Takime Shpirtërore 2021
“Të Guximshëm në Dëshminë për Jezusin”


39:18

Të Guximshëm në Dëshminë për Jezusin

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror i SeI‑së për Të Rinjtë në Moshë Madhore për Vitin 2021

10 janar 2021

Të dashur vëllezër dhe motra, ja një urim i bukur për një vit të ri – i kënduar në spanjisht: “Një shpresë, bota gëzohet / Drita e një dite të re lindi”1.

Motra Gong dhe unë u habitëm dhe u shqetësuam kur dolëm pozitivë në analizat për COVID‑19. Faleminderit për mesazhet dhe lutjet tuaja për shërimin tonë të plotë. Ndonëse në izolim, nuk u ndiem të izoluar. Tani Motra Gong dhe unë lutemi edhe më shumë për të gjithë ata që vuajnë vështirësitë e pandemisë.

Në botë ka rreth 1,47 miliard të rritur të moshave 18–30 vjeç. Në Kishën tonë 2,3 milion të rritur të moshave 18–30 vjeç jetojnë në 6 kontinente dhe në rreth 180 shtete dhe territore. Ju e lexoni Librin e Mormonit në mbi 114 gjuhë.

Motrës Gong dhe mua na pëlqen shumë të takohemi me ju, qoftë në Reksburg të Ajdahos; në Manaus të Brazilit; në Bogotá të Kolumbisë; anembanë botës;2 në çdo kontinent; në çdo rrethanë.

A e dini se tani kemi një kunj të quajtur Kunji i Polit Verior të Alaskës?

Sot mblidhemi nëpërmjet teknologjisë. Lutem që Fryma e Shenjtë do të na bëjë të bashkuar në besim, do t’jua prekë zemrën dhe do t’jua hapë shtegun në këto kohë sfiduese.

Vëllezër dhe motra të dashura, Perëndia jeton. Ju lutemi, ejani ta ndieni dashurinë e Tij dhe fuqinë e Tij për të rritur dhe për të ndryshuar. Lejojeni Atë t’ju rrethojë “me krahët e sigurisë”3, me zotimin e Tij se ju jeni mjaft të mirë. Ju keni aftësi të pamasë hyjnore që mund ta zhvilloni çdo ditë.

Sot do të flas për tri ftesa të cilat kanë ndihmuar për të më frymëzuar që: 1) ta thelloj marrëdhënien time me Perëndinë, 2) ta ndryshoj të ardhmen tani dhe 3) të bëhem njeri më i mirë. Lutem që, të marra së bashku, këto ftesa do ta forcojnë besimin tuaj dhe do t’ju afrojnë më pranë Perëndisë dhe njerëzve përreth jush, teksa gjeni gëzim të përhershëm në shtegun e besëlidhjeve të Tij.

Ftesa e parë: me dashurinë thellësisht përfshirëse, Ati Qiellor premton: “Rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi”4.

U rrita në qytet, por më pëlqente shumë ngjitja në male me një çantë në shpinë. Të lirë për të eksploruar, unë dhe shokët e mi ngjiteshim tërë ditën në mal, pastaj ngrinim kampin pranë liqeneve në vendin e shkretë, nën hapësirën qiellore në tingëllimin e erës gjatë natës.

Kohët e fundit, Motra Gong dhe unë shkuam me makinë te një vend kaq i errët dhe i bukur sa mund të shihnim Rrugën e Qumështit. Ishte gati po aq e shndritshme sa kjo fotografi.

Rruga e Qumështit është përfshirë në historitë e miteve, mrekullive dhe mistereve. Në kinezisht, Rruga e Qumështit është “Tian He” (“lumi i qiellit”). Në bjellorusisht, estonisht, finlandisht, është “rruga e zogjve”. Disa e quajnë Rrugën e Qumështit “rruga për në Santiago”. Në çerokisht është “rruga nga ku u largua qeni”; në hebraisht, “lumi i dritës”5.

“Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. … Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.”6 Perëndia është i ditur, i fuqishëm dhe i mirë. Qëllimi, eleganca dhe harmonia e krijimeve të Tij dëshmojnë për dashurinë e Tij të pafundme dhe planin e Tij të lumturisë për secilin prej nesh. Alma dëshmon: “Të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi; po, madje edhe toka e të gjitha gjërat që gjenden mbi faqe të saj, po edhe lëvizja e saj, po, dhe gjithashtu të gjithë planetët të cilët lëvizin në mënyrën e tyre të rregullt, dëshmojnë se ka një Krijues Suprem”7.

Kërkon përpjekje të vetëdijshme që të ngadalësoheni dhe të “rrini të qetë”. Kërkon çiltërsi shpirtërore dhe përulësi që të “di[ni] se [Perëndia është] Perëndi”8. Nganjëherë ngadalësimi në gjërat që kanë më pak vlerë, na ndihmon të gjejmë gjërat që kanë më shumë vlerë.

