Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
“Përdorini Zemrat Tuaja që të Kuptoni”


2:3

“Përdorini Zemrat Tuaja që të Kuptoni”

Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm • 8 Shkurt 2019 • Tabernakulli i Solt‑Lejk‑Sitit

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, është gëzim të shërbesh me ju në këtë vepër të madhe. Unë ju shpreh dashurinë dhe mirënjohjen time për gjithë punën kuptimplote që bëni për të ndihmuar brezat në rritje të rinisë dhe të të rinjve e të rejave në moshë madhore për t’u mësuar thellësisht në ungjillin e Jezu Krishtit.

Kur të mësuarit e ungjillit është i thellë, studentët tanë rriten 1) në njohuri e të kuptuar, 2) në aftësinë për veprim të drejtë e të efektshëm dhe 3) në të bërit gjithnjë e më shumë si Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor.

Të kuptuarit e ungjillit është një lidhje vendimtare midis njohurisë së ungjillit dhe veprimit të drejtë e të efektshëm. Unë dua t’ju tregoj sonte disa mendime të shkurtra rreth asaj që mund të bëjmë për t’i ndihmuar studentët tanë të rriten në të kuptuarit nga ana e tyre të ungjillit të Jezu Krishtit.

Unë po filloj me atë frazë të mrekullueshme që përdori Abinadi për të qortuar priftërinjtë e Mbreti Noe: “Ju nuk i keni përdorur zemrat tuaja që të kuptoni; prandaj ju nuk keni qenë të urtë”1.

Priftërinjtë i kishin shkrimet e shenjta dhe ata dinin rreth ligjit dhe profetëve, por ata nuk i kishin përdorur zemrat e tyre që të kuptonin. Zemra është qendra simbolike e vullnetit tonë, dëshirave tona, zotimeve tona, vlerave dhe përparësive tona, ndjenjave tona dhe dëshmisë sonë për të vërtetën.2

Të kuptuarit e ungjillit është shumë më tepër sesa një përvojë njohjeje.3 Është një përvojë shpirtërore në të cilën Fryma e Shenjtë dëshmon për të vërtetën, ndriçon mendjet tona dhe ndryshon zemrat tona.4 Të kuptuarit e zemrës është dhuratë e Shpirtit.

Kur një nga studentet tuaja dëshiron ta përdorë zemrën për të kuptuar një parim të ungjillit si besimi në Jezu Krisht, ajo duhet të ushtrojë lirinë e saj të zgjedhjes për të zgjedhur Jezu Krishtin e për ta jetuar atë parim. Përvoja e saj me parimin është porta për te zemra e saj. Veprimi i saj e autorizon Frymën e Shenjtë të dëshmojë, të sqarojë dhe të ndryshojë mënyrën se si zemra e saj e përqafon Zotin dhe atë parim.5 Teksa ajo vijon ta jetojë atë parim, të reflektojë mbi përvojën e saj dhe të dëshmojë për çka ajo e di se është e vërtetë, të kuptuarit e saj për besimin do të rritet dhe zemra e saj do të ndryshojë:

  • Vullneti, dëshirat, dhe përparësitë e saj mbi të vepruarit me besim te Shpëtimtari përputhen më ngushtësisht me vullnetin e Tij.

  • Besëlidhjet e saj me Zotin përcaktojnë më thellësisht zotimin në zemrën e saj për të vepruar me besim tek Ai.

  • Ndjenjat e saj të dashurisë, përkushtimit, gëzimit dhe besimit te Zoti bëhen më të thella dhe më të forta.

  • Dëshmia vetjake e saj për të vërtetën e besimit në Jezu Krisht dhe për fuqinë e dashurinë e Zotit do të rritet.6

Çfarë mund të bëjmë ju dhe unë si mësues të ungjillit për t’i ndihmuar studentët tanë të përdorin zemrat e tyre që ta kuptojnë doktrinën e Jezu Krishtit? Me lejoni t’ju tregoj një histori që besoj se ka ide të rëndësishme për ne.

