Konferenca e Arsimtarëve të Fesë të SAK‑ut
Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm: Pjesët më të Rëndësishme


Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm: Pjesët më të Rëndësishme

Mbrëmje me një Autoritet të Përgjithshëm

E premte, 7 shkurt 2020

Plaku Bednar na kujtoi se mësimdhënia nuk është të tregosh; ajo përfshin dëgjimin, vëzhgimin dhe dallimin. Ajo përfshin sigurisht një ftesë që Fryma e Shenjtë të na mësojë.

Pyetja

Presidenti Nelson kohët e fundit dha mësim rreth rëndësisë së zbulesës vetjake. Çfarë do të na mësonit rreth marrjes së zbulesës vetjake?

Plaku Dejvid A. Bednar

Kur i nderojmë besëlidhjet tona, ne mund ta kemi Frymën e Shenjtë që të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm. Ne shpesh flasim sikur dëgjimi i zërit i Zotit nëpërmjet Shpirtit të Tij të jetë një ngjarje e rrallë. Ne duhet të përqendrohemi më shumë për ta kuptuar çfarë ndodh që e bën Shpirtin të largohet. Por, nëse ju dhe unë po bëjmë më të mirën dhe nuk po bëjmë shkelje të rënda, atëherë ne mund të mbështetemi tek udhërrëfimi i Frymës së Shenjtë.

Shumë njerëz duket se besojnë se frymëzimi nga Fryma e Shenjtë është dramatik, i madh e i papritur. E vërteta është se Fryma e Shenjtë udhërrëfen në mënyra të qeta, të vogla e graduale me kalimin e kohës. Ju shpesh nuk do ta dalloni se po merrni zbulesë në çastin që po merrni zbulesë.

Nefi është shembulli i përsosur i këtij modeli. Ai shkoi “duke mos [i] ditur më parë gjërat që [ai] duhe[j] të bë[nte]”.1 Ai shkoi përpara, por nuk e dinte në çdo rast që po merrte udhërrëfim. Ne duhet të bëjmë lidhjen se ajo që i ndodhi Nefit është mënyra se si funksionon për ne zbulesa në shumë raste.

Anëtarët e Kishës ndonjëherë tmerrohen se mos bëjnë gabim ndaj nuk shkojnë përpara. Nefi dhe vëllezërit e tij hodhën short. Ajo nuk funksionoi. A ishte gabim ajo përvojë për Nefin? Jo. “Ai mori një mësim të madh. Kur u përpoqën t’i merrnin fletët prej tunxhi nga Labani duke përdorur arin dhe gjithë zotërimet e tyre, Nefi mori një mësim tjetër, që do ta përgatiste për atë që e priste.

Ka parime që lidhen me marrjen e zbulesës. Për shembull, Presidenti Paker tha: “Presidenti Harold B. Li më tha një herë se zbulesa vjen më kollaj kur i vë këmbët në vendin që lidhet me nevojën për zbulesë. … Presidenti Li kishte të drejtë!”2 Të qenit në vendin e nevojshëm, përsiatja, lutja dhe kërkimi i ndihmës kanë vlerë.

Ky parim ka shumë nënkuptime për sa i përket dhënies së shërbesës. Shumëkush mendon se një mesazh në celular mjafton si detyrë shërbese. Ka raste kur nevojitet të jeni në shtëpinë e tyre dhe t’i shihni njerëzit në sy. Do të merrni mbresa dhe frymëzim në atë shtëpi, që nuk do t’i merrni kurrë në asnjë mënyrë tjetër.

Pyetja

A do t’i shtonit diçka kuptueshmërisë sonë për zbulesën që marrin Presidenti Nelson dhe udhëheqës të tjerë të Kishës?

Plaku Dejvid A. Bednar

Shumë anëtarë të Kishës flasin lidhur me faktin se sa shumë zbulesë ka ardhur që nga koha kur Presidenti Nelson u bë Presidenti i Kishës. Përshtatjet që po dalin tani janë diskutuar dhe jemi lutur për to në këshilla për vite dhe dekada të tëra. Në shumë raste, zbulesa nuk është çfarë të bëjmë, por kur ta bëjmë.

