Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Krishtlindja është Dashuri


Krishtlindja është Dashuri

Vëllezër dhe motra, çfarë pamje të bukur formoni! Është një privilegj që çdo vit ta nis stinën e Krishtlindjes me ju në këtë Takim Shpirtëror për Krishtlindjen të Presidencës së Parë. Ju shpreh dashurinë time të gjithëve ju, qoftë nëse jeni të pranishëm në këtë ndërtesë apo jeni duke i ndjekur këto punime përmes mjeteve të tjera.

Stina e Krishtlindjes, që ka domethënien dhe bukurinë e saj të veçantë, shpesh na shkakton lot gëzimi, frymëzon një zotim të përtërirë ndaj Perëndisë dhe i siguron - duke përdorur fjalët nga kënga e bukur “Calvary” [“Kalvari”] - “çlodhje të lodhurit dhe paqe shpirtit”.

Megjithatë, është e lehtë të mposhtemi nga presioni i stinës dhe ndoshta të humbasim vetë atë shpirt në jetën tonë që po përpiqemi ta fitojmë. Orvatja për të bërë jashtë mase shumë është veçanërisht e zakonshme këtë kohë të vitit për shumë prej nesh. Arsyet për këtë mund të përfshijnë shumë aktivitete Krishtlindjeje për të marrë pjesë, shumë ushqim për të ngrënë, shumë para për t’u shpenzuar, shumë pritshmëri dhe shumë tension. Shpesh përpjekjet tona gjatë periudhës së Krishtlindjes çojnë në të ndierit të tensionuar, të shtypur dhe të rraskapitur gjatë një kohe që ne duhet të ndiejmë gëzime të thjeshta të përkujtimit të lindjes së Shpëtimtarit tonë.

Gjetja e gëzimit të vërtetë të Krishtlindjes nuk vjen në nxitimin dhe ngutjen për të bërë më shumë, as nuk gjendet në blerjen e dhuratave. Ne gjejmë gëzim të vërtetë kur e bëjmë Shpëtimtarin qendër të stinës. Ne mund ta mbajmë Atë në mendimet tona dhe në jetën tonë ndërsa bëjmë punën që Ai do të donte që ne të kryejmë këtu në tokë. Gjatë kësaj kohe, veçanërisht, le të ndjekim shembullin e Tij ndërsa i duam dhe u shërbejmë bashkëqenieve tona.

Një pjesë e shoqërisë tonë, që dëshpërimisht ka dëshirë për një shprehje të dashurisë, gjendet midis atyre që po rriten në moshë, dhe veçanërisht kur ata vuajnë nga brejtja e vetmisë. Era drithëruese e shpresave të vdekura dhe ëndrrave të shuara fëshfërin ndër radhët e të moshuarve dhe atyre që janë pranë fundit të jetës së tyre.

Plaku Riçard L. Evans shkroi shumë vite më parë: “Ajo që u nevojitet në vetminë e viteve të tyre të pleqërisë, është të paktën pjesërisht, ajo që ne kishim nevojë në vitet e pasigurta të rinisë sonë: ndjenja e përkatësisë, siguria e të qenit i/e dëshiruar dhe shërbesat e ëmbla të zemrave e duarve të dashura; jo thjesht vëmendje për hir të detyrës, jo thjesht një dhomë në ndërtesë, por vend në zemrën dhe jetën e dikujt. …

… Ne nuk mund t’i kthejmë pas orët e mëngjesit të rinisë. Por ne mund t’i ndihmojmë ata të jetojnë në flakërimin e ngrohtë të një perëndimi që bëhet më i bukur nga kujdesi ynë, nga ndihma jonë dhe nga dashuria jonë aktive dhe e pashtirur.”1

Vëllezër dhe motra të mia, dashuria e vërtetë është një pasqyrim i dashurisë së Shpëtimtarit. Në dhjetor të secilit vit ne e quajmë atë shpirti i Krishtlindjes. Ju mund ta dëgjoni atë. Ju mund ta shihni atë. Ju mund ta ndieni atë.

Kohët e fundit, solla ndër mend një përvojë nga djalëria ime - një përvojë që e kam përmendur në një apo dy raste të tjera. Isha vetëm 11 vjeç. Presidentja jonë e Fillores, Melisa, qe një grua e moshuar, e dashur me flokë të thinjur. Një ditë në Fillore, Melisa më kërkoi të qëndroja më pas dhe të takohesha me të. Atje të dy ne ndenjëm të vetëm në kishë. Ajo vendosi krahun mbi shpatullën time dhe filloi të qajë. I çuditur, e pyeta përse po qante.

Ajo u përgjigj: “Nuk më duket se ia arrij që djemtë e Treiler Billdërit të jenë nderues gjatë ushtrimeve të hapjes së Fillores. A do jesh i gatshëm të më ndihmosh, Tomi?”

Unë i premtova Melisës se do ta ndihmoja. Çuditërisht për mua, por jo për Melisën, kjo përmbylli çdo problem të nderimit në Fillore. Ajo kishte shkuar te burimi i problemit - unë. Zgjidhja qe dashuria.

Vitet kaluan. Melisa e mrekullueshme, tani në të 90-at, jetoi në një azil në pjesën veriperëndimore të Solt-Lejk-Sitit. Pak përpara Krishtlindjes unë vendosa ta vizitoja presidenten time të dashur të Fillores. Në radion e makinës dëgjova këngën “Ja! Engjëjt në këng’ ngritur Lavdi Mbretit të lindur!”2 Reflektova mbi vizitën e bërë nga dijetarët kaq shumë vite më parë. Ata sollën dhurata ari, temjani dhe mirre. Unë solla vetëm dhuratën e dashurisë dhe dëshirën për të thënë “faleminderit”.