Një mënyrë e rëndësishme për ta ditur që Perëndia është Perëndi, është të dallojmë nënshkrimin e Tij në krijimet e bëra për ta gëzuar zemrën. Ne këndojmë:

Për të tokës bukuri,

Për të qiellit bukuri,

Që nga lindja përreth nesh

Shtrihet ajo dashuri,

Zot tek Ty ngrem’ himnin ton’,

Lavdërim, mir’njohje plot.9

Një mënyrë tjetër për ta njohur Perëndinë është të shohim mirësi dhe kuptim te marrëdhëniet hyjnore – te dhembshuria, bekimet e papritura, pajtimi, falja, sakrifica.

Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit vuri në dukje se arti, letërsia dhe muzika mund të na përmirësojnë.10 Po ashtu edhe shkencat, kur kuptohen me besim.

Ja dy pamje të famshme të qiellit natën.

Prej shkencës, një pamje e Hapësirës së Thellë, e bërë me teleskopin Habëll, na kujton, sikurse panë profetët e madhërishëm, Moisiu dhe Abrahami, se krijimet e Perëndisë përfshijnë galaktika pas galaktikash, pa numër, madje në vende ku qielli natën duket i zbrazët.

Nga arti, Vinsent Van Gogu e paraqiti në një pikturë vaji në kanavacë Natën Plot Yje pikërisht pak para lindjes së diellit. Rikrijimi astronomik i qiellit në qershor 1889 sugjeron që ylli i mëngjesit i Van Gogut është planeti Afërdita. Vepra të madhërishme arti frymëzojnë mënyra të reja për ta parë mirësinë e Perëndisë.

Mirësia e Perëndisë mund t’i përmirësojë shpirtrat tanë. Bota e sotme e zhurmshme, e rrëmujshme dhe e ndotur mund ta bëjë të vështirë që të “rri[më] të qetë” dhe të “di[më] se [Perëndia është] Perëndi”11. Nuk na kujtohet sa i zhurmshëm është ventilatori i kuzhinës deri kur e mbyllim atë. Cektësia, mirazhet, situatat e çuditshme laike na e largojnë vëmendjen dhe na pështjellojnë. Frika nga humbja e mundësive (FOMO) është një gjë që e dinë të gjithë, ndonëse ende jemi ngjitur me mjetet tona elektronike. Disa mendojnë se bërja njëkohësisht e shumë punëve çdo ditë të javës për 24 orë e rrit vlerën apo rëndësinë tonë.

Ne e vendosim dhe e formojmë jetën që të jetë “Insta e përsosur” për një publikim të ardhshëm në Instagram, edhe pse e dimë se “Insta e përsosur” nuk është as “insta-” [d.m.th. e menjëhershme] as “e përsosur”. Shqetësohemi se filtrat e rinj, gjithashtu jorealë dhe jorealistë, do të ndikojnë te pëlqimet që marrim nga mediat shoqërore.

Në dokumentarin The Social Dilemma [Dilema Shoqërore] ekspertët e teknologjisë paralajmërojnë: “Nëse nuk po paguani për produktin, ju jeni produkti”. Disa ekspertë tani druhen se mediat shoqërore siç nuk pritej, i dëmtojnë shoqëritë dhe mirëqenien vetjake. Ata shqetësohen që algoritmet e mediave shoqërore, të krijuara për t’iu përshtatur përdorimit, shpërndarjes dhe fitimit monetar nga reklamat në internet, gjithashtu shtojnë dyshimin, përçarjen dhe depresionin.12 Ndoshta më tregues është fakti që këta ekspertë të teknologjisë i mbrojnë familjet e tyre nga përdorimi i tepruar i mediave shoqërore.

Të rrish i qetë dhe të reflektosh nuk do të thotë të jesh i/e vetmuar. Leonardo da Vinçi tha: “Kur je vetëm, je tërësisht vetvetja”13. Ngadalësimi e largon rrëmujën nga koka dhe zemra ime. Më pas, mirënjohja dhe virtyti i saj binjak, përulësia, mund t’i hapin sytë dhe veshët e mi shpirtërorë ndaj provave të bollëkut të Tij bujar gjithkund përreth nesh.

Një komentues i gjuhës hebrease shpjegon se termi rrini të qetë mund të nënkuptojë “lëreni të shkojë”. Dijeni se unë jam Perëndi mund të përkthehet si ta “dallojmë fuqinë e Tij shpëtuese në jetën tonë”14. Me fjalë të tjera, “rrini të qetë dhe dijeni se unë jam Perëndi” do të thotë ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.15

Presidenti Nelson thotë: “Asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushqimit me bollëk me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare”16 – një shteg besëlidhjesh drejt gëzimit të përhershëm.

