Takime Shpirtërore 2016
“Mos Kini Frikë … në Mua Gëzimi Juaj Është i Plotë” (DeB 101:36)


“Mos Kini Frikë … në Mua Gëzimi Juaj Është i Plotë” (DeB 101:36)

Një Mbrëmje me Plakun Kuentin L. Kuk,

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore, 11 Shtator 2016 • Uashington D.K. Qendra e Kunjit

Jam mirënjohës që jam me ju të rinj në moshë madhore që po e shikoni këtë takim shpirtëror nga vendndodhje anembanë botës. Sikurse është lajmëruar, ky takim shpirtëror po mbahet në kishën fill pranë Tempullit të Uashington D. K. . E zgjodha qëllimisht këtë vendndodhje sepse është pranë tempullit. Jam mirënjohës edhe që jetojmë në një kohë kur tempujt janë të përhapur nëpër botë. Ne kemi nevojë për bekimet e tempullit në këto kohë tepër të vështira.

Bota duket se është me plot kuptimin e fjalës në rrëmujë.1 Ka një nivel grindjesh që është i padëgjuar. Paqja e mendjes dhe ndjenjat e sigurisë mund të duken bishtnuese e madje të paarritshme. Mesazhi im për ju këtë mbrëmje është që ne nuk duhet të kemi frikë edhe në një botë të rrezikshme e të trazuar. Shkrimet e shenjta na sigurojnë se mund të kemi gëzim të plotë për shkak të Shpëtimtarit.2

Ka disa ngjarje të caktuara e të mrekullueshme që për shumë prej jush janë gdhendur në zemrat dhe mendjet tuaja në një mënyrë shumë pozitive. Ju mund ta mbani mend çdo hollësi të ngjarjes. Shembujt mund të përfshijnë hapjen e zarfit që përmban një thirrje për mision, një vulosje me një bashkëshort/e në tempull, pranimin që Fryma e Shenjtë ia ka dëshmuar shpirtit tuaj vërtetësinë e Librit të Mormonit. Këto janë llojet e ngjarjeve të çmuara që nuk sjellin vetëm një gëzim shpërblyes, por edhe gëzim që zgjat. Është interesante që ngjarjet individuale që lidhen në çfarëdo mënyre me Shpëtimtarin janë zakonisht ato që sjellin gëzimin më të madh.

Por ka disa ngjarje që janë aq ngjethëse apo tronditëse, saqë ndikojnë te ne në një mënyrë të thellë.

Rënia e Murit të Berlinit, vrasja e presidentit të Shteteve të Bashkuara Xhon F.  Kenedit dhe sulmet terroriste më 11 shtator janë shembuj ngjarjesh ngjethëse ku njerëzit mund t’i mbajnë mend saktësisht ku ishin dhe si u ndien kur e dëgjuan lajmin.

Shumica prej jush duhet të kenë qenë shumë të rinj kur në Qendrën Botërore të Tregtisë në qytetin e Nju-Jorkut dhe në Pentagon, këtu në Uashingto D.K., ndodhi sulmi pikërisht në këtë ditë 11 shtator, 2001, 15 vjet më parë. Dyshoj se shumica prej jush (pavarësisht se ku jetoni nëpër botë) mund ta mbajnë mend ku ishin dhe ndjenjat e ngjethjes dhe lebetitjes që përjetuan ata dhe njerëzit përreth. Ishte një ngjarje që e shkatërroi ndjesinë e paqes dhe i shtoi ndjenjat e cenueshmërisë për shumë veta. Sikurse e kam përshkruar në të shkuarën, ajo pati domethënie të veçantë për mua dhe time shoqe, Merin.

Djali ynë më i madh dhe gruaja e tij po prisnin fëmijën e tyre të parë dhe jetonin tri blloqe larg Qendrës Botërore të Tregtisë në qytetin e Nju-Jorkut kur avioni i parë, i rrëmbyer nga terroristë, u përplas me kullën veriore. Ata shkuan në çatinë e ndërtesës së apartamentit të tyre dhe u tmerruan teksa i shihnin pasojat e atij që menduan se ishte një aksident i tmerrshëm. Teksa e dëshmuan përplasjen e avionit të dytë të rrëmbyer me kullën jugore, ata e kuptuan se ky nuk ishte aksident dhe besuan se Manhatani i poshtëm qe nën sulm të vazhdueshëm. Kur ra kulla jugore, ndërtesa e apartamentit të tyre u mbështoll nga copëra që ranë mbi Manhatanin e poshtëm.

Të pështjelluar e të tmerruar nga ajo që kishin dëshmuar dhe të shqetësuar për sulme të tjera, ata u larguan drejt një zone më të sigurt dhe më pas për te ndërtesa kishtare e kunjit të Manhatanit në Qendrën Linkoln. Kur mbërritën, ata zbuluan se duzina anëtarësh të tjerë të Manhatanit të poshtëm kishin marrë të njëjtin vendim për t’u mbledhur në qendrën e kunjit. Ne u lehtësuam kur ata telefonuan për të na vënë në dijeni se ku ishin dhe se ishin të sigurt. Nuk u habitëm nga vendndodhja e tyre sepse zbulesa bashkëkohore na mëson se kunjet e Sionit janë një “mbrojtje e … strehim nga stuhia dhe nga zemërimi, kur të derdhen pa u zvogëluar mbi tërë dheun”.3 Ata nuk u lejuan të ktheheshin në apartamentin e tyre për më shumë se një javë dhe u dërrmuan nga humbja e jetëve të pafajshme, por ata vetë nuk vuajtën ndonjë dëm të përhershëm fizik.

