Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Izrael, Izrael, Perëndia po Thërret


2:3

Izrael, Izrael, Perëndia po Thërret

Mirëserdhët në këtë transmetim të takimit shpirtëror, kudo që jeni në këtë Kishë të madhe, të gjerë e të mrekullueshme. Faleminderit të gjithëve që jeni mjaftueshëm të interesuar për të marrë pjesë, përfshirë ata prej jush që jeni këtu në kompleksin e Kolegjit Diksi Steit në vendlindjen time.

Ka Pasur Shumë Thirrje për t’u Larguar nga Babilonia

Për ta ftuar Shpirtin e Zotit që të jetë me ne, kërkova himnin me të cilin e filluam këtë mbledhje: “Israel, Israel, God Is Calling” [“Izrael, Izrael, Perëndia po Thërret”]. Është një nga këngët klasike të shkëlqyera të Rivendosjes dhe siguron strukturën për shumë prej asaj që dëshiroj t’ju shpreh sonte. Ne mund të kishim shtuar “Ye Elders of Israel” [“Ju Pleq t’Izraelit”] për të njëjtin qëllim. Më pëlqen shumë t’i dëgjoj misionarët anembanë kësaj bote të këndojnë me entuziazëm: “O Babiloni, O Babiloni, t’themi lamtumir’; Po shkojm’ të jetojm’ n’male t’E-fra-i-mit”1. Mesazhi i atyre dy himneve është i njëjti në thelb - që Perëndia u bën përherë thirrje fëmijëve të Izraelit të vijnë në një vend ku, përfundimisht, të gjithë do të jenë mirë.

Izrael, Izrael, Per’ndia thërret

Nga toka e mjerimit.

Babilonia rrëzohet,

Per’ndia po sjell shkat’rrim. …

Eja në Sion ti eja

Brenda mureve gëzo. …

Eja në Sion ti eja.

N’mure t’Sionit lavd’rim ka.2

Kjo ka qenë faktikisht historia e Izraelit gjatë gjithë të kaluarës së tyre. Kur gjërat u bënë tepër mëkatare ose pati tepër laicizëm në shoqëri, apo jeta me johebrenjtë po i shkatërronte standardet morale dhe urdhërimet që kishte dhënë Perëndia, bijtë e besëlidhjes do të dërgoheshin për t’ia mbathur në shkretëtirë për të rithemeluar Sionin dhe për t’ia nisur nga e para.

Në kohën e Dhiatës së Vjetër, Abrahamit, babait të kësaj lloj besëlidhjeje, iu desh të arratisej nga Kaldea për të shpëtuar jetën - në Babiloni me plot kuptimin e fjalës - gjatë kërkimit të tij për një jetë të shenjtëruar në Kanaan (ajo që tani ne do ta quanim Toka e Shenjtë).3 Nuk kaluan shumë breza përpara se pasardhësit e Abrahamit (dhe më pas të Isakut e të Jakobit) - që deri në atë kohë ishin izraelitë me të drejta të plota - ta humbnin Sionin e tyre dhe qenë në robëri në Egjiptin e largët pagan.4 Ndaj Moisiut i duhej të ngrihej për t’i udhëhequr bijtë e premtimit sërish në shkretëtirë - këtë herë në mes të natës pa pasur kohë madje as që t’u vinte brumi i bukës! “Izrael, Izrael, Per’ndia po flet”, ata pa dyshim e kënduan në mënyrën e tyre. “Zërin e Çliru’sit d’gjo!”5

Jo shumë shekuj më vonë, një histori që përbën interes të veçantë për ne, u shpalos kur një prej atyre familjeve izraelite, e kryesuar nga një profet me emrin Lehi, u urdhërua të largohej madje edhe nga Jerusalemi i dashur sepse, mjerisht, Babilonia po e pushtonte6. Ja ku përsëritet sërish procesi (disa izraelitë u larguan për në shkretëtirë)! Ata [Lehi dhe familja e tij] nuk e dinin se po shkonin drejt një kontinenti tërësisht të ri për të krijuar një koncept plotësisht tjetër për Sionin7, por kështu do të ishte. Dhe ata nuk e dinin se kishte ndodhur e njëjta gjë dikur më parë me një grup paraardhësish të tyre të quajtur jareditë.8

Siç u përmend, ky është një transmetim mbarëbotëror i një Kishe gjithnjë e më shumë ndërkombëtare, por përbën interes për të gjithë ata që e kremtojnë Rivendosjen e ungjillit, që kolonizimi i Amerikës lindi nga një grup që po largoheshin nga vendlindjet e tyre të mëparshme në mënyrë që të adhuronin siç dëshironin. Një akademik i shquar midis kolonive puritane në Amerikë e përshkroi këtë përvojë si “misioni në shkretëtirë” i Krishterimit, përpjekjen e izraelitëve të kohëve të sotme për ta çliruar veten nga ateizmi i Botës së Vjetër dhe për të kërkuar përsëri udhët e qiellit në një tokë të re.9