Kur ngadalësohemi dhe kërkojmë me besim, këndvështrimi ynë ndryshon. Në një ditë përgatitjeje kur ishte misionar në moshë të re në Australi, Plaku Marion G. Romni (më vonë Apostull dhe anëtar i Presidencës së Parë), përsiati kapitullin te Doktrina e Besëlidhje 76.

“Kur e mbaroi leximin, ai u habit kur pa se ishte natë. … Hodhi vështrimin drejt qiejve, ku yllësia Kryqi i Jugut dhe yje të tjerë shkëlqenin me madhështi të pazakontë. Teksa i nguli sytë me mahnitje, atij iu duk se u çua përtej atyre me anë të Shpirtit që të shihte gjërat për të cilat kishte lexuar. Në një mënyrë mrekulluese, atij iu dha dija se ato gjëra nuk ishin fabula, por ishin realitete të një rëndësie tepër të thellë.”17 Biografia e tij thotë: “Që nga ajo kohë ai pati një këndvështrim të përjetshëm”18.

Këndvështrimi i përjetshëm mund të na japë këndvështrimin e duhur sot. Siç është profetizuar: “Gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë”19. Zoti thotë se zëri i Tij dëgjohet në tërmete, stuhi, murtajë, valët e detit të fryra përtej kufijve të tyre.20 Në këto kohë, disa e quajnë të mirën të keqe dhe të keqen të mirë21; të tjerët thonë: “Hani, pini dhe dëfrehuni; … pasi nesër ne vdesim”22. Por drita shpirtërore dhe e vërteta e largojnë errësirën nga mesi ynë.23

Zoti na siguron: “Pusho dhe fashitu”24. “Qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet.”25 Ju lutemi, vëllezër e motra të dashura, “rrini të qetë dhe dijeni se [Perëndia është] Perëndi”26.

Tani, ftesa jonë e dytë: ndërtoni marrëdhënie që e ndryshojnë të ardhmen tani.

Kohët e fundit isha mirënjohës që e falënderova dikë që nuk e kisha takuar më parë, e cila e ndryshoi të ardhmen time.

Ajo quhet Melba Ouks (nuk ka lidhje familjare me Presidentin Dallin H. Ouks).

Kur Melba ishte 21 vjeçe, sapo ishte martuar dhe jetonte në San‑Mateo të Kalifornisë. Melba dhe një 17‑vjeçare e sapokthyer në besim, e quajtur Xhin, u bënë shoqe.

Xhini ishe pjesëtarja e vetme e familjes së saj që u bashkua me Kishën dhe ajo po shkonte në shkollë shumë larg familjes. Disa nga pjesëtarët e familjes së Xhinit shpresonin që ajo do ta harronte Kishën në një vendbanim të ri.

Prapëseprapë, në mënyra të vogla dhe të thjeshta, Melba dhe të tjerët ishin atje me Xhinin. Kur Xhini u diplomua nga shkolla e mesme, Melba ishte atje. Melba Ouksi ende e ka ftesën e dasmës së Xhinit.

Xhini ra në dashuri dhe u martua me një burrë të mrekullueshëm të quajtur Uolter. Në fakt, ata u martuan tri herë – në një dasmë kineze, në një ceremoni amerikane dhe në vulosjen për kohën dhe gjithë përjetësinë në tempullin e shenjtë. Kur u takuan, Uolteri kishte një dëshmi të fortë të krishterë, por prapëseprapë nuk e njihte Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Prandaj Xhini dhe të tjerët i mësuan atij ungjillin e rivendosur. Ai u bë anëtar besnik i Kishës dhe patriark kunji.

Siç e keni marrë me mend, kur u martua me Uolter Gongun, Xhini u bë Xhini Gongu, nëna ime e dashur. Sot nëna ime është 94 vjeçe. Melba Ouksi është 98 vjeçe. Ato kanë qenë mikesha në ungjill për 77 vjet.

Kohët e fundit mësova se motra Melba Ouks jeton në Seint‑Xhorxh të Jutës. E mora në telefon për ta falënderuar që e ndryshoi të ardhmen time dhe të ardhmen e familjes sime. Duke e ndihmuar Xhin Gongun kur ishte një e sapokthyer e brishtë në besim, Melba Ouksi i bekoi ata që tani janë katër breza të familjes Gong në këtë anë të velit dhe 34 breza të njohur të familjes Gong në anën tjetër të velit, duke u shtrirë pas deri te Dragoi i Parë Gong, i lindur në vitin 837 ps.K.