Avioni që u përplas në Pentagon pranë vendit ku jemi sonte, Uashington D.K, ishte po ashtu një mision terrorist vetëvrasës me rezultate të ngjashme shkatërruese.

Qëllimi im këtë mbrëmje është që të mos jetoni me ngjarjet e tmerrshme nga e kaluara. Dua që ju t’i theksoni llojet e gëzueshme të ngjarjeve që përshkrova në fillim. Por dua edhe t’ju ndihmoj t’i shqyrtoni sprovat, mundimet dhe rreziqet që hasni ose që druheni se do të hasni në jetën tuaj vetjake. Disa mund të jenë ngjarje që prekin një numër të madh njerëzish, të tjera do të jenë personale për ju. Kam vendosur të trajtoj tri lloje ngjarjesh: ato që përfshijnë rreziqe fizike; ato që përfshijnë sfida të veçanta, disa prej të cilave janë vetëm për kohën tuaj dhe së fundi, ato që përfshijnë rreziqe dhe sfida shpirtërore.

Rreziqet ose Sfidat Fizike

Rreziqet fizike janë më të lehtat për t’u parë e identifikuar. Pavarësisht nga mënyra apo vendi ku i merrni lajmet e përditshme, rreziqet fizike, dhuna apo tragjedia janë të parat që raportohen – veçanërisht në televizion dhe në internet. Një arsye për këtë është se dhuna dhe vdekja janë shumë dramatike dhe zakonisht janë të lehta të portretizohen me pamje si dhe me shkrim. Dhuna dhe vdekja, qofshin pranë apo shumë larg, na e tërheqin vëmendjen dhe mund të na e shkatërrojnë paqen dhe qetësinë. Kur nuk ndihemi të sigurt fizikisht, ne ndihemi të cenuar personalisht.

22 marsin e shkuar, një terrorist shpërtheu një bombë vetëvrasëse në aeroportin e Brukselit në Belgjikë. Katër prej misionarëve tanë ishin në sportelin e kontrollit të linjës Delta. Të gjithë ata vuajtën plagë të konsiderueshme; disa ishin shumë të rënda. Plagët e një misionari në moshë, Plakut Riçard Norbit qenë shumë të rënda. Kohët e fundit ai tregoi se ndërkohë që jeta nuk do të jetë më kurrë e njëjta “ai ka zgjedhur të mbështetet te Zoti dhe të mos ketë frikë”. Ai më tej tha: “Do ta jetoj jetën dhe do t’u mësoj fëmijëve dhe nipërve të mi se [duhet] ta vëmë mirëbesimin tonë te Perëndia”.4

Zoti ka theksuar se edhe ata që e humbasin jetën e tyre, duke qenë besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre “do ta gjej[n]ë atë përsëri, madje jetë të përjetshme”.5

U preka nga komentet e motrës Feni Klejn, një prej misionarëve të tjerë që vuajtën plagë nga bombardimi i aeroportit të Brukselit. Ajo tha: “Kalimi i këtyre gjërave më bën t’i kuptoj më mirë njerëzit, sepse njerëzit kanë vërtet gjëra të vështira në jetën e tyre, kështu që tani edhe unë kam pasur gjëra të vështira, prandaj mund të kuptoj më shumë.” Duke punuar për shërimin e saj, ajo tha: “Kur zgjedhim t’i mirëbesojmë Perëndisë, mund ta shohim se si na ndihmon Ai dhe sa e jashtëzakonshme është kjo. Unë i mirëbesoj Atij më tepër tani se më parë.” Ajo është veçanërisht mirënjohëse që ka qenë në gjendje ta vazhdojë misionin e saj.6

Në ekzistencën tonë paratokësore, e dinim se liria e zgjedhjes dhe kundërshtimi qenë të nevojshëm në mënyrë që të rriteshim, zhvilloheshim dhe përfundimisht të merrnim ekzaltimin.

Në këshillin paratokësor në qiell, plani i Atit përfshiu lirinë e zgjedhjes si një element thelbësor. Luciferi ngriti krye “dhe kërkoi të shkatërronte lirinë e njeriut për të zgjedhur”.7 Si rrjedhim, privilegji i pasjes së një trupi të vdekshëm iu mohua Satanit dhe atyre që e ndoqën atë.