Pyetja

Përveç marrjes së zbulesës se kur ta bëjmë diçka, herë pas here do të marrim zbulesë edhe për atë që duhet të bëjmë, apo jo?

Plaku Dejvid A. Bednar

Mos e bëni reciprokisht përjashtuese; nuk është vetëm njëra apo tjetra. Shumë herë zbulesa mbi atë që duhet të bëjmë është mjaft e qartë. Por shumë njerëz kanë vështirësi me kohën e duhur për ta bërë. Kështu, sipas nevojës, mund të marrim zbulesë edhe për atë që duhet të bëjmë, edhe për kohën kur duhet ta bëjmë – jo thjesht njërën apo tjetrën.

Pyetja

Si mësues, ne përgatitim mësimet dhe lutemi për studentët. Si e njohim frymëzimin për ata të cilëve u japim mësim dhe shërbesë?

Plaku Dejvid A. Bednar

Gjatë përgatitjeve dhe lutjeve tuaja, shpesh do të ketë një mendim të befasishëm, një shkëndijë frymëzimi dhe një emër mund t’ju vijë në mendje ose madje të shihni në mendjen tuaj një fytyrë të njohur. Profeti Jozef Smith e përshkroi atë si dhënie “befas e ide[ve]”.3 Kur të vijë papritur, mund ta dalloni se keni marrë me saktësi atë që nevojitet dhe ato raste janë vërtet mbresëlënëse.

Një nga burimet më të mëdha të ndriçimit të mendjes që do të keni, janë pyetjet që do të bëjnë studentët. Përgjatë viteve, e kam pasur praktikë që t’u përgjigjesha pyetjeve nga mijëra të rinj e të reja dhe të rinj në moshë madhore. Për shkak të numrit të madh në mbledhje, unë shpesh u lejoja atyre të m’i dërgonin me mesazh pyetjet e tyre në një mënyrë të kontrolluar. (Nuk po sugjeroj që ta bëni këtë në të njëjtën mënyrë.) Leximi i atyre pyetjeve, është një nga përvojat më të mëdha të të mësuarit që mund të ketë dikush kur punon me rininë. Ata vërtet pyetin për atë që i shqetëson dhe për atë që u nevojitet ndihmë. Si mund ta dimë çfarë të themi ose të japim mësim derisa të dimë se në çfarë situate janë ata?

Pyetja

Në kërkimin e zbulesës, nuk duhet të kemi një listë recetash – një listë me gjëra që duhet t’i bëjmë dhe kohën kur duhet t’i bëjmë. Ajo duhet të bazohet më tepër te parimi, apo jo? Prapëseprapë, ne kemi shembujt e Nefit, Jozef Smithit, dhe Jozef F. Smithit duke lexuar shkrimet e shenjta, duke dëgjuar profetin dhe duke marrë zbulesë. A janë parime këto apo ky është një model?

Plaku Dejvid A. Bednar

Ne ushqehemi me bollëk me fjalën e Perëndisë që të mund ta dëgjojmë dhe njohim zërin e Zotit. Kur e kthejmë kërkimin e zbulesës në një listë – bëj këto gjëra dhe do të ndodhë kjo – ai është çasti kur jemi në tokë të rrezikshme. Duhet të presim Zotin, të jemi të vetëdijshëm dhe reagues ndaj kohës së Tij – nuk kërkojmë zbulesë duke u bazuar te koha jonë.

Pyetja

Si mund ta jetojmë jetën në një mënyrë të tillë, që të jemi gjithnjë gati për zbulesë kurdoherë që Zoti të jetë gati ta derdhë atë mbi ne?

Plaku Dejvid A. Bednar

Fraza gati për është domethënëse. Ne duhet të jetojmë gjithnjë gati për zbulesë që të “mund të kemi gjithmonë Shpirtin e tij me ne”.4

Mund të ketë disa që e çojnë në ekstrem këtë; ju lutemi përdorni arsyetim praktik.

