Një Dhuratë nga Ati: e Pranuar ose e Refuzuar
Çfarë muzike e bukur dhe çfarë mesazhi i mrekullueshëm nga Motra Iubank. Sa i mrekullueshëm ishte ai agim i hirit shëlbues! E po, dhjetori mbërriti. Ajri është i ftohtë dhe do të kemi ca dëborë. Për shumicën, kjo do të thotë që Krishtlindja është shumë afër. Por për mua kjo nuk është ndjesia që të krijon Krishtlindja.
Gjatë gjithë viteve të jetës sime në këtë tokë, kanë qenë ditët e gjata, të nxehta dhe netët erëkëndshme që e kanë lajmëruar afrimin e Krishtlindjes. Kjo ngaqë në dhjetor është verë në Australi. Dhe në Afrikën Perëndimore, ku unë dhe bashkëshortja ime kemi jetuar për pesë vitet e fundit, është gjithmonë nxehtë.
Prandaj dhjetori zakonisht ka sjellë ditë plazhi, sërfi dhe festa me pjekje ushqimesh në skarë. Në Krishtlindje shtëpia jonë mbushet me aromën e mangove dhe tingujt e të qeshurave. Por shpirti i Krishtlindjes është njësoj kudo. Qoftë në Sidnei, Solt-Lejk apo Sierra-Leone, qoftë në Nuku’alofa, Njufaundlend apo Nigeri, lindja e Shpëtimtarit tonë i frymëzon njerëzit të bëjnë gjëra të mira.
Në shumicën e vendeve njerëzit shkëmbejnë dhurata, vizitojnë njerëz të tjerë dhe bëjnë vepra të mira për të kremtuar shpirtin e Krishtlindjes. Miqtë tanë në Samoa kanë traditë që në ditën pas Krishtlindjes ata futin ushqime dhe ëmbëlsira të ndryshme në kuti dhe ua japin ato familjeve më nevojtare, jo vetëm në lagjen e tyre, por edhe të tjerave në komunitetin e tyre. Ata gjithashtu kanë një kopsht me perime prej afërsisht një hektari, ku shumica e prodhimeve të tij u jepen njerëzve që janë në nevojë.
Një mik shumë i shtrenjtë i yni nga Senegali në Afrikën Perëndimore më tha se në fshatin e tij të lindjes në Bregun e Fildishtë, çdo prag Krishtlindjeje, në vend të sjelljes së dhuratave, fshatarët u çojnë udhëheqësve të tyre çfarëdo konflikti të pazgjidhur. Ata udhëheqës më pas e shpenzojnë pjesën tjetër të ditës duke bashkëpunuar me familjet për t’i zgjidhur konfliktet. Fshatarët kërkojnë që të ketë paqe dhe harmoni në çdo shtëpi në atë fshat për Krishtlindje, sepse ata kremtojnë lindjen e Krishtit – të Atij që u lind pikërisht për qëllimin e sjelljes së paqes në botë.
Në fillim të këtij viti takuam një misionare të re, Motrën Xheni Ingabire nga Ruanda, e cila po e shërben misionin e saj në Liberi. Ajo më tregoi historinë zemërkëputëse të ndikimit që pati tek ajo gjenocidi në Ruanda në vitin 1994. Babai i saj ishte nga fisi Hutu, që ishte plot urrejtje për anëtarët e fisit Tutsi. Por nëna e saj ishte anëtare e atij fisi Tutsi. Me qëllim që të shpëtonte jetën e bashkëshortes së tij dhe jetën e katër bijave të tyre, ky baba guximtar e fshehu familjen e vet tejet larg dhe u kthye i vetëm në fshatin e tij. Bashkëshortja dhe bijat e tij nuk e panë më kurrë atë dhe e patën të vështirë edhe thjesht që të mbijetonin. Më së fundi ato u kthyen nëntë vjet më pas për të marrë pjesë në një mbledhje pajtimi të organizuar nga qeveria, ku mësuan se bashkëshorti dhe babai i tyre ishte vrarë kur u kthye në fshat. Prapëseprapë, në mënyrë të pabesueshme, nëna e Motrës Ingabire dhe fëmijët e saj i falën ata që i kishin dhënë fund jetës së bashkëshortit dhe babait të tyre.
