Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Dhurata e Përkryer


Dhurata e Përkryer

Gjatë Krishtlindjes, ne kremtojmë dhuratën e përkryer të Atit tonë Qiellor, Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, Shpëtimtarin e Botës. Për shumicën prej nesh, periudha e Krishtlindjes është një kohë për të gjetur gëzim teksa u japim të tjerëve, gjë që na e kujton këtë dhuratë, më të madhen e të gjithave. Ju dhe unë e kemi mësuar nga përvoja se sa sfiduese mund të jetë kjo.

Në vitin 1970, unë isha babai i tre djemve të vegjël. Si shumë prindër të rinj, po punoja fort që të siguroja para për familjen që po rritej. Dy ditë pas Krishtlindjes, me duhet të bëja një udhëtim të gjatë pune, duke e lënë gruan time, Ketlinën që t’i mbante e vetme fëmijët gjatë pushimeve nga shkolla. Duke e ditur se lumturia e tyre gjatë kohës që unë nuk do të isha, do të varej mjaft nga të pasurit e dhuratave të bukura të Krishtlindjes me të cilat të luanin, ne i zgjodhëm me kujdes dhuratat tona. Birit tonë më të madh, në atë kohë shtatë vjeç, i dhamë një barometër, një aparat për parashikimin e motit.

Ne zbuluam se na duhej t’i bashkonim copëzat për ta formuar barometrin. Im bir dhe unë u ulëm për të formuar barometrin e tij të ri e të bukur. Ne nxorëm duzinat e copëzave dhe i studiuam me kujdes udhëzimet e ndërlikuara të bashkimit të tyre.

Pas disa orësh, për mua u bë e qartë që, edhe nëse i kishim bashkuar siç duhej të gjitha pjesët, diçka dukej se nuk shkonte me mekanizmin e ngjitjes dhe zbritjes së lëngut. U përpoqa t’ia fshihja dyshimet tim biri, por më vonë atë natë, pasi ai kishte shkuar në shtrat, isha kaq i shqetësuar saqë përdora ditarin tim për të hartuar një letër ankimi ndaj kompanisë që e kishte krijuar barometrin. Ja ku është një pjesë e asaj letre të cilën jam i lumtur që nuk e dërgova kurrë:

“Djali ynë u gëzua shumë nga barometri i tij. Ai është shtatë vjeç dhe ka besim se çfarëdo gjëje kaq e bukur duhet të funksionojë me siguri. Shpresoj që moti të mos ndryshojë përpara se të marrim përgjigjen tuaj, duke qenë se unë nuk dua të ngjitem tinëz për ta gënjyer duke e rregulluar atë me dorë dhe nuk dua që ai të humbasë besimin te barometri juaj. … Ju lutem më tregoni se si ta bëj atë që të punojë. Nëse nuk më ndihmoni, nuk është besueshmëria juaj që rrezikohet, por e imja.

Ndihma njerëzore nuk erdhi në kohën e duhur që ajo dhuratë Krishtlindjeje të funksiononte. Por djali ynë, tashmë baba vetë, e kujton dashurinë që ndiem ndërsa e ndihmonim njëri-tjetrin. Dhe ai ende e ndien besimin që patëm në mënyrën e pandryshueshme në të cilën Perëndia krijoi tokën dhe atmosferën që e bën të mundur artin e parashikimit të motit. Ai besim nuk u zbeh nga përpjekjet tona të dëshpëruara për të vënë në punë një barometër.

Ne mësuam nga ajo, atë gjë që ju e dini nga përvojat tuaja: Që t’ia dalësh mbanë të japësh gëzim për Krishtlindje, zakonisht duhet të përfshish edhe ndihmën nga të tjerët. Gëzimi rrallëherë gjendet kur përpiqesh i vetëm. Bashkimi me të tjerët e përhap gëzimin dhe e bën atë të zgjasë më tepër. Dhe ndoshta, më e rëndësishmja, nxitja e besimit te Shpëtimtari, Krijuesi dhe burimi i të gjithë lumturisë së përjetshme, fton dashurinë e pastër të Perëndisë, që është dhurata me e madhe e të gjithave dhe burimi i sigurt i gëzimit të qëndrueshëm

Ky fakt u rrënjos më thellë në zemrat tona gjatë një periudhe Krishtlindjeje disa vite pas aventurës sonë me barometrin.