E gjeta Melisën në mensë. Ajo po ia ngulte sytë pjatës së saj të ushqimit, duke e çikur me pirunin që mbante në dorën e moshuar. Ajo nuk hëngri asnjë kafshatë. Ndërsa i fola, fjalët e mia u ndeshën me një vështrim të ëmbël por të zbrazët. E mora pirunin në dorë dhe fillova ta ushqeja Melisën, duke i folur gjithë kohën që e bëra këtë rreth shërbimit të saj si një punonjëse e Fillores për djemtë dhe vajzat. Nuk pati as edhe një shenjë të njohjes, ose ndonjë fjalë të thënë. Dy banorë të tjerë të azilit më vështruan ngultas me shprehje të mëdyshta. Së fundi njëri prej tyre foli, duke thënë: “Mos fol me të. Ajo nuk njeh asnjë njeri - madje as vetë familjen e saj. Ajo nuk ka thënë asnjë fjalë gjatë gjithë kohës që ka qenë këtu.”

Dreka mbaroi. Biseda ime e njëanshme mbaroi. U ngrita për t’u larguar. E mbajta dorën e saj të brishtë tek e imja, vështrova ngultas fytyrën e saj të rrudhosur por të bukur, dhe i thashë: “Perëndia të bekoftë, Melisa. Gëzuar Krishtlindjen.” Pa dhënë ndonjë shenjë, ajo tha fjalët: “Të njoh ty. Ti je Tomi Monson, djali im i Fillores. Sa të dua.” Ajo tërhoqi dorën time te buzët e veta dhe dhuroi një puthje të ëmbël të mbushur me dashuri. Lotët rrodhën në faqet e saj dhe mbushën duart tona të shtrënguara. Ato duar atë ditë u bënë të shenjta nga qielli dhe u bekuan nga Perëndia. Engjëjt lajmëtarë vërtet kënduan. Fjalët e Mësuesit u dukën të kishin një kuptim vetjak që nuk qenë ndier kurrë më parë plotësisht: “O grua, ja biri yt!” Dhe dishepullit të Tij: “Ja nëna jote!”3

Nga Bethlehemi dukeshin të oshëtinin fjalët:

Sa qetësisht, sa qetësisht

Dhurat’ e shenjt’ jepet!

Per’ndia i fal zemrës s’njer’zve

Qielloret bekime.

Askush s’dëgjon se Ai vjen;

Por në k’të bot’ t’m’katit,

Ku t’urtat zem-ra Atë ftojn’,

Hyn Krish-ti, i shtrenj-ti.4

Presidenti Dejvid O. Mek-Kei tha: “Lumturia e vërtetë vjen vetëm nga bërja e të tjerëve të lumtur. … [Shpirti] i Krishtlindjes … i bën zemrat tona të shkëlqejnë në dashurinë dhe miqësinë vëllazërore dhe na shtyn ndaj veprave të dashura të shërbimit. Është shpirti i ungjillit të Jezu Krishtit.”5

Nuk ka asnjë kohë më të mirë se kjo tani, pikërisht kjo stinë Krishtlindjeje, që ne të gjithë t’ia ripërkushtojmë vetveten parimeve që na mësoi Jezu Krishti. Kjo është koha për të dashur Zotin, Perëndinë tonë, me gjithë zemrën tonë - dhe të afërmit tanë si vetveten. Bëjmë mirë të kujtojmë se ai që jep para jep shumë; ai që jep nga koha e tij jep më shumë; por ai që jep nga vetja jep gjithçka.

Le ta bëjmë Krishtlindjen të ketë kuptim dhe qëllim të vërtetë. Nuk është vetëm xhingël dhe fjongo, veç nëse e kemi bërë të tillë në jetën tonë. Krishtlindja është shpirti i të dhënit pa mendimin për të marrë. Është lumturi sepse ne shohim gëzim te njerëzit. Është të harrosh vetveten dhe të gjesh kohë për të tjerët. Është heqja dorë nga gjërat e pakuptimta dhe theksimi i vlerave të vërteta. Është paqe sepse ne kemi gjetur paqe në mësimet e Shpëtimtarit. Është koha që ne e kuptojmë më thellësisht se sa më shumë dashuri të jepet, aq më shumë dashuri ka për të tjerët.

Krishtlindje ka në shtëpi dhe kishë,

Në dyqan ka Krishtlindje;

Por nuk do ta dish se ç’është Krishtlindja

Veç nëse dhe në zemër e ke.

Zilet nëpër borë mund të kumbojnë,

Dhe ajri me këngë të mbushet,

Por oh, zemrës drithërima do t’i mungojë

Veç nëse Krishtlindje ka atje.6

Ndërsa stina e Krishtlindjes na rrethon me gjithë lavdinë e saj, kërkofshim, sikurse Dijetarët, yllin e ndritshëm e të veçantë që të na drejtojë te mundësia jonë për Krishtlindjen gjatë shërbimit ndaj bashkëqenieve tona. Të gjithë e bëfshim në zemër udhëtimin në Bethlehem, duke marrë me vete një zemër të butë e të dashur si dhuratën tonë ndaj Shpëtimtarit. Dhe çdonjëri dhe të gjithë paçim një Krishtlindje të mbushur me gëzim. Në emrin e shenjtë dhe të bekuar të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Richard L. Evans, Thoughts for One Hundred Days (1966), f. 222.

  2. “Hark! The Herald Angels Sing”, Hymns, nr. 209.

  3. Gjoni 19:26–27.

  4. “O Little Town of Bethlehem”, Hymns, nr. 208.

  5. David O. McKay, Gospel Ideals (1953), f. 551.

  6. “Christmas in the Heart”, siç çitohet te The Instructor, dhjetor 1933, f. 547.

Shtyp në Letër