Mendoni se si arriti Oliver Kaudëri të bëhej shkruesi i Jozef Smithit. Ai dëgjoi për fletët e arta, për Jozef Smithin dhe kishte dëshirë që ta takonte Jozefin. Ai veproi sipas asaj dëshire.

Zoti i shpalli Oliverit:

“Bekuar qofsh për atë që ti ke bërë; sepse ke kërkuar prej meje dhe vër re, sa shpesh që ti ke kërkuar, ke marrë udhëzim nga Shpirti im. Po të mos ishte kështu, ti nuk do të kishe ardhur në vendin ku je në këtë kohë.

Vër re, ti e di se ke kërkuar prej meje dhe unë vërtet e ndriçova mendjen tënde.”5

Fjalia vijuese në këtë varg është më domethënësja për mua. Oliveri po frymëzohej dhe nuk e kishte idenë se po frymëzohej. Ai po merrte zbulesë dhe nuk e kishte idenë se po merrte zbulesë. Pra një zbulesë i vjen Oliverit nëpërmjet Jozefit, që t’i thotë Oliverit se ai ishte frymëzuar dhe po merrte zbulesë.

“Dhe tani unë t’i them këto gjëra që ti të mund të dish se ke qenë ndriçuar nga Shpirti i së vërtetës.”6

Për këtë e kam fjalën kur them që ta kemi gjithmonë Shpirtin e tij me vete.

Pyetja

Ju përmendët që Nefi dhe vëllezërit e tij hodhën short për të përcaktuar se kush do të shkonte e t’i kërkonte fletët prej tunxhi dhe më pas të përpiqej t’i blinte ato me ar dhe argjend. Kur na nevojitet të bëjmë diçka, si mund të sigurohemi që ta bëjmë në kohën e duhur? Si ta dimë që po e bëjmë siç duhet?

Plaku Dejvid A. Bednar

Nefi nuk bëri gabim dhe as e gjykoi keq kohën. Ajo ishte një përvojë për të mësuar, rresht pas rreshti, parim pas parimi. Ai po përgatitej me çdo orvatje – “duke mos ditur më parë gjërat që duhe[j] të bë[nte]”.7

Nëse po bëjmë më të mirën dhe përpiqemi fort për të qenë të përkushtuar e të devotshëm, ne nuk do të ndikojmë tek të tjerët në mënyra të papërshtatshme. Qielli është në krye të kësaj pune, nuk jeni ju, as unë. Si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetëve Apostujve, gjatë gjithë kohës kam detyra të cilat thjesht është e pamundur t’i kryej vetë. Teksa bëni më të mirën tuaj, ju zhvilloheni dhe lartësoheni. Ju nuk do ta dini gjithnjë me vetëdije kur është koha e duhur. Thjesht bëni më të mirën tuaj.

Presidenti Hinkli shpesh jepte mësim: “Gjithçka thjesht funksionon. Dhe unë e besoja, por prapëseprapë mendoja: “Hajde, duhet të ketë më shumë se kaq”. Sa më shumë më kalon mosha, aq më shumë e kuptoj se ajo është e vetmja përgjigje që ekziston. Perëndia nuk do t’ju lërë vetëm, teksa përpiqeni t’i ndihmoni, t’i ushqeni shpirtërisht dhe t’u jepni shërbesë fëmijëve të Tij. Prandaj nëse bëni më të mirën, duke vepruar me drejtësi, gjithçka do të funksionojë. Dhe do të nxirrni mësime përgjatë udhës.

Pyetja

Si t’u japim mësim studentëve të cilët mund të ndihen të papërshtatshëm prej faktit që duhet të jenë gati për zbulesë gjatë gjithë kohës? Kjo mund t’u duket një detyrë frikësuese atyre.

Plaku Dejvid A. Bednar

Në vend që të mendoni: “Çfarë do t’u them atyre”, përqendrimi duhet të jetë te “Çfarë pyetje do t’u bëj atyre?” Dhe jo vetëm, “Çfarë pyetje do t’u bëj atyre, por edhe “Çfarë do t’i ftoj të bëjnë?”