Shpirtrat të tjerë paratokësorë e ushtruan lirinë e tyre të zgjedhjes duke e ndjekur planin e Atit Qiellor. Shpirtrat e bekuar me lindje në këtë jetë në vdekshmëri vazhdojnë të kenë liri zgjedhjeje. Ne jemi të lirë të zgjedhim dhe veprojmë, por jo të lirë që t’i kontrollojmë pasojat e zgjedhjeve tona. Prandaj, zgjedhjet tona përcaktojnë lumturinë ose mjerimin në këtë jetë dhe në jetën që vjen. “Zgjedhja e … mirës[isë] dhe e drejtësisë të udhëheq drejt lumturisë, paqes dhe jetës së përjetshme, ndërsa zgjedhja e mëkatit dhe e ligësisë përfundimisht të udhëheq drejt trishtimit dhe mjerimit.”8

Nuk mund t’ua vëmë fajin rrethanave ose të tjerëve për një vendim për të vepruar në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Ne jemi të gjithë përgjegjës e të përgjegjshëm përpara Perëndisë për mënyrën se si i zhvillojmë tiparet, talentet dhe aftësitë si të Krishtit dhe jemi përgjegjës për mënyrën se si e përdorim kohën që na është caktuar në këtë ekzistencë.

Doktrina e kundërshtimit lidhet ngushtë dhe nganjëherë shihet si pjesë e doktrinës së lirisë së zgjedhjes. Por për shkak se kundërshtimi shpesh vjen nga burime të jashtme ose palë të treta, është e dobishme ta shohim atë veçmas. Kjo doktrinë parashtrohet shkurtimisht nga profeti Lehi te 2 Nefi 2:11: “Pasi, është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat. Po të mos ishte kështu, … drejtësi nuk mund të kishte, as ligësi, as shenjtëri ose mjerim, as të mirë ose të keqe.”

Lehi vazhdon të shpjegojë se kjo doktrinë është kaq e rëndësishme saqë pa të “nuk do të kishte asnjë synim në qëllimin e krijimit” dhe “urtësi[a] e Perëndisë dhe synimet e tij të përjetshme dhe gjithashtu fuqi[a], dhe mëshir[a], dhe drejtësi[a] e Perëndisë” do të shkatërroheshin.9

Lehi vazhdon: “Kështu që, Zoti Perëndi e lejoi njeriun që ai të veprojë nga vetja e tij.”10

Ne e dinim në ekzistencën paratokësore se ushtrimi i lirisë së zgjedhjes mund të sillte kundërshtim dhe përplasje – lufta në qiell është prova e kësaj të vërtete. Ne e dinim se përveç luftës dhe dhunës, do të kishte sjellje tejet mëkatare në mbarë botën. Ne e dinim edhe se Jezu Krishti ishte i gatshëm të paguante çmimin për këto mëkate. Vuajtja e tij, e cila ishte përtej aftësisë për ta kuptuar, do të sillte fitore mbi mëkatin dhe vdekjen shpirtërore. Ringjallja e Tij do ta mposhtte vdekjen fizike. Ne kishim siguri se pas vdekjes fizike, të gjithë do të jetonim përsëri. Sikurse lexojmë te Predikoni Ungjillin Tim:

“Ky triumf i Jezu Krishtit mbi vdekjen shpirtërore me anë të vuajtjes së Tij dhe mbi vdekjen fizike me anë të ringjalljes së Tij quhet Shlyerje. …

Kur mbështetemi në Shlyerjen e Jezu Krishtit, Ai mund të na ndihmojë të durojmë sprovat, sëmundjet dhe dhembjet tona. Ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e padrejtë në jetë mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”11

Përvojat e tmerrshme të anëtarëve tanë pak pasi Kisha u themelua në Misuri i nxori qartësisht në pah këto parime të Shlyerjes. Vlerat tona doktrinore ishin në përplasje të drejtpërdrejtë me të ardhurit në Misuri që nuk ishin të besimit tonë. Shumë misurianë i konsideronin indiano-amerikanët armiq të pamëshirshëm dhe donin t’i largonin nga tokat. Përveç kësaj, shumë nga të ardhurit në Misuri ishin skllavopronarë dhe u ndien të kërcënuar nga ata që e kundërshtonin skllavërinë. Shumë veta ishin në kërkim të tokës, pasurisë e madje pushtetit.

Në të kundërt, doktrina jonë i respektonte indiano-amerikanët dhe dëshira jonë ishte t’u mësonim atyre ungjillin e Jezu Krishtit. Për sa i përket skllavërisë, shkrimet tona të shenjta janë të qarta që asnjë njeri nuk duhet të jetë rob i një tjetri. Anëtarët tanë relativisht të paktë me ngjyrë, në atë kohë, adhuronin së bashku me anëtarët e bardhë, sikurse tani. Së fundi, qëllimi ynë nuk ishte të merrnim pasuri por të themelonim komunitete vëllezërish e motrash që e donin njëri-tjetrin dhe i jetonin parimet që dha mësim Shpëtimtari. Të ardhurit e tjerë në Misuri ndiheshin të kërcënuar ndërkohë që numra të mëdhenj shenjtorësh, pas zbulesave të Zotit, u shpërngulën në Misuri.12

