Takime Shpirtërore 2018
Ju Jeni Udhëheqës


NaN:NaN

Ju Jeni Udhëheqës

Një Mbrëmje me Plakun Diter F. Uhtdorf

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 14 Janar 2018 • Qendra e Konferencave

Të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, të dashur miqtë e mi të rinj!

Ju jeni të mrekullueshëm. Jeni të bukur. Jeni të hatashëm. Ou! Do të doja t’i jepja secilit prej jush një përqafim të madh.

Kjo javë e kaluar ishte një javë hidhërimi dhe mirënjohjeje. E dua Presidentin Monson. Do ta ndiej mungesën e tij. Por jam e sigurt se është i lumtur që është përsëri me Frensis, shoqen e tij të përjetshme.

Është kaq mirë të jesh me ju sot. Më pëlqen gjithashtu të jem me Apostullin tim të parapëlqyer. E di, nuk duhet të kemi parapëlqime. Por në rastin tim, është në rregull pasi jam e martuar me të.

Sapo festuam përvjetorin tonë të 55-të të martesës dhe jemi ende të dashuruar!

Ja pra, frytet e ungjillit! Kur marrim mesazhe dashurie dhe urime në raste të tilla nga stërnipat e stërmbesat dhe stër-stërnipat e stër-stërmbesat tona, ne e dimë se sa të çmuara janë bekimet e anëtarësisë në Kishë dhe të ungjillit.

Ata prej jush që janë beqarë, të shkurorëzuar apo që jetojnë në rrethana familjare sprovuese, ju lutem dijeni se Perëndia ju njeh dhe ju do, dhe kur qëndroni të vërtetë ndaj besëlidhjeve tuaja, gëzimi i jetës familjare nuk do t’ju shkurtohet [në kohëzgjatje] apo nuk do t’ju hiqet. Nuk e di saktësisht se si do të ndodhë kjo, por e di me të vërtetë që hiri, mëshira dhe dashuria e Zotit janë të mjaftueshme për të gjithë ne. Ai do ta bëjë atë të ndodhë në mënyrën e Tij dhe në kohën e Tij.

Diteri dhe unë u rritëm në të njëjtën degë në Frankfurt të Gjermanisë. E dija që ishte magjepsur pas meje, por unë nuk shfaqa ndonjë interes. Ishte djalë i mirë dhe ne ishim miq. Mësuam të vallëzonim së bashku në aktivitetet tona të Kishës. Ishte koha e kërcimit fokstrot, bugi-ugit [bluz] dhe rokenrollit.

Pasi u bashkua me Forcën Ajrore për t’u bërë pilot avionësh luftarakë, nuk e pashë më për pothuaj dy vjet. Për të qenë e sinqertë, kur u kthye në Frankfurt, përshtypja ime e parë nuk ishte aq e favorshme. Ai dukej pakëz si djemtë në filmin “Top Gun”.

Por kur më foli, më la paksa mbresa; dukej që ishte pjekur gjatë atyre dy viteve. E dinte se çfarë donte të bënte në jetën e vet dhe ishte i fortë në ungjill.

Ai ishte krejt i vendosur dhe krijues në përpjekjet e tij për t’u shoqëruar me mua dhe disa muaj më vonë ne u martuam dhe mbiemri im ndryshoi nga Raih në Uhtdorf. Kurrë nuk kam ndier keqardhje që e pashë me vëmendje atë, edhe pas një mbrese të parë të pasigurt.

Diteri është dashuria e jetës sime dhe ati e gjyshi krenar i fëmijëve tanë dhe i fëmijëve të fëmijëve tanë.

Dhe duhet të dini që neve ende na pëlqen të vallëzojmë së bashku – madje edhe sot e kësaj dite.

Më lini t’ju kthej pas në kohën kur isha 12 vjeçe. Ajo ishte një periudhë e trishtuar në jetën time të njomë. Im atë kishte ndërruar jetë prej kancerit pak muaj më parë. Ai qe një baba i shkëlqyer, një bashkëshort i dashur dhe një njeri shumë i mirë. Ishte mjaft i arsimuar, fliste pesë gjuhë, luante instrumente të ndryshme muzikore si profesionist në një orkestër simfonike dhe vinte nga një familje e mirënjohur muzikantësh në Frankfurt.

Prindërit e mi kishin plane të mëdha për ne. E ardhmja dukej e shkëlqyer dhe premtuese, edhe pas viteve shkatërruese të Luftës II Botërore. Por vitet e sëmundjes së babait tim e kthyen shtëpinë tonë në një vend vuajtjeje, trishtimi dhe dëshpërimi.

Pas vdekjes së babait tim, nëna ime qe tejet e brengosur. Të dielave, ne shkonim në shërbimin e kishës tonë protestante, por nuk mund ta gjenim balsamin e Galaadit. Dukej sikur nuk kishte asgjë apo asnjë që mund t’i sillte ngushëllim nënës time.

Epo, jo tamam! Ati ynë Qiellor, në dashurinë e Tij të madhërishme, nuk na kishte harruar.

Ndodhi tetë muaj pas vdekjes së babait tim kur dy misionarë amerikanë na trokitën në derë në Frankfurt. Këta dy misionarë, të udhëhequr nga Shpirti dhe të përgatitur mirë, e dinin saktësisht se për çfarë kishte nevojë familja jonë e vogël. Ata ia lanë Librin e çmuar të Mormonit nënës sime.

