Takime Shpirtërore për Krishtlindje
Nat’ e Qet’, Drit’ e D’lir’


Nat’ e Qet’, Drit’ e D’lir’

Dua të tregoj dy histori që më ndodhën mua, të cilat më kanë mbetur në mendje për shumë vite, madje edhe tani po më japin mësimet që më nevojiten.

E para ndodhi kur isha 6 vjeçe. Drejtuesja jonë e muzikës në lagjen e 5‑të të Hanterit ishte motra Beverli Uitli. E kuptoj tani që ajo ndoshta nuk ishte as 40 vjeçe, por ajo kishte fëmijë adoleshentë dhe dukej shumë e pjekur dhe e mençur për ne që ishim të rriturit e Fillores. Ajo ishte hokatare dhe na trajtonte sikur të ishim të rritur në miniaturë, dhe kjo gjë na pëlqente. Ne e admironim dhe donim ta kënaqnim atë. Ajo na thoshte se mund të këndonim me zë aq të lartë saqë prindërit të na dëgjonin në dhomën tjetër. Jo të bërtitnim – por të këndonim me të vërtetë! Dhe ne këndonim me gjithë zemrën tonë. Ajo gjithashtu na mësoi një këngë nga libri i himneve të të rriturve, duke na thënë se e dinte që ne ishim muzikantë mjaftueshëm të pjekur sa të ishim të aftë t’i mësonim përmendsh fjalët e vështira. Dhe më pas na shpjegoi se çfarë kuptimi kishin të gjitha fjalët në mënyrë që të kuptonim. Ajo na mësoi se çdo këngë ka një mesazh të veçantë vetëm për ne dhe, nëse mendonim për fjalët, ne do ta zbulonim atë mesazh që ishte posaçërisht për vetë jetën tonë.

Atë Krishtlindje, u përpoqa ta zbatoja atë që na kishte mësuar Motra Uitli, dhe mësova të gjitha strofat e himnit “Nat’ e Qet’”. Tani, u kërkoj falje paraprakisht përkthyesve sepse kjo do të jetë e ndërlikuar. Si një 6‑vjeçare, mendoja shumë për fjalët në strofën e tretë, por nuk e kuptoja pikësimin. Në vend që të këndoja “Bir’ i Perëndis’, drit’ e d’lir”, ku Jezusi është shprehja e dritës që buron nga dashuria e dëlirë, mendoja se ajo nënkuptonte që Biri i Perëndisë e do dritën e dëlirë – Ai e adhuron çdo gjë që përbëhet nga drita e dëlirë. Duke menduar si Motra Uitli, u përpoqa të kuptoj se si mund ta doja “drit’[n] e d’lir’” siç e do Jezusi.

Historia e dytë ndodhi kur isha 9 vjeçe. Ashtu si shumë fëmijë, unë po merrja mësime pianoje. Nuk isha veçanërisht e talentuar dhe, ndoshta për të më nxitur, peshkopi më pyeti nëse do të luaja një këngë Krishtlindjeje në mbledhjen e sakramentit në vigjilje të Krishtlindjes. Vendosa të luaja himnin “Nat’ e Qet’”. Mësuesja ime e pianos më ndihmoi të përgatitesha. Prindërit e mi më dëgjuan tek e luajta atë këngë në kuptimin e plotë të fjalës 100 herë në pianon e zezë të murit që ishte në bodrumin tonë. Dikush përmendi që ndoshta mund ta mësoja përmendsh muzikën dhe të mos e përdorja partiturën, por isha aq e tensionuar që do luaja para të gjithëve në lagjen time, saqë nuk mund ta mësoja përmendsh partiturën. Në vend të kësaj, bëra një plan. Unë do ta merrja me vete partiturën, por në vend që ta vendosja mbi piano, do ta vija në prehër. Mund të vështroja duart e mia dhe ta shihja partiturën, por do të dukej sikur e kisha mësuar përmendsh partiturën. Ky plan funksionoi më së miri, për 20 sekonda. E kisha vendosur partiturën sipër fundit tim tafta të Krishtlindjeve dhe, kur fillova të luaja, [meqë] coha e fundit ishte shumë e rrëshqitshme, në mes të strofës së parë, partitura rrëshqiti nga fundi im dhe u zhduk krejtësisht poshtë pianos. Ngriva e tëra. Nuk kishte asnjë mënyrë për ta marrë sërish partiturën dhe mendja ime u boshatis. Përvesha mëngët dhe u përpoqa të bëja më të mirën që mundesha. Ishte një katastrofë e vërtetë.

