Takime Shpirtërore 2017
Ti Je Joseph-i


Ti Je Joseph-i

Një Mbrëmje me Plakun Kim B. Klark

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 7 maj 2017 • Tabernakulli i Solt-Lejkut

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, jam mirënjohës që jam me ju sonte. Ndiej dashuri të madhe për ju. Kurdoherë që jam me të rinjtë në moshë madhore të kësaj Kishe, ndiej dashuri dhe ndiej gëzim!

Ju ftoj të vini me mua sonte në atë që shpresoj se do të jetë një udhëtim zbulimi, besimi dhe frymëzimi. Dëshiroj t’ju kthej prapa në ditët e hershme të Rivendosjes, kur Jozef Smithi ishte një i ri në moshë madhore. Po ju ftoj të vini në një udhëtim që e kam bërë vetë. E kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime duke studiuar dhe duke dhënë mësim rreth udhëheqësve dhe organizatave që ata drejtojnë. Kam qenë i bekuar që kam njohur shumë udhëheqës të mëdhenj dhe që kam punuar në shumë prej organizatave më të mira që njerëzit kanë krijuar në të gjithë tokën. Por ky udhëtim në kohë në përvojat e hershme të Jozefit në Rivendosje, e ka përforcuar bindjen time se unë dhe ju jemi pjesë e organizatës më të jashtëzakonshme në faqen e tokës, në Kishën e gjallë e të vërtetë të Zotit.

Dëshiroj t’ju kthej prapa në një periudhë të jetës së Jozefit kur ai u përball me pasiguri e vështirësi. Ishte një periudhë kur po mësonte se kush ishte ai dhe kush ishte Zoti, si dhe mënyrën se si do të punonte Zoti me të.

Do të vinte një kohë kur Jozefi do të ishte profeti i madh i Rivendosjes, kur do t’i qortonte rojat e armatosura në burgun e Riçmondit me një fuqi të atillë sa rojat do të dridheshin, kur do të themelonte Kishën, do të bënte mrekulli të fuqishme, do ta predikonte ungjillin me mprehtësi të pashoqe, do të ndërtonte qytete dhe tempuj, do të hidhte themelin për mbledhjen e Izraelit dhe për punën e shpëtimit në të dyja anët e velit. Por dëshiroj t’ju kthej prapa në një periudhë përpara kësaj, kur Jozefi nuk ishte ende ai që do të bëhej. Dëshiroj të kthehem në ato ditë ngaqë ato ditë ishin për Jozefin ashtu siç janë ditët tuaja për ju tani. Besoj se ka mësime të rëndësishme që ju [duhet] të mësoni rreth Zotit Jezu Krisht dhe doktrinës së Tij, dhe rreth profetit të Tij, Jozef Smithit, që nga koha kur Jozefi ishte një i ri në moshë madhore. E di që, ndërsa dëgjoni sonte me Shpirtin e Zotit, dashuria juaj për Zotin dhe besimi juaj në Të dhe në Atin Qiellor do të rriten, dhe dëshmia juaj për Rivendosjen dhe Profetin Jozef Smith do të jetë më e fortë.

Historia

Po e filloj historinë me fletët e arta. Jozef Smithi, në moshën 21-vjeçare, i mori fletët nga engjëlli Moroni në shtator të vitit 1827, së bashku me dy gurë të vendosur në harqe të argjendta, të cilët nefitët i quanin interpretues ose Urimi dhe Thumimi.1 Nga fundi i asaj vjeshte, Jozefi dhe bashkëshortja e tij, Ema, u shpërngulën në Harmoni të Pensilvanisë, qyteti i lindjes së Emës, për shkak të përndjekjes së madhe në Palmira të Nju-Jorkut.2

Në Harmoni, Jozefi kopjoi karaktere nga fletët dhe i studioi ato. Ai i kërkoi mikut të tij, Martin Herrisit, që të gjente dikë për t’i përkthyer fletët, por Martini nuk pati sukses.3

Deri në shkurt të vitit 1828, Jozefit i ishte bërë e qartë se atij do t’i duhej ta përkthente vetë analin me ndihmën e interpretuesve.4 Me kalimin e kohës, Jozefi mësoi ta përkthente analin “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”5.

Ema, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të parë, ishte shkruesja e parë e Jozefit. Ajo dhe Jozefi punuan me analin deri në prill të vitit 1828, [kohë] kur Martin Herrisi mbërriti në Harmoni që të shkruante për Jozefin.

Deri në qershor, Jozefi e kishte përfunduar përkthimin e pjesës së parë të analit, përfshirë atë që ai e quante libri i Lehit. Martin Herrisi dëshironte jashtëzakonisht që ta çonte dorëshkrimin në Nju-Jork për t’ia treguar bashkëshortes dhe familjes së tij. Jozefi i kërkoi dy herë leje Zotit, por çdo herë përgjigjja ishte “jo”. Martini këmbënguli dhe Jozefi e pyeti Zotin për herë të tretë. Këtë herë, Zoti i dha leje me kusht që Martin Herrisi të lidhte besën se do t’ia tregonte dorëshkrimin vetëm bashkëshortes së tij dhe disa njerëzve të tjerëve. I entuziazmuar, Martini u nis menjëherë për në Palmira me dorëshkrimin.