Gjatë një kohe në të cilën Jozef Smithi mund të ishte pushtuar nga zemërimi, ngaqë edhe pse i pafajshëm ishte burgosur për muaj në burgun e Libertisë gjatë Krishtlindjes së vitit 1838, Zoti zbuloi seksionin 121 të Doktrinës e Besëlidhjeve. Në këtë zbulesë Zoti e ndihmon Jozefin të mposhtë ndjenjat e zhgënjimit, të dukshme në fillim të këtij seksioni, dhe i mëson Profetit se mirësia, durimi, mirësjellja, zemërbutësia dhe dashuria e pashtirur janë cilësi si të Krishtit që janë thelbësore për dishepullimin.
Krishtlindja mban kujtime të vyera familjare për mua. Gjithsesi, jo të gjitha ato kujtime janë të mira. Kur isha shumë i vogël, më kujtohet që mora nga babai një makinë të çmuar në miniaturë me ngjyrë të gjelbër. Ishim familje relativisht e varfër dhe më pëlqeu pa masë ajo dhuratë. Megjithatë, një ditë në një çast zemërimi djaloshar për diçka të parëndësishme, e hodha makinën e lodrës te një shkurre e dendur që ndërthurej me gardhin tonë. Menjëherë më erdhi keq, jo thjesht ngaqë e kisha hedhur lodrën, por sepse ndjeva që simbolizonte një refuzim të shprehjes së dashurisë së atit tim. E kërkova dhe e kërkova, por më kot. Kur mbërriti dimri dhe shkurrja i humbi gjethet, kërkova sërish, por pa sukses. Ende e ndiej dhembjen nga fyerja që i bëra atit tim. Ende më lëndon.
E dini, kjo është e ngjashme me refuzimin tonë nganjëherë të dashurisë së Atit Qiellor dhe të dhuratave të Tij për ne, më e madhja e të cilave është dërgimi nga Ai i Birit të Tij që të vuante dhe shlyente për ne. Çfarë tragjedie është po t’i refuzojmë flijimin e Tij shlyes ose besëlidhjet dhe ordinancat e ungjillit të Tij!
Ah, sikur përherë të mund të ishim më shumë si ata që punojnë për t’u treguar dashuri të tjerëve. Kohët e fundit, shumë njerëz kanë punuar që t’i ndihmojnë banorët e Floridës dhe të Karolinave, të cilët kanë përjetuar stuhi shkatërruese, dhe që t’u vijnë në ndihmë atyre që vuajtën në zjarret e Kalifornisë ose që t’u vijnë në ndihmë atyre që kanë vuajtur në mënyrë të ngjashme anembanë botës.
Më 25 dhjetor 1974 u shkatërrua kryeqyteti i Territorit Verior të Australisë. Herët në mëngjesin e ditës së Krishtlindjes cikloni Trejsi goditi qytetin e Darvinit. Shumë vdiqën dhe shumica e popullsisë së Darvinit ngeli e pastrehë. Fotografitë e shkatërrimit të kohëve të fundit në Floridë pasqyrojnë shkatërrim të ngjashëm me të Darvinit. Por shpirti i Krishtlindjes e mposhti atë dëshpërim. Dhurimet u derdhën nga njerëzit anembanë Australisë dhe shumë njerëz lanë gjithçka dhe udhëtuan drejt Darvinit për të ndihmuar me rindërtimin.