U rashë me mundim e ngathtësi notave të gabuara dhe mund t’i shihja njerëzit e sikletosur në publik. Duke i rënë shkel e shko e mbarova edhe strofën e dytë. Me mençuri e hoqa strofën e tretë dhe nxitova nëpër korridor e skuqur në fytyrë duke u përpjekur të mos qaja. Prindërit e mi pëshpëritën: “Çfarë ndodhi? E dije këngën kaq mirë.” Mezi prisja të dilja nga kisha. Nuk doja të shihja ose të flisja me askënd; isha e poshtëruar dhe e turpëruar. Kur mbaroi mbledhja, mësuesja ime e moshuar e Shkollës të së Dielës, Motra Alma Hitoni, m’u afrua. U përpoqa ta shmangia, por ajo më kapi nga dora. Në vend që të më tregonte se sa mirë kisha luajtur, të cilën të gjithë e dinin se ishte një gënjeshtër, ajo tha diçka që unë do ta kujtoj për gjithë pjesën tjetër të jetës sime. Ajo tha: “Sheron, nuk ka rëndësi se si doli. Të gjithë mundën ta shihnin se sa përpjekje bëre dhe ne të duam pavarësisht nëse mund t’i biesh pianos ose jo.”

Ajo ishte e vërteta e sinqertë. Por nuk më sëmboi aq sa e prisja. E vërteta ishte se kisha punuar fort dhe ata më donin edhe pse nuk mund të luaja në piano. Buzëqesha shumë pak dhe ajo më dha një përqafim të ngrohtë që vetëm gratë e moshuara mund ta japin, dhe befas gjithçka u rregullua.

Tani, Beverli Uitli dhe Alma Hitoni nuk bënë asgjë të jashtëzakonshme. Ato nuk shkruan asgjë në ditarët e tyre. Askush në familjet e tyre nuk i di këto histori. Ato thjesht po u mësonin fëmijëve të vegjël se si të këndonin dhe se si ta kuptonin ungjillin. A ka ndonjë gjë më të zakonshme se kjo? Por në fakt nuk ishte e zakonshme. Nëse më pyetni se ç’pamje ka një njeri që e do “drit’[n] e d’lir’”, ajo është si Beverli Uitli. Ajo është si Alma Hitoni. Secila prej tyre mundi ta dallonte “drit’[n] e d’lir” të një fëmije të vogël që po përpiqej aq fort sa mundej, dhe ta donin atë për këtë gjë, edhe nëse nuk funksiononte në mënyrë të përkryer.

Ati ynë Qiellor është pikërisht kështu. Ai na sheh ne, fëmijët e Tij të vegjël, duke u përpjekur. Përpjekjet tona nuk janë gjithmonë të suksesshme, por Ai e di se sa fort po punojmë – nganjëherë duke i përveshur mëngët dhe duke çarë përpara përmes një katastrofe – dhe Ai na do për këtë gjë. Për gjithë muzikën tonë joharmonike, të çakorduar dhe të pakuptueshme, Ai dërgoi Birin e Tij të bukur të Vetëmlindur, i cili është drita e dëlir e dashurisë. Jezu Krishti do ta ndreqë çdo notë të keqe dhe do të shëlbejë çdo mungesë harmonie nëse i drejtohemi Atij dhe e kërkojmë ndihmën e Tij. Për shkak të lindjes, Shlyerjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë ne “n’paqe qiellore [mund] [t’]fl[emë]”1.

Sa e lumtur jam për këtë periudhë Krishtlindjesh, për të kënduar këngë që kanë një mesazh të veçantë nga Shpëtimtari i botës për ata të cilëve u dhemb zemra. Ju premtoj të njëjtën gjë që motra Uitli i premtoi Fillores. Nëse mendoni për fjalët që këndoni në këtë periudhë, ju do të gjeni një mesazh hyjnor të thurur posaçërisht për ju, i cili do t’ju lartësojë e do t’ju ngushëllojë. Ja ku është një mesazh që unë e gjeta në këtë periudhë Krishtlindjesh. Kam qenë e shqetësuar për të gjithë njerëzit tek të cilët nuk mund mbërrijnë ndihmat tona humanitare dhe nga mënyra se si nganjëherë kombet e bëjnë të vështirë që ne t’i ndihmojmë vëllezërit dhe motrat që vuajnë. Dhe atëherë, pikërisht sot në mëngjes në Shoqatën e Ndihmës, i kushtova vëmendje këngës që kënduam:

Me kujdesin Tënd t’but’ gjith’ f’mijët beko,

Për n’qiell na bëj gati, me Ty të jetojm’2.

Dëshmoj se Biri i Perëndisë e do shumë dritën e dëlirë; Ai është drita e dashurisë së dëlirë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Nat’ e Qet’”, Himne, nr. 124.

  2. “Larg në një Koritë”, Himne, nr. 125.

Shtyp në Letër