Për qëllimin e mbrëmjes së sotme, ju kujtoj për arratisjen e fundit, një arratisje për të cilën u shkrua në të vërtetë himni ynë i kësaj mbrëmjeje. Ishte vetë Kisha jonë, e udhëhequr nga profetët tanë që i drejtoi paraardhësit tanë besimtarë. Me Jozef Smithin të sulmuar e të persekutuar përgjatë shteteve të Nju-Jorkut, Pensilvanisë, Ohajos, Misurit dhe së fundi të vrarë në Ilinois, ne shohim rivënien në skenë sërish në ditët e mëvonshme të bijve të Izraelit duke kërkuar një vend të veçuar. Brigam Jangu, Moisiu amerikan, ashtu siç është quajtur me admirim, i udhëhoqi shenjtorët për në luginat e maleve ndërsa ata shenjtorë këmbëdrobitur kënduan:

Vendin do t’gjejm’, Per’ndia na e dha sot

fort larg në perëndim,

Atje askush s’na tremb e s’na nget dot’;

Shenjtor’t do ken’ bekim.10

Sioni. Toka e premtuar. Jerusalemi i Ri. Ku është? Epo, nuk jemi të sigurt, por do ta gjejmë. Për më shumë se 4.000 vjet të historisë së besëlidhjes, modeli ka qenë ky: Largohuni dhe kërkoni. Vraponi dhe zini vend. Arratisuni nga Babilonia. Ndërtoni muret mbrojtës të Sionit.

Deri tani. Deri sonte. Deri në kohën tonë.

Thirrja Jonë Është ta Ndërtojmë Sionin Aty ku Jemi

Një nga karakteristikat e shumta të pashoqe të periudhës sonë ungjillore, kjo periudhë ungjillore e plotësisë së kohëve - e fundit dhe më e madhja prej të gjithave - është natyra e ndryshueshme e mënyrës se si ne e ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë në tokë. Ju e shihni se një nga gjërat vërtet entuziazmuese rreth kësaj periudhe ungjillore është se ajo është një kohë e ndryshimit të madh e të përshpejtuar. Dhe një gjë që ka ndryshuar, është se Kisha e Perëndisë nuk do të largohet më kurrë. Ajo nuk do të largohet më kurrë nga Uri, që të largohet nga Harani, që të largohet nga Kanaani, që të largohet nga Jerusalemi, që të largohet nga Anglia, që të largohet nga Kirtlandi, që të largohet nga Navuja, që të shkojë kush e di ku. Jo, ashtu sikurse tha Brigam Jangu për ne të gjithë: “Ne jemi dëbuar nga tigani në zjarr e nga zjarri në mes të sheshit dhe ja ku jemi, dhe këtu do të qëndrojmë”11.

Sigurisht, kjo deklaratë nuk qe një koment vetëm për Luginën e Solt-Lejkut dhe as për buzën perëndimore të Maleve Uosatç në përgjithësi; ajo u bë një deklaratë për të gjithë anëtarët e Kishës në mbarë botën. Në këto ditë të fundit, në këtë periudhën tonë ungjillore, ne do të bëheshim mjaftueshëm të pjekur sa të ndalonim së vrapuari. Ne do të bëheshim mjaftueshëm të pjekur sa për t’i mbajtur të palëkundura këmbët tona dhe familjet, dhe themelet tona në çdo komb, fis, gjuhë dhe popull përgjithmonë. Sioni do të ishte kudo - kudo ku është Kisha. Dhe me atë ndryshim - një nga ndryshimet më të mëdha të ditëve të fundit - ne nuk mendojmë më aq shumë për Sionin si një vend ku do të jetojmë; ne mendojmë për të si për një mënyrë në të cilën do të jetojmë.

Tri Incidente që Çuan në Tri Mësime

Tani, për ta portretizuar paksa këtë detyrë të re, dëshiroj të flas sonte për tri incidente që kemi përjetuar unë dhe Motra Holland gjatë një të shkuare mjaft të afërt. Po ta lejonte koha unë do citoja me duzina më shumë dhe kështu do të bënit edhe ju.

Numër një: Pak vjet më parë, një mik i ri i imi - një misionar i kthyer - ishte në një nga skuadrat e basketbollit të kolegjit në Juta. Ai ishte një i ri i shkëlqyer dhe një lojtar shumë i mirë, por ai nuk po luante aq shumë sa shpresonte. Talentet dhe aftësitë e tij të veçanta nuk qenë pikërisht ato të cilat i duheshin skuadrës në atë fazë të zhvillimit të saj apo të tij. Kjo ndodh në sport. Kështu, me përkrahje të plotë dhe inkurajim nga trajnerët dhe shokët e tij të skuadrës, miku im i ri, u shpërngul në një shkollë tjetër ku shpresonte se mund të kontribuonte pak më shumë.

Ndodhi që gjërat shkuan mirë në shkollën e re dhe miku im luante që nga fillimi i ndeshjes. Dhe a e dini se çfarë ndodhi më pas - programi (i përcaktuar vite përpara se të ndodhnin këto ngjarje) bëri që ky i ri të kthehej për të luajtur kundër skuadrës së tij të mëparshme në Solt-Lejk-Siti, të quajtur në atë kohë Delta Sentër.

Ajo që ndodhi në atë lojë, më mërzit akoma sot dhe po shfrytëzoj këtë çast të pazakontë të bisedës time për ta nxjerrë nga kraharori. Abuzimi shpotitës që u zbraz nga tribuna mbi kryet e këtij të riu atë natë - një shenjtori të ditëve të mëvonshme, një misionari të kthyer, të sapomartuar, që e paguante të dhjetën, që shërbente në kuorumin e pleqve, që bënte shërbime bamirëse ndaj të rinjve në komunitetin e tij dhe që priste me emocion një foshnjë të re që do t’i vinte atij dhe bashkëshortes së tij - ajo që u tha dhe u bë, dhe që u zbraz atë natë mbi të, mbi bashkëshorten e tij dhe familjet e tyre, nuk duhej të ishte përjetuar kurrë nga asnjë qenie njerëzore askund dhe asnjëherë, cilido qoftë sporti apo cilido qoftë universiteti i tij, ose cilatdo qofshin vendimet e tij vetjake rreth secilit prej tyre.

