Takime Shpirtërore Mbarëbotërore
Ne jemi Arkitektët e Vetë Lumturisë Sonë


2:3

Ne jemi Arkitektët e Vetë Lumturisë Sonë

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, sonte ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar që kam mundësinë t’ju drejtohem juve. Kam admirim të thellë për të rinjtë në moshë madhore të Kishës dhe gëzohem që jam në gjendje të kaloj pak kohë me ju këtë mbrëmje.

Disa mijëra prej jush janë në këtë Tabernakull të mahnitshëm. Edhe më shumë, të cilët nuk mund t’i shoh, janë mbledhur në mijëra shtëpi mbledhjesh anembanë botës. Por e di se ju jeni të vëmendshëm dhe dëshirues për të nxënë. Pavarësisht largësisë që mund të na ndajë, e di se Fryma e Shenjtë mund të jetë i pranishëm kudo që ne mund të jemi. Është prania e Frymës së Shenjtë, madje më shumë se transmetimi satelitor, që krijon një lidhje unike midis ne të gjithëve. Lutem që Ai do të jetë me ne, që Ai do të na japë mësim, do të na drejtojë dhe frymëzojë këtë mbrëmje.

Jeta Ka Shumë Surpriza

Jemi në një sallë madhështore, një monument historik që nderon besimin dhe zellin për punë të pionierëve që themeluan Solt-Lejk-Sitin. Për herë të parë në këtë Tabernakull hyra kur isha 16 vjeç. Qe gjatë udhëtimit tim të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Im atë propozoi që unë ta shoqëroja në një nga udhëtimet e tij të punës në Kaliforni. Si një i ri i rritur në jug të Francës, kërceva nga gëzimi prej kësaj ftese. Më në fund po shkoja të shihja Amerikën! Entuziazmi im qe edhe më i madh sepse itinerari ynë përfshiu një fundjavë në Solt-Lejk-Siti për të marrë pjesë në konferencën e përgjithshme.

Më kujtohet mbërritja jonë në Juta, në Fordin Mustang të marrë me qira. Gjatë shumë orëve që shpenzuam në rrugë, kaluam përmes shkulmeve të dëborës, shkretëtirave për aq sa të hante syri, kanioneve të mrekullueshme me ngjyrë portokalli dhe maleve madhështore. Pamja ishte karakteristike për Perëndimin e Amerikës për mua. I mbajta sytë plotësisht të hapur me shpresën që të shihja kauboj ose indianë përgjatë autostradës.

Ditën pasuese, në saje të mirësisë së një miku, e gjetëm veten të ulur në këtë Tabernakull, midis rreshtave të parë për të ndjekur sesionet e konferencës. Më kishte lënë shumë mbresë. Gjatë gjithë mbledhjeve, u përpoqa të kapja disa fjalë anglisht që isha në gjendje të kuptoja. Ende më kujtohet biseda e Presidentit Ezra Taft Benson - jo tamam fjalët e tij, por mbresa e thellë që më la në zemër si një i ri. Ndieva sikur po jetoja në një ëndërr, në një aventurë të jashtëzakonshme.

Gjatë asaj kohe, si mund të kisha imagjinuar se çfarë do të ndodhte këtë mbrëmje? Si mund të kisha imagjinuar që të jepja një bisedë në po të njëjtin Tabernakull përpara një mbledhjeje të këtillë? Absolutisht kurrë!

Jeta ka shumë surpriza, apo jo? Madje as pesë vjet më parë, kurrë nuk mund ta kisha imagjinuar këtë. Gjatë asaj kohe unë jetoja në Paris me familjen time dhe jeta jonë dukej tërësisht e planifikuar. Të pestë fëmijët tanë u lindën të gjithë në po të njëjtën klinikë, pranë shtëpisë. Ne nuk mund ta përfytyronim jetën ndryshe dhe as diku tjetër përveç se në këtë lagje të qetë në periferi të Parisit, të rrethuar nga fëmijët tanë dhe nipërit e mbesat që i prisnim shpejt. Më pas, një mbrëmje Presidenti Monson telefonoi në shtëpi dhe jeta jonë ndryshoi plotësisht.

Qysh atëherë familja ime dhe unë kemi zbuluar gëzimet e jetës në Juta - vendet e historisë së Kishës, ngjitjen në male, pjekjen e mishit në oborre ndërsa perëndon dielli, hamburgerat e shijshëm të të gjitha llojeve (më të mirët dhe më të këqinjtë!), lojrat e futbollit të skuadrës Koëgër … ose jutanët. Dhe, ku i dihet, kaubojsi që do të shihni në të ardhmen nëpër autostradë, thjesht mund të jem unë!

E Ardhmja Është e Paformësuar

Detyra ime si anëtar i Peshkopatës Kryesuese, është emocionuese dhe frymëzuese. Megjithatë, kjo përvojë është shumë ndryshe nga ajo çfarë kisha planifikuar në rininë time. Kur isha fëmijë, dëshiroja të bëhesha arkeolog. Ime gjyshe kishte ndërmarrë përgjegjësinë të siguronte që të merrja arsim të mirë. Ajo më dha një libër për faraonin e ri që njihet tani si Mbreti Tut, dhe prej tij krijova pasionin për qytetërimet e lashta. Kalova shumë fundjava duke bërë vizatime për betejat e hershme dhe muret e dhomës sime qenë të mbushura me këto piktura. Pata ëndërr që një ditë të shkoja në Egjipt për të marrë pjesë në gërmimet arkeologjike në tempujt egjiptianë dhe varret e faraonëve.

Katër dekada më pas, ende nuk jam arkeolog dhe me shumë gjasa nuk do të jem asnjëherë. Nuk kam qenë ndonjëherë në Egjipt dhe pozicioni im i fundit i punës përpara se të bëhesha Autoritet i Përgjithshëm, ishte në shpërndarjen e ushqimeve. S’ka të bëjë shumë me planet e mia të fëmijërisë!