Vendosa të skicoj e të ndërtoj një sënduk të drunjtë për gruan time. Më nevojitej ndihma bujare e shumë të tjerëve që kishin mjetet dhe aftësitë që mua më mungonin. Punova me ta për javë me radhë. Më duhej edhe ndihma e Frymës së Shenjtë për të zbuluar mënyra se si të përçoja dashuri dhe besim tek ungjilli nëpërmjet asaj dhurate.

Mbi kapak gdhenda inicialet e familjes sonë. Në pjesën e përparme vendosa dy panele. Mbi një panel gdhenda inicialin tim dhe te tjetri inicialin e gruas sime. Sënduku mund të hapej duke përdorur dy çelësa të ndryshëm, një për të hapur drynin pranë inicialit tim dhe një tjetër për të hapur drynin pranë inicialit të gruas sime.

Tani ne e përdorim atë dhuratë si një kuti thesari familjare. Që nga Krishtlindja kur ajo ishte poshtë pemës e në të gjitha ditët më pas, të parit e kutisë i ka mbushur mendjet dhe zemrat tona me dashuri për njëri-tjetrin dhe për sakrificën e Shpëtimtarit që i bën të mundura familjet e përjetshme. Kutia, tashmë e mbushur me foto familjare dhe fletë partiturash të muzikës së Krishtlindjes, qëndron pranë pianos së vjetër në dhomën tonë të ndenjes. Krijimi i asaj dhurate solli një ndjenjë dashurie për familjen dhe Mësuesin.

Herë pas here, unë ende i shoh dhe i falënderoj njerëzit që më ndihmuan ta ndërtoja atë kuti. Kur i shoh sërish, mund të ndiej gëzimin që përjetuam kur krijuam atë dhuratë dashurie për një familje dhe një shenjë kujtuese për dashurinë që kemi për Shpëtimtarin. Unë shoh gëzim në buzëqeshjet e miqve të mi, ashtu siç i shihja kur punonim së bashku për kutinë.

Ju e dini nga përvoja juaj se gjatë periudhave të Krishtlindjes ky gëzim i tillë, i ndarë me të tjerët mund të vijë nga krijimi e madje edhe nga dhënia e dhuratave të thjeshta të dashurisë. Për shembull, shumë prej jush e kanë ndihmuar një fëmijë t’u çojë pjata biskotash atyre që ndihen veçanërisht të vetmuar për Krishtlindje. Njeriut që e merr këtë dhuratë të thjeshtë nga një fëmijë, kjo mund t’i duket aq e çmuar sa temjani. Dhe një fëmijë që u çon një dhuratë të tillë mund t’u kujtojë atyre dijetarët nga lindja që i sollën dhurata Shpëtimtarit. Si dhënësi ashtu edhe marrësi mund të kujtojnë Krishtin dhe të ndiejnë dashuri dhe mirënjohje.

Të rinjtë dhe të rejat e Kishës, së bashku me udhëheqësit/et e tyre, mund të japin dhurata dashurie dhe dëshmi në vaskat e pagëzimit të tempujve tanë. Të pasurit e tempujve më pranë të rinjve ua mundëson atë përvojë dhurimi gjithnjë e më shpesh atyre. Peshkopët dhe udhëheqësit e urtë të rinisë ndihmojnë duke i inkurajuar; disa madje u bashkohen të rinjve në shërbimin në tempull. Të gjithë ata marrin pjesë së bashku në dhurimin e bekimit të patrimit dhe dëlirjes së mundësuar nga Shpëtimtari, për ata që nuk mundën ta marrin atë dhuratë kur ishin në jetë.