Kjo solli një përplasje dhe përndjekje të pamasë për anëtarët e Kishës. Kundërshtarët e shenjtorëve ua shkatërruan të korrat dhe disa ndërtesa, u vodhën bagëtinë dhe zotërimet vetjake dhe i nxorën nga shtëpitë e tyre. Disa shenjtorë u lyen me zift dhe u mbuluan me pupla, u fshikulluan ose u rrahën. Duke i shkruar Jozef Smithit, që po jetonte në Kirtland, Ohajo, Uilliam W. Felps pohoi: “Është një kohë e lemerishme, burra, gra dhe fëmijë po ia mbathin ose po përgatiten t’ia mbathin, thuajse në të gjitha drejtimet”.13 Në mes të kaosit të dëbimit, familjet ndonjëherë ndaheshin dhe shumë shenjtorëve u mungonte ushqimi dhe furnizime të tjera. Anëtarët e Kishës mezi e kuptonin pse ishin përzënë pasi Zoti i kishte urdhëruar të mblidheshin bashkë në Misuri. Pasi e mori lajmin dërrmues, Jozef Smithi u lut për ta kuptuar. Zoti iu përgjigj me këtë mesazh ngushëllues, që gjendet tani te Doktrina e Besëlidhje 101:35–36:

“Dhe gjithë ata që vuajnë përndjekje për hir të emrit tim dhe durojnë me besim, edhe pse thirren për të dhënë jetën për hatërin tim, përsëri do të marrin pjesë nga e gjithë kjo lavdi.

Si rrjedhim, mos kini frikë madje deri në vdekje; sepse në këtë botë gëzimi juaj nuk është i plotë, por në mua gëzimi juaj është i plotë.”

Zoti na ka premtuar edhe se shpërblimi i drejtësisë është “paqe në këtë [jetë] dhe jetë të përjetshme në botën që vjen”.14

Pra Shlyerja e Shpëtimtarit na lejon të kemi paqe dhe qetësi edhe kur ka rreziqe fizike.

Sfidat e Veçanta, Disa prej të Cilave Janë Vetëm për Kohën Tuaj

Si të rinj në moshë madhore, përveç sfidave fizike, ju keni sfida të veçanta dhe disa janë vetëm për kohën tuaj. Ju jeni të shqetësuar rreth vendimeve lidhur me arsimimin, punësimin, martesën dhe familjen. Parimet doktrinore për këto vendime janë trajtuar në shumë biseda dhe kuptohen mjaft mirë. Shpëtimtari, duke paguar dënimin për mëkatet tona, nuk na lehtësoi nga përgjegjësia vetjake për mënyrën se si e jetojmë jetën. Vlera e punës, zellit, të punuarit me fuqinë tonë, përmirësimi i talenteve tona dhe sigurimi i të ardhurave për familjet janë shpallur botërisht në shkrimet e shenjta që prej fillimit. Te Zanafilla Zoti deklaroi: “Do të hash bukën me djersën e ballit, deri sa të rikthehesh në dhe”.15

Besoj se këto koncepte doktrinore pranohen gjerësisht nga anëtarët. Sidoqoftë, në një botë të ndërlikuar ka shumë pështjellim rreth mënyrës se si t’i zbatojmë këto parime.

Në bisedën time të parë në konferencën e përgjithshme, 20 vjet më parë, tregova një histori vetjake për të qeshur që lidhet drejtpërdrejt me këto çështje.16

Kur fëmijët tanë ishin të vegjël, ime shoqe, Meri, dhe unë vendosëm të ndiqnim një traditë që ma mësoi babai kur isha fëmijë. Ai takohej me mua dhe vëllezërit e motrat e mia më vete për të na ndihmuar që të vendosnim synime për anë të ndryshme të jetës sonë e për të na mësuar se si Kisha, shkolla dhe veprimtaritë jashtëshkollore do të na ndihmonin t’i arrinim këto synime. Ai kishte tre rregulla:

  • Na duhej të kishim synime me vlerë.

  • Mund t’i ndryshonim synimet tona në çdo kohë.

  • Na duhej të punonim me zell drejt çfarëdo synimi që zgjidhnim.

Ngaqë përfituam nga kjo traditë, Meri dhe unë vendosëm të angazhoheshim në këtë praktikë me fëmijët tanë. Kur djali ynë, Leri, ishte pesë vjeç, e pyeta se çfarë donte të bënte si profesion kur të rritej. Ai tha se donte të bëhej doktor si ungji i tij Xhoi.17 Leri kishte kaluar një operacion të rëndë dhe kishte fituar respekt të madh për doktorët, veçanërisht për ungjin e tij Xhoin. Vazhdova t’i them Lerit se të gjitha gjërat me vlerë që ai po bënte, do ta ndihmonin të kryenin punën e një doktori.

Disa muaj më vonë, e pyeta përsëri se çfarë do të bëhej kur të rritej. Këtë herë ai tha se donte të bëhej pilot i një linje ajrore. Ndryshimi i synimit nuk kishte problem, ndaj vazhdova t’i shpjegoj se si veprimtaritë e tij të ndryshme do ta ndihmonin atë ta arrinte këtë synim. Në fund të bisedës, i thashë: “Leri, herën e fundit që folëm, ti doje të bëheshe doktor. Çfarë ta ndryshoi mendjen?” Ai u përgjigj: “Mendoj se të qenit doktor do të ishte mirë, por kam vënë re se ungj Xhoi punon të shtunave në mëngjes dhe nuk dua t’i humbas filmat vizatimorë të së shtunës në mëngjes”.