Por ja ku vjen pjesa më e keqe. Trajneri i skuadrës së ardhur nga qyteti tjetër, njëfarë legjende faktikisht në profesionin e tij, u drejtua nga ai pas një loje të mahnitshme dhe i tha: “Çfarë po ndodh këtu? Ti je djali i vendlindjes që është bërë i suksesshëm. Këta janë njerëzit e tu. Këta janë miqtë e tu.” Por më e keqja nga të gjitha, ai më pas tha në një shushatje të plotë: “A nuk janë shumica e këtyre njerëzve anëtarë të Kishës sate?”

Incidenti numër dy: Qeshë ftuar të flisja në një takim shpirtëror për të rinjtë në moshë madhore të kunjit - një ngjarje ku anëtarët e audiencës janë beqarë dhe mbi 18 vjeç. Ndërsa hyra në derën e pasme të qendrës së kunjit, një e re rreth të 30-ave hyri në ndërtesë pothuajse në të njëjtën kohë. Edhe në grumbullin e njerëzve që po futeshin në godinën kishtare, nuk ishte e vështirë ta vije re. Me sa më kujtohet, ajo kishte nja dy tatuazhe, një larmi vathësh në vesh dhe hundë, flokë të ngritur që ishin lyer me të gjitha llojet e ngjyrave të çuditshme, një fund që ishte shumë i shkurtër dhe një bluzë që ishte shumë e ngritur.

Më erdhën në mendje tri pyetje: A ishte kjo vajzë një shpirt i munduar, jo i besimit tonë, që ishte drejtuar - ose madje më mirë, që ishte sjellë nga dikush - në këtë takim shpirtëror nën udhëheqjen e Zotit në një orvatje për ta ndihmuar atë të gjente paqen dhe drejtimin e ungjillit që kishte nevojë në jetën e saj? Një mundësi tjetër: A ishte ajo një anëtare që kishte humbur paksa nga disa prej shpresave dhe standardeve që Kisha inkurajon për anëtarët e saj, por që, fatmirësisht, nuk ishte plotësisht joaktive dhe kishte zgjedhur të merrte pjesë në këtë aktivitet Kishe atë natë? Ose një variant i tretë: A është kjo presidentja e Shoqatës së Ndihmës të kunjit? (Në njëfarë mënyre isha i sigurt se nuk ishte.)

Ja ku është shembulli im i tretë: Ndërsa po merrja pjesë në përkushtimin e Tempullit të Kansas-Sitit vetëm pak muaj më parë, Motra Holland dhe unë qëndruam në shtëpinë e Vëllait Ajzëk Fristoun, një polic për nga profesioni dhe një prift i lartë i mrekullueshëm në Kunjin e Libertisë në Misuri. Gjatë bisedave tona, ai na tha se në një mbrëmje të vonë ishte thirrur për të hetuar një ankesë në një pjesë veçanërisht të rrezikshme të qytetit. Nëpër muzikën e lartë dhe aromën e marihuanës në ajër, ai gjeti një grua dhe disa burra duke pirë dhe duke folur ndyrë, të gjithë ata krejtësisht të pandërgjegjshëm në mënyrë të dukshme ndaj pesë fëmijëve të vegjël - të moshës rreth dy deri në tetë vjeç - të bërë kruspull së bashku në një dhomë, duke u përpjekur të flinin në një dysheme të fëlliqur pa shtretër, pa dyshekë, pa jastëkë, pa asgjë. Vëllai Fristoun kërkoi në bufenë e kuzhinës dhe në frigorifer për të parë se mos gjente ndonjë kanaçe ose karton apo kuti të vetme ushqimi të çfarëdolloji - por në të vërtetë ai nuk mundi të gjente gjë. Ai tha se qeni që lehte në kopsht, kishte më shumë ushqim sesa ata fëmijë.

Në dhomën e gjumit të nënës ai gjeti një dyshek pa mbulesë, i vetmi në shtëpi. Ai kërkoi derisa gjeti disa çarçafë (nëse do t’i quanit të tillë), i vendosi mbi dyshek dhe i futi të pestë fëmijët në shtratin e improvizuar. Më pas, me lot në sy, ai u gjunjëzua, bëri një lutje ndaj Atit Qiellor që t’i mbronte ata, dhe tha natën e mirë.

