Takime Shpirtërore 2018
Aventura e Vdekshmërisë


NaN:NaN

Aventura e Vdekshmërisë

Një Mbrëmje me Plakun Diter F. Uhtdorf

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 14 Janar 2018 • Qendra e Konferencave

Miqtë e mi të rinj të dashur, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë ju sjell dashurinë dhe bekimet e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Më merr malli për Presidentin Tomas S. Monson. Ai ishte miku im i dashur dhe i shtrenjtë, kujdestari dhe këshilluesi im. Por mund t’ju siguroj, Zoti Vetë është në krye të kësaj Kishe, Kishës së Tij, madje Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zoti ka siguruar një plan hyjnor me qëllim që Kisha e Tij të udhëhiqet gjithmonë nga profetë, shikues e zbulues.

Ne mendojmë për ju vazhdimisht. Ne lutemi për ju, ju duam dhe ju admirojmë.

Ngjarja mbarëbotërore për mbledhjen dhe përhapjen, e cila e parapriu këtë mbledhje dhe do të vazhdojë pas saj, është një shembull i mirësisë suaj. Dhjetëra mijëra prej jush kanë marrë pjesë në mënyra mbresëlënëse, që nga ndihma dhënë atyre në mundim te ngritja shpirtërore e të tjerëve nëpërmjet këngës. Dhe ju jeni paracaktuar të shpërndani lajmet e mira të ungjillit të Jezu Krishtit nëpërmjet mesazheve shoqërore e mjeteve të tjera dhe nëpërmjet shembullit tuaj vetjak. Ju falënderojmë që e shprehni gatishmërinë tuaj për t’i shërbyer Perëndisë dhe bashkëqenieve tuaja.

Është kaq mirë të jesh me ju sonte dhe të ndjesh shpirtin, forcën dhe energjinë tuaj. Jam shumë i lumtur që kemi pasur rastin të dëgjojmë nga bashkëshortja ime. Harieta është njëmend drita e jetës sime. Kushdo që e njeh, e do atë. Ajo është lloji i njeriut që i bën njerëzit përreth saj më të mirë e më të lumtur. Sigurisht që e ka pasur atë lloj ndikimi tek unë.

Sapo kremtuam 55 vjetorin e martesës sonë. Kur i shohim dy fëmijët tanë dhe bashkëshortët e tyre, gjashtë nipërit e mbesat me familjet e tyre dhe tre stërnipërit e stërmbesat tona, mahnitemi se çfarë aventure e madhërishme ka qenë kjo jetë për ne.

Epoka e Përgjigjeve të Menjëhershme

Më erdhi një mendim interesant kur po përgatitesha për këtë veprimtari. Po, është e vërtetë, vitet kur isha midis 18 deri në 30 vjeç mezi duken në pasqyrën që sheh prapa, por pavarësisht nga mosha ime e tanishme, ende ndihem i ri brenda vetes. Në fakt, shumica prej nesh, njerëzve më të moshuar, e konsiderojmë veten të jemi të rinj që thjesht kemi jetuar për një kohë shumë të gjatë.

Brezat më të moshuar kanë shumë më tepër gjëra të përbashkëta me ju nga sa mund ta merrni me mend. Besoj se ndryshimet midis fëmijëve të Atit Qiellor, cilado qoftë mosha e tyre, janë të vogla në krahasim me ngjashmëritë. Për shembull, shumë prej jush kanë pyetje rreth Perëndisë dhe rreth vetes suaj – pyetje të thella, themelore që janë të ngjashme me ato që bëhen nga njerëz më të moshuar sesa ju:

“A ekziston me të vërtetë Perëndia? A tregon kujdes Ai?”

“A ndodhem në shtegun e duhur?”

“Përse nganjëherë ndihem bosh, i stërmunduar, i harruar apo i vetmuar?”

“Përse Perëndia nuk ka ndërhyrë në jetën time?

“Përse nuk iu përgjigj Ai një lutjeje?”

“Përse më lejoi ta përjetoj këtë trishtim, sëmundje apo tragjedi?”

Këto mund të jenë pyetje shumë të vështira për t’u dhënë përgjigje.