Gjithsesi, Jozefi ishte i shqetësuar. Gjatë kësaj kohe, Jozefi pati një vizitë nga Moroni dhe u qortua për kërkesat e tij të përsëritura që ta lejonte Martinin ta merrte dorëshkrimin. Jozefi duhej t’ia kthente Moronit interpretuesit dhe fletët.6

Sikur të mos mjaftonte ky shqetësim, Ema solli në jetë një djalë të vogël, por foshnja nuk jetoi. Vetë Ema pothuajse vdiq dhe Jozefi kaloi dy javë vazhdimisht pranë saj. Sapo filloi të ndihej më mirë, Ema e nxiti Jozefin të shkonte dhe të merrte vesh se çfarë i kishte ndodhur Martinit dhe dorëshkrimit.

Ditën kur Jozefi mbërriti në Palmira, Martin Herrisi vërtetoi frikën më të keqe të Jozefit – dorëshkrimi ishte zhdukur. Nëna e Jozefit e përshkroi skenën kështu:

“Jozefi …, kërceu nga tavolina, duke thirrur: ‘Martin, a e ke humbur atë dorëshkrim? …’

‘Po, është zhdukur’, u përgjigj Martini, ‘dhe nuk e di se ku.’

‘O … !’, tha Jozefi, duke shtrënguar duart. ‘Gjithçka humbi! Gjithçka humbi! Çfarë do të bëj? Kam mëkatuar. … Duhej të isha kënaqur me përgjigjen e parë që mora nga Zoti. …’ Ai qau e rënkoi dhe eci lart e poshtë dhomës pa ndërprerje. …

‘… A nuk e meritoj çfarëdo lloj qortimi nga engjëlli i Më të Lartit?’

… Çfarë mund të thosha që ta ngushëlloja atë, kur e pa të gjithë familjen në të njëjtën gjendje mendore si ai vetë; sepse shtëpia u mbush me dënesa e rënkime dhe vajtime të hidhura sa s’ka. … Dhe ai vazhdoi të ecte para-prapa, duke qarë e duke u vrerosur ndërkohë, derisa në prag të perëndimit, kur e bindën, ai mori pak ushqim.

“Të nesërmen në mëngjes, [ai] u nis për në shtëpi. Ne u ndamë me zemra të brengosura, ngaqë tani dukej se gjithçka që e kishim pritur me kaq dëshirë, … në një çast ishte larguar dhe ishte larguar përgjithmonë.”7

Udhëtimi katërditor i kthimit për në Harmoni duhet të ketë qenë i vështirë për Jozefin. Ai shqetësohej për Emën dhe ishte ende zemërthyer për humbjen e fëmijës së tyre të parë. Kishte humbur dorëshkrimin dhe nuk i kishte më fletët apo interpretuesit. Ishte një udhëtim i gjatë për në shtëpi.

Jozefi mori një vendim që t’i drejtohej Zotit.8 Ai e përshkroi atë që ndodhi pas kthimit të tij në Harmoni me këto fjalë:

“Shpejt pas mbërritjes sime, fillova ta përulja veten në lutje të fuqishme përpara Zotit, … e [derdha] shpirtin tim në përgjërim ndaj Perëndisë që, po të ishte e mundur, të mund të merrja mëshirë nga duart e tij dhe të merrja falje për gjithçka që kisha bërë, që ishin në kundërshtim me vullnetin e tij.”9

“Kisha përshkuar një distancë të shkurtër, kur … lajmëtari i mëparshëm qiellor u shfaq dhe më dha sërish Urimin dhe Thumimin [interpretuesit]. … E pyeta Zotin nëpërmjet tyre dhe mora zbulesën vijuese.”10

Zbulesa që mori Jozefi, është shënuar te Doktrina e Besëlidhje seksioni 3. Është një qortim therës dhe një thirrje për pendim të mëtejshëm me një premtim. Së pari, qortimi:

“Dhe vër re, sa shpesh ti i ke shkelur urdhërimet dhe ligjet e Perëndisë dhe ke vazhduar sipas bindjeve të njerëzve.

Pasi, vër re, nuk duhet të frikësohesh më shumë nga njeriu sesa nga Perëndia. Edhe pse njerëzit përçmojnë këshillat e Perëndisë dhe përbuzin fjalët e tij—

Përsëri ti duhej të kishe qenë besnik; dhe ai do të të kishte shtrirë krahun e tij dhe do të të kishte mbështetur ndaj gjithë shigjetave të zjarrta të të ligut; dhe ai do të kishte qenë me ty në çdo kohë shqetësimi.”11

Jozefi u nxit nga bindjet dhe frika e njerëzve kur ai vazhdimisht i kërkoi Zotit leje që t’i jepte dorëshkrimin Martin Herrisit. Jozefi kishte filluar të pendohej, por Zoti i mësoi atij se duhej bërë më shumë:

“Vër re, ti je Joseph-i dhe u zgjodhe të bëje veprën e Zotit, por për shkak të shkeljes, nëse nuk je i kujdesshëm, ti do të biesh.

Por kujto, Perëndia është i mëshirshëm; si rrjedhim, pendohu për atë që ke bërë, e cila është në kundërshtim me urdhërimin që unë të dhashë dhe ende je i zgjedhur e përsëri je i thirrur për veprën.”12

Moroni i kërkoi Jozefit që t’ia kthente interpretuesit dhe fletët, por i premtoi atij: “Nëse je shumë i përulur dhe i penduar, ndoshta do të mund t’i marrësh ato sërish”.13 Jozefi vazhdoi të pendohej dhe jo shumë kohë më vonë, ai i mori fletët dhe interpretuesit nga Moroni.14

Më vonë, i shqetësuar rreth ritmit të ngadaltë të përkthimit gjatë dimrit të vitit 1829, Jozefi i kërkoi Zotit që t’i dërgonte atij një shkrues.15 Në prill, Zoti e dërgoi Oliver Kaudërin në Harmoni për të shërbyer si shkrues i Jozefit, pas kthimit të mrekullueshëm në besim të Oliverit.16

Me mbërritjen e Oliverit, procesi i përkthimit shkoi përpara me një ritëm të jashtëzakonshëm.