Një numër gjithnjë e në rritje misionarësh bashkëpunojnë me Shpëtimtarin dhe shokët e tyre të misionit për të dhënë dhuratën e jetës së përjetshme. Me ndryshimin e moshës së të drejtës për shërbim misionar, shumë më shumë të rinj do të ndiejnë gëzimin e dhurimit të asaj dhurate të paçmueshme. Misionarët ia dhurojnë Librin e Mormonit cilitdo që takojnë. Ai është një dhuratë dashurie dhe një dhuratë dëshmie, e krijuar nëpërmjet frymëzimit të profetëve besnikë nga Perëndia përgjatë shekujve. Shpëtimtarit i duheshin këta profetë që ta ndihmonin për të krijuar dhuratat e dëshmisë në Librin e Mormonit dhe Atij i duhen misionarët që ta ndihmojnë për ta shpërndarë atë.

Familjet gjithashtu, japin dhurata të paçmueshme dashurie dhe dëshmie gjatë Krishtlindjes nëpërmjes muzikës, si dhe nëpërmjet fjalëve. Kur isha i vogël, mblidhesha me familjen time rrotull pianos sonë Uinkler që tashmë është mbi 100-vjeçare. Piano qëndron në dhomën tonë të ndenjes, pranë sëndukut të thesarit. Pianoja është ende një pronë e vyer e familjes, sepse për nënën time ishte e shtrenjtë pasi qe një dhuratë nga bashkëshorti i saj kur ishin të varfër. Prindërit e mi e kishin njohur varfërinë dhe prandaj ishin kursimtarë. Dhuratat e Krishtlindjes që ne merrnim ishin të thjeshta. Por nëna ime kishte një zë të bukur sopranoje. Ajo luante në piano gjatë Krishtlindjes ndërsa na drejtonte kur këndonim këngë familjare Krishtlindjeje dhe himne të shenjta.

Nuk e di nëse e mendonte se ishte duke na ftuar të ndanim së bashku një dhuratë të përhershme. Por edhe pse isha i vogël, unë ndieja gëzim të papërshkrueshëm kur i këndoja ato këngë. Muzika e mbushte shtëpinë tonë të vogël me një shpirt paqeje. Unë mund të ndieja jo vetëm dashurinë e nënës, babait dhe dy vëllezërve, por edhe atë të Atit tim Qiellor dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht.

Më dukej se dashuria që ndieja atëherë qe diçka që e kisha përjetuar më parë - përpara kësaj jete në botën e shpirtrave. Dëshiroja më shumë se gjithçka tjetër që ta ndieja atë një ditë në një shtëpi timen. Dhe dëshiroja të jetoja në atë mënyrë që të mund të kthehesha me një familje timen në shtëpinë tonë qiellore, ku e dija se Ati Qiellor dhe Shpëtimtari do të na prisnin. Tani kur e shoh atë kuti thesari dhe atë piano, mbushem me kujtimet e dashurisë me familjen time dhe dashurisë nga Shpëtimtari.

Teksa këndojmë në kore, familje dhe orë mësimore dhe teksa i kemi dëgjuar së bashku sonte, këngët e Krishtlindjes na kujtojnë për britmat e gëzimit kur mësuam që mund të vinim në këtë botë dhe që do të na jepej një Shpëtimtar që do të na shëlbente. Një ditë ne do t’i këndojmë këto këngë me ushtritë e qiellit.

Është lutja ime që Shpirti të na bekojë, në këtë Krishtlindje dhe në vitet që do vijnë, me fuqinë për t’u dhënë të tjerëve dhurata dashurie dhe dëshmie për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij të rivendosur. Unë e di se Shpirti mund të na udhëheqë të gjithëve në mënyra të shumta dhe të thjeshta për t’i dhënë të tjerëve dashuri, besim dhe gëzim në këtë periudhë ngazëllimi.

Unë dëshmoj se Jezu Krishti është me plot kuptimin e fjalës Biri i Perëndisë dhe Shpëtimtari i botës. Ai ishte dhurata e përkryer nga Ati ynë i dashur. Gjatë kësaj dhe çdo periudhe Krishtlindjeje, Shpëtimtari ynë na fton të bashkohemi me Të dhe të tjerët për të dhuruar dhuratën e vyer të gëzimit. Unë lutem që ne do ta bëjmë këtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.