Ndërsa u ngrit dhe eci drejt derës, njëri prej fëmijëve, rreth moshës gjashtë vjeç, kërceu nga shtrati dhe vrapoi drejt tij, e rroku nga duart dhe iu përgjërua: “A do të më adoptosh të lutem?” Akoma me më shumë lot në sy, ai e ktheu fëmijën në shtrat, pastaj gjeti nënën e përhumbur nga droga (burrat ia kishin mbathur me kohë) dhe i tha asaj: “Unë do të kthehem nesër, dhe do ishte mirë të kishte disa ndryshime të dukshme kur të hyj nga kjo derë. Dhe do të ketë ndryshime të tjera pas kësaj. Të jap fjalën për këtë.”12

Çfarë kanë të përbashkët këto tri incidente? Jo shumë gjëra në të vërtetë, përveç faktit se ato më ndodhën mua dhe Motrës Holland në të shkuarën e afërt. Dhe se ato japin tre shembuj të veckël, shumë të ndryshëm të jetës së vërtetë të Babilonisë - një shembull vetjak i një sjelljeje sa të pamend aq edhe për të ardhur keq në një ndeshje basketbolli, një shembull më kulturor dhe tregues i sfidave individuale me ata që jetojnë në mënyrë të ndryshme nga ne, dhe një shembull i një çështjeje të gjerë e shumë të rëndë, me ndërlikime ligjore dhe histori kaq të ngatërruara sa do të duket përtej aftësisë së çdonjërit prej nesh për ta zgjidhur.

Në parashtrimin e këtyre tri sfidave, unë nuk i përdora me qëllim rastet e bujshme të shkeljes seksuale, ose dhunës fizike, apo varësisë nga pornografia, edhe pse këto mund t’ju prekin më shumë sesa shembujt që përdora. Por ju jeni aq të zgjuar sa t’i zbatoni parimet për të cilat po diskutoj pa ua treguar unë.

Mësimi 1: Kurrë “Mos e Lini Fenë prapa Derës”

Së pari, le të përfundojmë së foluri për incidentin e basketbollit. Ditën pas asaj ndjeshjeje, ku pati disa reagime nga publiku dhe një kërkesë për falje mbi incidentin, një i ri në fakt tha: “Dëgjoni. Ne po flasim për basketboll këtu e jo për Shkollën e së Dielës. Nëse nuk i duron dot britmat, mos luaj basketboll. Ne paguajmë goxha para për t’i parë këto ndeshje. Ne mund të sillemi si të duam. Ne e lemë fenë prapa derës [kur hyjmë për të parë një ngjarje sportive].”

Ne e lëmë fenë prapa derës”? Mësimi numër një për ndërtimin e Sionit në shekullin e 21-të: Ju kurrë “nuk e lini fenë prapa derës”. Kurrë.

Miqtë e mi të rinj, ai lloj dishepullimi nuk mund të ekzistojë - nuk është fare dishepullim. Sikurse profeti Alma i ka mësuar Të Rejat e Kishës që të shpallin çdo javë në temën e Të Rejave, ne duhet të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të gjende[m]i”13, jo vetëm në një pjesë të kohës, në disa vende ose kur skuadra jonë kryeson me shumë pikë përpara.

“Lëreni fenë prapa derës!” Isha i xhindosur.

Mësimi 2: Tregoni Dhembshuri por Jini Besnikë ndaj Urdhërimeve

Por le të qëndrojmë këtu për një çast sepse kemi një mësim të dytë për të marrë. Mësimi numër dy në kërkimin e sotëm për Sionin është se në indinjatën time të drejtë (të paktën ne themi që është e drejtë) unë duhet të sigurohem që të mos përfundoj duke bërë pikërisht atë për të cilën e akuzoj këtë tifoz të ri se e ka bërë - të tërbohem, të sillem si i marrë, të humbas kontrollin, të çirrem, të dëshiroj të vë dorë mbi të - mundësisht rreth fytit të tij - derisa, përpara se ta kuptoj, unë e kam lënë fenë pas!Jo, dikush në jetë, dikush në shekullin e 21-të, dikush në të gjitha këto situata duhet të jetojë sipas fesë së tij ose të saj sepse, në të kundërt gjithçka që arrijmë, është një tufë e tërë të marrësh që sillen si njerëz me moral të ulët.

Shikoni, është e thjeshtë të jesh i drejtë kur gjërat janë të qeta dhe jeta është e mirë, dhe gjithçka po shkon vaj. Prova është kur ka sprovë ose tundim të vërtetë, kur ka presion dhe lodhje, zemërim dhe frikë ose mundësi për shkelje të vërtetë. A mund të jemi besnikë atëherë? Kjo është çështja sepse “Izrael, Izrael, Perëndia po thërret”. Një integritet i tillë moral është, patjetër, madhështia e shprehjes “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”14 - pikërisht atëherë kur falja dhe mirëkuptimi, dhe të qenit zemërgjerë me kryqëzuesit tuaj është gjëja e fundit që çdokush më pak i përsosur se Shpëtimtari i botës do të dëshironte të bënte. Por ne duhet të përpiqemi; ne duhet të dëshirojmë të jemi të fortë. Ciladoqoftë situata apo provokimi, ose problemi, asnjë dishepull i vërtetë i Krishtit nuk mundet “ta lerë fenë e tij prapa derës”.

Kjo më çon mua te vajza me flokët si ylber dhe vëthët e shumta të shndritshme. Sido që t’i përgjigjet dikush asaj të reje, rregulli është që përgjigjja përherë duhet të reflektojë bindjet tona fetare dhe zotimet tona të ungjillit. Prandaj, mënyra se si reagojmë në çfarëdo situate duhet t’i përmirësojë gjërat, jo t’i përkeqësojë. Ne nuk mund të sillemi apo të reagojmë në një mënyrë të tillë që të jemi fajtorë për një fyerje më të madhe sa është ajo, në këtë rast. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi mendime, se nuk kemi standarde, se në njëfarë mënyre ne i shpërfillim plotësisht urdhërimet e dhëna hyjnisht për gjërat që “duhet të bëjmë” e ato që “nuk duhet të bëjmë” në jetë. Por kjo do të thotë se ne duhet t’i jetojmë ato standarde dhe t’i mbrojmë ato urdhërime në një mënyrë të drejtë, me më të mirën e aftësisë sonë, në mënyrën se si i jetoi dhe i mbrojti Shpëtimtari. Dhe Ai gjithnjë bëri atë që duhej bërë për ta përmirësuar situatën - që nga mësimdhënia e së vërtetës, falja e mëkatarëve dhe pastrimi i tempullit. Nuk është dhuratë e vogël të dish se si t’i bësh gjëra të tilla në mënyrë të drejtë!