Shumë vite më parë, kur bija jonë më e madhe ishte vetëm dy vjeç, ajo theu këmbën pikërisht përpara Krishtlindjes dhe kaloi shumë javë në spital me këmbët të lidhura lart te një trekëmbësh për tërheqje. Ajo qe një natë shumë e vështirë Krishtlindjeje. Një familje në lagjen tonë, e cila nuk ishte mirë nga gjendja financiare, erdhi për ta vizituar atë në ditën e Krishtlindjes. Secili prej fëmijëve të tyre të vegjël solli dhuratën e vet të parapëlqyer, që e kishte marrë pikërisht atë mëngjes, për t’ia paraqitur bijës sonë si dhuratë për të nga ana e tyre. Bashkëshortja ime, Kei, dhe unë u prekëm sa na dolën lot për shkak të mirësisë bujare dhe të çiltër të këtyre fëmijëve dhe prindërve të tyre.
Ky është shpirti i vërtetë i Krishtlindjes – individë që ndihmojnë të tjerët. Në fund të fundit, një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së Shpëtimtarit ishte dhënia e shërbesës së Tij ndaj “një” njeriu. Ky është sigurisht një parim i përqafuar dhe i zbatuar nga anëtarët e Kishës së Tij në Afrikë dhe kjo është ajo që Ai kërkon nga ne këtu.
Presidenti M. Rasëll Ballard ka shpallur se Shlyerja është veprimi përfundimtar i Shpëtimtarit duke bërë pikërisht këtë për çdo “njërin” prej nesh. Fjalët e Presidentit Ballard ishin:
“Nëse vërtet do ta kuptonim Shlyerjen dhe vlerën e përjetshme të çdo shpirti, ne do të kërkonim … çdo … fëmijë të Perëndisë të larguar prej Tij. Ne do t’i ndihmonim të dinin për dashurinë që Krishti ka për ta. Ne do të bënim gjithçka që mundemi për të ndihmuar që ata të përgatiten për t’i marrë ordinancat shpëtuese të ungjillit.
Sigurisht, nëse Shlyerja e Krishtit do të ishte gjëja kryesore në mendjen e udhëheqësve të lagjeve dhe të degëve, asnjë anëtar i ri apo i riaktivizuar nuk do të lihej ndonjëherë pas dore. …
… Paradoksi i Shlyerjes është që ajo është e pafundme dhe e përjetshme, prapëseprapë zbatohet individualisht, një e nga një për çdo njeri. …
Vëllezër e motra, kurrë, kurrë mos e nënvlerësoni faktin se sa i çmuar është një njeri.”1
A nuk do të ishte e mrekullueshme sikur ne të gjithë ta ndiqnim këtë këshillë dhe atë të profetit tonë të dashur, Presidentit Rasëll M. Nelson – që t’i jetojmë dy urdhërimet e mëdha në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë. Dhe nëse jeni skeptikë ndaj aftësisë suaj që të keni ndikim duke e bërë këtë, atëherë shqyrtoni këtë fjalë të urtë afrikane: “Nëse mendoni se jeni shumë i vogël për të sjellë një ndryshim, atëherë ju nuk keni kaluar asnjë natë me një mushkonjë”.
Nuk na nevojitet të udhëtojmë drejt Tokës së Shenjtë që të sjellim ndryshim ose t’i afrohemi më shumë Shpëtimtarit tonë. Krishtlindja është një kohë kur ne mund të përqendrohemi te dhurata jonë vetjake për Shpëtimtarin duke i dashur vazhdimisht dhe duke i ndihmuar të tjerët. Atëherë asnjëri nga nuk do ta ketë shumë larg Bethlehemin. Është në dorën tonë që ta bëjmë Krishtin pjesë të jetës sonë – t’i pranojmë dhuratat që Ai na ofron dhe t’i japim Atij dhuratën e zemrës sonë. Unë e dua Atë dhe dëshmoj për dashurinë e Tij të pareshtur për secilin prej nesh në emrin e Jezu Krishtit, amen.