Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Marrësi i Mirë dhe Mirënjohës


Marrësi i Mirë dhe Mirënjohës

Çfarë kohe e mrekullueshme e vitit! Kur dëgjoj muzikën e mrekullueshme, shoh dritat dhe ndiej ajrin e ftohtë, më kujtohen qartë herët e shumta gjatë gjithë jetës kur shpirti i Krishtlindjes ma ka ngrohur zemrën dhe ma ka lartësuar shpirtin.

Ashtu si shumë prej jush, kuptoj se disa nga kujtimet më të ngrohta e më të gjalla të Krishtlindjes vijnë nga fëmijëria ime. Edhe pse u rrita në rrethana të thjeshta, prindërit e mi dëshironin që Krishtlindja të ishte një kohë gëzimi dhe mrekullimi për fëmijët e tyre. Ata përpiqeshin shumë që ta bënin Krishtlindjen një kohë të veçantë për familjen tonë.

Ne fëmijët përgatisnim dhurata për njëri-tjetrin. Një vit, më kujtohet që bëra një vizatim si dhuratë Krishtlindjeje për motrën time. Ajo mund të mos ishte një vepër arti, por ajo e trajtoi si të ishte një thesar. Sa shumë e dua për këtë! Një vit tjetër, vëllai im që është 12 vjet më i madh se unë, më dha një dhuratë të çmuar. Ai kishte gjetur një shkop druri në parkun pranë shtëpisë sonë dhe e gdhendi duke bërë një thikë të vogël lodër. Ishte e thjeshtë, aspak luksoze, por oh, sa e vlerësova atë dhuratë, sepse erdhi prej tij!

A nuk është një nga gëzimet e mëdha të Krishtlindjes të shohësh fytyrat e emocionuara të fëmijëve të vegjël ndërsa marrin në duar një dhuratë të mbështjellë, që është vetëm për ta?

Megjithatë, kur rritemi, aftësia jonë për të marrë dhurata me të njëjtin entuziazëm dhe mirësi të sinqertë duket se zvogëlohet. Nganjëherë njerëzit madje shkojnë deri aty sa nuk mund të marrin një dhuratë ose, për sa i përket kësaj, as edhe një kompliment pa siklet ose ndjesi borxhi. Ata mendojnë gabimisht se e vetmja mënyrë e pranueshme për t’iu përgjigjur marrjes së një dhurate është të japësh si këmbim diçka me vlerë edhe më të madhe. Të tjerë thjesht nuk ia dalin ta shohin kuptimin e një dhurate - duke u përqendruar vetëm te pamja e saj e jashtme ose vlera e saj dhe duke shpërfillur kuptimin e thellë që ajo ka për dhuruesin e sinqertë.

Kjo më kujton një ngjarje që ndodhi gjatë natës së fundit të jetës së Shpëtimtarit. Ai mblodhi dishepujt e Tij të dashur rreth Vetes, ndau bukën me ta dhe u dha atyre udhëzime të çmuara të fundit. A ju kujtohet se, ndërsa darka vazhdoi, Jezusi u ngrit nga tavolina, hodhi ujë në një legen dhe filloi t’u lante këmbët dishepujve të Tij?

Kur erdhi te Simon Pjetri, peshkatari kundërshtoi, duke thënë: “Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët”. Shpëtimtari e korrigjoi butësisht: “Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua”1.

Jam i sigurt se Pjetri mendoi se kishte arsye fisnike për ta kundërshtuar këtë dhuratë dhe ndieu se po bënte gjënë e drejtë. Por në atë çast, qartazi, ai nuk e kuptoi domethënien shpirtërore të asaj që Jezusi po i ofronte atij.

Në Krishtlindje ne flasim shumë për dhënien dhe të gjithë e dimë se “ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh”2, por vras mendjen nëse nganjëherë ne e shpërfillim ose madje e nënçmojmë rëndësinë e të qenit një marrës i mirë.