Ndaj, me të njohurën tonë të re, me standarde të pazakonta veshjeje dhe paraqitjeje, ne e nisim, para së gjithash, duke kujtuar se ajo është një bijë e Perëndisë dhe ka vlerë të përjetshme. Ne e nisim duke kujtuar se ajo është e bija e dikujt këtu në tokë gjithashtu dhe mund të ishte, në rrethana të tjera, bija ime. Ne e nisim duke qenë mirënjohës që ajo është në një aktivitet të Kishës dhe që nuk është duke e shmangur një aktivitet. Për t’i rënë shkurt, ne përpiqemi me më të mirën tonë që të kemi në këtë situatë një dëshirë për ta ndihmuar atë të bëhet më e mira që mundet. Ne vazhdojmë të lutemi në heshtje: Cila është gjëja e drejtë për t’u bërë këtu? Dhe cila është gjëja e drejtë për t’u thënë? Çfarë do ta përmirësojë përfundimisht këtë situatë dhe atë [vajzë]? Bërja e këtyre pyetjeve dhe përpjekja e vërtetë për të bërë atë që Shpëtimtari do të bënte, është ajo për të cilën mendoj se e kishte fjalën Ai kur tha dhe po e citoj: “Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë”15.

Duke e thënë këtë, u kujtoj të gjithëve se, teksa afrohemi dhe e ndihmojmë të kthehet një qengj që ka humbur rrugën, ne gjithashtu kemi një përgjegjësi të thellë për të 99-të qengjat që nuk u kthyen - dhe për dëshirat dhe vullnetin e Bariut. Është një vathë dhe supozohet që ne të gjithë të jemi në të, për të mos folur për sigurinë dhe bekimet që na vijnë të gjithëve ne ngaqë jemi atje. Vëllezër dhe motra të mia të reja, kjo Kishë nuk mund t’ia “ulë nivelin” doktrinës së saj për t’ju përshtatur më mirë shoqërisë apo për të qenë më të pranueshëm politikisht, ose për çfarëdo arsye tjetër. Është e vetmja siguri e së vërtetës së zbuluar që na jep çdo pikëmbështetje mbi të cilën të ngremë një tjetër që mund të ndihet i trazuar apo i braktisur. Dhembshuria dhe dashuria jonë - karakteristika dhe kërkesa thelbësore për krishterimin tonë - nuk duhet të interpretohen kurrë si shtrembërim i urdhërimeve. Ashtu siç tha dikur Xhorxh Mek-Donaldi i mrekullueshëm, në situata të tilla “ne nuk jemi të detyruar të themi gjithçka që [besojmë], por jemi të detyruar që as të mos dukemi [si] ajo që nuk [besojmë]”16.

Gjykoni Sipas Drejtësisë

Lidhur me këtë - kjo thirrje për dhembshuri dhe besnikëri ndaj urdhërimeve - ndonjëherë është një mundësi për keqkuptime, veçanërisht mes të rinjve që mund të mendojnë se supozohet që ne nuk duhet të gjykojmë asgjë, se ne nuk duhet të bëjmë kurrë vlerësime të asnjë lloji. Ne duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin për atë gjë sepse Shpëtimtari e bën të qartë se në disa situata ne duhet të gjykojmë, ne jemi të detyruar të gjykojmë - sikurse kur Ai tha: “Mos u jepni qenve ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave”17. Ky mua më duket si një gjykim. Mundësia është që t’i dorëzoheni relativizmit moral të një bote shkatërruese e postmoderniste që, po ta lejosh të shkojë mjaftueshëm larg, parashtron se përfundimisht asgjë nuk është përjetësisht e vërtetë apo veçanërisht e shenjtë dhe, prandaj, asnjë qëndrim i dhënë mbi një çështje nuk është më i rëndësishëm se ndonjë tjetër. Dhe kjo është thjesht e pavërtetë.

Në këtë proces vlerësimi, ne nuk thirremi që t’i dënojmë të tjerët, por na bëhet thirrje që çdo ditë të marrim vendime që pasqyrojnë gjykim - gjykim të mirë shpresojmë. Plaku Dallin H. Ouks i quajti dikur këto lloj vendimesh si “gjykime të përkohshme”, të cilat shpesh duhet t’i bëjmë për vetë sigurinë tonë ose për sigurinë e të tjerëve, në ndryshim nga ato që ai i quajti “gjykimet përfundimtare”, që mund të bëhen vetëm nga Perëndia që i njeh të gjitha të vërtetat18. (Kujtoni, në shkrimin e shenjtë të cituar më herët, se Shpëtimtari tha se këto duhet të jenë “sipas drejtësisë”, jo gjykime të drejta për veten, që është një gjë shumë e ndryshme.)