Në këtë epokë të përgjigjeve të menjëhershme – ku dituria në dukje tërësore dhe e pakundërshtueshme është thjesht aq larg sa një kërkim në Google – ne nganjëherë mërzitemi kur vonohen përgjigjet ndaj pyetjeve tona më vetjake, më të rëndësishme e më të ngutshme. Ne i drejtojmë zemrat tona lart nga qielli dhe gjithçka që duket se marrim është një “kursor pritjeje”, irritues, duke u vërtitur.

Nuk na pëlqen të presim.

Kur na duhet të presim më shumë se disa sekonda që mjeti i kërkimit të përgjigjet, mund të hamendësojmë se lidhja nuk funksionon ose është prishur. Të zemëruar, madje mund ta braktisim kërkimin. Por kur vjen rasti për pyetje të përjetshme, për çështje të shpirtit, ne duhet të jemi më të duruar.

Jo të gjitha përgjigjet kanë të njëjtën vlerë. Përgjigjet që vijnë nga urtësia e botës apo opinioni shoqëror, janë të lehta për t’u marrë, por e humbasin vlerën e tyre shpejt kur shfaqen teori apo prirje të reja. Përgjigjet qiellore – përgjigjet e përjetshme – janë të paçmuara. Që të merren këto përgjigje, shpesh kërkohet sakrificë, punë e durim.

Për këto përgjigje ia vlen të pritet.

Qëllimi im sot është që t’ju ofroj dëshminë time të sigurt se Ati juaj në Qiell ju njeh, Ai ju dëgjon dhe nuk do t’ju braktisë kurrë. Kur i drejtoni zemrat tuaja drejt Tij dhe përpiqeni ta ndiqni udhën e Tij, Ai do të ndërhyjë në jetën tuaj dhe do ta drejtojë shtegun tuaj teksa udhëtoni përmes kësaj aventure të madhërishme dhe emocionuese të vdekshmërisë.

Lidhja e Pikave

Një nga shpikësit e mëdhenj të kohës sonë, Stiv Xhobsi i Apple-it [Epëllit], pati këtë mendim: “Ju nuk mund t’i lidhni pikat duke shikuar përpara”, tha ai. “Mund t’i lidhni ato vetëm duke parë mbrapa. Prandaj duhet të mirëbesoni se pikat në një farë mënyre do të lidhen në të ardhmen tuaj.”1

Çfarë donte të thoshte ai me këtë? Ndoshta një shembull mund të ndihmojë. Nga fundi i shekullit të 19-të, artistë të tillë si Zhorzh Sera dhe Pol Sinjaku filluan të pikturonin me një stil të ri që do të bëhej i njohur si neo-impresionizmi. Teknika e tyre përbëhej nga mbushja pika-pika e kanavacave me pikla të vogla ngjyre. Nga afër, këto pika duken pa lidhje dhe rastësore. Por kur e vështron të gjithë pikturën, mund të shohësh se si pikat përzihen me ngjyrat dhe se si ngjyrat më së fundi krijojnë forma që nxjerrin në pah një model të bukur. Ajo që dikur dukej e paarsyeshme dhe madje pështjelluese, fillon të marrë kuptim. Nganjëherë jetët tona janë si arti neo-impresionist. Pikat e ngjyrave që formojnë çastet dhe ngjarjet e ditëve tona, mund të duken fillimisht të palidhura dhe të çrregullta hera‑herës. Nuk mund të shohim asnjë rregull tek ato. Nuk mund të përfytyrojmë se kanë ndonjë qëllim në gjithë këtë.

Gjithsesi, kur bëjmë një hap mbrapa dhe shohim me një këndvështrim të përjetshëm, kur e vështrojmë jetën tonë nga struktura e ungjillit të Jezu Krishtit, ne mund të fillojmë të shohim se si ndërlidhen pikat e ndryshme të jetës sonë. Mund të mos jemi në gjendje ta shohim të gjithë figurën ende, por do të shohim aq sa të mirëbesojmë se ka një planimetri të bukur, të madhërishme. Dhe teksa përpiqemi fort t’i mirëbesojmë Perëndisë dhe ta ndjekim Birin e Tij, Jezu Krishtin, një ditë ne vërtet do ta shohim produktin e mbaruar dhe do ta dimë se vetë dora e Perëndisë po i drejtonte dhe udhërrëfente hapat tanë.