Vetë bërja e pyetjeve i fton ata të veprojnë. Dhe nëse ai student do të përgjigjet, kjo është shprehje e besimit te Krishti. Besimi është një parim veprimi dhe fuqie. Kur veprojmë në përputhje me mësimet e Krishtit, bekohemi me fuqinë e Tij. Ajo që dëshiron shumica prej nesh, është së pari fuqia që të mund të veprojmë. Kjo nuk funksionon.

Synimi ynë nuk duhet të jetë “Çfarë t’u them?” Në vend të kësaj, pyetjet që duhet t’i bëjmë vetes janë: “Çfarë mund t’i ftoj të bëjnë?” Çfarë pyetjesh të frymëzuara mund të bëj, të cilat, nëse ata janë të gatshëm të përgjigjen, do të fillojnë ta ftojnë Frymën e Shenjtë në jetën e tyre?” Pyetjet që duhen bërë në të vërtetë janë shumë të thjeshta të tilla si : “Çfarë po mësoni?” Duke iu përgjigjur pyetjeve, ai individ po e fton Frymën e Shenjtë që ta udhërrëfejë në përgjigjet e veta. Roli ynë është ta bëjmë diskutimin e atyre gjërave diçka të sigurt dhe t’i ftojmë të veprojnë në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund t’u japë mësim.

Nëse i doni dhe nëse vërtet po përpiqeni të bëni atë që dëshiron qielli, ju thjesht do të udhërrëfeheni në mënyrat më të thjeshta. Pyetjet nuk ka pse të jenë të ndërlikuara. Ju përpiqeni të zbuloni se sa kuptojnë ata sepse jeni vërtet të interesuar.

Gjithmonë ka shqetësim të justifikuar për të rinjtë e të rejat që largohen nga udha e drejtë. Ka thjesht shumë njerëz që nuk janë ftuar të mësojnë vetë; ata thjesht mbështeten tek ajo që u kanë thënë të tjerët. Nëse gjithçka që ju ose unë dimë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur, është ajo që na mësojnë ose na thonë njerëzit e tjerë, atëherë themeli i dëshmisë sonë … është ndërtuar mbi rërë.8 Kjo është arsyeja se përse ftesa që ata të veprojnë e të mësojnë vetë i ndihmon ata të ndërtojnë një themel më të fortë.

Pyetja

Një i ri e lexoi Librin e Mormonit për herë të parë dhe arriti në përfundimin se nuk e kishte ndier Shpirtin. Ndoshta ai po priste engjëj nga qielli që t’ia shpallnin se ishte i vërtetë. Si mund të ndihmojmë në këtë lloj situate?

Plaku Dejvid A. Bednar

Ka shumë anëtarë jashtëzakonisht besnikë të Kishës që mendojnë se nuk janë në lartësinë e duhur ngaqë nuk kanë pasur përvoja dramatike si ato që përshkruhen ndonjëherë në mbledhjen e agjërimit dhe të dëshmive. Përvojat dramatike nuk janë norma. Nëse po i nderoni besëlidhjet tuaja dhe po ecni përpara, jeni në rregull dhe jeni normalë. Sauli nuk u kthye në besim me anë të dritës. Alma i Riu nuk u kthye në besim nga engjëlli.

“Virtyti duhet t’i stolisë mendimet e tua pa pushim; atëherë do të forcohet vetbesimi yt në prani të Perëndisë.”9 Jo besimi te vetja – besimi tek Ata, për të bërë atë që askush prej nesh nuk mund ta bëjë.

Vëllai Çad Ueb

Ajo që na bind të bëjmë mirë, të besojmë te Krishti, është nga Perëndia.10 Ne mund të befasohemi kur të zbulojmë një ditë që mendimet që kujtonim se ishin tonat, në të vërtetë ishin nga Fryma e Shenjtë. Teksa përpiqemi të bëjmë mirë, mendimet tona dhe dëshirat tona do të udhërrëfehen nga Fryma e Shenjtë.