Trishtueshëm, mikesha të tjera të nënës sime nuk janë më në Kishë. Njëra u largua ngaqë disa anëtarë të Kishës nuk e përfshinë për shkak të racës së saj. Një tjetër dalëngadalë u largua kur ndjeu se i duhej të zgjidhte midis mikeshave të saj anëtare dhe joanëtare të Kishës. Një e tretë i lejoi trysnitë e botës të krijonin dyshime rreth mësimeve të Kishës. Sigurisht, ju përballeni madje me sfida edhe më të mëdha sot.

Jam përjetësisht mirënjohës për Melba Ouksin dhe çdo njeri që e ndihmoi nënën time kur ishte e re në ungjill. I jap merita edhe nënës sime. Ajo ka qenë e palëkundur në besimin e saj dhe e guximshme në dëshminë e saj. Ajo dhe babai im morën vendimin që të përkitnin fuqishëm në Kishën e vërtetë të Perëndisë. Ata ia dolën mbanë pavarësisht nga trysnitë shoqërore dhe disa anëtarë të Kishës me paragjykime raciale.

Vëllezër e motra, ka njerëz si Xhin Gongu dhe Melba Ouksi kudo rreth nesh – në vendin tonë të banimit, në vendin tonë të punës, në lagje ose degë, në rrethin e miqve dhe shoqëritë tona. Askush nuk dëshiron që të jetë thjesht një projekt ndihme. Ne të gjithë kërkojmë shoqërim dhe mundësi për të dhënë ndihmesë. Ne të gjithëve na nevojitet një vend i sigurt për të kërkuar dhe pyetur, një hapësirë e sigurt për të mësuar dhe për ta jetuar doktrinën e ungjillit dhe kulturën e Kishës. Ne duam që të shihemi si të rritur dhe të jemi përgjegjës e të japim ndihmesë si të rritur.

Ne duam që Kisha të jetë një vend ku nuk e gjykojmë njëri‑tjetrin dhe pendohemi nëse dikush ndien që po e gjykojmë në një mënyrë lënduese. Kryekujdestarja jonë e Tempullit të Guadalaharës në Meksikë thotë se tempulli i shenjtë e frymëzon atë që të “gjykojë më pak dhe të dojë më shumë”. Ka të drejtë. Ju lutemi, ejani siç jeni. Kemi nevojë për ju. Nëse bëhemi të dhembshur e përfshirës dhe i ftojmë të tjerët të bëjmë të njëjtën gjë, komuniteti ynë i ungjillit bëhet më i hapur, më i prekshëm dhe ftues. Në njëfarë kuptimi, ne të gjithë bëhemi të kthyer të rinj në besim, anëtarë të kthyer në besim, anëtarë të rinj në besim që po kërkojmë udhën tonë.

Në shoqëritë e përçara, dishepujt e Jezu Krishtit mund të përhapin një hyjnueshmëri të përbashkët dhe humanizëm më të madh se çfarëdo mospajtimi. Në kohë të zymta, nganjëherë mbytëse, besimtarët rrezatojnë dritën dhe të vërtetën e Tij çliruese. Ku ka uri shpirtërore në tokë27, ne e kremtojmë Atë si uji i gjallë dhe buka e jetës.

Në një botë të përzhitur, të etur për një buzëqeshje, të uritur për një përshëndetje, ne mund të ripërcaktojmë zonat tona të rehatisë. Uluni pranë dikujt që ulet vetëm. Përfshijini, përgëzojini, jepuni zemër njerëzve drejtpërdrejt dhe në internet. Mos gjykoni duke hamendësuar. Dëgjoni, shkoni atje, jini atje. Jepni shërbesë me një mendim ose shkrim të shenjtë në kohën e duhur. Dallojeni një lot apo një buzëqeshje. Lutuni gjithmonë.

Sot më ndihmoni ju. Nesër ju ndihmoj unë. Jemi këtu për njëri‑tjetrin. Kjo është ajo që bëjnë miqtë dhe familja.

E di se shumë prej jush jeni anëtari i vetëm, apo anëtari i vetëm aktiv, në familjen tuaj. Ju jeni të guximshëm dhe besnikë, por shpesh është e vështirë. Ju lutemi të mbaheni fort te shufra e hekurt – ose, siç e shprehu një i ri në moshë madhore në Manaus të Brazilit, “shtrëngojeni çelikun”. Merreni vendimin që të jeni të qëndrueshëm dhe të palëkundur, një hallkë e fortë në brezat tuaj. Do t’ia vlejë.

Ka më pak rëndësi nëse jemi brezi i parë apo brezi i gjashtë në Kishë, sesa që të jemi të guximshëm në dëshminë tonë për Jezu Krishtin. Ju lutemi ta mbillni, ushqeni dhe mbroni atë farë të çmuar të besimit. Lejojeni të hedhë rrënjë të forta dhe të lulëzojë brenda jush dhe familjes suaj të përjetshme.