Rinia, në përgjithësi, është koha e përkryer për të bërë plane personale. Secili prej nesh ka ëndrrat e veta të fëmijërisë. Si të rinj në moshë madhore ju ende duhet të keni shumë ëndrra për të ardhmen tuaj – secili prej jush! Ndoshta është shpresa e një arritjeje në atletikë, krijimi i një vepre të mrekullueshme arti, ose marrja e një diplome ose pozicioni profesional që kërkoni të arrini nëpërmjet punës dhe këmbënguljes. Ndoshta ju keni edhe një imazh shumë të qartë në mendjen tuaj për bashkëshortin apo bashkëshorten e ardhshme, pamjen fizike të tij apo të saj, veçoritë e karakterit të tij ose të saj, ngjyrën e flokëve apo të syve të tij ose saj, dhe fëmijët e bukur që do të bekojnë familjen tuaj.

Sa prej ëndrrave tuaja do të bëhen realitet? Jeta është plot pasiguri. Surprizat do të shfaqen gjatë gjithë shtegut të jetës. Kush e di se ç’do të ndodhë nesër, ku do të jeni në pak vite dhe çfarë do të jeni duke bërë? Jeta është si një novelë që të lë pezull, subjekti i së cilës është shumë i vështirë për t’u hamendësuar.

Do ketë momente kyçe për ju që mund të ndryshojnë rrjedhën e jetës suaj në një çast. Një moment i tillë mund të përbëhet nga jo më shumë se një vështrim a një bashkëbisedim, një ngjarje e paplanifikuar. Valeria dhe unë ende e kujtojmë momentin e saktë kur ramë në dashuri me njëri-tjetrin. Ishte gjatë provave të korit të lagjes sonë të të rinjve në moshë madhore në Paris. Kjo qe plotësisht e papritur! Ne e njihnim njëri-tjetrin qysh në fëmijëri, por nuk kishim pasur asnjëherë ndjenja romantike për njëri-tjetrin. Atë mbrëmje isha në piano dhe ajo po këndonte në kor. Ne ndeshëm sytë me njëri-tjetrin dhe diçka ndodhi. Një sekondë për gjithë përjetësinë!

Do ketë mundësi të tjera që do të paraqiten në jetën tuaj, të tilla si deklarata e fundit nga Presidenti Monson lidhur me moshën për shërbim misionar. Pas këtij lajmërimi nga profeti, ka ndoshta mijëra të rinj dhe të reja në Kishë në këtë çast, që janë në procesin e ndryshimit të planeve të tyre për t’u larguar që të shërbejnë në një mision.1

Ndonjëherë, ndryshimet e rrjedhës në jetën tonë vijnë nga sfida apo zhgënjime të papritura. Kam mësuar përmes përvojës se ne i kontrollojmë vetëm pjesërisht rrethanat e jetës sonë.

Dhe sërish shumica e njerëzve e kanë zët të panjohurën. Pasiguria e jetës krijon te disa një mungesë vetëbesimi, një frikë për të ardhmen që shfaqet në mënyra të ndryshme. Disa ngurrojnë të bëjnë zotime për shkak të frikës nga dështimi, edhe kur iu shfaqen mundësi të mira. Për shembull, ata mund ta vonojnë martesën, arsimimin, krijimin e familjes ose stabilizimin në një aktivitet të qëndrueshëm profesional, duke preferuar thjesht të “takohen” ose të qëndrojnë në qetësinë e rehatshme të shtëpisë së prindërve të tyre.

Një tjetër filozofi që do të na kufizojë, ilustrohet nga ky parim: “Hani, pini dhe dëfrehuni, pasi nesër ne vdesim” (2 Nefi 28:7). Kjo frazë sugjeron se, duke qenë se nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër dhe ne të gjithë përfundimisht do të vdesim, ne duhet të kënaqim veten në çastin aktual. Kjo filozofi favorizon plotësimin e kënaqësive të menjëhershme, pavarësisht pasojave të tyre të ardhshme.

Ndiqni Shtegun e Lumturisë

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, mesazhi im për ju sot është se ka një shteg të ndryshëm nga ai i frikës dhe i dyshimit apo kënaqjes së vetes - një shteg që sjell paqe, mirëbesim dhe kthjelltësi në jetë. Ju nuk mund t’i kontrolloni të gjitha rrethanat e jetës suaj. Do t’ju ndodhin gjëra, si të mira edhe sfiduese, që nuk i keni pritur asnjëherë. Megjithatë, ju shpall se ju e keni në kontroll vetë lumturinë tuaj. Ju jeni arkitektët e saj.

Ende mund t’i kujtoj këto fjalë të urta të thëna nga Presidenti Diter F. Uhtdorf gjatë konferencës së përgjithshme të kaluar:

“Sa më shumë plakemi, aq më shumë shohim pas dhe kuptojmë se rrethanat e jashtme në të vërtetë nuk kanë rëndësi ose nuk përcaktojnë lumturinë tonë.

Ne e përcaktojmë lumturinë tonë.”2

Jo, lumturia juaj nuk është vërtet rezultat i rrethanave të jetës suaj. Është më shumë rezultat i vizionit tuaj shpirtëror dhe parimeve mbi të cilat e bazoni jetën tuaj. Këto parime do t’ju sjellin lumturi pavarësisht sfidave dhe surprizave të papritura që ju do të hasni pashmangshmërisht gjatë udhëtimit tuaj këtu në tokë.

Këtë mbrëmje, sugjeroj të shqyrtoj me ju disa prej këtyre parimeve thelbësore.

1. Njiheni Vlerën Tuaj Vetjake

Parimi i parë është: Njiheni vlerën tuaj vetjake.