Një mësues mblodhi një grup fëmijësh të klasave të katërta dhe në disa minuta u tregoi rreth Martin Luterit, priftit katolik gjerman që ishte një figurë e rëndësishme e Reformacionit Protestant në Europë.7 Ai pastaj u dha fëmijëve një pyetësor të shkurtër. Nxënësit, gjithsesi, iu përgjigjën pyetjeve si të kishin marrë mësim mbi Martin Luter King të Riun, udhëheqësin amerikan për të drejtat e njeriut; ata nuk iu përgjigjën saktë asnjë pyetjeje.

Atëherë mësuesi mblodhi një grup të dytë me nxënës të klasës së katërt. Sidoqoftë, kësaj here ai filloi me një pyetje: “Sa nga ju e dinë se cili ishte Martin Luter Kingu i Riu?” Të gjitha duart u ngritën. Ata fëmijë dinin plot mbi Martin Luter King të Riun. Atëherë mësuesi pyeti: “A dini përse prindërit e Martin Luter King të Riut e quajtën Martin Luter–King?” Asnjë nuk e dinte. Ai atëherë tha: “Unë do t’jua tregoj përse”. Ai pastaj u mësoi atyre rreth Martin Luterit, duke përdorur po atë informacion që përdori me grupin e parë. Kur ai u dha atyre të njëjtin pyetësor, grupi i dytë iu përgjigj saktë të gjitha pyetjeve.

Grupi i parë i nxënësve nuk mësoi absolutisht asgjë mbi Martin Luterin.8 Por në grupin e dytë, mësuesi e lidhi Martin Luterin me Martin Luter King të Riun, dikë për të cilin nxënësit dinin shumë dhe kishin ndjesi të forta.

Pyetjet e mësuesit dhe diskutimi i tij me ta hapën mendjet dhe zemrat e nxënësve për informacion të ri dhe ndjesi të reja. Ata jo vetëm mësuan mbi Martin Luterin, por ai mësim rriti gjithashtu të kuptuarit e tyre për Martin Luter King të Riun.

Ngjarja na mëson për krijimin e përvojave që do t’i ndihmojnë studentët tanë ta përdorin zemrën e tyre për të kuptuar parime të ungjillit. Dy dalin në pah:

  1. Së pari, ka një fuqi të madhe në lidhjen e parimit me vetë përvojën e tyre dhe me atë që tashmë e dinë dhe e kuptojnë. Përvoja vetjake vërtet është porta për te zemra e tyre.

  2. Është tejet e rëndësishme të përdoren pyetje – si pyetje që bëjmë ne dhe po ashtu pyetje që bëjnë nxënësit. Pyetjet hapin mendjet e tyre dhe zemrat e tyre.

Këto janë ide të fuqishme. Unë ju ftoj t’i përdorni ato bashkë me dy të tjera:

  1. Jepeni qëllimisht mësim procesin. Vënia në punë e zemrave për të kuptuar është një proces shpirtëror; kuptimi me zemër është dhuratë shpirtërore. Lutemi mësojuni studentëve se si funksionon procesi. I ndihmoni ta ndiejnë përgjegjësinë e tyre për ta përdorur lirinë e tyre të zgjedhjes për të zgjedhur Zotin e për t’i jetuar parimet. Mësojuni të reflektojnë mbi atë që përjetojnë dhe të tregojnë çka kanë mësuar e të japin dëshmi për të vërtetën. Hiri i Jezu Krishtit do t’i ndihmojë ndërsa e mësojnë njëri‑tjetrin.9

  2. Përqendrohuni te Shpëtimtari. Është doktrina e Tij dhe drita, dhe dashuria, dhe fuqia e Tij që iu nevojitet; të gjitha gjërat vijnë së bashku në Të. Kur sjellim dëshmi për Të dhe i lidhim parimet me Të, Fryma e Shenjtë do të japë dëshmi për të vërtetën, do të japë mësim dhe sqarojë.

Ndërsa i bëni këto gjëra dhe shumë të tjera, Fryma e Shenjtë do të dëshmojë për të vërtetën, veçanërisht që Jezusi është Krishti. Ai do t’i mësojë studentët tuaj një nga një. Ai do të ndryshojë zemrat e tyre dhe ata do të rriten në të kuptuarit e tyre të ungjillit të Jezu Krishtit. E di që kjo është e vërtetë. Unë po e mbyll me dashurinë time dhe dëshminë time, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mosia 12:27.