Përkthimi i Librit të Mormonit ishte i mbushur me mrekulli dhe bekime për Jozefin.

Gjithsesi, pyetja se çfarë duhej të bënte për librin e Lehit me siguri që e shqetësonte. Pa analin e Lehit, nuk do të kishte një rrëfim të familjes së Lehit, të udhëtimit për në tokën e premtuar apo të prejardhjes së nefitëve dhe lamanitëve.

Në maj të vitit 1829, Zoti i zbuloi Jozefit një plan, i menduar që shekuj më parë, që ta zëvendësonte librin e Lehit me ato që ne i njohim si fletët e vogla të Nefit. Këto fletë përmbanin një përmbledhje të librit të Lehit dhe profecitë dhe mësimet e Nefit e të profetëve të tjerë. Këto shkrime, të përfshira në Librin e Mormonit nga 1 Nefi deri te Fjalët e Mormonit qenë frymëzuar nga Zoti, ishin ruajtur për qindra vite dhe iu shtuan analit nga Mormoni nën drejtimin e Zotit.17

Jozefi dhe Oliveri nuk e ripërkthyen librin e Lehit. Zoti e paralajmëroi Jozefin se njerëz të ligj e kishin ndryshuar dorëshkrimin fillestar dhe rrinin në pritje që ta prishnin punën e Zotit. Jozefi i përktheu fletët e vogla të Nefit dhe e vendosi përkthimin në fillim të Librit të Mormonit.

Përkthimi i Librit të Mormonit solli përvoja të mrekullueshme. U rivendos priftëria dhe Jozefi e Oliveri u pagëzuan dhe morën dhuratën e Frymës së Shenjtë.18 Njëmbëdhjetë dëshmitarë i panë fletët dhe dhanë dëshmi për vërtetësinë e tyre.

Libri i Mormonit, me dëshminë e dëshmitarëve, u botua në vitin 1830. Martin Herrisi, i cili qe njëri prej dëshmitarëve, e hipotekoi fermën e tij për të paguar për shtypshkrimin.

Këtu me mua kam dy thesare nga koleksionet historike të Kishës, të cilat dëshiroj t’jua tregoj. I pari, është një faqe nga dorëshkrimi fillestar i Librit të Mormonit. Kjo faqe përmban përkthimin në anglisht të 1 Nefit 3:7:

“Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron”.

Thesari i dytë është një kopje e botimit të parë të Librit të Mormonit.

Ajo që mori Jozefi me anë të zbulesës, u shtyp në Palmira dhe është pikërisht këtu në Librin e Mormonit. Historia që ju kam treguar rreth Jozefit si një i ri në moshë madhore, rreth Emës, Martin Herrisit, Oliver Kaudërit, Moronit dhe Librit të Mormonit, është e vërtetë.

Ç’Kuptim Ka Kjo Histori për Ju

Ju ftoj, vëllezër dhe motra të mia të dashura, që ta shihni përvojën tuaj vetjake në dritën e kësaj historie. Zoti ju përgatit dhe ju mëson, ashtu siç bëri me Jozefin kur ishte një ri në moshë madhore. Ka mësime të rëndësishme për ju në përvojën e Jozefit. Sonte unë dëshiroj të përqendrohem në tri prej tyre: te besimi dhe mirëbesimi në Jezu Krisht, te pendimi dhe te fuqia shpirtërore e Librit të Mormonit.

Mësimi 1: Besimi dhe Mirëbesimi në Jezu Krisht

Po e nis me mësimin 1: Besimi dhe Mirëbesimi në Jezu Krisht.

Dua që të mendoni për një çast rreth situatës së Jozefit kur Martin Herrisi i kërkoi Jozefit që t’i bënte një kërkesë të tretë Zotit. Zoti tashmë kishte thënë dy herë “jo”. Kërkesa e tretë e Martinit krijoi një mëdyshje për Jozefin. Kjo ishte një sprovë e besimit të tij.

Mendoni për këtë. Nga njëra anë, Jozefi kishte besim në Jezu Krishtin dhe Atin Qiellor dhe u bekua me shumë përvoja të jashtëzakonshme shpirtërore. Kishte parë dhe kishte biseduar me Atin dhe Birin. Kishte bërë intervista me Moronin dhe profetë të tjerë. Sapo kishte përjetuar përkthimin e mahnitshëm të Librit të Lehit duke përdorur interpretuesit dhe gurët e tij shikues.19

Nga ana tjetër, Jozefi qe 22 vjeç dhe ishte i shqetësuar. Kishte një bashkëshorte të mrekullueshme, e cila ishte shtatzënë me fëmijën e tyre të parë. Nuk kishte para, as arsimim dhe as mjete për të siguruar të ardhura për familjen e tij. Qe i rrethuar nga skeptikë e përndjekës dhe kishte pak miq. Nuk kishte këshilltarë që mund t’u drejtohej, as kryesi drejtorësh dhe as bankierë që t’i jepnin fonde dhe këshilla. E dinte se duhej ta botonte analin, por nuk ia kishte idenë se si të paguante për shtypjen nëse Martin Herrisi do ta braktiste atë. Jeta e tij qe plot pasiguri.