Këtë verë unë dhe familja ime kaluam disa ditë qetësuese në Provansë, një rajon i mrekullueshëm në Francën jugore. Një mbrëmje, pikërisht pasi dielli kishte perënduar dhe errësira kishte mbuluar vendin përreth, vendosa t’i jepja vetes një çast qetësie duke u shtrirë në një shezlong jashtë shtëpisë. Gjithçka qe kaq e errët saqë kisha vështirësi për të dalluar ndonjë gjë rreth vetes. Sytë e mi filluan të këqyrnin qiellin. Fillimisht, qe një errësirë e padepërtueshme. Papritmas, një dritë u shfaq në qiell, si një xixë, më pas dy e më pas tre. Pak nga pak, ndërsa sytë e mi u përshtatën me errësirën, u gjenda duke admiruar një mori yjesh. Ajo që pata menduar se qe një qiell i errët, u shndërrua në Rrugën e Qumështit.

Mendova: “Kjo është paksa si marrëdhënia jonë vetjake me Perëndinë. Sa njerëz besojnë se Ai është larg ose nuk ekziston? Ata njerëz konstatojnë se jeta është shumë e errët dhe e zymtë. Ata nuk gjejnë kohë ose nuk bëjnë përpjekjen që të këqyrin qiejt për të parë se Ai është atje, kaq pranë nesh.”

Mendja ime filloi të endej. Reflektova mbi pafundësinë e universit që u shfaq përpara syve të mi, dhe në vetë mungesën e rëndësisë sime fizike, dhe e pyeta veten: “Çfarë jam unë përpara madhështisë dhe madhësisë së tillë?” Më erdhi në mendje një shkrim i shenjtë. Është një shkrim i shenjtë shumë i bukur, një nga psalmet e Davidit, poezia e të cilit gjithmonë më ka frymëzuar.

“Kur mendoj qiejtë e tu, që janë vepër e gishtërinjve të tu, hënën dhe yjet që ti ke vendosur,

çfarë është njeriu, që ta mbash mend, dhe biri i njeriut, që ta vizitosh?” (Psalmeve 8:3–4).

Menjëherë vijon kjo frazë ngushëlluese:

“Megjithatë ti e bëre pak më të ulët se Perëndia, dhe e kurorëzove me lavdi dhe me nder” (Psalmeve 8:5).

Ky është paradoksi dhe mrekullia e Krijimit. Universi është i pafundëm dhe i pakufijshëm, ende, në të njëjtën kohë, çdonjëri prej nesh ka vlerë unike, të lavdishme e të pafundme në sytë e Krijuesit tonë. Prania ime fizike është pambarimisht e vogël, ende vlera ime vetjake është me rëndësi të pamatshme për Atin tim Qiellor.

Presidenti Uhtdorf shpalli:

“Kudo që të jeni, çfarëdo qofshin rrethanat tuaja, ju nuk ju kanë harruar. Pavarësisht sa të errëta të mund t’ju duken ditët tuaja, pavarësisht se sa të parëndësishme mund të ndiheni, pavarësisht se sa në hije mund të mendoni se jeni, Ati juaj Qiellor nuk ju ka harruar. Në të vërtetë, Ai ju do me një dashuri të pafundme.

… Juve ju njeh dhe ju kujton qenia më madhështore, më e fuqishme dhe më e lavdishme në univers! Juve ju do Mbreti i hapësirës së pafund dhe i kohës së përhershme!”3

Njohuria se Perëndia na njeh dhe na do personalisht është si një dritë që ndriçon në jetën tonë dhe i jep asaj kuptim. Më kujtohet një e re e cila erdhi tek unë pas një mbrëmjeje rreth vatrës që dhashë në Romë, Itali. Zëri i saj qe plot emocion, dhe më foli për të motrën e cila po kalonte kohë shqetësimi dhe ankthi. Më pas më bëri këtë pyetje: “Si mund ta ndihmoj atë të dijë se Ati i saj Qiellor e do?”

A nuk është kjo pyetja themelore? Si mund ta dimë që Perëndia na do? Shpesh ndjenja që kemi për vlerën tonë vetjake, bazohet te dashuria dhe interesi që marrim nga ata që na rrethojnë. Përsëri kjo dashuri nganjëherë mungon. Dashuria e njerëzve është shpesh e papërkryer, e paplotë apo egoiste.

Megjithatë, dashuria e Perëndisë është e përkryer, e plotë dhe vetëmohuese. Kushdo qofsha, qoftë nëse kam miq apo jo, qoftë nëse jam i njohur ose jo, dhe madje edhe nëse ndihem i refuzuar ose i përndjekur nga të tjerët, kam një siguri absolute se Ati im Qiellor më do. Ai i di nevojat e mia; Ai i kupton shqetësimet e mia; Ai mezi pret të më bekojë. Dhe shprehja më e madhe e dashurisë së Tij për mua është se Ai “e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16). Ai nuk e largoi kupën e hidhur të Shpëtimtarit dhe me siguri qe Vetë në agoni ndërsa shihte Birin e Tij të vuante në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq. Krishti shleu për mëkatet e të gjithë njerëzve dhe një pjesë e asaj Shlyerjeje të madhe u përcaktua për mua dhe është ruajtur për mua sot. Kjo dhuratë e pafundme, e dhënë nga Ati dhe Biri i Tij, pohojnë në shpirtin tim vlerën vetjake që unë kam për Ata.

Vëllezërit dhe motrat e mia, përfytyroni se çfarë do të thotë për ju nëse do ta shihnit veten sikurse Perëndia ju sheh. Po nëse do të shihni te vetja juaj me po të njëjtën mirësi, dashuri dhe mirëbesim që Perëndia ka? Përfytyroni ndikimin që do të ketë në jetën tuaj për të kuptuar potencialin tuaj të përjetshëm sikurse e kupton Perëndia. Nëse mund ta shihni veten përmes syve të Tij, çfarë ndikimi do të ketë kjo në jetën tuaj?