Vërtet do të dimë se Artisti Mjeshtër kishte gjatë gjithë kohës një plan për ato pika rastësore. Vërtet do të shohim se Ai i ka përforcuar talentet tona, ka përgatitur dhe na ka paraqitur mundësi shumë më të lavdishme sesa mund t’i kishim përfytyruar apo arritur ndonjëherë vetë.

Sigurisht unë e kam parë këtë në vetë jetën time.

Aventura Ime e Vdekshmërisë

Shumë prej jush e dinë se kur isha shumë i vogël, familjes sime iu desh të arratisej nga shtëpia jonë dy herë dhe të linte gjithçka pas. Në të dyja rastet, u bë tepër e dukshme se njerëzit në vendndodhjet tona të reja na konsideronin si me “më pak vlerë” se ata. Mes fëmijëve të moshës sime, theksi im i të folurit më shenjonte si të huaj dhe ishte burim i madh përqeshjeje dhe talljeje për ta.

Prindërit e mi hasën vështirësi që të siguronin të ardhura për familjen tonë. Nëna ime filloi një sipërmarrje për larjen e rrobave dhe unë, me biçikletën dhe karrocën, pas shkollës shërbeja për atë ndërmarrjeje si “specialisti i shpërndarjes nëpër shtëpitë”.

Tronditja dhe stresi i zhvendosjeve tona më bënë që të mbetesha mbrapa me studimet e mia dhe të humbisja një vit të tërë shkollor.

Në Gjermaninë Lindore, kisha studiuar rusisht si gjuhë të dytë. Ishte e vështirë, por ia dola. Tani, në Gjermaninë Perëndimore, m’u kërkua të mësoja anglisht.

Kjo më dukej e pamundur! Besoja se goja ime thjesht nuk ishte bërë për gjuhën angleze.

Gjatë viteve të mia si adoleshent, më pëlqente mjaft një vajzë shumë e mrekullueshme, me sy të mëdhenj, të bukur, bojë kafe. Për fat të keq, Harieta dukej se nuk kishte asnjë grimë interesimi për mua. Çfarëdo që përpiqesha, nuk dukej se do t’ia dilja mbanë. Epo, ju e dëgjuat variantin e saj të historisë.

Pra, ja ku isha, një i ri relativisht i parëndësishëm dhe duke u ndeshur me vështirësi, që jetonte në Gjermaninë e pasluftës, i cili nuk dukej se do të kishte shumë mundësi për sukses në jetë.

Gjithsesi, kisha disa gjëra të mira që ishin në anën time.

E dija se familja ime më donte. Në shkollë dhe në kishë pata mësues të cilët më nxitnin që përherë t’i caktoja të larta synimet e mia. Ende më kujtohet kur një misionar i ri amerikan e dha mësim këtë parim nga shkrimet e shenjta: “Në qoftë se Perëndia është me [ju], kush mund të jetë kundër [jush]?”2

Kishte diçka rreth kësaj që më preku me fuqi të madhe. Nëse ky ishte rasti, mendova, atëherë përse duhej të kisha frikë?

Kështu që besova. Dhe i mirëbesova Perëndisë.

Për ca kohë isha në një program stazhi pune. Një nga mësuesit e mi më drejtoi sfidën që të synoja më lart dhe të ndiqja shkollën e natës për të studiuar inxhinierinë mekanike. U desh shumë punë shtesë, por ajo më çoi drejt zbulimit të pasionit tim të madh për aviacionin! U habita kur mësova se që të bëhesha pilot, më nevojitej të dija anglisht. Por doja të bëhesha pilot dhe në mënyrë disi të mrekullueshme goja ime dukej se ndryshoi dhe anglishtja nuk ishte më një gjuhë kaq e pamundur.

Me një nxitje të re, me një zotim të ri për të punuar shumë dhe me mirëbesim tek Ati Qiellor, ndërmora hapa të vegjël që më ndihmuan ta ngrija vetëbesimin se mund ta bëja atë.

Sigurisht, ajo nuk do të thoshte që gjërat gjithmonë shkuan vaj.