Nënës sime i pëlqente të lexonte. Dhe e pëlqente shumë Biblën. Ajo sakaq u magjeps nga ky libër i ri i shkrimit të shenjtë. Kur filloi ta lexonte Librin e Mormonit, ajo nuk mund të ndalte derisa e lexoi nga fillimi deri në fund. Nëna ime ishte kaq e emocionuar për përmbajtjen dhe mesazhin e Librit të Mormonit saqë shpesh na ulte mua dhe motrën time që ta dëgjonim ndërsa i lexonte vargjet që dukeshin se ishin shkruar posaçërisht për ne.

Gjatë javëve të fundit të jetës së babait tim, shpesh kisha qëndruar në dritaren e apartamentit tim duke iu lutur me zell Perëndisë për lehtësim nga dhembja jonë.

Dhe përgjigjja erdhi. Ajo erdhi nëpërmjet mesazhit të ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Sa e dua Librin e Mormonit. Sa e dua mesazhin e tij për planin e shpëtimit, planin e lumturisë. Çfarë mesazhi i bukur dhe i fuqishëm shprese e drite na është dhënë nga Ati Qiellor! Ndërsa e përqafuam Librin e Mormonit, ai e qetësoi pikëllimin tonë dhe e shëroi dëshpërimin dhe hidhërimin tonë të shkaktuar nga vdekja e babait tim.

Me hyrjen e Librit të Mormonit në shtëpinë tonë nuk kishte më errësirë në familjen tonë, meqenëse drita dhe errësira nuk mund ta zënë të dyja të njëjtën hapësirë në të njëjtën kohë. Ne e ndiem Shpirtin kaq fuqishëm dhe e dinim me gjithë zemrën e mendjen tonë se mesazhi që sollën këta misionarë ishte i vërtetë.

Paqja u kthye në shtëpinë tonë. Mesazhi i ungjillit dhe anëtarësia në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i sollën një mrekulli të vërtetë familjes sonë. Ishte sikur të na ishin dërguar engjëj.

Dy misionarët që erdhën në shtëpinë tonë ishin pak a shumë në moshën tuaj. Ata nuk kishin ndonjë histori mbresëlënëse të tyren. Por ata ishin sikurse dy engjëj lavdie të dërguar te ne nga Perëndia. Ata na sollën bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit.

Të dashur miqtë e mi të rinj, ju jeni krijuar nga i njëjti material hyjnor. Disa prej jush janë të martuar, disa janë beqarë, por të gjithë ju po jetoni mes njerëzve të kësaj bote. Ju jeni të zgjedhurit e kohës sonë, të cilët me fjalë e vepra e jepni mësim dhe e jetoni mesazhin e ungjillit mes njerëzve tuaj. Për këtë qëllim, ju jeni vendosur në fshatin apo qytetin tuaj, në shkollën apo vendin tuaj të punës, në kombin tuaj, familjen tuaj. Mos harroni, ju keni potencialin të jeni engjëj lavdie për ata që janë fill pranë jush.

Ju përfaqësoni Kishën e Jezu Krishtit dhe jeni udhëheqës të fuqishëm në shpalljen e mesazhit të ungjillit nëpërmjet jetës suaj të mirë e dëshmisë suaj guximtare.

Udhëheqës është një person që i ndihmon të tjerët të shohin, të ndiejnë dhe ta gjejnë udhën e drejtë. Ju lutem, ndihmojeni njëri-tjetrin të qëndroni të rrënjosur thellë në Kishë dhe në ungjill. Perëndia ju ka vendosur në një vend ku keni shumë mundësi për të qenë mjete në duart e Zotit Jezu Krisht. Ai mbështetet te ju, Ai ju njeh, Ai ka mirëbesim te ju dhe Ai do t’ju japë fuqi. Ai jeton. Ai është i vërtetë!

Çdo fjalë ose vepër e thjeshtë dhe e çiltër mirësie, integriteti, dashurie hyjnore, mirësie, shërbimi, dashurie dhe dhembshurie mund të bëhen veprimi juaj i udhëheqjes në mbretërinë e Perëndisë. Mos e nënvleftësoni ndikimin dhe fuqinë tuaj për mirë. Këta dy misionarë të rinj, të moshës suaj më ndihmuan ta shihja shtegun që çon te Shpëtimtari ynë dhe na kthen tek Ati Qiellor.

Natyrisht, unë duhej ta ndiqja këtë shteg vetë, t’i kapërceja sfidat, t’i gjeja përgjigjet për pyetjet, të përballesha me zgjedhje serioze dhe të merrja vendime. Dhe po kështu do të bëni ju! Kisha dhe Zoti ju ofrojnë burime të fuqishme për ta përmbushur qëllimin tuaj në jetë. Libri i Mormonit është njëri prej tyre dhe është vendosur pikërisht përpara jush. Drejtohuni tek ai dhe përqafojeni atë dhe mësimet e tij. Drejtohuni tek Ati Qiellor dhe Ai do t’ju udhërrëfejë. Mirëbesojini Zotit!

Të dashur miqtë e mi të rinj, ju lutem kini parasysh dashurinë dhe mirënjohjen time për secilin dhe çdonjërin prej jush. Lutja dhe bekimet e mia janë me ju. Ju jeni një pjesë e rëndësishme e kësaj vepre të mrekullueshme e të shenjtë të Shëlbuesit tonë. Për këtë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.