Dëshmoj se Ai është atje. Kërkojeni Atë! Hetoni dhe studioni. Lutuni dhe kërkoni. Ju premtoj se Perëndia do t’ju dërgojë shenja të prekshme të ekzistencës së Tij dhe dashurisë së Tij për ju. Ajo mund të jetë përmes një përgjigjeje ndaj një lutjeje; ajo mund të jetë ndikimi i butë i Frymës së Shenjtë që ju ngushëllon apo mbështet; ajo mund të jetë një frymëzim i papritur ose një forcë e re që ju e dini se nuk erdhi prej jush; mund të jetë një pjesëtar i familjes, një mik, ose një udhëheqës i priftërisë që ndodh të jetë në vendin e duhur, në kohën e duhur për të bekuar jetën tuaj. Në një mënyrë a tjetër, ndërsa zgjateni drejt Tij, Ai do t’ju bëjë të ditur se është atje.

2. Bëhuni Ai që Jeni

Tani, një parim i dytë i lumturisë: Bëhuni ai që jeni.

Kjo frazë, “bëhuni ai që jeni”, i vishet Pindarit, një prej poetëve më të famshëm të poezisë greke.4 Tingëllon si paradoks. Si mund të bëhem ai që jam tashmë?

Më lejoni ta ilustroj këtë parim përmes një historie. Kohët e fundit pashë një film të titulluar Age of Reason [Mosha e Arsyetimit]. Ky film tregon historinë e Margaritës, një bankiere e suksesshme e cila bënte një jetë të ethshme, të mbushur me udhëtime dhe konferenca në të katër anët e botës. Ndonëse është e martuar, ajo thotë se nuk ka kohë që të ketë fëmijë.

Ditën që mbushi 40 vjeç, ajo mori një letër të mistershme që thotë: “E dashur vetvete, sot jam shtatë vjeç dhe po të shkruaj këtë letër për të ndihmuar të kujtosh premtimet që bëra në moshën e arsyetimit dhe gjithashtu në mënyrë që të kujtosh se cila dëshiroj të bëhem”. Margarita papritmas e kupton se autori i letrës nuk qe askush tjetër përveç vetes së saj kur qe shtatë vjeçe. Çfarë vijon janë disa faqe në të cilat vajza e vogël përshkruan me hollësi synimet e saj në jetë.

Margarita kupton se personi që ajo është bërë, nuk ngjan fare me atë çfarë dëshironte të ishte kur qe vajzë e vogël. Ndërsa vendos të përmirësojë personin që ajo përfytyronte kur qe fëmijë, jeta e saj e planifikuar dhe e organizuar mjeshtërisht kthehet tërësisht përmbys. Ajo pajtohet me familjen e saj dhe vendos t’ia përkushtojë pjesën tjetër të jetës shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.5

Miq të mi të dashur, nëse tani do të kishit marrë një letër nga e kaluara juaj, çfarë do të shkruante? Çfarë do të përmbante letra që ju mund t’i kishit shkruar vetes suaj në ditën e pagëzimit tuaj, kur qetë tetë vjeç? Do të shkoj pas edhe më tej. Nëse do të ishte e mundur për ju që të merrnit një letër nga jeta juaj paratokësore, çfarë do të shkruante? Çfarë ndikimi do të kishte te ju një letër e tillë nga një botë e harruar por shumë e vërtetë, nëse do ta merrnit sot?

Kjo letër mund të thotë diçka të tillë si: “E dashur vetvete, po të shkruaj ty, në mënyrë që të kujtosh se kush dëshiroj të bëhem. Thirra nga gëzimi për mundësinë për të shkuar në tokë. E di se jeta në tokë është një pasazh thelbësor për të më mundësuar të rritem në potencialin e plotë dhe për të jetuar përgjithmonë me Atin tim Qiellor. Shpresoj se do të kujtosh që dëshira ime më e madhe është të jesh dishepull i Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. E mbështes planin e Tij dhe, kur të jem në tokë, dëshiroj ta ndihmoj Atë në punën e Tij të shpëtimit. Të lutem, gjithmonë kujto se dëshiroj të jem pjesë e një familjeje që do të jetë bashkë për gjithë përjetësinë.”

Ky mendim i fundit më kujton një këngë shumë të bukur, që gjendet në librin e himneve të Kishës në frëngjisht - një këngë që nuk ekziston në librin e himneve fetare të ndonjë vendi tjetër. Titullohet “Souviens-toi”, që do të thotë “Kujto”, dhe është vënë në muzikë nga New World Symphony [Simfonia e Botës së Re] nga Antonín Dvořák. Është kënga e një prindi që i drejtohet një fëmije të porsalindur.

Më lejoni t’ju lexoj strofën e tretë:

Kujto, fëmija im: Në agim të kohës,

Qemë miq që luanim me erën.

Më pas një ditë, të gëzuar, zgjodhëm

Të pranonin planin e madh të jetës nga Zoti.

Atë mbrëmje, fëmija im, premtuam,

Përmes dashurisë, përmes besimit, të ribashkoheshim.6

“Kujto, fëmija im.” Një prej aventurave të mëdha të jetës është ajo e zbulimit se cilët jemi me të vërtetë, se nga ku erdhëm dhe më pas të jetuarit vazhdimisht në harmoni me identitetin dhe qëllimin e ekzistencës sonë.

Brigam Jangu ka thënë: “Mësimi më i madh që mund të mësoni, është të njihni vetveten. … Ju duhet të vinit këtu për ta mësuar këtë. … Asnjë qenie nuk mund ta njohë plotësisht veten, pa kuptuar pak a shumë gjërat e Perëndisë; as nuk mund të mësojë dhe kuptojë një njeri gjërat e Perëndisë pa njohur veten: ai duhet ta njohë veten, ose kurrë nuk mund ta njohë Perëndinë.”7

Kohët e fundit, bijat e mia më vunë në dukje se një alegori e shkëlqyer e këtij parimi gjendet te filmi Mbreti Luan. Brezi juaj u rrit me muzikën dhe figurat e këtij filmi. Juve ndoshta ju kujtohet skena ku Simba vizitohet nga babai i tij, Mufasa, mbreti i vdekur. Pasi i vdiq i ati, Simba ia mbathi larg nga mbretëria sepse ndihej fajtor për vdekjen e babait të tij. Ai donte t’i largohej përgjegjësisë së tij si trashëgimtar i fronit.

