Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
Jezu Krishti Është Përgjigjja


2:3

Jezu Krishti është Përgjigjja

Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm • 8 shkurt 2019 • Tabernakulli i Solt‑Lejk‑Sitit

Të dashur vëllezër dhe motra, ju që jeni këtu në Tabernakull në Sheshin e Tempullit dhe ju që jeni mbledhur anembanë botës, unë dhe motra Rasband jemi të nderuar të jemi këtu me ju. Hedh vështrimin pas te ndikimi jetëndryshues që mësuesit e seminarit dhe të institutit patën tek unë. Edhe tani mund t’i shoh gjurmët që lanë mësuesit e mi në mënyrën se si i studioj shkrimet e shenjta dhe, veçanërisht, në atë se sa shumë e dua Librin e Mormonit.

Unë çmoja gjithashtu përvojën shoqërore të të qenit në një vend të sigurt me miqtë e mi, me të cilët kënaqeshim të ishim së bashku në një mjedis ungjillor. Në shkollë të mesme e kalonim kohën në ndërtesën e seminarit dhe në kolegj te instituti. Veçanërisht mezi prisja që ta çoja Melani Tuiçëllin në mbrëmjet e vallëzimit të institutit. Melania tani është bashkëshortja ime e bukur dhe e mrekullueshme.

Si mësues të seminarit dhe institutit, ju punoni shumë fort për të sjellë shpirtra te Jezu Krishti. Ju luteni për studentët tuaj; ju studioni që të mund t’u përgjigjeni pyetjeve të tyre; ju përgatiteni shpirtërisht që të jepni mësim me anë të Shpirtit; ju i lartësoni dhe i përfshini dhe i qartësoni të vërtetat e ungjillit.

Kur Zoti kërkon ata që mund ta ndihmojnë një student i cili po has vështirësi, një të ri që është i pasigurt në dëshminë e tij, një nga fëmijët e Tij të çmuar të cilit po i përkeqësohet dëshmia dhe të kuptuarit, Ai ju ka përgatitur ju që të vini në ndihmë duke punuar në grup me prindërit dhe udhëheqësit e Kishës. Ju qëndroni përpara studentëve tuaj dhe ripohoni të vërtetën se Jezu Krishti jeton, se Ati ynë në Qiell e do secilin prej nesh dhe se ne kemi një vend në planin e Tij të përjetshëm. Dhe më e rëndësishmja, ju vërtet e besoni këtë.

Ju jeni, ashtu siç Plaku Xhefri R. Holland e ka thënë kaq shpesh, “një mësues i ardhur nga Perëndia”1.

“Sa mijëra … janë sjellë t’i këndojnë dashurisë shëlbuese dhe kjo për shkak të fuqisë së fjalës së tij që është te [ju], prandaj, a nuk ke[n]i shkak të madh të gëzohe[n]i?

Po, [ju] ke[n]i arsye që ta lavdëro[ni] atë përgjithnjë, pasi Ai është Perëndia Më i Lartë.”2

Prapëseprapë, me raste, barra e lartësimit, mësimdhënies dhe inkurajimit të të rinjve është thuajse më e madhe nga sa mund të mbani. Zoti e di se kjo punë e sjelljes së shpirtrave tek Ai mund të jetë e vështirë. E mësova këtë si president misioni në Nju‑Jork‑Siti, kur ky shkrim i shenjtë tek Alma jehoi brenda shpirtit tim: “Tani, kur zemrat tona ishin të dëshpëruara dhe ishim gati të ktheheshim prapa, vini re, Zoti na ngushëlloi dhe tha: Shkoni mes vëllezërve tuaj, Lamanitëve dhe mbani me durim vuajtjet tuaja dhe unë do t’ju jap juve sukses”3.

Kundërshtari nuk është i kënaqur me atë që ka larguar nga mbretëria e Perëndisë në tokë deri tani. Ai do më shumë. Ai është agresiv dhe i pamëshirshëm. Shënjestra e tij janë ata të cilët janë nën kujdesin tuaj; shohim që disa prej tyre po “mpaken nga frika”4.

e re duke menduar

Disa studentë dalin nga binarët, por me Shpirtin e Zotit, ju mund të ndihmoni për t’i sjellë përsëri në udhë. Kujtoni fjalët e Palit: “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatër[r]uar”5.

Përse?

Sepse kauza e Krishtit na fton me premtimin e përjetshëm: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”6.

Zoti ka thënë: “Prandaj, merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah; dhe ju do të jepni dëshmi për mua, madje Jezu Krishtin, që jam Biri i Perëndisë së gjallë, që isha, që jam dhe që do të vij”7.