Pavarësisht nga dhurimi i bollshëm i përvojave shpirtërore, Jozefi “frikësohe[j] më shumë nga njeriu sesa nga Perëndia”20 dhe zgjodhi të bënte një kërkesë të tretë, duke shkaktuar në këtë mënyrë pakënaqësinë e Zotit dhe duke i hapur udhë humbjes së dorëshkrimit. Prapëseprapë, Zoti qe i mëshirshëm me Jozefin. Ai e ndihmoi Jozefin të pendohej, duke u mbështetur te besimi që Jozefi tashmë e kishte, dhe Ai përgatiti mënyra se si ta kapërcente humbjen e dorëshkrimit.

Në shumë mënyra situata juaj është si ajo e Jozefit. Ju jeni një i ri/e re në moshë madhore, me shqetësime dhe pasiguri rreth martesës e familjes, rreth arsimimit e punës dhe rreth gjetjes së vendit tuaj në botë e në mbretërinë e Zotit. Mund të ketë sfida dhe probleme të tjera në jetën tuaj.

Ashtu si Jozefi, ju tashmë keni burime dhe përvoja shpirtërore. Ju e keni ndier Shpirtin e Zotit në lutje, në shkrimet e shenjta, në shërbimin ndaj njerëzve të tjerë. Ju e keni përjetuar dashurinë, hirin dhe fuqinë e Zotit Jezu Krisht gjatë pendimit, në sakrament dhe në tempullin e shenjtë.

Kur të përballeni me sprova dhe me siguri që do të përballeni, mos merrni këshilla nga frika juaj ose mos u mbështetni te bindjet e njerëzve. Në vend të kësaj, ju ftoj t’i bëni gjërat që Zoti e ndihmoi Jozefin të bënte. Ju premtoj se ato do të sjellin fuqi shpirtërore në jetën tuaj.

Së pari, mbështetuni te përvojat dhe burimet shpirtërore që ju tashmë i keni, për të gjetur besim dhe mirëbesim të shtuar në Jezu Krishtin. Mbështetuni te bekimet shpirtërore që keni ndier dhe përjetuar, që të keni forcë për të shkuar përpara me besim në Shpëtimtarin. Ai është bekimi më i rëndësishëm i të gjithëve. Dashuria e Tij nuk ligështohet kurrë. Ai do të jetë me ju në çdo kohë shqetësimi.

Së dyti, prisni me padurim me syrin e besimit që ta shihni Shpëtimtarin të veprojë në jetën tuaj. Kujtojeni mënyrën se si e përgatiti Zoti Oliver Kaudërin që të ishte shkruesi i Jozefit dhe se si e ndihmoi Jozefin ta kapërcente humbjen e 116 faqeve me fletët e vogla të Nefit.21 Zoti veproi në jetën e Jozefit dhe ai vepron edhe në jetën tuaj. Ju keni një identitet e qëllim të përjetshëm dhe një fat hyjnor. Zoti po vepron në jetën tuaj pikërisht tani. Ai është përpara jush, duke punuar që të hapë dyer, duke përgatitur njerëz të tjerë që t’ju ndihmojnë dhe duke e hapur udhën përpara jush.

Mësimi 2: Pendimi

Tani po kaloj te mësimi 2: Pendimi.

Le të kthehemi në çastin kur Jozefi zbulon se dorëshkrimi ishte zhdukur. Jozefi e dinte se kishte mëkatuar ndaj Zotit dhe se i kishte shkelur urdhërimet e Tij. Ai qe i dërrmuar nga faji dhe brenga. Por Jozefi iu drejtua Zotit dhe gjeti mrekullinë e faljes dhe gëzimin e shëlbimit.

Zoti i vuri Jozefit një standard shumë të lartë, pa [i lënë hapësirë] për justifikime. Ai e trajtoi Jozefin si profetin e madh që Ai donte që Jozefi të bëhej. Jozefi pati më shumë frikë nga njeriu sesa nga Perëndia. Ai i mirëbesoi gjykimit të tij dhe jo të Perëndisë. Për Jozefin, pendimi ishte shumë më tepër sesa thjesht të thoshte: “Kam bërë një gabim. Më vjen keq që e humba dorëshkrimin.” Jozefi kishte nevojë që t’i kapërcente qëndrimet, frikën dhe prirjet në jetën e tij që ishin shkaku i mëkateve të tij. Dhe ai kishte nevojë të rritej e të mësonte dhe të ndryshonte gjithçka në jetën e tij.

Jozefi kishte nevojë për një ndryshim të zemrës, gjë e cila është e mundur vetëm nëpërmjet mëshirës, dashurisë dhe fuqisë së Jezu Krishtit. Kjo është saktësisht ajo që mori Jozefi. Zoti e njihte potencialin e karakterit fisnik të Jozefit. Kur Ai i tha Jozefit: “Ti je Joseph-i. … Pendohu …  dhe ende je i zgjedhur”22, ju mund të dëgjoni në ato fjalë që Shpëtimtari zgjatet drejt Jozefit me dashurinë dhe mëshirën e Tij, duke pasur një dëshirë të zjarrtë që Jozefi të ndryshonte.

Ju gjithashtu mund ta dëgjoni Zotin që i mëson Jozefit se kush është ai në të vërtetë. Ai mund të jetë rritur si një djalosh ferme i varfër e i paarsimuar, por ky nuk është identiteti i tij i vërtetë. Ai është Jozefi, Profeti, një shikues i zgjedhur nëpërmjet të cilit Jezu Krishti do të rivendoste plotësinë e ungjillit të Tij në tokë.