Që nga ajo kohë, familja jonë e ka emërtuar një shpërqendrim nga një synim me vlerë, një film vizatimor të së shtunës në mëngjes.

Ka dy parime që dëshiroj të theksoj nga ky tregim i vërtetë. I pari është mënyra se si planifikoni dhe përgatiteni t’i arrini synimet me vlerë në botën e sotme, dhe e dyta është ndikimi i internetit dhe i medias shoqërore te synimet tona të drejta. Secila prej këtyre mund të jetë filmi vizatimor i të shtunës në mëngjes që na shpërqendron nga gëzimi që dëshirojmë.

Jam veçanërisht i merakosur rreth mënyrës se si shumë të rinj në moshë madhore nuk ia dalin të vendosin synime të drejta apo të kenë një plan për t’i arritur. Jam i merakosur edhe se shumë veta i nënvlerësojnë dhe i zhvleftësojnë vetë talentet dhe zotësitë e tyre. Zgjidhja e këtyre dy problemeve do të sjellë shumë gëzim në jetën tuaj.

Një libër i kohëve të fundit nga profesoresha Anxhela Dakuorth, i titulluar Grit [Vendosmëri], paraqet një argument bindës që shumë, në mos shumica e njerëzve e mbivlerësojnë të ashtuquajturën aftësi të lindur dhe e nënvlerësojnë të punuarin fort dhe vendosmërinë. Ajo parashtron se suksesi i të gjitha llojeve dallohet më tepër nga një etikë e mirë pune sesa vetëm nga inteligjenca e pastër apo aftësia. Ajo vë në dukje se njerëzit e palëkundur dhe me palëkundshmëri (që ajo i quan edhe pasion e ngulmim) vazhdimisht kanë rendiment më të mirë sesa ata me aftësi të natyrshme që nuk kanë të njëjtën vendosmëri.18

Kur isha i ri, padashur u vura në dijeni për një rezultat provimi mbi aftësitë mendore të një studenti, i cili ishte paksa nën mesatare. E vëzhgova gjatë shkollës pa i thënë gjë askujt. Ai ndiqte lëndë të vështira dhe studionte me zell. Në kolegj, ai ndonjëherë ishte në dy ose tre grupe studimi për të njëjtën lëndë. Ai përfundimisht mori një titull të përparuar në një fushë të përpiktë e të saktë dhe arriti zbulime domethënëse në specialitetin e vet.

Tani, nuk po sugjeroj që çdokush duhet të ketë arritje akademike, por po sugjeroj që ju mund t’i përmbushni shumë nga synimet tuaja të drejta e me vlerë me planifikim, vendosmëri e palëkundshmëri veçanërisht nëse i mënjanoni filmat vizatimorë të jetës të së shtunës në mëngjes. Ju mund të gjeni edhe më tepër gëzim e lumturi në jetën tuaj.

Dua t’ju siguroj se mund të bëni gjëra të vështira. Plaku Xhon B. Dikson, një I Shtatëdhjetë i mrekullueshëm, tani anëtar nderi, që shërbeu në mënyrë të dalluar në të gjithë botën, e tregoi me fakte këtë në një mënyrë argëtuese e të pazakontë. Plaku Dikson u thirr për të shërbyer si misionar SHDM në Meksikë në vitin 1962. Përpara se të nisej, ai u diagnostikua me kancer në kockë në krahun e djathtë. Nuk pritej që ai të jetonte më shumë se një muaj. Megjithatë, 10 muaj më vonë ai u largua për të shërbyer në misionin e caktuar, pasi ia prenë krahun.19 Nuk do ta harroj kurrë mënyrën se si ai ua mësoi misionarëve në QTM se ata mund të bënin gjëra të vështira. Ai i ftoi katër misionarë të dilnin përpara foltores dhe të konkurronin me të në një konkurs për lidhjen e kollares. Mendoni ta lidhni kollaren me një krah! Së fundi i kërkova Plakut Dikson ta tregonte në praktikë. Le ta shohim.

Plaku Xhon B. Dikson:[Duke lidhur një kollare.] Ju e dini se të gjithë kemi sfida në jetë. Nganjëherë janë fizike, emocionale, ekonomike ose të shumëllojshme dhe nëse thjesht jemi pozitivë dhe i zbatojmë rregullat, kemi besim te Zoti, kemi besim te vetja, mund të përballojmë gjithçka që vjen. Mendoj se mund edhe ta lidhim vetë kollaren. A do dikush të bëjmë një garë apo mundje?

Faleminderit Xhon.

Në QTM, Plaku Dikson i mundi të katër misionarët duke përdorur, dhëmbët, supet dhe kraharorin e tij në një mënyrë të mrekullueshme. Ju lutem, dijeni se ju mund ta kapërceni fatkeqësinë e të bëni gjëra të vështira.