Ne nuk mund të “m[arrim] zemër”8dhe të zhytemi në frikë. Të dyja – marrja zemër dhe frika – e përjashtojnë njëra‑tjetrën. Dhe nëse ndjekim urdhrin e Zotit – nëse marrim zemër – ne do të jemi gati të dëshmojmë për Të, Shpëtimtarin e botës. Do ta njohim Atë për atë që Ai është dhe do ta pranojmë rolin vendimtar që ka Ai për të na ngritur përtej dhe mbi trillet e botës.

Të marrim zemër do të thotë t’i mirëbesojmë Atij kur gjërat nuk shkojnë siç planifikuam. Do të thotë të këmbëngulim kur detyra e kthesa të vështira në jetë na çojnë në drejtime të papritura, kur tragjedia dhe vështirësia i shkatërrojnë ëndrrat tona. Por Zoti na kujton: “Në këtë botë gëzimi juaj nuk është i plotë, por në mua gëzimi juaj është i plotë”9.

Ju mund ta kuptoni në klasat tuaja se cilët studentë e përjetojnë të “m[arrit] zemër”. Ata kanë ende sfida dhe probleme, por përballen me to me besim e mirëbesim te Perëndia. Ata ulen në klasa, të emocionuar për t’iu përgjigjur pyetjeve, plot shpresë për t’i ditur të vërtetat që po jepen mësim dhe të sigurt në atë që janë. Për ata, “Fëmi’ i Per’ndis’ jam”10është si njohuri edhe siguri, jo thjesht një kujtim i mbajtur mend nga të kënduarit në Fillore. Ata vijnë duke kërkuar përvoja, ide dhe kontekste shpirtërore, të cilat do t’i ndihmojnë të gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre. Ata dëshirojnë ta përforcojnë shpresën e tyre ndërsa lundrojnë në një botë që grindet, dhe pavarësisht nga trysnitë e shumta, drita në sytë e tyre e tejkalon lodhjen e jetës së përditshme.

Kur isha në seminar dhe institut – mund të them se duket si shumë kohë më parë – studentët vinin në klasë duke besuar, ose kështu më dukej mua. Ata nuklëkundeshinnga ajo që gjenin në internet, sepse nuk kishte internet. Ata nuk mbartnin në shpinë shqetësimet që bota u hidhte rreth fesë, zbulesës, profetëve apo besimit në Perëndi.

Po studentët në rreshtin e fundit që i zë gjumi mbi libra? Apo vajza që pikërisht kohët e fundit i qethi fare flokët dhe as nuk të sheh në sy? Ata të dy që zakonisht hynin në klasë duke biseduar të lumtur dhe tani mezi i flasin njëri‑tjetrit? Po studenti i shkëlqyer që duket se e ka humbur interesin për diskutimin e ungjillit dhe tani më shumë mungon se sa vjen në klasë? Po pamjet e zbrazëta të disave, vështrimet e tyre bosh, dhe përpjekjet e tyre po ashtu? Disa studentë vijnë në klasë, ulen dhe më pas dalin vjedhurazi nga dera, duke mos marrë asgjë me vete – madje as Shpirtin. Stresi, frika, tundimi, kriza dhe zhgënjimi mbizotërojnë në jetën e tyre të çmuar.

i ri duke u ndier i brengosur

A e pyetni ndonjëherë veten: “Çfarë po ndodh këtu?” Unë po!

Frikë dhe dëshpërim: kjo është ajo që po ndodh. Frikë se nuk pranohen nga miqtë. Frikë për arritjet akademike, trysnitë dhe problemet në shtëpi që nuk mund t’i zgjidhin. Frikë se nuk mund t’i besojnë askujt dhe askush nuk u beson atyre. Frikë nga të qenit vetëm dhe frikë nga të qenit në grupe. Frikë se janë barrë për të tjerët. Frikë nga feja e organizuar apo çfarëdo feje. Frikë se nuk ka zgjidhje apo lehtësim për dhembjen e tyre. Frika nxit shkurajimin dhe dëshpërimin, ankthin dhe depresionin; frika shkakton acarime që nuk përfundojnë mirë. Frika të bën të besosh se askush nuk do të kuptojë dhe, akoma më keq, se askush madje nuk pyet: “Çfarë të shqetëson?”

Frika në format e saj të shumta shfaqet fatkeqësisht në përfundimin më të tmerrshëm – vetëvrasjen.

