Takime Shpirtërore 2018
Një Tipar Dallues i Kishës së Vërtetë dhe të Gjallë të Zotit


Një Tipar Dallues i Kishës së Vërtetë dhe të Gjallë të Zotit

Një Mbrëmje me Plakun Patrik Kiëron

Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 6 Maj 2018 • Qendra e Universitetit “Brigam Jang” - Ajdaho

Jam kaq mirënjohës për Xhenin, e cila, pa përjashtim, jeton sipas asaj që jep mësim. Ajo e di se cila është dhe gëzohet me atë dituri. Është guximtare që t’ua thotë të tjerëve kudo ku është. Jam kaq mirënjohës që u takuam dy vjet pasi u bashkova me Kishën. Ajo ka qenë një shembull i bekuar për mua që atëherë dhe vazhdon të jetë akoma.

Është e mrekullueshme të mendosh për ju, të mbledhur nëpër botë. Lutem, në frymën e lutjes së bukur të hapjes nga Lendëni, që do t’ju jepet çfarë ju nevojitet, që nëse keni nevojë për frymëzim, ju do ta merrni atë. Nëse keni nevojë për diçka të jashtëzakonshme, ajo do të vijë. Ka shumë fuqi kur mblidhemi kështu, kur përgatitemi për çaste si ky. Ka fuqi në grumbullimin. Nëse keni nevojë për shërim, ju mund të keni shërim. Nëse keni nevojë për ngushëllim, ju mund të merrni ngushëllim. Nëse keni nevojë për paqe, ju mund të keni paqe. Nëse keni nevojë për ndihmë me provimet – mendoj se është pak herët për to në shumicën e semestrave tuaj, por kur të vijë koha, edhe atë ndihmë mund ta keni.

Lutem që kur të nxiteni, teksa e merrni një mesazh për ju, që ju atëherë do të keni forcën dhe bindjen për të vepruar sipas tij dhe jo thjesht të tërhiqeni pas kudo ku mund të jenë zakonet tuaja të tanishme. Nëse keni nevojë për një çast ndryshimi, nëse keni nevojë për një çast të forcës dhe besimit të ripërtërirë, qoftë ajo dhurata juaj.

Kur isha 15 ose 16 vjeç, isha tepër i përqendruar te vetja dhe po kaloja përmes shumë prej atyre ndjenjave të paqëndrueshme, të pasigurta dhe të cenueshme, të cilat mund të vijnë si pjesë e të qenit adoleshent. Disa prej atyre ndjenjave mbetën tek unë, por ishin më të mprehta në ato vite të adoleshencës. U ndjeva i humbur, i ndrojtur dhe i ngathët. Nuk ndihmonte fakti që isha në një shkollë me konvikt në një pjesë të izoluar të bregdetit të Anglisë. Prindërit e mi jetonin shumë larg, në Arabinë Saudite. Për sa i përket shkollës, Hoguorti me Pitonin do të ishin më të mirëpritur.

Moti i keq ishte i zakonshëm përgjatë atij bregdeti, por një dimër, një stuhi veçanërisht e fuqishme fryu përmes Detit Irlandez me erëra të forta që kishin fuqinë e uraganit. Deti u përplas mbi mbrojtëset dhe në disa vende i çau ato. Dhe më pas gati 5 000 shtëpi u përmbytën në zonën përreth dhe njerëzit mbetën të izoluar, pa energji elektrike apo mjete për t’i ngrohur e ndriçuar shtëpitë e veta dhe atyre po u mbaroheshin ushqimet.

Kur përmbytja filloi të pakësohej, shkolla na dërgoi që të ndihmonim. Nuk kisha parë një fatkeqësi natyrore të asaj shkalle më parë dhe u habita që po e përjetoja nga afër. Kudo kishte ujë e baltë. Fytyrat e njerëzve që ishin përmbytur, ishin të zbehta dhe të pikëlluara. Nuk kishin mundur të flinin për ditë të tëra. Unë dhe shokët e mi të shkollës iu futëm punës, duke i zhvendosur plaçkat e lagura në katet më sipër ku mund të thaheshin dhe duke hequr tapetin që ishte prishur nga përmbytja. Më kujtohet se tapeti i lagur ishte jashtëzakonisht i rëndë dhe era e keqe në shtëpitë ishte e tmerrshme.