Kur Zoti e thirri Jozefin për pendim, ajo ishte një thirrje që Jozefi të bënte ndryshimet e nevojshme për t’u ngritur e për të arritur identitetin e tij të vërtetë, nëpërmjet fuqisë së Shlyerjes së Jezu Krishtit. Shpëtimtari kishte vuajtur tashmë gjithçka që kaloi Jozefi, e cila ishte e vërtetë dhe e vështirë dhe shumë shqetësuese Jezu Krishti i ofroi Jozefit udhën drejt faljes dhe shëlbimit. Gjatë shumë ditëve dhe javëve dhe muajve, Jozefi kërkoi faljen e Shpëtimtarit dhe fuqinë e Tij shëlbuese dhe i mori ato.

Vëllezër e motra, Zoti vendos standarde shumë të larta edhe për ju, pa [lënë hapësirë] për justifikim. Ai ju trajton si dishepujt e guximshëm e të dhembshur të cilët dëshiron që ju të jeni. Por Ai gjithashtu ju do, ashtu siç e deshi Jozefin. Të gjithë gabojmë herë pas here dhe secili prej nesh ka nevojë për bekimet e pendimit.

Siç mund ta shihni në përvojën e Jozefit, pendimi është shumë më tepër sesa t’i tregoni Zotit dhe peshkopit tuaj se bëtë diçka të gabuar. Të mëkatosh do të thotë të largohesh nga Zoti. Të pendohesh do të thotë të rikthehesh tek Ai. Pendimi kërkon një ndryshim të zemrës dhe mendjes, një ndryshim të jetës që i shkon për shtat situatës suaj vetjake.

Për më tepër, pendimi ju bekon vazhdimisht. Kjo është mënyra se si Zoti na ndihmon të veprojmë më mirë dhe të jemi më të mirë gjatë gjithë jetës sonë. Kjo është mënyra se si ju ngriheni dhe arrini identitetin tuaj të përjetshëm, si bij dhe bija të Perëndisë dhe si pasues të vërtetë të Jezu Krishtit.

Premtimet janë të vërteta, vëllezër e motra. Kthehuni te Zoti Jezu Krisht, pendohuni për mëkatet tuaja dhe zbatojini urdhërimet e Tij. Ai zotëron mëshirë të pafund23 dhe ashtu siç Jozefi dha mësim më vonë: “Ati ynë qiellor është më … i pakufishëm në mëshirat dhe bekimet e tij, sesa ne jemi gati të besojmë apo të marrim”24. Jezu Krishti zgjodhi të vuante për mëkatet tuaja dhe për të gjitha dhembjet e pikëllimet tuaja, në mënyrë që Ai të mund t’ju falë, shërojë, ndryshojë, forcojë e bekojë me gëzim. Ai është me të vërtetë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi.

Mësimi 3: Fuqia Shpirtërore e Librit të Mormonit

Tani po kaloj te mësimi 3: Fuqia shpirtërore e Librit të Mormonit

Sapo Jozefi kishte marrë falje për mëkatet e tij, ai u gëzua që i mori sërish fletët dhe interpretuesit.25 Përvoja e tij me dorëshkrimin e humbur ia kishte ngulitur në shpirt rëndësinë e Librit të Mormonit në punën e Zotit. Mesazhi qendror i profetëve të Librit të Mormonit është dëshmia e tyre për Jezu Krishtin dhe për doktrinën e Tij. Në atë libër ka fuqi shpirtërore.

Ne mund ta shohim atë fuqi në përvojën e Jozefit në përkthim. Përkthimi nuk ishte mekanik. Ishte një përvojë shpirtërore dhe i mësoi Jozefit mbi veprat e Zotit dhe të Frymës së Shenjtë. Libri i Mormonit ishte një përvojë zbuluese për Jozefin që nga fillimi deri në fund. Libri i Mormonit i mësoi Jozefit doktrinën e Jezu Krishtit dhe Zoti i bëri thirrje që ta jetonte atë – të vepronte me besim në Jezu Krishtin, të pendohej, të pagëzohej dhe të merrte Frymën e Shenjtë.26

Zoti e bekoi Jozefin me fuqi të shtuar shpirtërore në këto përvoja. Për shembull, pasi u pagëzua, ai tha se u “mbush me Frymën e Shenjtë” dhe se “kuptimi e qëllimi i vërtetë i [shkrimeve të shenjta]” ishte “[i] qart[ë] për të kuptuarin [e tij]”27.

Zoti e përdori daljen në dritë të Librit të Mormonit për ta ngritur Jozefin dhe për ta sjellë Jozefin më pranë Tij. Zotit e mbikëqyri Jozefin dhe e forcoi atë që ta sillte atë libër me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Libri i Mormonit mund të jetë një përvojë zbuluese për ju, ashtu siç ishte për Jozefin.

Profetët që e shkruan Librin e Mormonit, e panë kohën tonë. Ata shkruan për ne. Fjalët e tyre flasin për kohën tonë, për nevojat tona dhe qëllimet tona. Nëse zemra juaj është e hapur ndërsa e lexoni dhe luteni rreth Librit të Mormonit, Fryma e Shenjtë28 do t’ju “tregojë të vërtetën”29. Ju do ta dini se Zoti Jezu Krisht është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj dhe se Jozef Smithi është profeti i Rivendosjes.