I ati i shfaqet dhe e paralajmëron: “Ti ke harruar se cili je dhe kështu më ke harruar mua. Shih brenda vetes, Simba. Ti je më shumë nga çfarë je bërë. Ti duhet të zësh vendin tënd në Ciklin e Jetës.” Pastaj kjo ftesë përsëritet disa herë: “Kujtohu se cili je. … Kujtohu se cili je.”

Simba, plotësisht i shkundur nga kjo përvojë, vendos ta pranojë fatin e tij. Ai i thotë në mirëbesim mikut të tij, majmunit shaman, që “duket se erërat po ndryshojnë drejtim”.

Majmuni i përgjigjet: “Ndryshimi është i mirë”.

Dhe Simba thotë: “Por nuk është e lehtë. E di se çfarë duhet të bëj. Por të kthehesh pas do të thotë se më duhet të përballem me të kaluarën time. Kam ikur prej saj për kaq shumë kohë.”

“Ku po shkon?” e pyet majmuni.

“Po kthehem!” thërret Simba.8

Ne të gjithë mund të zëmë - ose të rizëmë - vendin tonë në ciklin e jetës. Bëhuni ajo çfarë jeni vërtet. Lumturia dhe aftësia juaj për të gjetur baraspeshë në jetë do të ndodhin kur të gjeni, të dalloni dhe të pranoni identitetin tuaj të vërtetë si një fëmijë i Atit tonë Qiellor dhe pastaj jetoni në harmoni me këtë njohuri.

3. Mirëbesoni në Premtimet e Perëndisë.

Tani po ndaj me ju një parim të tretë për lumturi: Mirëbesoni në premtimet e Perëndisë.

I dua këto fjalë nxitëse të Presidentit Tomas S. Monson: “E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj”9. Suksesi ynë dhe lumturia jonë në jetë varen në masë të madhe nga besimi dhe mirëbesimi që kemi se Zoti do të na udhëheqë e drejtojë për të përmbushur fatin tonë.

Kam vënë re se burrat dhe gratë që përmbushin akte heroike të shquara në jetë, shpesh kanë besim të madh në vetvete për të ardhmen e tyre që nga vitet e hershme të rinisë së tyre. Një shembull i kësaj është Uinston Çërçilli, burri i shquar britanik i shtetit. Kur ishte i ri, ai kishte besim të patundur te vetja për të ardhmen e tij. Ndërsa po shërbente në një regjiment kalorësish në Indi në moshën 23 vjeç, ai i shkroi të ëmës: “Kam besim te ylli im - se jam destinuar të bëj diçka në botë”10. Çfarë mendimi profetik! Ai, vërtet, parashikoi se do të bëhej një njeri kyç në historinë e vendit të tij dhe ai u bë burri që e udhëhoqi Britaninë e Madhe në fitore gjatë Luftës II Botërore.

Besoj se, secili prej jush anëtarë të rinj të Kishës së Jezu Krishtit, keni shumë më tepër se një yll në qiell që t’ju udhëheqë. Perëndia po vëzhgon mbi ju dhe ju ka bërë premtime.

Një shkrim i shenjtë nga libri i Malakias është në zemër të Rivendosjes së ungjillit dhe u citua nga engjëlli Moroni në secilën prej vizitave të tij te Jozef Smithi i ri. Engjëlli tha, duke cituar nga Elija, profeti: “Dhe ai do të mbjellë në zemrat e fëmijëve premtimet e bëra etërve dhe zemrat e fëmijëve do të kthehen tek etërit e tyre” (Joseph Smith - Historia 1:39).

Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, në saje të Rivendosjes, ju jeni fëmijët e premtimit. Ju do të merrni si trashëgim premtimet e bëra etërve tuaj. Këto premtime nga Zoti ju bëjnë pjesë të një brezi mbretëror.

Shumë prej jush të cilëve po ju flas, numëroni pionierë fisnikë mes paraardhësve tuaj, shpirtra të shkëlqyer që ndihmuan për të themeluar Kishën e rivendosur përmes guximit dhe sakrificës së tyre. Breza shenjtorësh trima ju kanë paraprirë. Të tjerë që po më dëgjojnë sot, janë pionierët e vetë familjeve të tyre dhe në vetë tokat e tyre. Ju jeni hallka e parë në atë që do të bëhet një zinxhir i përjetshëm. Ciladoqoftë historia apo trashëgimia juaj, si anëtarë të Kishës ju jeni të lidhur në një familje shpirtërore. Prejardhja juaj shpirtërore e bën secilin prej jush një pasardhës të etërve, siç u paratha nga profetët, dhe trashëgimtarë të premtimeve të Perëndisë për ta.

Rilexojeni bekimin tuaj patriarkal. Në këtë bekim, Zoti pohon se ju jeni lidhur me një nga dymbëdhjetë fiset e Izraelit dhe, për shkak të kësaj, nëpërmjet besnikërisë suaj, ju bëheni trashëgimtarë të bekimeve të pamasa premtuar Abrahamit, Isakut dhe Jakobit. Perëndia i premtoi Abrahamit “sepse të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të quhen sipas emrit [të Tij] e do të llogariten si fara [e Tij] dhe do të ngrihen e do [ta] bekojnë [Atë], si atin e tyre” (Abraham 2:10). Kur të lexoni bekimin tuaj patriarkal, kushtojuni vëmendje të veçantë premtimeve që Zoti ju ka bërë juve personalisht. Mendoni thellë për secilën prej tyre. Çfarë kuptimi kanë ato për ju?

Këto premtime janë të kuptueshme dhe, nëse ne bëjmë pjesën tonë, Perëndia do ta bëjë të Tijën. Më pëlqejnë vërtet këto fjalë të shqiptuara nga Alma në ditën që ai ia dorëzoi analet e shenjta birit të tij, Helamanit:

“O kujto, kujto, biri im Helaman. …

… Në qoftë se ti zbaton urdhërimet e Perëndisë dhe bën me këto gjëra që janë të shenjta sipas asaj që të urdhëron Zoti, … vër re, asnjë fuqi e tokës ose e ferrit nuk mund t’i marrë prej teje, pasi Perëndia është i fuqishëm për të plotësuar të gjitha fjalët e tij.