Çfarë më habiti më pas ishte shoqëria që u zhvillua midis atyre prej nesh që po ndihmonin dhe atyre që e merrnin ndihmën. Pati një ndjenjë të mrekullueshme, të përzemërt midis njerëzve të bashkuar nga një kauzë e denjë në rrethana sfiduese. Më vonë mendova se të gjitha ato ndjenja pasigurie, të cilat zinin kaq shumë vend në mendimet e mia të zakonshme si adoleshent, u larguan teksa u përfshiva në këtë përpjekje të madhe për t’i ndihmuar fqinjët tanë.

Do të doja që ajo që kuptova të kishte jetuar gjatë, por nuk zgjati. Zbulimi se ndihma për të tjerët ishte ilaçi ndaj gjendjes sime të zymtë, të ngulitur te vetja, duhej të kishte qenë ndryshues. Por nuk ishte, sepse zbulimi nuk u zhyt aq thellë sa duhej dhe nuk arrita të reflektoja më me maturi për atë që kishte ndodhur. Ajo kuptueshmëri erdhi më vonë. Ndoshta e keni zbuluar këtë të vërtetë në vetë jetën tuaj. Mund të jetë e dobishme për ju të mendoni për kohën kur kjo ju ndodhi dhe mënyrën se si ju ndodhi.

Ftesa në Konferencën e Përgjithshme për të Dhënë Shërbesë

Po e merrja këtë parasysh gjatë konferencës së përgjithshme. Ndihem vërtet shumë me fat që kam këtë mundësi për t’ju folur kaq shpejt pas asaj konference historike vetëm pak javë më parë. Mbresat, paqja dhe vrulli i energjisë që morëm, janë akoma me mua.

Në qendër të mesazheve të konferencës ishte thirrja e përsëritur për të dhënë shërbesë siç jep shërbesë Shpëtimtari – dhe për ta bërë këtë për shkak të dashurisë, duke pranuar se ne dhe të gjithë njerëzit përreth nesh janë fëmijë të Atit tonë Qiellor. Ne do të shërbejmë jo ngaqë shërbimi ynë po numërohet apo matet, por ngaqë e duam Atin tonë në Qiell dhe nxitemi prej një qëllimi më të lartë e më fisnik, duke i ndihmuar miqtë tanë të gjejnë e të qëndrojnë në shtegun që çon drejt Tij. Ne i duam të afërmit tanë dhe u shërbejmë atyre, sikurse do ta bënte Jezusi nëse do të ishte në vendin tonë, duke u përpjekur me të vërtetë që të përmirësojmë jetën e njerëzve dhe t’i lehtësojmë barrët e tyre. Kjo është gjëja nga rrjedh gëzimi dhe arritja jetëgjatë, si për dhënësin dhe për marrësin, ndërkohë që përhapim frytet e njohjes dhe ndjesisë për vlerën tonë të pafundme dhe për dashurinë e përjetshme të Perëndisë për secilin prej nesh.

Ky mesazh u përmblodh nga Presidenti Nelson në këtë mënyrë: “Një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit do të jetë gjithmonë një përpjekje e organizuar, e drejtuar për t’u dhënë shërbesë fëmijëve individualë të Perëndisë dhe familjeve të tyre. Ngaqë kjo është Kisha e Tij, ne si shërbëtorë të Tij do t’i japim shërbesë individit, pikërisht siç bëri Ai. Ne do të japim shërbesë në emër të Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij dhe me mirësinë e Tij plot dashuri.”1

Teksa kam menduar për atë që na u mësua, e di se, në qoftë se ia vëmë veshin kësaj thirrjeje për të dhënë shërbesë, ne kemi mundësinë të ngrihemi mbi vetveten; të rritemi në besim, vetëbesim e lumturi; dhe ta mposhtim përqendrimin te vetja jonë dhe ndjenjën e boshllëkut dhe të zymtësisë që vjen me të. Sa do të doja ta kisha kuptuar këtë më herët në jetën time. Por jam kaq mirënjohës që e kam mësuar këtë shkallë‑shkallë përgjatë viteve dhe që na jepen kujtues të vazhdueshëm për këtë të vërtetë të madhe.