Për shembull, prindërve u duhet të ushtrojnë përditë gjykim të mirë përsa i përket sigurisë dhe mirëqenies së fëmijëve të tyre. Askush nuk do ta fajësonte një prind që thotë se fëmijët duhet t’i hanë perimet ose që e kufizon një fëmijë nga vrapimi në një rrugë që zien nga trafiku. Pra, përse duhet të fajësohet një prind që, në një moshë më të vonë, interesohet për orën në të cilën fëmijët kthehen në shtëpi natën, apo çfarë standardesh morale dhe sjelljeje kanë miqtë e tyre, ose në cilën moshë dalin në takime, apo nëse bëjnë ose jo eksperimente me drogën apo pornografinë, apo përfshihen në shkelje seksuale? Jo, ne po marrim vendime dhe po mbajmë qëndrime, dhe po i ripohojmë vlerat tona - me pak fjalë, po bëjmë “gjykime të përkohshme” - gjatë gjithë kohës, ose së paku duhet t’i bëjmë.

Disa Probleme dhe Ligje Kanë Pasoja të Përjetshme

Kur hasim situata të tilla në çështje të ndërlikuara sociale në një shoqëri demokratike, mund të jetë shumë sfiduese dhe, për disa, shumë pështjelluese. Të rinjtë mund të pyesin për këtë apo atë qëndrim të mbajtur nga Kisha duke thënë: “Epo, ne nuk besojmë se duhet të jetojmë apo të sillemi në atë apo këtë mënyrë, por përse duhet t’i vëmë njerëzit e tjerë që të bëjnë të njëjtën gjë? A nuk kanë ata lirinë e tyre të zgjedhjes? A nuk po i japim ne të drejtë vetes dhe a nuk po tregohemi paragjykues, duke i imponuar bindjet tona ndaj të tjerëve, duke kërkuar që ata të sillen në një mënyrë të caktuar? Në ato situata do t’ju duhet të shpjegoni me ndjeshmëri arsyen përse mbrohen disa parime dhe përse kundërshtohen disa mëkate kudo që gjenden sepse problemet dhe ligjet e përfshira nuk janë vetëm shoqërore ose politike por me pasoja të përjetshme. Dhe ndërsa nuk dëshirojmë t’i fyejmë ata që kanë besim të ndryshëm nga ne, ne duhet të merakosemi edhe më shumë që të mos e fyejmë Perëndinë, ose ashtu siç thotë shkrimi i shenjtë: “Të mos fyeni atë që është ligjdhënësi juaj”19 - dhe këtu jam duke folur për ligje morale serioze.

Por, për të dalë aty ku duhet, më lejoni të përdor shembullin e një ligji më të lehtë. Ngjan paksa me një adoleshent që thotë: “Tani që mund të ngas makinën, e di se pritet prej meje që të ndaloj para dritës së kuqe, por a duhet të jemi vërtet ne gjykues dhe të përpiqemi t’i bëjmë të gjithë të tjerët që të ndalojnë para dritave të kuqe? A duhet të bëjnë të gjithë atë që bëjmë ne? A nuk e kanë të tjerët lirinë e tyre të zgjedhjes? A duhet të sillen ata si ne?” Epo, atëherë ju duhet të shpjegoni përse, po, ne shpresojmë vërtet që ata të gjithë do të ndalojnë para dritës së kuqe. Dhe ju duhet ta bëni këtë pa i kritikuar ata që bëjnë shkelje, ose ata që vërtet kanë besim të ndryshëm nga ne, sepse, po, ata e kanë vërtet lirinë e tyre morale të zgjedhjes.

Miqtë e mi të rinj, ka një larmi të gjerë bindjesh në këtë botë dhe ka liri zgjedhjeje morale për të gjithë, por askush nuk është i lirë të veprojë sikur Perëndia të ishte memec mbi këto subjekte apo sikur urdhërimet të kenë rëndësi vetëm nëse ka miratim publik mbi këtë. Ne nuk mund t’ia mbathim më nga bota në shekullin e 21-të. Do të na duhet të luftojmë për ligje, rrethana dhe mjedise që lejojnë ushtrimin e lirë të fesë dhe të drejtën tonë të posaçme për të. Kjo është një mënyrë sipas së cilës ne mund të lejojmë që të jemi në Babiloni por të mos jemi të sajët.

Nuk di të ketë mundësi më të rëndësishme dhe integritet moral më të madh që ne mund të tregojmë, sesa të ecurit në një shteg të kujdesshëm në një botë prej së cilës nuk mund t’ia mbathim - mbajtja e një qëndrimi moral në përputhje me atë që Perëndia ka shpallur dhe ligjet që Ai ka dhënë, por duke e bërë atë me dhembshuri dhe me kuptueshmëri, dhe dashuri të madhe hyjnore. Flas rreth diçkaje të vështirë për t’u bërë - bërjen e dallimit në mënyrë të përsosur mes mëkatit dhe mëkatarit. I njoh disa dallime që janë më të vështira për t’u bërë - ose së paku më të vështira për t’u shqiptuar - por ne duhet të përpiqemi t’i bëjmë pikërisht ato, me dashuri. Besomëni, vëllezër e motra, në botën në të cilën po lëvizim, do të kemi shumë mundësi për të zhvilluar forcë të tillë, për të shpalosur guxim të tillë dhe për të dëftuar dhembshuri të tillë - të gjitha në të njëjtën kohë. Dhe nuk po flas tani për modele flokësh të stilit pank ose për vëthë në hundën tuaj.