Në bisedën e Presidentit Nelson për zbulesën, ai na ftoi t’ia hapim zemrat Atit Qiellor, të flasim me Të, të jemi të ndershëm me Të dhe më pas të dëgjojmë. Ai na kërkoi t’i shkruajmë mbresat që vijnë dhe më pas të veprojmë sipas tyre. Më pas ai tha: “Kur e përsëritni këtë proces ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, ju do të ‘rriteni drejt parimit të zbulesës’”11

Pjesa më e madhe e frymëzimit që më ka ardhur, nuk erdhi ndërkohë që po lutesha. Unë lutem; përsiat; përpiqem t’i shkruaj mbresat që vijnë. Por kur veproj, atëherë vjen frymëzimi. Gjatë një mësimi, kur këndoni një himn, kur flisni me dikë apo në mjedise të tjera, përgjigjet për pyetjet fillojnë të vijnë.

Plaku Dejvid A. Bednar

Një paralajmërim: mjetet ose mënyrat e zbulesës mund të jenë të ndryshme për njerëzit anembanë botës. Për shembull, në Afrikë, njerëzit shohin ëndrra të mrekullueshme. Nuk është e pazakontë që misionarët të hasin dikë në rrugë që u thotë: “Ju pashë në ëndërr dhe ju keni një mesazh nga Perëndia. Dua të dëgjoj atë që keni për të më thënë.” Unë nuk shoh ëndrra siç shohin disa nga shenjtorët besnikë në Afrikë.

Ne japim mësim kryesisht nga vetë përvoja jonë, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm që të mos ua detyrojmë si rregull të tjerëve modelin e përvojës sonë. Kjo nuk do të thotë që modeli i tyre është më pak i vlefshëm ose më pak i dobishëm. Por ka një larmi mënyrash të ndryshme që Shpirti i Zotit mund të lidhet me mendjen dhe zemrën e dikujt.

Ju lutem, jini të hapur që të mund ta ftoni dhe nxitni dikë të bëjë një gamë të madhe gjërash, që ata të mund të veprojnë e mësojnë vetë.

Pyetja

Si na rritet vetëbesimi tek aftësia jonë për të marrë zbulesë vetjake dhe të mos mbështetemi te një proces për të cilin kemi dëgjuar ose lexuar nga dikush tjetër?

Plaku Dejvid A. Bednar

Një citim nga Presidenti Joseph F. Smith është një burim i jashtëzakonshëm për dikë që ka filluar rrugëtimin për të fituar vetëbesim për marrjen e zbulesës:

““Më tregoni mua shenjtorë të ditëve të mëvonshme që duhen ushqyer me mrekulli, shenja dhe vegime që të mbahen të patundur në Kishë dhe do t’ju tregoja anëtarë të cilët nuk kanë qëndrim të mirë para Perëndisë dhe të cilët po ecin në shtigje të rrëshqitshme. Nuk janë shfaqjet e mahnitshme që na vijnë neve, mënyra që do të na ngulisë tek e vërteta, por është përulësia dhe bindja besnike ndaj urdhërimeve dhe ligjeve të Perëndisë. …

Në djalëri … unë shpeshherë … i kërkoja Zotit të më tregonte ndonjë gjë të mahnitshme, që të merrja një dëshmi. Por Zoti m’i mbajti tej çuditë dhe ma tregoi të vërtetën rresht pas rreshti, derisa Ai më bëri ta di të vërtetën që nga maja e kokës deri te shputat e këmbëve të mia dhe derisa dyshimi e frika ishin spastruar krejt prej meje. Nuk iu desh të dërgonte nga qiejt një engjëll për ta bërë këtë, as nuk iu desh të fliste me borinë e një kryeengjëlli. Nëpërmjet pëshpëritjeve të zërit të ulët të qetë të shpirtit të Perëndisë të gjallë, Ai më dha dëshminë që zotëroj.

Dhe nëpërmjet këtij parimi e fuqie, Ai do t’u japë të gjithë fëmijëve të njerëzve një dije të së vërtetës e cila do të qëndrojë me ta dhe do t’i bëjë që ta dinë të vërtetën, siç e di Perëndia, e që të bëjnë vullnetin e Atit siç e bën Krishti. Dhe asnjë sasi shfaqjesh të mahnitshme nuk do ta arrijnë ndonjëherë këtë.”12

Çdokush që ka vështirësi mund t’i hedhë hapat e parë dhe të bëjë atë që bëri Jozef F. Smithi.