Ju lutemi të jeni njerëz si Melba Ouksi apo Xhin Gongu – ndërtoni marrëdhënie sot që e ndryshojnë të ardhmen për 1, 5 ose madje 77 vitet e ardhshme.

Kjo na sjell te ftesa jonë e tretë: bëhuni njeri më i mirë duke punuar me Zotin e të korrës dhe përkrah Tij.

Kur mësojmë të punojmë me besim e zell, Zoti i të korrës nëpërmjet ligjit të së korrës mund të na bekojë me “gëzim në frytin e punëve [tona]”28. Kur punojmë shumë dhe punojmë me mençuri, mundësitë hapen. Gjërat që disa i quajnë fat, ne i njohim si bekime. Ne e dimë se lutja e përulur dhe këmbëngulja e zellshme së bashku sjellin mrekulli në kohën dhe mënyrën e Tij.

Libri i Galatasve në Dhiatën e Re e përshkruan ligjin e të korrës si “ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë”29. Ne duhet “të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet”30. E thënë ndryshe, ne korrim atë që mbjellim – e mira shpërblehet me të mirë, sikurse shpërblehen të qenit të drejtë, drejtësia dhe mëshira.31

London dhe Luka Brokbanku, misionarë besnikë të kthyer nga misioni, kohët e fundit të vulosur në tempullin e shenjtë, thonë se e mësuan ligjin e të korrës me familjet e tyre në kopsht, ndërkohë që rriteshin.

[Fillon transkriptimi i materialit filmik]

Londoni: Epo, ne e kishim zakon të ngriheshim herët në mëngjes përpara bletëve dhe përpara nxehtësisë, dhe të përpiqeshim të shkulnim sa më shumë barëra të këqija, të mbillnim sa më shumë bimë dhe të përpiqeshim t’i ruanim gjërat që të rriteshin me plehërim dhe materiale mbrojtëse, dhe thjesht ta mbanim gjithçka në stinën e vet të duhur.

Dua të them, çdo njeriu i pëlqen dhe kënaqet kur i mbledh frutat – dhe kur ha një pjesë të asaj që mbledh – por do të thosha që ndoshta shkulja e barërave të këqija është më sfiduesja, sepse ulesh në gjunjë dhe punon me duar, dhe pas pak kohe fillon të kesh dhembje. Dhe duart të bëhen pis. Neve na ndoteshin majat e gishtave dhe gishtat e mëdhenj na bëheshin të gjelbër nga shkulja e barërave.

Plaku Gong: Prandaj kur je kopshtar i mirë thonë që ke një gisht të gjelbër.

Londoni: Po, njeriu pandeh se e ka ashtu ngaqë bimët rriten mirë; e ka ngaqë po shkul barërat e këqija.

Luka: Londoni foli rreth mënyrës se si thjesht i bën të gjitha gjërat bazë për ta organizuar një kopsht. E di, duhet të plehërosh dhe mbjellësh. Nuk mund të shkoh në kopsht një herë në javë dhe të presësh që gjithçka të jetë vërtet e mirë.

[Mbaron transkriptimi i materialit filmik]

Plaku Gong: I pyeta Londonin dhe Llukën rreth Shpëtimtarit tonë si hardhia e vërtetë që na ushqen shpirtërisht.32

[Fillon transkriptimi i materialit filmik]

Londoni: Kur kujdesemi për bimët në pemishte, na nevojitet t’i plehërojmë që të kenë lëndët e duhura ushqyese që të vazhdojnë të rriten. Kjo është e ngjashme me dëshmitë tona pasi nuk mund të jetojmë thjesht me një përvojë shpirtërore. Kemi nevojë për atë ripërtëritje të vazhdueshme të përvojave të reja. Të kujtuarit e përvojave tona shpirtërore – ato janë gjëra të mrekullueshme për t’i menduar, por na nevojiten më shumë përvoja vazhdimisht.

Lluka: E vetmja gjë tek e cila mund të kemi 100 përqind siguri është Shpëtimtari. Dhe mendoj se në atë mënyrë Ai me gjithë mend është hardhia e vërtetë, që ne gjithmonë mund të mbështetemi tek Ai. Dhe nëse përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë që në njëfarë mënyre ta përputhim vullnetin tonë me të Tijin, siç u tha – që Ai është në ne dhe ne jemi në Të – Shpëtimtari është personi që vërtet mund të na ndihmojë të durojmë.

Londoni: E dua Shpëtimtarin dhe kam një dëshmi shumë të fortë për Të dhe për atë që Ai ka bërë për ne. Vërtet për Të ndiejmë se është një mik i mirë, si dikush që kurrë nuk do të largohet prej nesh. Sepse jam e sigurt që ne të gjithë kemi pasur miq të mirë që janë larguar prej nesh, në mënyrë të papritur ose të pritur. Sidoqoftë, nuk është një përvojë e këndshme. Por është tejet e mrekullueshme të dimë se Shpëtimtari kurrë nuk do të largohet, se Ai gjithmonë do të jetë me ne dhe se Ai na gjendet pranë që të na ngushëllojë dhe të na ndihmojë kur kemi nevojë.