Pasi ai do të plotësojë të gjitha premtimet që do të të bëjë ty, pasi ai i ka plotësuar premtimet e tij që ua bëri etërve tanë” (Alma 37:13, 16–17).

Përmbushja e premtimeve të Perëndisë lidhet gjithmonë me bindjen ndaj ligjeve bashkëngjitur atyre. Zoti tha: “Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim” (DeB 82:10).

Nga ana tjetër, këto premtime nuk sigurojnë se çdo gjë që ndodh në jetën tonë, do të jetë në përputhje me pritshmëritë dhe dëshirat tona. Përkundrazi, premtimet e Perëndisë garantojnë se ajo çfarë na ndodh, do të jetë në përputhje me vullnetin e Tij. Nganjëherë sprova të papritura do të paraqiten që ne duhet t’i kapërcejmë; nganjëherë bekimet e premtuara do të vonohen gjatë. Por do të vijë koha kur ne do ta dimë se këto sprova dhe këto vonesa qenë për të mirën tonë dhe për përparimin tonë të përjetshëm. Çfarë mund të kërkojmë më shumë?

Gjëja më e madhe që mund të dëshirojmë në jetë, është që ta radhisim vullnetin tonë sipas vullnetit të Zotit - të pranojmë programin e Tij për jetën tonë. Ai di gjithçka që nga fillimi, ka një këndvështrim që ne nuk e kemi, dhe na do me dashuri të pafundme.

Më lejoni ta ilustroj këtë parim nëpërmjet një përvoje personale. Kur isha i ri, vendosa të përgatitem për një provim pranimi te shkolla më e mirë për biznes në Francë. Kjo përgatitje, që zgjati një vit, ishte shumë sfiduese dhe kërkonte punë personale çdo ditë. Në fillim të vitit vendosa se, sado e rëndë të ishte detyra, nuk do t’i lejoja kurrë studimet e mia që të më pengonin nga pjesëmarrja në mbledhjet e mia të së dielës ose në një orë mësimore të institutit një herë në javë. Unë madje rashë dakord të shërbeja si nëpunës për lagjen time të të rinjve në moshë madhore, që do të thoshte disa orë punë çdo javë. Kisha besim se Zoti do ta pranonte besnikërinë time dhe do të më ndihmonte të përmbushja synimet e mia.

Në fund të vitit, kur provimet u afruan, ndieva se kisha bërë më të mirën time. U bëra edhe më i zjarrtë në lutjet e mia dhe në agjërimet e mia. Kur arrita te provimi i shkollës më të famshme, kisha besim të plotë se Zoti do t’u përgjigjej dëshirave të mia. Fatkeqësisht, ngjarjet u shpalosën në një mënyrë shumë të ndryshme nga ajo çfarë kisha shpresuar. Provimi me gojë në lëndën time më të rëndësishme ishte një katastrofë e papritur - mora notë që më ndaloi të hyja në këtë shkollë të shumëdëshiruar. Isha plotësisht i shastisur. Si mundej të më kishte braktisur Zoti kur kisha ngulmuar në besnikërinë time?

Kur u paraqita për provimin me gojë për shkollën e dytë në listën time, isha mbushur me dyshim dhe pasiguri. Në këtë shkollë, provimi që konsiderohej më i rëndi, ishte një intervistë 45-minutëshe me një komision të kryesuar nga drejtori i shkollës. Fillimi i intervistës ishte normal - derisa më bënë një pyetje në dukje të parëndësishme: “E dimë se ke studiuar shumë që të përgatitesh për këtë provim. Por do të ishim të interesuar të dinim se cilat janë aktivitetet e tua përveç studimeve.” Zemra më rrahu fort! Për një vit kisha bërë vetëm dy gjëra: të studioja e të shkoja në Kishë! E dija se ishte një çast i së vërtetës. Kisha frikë, megjithatë, se mos komisioni do ta interpretonte negativisht anëtarësinë time në Kishë. Por, në një sekondë, mora vendim të mbetesha besnik ndaj parimeve të mia.

U thashë: “Unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”. Pastaj, për rreth 15 minuta, përshkrova aktivitetet e mia në Kishë: mbledhjet e Shabatit, orët mësimore të institutit dhe përgjegjësitë e mia si nëpunës i lagjes.

Kur mbarova, foli drejtori i shkollës: “E di, jam i gëzuar që e the këtë. Kur isha i ri, studiova në Shtetet e Bashkuara. Një nga miqtë e mi më të mirë ishte mormon. Ishte një i ri i mrekullueshëm, dikush me cilësi të shkëlqyera njerëzore. Unë mendoj se mormonët janë njerëz shumë të mirë.”

Çfarë lehtësimi! Atë ditë unë mora një nga notat më të mira të mundshme, që më lejoi të hyja në këtë shkollë me një vend nderi.

Falënderova Zotin për mirësinë e Tij. Megjithatë, në atë kohë, nuk mund ta pranoja dështimin tim për shkollën më të famshme. Për një kohë të gjatë, mbajta përbrenda një ndjenjë dështimi dhe madje padrejtësie. M’u deshën disa vite që ta kuptoja bekimin e mrekullueshëm që kishte qenë dështimi im për të shkuar në shkollën e ëndrrave të mia. Në shkollën e dytë takova njerëz të rëndësishëm. Përfitimet e shoqërimit me ta u bënë të dukshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së karrierës sime dhe ende sot janë të rëndësishme në jetën time dhe jetën e familjarëve të mi. Unë e di tani që, edhe në atë moshë të re, Zoti po udhëhiqte hapat e mi me njohurinë paraprake të misionit që Ai do të më kërkonte të përmbushja më vonë në jetë.