  2. Shih Merriam-Webster.com Dictionary, “Heart”, merriam-webster.com.

  3. Për informacion të mëtejshëm mbi marrëdhënien midis zemrës dhe të kuptuarit të ungjillit, shih: David A. Bednar, Increase in Learning (2011), f. 66–70.

  4. Mendja jonë është pjesë e rëndësishme e këtij procesi, sigurisht. Por nëse përdorim vetëm mendjen tonë dhe nuk “e pri[jmë] zemrën [tonë] ndaj arsyes” (Fjalët e Urta 2:2), ne nuk do ta kuptojmë vërtet parimin. Ne do të dimë rreth tij, por ne nuk do ta kuptojmë vërtet atë në mënyrën që Zoti synon. Për më tepër, kur flasim për rritje të të kuptuarit në zemrën tonë, ne po flasim rreth ndryshimit të zemrës sonë.

  5. Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi këtë parim: “Zoti nuk do t’ju detyrojë të mësoni. Ju duhet të ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes për të autorizuar Shpirtin që t’ju mësojë. Kur e bëni këtë një praktikë të jetës suaj, do të jeni më të mprehtë ndaj ndjenjave që vijnë me udhëheqjen shpirtërore” (“Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 8; shih edhe f. 6–9).

  6. Ka një parim shumë të rëndësishëm dhe të fuqishëm që funksionon këtu. Si në të gjitha gjërat, Jezusi na tregoi mënyrën. Jezusi pati një njohuri të përsosur të dobësive dhe pasigurive tona, por Ai zgjodhi t’i vuante ato në mish (shih Alma 7:11). Ai e bëri këtë që Ai të mund të zbriste nën gjithçka e të kuptonte të gjitha gjërat në zemrën e Vet, që Ai të mund të mbushej me mëshirë e të kishte mirëkuptim dhe fuqi të përsosur për të na shëlbuar, forcuar e ndihmuar. Kjo ide që, në zgjedhjen e Tij për të marrë mbi Vete lëngatat tona në mishin e Tij, Jezusi u rrit në të kuptuar përtej asaj që Ai e dinte mendërisht, është shpjeguar bukur në bisedën e Plakut Neal A. Maxwell “Willing to Submit” (Ensign, maj 1985, f. 70–73).

    Më vonë në Gjetseman, nëpërmjet vuajtjes së Tij, Jezusin filloi “ta zërë frika” (Marku 14:33), ose, në greqisht, të ishte “i tmerruar” dhe “i habitur”. Përfytyroni Jehovën, Krijuesin e kësaj bote dhe të botëve të tjera, “të habitur”! Jezusi e dinte mendërisht çfarë duhej të bënte, por jo në praktikë. Ai nuk e kishte njohur vetë kurrë më parë procesin therës dhe kërkues të një shlyerjeje. Kështu, kur agonia arriti në plotësinë e saj, ishte aq e madhe, shumë më e madhe sesa Ai madje me intelektin e Tij të pashoq e kishte përfytyruar ndonjëherë! Nuk është çudi që u shfaq një engjëll për t’i dhënë forcë Atij (shih Lluka 22:43)!

    Ka shumë shkrime të shenjta që e bëjnë të qartë se ne marrim bekime (si dhurata shpirtërore e të kuptuarit të një parimi të ungjillit) vetëm pasi veprojmë për ta jetuar parimin (shih Gjoni 7:17; Gjoni 8:31–32; Efesianëve 1:17–21; Mosia 12:27; Alma 32:28; Ethëri 12:6; Doktrina e Besëlidhje 88:4; Doktrina e Besëlidhje 130:10–11).

  7. Ky tregim bazohet te James E. Zull, The Art of Changing the Brain: Enriching the Practice of Teaching by Exploring the Biology of Learning (2002), f. 124–125.

  8. Studentët në grupin e parë e përpunuan çdo gjë që dëgjuan, në kuadrin e krijuar të tyre mbi njohurinë rreth Martin Luter King të Riut. Kur dëgjuan fjalët “Martin Luter”, ata i lidhën ato fjalë me fjalën “King” dhe aktivizuan kuadrin e krijuar të tyre. Me plot kuptimin e fjalës ata nuk kuptuan asgjë rreth Martin Luterit.

  9. Shih Doktrina e Besëlidhje 88:77–78.