Kur guvernatori i Jutës ngriti një grup pune vitin e kaluar për të trajtuar valën e madhe të vetëvrasjeve mes adoleshentëve, ai i kërkoi Presidentit Rasëll M. Nelson të caktonte një udhëheqës të Kishës për atë shërbim. Presidenti Nelson ma caktoi mua përgjegjësinë e rëndësishme. Kam mësuar se askush nuk është i paprekshëm. Vetëvrasja e adoleshentëve është një krizë që po ndodh në mbarë botën. Statistikat tregojnë se vetëvrasja është tani mes tri shkaqeve kryesore të vdekjes midis moshave 15 deri në 24 vjeç. Dhe kjo: “Përpjekjet për vetëvrasje janë 20 herë më të shpeshta se sa vetëvrasjet e kryera.”11Këto, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, janë statistika të dhimbshme.

Ne të gjithë duhet të përballemi me këtë çështje. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne duhet të zotohemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndryshuar mendimin se vetëvrasja është një përgjigje, një përgjigje madje që ia vlen të shqyrtohet. Ne duhet t’u flasim adoleshentëve rreth vetëvrasjes dhe duhet t’i duam aq sa të mos e shohin si zgjidhje për dhembjen e tyre. Jeta e Presidentit Tomas S. Monson mishëron frazën “për të shpëtuar”. Ne duhet ta marrim atë si përgjegjësinë tonë.

Kjo është ajo çfarë bëri Shpëtimtari për të gjithë ne. Ai na erdhi në ndihmë me anë të Shlyerjes, dhe Ai vazhdon të na shprehë një dashuri kaq të thellë duke na shëruar, duke na inkurajuar dhe duke na sjellë paqe nëse thjesht kthehemi tek Ai.

të reja duke i mbajtur duart të bashkuara

Ne mund të shprehim dashuri nëse kjo është çka u nevojitet të rinjve, t’u gjejmë një mik, t’i dëgjojmë dhe t’i kërkojmë me një fjalë apo gjest mirësie. Mund të kemi nevojë të punojmë me prindërit dhe peshkopët e tyre për të marrë shërbime këshillimi për vështirësitë, depresionin apo ndonjë sëmundje tjetër mendore. Ne mund të sjellim një ndryshim në jetën e tyre. Veçanërisht të cenueshëm ndaj vetëvrasjes janë ata të rinj dhe të rinj në moshë madhore beqarë të cilët vuajnë nga probleme që lidhen me gjininë. Ata kanë nevojë të rrethohen në krahët e Shpëtimtarit të tyre dhe ta dinë se Ai i do. Kaq shpesh Zoti na thërret; Ai pret që ne të jemi krahët e Tij mikpritës dhe të dashur. Ne duhet t’i inkurajojmë miqtë e tyre të bëjnë të njëjtën gjë.

Vetëvrasja lidhet shumë me dhembjen që vjen nga pyetjet pa përgjigje, brengat, pikëllimet, pyetjet “po sikur” dhe “po tani”. Këto jetë të humbura janë tragjedi të një përmase të atillë që ne si njerëz duhet të gjejmë mënyra të reja dhe më të efektshme për të këshilluar, për të treguar kujdes e interesim, dhe për t’u qëndruar pranë të rinjve tanë e për t’i mbështetur ata. Përpiquni vetëm të thoni emrin “Jezu Krishti” në një mjedis të rrezikshëm me dikë që e ka humbur shpresën. Thjesht ta thërrasim Atë me emër, me nderim, mund të sjellë ndryshim në një çast të vështirë.

Disa komunitete po përballen me atë që e quajnë “grupim” vetëvrasjesh, ku një adoleshent ndërmerr një veprim të tillë të rëndë dhe të tjerët e shohin si mundësi, dhe e ndjekin.

Më lejoni t’ju tregoj historinë e një adoleshenteje britanike që u transmetua në lajmet e BBC‑së në prill 2018. Historia ishte rreth një vajze 16‑vjeçare, Hati Speri‑Sauth, e cila “ishte përpjekur tashmë të vriste veten. Dhe ajo do të ishte përpjekur sërish dhe ndoshta do t’ia kishte dalë mbanë, po të mos kishte qenë një mësuese e cila vuri re se sa e palumtur dukej ajo.” Tre prej miqve të saj e kishin vrarë tashmë veten. Ajo kishte vuajtur depresion të thellë për dy vite.

Hati tha: “Shumicën e kohës isha tepër e trishtuar. Dhe nuk mund të flija.” Zymtia vazhdoi. Prindërit e saj ishin ndarë dhe nëna e saj hynte e dilte nga spitali me një sërë problemesh shëndetësore. Me gjithë vëmendjen e nënës së saj, askush nuk po e pikaste zymtinë në sytë e Hatit. Askush nuk po pyeste: “Si po përballesh me këtë?” Si ndihesh?”