Kur isha 19 vjeç, udhëtova drejt San-Antonios në Teksas që të filloja trajnimin tim si pilot i Forcës Ajrore. Në aeroplan u ula pranë një burri që fliste me një theks të fortë nga Teksasi. Kuptova për tmerrin tim se anglishtja që kisha punuar kaq shumë për ta mësuar, nuk ishte e njëjta anglishte që flisnin në Teksas!

Në shkollën e trajnimit për pilot, gjërat ishin të vështira gjithashtu. Ishte një program jashtëzakonisht konkurrues, me çdonjërin që përpiqej për vendin në krye të listës së diplomimit. E kuptova menjëherë se isha në pozitë të pafavorshme ngaqë shumica e shokëve të mi të klasës e kishin anglishten gjuhën amtare.

Instruktorët e mi të fluturimit më këshilluan për një tjetër mangësi të mundshme – kaloja shumë kohë në kishë. Anëtarët vendorë më mirëpritën në degën e tyre dhe në shtëpitë e tyre, dhe madje ndërtuam së bashku një godinë kishtare në Big-Spring. Instruktorët e mi shqetësoheshin se veprimtari të tilla po e pengonin mundësinë time për një renditje më të lartë. Unë nuk mendoja kështu. Prandaj i mirëbesova Perëndisë dhe bëra më të mirën që mundesha.

Më së fundi, e mësova anglishten (edhe pse akoma po punoj me të). E përfundova trajnimin tim si pilot (dhe dola i pari në klasën time). U bëra një pilot për avionë luftarakë dhe më pas kapiten për një linjë ajrore. Dhe ajo vajza e bukur, me sy bojë kafe, e ëndrrave të mia? E po, ajo është pikërisht këtu me mua.

Bëni Gjëra të Vogla me Përsosmëri

A ka ndonjë mësim në këtë gjë? Mendoj se ka disa!

Një mund të jetë ky: Mos u stërmundoni nga detyrat shumë të mëdha, të vështira të jetës. Nëse zotoheni të bëni gjëra “të lehta” – gjërat “e vogla” që ju kërkon Perëndia t’i bëni – dhe i bëni ato sa më përsosmërisht që mundeni, gjëra të mëdha do të pasojnë.

Disa prej këtyre gjërave “të vogla dhe të lehta”, që mund t’i bëni me përsosmëri, janë lutja e përditshme, studimi i shkrimeve të shenjta, të jetuarit e Fjalës së Urtësisë, frekuentimi i kishës, lutja me qëllim të vërtetë dhe pagimi i të dhjetës dhe ofertave.

Bëjini këto gjëra edhe kur nuk doni t’i bëni. Këto “sakrifica” mund të duken se janë të vogla, por janë të rëndësishme, sepse “sakrifica sjell të qiellit bekime”3.

Në një farë kuptimi, sakrificat tuaja “të vogla e të thjeshta” janë pikat e të jetuarit të përditshëm që përbëjnë pikturën kryevepër të jetës suaj. Nuk mund ta shihni se si lidhen pikat tashmë dhe ende nuk ju nevojitet ta shihni. Thjesht kini besim të mjaftueshëm për çastin në të cilin po jetoni tani. Mirëbesoni te Perëndia dhe “nga gjëra të vogla [do të vijë] ajo që është e madhe”4.

Mirëbesoni te Perëndia

Tani, ju mund të mendoni: “Po, Plaku Uhtdorf, kjo është e gjitha shumë e mirë për ju. Por ju jeni një Apostull. Unë s’jam i tillë. Nuk jam i rëndësishëm për Perëndinë. Lutjet e mia nuk marrin përgjigje. Jeta ime nuk ka drejtim. Nëse ka ndonjë plan për mua, ai është një variant i cilësisë së ulët. Një plan i bërë nga ajo që ka mbetur nga plani i dikujt tjetër. Një plan që duke-të-rënë-shpatullave-thotë-thjesht-kënaqu-me-atë-që-ke.”

Miqtë e mi të dashur, mbani mend çfarë tha Stiv Xhobsi: “Ju nuk mund t’i lidhni pikat duke shikuar përpara; mund t’i lidhni ato vetëm duke parë mbrapa”.