Disa anëtarë të Kishës duan të shohin një dritë gjatë rrugës për në Damask përpara se të besojnë. Vërtet? A ishte Sauli në gjendje ta dallonte zërin e qetë, të vogël? Atij i duhej të kishte një zile zgjimi shpirtëror. Shumë njerëz presin të shohin një engjëll si Alma i Riu. Vërtet? Alma nuk ishte në gjendje ta dallonte zërin e qetë, të vogël. Atij i duhej të kishte një zile zgjimi shpirtëror. Dhe Presidenti Jozef F. Smith dëshmoi se këtë nuk e shkaktoi as drita, as engjëlli. Është dallimi i zërit të qetë, të vogël që sjell vetëbesim. Thjesht shko dhe bëje.

Nëse nuk po i zbatojmë urdhërimet, atëherë ne nuk mund ta kemi atë vetëbesim dhe nuk do ta kemi shoqërimin e Shpirtit. Ka të rinj e të reja që kanë nevojë të pendohen dhe ka të rinj e të reja që e mundojnë së tepërmi veten, që mendojnë se kurrë nuk janë të mirë sa duhet. Nuk keni pse të jeni të përkryer; thjesht duhet të pendoheni sinqerisht, të jeni të mirë, të bëni më të mirën tuaj dhe të ecni përpara.

Pyetja

Ju keni folur e keni shkruar shumë rreth të qenit të qendërzuar te studentët dhe të përqendruar te përparimi i tyre. A ka ndonjë gjë më tepër që do të donit të na mësonit rreth mënyrës se si ta ftojmë Frymën e Shenjtë në atë proces?

Plaku Dejvid A. Bednar

“Caktoni mes jush një mësues dhe mos jini të gjithë zëdhënës në të njëjtën kohë; por njëri duhet të flasë në një kohë dhe të gjithë të dëgjojnë thëniet e tij, që kur të gjithë të kenë folur, të gjithë të jenë lartësuar prej gjithçkaje dhe që cilido të ketë një privilegj të barabartë.”13 Nuk jemi ne mësuesit; mësuesi është Fryma e Shenjtë. Kjo është një këshillë për ta caktuar Frymën e Shenjtë që të jetë mësuesi. Dhe “një model”, jo i vetmi model, është ta lejoni dikë të flasë me radhë dhe t’i lejoni të gjithë t’i dëgjojnë thëniet e tij. Kjo duket kaq e thjeshtë dhe madje mund të duket e lehtë.

Nëse njerëzit ndihen të sigurt, ata mund t’u japin zë disa prej pyetjeve të veta dhe gjërave për të cilat janë të pasigurt. Ata nuk mësojnë vetvetiu prej njerëzve të tjerë në dhomë, por ajo që dikush thotë mund ta lejojë Frymën e Shenjtë që t’u japë atyre mësim individualisht. Ata marrin pjesë në një shprehje kolektive të besimit te Zoti Jezu Krisht teksa secili në atë mjedis po bën pyetje, po kërkon e po troket. Dhe në atë ushtrim individual dhe kolektiv të besimit, ne bëjmë ftesa. Fjala caktoni nuk do të thotë emëroni. Nuk mund ta emërojmë Frymën e Shenjtë që të jetë mësuesi, por mund ta ftojmë e ta nxitim Frymën e Shenjtë që të jetë mësuesi.

Në një mbledhje misionarësh diskutuam një numër çështjesh dhe unë i pyeta misionarët: “Çfarë po dëgjoni që nuk është thënë?” Një misionar 18-vjeçar, i cili kishte qenë në terren prej katër javësh u përgjigj: “Plaku Bednar, nëse e dëgjoj një përgjigje me zërin tuaj ose me zërin e një misionari tjetër, ai është mesazh për të gjithë. Nëse e ndiej në zemër ose kam një mendim në mendje, ai është nga Perëndia vetëm për mua.” A u habitët nga ajo përgjigje? Sa kohë do të duhet që t’i mbani leksion dikujt ose të krijoni njëfarë loje me role apo ndonjë përvojë tjetër që një 18‑vjeçar ta ketë atë ide shpirtërore?