Nëse nuk jeni ende një anëtar i Kishës apo keni qenë anëtar për një kohë të gjatë apo të shkurtër, unë ju ftoj të bëni atë që bëri Jozefi – lexojeni Librin e Mormonit, lutuni për të dhe veproni me besim në Jezu Krishtin për t’u penduar, pagëzohuni dhe merreni Frymën e Shenjtë. Pastaj shkoni përpara për t’i marrë e për t’i mbajtur të gjitha ordinancat dhe besëlidhjet e shpëtimit, përfshirë ordinancën e vulosjes në tempull.

E njoh fuqinë e Librit të Mormonit nga shumë, shumë përvoja vetjake. Sonte dëshiroj t’ju tregoj njërën prej tyre, e cila ndodhi kur isha një i ri në moshë madhore. Kisha qenë në mision në Gjermani për dy muaj. Kisha kaluar dy muaj të vështirë dhe isha i shkurajuar. Një mëngjes u gjunjëzova në lutje dhe i tregova Atit Qiellor për shqetësimet e mia. I thashë: “Atë Qiellor, të lutem më ndihmo”. Teksa lutesha, dëgjova një zë që ishte aq i dallueshëm dhe i qartë, sikur dikush po qëndronte pranë meje. Zëri tha: “Beso në Perëndi”.

U ula në shtrat dhe e hapa Librin e Mormonit te Mosia, kapitulli 4, vargjet 9 dhe 10, dhe lexova fjalët e mbretit Beniamin:

“Besoni në Perëndinë; besoni se ai është dhe se ai krijoi të gjitha gjërat, si në qiell ashtu edhe në tokë; besoni se ai ka të gjithë diturinë dhe të gjithë fuqinë, si në qiell ashtu edhe në tokë; …

… besoni se ju duhet të pendoheni për mëkatet tuaja dhe t’i braktisni ato, dhe të përulni veten tuaj para Perëndisë; dhe të kërkoni në çiltërsinë e zemrës, që ai t’ju falë juve; dhe tani, në qoftë se ju besoni të gjitha këto gjëra, shikoni që t’i bëni ato.”30

Teksa i lexova ato fjalë ndjeva sikur mbreti Beniamin po më fliste mua. E ndjeva fuqinë e Frymës së Shenjtë në zemrën time. E dija se kjo ishte përgjigjja e lutjes sime. Duhet t’i mirëbesoja Zotit, të pendohesha dhe t’i futesha punës. Që prej asaj dite e deri tani, Libri i Mormonit ka qenë një burim fuqie shpirtërore në jetën time.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, unë e di se Libri i Mormonit do t’ju udhëheqë për te Jezu Krishti dhe doktrina e Tij. Lexojeni Librin e Mormonit, studiojeni atë, lutuni për të, ruajeni si thesar në mendjen tuaj dhe në zemrën tuaj çdo ditë, ashtu siç Presidenti Monson na ka këshilluar të bëjmë. Në çdo periudhë të jetës suaj, Zoti dhe Shpëtimtari ynë do t’i flasë paqe shpirtit tuaj, do t’ju ngrejë e do t’ju forcojë, dhe do t’ju tërheqë më afër e më pranë Tij, në atë libër, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Dëshmia

Këto tri mësime nga vitet e Jozefit si një i ri në moshë madhore dëshmojnë për fuqinë e Jezu Krishtit dhe të doktrinës së Tij. Jap dëshmi se Jezusi është Krishti, Biri i gjallë i Perëndisë së gjallë. Ka një Shëlbues. Ai jeton!

Shpresoj dhe lutem se ju do të mësoni nga jeta e Jozefit. Edhe pse pati vështirësi gjatë viteve të tij në moshë madhore, ai i mirëbesoi Zotit dhe Zoti e bekoi për t’u bërë profeti i madh i Rivendosjes. Jozefi e bëri punën e shenjtë të Perëndisë. Rivendosja është e vërtetë! Mbajeni mend këtë: Jezusi është Krishti dhe Jozefi është profeti i Tij. Ka një zinxhir të pashkëputur të çelësave, autoritetit dhe fuqisë së priftërisë që e lidh Jozef Smithin me Tomas S. Monsonin. Presidenti Monson është profeti i Zotit në tokë sot. Kjo është e gjitha e vërtetë.

Dhe kështu, vëllezër dhe motra të mia të dashura, në të gjithë tokën, sonte ju them, mirëbesojini Zotit Jezu Krisht. Ai e dinte emrin e Jozefit; ai e di emrin tuaj. Ai ju do dhe Ai vepron në jetën tuaj. Nëpërmjet mëshirës, hirit e dashurisë së Tij, ju mund të ngriheni dhe, ashtu si Profeti Jozef, të kapërceni çdo sprovë e të bëheni ata të cilët jeni caktuar të bëheni: shenjtorë të ditëve të mëvonshme të guximshëm e besnikë, udhëheqës në familjet tuaja të përjetshme dhe në Kishën e Tij të vërtetë e të gjallë, dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, të mbushur me dritën e Tij dhe dashurinë e Tij, të përgatitur për ta pranuar Shpëtimtarin kur Ai të vijë sërish. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime.