[Mbaron transkriptimi i materialit filmik]

Plaku Gong: Faleminderit, London dhe Luka. Londoni, Luka dhe unë folëm për drejtësinë dhe mëshirën në ligjin e të korrës. Ne korrim atë që mbjellim. Por Perëndia gjithashtu ua shton mëshirën e Tij përpjekjeve tona. Apostulli Pal thotë: “Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten”33. Kur Perëndia e jep rritjen, Ai hap pragjet e qiellit dhe derdh bekime, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku t’i shtini.34 Kur shihen me sytë shpirtërorë, mëshirat e dhembshura të Zotit shpesh e tejkalojnë bujarisht atë që mund të meritojë vetëm puna jonë.

Nganjëherë jeta duket e padrejtë dhe e pavend, me çaste të vështira, të errëta dhe të vetmuara. Me dëshirë të drejtë dhe përpjekje të bindur, ne mund të ndiejmë se kemi bërë gjithçka që na u kërkua. Prapëseprapë gjërat mund të mos kenë funksionuar në mënyrën që kishim shpresuar. Është e vështirë. Mund të ndihemi të dëshpëruar, të pakënaqur, ndoshta edhe të hidhëruar. Në çaste të tilla, ju lutemi të mbani mend, se, në mënyra që nuk mund t’i kuptojmë, “Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha”35. Ai kupton ngaqë Ai ka qenë atje.36 “Ja”, thotë Shpëtimtari ynë, “unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia.”37 Ai premton: “Gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde”38.

Ne shpresojmë te Zoti duke pritur dhe nganjëherë me ankth. Premtimet e Tij janë të sigurta: “Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur”39. “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.”40 “Toka nuk ka asnjë dhembje që falë qiellit s’mund ta shëroni.”41

Në kohën dhe mënyrën e Tij, Perëndia do t’i ndreqë padrejtësitë, hidhërimet dhe zhgënjimet. Për njerëzit e gatshëm dhe të përulur, ungjilli i Tij është një ungjill i mundësive të dyta dhe të treta, deri në shtatëdhjetë herë shtatë.42 Ata që i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë janë dhe do të jenë “të bekuar në të gjitha gjërat”43.

Në kohën tonë, me vuajtje të pamasë dhe nevoja humanitare kudo, ne ndiejmë një shkak bindës dhe qëllim hyjnor në dhënien e shërbimit të krishterë. Për ne, dashuria për Perëndinë dhe të afërmin do të thotë mundësi besëlidhëse dhe përgjegjësi besëlidhëse. Një anketë e Kishës në kohët e fundit tregon se të rinjtë në moshë madhore po përcaktojnë dhe trajtojnë nevoja të ngutshme humanitare në Europë, në Amerikën Qendrore dhe Jugore, në Karaibet, në Azi, Afrikë, Amerikën e Veriut, ishujt e Paqësorit dhe pothuajse kudo tjetër nëpër botë. Ju dhe miqtë tuaj, për të përmendur pak gjëra:

  • qepni maska,

  • përkrahni qendrat e strehimit të grave,

  • ndihmoni për pastrimin dhe lehtësimin e fatkeqësive natyrore,

  • siguroni ushqime për fëmijët,

  • ngrini komunitete vendore, dhe

  • çoni ushqime në bankat ushqimore.44

Në këtë pandemi të COVID‑it, anëtarët tanë, miqtë tanë dhe Kisha jonë po japin përgjigjen humanitare më të madhe se ndonjëherë tjetër nga ana jonë me 1031 projekte si përgjigje ndaj sëmundjes nga COVID‑19 në 151 vende. Njerëzit nevojtarë po marrin mbi 28,4 milion artikuj të pajisjeve mbrojtëse vetjake (PMV), 3,5 milion artikuj ushqimorë, 1,8 milion paketash higjienike dhe 1,07 milion pjesësh të pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore.

Deri tani, nga ferma te tavolinat, mbi 700 kamionë me ushqime dhe artikuj të tjerë thelbësorë kanë udhëtuar mbi 2,5 milion kilometra nga sistemi i shtëpive të ruajtjes së peshkopëve të Kishës sonë deri te 380 banka ushqimore, qendra strehimi për të pastrehët dhe organizata bamirëse. Pyeta se çfarë është një kamion tipik mallrash me 18 rrota. Zakonisht secili kamion sjell 3264 kanoçe me mish viçi ose gjeli deti; 7488 konserva misri, mashurkash ose domatesh në copëza; 6528 konserva me gjellë, supë ose fasule; dhe 792 kavanoza të gjalpit të famshëm të kikirikut – i parapëlqyeri im – të prodhuara nga Kisha jonë.