Mësimi 3: Përdorini Vlerat e Ungjillit në Përfitim të Komuniteteve dhe të Vendeve

Tani, së fundmi, historia e vështirë nga Kansas-Siti. Jo shumë prej nesh do të bëhen policë apo punonjës të shërbimeve sociale, ose gjyqtarë që punojnë në sistemin ligjor, por të gjithëve duhet të na interesojë mirëqenia e të tjerëve dhe siguria morale e komunitetit tonë të gjerë. Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, ia kushtoi një bisedë të tërë në konferencën e përgjithshme kësaj teme dy vjet më parë. Duke folur për nevojën që ne të ndikojmë te shoqëria përtej mureve të shtëpisë sonë, ai tha:

“Përveç mbrojtjes së vetë familjeve tona, ne duhet të jemi burim drite në mbrojtje të komuniteteve tona. Shpëtimtari tha: ‘Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej’. …

Në botën tonë gjithnjë e më të padrejtë, është thelbësore që vlerat e bazuara në besimin fetar të jenë [të dallueshme] në diskutimin publik. …

Besimi fetar është një burim drite, njohurie dhe urtësie dhe i sjell dobi shoqërisë në mënyrë të jashtëzakonshme.”20

Nëse nuk i çojmë bekimet e ungjillit në komunitetet dhe vendet tona, fakti i thjeshtë i çështjes është se ne nuk do të kemi kurrë policë të mjaftueshëm - nuk do të kemi kurrë Ajzëk Fristouna të mjaftueshëm - për të përforcuar sjelljen morale edhe nëse do të ishte e përforcueshme. Dhe nuk është. Ata fëmijë, në atë shtëpi pa ushqim apo veshje, janë bij dhe bija të Perëndisë. Ajo nënë, më fajtore sepse është më e rritur dhe duhet të jetë më e përgjegjshme, është gjithashtu një bijë e Perëndisë. Situata të tilla mund të kërkojnë dashuri të prerë në rrugë formale, madje edhe ligjore, por ne duhet të përpiqemi të ndihmojmë kur dhe aty ku mundemi sepse ne nuk do ta lëmë fenë tonë pas, sado të papërgjegjshme dhe për të ardhur keq janë disa mënyra.

Ne nuk do të zgjidhim çdo problem vetjak ose shoqëror në botë sonte këtu. Kur të largohemi këtë mbrëmje, do të ketë sërish varfëri e padituri, shkelje ligjore, papunësi e abuzim, dhunë dhe vuajtje në lagjet, qytetet dhe kombet tona. Jo, ne nuk mund të bëjmë gjithçka, por siç thotë shprehja e vjetër, ne mund të bëjmë diçka. Dhe në përgjigje të thirrjes së Perëndisë, bijtë e Izraelit janë ata që duhet ta bëjnë këtë - jo t’ia mbathim nga Babilonia këtë herë, por ta sulmojmë atë. Pa u treguar naivë apo optimistë rreth kësaj, ne mund ta jetojmë fenë tonë kaq gjerësisht dhe kaq pagabueshëm sa t’i gjejmë të gjitha llojet e mundësive për të ndihmuar familje, për të bekuar fqinjë dhe për t’i mbrojtur të tjerët, përfshirë brezin e ri.

Jetojeni Jetën Tuaj që të Pasqyrojë Dashurinë Tuaj për Jezu Krishtin

Unë nuk e kam shqiptuar fjalën misionar në këtë kontekst nga frika se ju do të mendonit menjëherë për këmishat e bardha dhe etiketat e emrave. Mos më kufizoni në këtë gjë. Qëndroni te problemi i gjerë - dhe nevoja e stërmadhe - për ta ndarë ungjillin gjithmonë, qoftë nëse jeni apo jo një misionar kohëplotë. Shenjtorëve të ditëve të mëvonshme u bëhet thirrje që të jenë majaja e bukës, kripa që kurrë nuk bëhet e amësht, drita e vendosur në majë të malit për të mos u fshehur kurrë nën babunë. Dhe grupmosha juaj - 18 deri në 30 vjeç për shumicën - është koha në jetën e një njeriu kur ka më shumë gjasa që të njohurit tuaj ta pranojnë ungjillin nëse ai u paraqitet atyre. Ne e dimë këtë. Një numër studimesh, të kryer nga Kisha, na e kanë treguar atë.

Kështu që filloni ta paraqitni! Nëse veprojmë dhe flasim drejt dhe ndihmojmë bujarisht me fjalët dhe veprat tona, atëherë kur Shpëtimtari ta përshpejtojë punën e Tij në drejtësi, kur të thotë se nuk ka më kohë në këtë periudhë të fundit e të madhe ungjillore dhe atëherë të vijë në lavdinë e Tij, Ai do të na gjejë - ju dhe mua dhe të gjithëve ne - duke bërë më të mirën tonë, duke u përpjekur të jetojmë ungjillin, duke u përpjekur ta përmirësojmë jetën tonë dhe Kishën tonë, si dhe shoqërinë tonë në mënyrën më të mirë që mundemi. Kur Ai të vijë unë dëshiroj shumë që të gjendem duke e jetuar ungjillin. Dua të kapem në befasi pikërisht duke përhapur besimin dhe duke bërë diçka të mirë. Unë dëshiroj që Shpëtimtari të më thotë: “Xhefri” - sepse Ai i di të gjithë emrat tanë - “Unë të njoh jo nga titulli yt, por nga jeta, nga mënyra si po përpiqesh të jetosh dhe nga standardet që po përpiqesh të mbrosh. E shoh integritetin moral të zemrës sate. E di se je përpjekur t’i përmirësosh gjërat së pari dhe mbi të gjitha duke përmirësuar veten, dhe pastaj duke shpallur fjalën time dhe duke mbrojtur ungjillin tim para të tjerëve në mënyrën më të dhembshur që mundeshe.”