Profesoresha Dakuorth vëren se “entuziazmi është i zakonshëm. Qëndresa është e rrallë.”20

Një nga studimet që ajo citon e thekson rëndësinë e përgatitjes aktive për jetën, përfshirë ngulmin, patundshmërinë, paepshmërinë dhe prirjen për të mos i braktisur detyrat përballë pengesave.21

Ajo ngre në qiell edhe një qëllim më të lartë që i jep ndihmesë mirëqenies së të tjerëve.22 Ajo pohon:

“Njëmend fatlumë janë ata që kanë një synim të nivelit më të lartë, kaq të rëndësishëm për botën, saqë e mbush me kuptim gjithçka bëjnë, pavarësisht nga sa e vogël apo e lodhshme është. Merreni parasysh shëmbëlltyrën e muratorëve:

“Tre muratorëve u bëhet pyetja: ‘Çfarë po bëni?’

I pari thotë: ‘Po shtroj tulla’.

I dyti thotë: ‘Po ndërtoj një kishë’.

Dhe i treti thotë: ‘Po ndërtoj shtëpinë e Perëndisë’.

Muratori i parë ka një vend pune. I dyti ka një karrierë. I treti ka një thirrje.”23

Sfida ime për ju sonte është që t’i shqyrtoni synimet tuaja e të përcaktoni se cilat do t’ju lejojnë të përmbushni çfarëdo detyrimi familjar e t’ju mbajë në shtegun e besëlidhjes suaj e t’ju lejojë të keni gëzimin që Zoti do për ju. Mbajeni mend, pasja e një synimi ju lejon ta ruani kohën dhe përpjekjen duke planifikuar që më parë e duke mos kushte e afate të rëndësishme.

Tani i kthehem ndikimit të internetit dhe medias shoqërore te vendimet.

Interneti dhe media shoqërore i japin kaq shumë ndihmesë shoqërisë sonë bashkëkohore. Ato kanë vlerë të madhe! Edhe ato mund të jenë filma vizatimorë të së shtunës në mëngjes që na shpërqendrojnë nga përmbushja e thirrjes sonë të vërtetë në jetën në vdekshmëri.

Lutja ime më e zellshme është që të gjithë ne do ta vlerësojmë mënyrën dhe kohën si e përdorim internetin dhe median shoqërore. Prova e qartë duhet të jetë: A u vjen në ndihmë synimeve tona të tjera të denja e të rëndësishme, apo e pengon seriozisht përparimin tonë? A jemi të fiksuar pas medias shoqërore nga frika se mos humbasim diçka nëse nuk e kontrollojmë vazhdimisht? A na bën vetëreklamimi i disa mediave shoqërore që ne të kemi dyshim te vetja e të ndihemi të papërshtatshëm? Aq më keq, a na shtyn interneti drejt imazheve dhe përmbajtjes që janë të papastra, të papërshtatshme apo përmbajnë gjysmë të vërteta që e shkatërrojnë besimin? A e fshehim ndonjëherë identitetin tonë dhe u shprehim të tjerëve komente apo opinione të vrazhda? A ndërhyn media shoqërore te koha që normalisht do ta shpenzonim me veprimtari fetare në shtëpi ose te koha cilësore me familjen? A po na pengon sasia e kohës së shpenzuar në internet me lojëra e pyetësorë që të ndjekim me efektshmëri synime serioze? Këto janë vendime që unë e sfidoj secilin prej jush t’i peshojë, t’i rregullojë e të pendohet atje ku është e nevojshme për të na e bekuar jetën.

Duke përmendur sa më sipër, jam tërësisht në dijeni për dobinë e pamasë që mund të jetë media shoqërore kur përdoret siç duhet. Ndihmesa e saj për historinë familjare ma bën të qartë që Zoti e ka frymëzuar këtë teknologji.

Pasi të kemi mbaruar së foluri, do ta publikoj këtë pjesë të bisedës sime në faqen time në Facebook. Do të doja të m’i tregonit shqetësimet tuaja rreth medias shoqërore, por edhe mënyrën se si media shoqërore po e bekon jetën tuaj.

Dua t’ju lë me një mendim tjetër mbi këtë temë. Ne dëgjojmë shumë rreth të qenit të vërtetë në median shoqërore. Të qenit sinqerisht si Krishti është një synim akoma më i rëndësishëm sesa të qenit autentikë. Më lini ta them edhe një herë: Të qenit sinqerisht si Krishti është një synim akoma më i rëndësishëm sesa të qenit autentikë.

Sfidat Shpirtërore

Tani po u kthehem sfidave shpirtërore.