Kur isha në moshën tuaj, nuk kisha asnjë ide se ku do të më çonte jeta ime. Sigurisht që nuk i shihja asnjë nga pikat të lidheshin përpara meje.

Por i mirëbesova vërtet Perëndisë. Dëgjova këshillën e familjes së dashur e të miqve të urtë dhe ndërmora hapa të vegjël besimi, duke besuar se, nëse do të bëja më të mirën që mundesha në atë çast, Perëndia do të kujdesej për planin më të plotë.

Ai u kujdes.

Ai e dinte fundin që nga fillimi, kur unë nuk e dija.

Nuk mund ta shihja të ardhmen, por Ai mundej.

Madje gjatë atyre kohëve të vështirësisë kur mendoja se isha i braktisur, Ai ishte me mua – e shoh atë tani.

Te Fjalët e Urta, ne gjejmë këtë premtim të madh: “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.”5

Nuk besoj se ka pikëpyetje në fund të këtij vargu.

Jo, mendoj se duhet të jetë pikëçuditje!

Prandaj, ju duhet ta pyesni veten tuaj: “A mund të mbledh mjaft besim brenda vetes që të besoj te Perëndia? A jam i gatshëm të mirëbesoj se Ai më do dhe dëshiron ta udhërrëfejë shtegun tim?”

Në fakt, ju mund t’ia dilni mbanë vetë në shumë gjëra. Por ju nxit të besoni se jeta juaj do të jetë pafundësisht më e mirë nëse mbështeteni te Perëndia që t’i udhërrëfejë hapat tuaj. Ai di gjëra që ju nuk mund t’i dini dhe Ai ka përgatitur një të ardhme për ju që nuk mund ta përfytyroni. Apostulli i madh, Pali, dëshmoi: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”6.

A doni që Ati juaj Qiellor t’ju udhërrëfejë, bekojë e mbështetë?

Atëherë besoni.

Duajeni Atë.

Kërkojeni Atë me gjithë zemrën tuaj.

Ecni në udhët e Tij – që do të thotë, mbajini urdhërimet, nderojini besëlidhjet tuaja, ndiqini mësimet e profetëve dhe vëruani veshin nxitjeve të Shpirtit.

Bëjeni këtë dhe Perëndia do t’ju “bë[jë] njëmijë herë më të shumtë dhe [do t’ju] beko[jë] ashtu si ju ka premtuar!”7

Ne i Japim Llogari Perëndisë

E kuptoj se për disa njerëz kjo mund të duket e lehtë të thuhet dhe e vështirë të bëhet. Jam dakord që nuk ju duhet të shkoni larg në kulturën e sotme, që të dëgjoni zëra kundërshtues që e shkurajojnë ose madje e tallin besimin te Perëndia në përgjithësi dhe te feja jonë në veçanti.

Zëra të tillë përforcohen në kohën tonë nga përparimet e pakrahasueshme në komunikim.

Kjo është sfida juaj. Por është edhe privilegji juaj.

Kam vetëbesim se do t’i gjeni mjetet që të veproni me këtë sfidë sipas mënyrës së Zotit!

Kjo është pjesë e aventurës suaj të vdekshmërisë. Mënyra se si e bëni do ta ndikojë shumë të ardhmen tuaj dhe pjesën që luani në veprën e Perëndisë këtu në tokë.

Prapëseprapë, ajo që po përjetoni në jetë nuk është aspak e pazakontë. Brezi ynë nuk është i vetmi brez besimi i të cilit te Perëndia është sfiduar dhe tallur. Në fakt, kjo duket se është pjesë e provës së vdekshmërisë për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

“Po të ishit nga bota”, u tha Jezusi dishepujve të Tij, “bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.”8

Gjithashtu mund të pranoni mundësinë që pasi të merrni zotimin për të ndjekur Shpëtimtarin, banorët e ndërtesës së gjerë dhe të madhe, nuk do ta miratojnë atë – tepër haptazi, ngandonjëherë.9 Madje mund të përpiqen që t’ju kërcënojnë e turpërojnë.

Por mbani mend që ju nuk u jepni llogari atyre. Ju i jepni llogari Perëndisë. Një ditë do të qëndroni përpara Tij që të jepni llogari për jetën tuaj.