“E di se nuk ia ke dalë mbanë përherë”, do të thotë Ai me siguri, “me vetë mëkatet e tua apo rrethanat e të tjerëve, por besoj se je përpjekur sinqerisht. Unë besoj se, në zemrën tënde, ti vërtet më ke dashur.”

Unë dua shumë të më ndodhë diçka e tillë një ditëm, aq sa nuk dëshiroj asgjë tjetër në këtë jetë në vdekshmëri. Dhe këtë dëshiroj edhe për ju. E dëshiroj për të gjithë ne. Izrael, Izrael Perëndia po thërret - po na thërret që ta jetojmë ungjillin e Jezu Krishtit personalisht si në mënyra të vogla, ashtu edhe në të mëdha dhe pastaj t’i ndihmojmë ata që mund të mos duken, ose vishen, apo sillen pikërisht si ne, dhe pastaj (aty ku mundemi) të shkojmë përtej asaj, që të shërbejmë në komunitetin më të gjerë të cilit mund t’i drejtohemi.

Për t’ju ndihmuar ta bëni këtë, unë lë bashkë me dëshminë time, një bekim apostolik mbi secilin prej jush këtë mbrëmje. Unë ju bekoj, me anë të fuqisë së priftërisë dhe autorizimin që kam marrë, që ta dini se Perëndia ju do, se Ai ka nevojë për ju në këtë periudhë të fundit dhe më të madhen e kohëve, kur çdo gjë është e përshpejtuar dhe pritet gjithnjë e më shumë. Ju bekoj, me autoritet apostolik, që lutjet tuaja të dhëna në drejtësi do të marrin përgjigje, që frikërat tuaja vetjake do të fashiten, që shpinat e shpatullat tuaja si dhe zemrat tuaja do të jenë të forta për barrat që janë vendosur mbi to. Ju bekoj ndërsa mundoheni që të jeni të pastër në zemër, duke e dhënë vetveten si një mjet në duart e Perëndisë për ndërtimin e Sionit në këto ditë të fundit, kudo që jeni. Ju bekoj që të jeni miq të vërtetë me njëri-tjetrin dhe me ata që nuk janë të rrethit tuaj, të cilët duhet t’i ndihmojmë. Mbi të gjitha, ju bekoj që të jeni miq të Shpëtimtarit të botës, që ta njihni Atë personalisht dhe të keni siguri në shoqërinë e Tij.

Unë e dua Zotin Jezu Krisht, shërbëtori i të cilit po përpiqem të jem. Dhe e dua Atin tonë Qiellor, që na deshi aq sa na e dha Atë [Shpëtimtarin]. E di se, prej kësaj dhurate, Perëndia po e thërret Izraelin në këto ditë të fundit dhe se Ai pret që ne t’i përgjigjemi asaj thirrjeje dhe të bëhemi më shumë si Krishti, të bëhemi më të shenjtë sesa jemi tani në vendosmërinë tonë për ta jetuar ungjilin dhe për të ndërtuar Sionin. E di gjithashtu se Ai do të na japë edhe forcë edhe shenjtërinë për të qenë dishepuj të vërtetë nëse lutemi për këtë. Unë dëshmoj për hyjnueshmërinë e kësaj pune, për dashurinë dhe madhështinë e Perëndisë së Plotfuqishëm, dhe Shlyerjen e pafundme të Zotit Jezu Krisht madje për më të voglin prej nesh. Ju bekoj me këtë shpresë për lumturi dhe shenjtëri, sonte dhe nesër e përgjithmonë, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Ye Elders of Israel”, Hymns, nr. 319.

  2. “Israel, Israel, God is Calling”, Hymns, nr. 7.

  3. Shih Abraham 2:3.

  4. Shih Eksodi 1:7–14.

  5. “Israel, Israel, God is Calling”, Hymns, nr. 7.

  6. Shih 1 Nefi 2:2.

  7. Shih 1 Nefi 18:22–24.

  8. Shih Ethëri 6:5–13.

  9. Shih Perry Miller, Errand into the Wilderness (1984), f. 2–3.

  10. “Eni Shenjtorë”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, nr. 2.

  11. Brigham Young, cituar në James S. Brown, Life of a Pioneer (1971), f. 121.

  12. Isaac Freestone, përvojë treguar autorit më 5 maj 2012.

  13. Mosia 18:9.

  14. Lluka 23:34.

  15. Gjoni 7:24.

  16. George MacDonald, The Unspoken Sermons (2011), f. 264.

  17. Mateu 7:6.

  18. Shih Dallin H. Oaks, ”‘Judge Not’ and Judging”, Ensign, gusht 1999, f. 6–13.

  19. Doktrina e Besëlidhje 64:13.

  20. Kuentin L. Kuk, “Pastë Dritë!” Ensign dhe Liahona, nëntor 2010, f. 28–29.