit nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, me anë të studimit dhe përpjekjes aktive e të zellshme, si dhe me anë të mësimdhënies ndaj njëri‑tjetrit në prani të hirit të Jezu Krishtit.5

Kjo do të thotë që ftesa e Shpëtimtarit për të “mësuar nga [Ai]” ka dy kuptime të ndërlidhura që përputhen në një mënyrë të këndshme me mënyrën e Zotit për të mësuar thellësisht.

Kuptimi i parë i fjalisë “mëso nga unë” është: Mësoni të më njihni mua.

Ne mësojmë ta njohim Jezu Krishtin duke pasur besim tek Ai dhe duke iu drejtuar Atij për t’u penduar, për të kërkuar faljen e Tij dhe fuqinë e Tij shëlbuese, dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij. Ta njohësh Atë është të jesh shpirtërisht i lindur prej Tij, duke përjetuar një ndryshim të fuqishëm të zemrës, duke u bërë bij dhe bija të Tij. Të mësuarit se si ta njohësh Jezu Krishtin na hap zemrat dhe mendjet ndaj ndikimit të Frymës së Shenjtë dhe na sjell siguri për dashurinë e Zotit.

Kuptimi i dytë i fjalisë “mëso nga unë” është: Mëso prej meje.

Vetë Zoti Jezu Krisht e di saktësisht se çfarë na duhet. Njohuria dhe të kuptuarit e Tij, inteligjenca e Tij dhe karakteri i Tij janë të gjitha të përkryera, të plota. Ndërsa zhytemi në shkrimet e shenjta, ne mësojmë nga shembulli i Tij i përkryer. Për shkak se Ai është personifikimi i çdo cilësie dhe karakteristike hyjnore, studimi i ungjillit prej nesh duhet të përqendrohet tek Ai. Ndërsa arrijmë ta njohim Atë, Ai na premton të na ndihmojë të mësojmë thellësisht prej Tij. Sigurisht, ne duhet të veprojmë me besim në Jezu Krishtin për të bërë pjesën tonë, por, ndërsa e bëjmë, Ai na premton për të na dhënë njohuri dhe për ta përshpejtuar të kuptuarit tonë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ai na premton ta rritë aftësinë tonë për veprim të drejtë dhe të na ndihmojë të bëhemi më shumë si Ai. Ky është të mësuarit e thellë.

Ju dhe unë e dimë se këto gjëra janë të vërteta. Nëse jemi besnikë, Zoti do të na mësojë rresht pas rreshti, parim pas parimi gjatë gjithë jetës sonë.

Të dashur vëllezër e motra të mia, unë ju ftoj ta besoni sinqerisht ftesën e Shpëtimtarit për të mësuar prej Tij. Ndërsa e bëni këtë, ju do të mësoni thellësisht dhe do t’i ndihmoni studentët tuaj të mësojnë thellësisht gjithashtu. Unë ju ftoj gjithashtu të jepni dëshmi personalisht mbi këto të vërteta të përjetshme. Do të jetë aq e fuqishme për studentët tuaj t’ju dëgjojnë të jepni dëshmi nga vetë përvoja juaj në njohjen e Zotit dhe të mësuarit prej Tij.

Dhe kështu unë i mbyll komentet e mia për sonte me vetë dëshminë time vetjake. Unë e di se Perëndia jeton dhe se Jezusi është Krishti! Unë e njoh dashurinë e Shpëtimtarit dhe fuqinë e Tij shëlbuese nga vetë përvoja ime dhe nga zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Është përulëse dhe e gëzueshme të marrësh mësim nga Zoti Jezu Krisht. Unë dëshmoj se premtimet e Tij janë të vërteta. Mësimi thellësisht është i vërtetë dhe ai është privilegji ynë dhe privilegji i studentëve tanë të çmuar. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.