Një prej përgjegjësive më jetike në këtë jetë është të bëjmë e të mbajmë besëlidhje të shenjta me Perëndinë. Kjo kërkon që ne t’i shqyrtojmë dëshirat e padenja e ta shkëputim veten prej tyre. Ne i shqyrtojmë edhe pritshmëritë e pavenda që me vetëdije ose pa vetëdije i kemi kundrejt Perëndisë. Ne kërkojmë rregullisht ta mësojmë vullnetin e Perëndisë për ne. Ne vazhdimisht ripërqendrohemi te besimi, pendimi dhe ordinancat shpëtuese. Shpëtimtari, që pagoi një çmim për të gjithë ne përtej asaj që mund të kuptojmë plotësisht, nuk e kreu Shlyerjen që ne të mund të përqendrohemi në synime materialiste jo të përjetshme, ose aq më tepër, në argëtim mendjelehtë, vetëkënaqës dhe lojëra. Mendoni rreth qëllimit të Zotit kur shpalli: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut.”24

Disa duket se thonë ose nënkuptojnë: “A nuk do të kënaqej një Atë i dashur Qiellor nëse jam më pak sesa duhet të jem? A do të m’i mohonte Ai vërtet bekimet vetëm se më pëlqen të pi alkool dhe kafe?” Fatkeqësisht, ajo është pyetja e gabuar dhe paraqet një mungesë kuptueshmërie ndaj planit të Atit. Pyetja e vërtetë është: “Si mund të jem njeriu i drejtë, i dashur që Ati im dhe Shpëtimtari do të donin të isha?” Shkrimet e shenjta deklarojnë: “[Atje ku] shumë … është dhënë, shumë … kërkohet”.25

Në një botë ku shpërblimet dhe trofetë merren shpesh thjesht për pjesëmarrje, standardet dhe pritshmëritë mund të duken të padrejta ose madje mizore. Kjo është veçanërisht e vërtetë për ata që këmbëngulin të ndjekin shtegun e tyre vetjak pa u pajtuar me planin e Atit, pavarësisht nga pasojat.

Shumë e shfajësojnë sjelljen mëkatare dhe përdorin si mbrojtje fjalinë: “Jezusi na mësoi t’i duam të gjithë”. Kjo sigurisht, është e vërtetë, por shpesh ata që e mbrojnë këtë pozicion duken të prirur ta shpërfillin paralajmërimin e Tij po aq të rëndësishëm: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”.26

Nuk është me vend që ne të bëjmë bisedime për kushtet e marrëdhënies sonë me Kreun-Perëndi. Pasja e një zemre të thyer dhe një shpirti të penduar është kërkesa fillestare për ta nisur shtegun e besëlidhjes së filluar nga pagëzimi. Duhet përgjërim i përulur para Perëndisë. Ashtu siç na mëson mbreti Beniamin: “Pasi vini re, a nuk jemi ne të gjithë lypësa? A nuk varemi ne të gjithë nga e njëjta Qenie, madje Perëndia për të gjithë pasurinë që ne kemi …  [të] çdo lloji?”27

Sfidat tona mund të jenë të vështira dhe disa mund të jenë madje të padrejta. Ato bëjnë që të na dhembë zemra e të na shtohet keqardhja për të tjerët. Kjo është e vërtetë për lëngatat dhe sëmundjet që ndikojnë thellë në trupin tonë. Ajo përfshin ato që janë të pafajshëm dhe që janë keqtrajtuar. Ajo përfshin varfërinë dhe dhunën që e mbushullojnë mjedisin në të cilin u lindëm. Ajo përfshin impulse dhe prirje që ndoshta nuk i zgjodhëm. Ne hidhërohemi prej varësive që vijnë nga një zgjedhje e vetme e keqe; ka shumë gjëra që mund të jenë të padrejta apo të anshme në këtë botë.

Cili është reagimi ynë? Ne duhet të jemi dashamirës e të dhembshur e ta trajtojmë çdokënd me respekt, madje edhe kur zgjedhin një shteg që e dimë se nuk përputhet me planin e Atit dhe mësimet e Shpëtimtarit. Por nëse duam vërtet të jemi dashamirës, duhet edhe ta japim mësim pendimin. Nuk është dashamirëse dhe nuk i bëjmë nder askujt, kur përmbahemi duke mos i nxitur ata që duam që ta ndryshojnë jetën dhe ta pranojnë Shlyerjen e Shpëtimtarit. Ka bekime të pabesueshme, të përjetshme që i presin ata që pendohen.

Vetë Shpëtimtari e bëri të qartë këtë duke u folur nefitëve kur tha, lidhur me ata që do të pendoheshin: “Atë do ta konsideroj të pafajshëm para Atit tim, në atë ditë kur do të qëndroj të gjykoj botën”.28 Ai vazhdoi duke thënë: “Dhe asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e tij; prandaj asgjë nuk hyn në pushimin e tij, vetëm ata që kanë larë rrobat e tyre në gjakun tim, për shkak të besimit të tyre dhe të pendimit të të gjitha mëkateve të tyre dhe të besnikërisë së tyre deri në fund”.29

Ju lutem, dijeni se mund të bëheni të pastër. Mund ta gjeni gëzimin që dëshironi në këtë jetë. Askush nuk duhet të largohet nga ky takim shpirtëror e të hamendësojë se ju jeni të përjashtuar nga shëlbimi. Nuk jeni. Në thelb ju jeni një fëmijë i Perëndisë. Mund të keni shpresë dhe gëzim. Mund ta ndryshoni zemrën tuaj e të pendoheni. Mund të falni e të faleni.