Ai do të pyesë se çfarë bëtë për t’i mposhtur tundimet e botës dhe për ta ndjekur shtegun e drejtësisë. Ai do të pyesë nëse e ndoqët Shpëtimtarin, nëse e deshët të afërmin tuaj, nëse me zell u përpoqët të qëndroni në shtegun e dishepullimit.

Miqtë e mi të rinj të dashur, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, nuk mund të përfitoni nga të dyja anët. Ju nuk mund t’i merrni bekimet e papërfytyrueshme të dishepullimit ndërkohë që në të njëjtën kohë i ruani dokumentet tuaja të anëtarësisë në Lagjen e Parë të Babilonisë. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, tani është koha të zotoheni ndaj Krishtit dhe ta ndiqni shtegun e Tij.

Një ditë të gjithë fëmijët e Perëndisë do ta dinë se çfarë është e drejtë – përfshirë ata që tani e përqeshin të vërtetën. Ata do ta përkulin gjurin dhe do të rrëfejnë se Jezusi është Krishti, Shëlbuesi, Shpëtimtari i botës.10 Do ta dinë se Ai vdiq për ta.

Atë ditë do të jetë e qartë se zëri i Tij është zëri i vetëm që pati vërtet ndonjëherë rëndësi.

Ju do të dini me siguri se sa të bekuar jeni ngaqë e ruajtët besimin, i zbatuat urdhërimet e Perëndisë, u shërbyet bashkëqenieve tuaja dhe e ndërtuat mbretërinë e Perëndisë këtu në tokë. Miqtë e mi të dashur, besoni – dhe Perëndia do të jetë me ju. Drejtojeni zemrën tuaj tek Ai – dhe Ai do t’ju udhërrëfejë në udhëtimin tuaj përmes kësaj aventure të madhërishme dhe emocionuese të jetës në vdekshmëri.

Nuk Ka Rëndësi

Tashmë, kur flasim që ta lejojmë Perëndinë për ta udhërrëfyer jetën tonë, do të doja të qartësoja një gjë. Mund të mos ta pëlqeni atë që do t’ju them. Kur e pyetni Perëndinë se çfarë të bëni për të marrë vendime në jetën tuaj – përfshirë disa vendime të rëndësishme – Ai mund të mos ju japë një përgjigje të qartë. E vërteta është se nganjëherë thjesht nuk ka rëndësi për Zotin se çfarë vendosni, për aq kohë sa qëndroni brenda besëlidhjeve dhe parimeve themelore të ungjillit.

Në shumë raste, vendimet që merrni mund të mos jenë aq të rëndësishme sa ajo që bëni pas marrjes së vendimit.

Për shembull, një çift mund të zgjedhë të martohet edhe pse disa veta në familjet e tyre nuk i konsiderojnë ata si një çift të përsosur. Megjithatë, kam shumë shpresë për një çift të tillë nëse, pasi merret vendimi, ata qëndrojnë totalisht të zotuar ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Zotit me gjithë zemrën dhe mendjen e tyre. Duke e trajtuar njëri-tjetrin me dashuri e mirësi dhe duke u përqendruar te nevojat emocionale, shpirtërore dhe materiale të njëri-tjetrit – duke i bërë gjërat “e vogla” vazhdimisht – ata bëhen çifti i përsosur.

Në dallim është çifti që mendon se zgjodhën njeriun “e përsosur” dhe më pas hamendësojnë se e gjithë barra e rëndë ka mbaruar. Nëse i japin fund shoqërimit romantik, heqin dorë nga komunikimi njëri me tjetrin dhe shkasin sërish në egoizëm e në një jetë që përqendrohet te vetja – ky çift është në një shteg që çon drejt pikëllimit dhe keqardhjes.

I njëjti parim zbatohet për zgjedhjet e punësimit. Unë kam shpresë të madhe për ata që zgjedhin një punësim më pak të shquar, por të cilët bëjnë gjithçka mundin dhe gjejnë mënyra për ta bërë punën e tyre interesante dhe sfiduese.

Kam më pak shpresë për ata që zgjedhin punësime që tingëllojnë mbresëlënëse, por përgjatë udhës e humbasin atë zjarr të brendshëm, të nevojshëm për t’i bërë të suksesshëm në punën e tyre. Në fakt, përshtatja me sukses ndaj ndryshimeve në vendin e punës do të jetë një nga vetitë kryesore që do t’i duhet brezit tuaj ta zhvillojë për ta përballuar të ardhmen.