Vëllezërit dhe motrat e mia, pasi keni bërë gjithçka mundeni, nëse gjërat nuk shkojnë në mënyrën se si shpresuat apo e prisnit, jini gati të pranoni vullnetin e Atit tuaj Qiellor. Ne e dimë se Ai nuk do të na shkaktojë asgjë që nuk është së fundi për të mirën tonë. Dëgjojeni atë zë qetësues që mërmërit në veshët tanë: “Gjithë mishi është në duart e mia; rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi” (DeB 101:16).

Kohët e fundit pashë një film tepër prekës që tregonte historinë e kompanive të karrove të dorës Uilli dhe Martin. Në maj 1856, dy grupe të njëpasnjëshme, të përbëra nga më shumë se një mijë shenjtorë, lanë Anglinë për të emigruar në Juta. Kur ata arritën gjashtë muaj më vonë në Luginën e Solt-Lejkut, në përfundim të një udhëtimi të rrezikshëm, më shumë se 200 prej tyre mungonin. Shumë kishin vdekur nga sëmundjet, uria ose lodhja përgjatë shtegut që të çonte te vendi që ata e quanin “Sion”.

Një nga pionierët e paraqitur në film, më la mbresë të thellë. Ai e mbyste kompaninë me humorin e mirë dhe entuziazmin e tij. Megjithatë, ai nuk i ngjante shumë një pionieri tipik. Një burrë i vogël dhe me paaftësi të rënda, ai ishte një mrekulli në vetvete! Mësova se ky pionier i guximshëm ishte Robert Piërs nga Çeltenham në Angli.

Një nga shokët e tij të udhëtimit e përshkroi atë si “një nga njerëzit më të gjymtë që ai kishte parë ndonjëherë të bëhej udhëtar. Gjymtyrët e tij të poshtme ishin të paralizuara dhe trupi i shformuar keqas, por ai ishte i fortë në besim. Ai ishte në gjendje ta shtynte veten me shpejtësi të habitshme me anë të patericave.”11

Një ditë, Robert Piërsi mori një rrugë të gabuar dhe e humbi nga sytë kompaninë. Disa burra u nisën ta gjenin dhe, së fundi, e gjetën në një situatë shumë të parehatshme. Po citoj fjalët e tyre:

“Për tmerrin tonë, pamë rreth një peme të moçme dy ujqër të mëdhenj gri që silleshin rrotull, dhe një gjysmë duzinë shqiponjash që luhateshin mbi pemë duke pritur që ai t’i reshtte britmat e tij dhe gjestet me patericat, që të mund t’i hidheshin sipër dhe ta përlanin, në vendin e tij të ngërthyer nën rrënjët e pemës. …

… Arritëm në kohë që ta shpëtonim nga fati që po e priste, e morëm dhe e vumë mbi karron që kishim sjellë, të vendosur në pozicion që të ktheheshim te kampi.”

Dhe tani, një hollësi për karakterin e kalitur mirë të Robertit: “Sa na u lut i varfri shok që ta linim të ecte, sepse tha që kishte premtuar … kur e nisëm udhëtimin tonë, se ai do ta bënte çdo hap të rrugës deri në Solt-Lejk-Siti”.

Pastaj, pjesa e trishtuar e kësaj historie: “Megjithatë, ne e shpëtuam atë që të udhëtonte vetëm disa ditë më shumë, kur në fund të ditës së gjashtë të marshimit, shqetësimeve të tij në këtë botë u erdhi fundi dhe ai u varros në brigjet e lumit Elkhorn”12.

Motra Zholin Alfin, që përpiloi historinë e Robert Piërsit, tha për të: “Është vërtet mbresëlënëse që Robert Piërsi kishte udhëtuar tashmë 600 milje [gati 970 kilometra] me paterica përpara se t’u dorëzohej vështirësive të rrugës. Dëshira e zemrës së tij kishte qenë që të mblidhej me shenjtorët në Sion dhe të mos ishte barrë për asnjë prej bashkudhëtarëve të tij. … Roberti nuk donte ndonjë lëmoshë ose trajtim të veçantë.”13

Vëllezër dhe motra, i bëra vetes pyetjen vijuese: Përse Perëndia, që e kishte shpëtuar mrekullisht këtë burrë me besim të madh nga ujqërit dhe shqiponjat, do ta linte të vdiste në anë të udhës vetëm disa ditë më vonë?

Ai ndërroi jetë me qetësi të madhe. Në film, ai thotë, pak përpara fundit:

“Misionarët më thanë se jam i rëndësishëm dhe një ditë do të jem madhështor! …

Gjithmonë kam dëshiruar një trup të fortë. Tani do ta kem. Kur të shkoni në Sion, mendoni për mua.”14

Në lidhje me Robert Piërsin, mendoj për fjalët nga letra e Palit drejtuar hebrenjve:

“Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.

… Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe. …

Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor” (Hebrenjve 11:13–14, 16).

Në fund, Robert Piërsi e kuptoi se vendmbërritja e tij përfundimtare ishte mbretëria e qiellit, jo Lugina e Solt-Lejkut.

Po kështu është për të gjithë ne. Premtimet e Zotit na sigurojnë për vendmbërritjen tonë përfundimtare. Itinerari për secilin prej nesh do të ndryshojë në përputhje me njohurinë paraprake të Perëndisë. Rrethanat tona mund të ndryshojnë, ngjarje të papritura mund të ndodhin, sfida mund të dalin, por premtimet e Perëndisë për ne sigurohen përmes besnikërisë sonë.

Motra En C. Pingri e përvijoi mrekullisht se çfarë do të thotë të kesh besim në premtimet e Perëndisë. Ajo filloi duke cituar Plakun Brus R. Mek-Konki si vijon:

“‘Besimi në formën e tij të plotë e të kulluar kërkon një sigurim të patundur dhe … mirëbesim absolut se [Perëndia] do t’i dëgjojë lutjet tona dhe do t’i plotësojë kërkesat tona’ në vetë kohën e Tij të duhur. Duke besuar atë, edhe ne mund të ‘qëndro[jmë] të palëkundshëm në besim’ sot dhe nesër.”