Prandaj, ftesa që të tjerët të veprojnë – ta ushtrojnë besimin e tyre – i ndihmon që ta nxitin Frymën e Shenjtë që t’u japë mësim individualisht atyre dhe çdo njeriu kolektivisht.

Është me shumë rëndësi që të jemi të qendërzuar te nxënësi dhe ta ftojmë Frymën e Shenjtë që të jetë mësuesi. Ne kemi një rol për të luajtur. Ne bëjmë ftesën, nxitjen dhe udhërrëfimin, por më pas Fryma e Shenjtë i drejton gjërat në mënyra mbresëlënëse.

Pyetja

Një vajzë e re më pyeti a më kujtohej që i mësova asaj një parim të caktuar. Ajo tha se kjo ia kishte ndryshuar jetën përgjithmonë. M’u kujtua situata dhe nuk isha fare unë që ia mësova atë; ajo në fakt nuk e kapi thelbin e asaj që unë po përpiqesha t’i mësoja. Ajo mori mësim nga Shpirti. Si i ndihmojmë studentët ta dallojnë që po marrin zbulesë në mënyrë që të kenë vetëbesimin për të kërkuar më shumë zbulesë vetë?

Plaku Dejvid A. Bednar

Çfarë mund ta ftoni atë të bëjë që ajo të ketë sy për të parë atë që nuk e ka parë më parë?

Fryma e Shenjtë … do t’ju[a] kujtojë të gjitha.14 Ajo ka pasur një përvojë mbresëlënëse në të cilën dëgjoi diçka që qartazi nuk po thuhej. Ndihmojeni ta dallojë këtë. Kërkojini asaj të mendojë rreth përvojës së saj e të zbulojë edhe një ose dy episode të tjera si ai. Ndihmojeni të gjejë një model tek ato dy ose tri gjëra që kanë ndodhur e të zbulojë se çfarë e shkaktoi atë ndriçim shpirtëror.

Ka një larmi të gjerë midis të rinjve e të rejave tona dhe kanë gjithfarë lloje sfidash e problemesh. Por duhet të presim që ata të jenë ajo që ne u themi se janë. Dhe ne duhet t’i ftojmë të veprojnë. Dhe do të qëndroni plot habi nga gjërat që do të bëjnë. Mendoni së pari rreth faktit se çfarë do t’i ftoni të bëjnë në mënyrë që të mund të mësojnë atë që u nevojitet të mësojnë.

Pyetja

Mund të na ndihmoni ta kuptojmë, ose ndoshta të mësojmë si të dëgjojmë e të vëzhgojmë më mirë?

Plaku Dejvid A. Bednar

Do t’ju rekomandoja të merrni një kopje të lirë xhepi të Librit të Mormonit dhe lexojeni nga fillimi në fund, duke kërkuar çdo rast ku përmendet fraza “sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar” ose fjalë të ngjashme. Gjithashtu kërkoni te Doktrina e Besëlidhje dhe te Dhiata e Re. Shfletojini shkrimet e shenjta si veprues – duke bërë pyetje, duke kërkuar e duke trokitur – me pyetjen: “Si ta shoh atë që zakonisht nuk e shoh? Si ta dëgjoj atë që zakonisht nuk e dëgjoj?” Teksa i shfletoni shkrimet e shenjta me ato pyetje, Fryma e Shenjtë do t’ju këshillojë dhe do t’ju japë përgjigje për pyetjet tuaja. Unë nuk mundem t’jua jap; Fryma e Shenjtë do t’jua mësojë individualisht, privatisht dhe personalisht se cila është përgjigjja për ju.