Pra, si dëshiron Zoti që t’i merrni vendimet e rëndësishme?

Udhëzimet që Ai ia dha Oliverit dhe Jozefit, kanë qenë shumë të dobishme për mua. Zoti u tha atyre: “Ti duhet ta studiosh atë tërësisht në mendjen tënde; më pas ti duhet të më pyesësh nëse është e drejtë”11.

Ati Qiellor ju ka dhënë tru dhe zemër. Në qoftë se i mirëbesoni Atij, Ai do t’ju ndihmojë t’i përdorni të dyja siç duhet në marrjen e vendimeve tuaja.

Për shumë vendime, ju keni më shumë se një mundësi të mirë për të zgjedhur. Kur kjo i ndodhi Jozefit dhe shokëve të tij, Zoti përdori një frazë interesante kur ata e kërkuan udhërrëfimin e Tij. Ajo frazë është: “Nuk ka rëndësi”12.

Dhe Zoti menjëherë shtoi: “Vetëm jini besnikë”13.

Puna juaj është të merrni vendimet më të mira që mundeni, duke u bazuar në informacionin që keni në dispozicion duke u mbështetur te vlerat dhe parimet e ungjillit. Më pas me gjithë forcën tuaj përpiquni fort që t’ia dilni me sukses gjërave që ndërmerrni – dhe jini besnikë.

Bëjeni atë dhe pikat do të lidhen.

Ndoshta mund të jetë zhgënjyese të dëgjoni që Perëndia ka mundësi të mos t’ju japë një itinerar të hollësishëm për udhëtimin e jetës suaj. Por a doni me të vërtetë udhëzim në çdo hollësi të jetës suaj?

A doni vërtet që dikush t’ju japë variantet e shkurtra për jetën përpara se të keni mundësi t’i kuptoni gjërat vetë? Çfarë lloj aventure do të ishte ajo?

Miqtë e mi të dashur, ju udhëtoni nëpër aventurën e vdekshmërisë vetëm një herë. A nuk do ta largonte një udhëkalim i përshtatur individualisht, i plotësuar me treguesit dhe përgjigjet e të gjitha pyetjeve të mëdha të jetës, ndjenjën tuaj të madhërishme të arritjes dhe shtimin tuaj të vetëbesimit14 te Zoti dhe te vetja juaj?

Sepse Perëndia ju ka dhënë lirinë tuaj të zgjedhjes, ka shumë drejtime që mund të zgjidhni të shkoni dhe ende të bëni një jetë plot kuptim. Vdekshmëria është një histori me fund të pashkruar, me aventurë që e zgjidhni vetë. Ju keni urdhërime, keni besëlidhje, keni këshillë të frymëzuar profetike dhe keni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Këto janë më se të mjaftueshme për t’ju udhëhequr drejt lumturisë në vdekshmëri dhe gëzimit të përjetshëm. Përveç kësaj, mos u dëshpëroni nëse merrni disa vendime që janë më pak se të përsosura. Kjo është mënyra se si mësoni. Ajo është pjesë e aventurës!

Jo, aventurat kurrë nuk kalojnë pa vështirësi nga fillimi deri në fund, por nëse jeni besnikë, ju mund të siguroheni për një fund të lumtur. Merreni parasysh shembullin e Jozefit të Egjiptit. Në shumë mënyra, jeta e tij ishte e shkatërruar. Jozefi u shit në skllavëri nga vëllezërit e tij. Ai u fut në burg për një krim që nuk e kreu. Pavarësisht nga të gjitha rrethanat e tmerrshme që iu detyruan atij, ai e ruajti besimin e vet. Mirëbesoi te Perëndia. Bëri më të mirën që mundi. Vit pas viti – edhe kur u duk se ishte harruar e braktisur – ai besoi. Jozefi gjithmonë e drejtoi zemrën e tij te Perëndia. Dhe Perëndia tregoi se Ai është në gjendje t’i shndërrojë negativet në pozitive.15

Sot, gati 4 000 vjet më vonë, ne akoma gjejmë frymëzim te historia e Jozefit.