Një ditë ajo hyri në klasë e veshur me një bluzë të shëmtuar dhe sapo kishte prerë të gjithë flokët. Mësuesja e saj e pyeti: “Hej, a je mirë? Si po ia kalon?”

Hati u përgjigj: “Në rregull”. Por ajo nuk e la me kaq. Dikush e kishte pikasur. “Në fakt, ndihem vërtet keq”, tha ajo. “Ndihem shumë e trishtuar. Dhe vazhdoj të qaj.”

Pastaj Hati qau pa ndalesë dhe makijazhi iu përhap në fytyrë. Por nuk kishte rëndësi tani, sepse dikush i kishte zgjatur dorën e ndihmës.

Kjo mësuese bëri një pyetje të thjeshtë që ua bënte plot fëmijëve. Por kur dërgoi një sinjal se tregonte interesim, Hati e rroku litarin e shpëtimit. Dhe Hati mori ndihmë.

Më vonë ajo shpjegoi: “Duket si diçka shumë e vogël, por është pabesueshmërisht e fuqishme kur i thoni një fëmije: ‘Si jeni?’ kur ai hyn në klasë, dhe e dini, edhe sikur të thotë: ‘Mirë’, ai ju ka dëgjuar”12.

Vëllai im i dashur Xhefri R. Holland tha: “Cilado qoftë beteja juaj, vëllezërit dhe motrat e mia – mendore apo emocionale, ose fizike apo diçka tjetër – mos votoni kundër jetës që është kaq e çmueshme, duke i dhënë fund asaj! Mirëbesoni te Perëndia. Mbahuni fort te dashuria e Tij. Dijeni se një ditë, agimi do të [lindë] plot shkëlqim dhe të gjitha hijet e vdekshmërisë do të largohen. Edhe pse mund të ndihemi se jemi ‘si një vazo e thyer’, sikurse tha Psalmisti, ne duhet të kujtojmë se ajo vazo është në duart e poçarit hyjnor.”13 

Nuk ka asnjë model për ata që janë në rrezik. Këta të rinj i bien trombonit, këndojnë në kor, luajnë në ekipe futbolli ose paketojnë ushqime pas shkolle. Ata vijnë në kishë, disa prej tyre – janë miqtë e atyre që vijnë në klasat tuaja, edhe pse disa prej tyre e kanë mënjanuar fenë për vete. Por ka gjëra të përbashkëta: zhgënjimi, një provim i dështuar, fundi i një marrëdhënieje, shumë raste mujshimi, stres akademik dhe ajo që mund ta quajmë “mjerimi i adoleshencës”.

Kisha e ka marrë seriozisht vetëvrasjen e adoleshentëve, duke krijuar një faqe interneti me informacione, materiale filmike në internet, ndihma për ata që ndihen vetëm, shërbime telefonike për ndihmë dhe një listë me shenja paralajmëruese që, ashtu si me Hatin, janë thirrje për ndihmë.

Ju lutem, njihuni me këto burime dhe ju do ta përmbushni më tej thirrjen tuaj si “një mësues i ardhur nga Perëndia”14.

Si mund t’i themi dikujt që po vuan se Zoti e di se si ndihet ai? Ai ka marrë mbi Vete sfidat dhe gabimet tuaja tepër vetjake. Ai i ka mbajtur ato për ju, kështu që ju do të kishit Dikë që do të jepte shërbesë duke e kuptuar plotësisht se ku dhe përse dhemb.

Një kuptim më i madh mbi Jezu Krishtin do t’i ndihmojë ata që po e humbasin shpresën. Dashuria e Tij për ta dhe vendi i pafund e i ekzaltuar që Ai ka përgatitur për ta në përjetësi, është një mesazh shprese. Ai i do ata. Ata kanë nevojë ta dinë këtë. Shkrimi i shenjtë thotë: “Unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah.”15Premtimi i Tij për të qenë atje nuk është një premtim i pasinqertë i ruajtur për ata që janë pa probleme apo që janë anëtarë në këshillin e seminarit. Ai do të qëndrojë pranë secilit prej të rinjve tanë – në fakt, pranë secilit prej nesh – në kohët tona më të errëta. Kjo është fuqia e Shlyerjes dhe këtë nevojitet ta japim mësim me një forcë të tillë që të mbërrijë tek ata që po vuajnë.

Jezu Krishti duke shëruar një grua

Ndihmojini studentët të gjejnë një “shkrim të shenjtë mbrojtës”, një që mund ta kujtojnë kur janë në situatë të rrezikshme apo kur kanë nevojë për forcë që të largohen prej saj. “Merrni zemër dhe mos u frikësoni, sepse unë, Zoti, jam me ju”16është një shkrim i shenjtë i mirë.

