Takime Shpirtërore 2017
Pendimi dhe Dashuria Hyjnore


Pendimi dhe Dashuria Hyjnore

Një Mbrëmje me Plakun Kim B. Klark

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 7 maj 2017 • Tabernakulli i Solt-Lejkut

Unë dhe Plaku Klark jemi të lumtur që jemi me ju për këtë takim shpirtëror mbarëbotëror.

Dëshiroj të ndaj me ju disa mendime që i kam për zemër, të cilat shpresoj se do të jenë kuptimplota edhe për ju.

Së pari, dëshiroj të shpreh dashuri: Kam arritur të kem një ndjenjë të veçantë në zemrën time për të rinjtë në moshë madhore të Kishës. Jeni në fazën e jetës suaj kur po merrni vendime jetike – të ndiqni arsimimin, të kërkoni punësim, të shërbeni në mision, të dilni në takime, të martoheni dhe të nisni familje. E kam ndier dhe dëshmuar fuqinë e madhe që keni për të bërë mirë, ndërsa bëni e mbani besëlidhje të shenjta dhe ndërsa kërkoni vullnetin e Zotit për marrjen e këtyre vendimeve. Jeni të mahnitshëm! Dhe Zoti ju do. Unë e di atë.

Dëshiroj të ndaj me ju edhe dëshminë time e disa fjalë nxitjeje. Dëshiroj që ju ta dini se unë e di që Perëndia është Ati ynë i gjallë në Qiell. E di se Ai na dha planin e shpëtimit dhe atë dhuratë të mrekullueshme të Birit të Tij, Jezu Krishtin, Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë. E di se Profeti Jozef Smith është profeti i periudhës ungjillore të plotësisë së kohëve. E di se Krishti do të vijë sërish dhe se ne duhet të jemi të përgatitur për atë ardhje.

Si përgatitemi për një ngjarje kaq monumentale? Kjo mund të na bëjë të ndihemi të mbingarkuar! Ka kaq shumë për të bërë! Do të doja të jepja nxitje dhe shpresë me dy parime që do të na ndihmojnë të jemi të përgatitur: pendimi dhe dashuria hyjnore.

Presidenti Monson në konferencën e përgjithshme, tetorin e shkuar, na mësoi: “Thelbësor për planin është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Pa flijimin e Tij shlyes, të gjithë do të humbnin. Sidoqoftë, nuk është e mjaftueshme që thjesht të besojmë në Të dhe në misionin e Tij. Duhet të punojmë e të mësojmë, të kërkojmë e të lutemi, të pendohemi e të përmirësohemi.”1

Duhet të pendohemi. Dhe çfarë bekimi i madh që është ky! Nëpërmjet Shlyerjes dhe fuqisë së Jezu Krishtit, ne mund të mposhtim çdo dobësi, dhembje, pikëllim dhe mëkat. Kam mësuar se, ndërkohë që pendimi është shpesh të ndalojmë së bëri diçka që po e bëjmë, ai mund të jetë edhe diçka që ne duhet të fillojmë ta bëjmë, të cilën nuk kemi qenë duke e bërë.

Një prej gjërave më të rëndësishme që kemi nevojë të fillojmë të bëjmë si pjesë e pendimit, është që t’u shërbejmë njerëzve të tjerë. Është nëpërmjet shërbimit ndaj të tjerëve, punës krah për krah me Zotin dhe përjetimit të dashurisë së Tij të kulluar që ne arrijmë ta njohim vërtet Shpëtimtarin. E pashë fuqinë e dashurisë që vjen kur u shërbejmë të tjerëve në një mbledhje sakramenti vetëm një muaj më parë.

Hyra në kishë me një mikeshën time, e cila ndaloi për të përshëndetur një prej vajzave të vogla në klasën e saj të Fillores. Gjatë mbledhjes, mikesha ime u mbështet si presidentja e re e Shoqatës së Ndihmës në kunj. Vajza e vogël që ajo e kishte përshëndetur rrugës për në kishë, u kthye dhe pa nga mikesha ime, mësuesja e saj. Ajo vajzë e këndshme e dinte se mësuesja e saj do të lirohej [nga thirrja] dhe filloi të qajë. Ajo nxitoi për në fund të stolit dhe e fshehu kokën pas shpatullave të nënës së saj. I hodha sytë nga mikesha ime, presidentja e re e Shoqatës së Ndihmës në kunj, dhe pashë që edhe ajo shpërtheu në lot! Ajo dëshmi dashurie ishte e fuqishme për mua. Kuptova se po filloja të lotoja dhe unë. Po dëshmoja dhuratën e dashurisë së kulluar të Krishtit që vjen nga Shpëtimtari për pasuesit e Tij të vërtetë ndërsa ata shërbejnë në mbretërinë e Tij.

Te Moroni, kapitulli 7, Mormoni na mëson:

“Prandaj, vëllezër të mi të dashur, në qoftë se nuk keni dashuri hyjnore, ju s’jeni asgjë, pasi dashuria hyjnore nuk dështon kurrë. Prandaj, kapuni pas dashurisë hyjnore që është më e madhja e të gjithave, pasi të gjitha gjërat duhet të dështojnë –

Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim.”2

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, lutem që secili prej nesh do të veprojë me besim në Jezu Krishtin për t’u kthyer drejt Tij, për t’u penduar për mëkatet tona dhe për t’i shërbyer Atij me gjithë zemrën tonë. E di që, nëse e bëjmë këtë, ne do të bëhemi në fakt pasuesit e Tij të vërtetë. Dhe nëse i “lut[emi] Atit me gjithë fuqinë e zemrës s[onë], që [ne] të mbushe[m]i me … dashuri[në e Tij]”3, unë e di se ne do të kemi besim më të madh, shpresë më të madhe dhe do të ndiejmë dashuri më të madhe – madje dashurinë e pastër të Krishtit. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime.

  1. Tomas S. Monson, “Shtegu i Përsosur drejt Lumturisë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 80.

  2. Moroni 7:46–47.

  3. Moroni 7:48.

Shtyp në Letër