Aventura juaj mund të mos jetë aq dramatike, por do të ketë ngritjet dhe uljet e saj. Prandaj, mbajeni mend shembullin e Jozefit: Qëndroni besnikë. Besoni. Jini të ndershëm. Mos u hidhëroni. Mos kërcënoni. Duajeni Perëndinë, duajini bashkëqeniet tuaja. Mirëbesojini Zotit edhe kur gjërat duken të zymta.

Mund të mos e shihni deri shumë kohë më vonë, por do ta hidhni vështrimin mbrapa dhe do ta dini se Zoti vërtet e drejtoi dhe e udhërrëfeu shtegun tuaj.

Pikat vërtet u lidhën.

Pesë Gjëra për t’i Mbajtur Mend

Pra, çfarë shpresoj që do ta mbani mend nga koha jonë së bashku sot?

Së pari, dijeni se përgjigjet e Perëndisë për pyetjet tuaja më të thella mund të kërkojnë pak kohë dhe mund të vijnë në mënyra që nuk i kishit pritur. Përgjigjet e Perëndisë kanë vlerë të përjetshme. Për to ia vlen të pritet.

Së dyti, kini pak besim. Drejtojini zemrat tuaja te Perëndia. Besoni se jeni të rëndësishëm për Perëndinë dhe mirëbesoni se Ai do të bëjë më shumë për ju sesa ndoshta mund të bëni për veten tuaj. Mësoni për Të. Duajeni Atë. Besoni tek Ai. Flisni me të rregullisht, me intensitet. Mbani vesh për zërin e Tij.

Së treti, ecni sa më mirë që mundeni në shtegun e dishepullimit. Mos u stërmundoni. Thjesht bëjini gjërat e vogla sa më përsosmërisht që mundeni dhe gjërat e mëdha do të vihen në vendin e tyre.

Së katërti, mos i lejoni zërat shkurajues që t’ju largojnë nga udhëtimi juaj i besimit. Mbani mend, ju nuk u jepni llogari kritikuesve tuaj. Ju i jepni llogari Atit tuaj në Qiell. Vlerat e Tij janë me rëndësi.

Së pesti, merrni vendimet më të mira që mundeni duke ndjekur nxitjet që vijnë në mendjen dhe në zemrën tuaj. Bëni përpjekjet më të mira për ta ndjekur ecurinë. Kini besim dhe Perëndia do t’i shenjtërojë përpjekjet tuaja të ndershme për të mirën tuaj të përjetshme.16

Bëjeni këtë dhe, në fund, gjithçka do të jetë mirë.

Ju lë bekimin tim këtë ditë, në fillim të këtij viti të ri, që kur përpiqeni me zell për ta njohur Perëndinë tuaj, besimi juaj do të rritet. Teksa përpiqeni ta ndiqni Shpëtimtarin tuaj, vetëbesimi juaj do të rritet.17 Dhe teksa ecni me besnikëri dhe e hapni zemrën tuaj ndaj Dritës së Krishtit, dashuria juaj për Perëndinë do të forcohet dhe aftësia juaj për ta dashur të afërmin tuaj do të përmirësohet.

Dhe e gjitha kjo do t’ju sjellë lumturi e gëzim.

Do t’ju sjellë paqe.

Një ditë, do t’ju sjellë lavdi të përjetshme.

Në atë ditë të ardhshme, ju do ta hidhni vështrimin mbrapa te kjo aventurë e gëzuar dhe emocionuese e vdekshmërisë dhe do të kuptoni. Do ta shihni se pikat vërtet u lidhën në një model të bukur, më madhështor se sa mund ta kishit përfytyruar ndonjëherë. Me mirënjohje të papërshkrueshme, ju do të shihni se Perëndia Vetë, me dashurinë, hirin dhe dhembshurinë e Tij të begatë ishte gjithmonë duke u kujdesur për ju, duke ju bekuar dhe duke i udhërrëfyer hapat tuaj teksa ecnit drejt Tij.

Për këtë unë dëshmoj dhe ju lë bekimin tim si Apostull i Zotit, në emrin e shenjtë të Mësuesit tonë, në emrin e Shëlbuesit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.