  1. Moroni e kishte këshilluar, mbikëqyrur dhe drejtuar Jozefin për katër vite. Jozefi kishte shkuar në Kodrën Kumorah çdo vit, në të njëjtin ditë shtatori, që prej vitit 1823. Çdo vit ai shkonte me shpresë të madhe se do t’i merrte fletët, vetëm për të dëgjuar nga Moroni se ai (Jozefi) nuk ishte gati. Në shtator të vitit 1827, ai qe gati. Lidhur me interpretuesit, shih Alma 37:21–24. Jozef Smithi tha se të dy gurët përbënin atë që në lashtësi quheshin Urimi dhe Thumimi. Shih Joseph Smith—Historia 1:35; shih edhe Richard E. Turley Jr., Robin S. Jensen, dhe Mark Ashurst-McGee, “Joseph the Seer”, Ensign, tetor 2015, f. 49–55.

  2. Isak Hejli, babai i Emës, i ofroi Emës dhe Jozefit një fermë, një shtëpi, një hangar dhe përmirësime të tjera [të kushteve të jetesës] nëse do të shpërnguleshin sërish në Harmoni të Pensilvanisë (shih The Joseph Smith Papers, Documents, Volume 1: July 1828–June 1831, red. Michael Hubbard MacKay dhe të tjerë [2013], 29; Michael Hubbard MacKay dhe Gerrit J. Dirkmaat, From Darkness unto Light: Joseph Smith’s Translation and Publication of the Book of Mormon (2015), f. 32–33). Martin Herrisi, një mik dhe fermer i suksesshëm nga krahina, i dha Jozef dhe Ema Smithit 50 dollarë, për të ndihmuar që të laheshin borxhet dhe të financohej shpërngulja për në Pensilvani (shih The Joseph Smith Papers, Histories, Volume 1, Joseph Smith Histories, 1832–1844, red. Karen Lynn Davidson dhe të tjerë [2012], f. 15).

  3. Për një diskutim mbi deshifrimin e karaktereve të Librit të Mormonit dhe të udhëtimeve të Martin Herrisit, shih Richard E. Bennett, “Martin Harris’s 1828 Visit to Luther Bradish, Charles Anthon and Samuel Mitchill”, në The Coming Forth of the Book of Mormon: A Marvelous Work and a Wonder, red. Dennis L. Largey dhe të tjerë (2015), f. 103–115.

  4. Disa rrëfime mbështetin idenë se Martin Herrisi e çoi modelin e karaktereve tek të paktën tre individë “për të shqyrtuar mundësitë që të merrte një përkthim, dhe se [Jozef Smithi] e filloi përkthimin vetëm pasi Herrisi u kthye pa gjetur një përkthyes” (në The Joseph Smith Papers, Histories, Volume 1, Joseph Smith Histories, 1832–1844, f. 241). Në historinë e tij më të hershme, Jozef Smithi shënoi që Martin Harrisi “tha se Zoti i kishte thënë atij se duhej të shkonte në Nju-Jork-Siti me disa karaktere, kështu që ne vazhduam t’i kopjonim disa prej tyre dhe ai mori rrugën drejt qyteteve lindore dhe të diturit, duke thënë: ‘Lexoje këtë, unë të lutem ty’, dhe i dituri tha: ‘Nuk mund[em]’, por nëse ai do t’ua çonte … fletët ata do t’i lexonin, por Zoti e kishte ndaluar këtë, dhe [Martin Herrisi] u kthye tek unë dhe m’i dha ato mua për t’i përkthyer, dhe unë thashë: ‘[Unë] nuk mundem, pasi nuk jam i mësuar’, por Zoti kishte përgatitur gjyzlykë për ta lexuar librin, prandaj unë fillova t’i përktheja karakteret” (në The Joseph Smith Papers, Histories, Volume 1, Joseph Smith Histories, 1832–1844, f. 15; shkrimi me germa të mëdha, pikësimi, dhe germëzimi të standardizuara për qartësi).

  5. Jozef Smith, parathënia e botimit të vitit 1830 të Librit të Mormonit. Për një vështrim të përgjithshëm të përkthimit të Librit të Mormonit, shih esenë “Book of Mormon Translation” te Gospel Topics [Tema të Ungjillit] në topics.lds.org.

  6. Shih Manuscript History of the Church, vëll. A-1, f. 10, josephsmithpapers.org.

  7. Lucy Mack Smith, Biographical Sketches of Joseph Smith the Prophet and His Progenitors for Many Generations (1853), f. 121–122.

  8. Qe një bekim që Jozefi ishte në Nju-Jork, në mesin e familjes së tij, kur mbërriti ky lajm i tmerrshëm. Përpara se të nisej për t’u kthyer në Harmoni të Pensilvanisë, nëna e tij e këshilloi që “… ndoshta Zoti do ta falte atë pas një kohe të shkurtër përulësie dhe pendimi” (Smith, Biographical Sketches, f. 121).

  9. Smith, Biographical Sketches, f. 125.

  10. Joseph Smith, në Manuscript History of the Church, vëll. A-1, f. 10, josephsmithpapers.org.

  11. Doktrina e Besëlidhje 3:6–8.

  12. Doktrina e Besëlidhje 3:9–10.

  13. Shih Smith, Biographical Sketches, f. 125.

  14. Ka rrëfime kontradiktore lidhur me kohën kur u kthyen fletët e Librit të Mormonit. Historia e Jozefit thotë se ishte brenda disa ditësh, ndërsa historia e Lusi Mek Smithit shpreh pretendimin se ishte në shtator (shih Manuscript History of the Church, vëll. A-1, f. 11, josephsmithpapers.org; Lucy Mack Smith, Biographical Sketches, f. 126).