Më lejoni të jap një shembull. Bashkëshortja ime, Suzana, ka qenë gjithnjë një mësuese vizitore jashtëzakonisht besnike. Kur u bë përshtatja për dhënien e shërbesës dhe Presidenti Nelson kërkoi një mënyrë “më të lartë dhe më të shenjtë”15 të dhënies së shërbesës, ajo dëgjoi dhe donte të zbulonte se si ishte ajo mënyrë. Pas përsiatjes dhe lutjes, ajo arriti në një përfundim mbresëlënës – t’i pyeste motrat të cilave u jepte shërbesë: “Çfarë do të thotë për ju ‘më e lartë dhe më e shenjtë’ në lidhje me dhënien e shërbesës sonë?”

Kjo është pyetja më e thjeshtë dhe më e dukshme që mund të bëhej, por përgjigjet nga motrat e saj qenë të mahnitshme. Një motër kërkoi të shkonin në tempull së bashku. Një motër tjetër kërkoi të lexonin një bisedë nga konferenca e përgjithshme dhe më pas të hanin drekë së bashku për të diskutuar atë që mësuan. Suzana pyeste veten mos kishte bërë diçka gabim më përpara. Ajo nuk kishte bërë asgjë gabim. Më e lartë dhe më e shenjtë – sytë u hapën për të parë në mënyra që nuk kishin parë më parë.

Pyetja

Gjatë pak minutave të mbetura, a do të shprehni çfarëdo që ndieni se doni ta shprehni si dhe dëshminë tuaj?

Plaku Dejvid A. Bednar

Unë ju dua. Ju dua siç jeni dhe çka po përpiqeni të bëheni. E dua punën që bëni. Ne të gjithë mund të përmirësohemi, por unë ju them “Faleminderit”. Ju them faleminderit në emër të Presidencës së Parë, të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve dhe të Kryesisë së Kishës për Arsimin.

Të jetojmë në tokë në këtë stinë të periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve është bekimi i një jete të tërë. Para disa vjetësh, Presidenti Gordon B. Hinkli më tha në mënyrë të përsëritur: “Dejvid kjo është periudha më e madhërishme në historinë e Kishës së rivendosur.” Dhe ai kishte plotësisht të drejtë.

Mendoni për gjërat që jemi bekuar të shohim. Merreni parasysh se ky vit është përvjetori i 200-të i Vegimit të Parë. Në Papua të Guinesë së Re dhe në Pnom-Pen të Kamboxhës janë njoftuar tempuj. Kemi misionarë në Bashkimin Sovjetik dhe në vende ish-komuniste dhe një tempull në Ukrainë. Kjo është periudha më e madhërishme në historinë e Kishës së rivendosur.

Ne kemi një përgjegjësi të veçantë në këtë kohë. Nëse jemi ruajtur për këtë kohë, është për shkak se kemi shumë për të bërë dhe kemi një rol për ta ndihmuar brezin që po rritet për të qenë gati. Kjo është stina më e madhërishme në historinë e Kishës së rivendosur – kundërshtimet më të mëdha dhe mundësitë më të mëdha. Së bashku, në këtë kohë kemi këtë mundësi për të shërbyer, për të dhënë dëshmi, për të dhënë shërbesë e për të dhënë ndihmë.

Lutem që Fryma e Shenjtë ta mbushë hendekun midis fjalëve që shpreh dhe atyre që dëshiroj të përçoj. Dëshmoj se Ati dhe Biri iu shfaqën vërtet Jozef Smithit 200 vjet më parë. Dëshmoj se Ati është Ati ynë dhe Ai është autori i planit të lumturisë. E di, jap dëshmi dhe dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i Vetëmlindur i Atit të Përjetshëm. Unë dëshmoj se Ai jeton. Ai është ringjallur; varri është i zbrazët. “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall.”16

Unë dëshmoj se nëpërmjet Profetit Jozef Smith, autoriteti i priftërisë, çelësat e priftërisë janë rivendosur në tokë dhe që shfaqja e Atit dhe e Birit filloi Rivendosjen e ungjillit. Unë dëshmoj se ajo Rivendosje po vazhdon.

E jap këtë dëshmi dhe ju shpreh dashurinë time, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.