Jeta përherë ka qenë plot me sfida. Askush nuk është i paprekshëm. As ju, as unë dhe as ata. Disa të rinj vuajnë sepse mendojnë se janë të vetmit që kanë shqetësime. Gjithkush tjetër duket sikur i ka punët në vijë. Ata gabimisht mendojnë që, në qoftë se i studiojnë shkrimet e shenjta, i zbatojnë urdhërimet dhe luten çdo ditë, dhimbjet, çrregullimet, mungesa e popullaritetit dhe aksidentet janë gjëra që do të kalojnë. Por vetëm se nuk funksionon kështu. Sprovat na vijnë të gjithëve.

Problemet, sfidat, sprovat, mundimet, vështirësitë, mjerimet – quajini si të doni – janë pjesë e kësaj përvoje në vdekshmëri për të na bërë të fortë dhe për të na formuar. Bekimi është që nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit ne ende mund të “m[arrim] zemër”17.

Mos lejoni që kërkesat akademike për mësimdhënien e ungjillit të bëhen më të rëndësishme se fuqia e Shpirtit për t’i prekur dhe inkurajuar studentët tuaj. Përgatitini që të marrin frymëzim dhe të veprojnë sipas tij. Përgatitini që të marrin zbulesë vetjake ashtu siç ka theksuar Presidenti Nelson.18

Kur ta bëjnë këtë, ata do të përjetojnë mrekullinë e drejtimit dhe udhërrëfimit të Zotit, një formë shumë e vërtetë e dashurisë së Tij.

Pse do të zgjidhja të flisja për vetëvrasjen dhe bashkudhëtarët e saj – frikën, vetminë, dëshpërimin, ankthin dhe dhimbjen – në një mjedis nderues si ky? Sepse ju, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jeni në grupin e “ndihmës së parë” dhe nëse nuk jeni, ju ftoj të jeni. Vetëvrasja dhe bashkudhëtarët e saj të zymtë janë të vërtetë. Ato po shtohen mes të rinjve tanë si një kamxhik që josh edhe më të zgjedhurit, të cilët janë të rinj dhe të mbushur me premtimin për të besuar se jeta nuk ka asnjë qëllim për ta. Asgjë nuk mund të jetë më larg nga e vërteta.

të rinj që i mbajnë duart në një rreth

Jeta është e brishtë. Ne nuk e dimë se kur dikujt do t’i ndodhë diçka që do të na kapë në befasi të plotë. Ndihemi të papërgatitur dhe të humbur për çka duhet të bëjmë. Por nëse ata kanë ardhur nga një shtëpi ku bëhet lutja familjare, studimi i shkrimeve të shenjta dhe mbrëmja familjare, atëherë mjetet për t’u “mbajtur” janë vendosur më fuqishëm. Sidoqoftë, ju lutem, mos bëni gabimin të mendoni se një prej të rinjve tanë nuk është në rrezik, edhe kur po i bën të gjitha këto gjëra. Një i ri iu përgjigj një veprimtarie në një mbrëmje familjare, që i kërkonte secilit pjesëtar të shkruante një gjë që ishte e rëndësishme për të. Katërmbëdhjetëvjeçari, që dukej se kishte gjithçka që i nevojitej, shkroi këtë: “Të di se dikush është atje për mua”.

Kam një mik të ngushtë që nuk e frekuentoi seminarin deri në vitin e fundit të shkollës së mesme. Ai nuk po vinte në kishë; nuk kishte qenë atje që kur ishte 13 vjeç. Si këngëtar, ai vendosi të konkurronte për korin e seminarit dhe madje ia doli mbanë. (Të gjithë ia dalin mbanë në korin e seminarit!) Ai nuk mban mend asnjë nga mësimet në klasë. Sidoqoftë, sa herë që këndonin, Shpirti e mbushte dhomën dhe ai e dinte se kjo ishte ndryshe nga kori i shkollës me të cilin këndonte aty pranë. Ai ndiente diçka që nuk e kishte ndier kurrë më parë. Ai ndiente Shpirtin. Duke ardhur nga një shtëpi me prindër të ndarë, pa udhëzime mbi ungjillin, ai nuk e njihte Shpirtin. Ai arriti ta çmonte atë dhe të mbështetej tek ai. Ai është i fortë në ungjillin e Jezu Krishtit, ngaqë “aty ishte dikush për të”. Dhe tani, vite më vonë, ai akoma flet shpesh me mësuesin e tij të seminarit, i cili ishte një “mësues i ardhur nga Perëndia”19.