Një ditë Krishtlindjeje, shumë vite më parë, një vajzë e vogël mori një komplet të bukur formimi me rruaza. Babai i vajzës sugjeroi që ajo të përgatiste diçka për një nga kushërirat e saj që ishin mbledhur për një mbrëmje familjare.

Fytyra e vajzës u ndriçua dhe ajo shkoi të punonte që të krijonte atë çfarë mendoi se do të ishte një dhuratë e përsosur. Ajo zgjodhi njeriun për të cilin dëshironte ta përgatiste atë - një teto e moshuar me fytyrë të ngrysur dhe një personalitet të ashpër.

“Ndoshta nëse i bëj një byzylyk”, mendoi vajza e vogël, “kjo do ta gëzojë atë.”

Dhe kështu ajo përzgjodhi me kujdes secilën rruazë dhe bëri më të mirën që mundej, për ta bërë këtë një dhuratë të veçantë për teton e saj.

Kur më në fund e mbaroi, ajo iu afrua tetos, i dha byzylykun dhe i tha se e kishte stiluar dhe përgatitur posaçërisht për të.

Në dhomë ra heshtje ndërsa tetoja e kapi byzylykun me gishtin e madh dhe atë tregues sikur po mbante një varg kërmijsh të neveritshëm. Ajo hodhi vështrimin te dhurata, picërroi sytë e mblodhi hundët dhe e flaku byzylykun sërish në duart e vajzës së vogël. Pastaj i ktheu kurrizin asaj pa thënë asnjë fjalë dhe filloi të fliste me dikë tjetër.

Vajza e vogël u skuq nga sikleti. Me zhgënjim të thellë, ajo doli heshturazi nga dhoma.

Prindërit e saj u përpoqën ta ngushëllonin. Ata u përpoqën ta ndihmonin të kuptonte se byzylyku ishte i bukur - pavarësisht nga reagimi i ftohtë i tetos. Por vajza e vogël nuk mundej të mos ndihej e trishtuar çdo herë që mendonte për atë përvojë.

Kanë kaluar dekada dhe vajza e vogël - që është bërë teto dhe vetë - ende e kujton, me një fije trishtim, atë ditë kur dhurata e saj prej fëmije nuk u pranua.

Çdo dhuratë që na jepet - veçanërisht një dhuratë që vjen nga zemra - është një mundësi për të krijuar ose forcuar një lidhje dashurie. Kur jemi marrës të mirë e mirënjohës, ne hapim një derë për të thelluar marrëdhënien tonë me dhuruesin e dhuratës. Por kur nuk arrijmë ta vlerësojmë, ose madje nuk e pranojmë një dhuratë, jo vetëm që lëndojmë ata që na afrohen, por, në njëfarë mënyre, ne lëndojmë edhe veten.

Shpëtimtari na dha mësim që, nëse “nuk kthehe[m]i dhe nuk bëhe[m]i si fëmijët e vegjël, [ne] nuk do të hy[jmë] … në mbretërinë e qiejve”3.

Ndërsa vëzhgojmë emocionin dhe mrekullimin e fëmijëve në këtë kohë të vitit, ndoshta mund t’i kujtojmë vetes që të rizbulojmë dhe të rimarrim një tipar të çmuar e të lavdishëm të fëmijëve - aftësinë për të marrë me mirësi të sinqertë dhe me mirënjohje.

Nuk është çudi që Shpëtimtari është shembulli ynë i përsosur jo vetëm për dhënien bujare por gjithashtu për marrjen me mirësi të sinqertë. Kur ishte në Betani, pranë fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, një grua iu afrua me një enë alabastri me vaj të rrallë dhe të shtrenjtë. Asaj iu lejua t’ia lyente kryet me këtë dhuratë të çmuar.

Disa që e panë këtë ngjarje, u zemëruan. “Çfarë shpërdorimi i parave”, thanë ata. Vaji ishte jashtëzakonisht i shtrenjtë. Do të mund të ishte shitur dhe paratë t’iu jepeshin të varfërve. Ata panë vetëm vlerën materiale të dhuratës dhe nuk e kuptuan fare domethënien e saj shumë më të madhe shpirtërore.