Kamionët tanë gjithashtu mbartin fruta, bimë bishtajore dhe budingë të prodhuar ose të përpunuar në 19 ferma, 3 pemishte, 4 fabrika konservimi, 1 fabrikë bulmeti dhe 3 ferma kafshësh të Kishës sonë. Ndoshta ju jetoni në një komunitet ku Kisha jonë ka bashkëpunuar me grupe të vogla për të siguruar ushqime dhe artikuj të tjerë thelbësorë.

Ndihma globale me ushqime dhe siguria për ushqimet janë shqetësimi ynë. Kombet e Bashkuara parashikojnë që ndërprerjet nga COVID‑i mund të çojnë edhe 130 milion njerëz të tjerë drejt urisë kronike. Ndërkohë që është vetëm fillimi, ndihmesat tona humanitare janë të vazhdueshme, të nevojshme dhe të mirëpritura në zona delikate, të tilla si Somalia, Jemeni, Republika Demokratike e Kongos, Haiti dhe Zimbabve, si dhe në krahinat e konflikteve në Siri, Jemen, Sudanin Jugor, Republikën Demokratike të Kongos dhe krahinën e Sahelit në Afrikë, mes të tjerash.

Fëmijët e uritur kanë nevojë për ushqim. Bashkë me një partner humanitar, ne po shpërndajmë 30 milion vakte ushqimore për fëmijët e shkollave në nëntë shtete në zhvillim. Çdo pjatë me ushqime përfshin 482 kalori drithërash, proteine, perimesh dhe frutash që ndihmojnë për t’i mbajtur njerëzit në jetë.

Siç e kemi parë, Kisha jonë bën dhurime humanitare globale dhe gjithashtu siguron përkrahje bujare në Amerikën e Veriut dhe të Jugut dhe në zona të tjera ku jetojnë shumë anëtarë të Kishës.

Refugjatët dhe njerëzit e shpërngulur brenda vendit janë një sfidë e madhe humanitare. Kisha jonë është në radhët e para të krizave të shumta të refugjatëve. Me partnerët tanë, ne sigurojmë ushqime, higjienë, ujë dhe instalime sanitare, paketa strehimi, veshje, pajisje vetjake mbrojtëse dhe përkrahje arsimore në Amerikën Latine, Europë, Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme.

Ne u përshtatemi nevojave vendore dhe i përmbushim ato. Ne i respektojmë zakonet dhe kulturën vendore. Për shembull, cunami shkatërrues i vitit 2004 në Indonezi vrau ose zhduku rreth 228 000 individë. Agjërimi i Kishës sonë mbarëbotërore ndihmoi që të ndërtoheshin xhami, të bliheshin makina qepëse për të bërë veshjet e nevojshme tradicionale dhe për të rindërtuar shtëpitë e shkollat. Udhëheqësit islamikë na thanë: “Ne agjërojmë, prandaj dhurimet nga agjërimi mbajnë një domethënie të veçantë për ne. Agjërimi dhe sakrifica juaj pasqyrojnë besimin dhe dashurinë tuaj për Perëndinë.”

Si dishepuj të Jezu Krishtit, përkatësia jonë nëpërmjet besëlidhjeve me Perëndinë dhe me njëri‑tjetrin na fton të jemi të mirë dhe të bëjmë mirë. Siç e dini, Kisha jonë jep ndihmë humanitare pavarësisht nga raca, përkatësia fetare apo kombësia. Veprimtaritë tona humanitare nuk përdoren për të përhapur bindjet tona fetare. Ne punojmë me partnerë të të gjitha besimeve fetare ose pa një besim fetar. Ne u përgjigjemi nevojave të menjëhershme dhe afatgjata. Ne qëndrojmë ndërkohë që vazhdojnë nevojat, shumë kohë pasi janë larguar kamerat e lajmeve. Ne nxitimin vlerësimin e vetes dhe mbështetjen te vetja. Ne i ndiejmë bekimet e Atit Qiellor kur e shprehim dashurinë tonë për Perëndinë duke bërë gjithçka të mundshme për vëllezërit e motrat tona – bijtë dhe bijat e Tij – kudo, në çfarëdo mënyre që mundemi.