Për ata të cilëve u jepni mësim, që nuk kanë një rrjet mbështetës, [apo] atë forcë në shtëpi, mësimet tuaja bëhen vendimtare për mirëqenien e tyre. Ata mund të jenë studentët që në fshehtësi bëjnë një pyetje vetëm për t’u përfshirë në diskutime të mëtejshme mbi ungjillin, sepse ky është i vetmi rast që ata e kanë atë lidhje shpirtërore gjatë ditës. Ruajini, ju lutem, si thesar këto mundësi dhe gjeni kohë për to.

Shërimi vjen nëpërmjet Shpëtimtarit, i cili “zbriti nën gjithçka”20që Ai të mund ta dinte “sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre”21.

Merreni në shqyrtim rastin kur Jezusi ushqeu pesë mijë vetë me disa peshq dhe bukë, që ishin dreka e një djaloshi, dhe më pas u ngjit në mal për t’u lutur i vetëm. Dishepujt e Tij hipën në anije për të kaluar matanë detit të Galilesë dhe, ndërsa nata kalonte, Jezusi shkoi drejt tyre duke ecur mbi ujë. Kur e panë Atë, ata “bërt[itën] nga frika”22dhe Ai u përgjigj: “Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!”23.

Kur Pjetri doli me guxim nga anija atë natë, me ftesën e Zotit, dhe filloi të ecte mbi ujë, ai mori zemër derisa vështroi poshtë dhe pa detin e stuhishëm vorbullues. Atëherë filloi të bërtiste nga frika.

Jezusi ia shtriu dorën jo me tallje, por me dhembshuri. Moroni e përshkruan vetë ngurrimin tonë me këto fjalë: “Krishti të mund të të ngrejë dhe qëndrofshin në mendjen tënde përherë vuajtjet dhe vdekja e tij … dhe mëshira dhe durimi i tij, dhe shpresa e lavdisë së tij dhe e jetës së përjetshme”24.

Ai po na fliste, sepse të gjithë ne, vëllezër dhe motra, jemi atje mbi ujë.

Në një mjedis tjetër të Dhiatës së Re, një grup njerëzish u mblodhën tok rreth një njeriu “paralitik, [të] shtrirë në vig”25. Zoti Jezus e pa burrin e sëmurë dhe e ndjeu besimin e atyre që ishin përreth tij, dhe tha: “Merr zemër”26.

Në këtë periudhë të fundit ungjillore, Jezu Krishti u foli nëpërmjet Jozef Smithit shërbëtorëve të Tij, të cilët kishin shkuar në misione dhe po përballeshin me rreziqe dhe fatkeqësi natyrore, duke thënë: “Merrni zemër, fëmijë të vegjël; pasi unë jam në mes tuaj”27.

Jozef Smithi i pa në vegim Apostujt në misionin e tyre në Angli “duke qëndruar së bashku në një rreth, shumë të rraskapitur, me rroba të grisura e këmbë të fryra, me sytë e tyre duke parë poshtë, dhe Jezusi duke qëndruar mes tyre, dhe ata nuk e panë Atë. Shpëtimtari i pa dhe qau”28.

A mund ta kuptoni modelin? Fuqia aftësuese e Krishtit shfaqet në faktin e thjeshtë se Ai është atje për ne – gjithmonë. Çfarëdo që të vijë, Ai do të jetë me ne, Ai do të na ngushëllojë dhe Ai do të na shërojë nëse vijmë tek Ai dhe mbështetemi në fuqinë e Tij për të na shpëtuar. Shumë shpesh, Ai e shëron zemrën e plagosur. Si ndodh kjo, pyesim ne? Me anë të fuqisë së Shlyerjes që ushtrohet sot në jetën tonë, jo në mbarim, përpara gjykimit përfundimtar, por çdo ditë teksa përpiqemi të jemi si Ai, të duam atë që do Ai, t’i ndjekim profetët e Tij të zgjedhur.

Kur e studioj Shlyerjen, përpiqem ta përfytyroj gjendjen e mjeruar të gjërave përreth Shpëtimtarit teksa Ai u gjunjëzua në Kopshtin e Gjetsemanit. Dhe Ai u lut “duke thënë, ‘O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti’”29. Ai tha për vetë vuajtjen e Tij: “Sa të ashpra ti s’e di, sa therëse ti s’e di, po, sa të vështira për t’u duruar ti s’e di.”30Të rinjtë tanë kanë nevojë ta kuptojnë atë deklaratë të thellë.

një engjëll e ngushëllon Jezusin në Gjetseman

“Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë.”31

Në kohën kur Ai kishte nevojë, kur po merrte peshën e të gjitha mëkateve tona mbi Vete, ditët tona shumë të këqija, dobësitë dhe zhgënjimet tona, një engjëll iu shfaq për ta ngushëlluar Atë. Në çastet tuaja më të skajshme, vëllezër e motra, Zoti ka siguruar “engjëj … përreth jush, për t’ju ngritur lart”32. Të dashur mësues, ju mund të jeni ai engjëll.

