Takime Shpirtërore 2021
Arsyet për të Shpresuar


Arsyet për të Shpresuar

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror i SeI‑së për Të Rinjtë në Moshë Madhore për Vitin 2021

10 janar 2021

Motra dhe vëllezër të dashur, çfarë gëzimi që të jem me ju! Jemi mbledhur virtualisht nga çdo kontinent i banuar dhe nga ishujt e detit, të bashkuar nga dashuria për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe nga zotimi ynë për të ndihmuar që të ndërtohet mbretëria e Tij. Ju më jepni shpresë për një botë më të mirë. Dhe sigurisht ka miliona njerëz të mirë me të cilët mund të mblidhemi e bashkohemi dhe nga të cilët mund të mësojmë. “Shpresa”, thotë peshkopi Desmond Tutu, “është të qenit të aftë të shohim se ka dritë pavarësisht nga gjithë errësira.”1

Shpresa jonë më e madhe është në Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë. Nëpërmjet Tij ne gjejmë gëzim e paqe. Ai e di fundin që nga fillimi. Ai premtoi: “Kërkoni me zell, lutuni gjithmonë e jini besimtarë dhe gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj, në qoftë se ecni drejt”2.

Por ne nuk e shohim fundin që nga fillimi. Vetëm e “njohim pjesërisht”3. Ndoshta jeta jonë po shpaloset në mënyra të ndryshme nga ato që kishim shpresuar. Prapëseprapë mund të “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht [dhe me] një ndriçim të përkryer të shpresës”4, sepse e dimë që Ati ynë i dashur Qiellor ka një plan për ne.

Gjatë urdhrave për të qëndruar në shtëpi, që janë shkaktuar nga pandemia e COVID‑it, kam punuar me një aftësi të re – ajo quhet bërja e jorganëve me copa pëlhurash. Është një mënyrë e kthimit të copave të ngelura të pëlhurave në modele të ndërlikuara. Në fillim procesi është i kundërt me intuitën. I qep copat e pëlhurës së bashku të kthyera nga poshtë dhe në pjesën e prapme të asaj që do të shfaqet në modelin përfundimtar. Është e vështirë të shikosh se si këto copëza ngjyrash do të përfundojnë në një model që ka kuptim. Por dalëngadalë, teksa pret, qep dhe hekuros me durim herë pas here, shfaqet një model i bukur.

Ne mund të ndiejmë që plani për jetën tonë nuk është ende i qartë. Kjo nuk do të thotë se po presim që jeta të fillojë. Këta janë vite të çmuar pavarësisht se ku jeni në jetën tuaj.

Kjo është një periudhë për të zhvilluar talente. Presidenti Nelson jep mësim: “Arsimimi është ndryshimi midis dëshirës që të mund t’i ndihmoni të tjerët dhe të qenit i aftë për t’i ndihmuar ata”5. Gjërat e mira dhe të dobishme që mësoni tani, do t’i japin formë dhe do ta bekojnë tërë jetën tuaj.

Kjo është një periudhë për të kërkuar këshillues të urtë dhe të drejtë – prindërit ose gjyshërit e gjyshet, mësuesit/et, miqtë/mikeshat, udhëheqësit/et e Kishës dhe, më të rëndësishmin, Jezu Krishtin – që të na ndihmojnë të ndërtojmë jetë kuptimplota. Krijoni marrëdhënie kuptimplota me ata të cilët mund t’ju ndihmojnë të mësoni dhe të rriteni.

Kjo është një periudhë që të përfshiheni me zell në kauza të mira. Qielli nuk po pret që të mbarojë pandemia, që unë të humbas 4.5 kilogramë në peshë apo që ju të martoheni me personin e ëndrrave tuaja, që ne të bëhemi dishepuj të vërtetë – që të zbatojmë urdhërimet e Tij, veçanërisht urdhërimin që të duam Zotin dhe të afërmit tanë.

Nëse duam shpresë më të madhe dhe kuptim më të thellë në jetën tonë, ne mund ta fillojmë çdo ditë me një lutje mirënjohjeje dhe një përgjërim të sinqertë: “Atë Qiellor, më lejo që të jem një mjet në dorën Tënde sot. Hape zemrën time. Më jep urtësi, imagjinatë, forcë dhe guxim për të bërë atë që mund të bëj.” Më pas kërkoni mundësi që të jeni një mik/e më i/e vërtetë, një motër më dashamirëse, një bir më i mirë, një fqinj/e më bujar/e, një shërbestar/e më i/e frymëzuar, një prind më i durueshëm. Leon Tolstoi shkroi: “Edhe pse njerëzve u duket se duhet të kujdesen për veten e tyre që të jetojnë, në të vërtetë është vetëm dashuria gjëja më e rëndësishme me anë të së cilës jetojnë. Ai që ka dashuri, ndjek Perëndinë dhe Perëndia është pjesë e jetës së tij, sepse Perëndia është dashuri.”6

Qielli nuk po pret që ne të jemi të përsosur ose që ne të arrijmë në botën pas kësaj, që të na bekojë. Nëse bëjmë “veprat e drejtësisë”, ne “duhet ta marr[im] shpërblimin [tonë], madje paqe në këtë botë dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”7.

Dashuria e Krishtit është e sigurt. Apostulli Pal jep mësim:

“As vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme,

as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë”8.

“Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe”9 kur mirëbesoni tek Ai, me qëllim që ju të mund të tejmbusheni me shpresë me anë të fuqisë së Shpirtit të Shenjtë.

Ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë. Është i fuqishëm. Është i bukur dhe është i rëndësishëm! Unë i them këto gjëra në emrin e Jezu Krishtit, amen.

_______________________________________________

Shtyp në Letër