Pendimi është jetik për planin e Atit. Në Librin e Mormonit, ne mësojmë për marrëdhënien midis mëshirës e drejtësisë. Krishti e përcakton se ku takohen mëshira e drejtësia.30

I adhuroj fjalët optimiste të shkruara nga Eliza R. Snou:

Sa i madh, i lavdishëm dhe i plot’,

Plani i shëlbimit t’tij

Ku drejtësia, e mëshira

jan’ në harmoni!31

Plani i lavdishëm i lumturisë është i drejtë dhe i mëshirshëm. Ne e dimë nga erdhëm, pse jemi këtu në këtë jetë dhe ku do të shkojmë pasi të vdesim.

Ju jeni një brez i mahnitshëm. Shkrimet e shenjta janë të qarta se në ditët e fundit do të ketë “poshtërsi … dhe neveri …”.32Sidoqoftë, shenjtorët, të vegjël në numër e të shpërndarë në të gjithë faqen e tokës, do të jenë “armatosur me drejtësi dhe me fuqinë e Perëndisë në lavdi të madhe”.33 Zoti premtoi se Ai do t’i “ruajë të drejtët” dhe ne “nuk duhet të ke[m]i frikë.”34

Nuk duhet të keni frikë, pavarësisht nga rreziqet dhe sfidat me të cilat përballeni. Do të bekoheni e mbroheni kur kërkoni synime të drejta, me vlerë. Planifikoni dhe punoni me vendosmëri e palëkundshmëri, shmangeni përdorimin e pavend të medias shoqërore e të internetit dhe mbështetuni e përqendrohuni te besimi, pendimi, ordinancat shpëtuese dhe sakrifica shlyese e Shpëtimtarit teksa duroni deri në fund. Përqendrimi te tempulli do t’ju ndihmojë t’i arrini këto synime.

Për ta parafrazuar Romakëve 12:12, “[Jini] të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje”. Mund t’i shmangni filmat vizatimorë të së shtunës në mëngjes në jetë dhe të arrini gëzimin që Shpëtimtari na ka premtuar.

Unë dëshmoj solemnisht për karakterin hyjnor të Jezu Krishtit. Për shkak të Tij ne nuk duhet të kemi frikë, pasi në Të gëzimi ynë është i plotë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Doktrina e Besëlidhje 45:26; 88:91.

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 101:35–38.

  3. Doktrina e Besëlidhje 115:6.

  4. “Fear Won’t Stop Me,” Church News, 7 gusht, 2016, f. 9.

  5. Doktrina e Besëlidhje 98:13.

  6. “‘Ready to Get Going’: Brussels Bombing Victim Serving in Ohio”, Church News, 5 qershor, 2016, f. 7.

  7. Moisiu 4:3.

  8. Të Vërtetë ndaj Besimit: Një Referim për Ungjillin (2004), f. 6.

  9. 2 Nefi 2:12.

  10. 2 Nefi 2:16.

  11. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 52.

  12. Mbi konfliktin në Misuri shih Gerrit J. Dirkmaat, Brent M. Rodgers, Grant Underwood, Robert J. Woodford, and William G. Hartley, bot., Documents, Volume 3: February 1833–March 1834, vëll. 3 i serisë Documents nga The Joseph Smith Papers, redaktuar nga Ronald K. Esplin, and Matthew J. Grow (Salt Lake City:

    Church Historian’s Press, 2014), xxvii–xxx101.

  13. Letër nga William W. Phelps drejtuar udhëheqësve në Kirtland, Ohajo, nëntor f. 6–7, 1833, në Gerrit J. Dirkmaat and others, bot., Documents, Volume 3: February 1833–March 1834, vëll. 3 i serisë Documents nga The Joseph Smith Papers, redaktuar nga Ronald K.

  14. Doktrina e Besëlidhje 59:23.

  15. Zanafilla 3:19.

  16. Shih Quentin L. Cook, “Rejoice!” Ensign, nëntor 1996, f. 29.

  17. Vëllai im, Dr. Jozef V. Kuk i Riu, është ende një mjek në detyrë në moshën 81-vjeçare. Gjatë kësaj kohe, ai ishte doktori i Lerit dhe presidenti i kunjit.

  18. Angela Duckworth, Grit: The Power of Passion and Perseverance (2016), f. 8.

  19. Shih “Elder John B. Dickson of the Seventy”, Ensign, gusht 1992, f. 77.

  20. Duckworth, Grit, f. 58.

  21. Duckworth, Grit, 77; duke cituar një studim të vitit 1926 nga psikologia e Stendfordit, Catharine Cox.

  22. Duckworth, Grit, f. 143.

  23. Duckworth, Grit, f. 149.

  24. Mosiu 1:39.

  25. Doktrina e Besëlidhje 82:3.

  26. Gjoni 14:15.

  27. Mosia 4:19.

  28. 3 Nefi 27:16.

  29. 3 Nefi 27:19.

  30. Shih Alma 42:24–25.

  31. Eliza R. Snou, “Sa Urti dhe Dashuri”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve,  f. 19.

  32. 1 Nefi 14:12.

  33. 1 Nefi 14:14.

  34. 1 Nefi 22:17.

Shtyp në Letër