Shpëtimtari më herët, në Darkën e Fundit, e kishte qartësuar misionin e Tij dhe paqen e premtuar duke thënë: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”33. Kaq i sigurt ishte Ai për atë që shtrihej përpara, kaq i sigurt ishte Ai për rolin e Tij në vënien në jetë të planit të madh të shpëtimit, sa Ai i inkurajoji dishepujt e Tij: “Merrni zemër”.

Plaku Nil A. Maksuell vërejti: “Agonia e paimagjinueshme e Gjetsemanit ishte gati të zbriste mbi Jezusin; tradhtia e Judës ishte e pashmangshme. Më pas do të vinte arrestimi dhe dënimi i Jezusit; shpërndarja e Të Dymbëdhjetëve si dele; fshikullimi i tmerrshëm i Shpëtimtarit; gjyqi i padrejtë; britma e çjerrë e turmës për Barabën në vend të Jezusit; dhe pastaj kryqëzimi i tmerrshëm në Kalvar. Çfarë kishte këtu për të marrë zemër? Pikërisht ajo që tha Jezusi: Ai e kishte mposhtur botën! Shlyerja ishte gati të bëhej realitet. Ringjallja e të gjithë njerëzimit u sigurua. Vdekja do të zhdukej – Satani kishte dështuar që ta ndalonte Shlyerjen.”34

Ne mund të japim mësim të vërtetën e thënë nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Pa Shlyerjen e pafundme të [Shëlbuesit] tonë, as edhe njëri prej nesh nuk do të kishte shpresë që të kthehej ndonjëherë tek Ati ynë Qiellor. Pa Ringjalljen e Tij, vdekja do të ishte fundi. Shlyerja e Shpëtimtarit tonë e bëri jetën e përjetshme një mundësi dhe pavdekësinë një realitet për të gjithë.”35

Përsiatni se si mund t’i ndihmoni studentët që ta kuptojnë forcën e Shpëtimtarit, dashurinë e Tij për të gjithë ne dhe respektin për planin hyjnor të Atit. Lutuni që t’i ndihmoni ata të dinë se Shlyerja e Jezu Krishtit është për ta dhe çfarë domethënie ka ajo në jetën e tyre shumë të ndërlikuar.

Inkurajojeni shërbimin në mbretërinë e Perëndisë që mbart me vete Shpirtin e Perëndisë.

Duke qenë se shërbeva dhe drejtova Sektorin e Tempullit në Kishë për disa vjet, kënaqem kur marr pjesë në tempull dhe shoh radhët e rinisë – të rinj e të reja – që shkojnë në tempull për të bërë pagëzime për të vdekurit. Teksa e vini theksin te fuqia e tempullit në mësimdhënien tuaj, ju e përforconi këtë mundësi të mrekullueshme që ata duhet të arrijnë ta njohin Jezu Krishtin, të dinë se Ai është burimi për të marrë “zemër”.

Unë e vlerësoj numrin në rritje të të rriturve tanë në moshë madhore që sapo kanë marrë dhurimin [induamentin], të cilët shërbejnë si punonjës tempulli. Të gjithë të veshur me të bardha, në një mjedis të qetë e paqësor, ata qëndrojnë në një vend të shenjtë duke dëshmuar për Të, se Ai ishte, se Ai është dhe se Ai do të vijë.36Shërbimi ynë për Zotin në tempull është me të vërtetë një mënyrë e veçantë për ta ndier Shpëtimtarin pranë.

Nxitini studentët tuaj që gjithmonë të mbajnë një rekomandim tempulli të vlefshëm – me përdorim të kufizuar ose të rregullt në varësi të moshës e rrethanave të tyre – dhe më pas të shprehin ndjenjat e tyre rreth qenies në tempull, rreth zbulesës dhe frymëzimit që vijnë kur shtrihemi përtej kësaj jete për “gjërat e një [jete] më të mir[ë]”37, duke u shërbyer atyre që nuk mund t’i kryejnë vetë ordinancat.

I dashuri President Nelson ka thënë: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë”38.