  15. Gjatë asaj vjeshte dhe dimri, Jozefi bëri disa përkthime me Emën si shkruese, por shumicën e kohës ajo dhe Jozefi duhej të punonin në fermë e të kujdeseshin për shtëpinë e tyre (shih Smith, Biographical Sketches, f. 131).

  16. Oliveri Kaudëri kishte qëndruar në një pension me Smithët në Mançester të Nju-Jorkut, ndërsa jepte mësim në shkollë. Ai i dëgjoi historitë e fletëve të arta dhe të Librit të Mormonit dhe, “një natë pasi ishte shtrirë në shtrat, ai i thirri Zotit që të dinte nëse këto gjëra ishin kështu, dhe Zoti ia kishte treguar se ato ishin të vërteta” (Joseph Smith, në Manuscript History of the Church, vëll. A-1, f. 15, josephsmithpapers.org). Me atë njohuri, ai ndjeu një dëshirë bindëse që të shkruante për Jozefin.

  17. Shih Doktrina e Besëlidhje 10:38–42. Nefi u frymëzua që të krijonte fletët e vogla (shih 1 Nefi 9:3–6), dhe kjo është mënyra se si e përshkroi Mormoni frymëzimin që mori për t’i përfshirë ato në anal: “… Vini re, unë do t’i marr këto fletë, të cilat përmbajnë këto profeci dhe zbulesa dhe do t’i vendos ato së bashku me pjesën tjetër të analit tim, pasi ato janë me vlerë të madhe për mua. … Dhe unë e bëj këtë për një synim të urtë; pasi kështu m’u pëshpërit, sipas punëve të Shpirtit të Zotit që është në mua” (Fjalët e Mormonit 1:6–7).

  18. Kur Jozefi e përfundoi përkthimin e analit, ai dhe Oliveri u nxitën që të shkonin në pyll dhe të luteshin rreth pagëzimit për heqjen e mëkateve të përmendur në përkthimin e 3 Nefit (shih 3 Nefi 11:21–28; 19:9–13; 27:16–20). Lutjet e tyre morën përgjigje. Jozefi dhe Oliveri e morën priftërinë Aarone nga Gjon Pagëzori dhe e pagëzuan njëri-tjetrin (shih Joseph Smith—Historia 1:68–73). Më vonë ata morën Priftërinë Melkizedeke nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni, e cila iu dha autoritet për të dhënë Dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih Doktrina e Besëlidhje 27:12–13).

  19. Shih The Joseph Smith Papers, Revelations and Translations, Volume 3, Part 1: Printer’s Manuscript of the Book of Mormon, 1 Nephi 1–Alma 35, red. Royal Skousen dhe Robin Scott Jensen [2015], xvii–xix; MacKay dhe Dirkmaat, From Darkness unto Light, f. 67–69.

  20. Doktrina e Besëlidhje 3:7.

  21. Kur Jozefi mësoi se Martin Herrisi e kishte humbur dorëshkrimin, ai nuk e dinte se Zoti e kishte frymëzuar Mormonin që t’i përfshinte fletët e vogla të Nefit në anal. Nuk e dinte se Zoti do ta frymëzonte Martin Herrisin të pendohej, të ishte një dëshmitar i Librit të Mormonit dhe të paguante për shtypjen e tij. Jozefi nuk dinte asnjë nga këto gjëra. Zoti ishte përpara Jozefit, duke përgatitur udhën përpara tij.

  22. Doktrina e Besëlidhje 3:9–10.

  23. Shih Mosia 28:4.

  24. Joseph Smith, në Manuscript History of the Church, vëll. D-1, shtesë, f. 4, josephsmithpapers.org.

  25. Dallimi me errësirën që përjetoi në muajt kur nuk e kishte aftësinë për të përkthyer, ishte i madh. Zoti i kishte dhënë Jozefit fuqinë që të “…përkthe[nte] me anë të [interpretuesve]…”, por Jozefi e kishte “…humb[ur atë] dhunti … dhe mendja [e tij] u errësua” (Doktrina e Besëlidhje 10:1–2). Mendja e Jozefit ishte ndriçuar nga fuqia e Frymës së Shenjtë dhe ai kishte përjetuar errësirë shpirtërore në mendjen e tij me humbjen e asaj drite. Ajo humbje e bëri shpirtin e zbulesës dhe udhërrëfimin e Shpirtit të ëmbël për Jozefin.

  26. Ishte përkthimi i rrëfimit të pagëzimit dhe marrjes së Frymës së Shenjtë në kohën e vizitës së Shpëtimtarit te njerëzit në tempull, në [tokën] Begati, që e nxiti Jozefin dhe Oliverin të kërkonin zbulesë rreth autoritetit për të pagëzuar dhe administruar dhuratën e Frymës së Shenjtë (shih The Joseph Smith Papers, Histories, Volume 1: Joseph Smith Histories, 1832–1844, f. 42; shih edhe Oliver Cowdery, letër drejtuar W. W. Phelps, datuar 7 shtator 1834, në Latter Day Saints’s Messenger and Advocate, tetor 1834, f. 15–16).

  27. Joseph Smith—Historia 1:73–74.

  28. Njerëzit e pagëzuar në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë, që është e drejta për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. Njerëzit që nuk janë pagëzuar ende, mund ta marrin fuqinë e Frymës së Shenjtë për t’u dëshmuar për të vërtetën e Librit të Mormonit, por Fryma e Shenjtë nuk do të qëndrojë me ta.

  29. Moroni 10:4.

  30. Mosia 4:9–10.

Shtyp në Letër