Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
11johnson


6:23

Udhërrëfimi i Udhëtimit

Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm

E mërkurë, 5 shkurt 2020

Jemi shumë mirënjohës që jemi me ju sonte. Xhilli dhe unë kaluam katër vjet të caktuar me detyrë te njerëzit e mrekullueshëm të Europës dhe u habitëm shumë dhe u kënaqëm kur Presidenti Nelson na kërkoi të kthehemi sërish te SAK‑u. Duket sikur po vijmë në shtëpi për të pasur lidhje të ngushta me ju, që përkushtoheni me kaq shumë përpjekje dhe zemër që t’i ndihmoni të rinjtë ta mësojnë dhe jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit.

Duke vëzhguar ngjarjet e çuditshme në udhëtimet tona dhe të të tjerëve gjatë jetës, kam menduar rreth udhëtimit drejt jetës së përjetshme në të cilin ndodhemi. Për ata prej nesh që e pranojnë Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, modeli i jetës sonë është i ngjashëm. Ne ushtrojmë besim te Shpëtimtari dhe e ndjekim Atë pavarësisht nga sfidat. Ne pendohemi për mëkatet tona, marrim ordinancat e nevojshme dhe durojmë deri në fund. Por hollësitë e secilës jetë janë shumë të ndryshme dhe sfidat me të cilat përballemi, ndryshojnë nga individi në individ.

Mendoni për udhëtimin e familjes së Lehit drejt tokës së premtuar. Udhëtimi i tyre i pashoq mund të na japë disa ide për vetë udhëtimet tona. E dinin se po drejtoheshin për te një tokë e premtuar, por nuk dinin gjithçka rreth vendmbërritjes apo shtegut të duhur që do t’i çonte atje. Ata u përballën me sfida të rënda përgjatë udhës. Edhe Nefi, i cili nuk mërmëriti, shpjegoi se ata “kishi[n] vuajtur shumë hidhërime dhe shumë vështirësi, po, madje aq shumë sa nuk mund t’i shkrua[nin] të gjitha”1.

Ata kishin udhërrëfim përgjatë udhës. Në fakt, Lehit iu tha natën se “të nesërmen ai duhej të niste udhëtimin e tij në vendin e shkretë”2. Të nesërmen në mëngjes ai gjeti Liahonën te dera e tendës së tij, e cila dha udhëzim hyjnor për udhëtimin e tyre. Por pasja e Liahonës nuk e ndryshoi gjeografinë midis tyre dhe tokës së tyre të premtuar. Nuk i zvogëloi gadishullin arabik ose detet që atyre u nevojitej të kapërcenin. Ende iu desh të ecnin përpara duke u përballur me sfidat e pandashme të udhëtimit të tyre epik. Por Liahona u rrëfeu udhën drejt “pjesë[ve] më pjellore të vendit të shkretë”3 dhe nëse nuk ishin përtacë, ajo i ndihmoi të ecnin sipas një kursi të drejtë4.

Lamani dhe Lemueli mërmëritën për shkak të vështirësive me të cilat u përballën gjatë udhëtimit. Disa prej atyre vështirësive i krijuan vetë. Prapëseprapë, edhe kur po e ndiqnin drejtimin dhe po udhëtonin siç duhej, ata ende u ndodhën përpara vakteve ushqimore me mish të pagatuar dhe ditëve me një diell përvëlues të shkretëtirës. Në mënyrë të ngjashme me përvojën e Lamanit dhe të Lemuelit, nganjëherë njerëzit mendojnë se ata nuk mund të përballen me sfidën, se, nëse po bëjnë atë që është e drejtë, gjithçka do të jetë e lehtë. Por thjesht nuk është kështu. Kjo do të thotë që ne mund të forcohemi dhe udhërrëfehemi, por nuk do të thotë që nuk do të përballemi me sfida.

Ndonëse lëviznin si grup, ata gjithashtu ishin secili në një udhëtim individual. Pavarësisht nga udhëtimi i tyre që i solli tek e njëjta vendndodhje fizike, drejtimi i tyre i përjetshëm individual ndryshoi gjerësisht dhe u përcaktua nga vendimet dhe veprimet e tyre vetjake përgjatë udhës.

Ne secili kemi një udhëtim individual dhe të individualizuar përmes kësaj jete, por gjithashtu i ndajmë pjesë të atij udhëtimi me njerëz të tjerë. Për shembull, ne jemi në një udhëtim së bashku në përpjekjet tona në Seminaret dhe Institutet e Kishës, si dhe arsimin në Kishë. Ne kemi një synim; e dimë në përgjithësi se ku po drejtohemi, por nuk i dimë të gjitha vështirësitë ose çdo hollësi të rrugës për të shkuar atje.

Secili prej nesh zgjedh se si do të udhëtojë me grupin. Mund të mërmëritim. Mund të gëzohemi. Mund të jemi mirënjohës edhe në mes të sfidave. Për disa, ndryshimet e rregullores ose procedurës në Kishë mund të jenë sfiduese. Jam shumë i kënaqur të shoh se si SeI‑ja po u përgjigjet ndryshimeve të frymëzuara që theksojnë të mësuarit e ungjillit të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha.

Ne do të përballemi dhe po përballemi me sfida. Duke e ndjekur udhërrëfimin e Zotit ne mund t’i kapërcejmë këto sfida dhe të mësojmë prej tyre. Profeti Jozef Smith tha: “Ishte e dallueshme qartë se Zoti na dha fuqi, në përpjesëtim me punën që duhej të bëhej, dhe forcë, sipas garës që ishte para nesh, dhe hir e ndihmë, siç e kërkonin nevojat tona”5.

Ne marrim udhërrëfim që na ndihmon të ndërmarrim udhën më të drejtpërdrejtë dhe të udhëtojmë përmes pjesëve më pjellore të vendit të shkretë në udhëtimin tonë. Ne kemi udhërrëfimin nga profetët. Unë e di që ne udhëhiqemi nga profetë, shikues dhe zbulues. Çfarë bekimi! Ne drejtohemi nga Kryesia e Kishës për Arsimimin dhe gjithashtu kemi Vëllanë Ueb, ekipin e tij dhe udhëheqës të tjerë të frymëzuar. Përveç këtyre, secili prej nesh ka të drejtën e udhërrëfimit vetjak teksa përballemi me çështje të veçanta në detyrat tona individuale.

Si Kryesia e Kishës për Arsimimin, ashtu edhe komiteti ekzekutiv i Kryesisë, takohen çdo muaj. Në këto mbledhje ne marrim drejtim dhe këshillë. Ne gjithashtu kemi bekimin e përvitshëm të një “Mbrëmjeje me një Autoritet të Përgjithshëm” dhe përgjatë viteve kemi marrë shumë udhërrëfim të dobishëm e të përqendruar për të na ndihmuar në udhëtimin tonë – si organizatë dhe si individë.

Lutem që ne të mund të jemi të hapur ndaj udhërrëfimit dhe drejtimit nga Zoti. Unë e di se Ai jeton dhe do të na ndihmojë e udhërrëfejë.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.