Kur u shugurova Apostull, i dashuri President Monson tha se do të isha një dëshmitar i veçantë i emrit të Jezu Krishtit në të gjithë botën. Unë nuk e mora me lehtësi atë përgjegjësi. I studiova me vëmendje shkrimet e shenjta duke e identifikuar Zotin sipas emrave dhe titujve të Tij. Të gjitha këto që do të ndaj me ju janë vargje nga shkrimet e shenjta, të cilat na kujtojnë shpresën tonë që është në Të. Ai është:

  • Shpresa e Izraelit.39

  • Ylli i Shndritshëm i Mëngjesit.40

  • Bariu i Mirë.41

  • Këshilltari.42

  • Princi i Paqes.43

  • Çlirimtari.44

  • Drita e Botës.45

  • Kryeprifti i të mirave që do të vijnë.46

  • I fuqishëm për të shpëtuar.47

  • Ai që ka të gjithë fuqinë.48

Ndikimi, gjurma që lë dhe shtrirja e Krishtit janë gjithëpërfshirëse. Ai është atje kur ne lëkundemi dhe përpiqemi fort të ecim përpara. Dhe nëse shkasim, “drita [e Tij] që shkëlqen në errësirë”49– një tjetër nga emrat e Tij – është më e shndritshme se kurrë. Ai na do në ditët tona më të shndritshme dhe në ditët tona më të errëta.

Të jesh një dishepull i Jezu Krishtit nuk është punë hamendësimi. Shtegu i Tij është i shënuar mirë nga gjurmët e Tij. Teksa e ndjekim Atë, ne arrijmë të duam atë që do Ai. Ndërsa i përtërijmë besëlidhjet tona me Të çdo javë duke marrë sakramentin e shenjtë, ne rritemi në kuptimin për Të si Shëlbues i Botës,50Shpirti i së Vërtetës,51[dhe] Fjala52.

Mësojuni studentëve tuaj fuqinë e sakramentit, sidomos atyre që po lëkunden dhe atyre që po e marrin për të mirëqenë këtë ordinancë të çmuar. Qoftë bekimi i sakramentit, që “t[a] ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”53, diçka për të cilën bisedoni, në mënyrë që përdorimi i fuqisë shëruese të Jezu Krishtit, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, të jetë i vërtetë.

Përveç kësaj, Shpëtimtari iu referua vetes së Tij në gjithë deklaratat që zbulonin si natyrën e Tij hyjnore edhe rolet e Tij të përjetshme si këto:

  • “Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi.”54

  • “Jam në gjendje t’ju bëj të shenjtë.”55

  • “Bëj vullnetin e [Atit].”56

  • “Unë, Zoti … gëzohem t’i nderoj ata që më shërbejnë.”57

  • “Hiri im është i mjaftueshëm për ju.”58

  • “Ti do të kesh paqe në mua.”59

  • “Mos kini frikë … sepse ju jeni të mitë.”60

Miq të dashur, vëllezër dhe motra, ky është Shpëtimtari që unë njoh, që e dua dhe e nderoj me gjithë zemrën time. Nga thellësia e shpirtit tim, dëshmoj për Të dhe për mirësinë e mëshirën e Tij. Ai ka premtuar: “Sepse ju jeni miqtë e mi, dhe ju do të keni një trashëgimi me mua”61.

Në të vërtetë, vëllezër dhe motra, Jezu Krishti është përherë përgjigjja. Duke e kuptuar misionin e Tij dhe ungjillin e Tij, dashuria jonë për Të dhe bindja jonë për Të dhe mbështetja jonë tek Ai, na japin forcë.

Helamani e përshkruan mirë: “Mbani mend, se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”62.

Jezusi duke mbajtur një qengj

Unë lë bekimin tim që ju do ta ndieni dashurinë e Zotit në jetën tuaj dhe do t’i ndihmoni studentët tuaj të ndiejnë të njëjtën gjë. Ju bekoj që të jeni plot shpresë dhe të “merrni zemër”, që Shpirti i Zotit të mund të qëndrojë me ju, t’ju frymëzojë e t’ju lartësojë. Ju bekoj që t’i dëgjoni studentët tuaj, të ndjeni atë që ata nuk e thonë si edhe atë që shprehin, dhe të keni frymëzimin për të ditur se çfarë do të donte Zoti që ju të bëni. Unë i bekoj familjet tuaja, bashkëshortet tuaja dhe bashkëshortët tuaj. E ditshi të gjithë ju respektin, mbështetjen dhe dashurinë që unë dhe bashkëvëllezërit e mi kemi për ju dhe punën e rëndësishme që bëni për të sjellë shpirtra te Jezu Krishti. Dhe e ndjefshi Zotin duke qëndruar pranë jush, ndërsa dëshmoni për Të, Shpëtimtarin e botës. Jezu Krishti është gjithmonë përgjigjja.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.