Vëllezër e motra, teksa mësoni, rriteni dhe shërbeni, dhe teksa përpiqeni fort të jini të guximshëm në dëshminë tuaj për Jezu Krishtin, ju lutemi të jini të duruar dhe mirëkuptues me vetveten. Shumë shpesh ne kërkojmë më tepër se ç’duhet nga vetja. Zoti na fton të vijmë siç jemi, t’i bëjmë të gjitha gjërat në “urtësi dhe rregull”. Ai nuk pret që ne të vrapojmë më shpejt nga sa kemi fuqi, edhe kur jemi të zellshëm dhe të guximshëm.45

Nganjëherë, ne mund të ndihemi më pak të dëshiruar ose më pak të zotuar nëse Zoti nuk na ka kërkuar të bëjmë “një gjë të madhe”46. Prapëseprapë, shpesh ajo që i nevojitet më shumë Zotit është që ne ta lëmë dritën tonë shkëlqyese të ndriçojë çdo ditë. Mbajeni mend, Jezusi është hardhia e vërtetë. Rritja shpirtërore dhe lumturia juaj janë të paçmuara për Të.

Si përmbledhje, teksa fillon ky vit i ri, lejomëni t’ju ftoj të merrni bekimet e plota të tri ftesave:

  1. “Rrini të qetë dhe dijeni se [Perëndia është] Perëndi.”47 Lejojini mirësinë dhe krijimet e Tij t’jua nxitin imagjinatën tuaj, t’jua qetësojnë zemrën e t’i japin siguri asaj, dhe të dëshmojnë se Ai pret i gatshëm për ta thelluar marrëdhënien tuaj vetjake.

  2. Ndryshojeni të ardhmen tani. Krijoni marrëdhënie shumëbrezëshe që do t’ju bekojnë ju dhe njerëzit përreth jush për vitet që do të vijnë.

  3. Mirëbesoni te Zoti i të korrës që t’ju ndihmojë të bëheni njeri më i mirë. Teksa punojmë me Të dhe përkrah Tij në vreshtin e Tij, Zoti i të korrës do të japë një rritje të begatë. Të Tijat janë bekimet e një gëzimi që është i plotë.48

Këto tri veprime do t’ju ndihmojnë ta forconi besimin tuaj dhe të jeni të guximshëm në dëshminë tuaj për Jezu Krishtin.

  1. Me denjësi mbani një rekomandim aktual tempulli. Ju lutemi ta bëni këtë edhe nëse tempulli nuk është tërësisht i hapur. Ju lutemi ta bëni këtë edhe nëse mund të keni nevojë të vendosni disa gjëra në rregull në jetën tuaj.

  2. Lejojeni peshkopin ose presidentin tuaj të degës të dijë se kush dhe ku jeni. Nëse nuk keni aktualisht një thirrje në Kishë, ju lutemi të merrni parasysh që të thoni: “Peshkop (ose president dege), kur Zoti të ketë një thirrje për mua, unë do të isha i/e lumtur të shërbeja në Kishën tonë”.

    Secilit prej nesh i nevojiten krahë dhe rrënjë – një rreth i gjerë miqësie e shoqërie dhe një rreth më i vogël ku mund të shërbejmë rregullisht me bashkëmoshatarët dhe udhëheqës të kujdesshëm, përfshirë një peshkop që mban çelësat.

  3. Teksa trokitni, lypni dhe kërkoni, ju lutemi të krijoni një mjedis vetjak që jua ushqen besimin dhe ju ndihmon t’i zbatoni urdhërimet e Perëndisë. Të dhëna me dashuri, urdhërimet e Perëndisë mbrojnë dhe bekojnë. Ju lutemi të jetoni me denjësi në mënyrë që Fryma e Shenjtë të mund të jetë shoqëruesi juaj i vazhdueshëm dhe t’ju ndihmojë të gjeni atë që ju nevojitet dhe e kërkoni më së shumti. Mos e lejoni botën të shtiret sikur ju ofron gjërat që nuk mund t’jua japë.

Të dashur vëllezër e motra, Perëndia është Ati ynë i Amshuar. Biri i Tij i Dashur është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Ordinancat e përjetshme, besëlidhjet dhe doktrina gjenden në Kishën e Tij të rivendosur, të quajtur me emrin e Tij: Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Rivendosja e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit vazhdon, nga Profeti Jozef Smith te Presidenti Rasëll M. Nelson sot. Libri i Mormonit dhe shkrimet e shenjta dëshmojnë, sikurse dëshmoj unë, se Jezusi është Krishti.

Miq të dashur, le të shndritë drita juaj!49 Vazhdoni besnikë ndaj besëlidhjeve tuaja dhe të guximshëm në dëshminë tuaj për Jezu Krishtin. Perëndia ju rrethoftë me dhembshurinë e Tij dhe ju bekoftë në shpresat dhe dëshirat tuaja të drejta! Gjetshi përkatësi në besëlidhjet dhe gëzim në ungjillin e Tij, vend dhe hapësirë në Kishën e Tij, e cila është Kisha jonë. Në emrin e shenjtë dhe të shenjtëruar të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.