Takime Shpirtërore 2016
Gjeni Gëzim në Jetën e Përditshme


Gjeni Gëzim në Jetën e Përditshme

Një Mbrëmje me Plakun Kuentin L. Kuk,

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore, 11 Shtator 2016 • Uashington D.K. Qendra e Kunjit

E konsideroj bekim të madh të jem me ju këtë mbrëmje.

Kur erdhëm në këtë tokë, ne e morëm me vete natyrën tonë hyjnore si fëmijë të Perëndisë. Vlera jonë individuale erdhi nga qielli. Kur e kuptojmë natyrën tonë hyjnore dhe qëllimin e të qenit këtu, mund t’i kapërcejmë sfidat e sprovat dhe të qëndrojmë të vërtetë ndaj besëlidhjeve tona. Mënyra se si ndihemi për veten e përcakton se sa të suksesshëm do të jemi në rrugëtimin tonë në vdekshmëri. Vetëvlerësimi ynë zgjerohet kur plotësohen disa nevoja bazë të njeriut. Do të përmend tri: nevoja për t’u dashur, nevoja për t’u pranuar dhe nevoja për të pasur sukses ose për të arritur.

Kur nuk plotësohen këto nevoja, ne ndiejmë se nuk na duan, ndihemi të papranuar dhe të pasuksesshëm. Kjo shkakton ndjenja pezmatimi, shkurajimi, vetëmëshirimi, izolimi dhe vetmie. Ne të gjithë ndeshemi me këto emocione.

Po bisedoja me një shoqe dje që më tregoi një anketë mbi të studentët e rinj në moshë kolegji. Kur u pyetën se çfarë konsideronin shqetësimin e tyre më të madh, shumë shkruan “vetminë”. Ne mund të jemi të vetmuar qofshim të martuar a beqarë.

Të gjithë ndiejmë vetmi në kohë të ndryshme në jetën tonë. Presidenti Gordon B. Hinkli tha dikur: “Besoj se, për shumicën prej nesh, mjekimi më i mirë për vetminë është puna dhe shërbimi në emër të të tjerëve.”1

Mendoj se ajo është këshillë e mirë.

Presidenti Tomas S. Monson e shprehu kështu: “Me raste, shkurajimi mund ta errësojë shtegun e udhës suaj; pezmatimi mund të jetë një shoqërues i vazhdueshëm. … Duke i mirëbesuar Zotit, le të … sigurohemi që këmbët tona të ngulen me vendosmëri në shtegun e shërbimit dhe që zemrat e shpirtrat tanë të përkushtohen për ta ndjekur shembullin e Zotit.”2

Qëndroni të zënë e të përfshirë me zell në punën e Kishës. Rrini pranë Atit tuaj Qiellor me lutje dhe me studim të shkrimeve të shenjta. Gjeni shembuj në shkrimet e shenjta ku të tjerët e kanë kapërcyer apo janë ndeshur me vetminë. Mendoni për Moronin dhe se sa i vetmuar ishte ai kur bëri analin për shkatërrimin e popullit të tij. Ai shkroi:

“Prandaj, unë do të shkruaj dhe do t’i fsheh analet në dhe; dhe se ku do të shkoj, nuk ka rëndësi.

… Pasi jam vetëm. Ati im u vra në luftë dhe i gjithë farefisi im, dhe unë nuk kam më shokë, as ku të shkoj; dhe deri kur do të më lërë Zoti të jetoj, unë nuk e di”.3

Mendoj se është e rëndësishme ta mbajmë mend se në të vërtetë nuk jemi kurrë vetëm. Shpëtimtari na ka premtuar ngushëllim. Nëse jemi të denjë, Fryma e Shenjtë është shoqëruesi ynë i vazhdueshëm. Ndikimi i tij na ndihmon gjatë periudhave të vetmuara. Mund të jemi vetëm, por nuk ka pse të jemi të vetmuar. Më pëlqen shumë himni “Çdo Or’ më Duhesh Ti”.4

Nevoja për dashuri dhe pranim është shumë e vërtetë.

Rrini pranë familjes suaj, atje ku ju duan dhe ju pranojnë përtej asaj që mund të shprehet. Përfshihuni në lagjen ose degën tuaj. Jini gjithnjë të denjë për në tempull. Nëse jeni beqarë, dilni me ata që janë të denjë për në tempull. Mos u shkurajoni nga papërsosuritë e atyre që takoni; aftësia jonë rritet dhe ne përmirësohemi teksa zhvillohemi gjatë jetës.

Nevoja për të pasur sukses është e fuqishme dhe shtytëse.

Gjithsecili e ka një dhuratë nga Perëndia.5 Gjejini dhuratat tuaja të veçanta dhe gëzojuni atyre. Zhvillojini ato. Shikojeni bekimin tuaj patriarkal dhe mësojini këshillat, paralajmërimet, dhuratat dhe premtimet e tij.

Prindërit e mi nuk shkuan në tempull deri pasi unë u martova dhe lindën fëmijët tanë. Nuk mendoja se do të vuloseshim si një familje e përjetshme. M’u desh të kisha durim e ta prisja Zotin për këtë bekim.

Mendoj goxha rreth cilësisë së durimit dhe në sa mënyra të shumta Zoti na mëson të jemi të duruar. E adhuroj mënyrën se si kjo përshkruhet te Predikoni Ungjillin Tim: “Durimi është aftësia për të duruar vonesën, shqetësimin, kundërvënien, ose vuajtjen,pa u inatosur, zhgënjyer, ose pa u bërë i paduruar. Durimi është aftësia për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe për të pritur kohën e Tij. Kur jeni të duruar, ju qëndroni të fortë përballë shqetësimeve dhe mund ta përballoni fatkeqësinë qetësisht dhe me besim. … Duhet të prisni që të përmbushen bekimet e premtuara nga Zoti.”6

Më ka pëlqyer gjithnjë Psalmi 27:14: “Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.”

Pavarësisht nga situata juaj në këtë kohë të dhënë, gjeni gëzim në jetën e përditshme. A nuk do të ishte e mrekullueshme të zgjoheshim çdo mëngjes e të thoshim: “Ndiej se më duan, që më pranojnë dhe ndihem i suksesshëm”. Ne të gjithë mund ta bëjmë këtë!

Gjetshi gëzim e lumturi teksa udhëtoni në këtë rrugëtim në vdekshmëri! Jetofshi të denjë për ta pasur Frymën e Shenjtë si shoqërues të vazhdueshëm dhe marrshi çdo bekim që Zoti ka në ruajtje për ju, është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gordon B. Hinckley, “A Conversation with Single Adults”, Ensign, mars 1997, f. 61.

  2. Thomas S. Monson, “The Path to Peace”, Ensign, maj 1994, f. 62.

  3. Mormoni 8:4–5.

  4. “Çdo Or’ Më Duhesh Ti”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 12.

  5. Shih Doktrina e Besëlidhje 46:11–12.

  6. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 124.