Pastaj ajo vazhdoi:

“Nuk ka rëndësi se ku jetojmë ose se cilat mund të jenë rrethanat tona vetjake. Çdo ditë, jetesa jonë e drejtë mund të tregojë një besim në Jezu Krisht që sheh përtej pikëllimeve e zhgënjimeve tona në vdekshmëri dhe premtimeve të papërmbushura. Është një gjë e lavdishme të zotërosh një besim që na mundëson të presim atë ditë ‘kur çfar’ iu premtua shenjtor’ve do u jepet’.”15

Vëllezërit e motrat e mia, rrethanat e jetës sime sot, duket qartë, janë shumë të ndryshme nga ajo çfarë kisha planifikuar unë kur isha në moshën tuaj. Megjithatë, nuk besoj se kam qenë ndonjëherë kaq i lumtur. Nëse dikush do të më kishte dhënë, kur isha 20 vjeç, një rrëfim të jetës sime deri tani, mendoj se do ta kisha nënshkruar pa asnjë ngurrim te vija e pikëzuar.

E Ardhmja Juaj Është po aq e Ndritur sa Besimi Juaj

Dëshiroj të flas në emër të Valerisë dhe timin. Sa më shumë e kundroj drejtimin e jetëve tona, aq më shumë besoj se ajo çfarë e ka bërë ndryshimin është se në rininë tonë ne ndanim një vizion të përbashkët për jetën e përjetshme. Ne dëshironim të fillonin një familje të përjetshme. Ne e dinim se pse ishim në tokë dhe se cilat ishin synimet tona të përjetshme. E dinim se Perëndia na donte dhe se kishim vlerë të madhe në sytë e Tij. Ne kishim çdo besim se Ai do t’u përgjigjej lutjeve tona në mënyrën e Tij dhe në kohën që Ai e vlerësonte të mirë. Nuk e di nëse ishim gati ta pranonim vullnetin e Tij në të gjitha gjërat, sepse ajo ishte diçka qe ne duhej ta mësonim - dhe që ne vazhdojmë ta mësojmë. Por donim të bënim më të mirën tonë për ta ndjekur Atë dhe për t’ia përkushtuar veten tonë Atij.

Unë dëshmoj, bashkë me Presidentin Monson, se “e ardhmja [juaj] është po aq e ndritur sa besimi juaj”. Lumturia juaj varet shumë më tepër te parimet që ju zgjidhni të ndiqni sesa te rrethanat e jashtme të jetës suaj. Jini besnikë ndaj këtyre parimeve. Perëndia ju njeh dhe ju do. Nëse jetoni në përputhje me planin e Tij të përjetshëm dhe nëse keni besim te premtimet e Tij, atëherë e ardhmja juaj do të shkëlqejë.

Keni ëndrra dhe synime? Kjo është e mirë! Punoni me gjithë zemrën tuaj që t’i përmbushni ato. Pastaj, leriani Zotit të bëjë pjesën tjetër. Ai do t’ju udhëheqë atje ku nuk mund ta udhëhiqni veten; Ai do t’ju shndërrojë në atë që nuk mund ta bëni veten.

Në çdo kohë, pranoni vullnetin e Tij. Jini gati të shkoni atje ku Ai ju kërkon të shkoni, të bëni atë që Ai ju kërkon të bëni. Bëhuni burri ose gruaja që Ai po ju edukon të bëheni.

Unë lutem që ju do ta ndieni dashurinë e Atit tonë Qiellor në jetën tuaj, se ju do ta dini si të keni besim në vetvete ashtu si Ai beson te ju. Unë lutem që ju do të jeni gjithmonë besnikë, në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet. Unë shpreh dashurinë time për ju dhe admirimin tim e respektin tim të thellë për shembullin dhe forcën që ju jeni për mbarë botën.

Unë dëshmoj se kjo jetë është një çast i mrekullueshëm përjetësie. Ne jemi këtu me një synim të lavdishëm, atë të përgatitjes për të takuar Perëndinë. Biri i Tij, Jezu Krishti, jeton dhe Shlyerja e Tij është një dhuratë e pafundme dashurie që hap derën për te një lumturi e përjetshme. Kisha e Jezu Krishtit ekziston sërish në tokë në një formë të përkryer, me një profet të Perëndisë në krye të saj. Është një gëzim dhe privilegj i paanë t’i përkasësh kësaj Kishe. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 4–5.

  2. Diter F. Uhtdorf, “Lidhur me Keqardhjet dhe Vendimet”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 23.

  3. Diter F. Uhtdorf, “Mosmëharro”, Ensign ose Liahona, nëntor 2011, f. 122–123.

  4. Shih Pindar (rreth 522–443 Pr.K.), Pyth. 2.72.

  5. L‘âge de raison ose With Love … from the Age of Reason, regjisor Yann Samuell (Francë, 2010; SHBA, 2011), film artistik.

  6. “Souviens-toi”, Cantiques (1993), nr. 179.

  7. Discourses of Brigham Young, zgjedh. John A. Widtsoe (1954), f. 269.

  8. The Lion King, regjisorë Rob Minkoff dhe Roger Allers (1994; Walt Disney Studios Home Entertainment, 2011), DVD.

  9. Tomas S. Monson, “Merrni Zemër”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 92.

  10. Winston Churchill, cituar në John Charmley, Churchill:The End of Glory, A Political Biography (1993), f. 20.

  11. John William Southwell, cituar në Jolene S. Allphin, Tell My Story, Too, bot. 8të (2012), f. 287.

  12. Southwell, në Tell My Story, Too, f. 287.

  13. Allphin, Tell My Story, Too, f. 288.

  14. 17 Miracles, regjisor T. C. Christensen (2011; EXCEL Entertainment and Remember Films, 2011), DVD.

  15. Anne C. Pingree, “Seeing the Promises Afar Off”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 14–15.