Por Shpëtimtari e kuptoi simbolizmin dhe shprehjen e dashurisë në atë dhuratë dhe Ai e mori atë me mirësi të sinqertë.

“Lëreni të qetë”, u tha Ai atyre që mërmëritën. “Pse e shqetësoni? … Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.”4

Vëllezërit dhe motrat e mia, miqtë e mi të dashur, çfarë lloj marrësish jemi? A i dallojmë ne dhuratat, ashtu si Shpëtimtari, si shprehje të dashurisë?

Në kohën tonë, Shpëtimtari ka thënë se ata “që i prano[jnë] të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhe[n të] lavdishëm”5 dhe “plotësia e tokës do të jetë [e tyrja]”6.

Unë shpresoj që në këtë Krishtlindje dhe në çdo ditë të vitit, ne do t’i marrim parasysh, në veçanti, dhuratat e shumta që na janë dhënë nga Ati ynë i dashur Qiellor. Unë shpresoj se do t’i marrim këto dhurata me mrekullimin, mirënjohjen dhe emocionin e një fëmije.

Zemra më zbutet e më ngrohet kur mendoj për dhuratat që na ka dhënë Ati ynë i dashur, i hirshëm e bujar në Qiell: dhuratën e papërshkrueshme të Frymës së Shenjtë, mrekullinë e faljes, zbulesën dhe udhëheqjen personale, paqen e Shpëtimtarit, sigurinë dhe ngushëllimin që vdekja është mposhtur - dhe shumë e shumë të tjera.

Mbi të gjitha, Perëndia na ka dhënë dhuratën e Birit të Tij të Vetëmlindur, që sakrifikoi jetën e Tij “që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”7.

A i kemi marrë këto dhurata me mirënjohje të përulur, me gëzim? Apo nuk i pranojmë prej krenarisë ose një ndjesie të rreme pavarësie? A e ndiejmë dashurinë e Atit tonë të shprehur në këto dhurata? A i marrim ato në një mënyrë që e thellon marrëdhënien tonë me këtë Dhurues hyjnor e të mrekullueshëm? Apo jemi tepër të shpërqendruar saqë madje as e vëmë re atë që Perëndia na jep për çdo ditë?

Ne e dimë se “Perëndia do një dhurues të gëzuar”8, por a nuk e do Ai gjithashtu një marrës të mirë, mirënjohës dhe të gëzuar?

“Sepse çfarë dobie ka një njeri, nëse një dhuratë i jepet atij dhe ai nuk e pranon dhuratën? Vini re, ai nuk gëzohet në atë që i jepet, as nuk gëzohet në atë që është dhënësi i dhuratës.”9

Qoftë nëse kemi përjetuar 9 apo 90 Krishtlindje, ne ende jemi të gjithë fëmijë - ne jemi të gjithë fëmijët e Atit tonë Qiellor.

Si rrjedhim, ne kemi aftësinë që ta përjetojmë këtë stinë Krishtlindjeje me mrekullimin dhe habitjen e një fëmije. Ne kemi aftësinë të themi: “Zemra ime është plot e përplot me gëzim dhe unë do të ngazëllehem në Perëndinë tim”10 - Dhuruesin e të gjitha dhuratave të mira.

Me ju dhe me të gjithë ata që dëshirojnë të ndjekin Krishtin e ëmbël, unë ngre zërin tim në lavdërim të Perëndisë sonë të fuqishëm për dhuratën e çmuar të Birit të Tij.

Këtë kohë Krishtlindjeje dhe gjithmonë, unë lutem se do ta shohim dhuratën e mrekullueshme të lindjes së Birit të Perëndisë përmes syve të bekuar të një fëmije. Unë lutem që, përveç dhënies së dhuratave të mira, ne do të përpiqemi fort të bëhemi marrës të mirë e mirënjohës. Ndërsa e bëjmë këtë, shpirti i kësaj stine do të na zgjerojë zemrat dhe do të na e shtojë gëzimin tonë tej mase. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.