Përfitimet dhe Bekimet e Këtij Lloji të Dhënies së Shërbesës

Bukuria e këtij lloj shërbimi, shërbese ose dishepullimi është që ai i ndihmon të tjerët në mënyra tepër të shumta për t’i përmendur, por gjithashtu na shndërron ne duke na larguar nga shqetësimet, frika, ankthet dhe dyshimet tona. Fillimisht shërbimi thjesht na e tërheq vëmendjen nga vetë problemet tona, por shpejt ai kthehet në diçka shumë më të lartë dhe më të bukur. Ne fillojmë të përjetojmë dritë e paqe, pothuajse pa e kuptuar atë. Ne qetësohemi, ndiejmë ngrohtësi dhe ngushëllohemi. Dhe dallojmë një lloj gëzimi që nuk vjen në asnjë mënyrë tjetër. Këto dhurata vendosen mbi ne në përputhje me të gjithë atë që kemi bërë aktualisht, për sa i përket ndihmës ndaj një njeriu tjetër.

Presidenti Spenser W. Kimball e shpjegoi pjesërisht si vijon: “Jeta e begatë, e përmendur në shkrimet e shenjta është përmbledhja shpirtërore që arrihet nëpërmjet shumëfishimit të shërbimit tonë ndaj të tjerëve dhe investimit të talenteve tona në shërbim të Perëndisë dhe të njeriut”2. “Ne bëhemi më të pavarur kur u shërbejmë të tjerëve – vërtet, është më e lehtë ta ‘gjejmë’ veten, sepse ka shumë më tepër te ne për të gjetur!”3

Shembuj të Shndërrimit që Përjetojmë kur Japim Shërbesë dhe Krahasimi me Rastet kur nuk e Japim Atë

Ky shndërrim është ajo që zbulojnë misionarët e rinj kur nuk shqetësohen më për veten e tyre dhe në vend të kësaj pyesin: “Cilin mund të ndihmoj dhe si?” Ajo që ndodh është se ata nuk mendojnë më për veten dhe i kthehen qëllimit të tyre për të sjellë shpirtra te Krishti. Ky zbulim shpesh fitohet me shumë përpjekje nga ana e misionarëve. Ata mund të shqetësohen kaq shumë që ndodhen në një vend të ri me njerëz, ushqime, zakone të ndryshme dhe shpesh me një gjuhë sfiduese, saqë është shumë e vështirë për ta që të dalin jashtë vetvetes dhe të shërbejnë. Por kur dalin, gjithçka ndryshon për ta. Nuk shqetësohen më, i futen punës, e kryejnë detyrën vetëmohuese që gjendet përpara tyre dhe zbulojnë një aspekt tërësisht të ri të misionit të tyre dhe të jetës së tyre, me paqe dhe një ndjenjë qëllimi.

Trishtueshëm, e kundërta e këtij zbulimi tepër shpesh shfaqet për misionarët kur kthehen në shtëpi dhe fillojnë të trajtojnë nevojat e fazës tjetër të jetës, qoftë arsimin, punësimin apo shqetësimet vetjake e familjare. Ata kanë kaluar 18 muaj deri në 2 vjet duke mësuar se ne jemi në gjendjen më të lumtur kur nuk shqetësohemi për veten tonë ose, siç e shprehu Presidenti Hinkli, kur e harrojmë vetveten dhe i futemi punës. Shpesh, kur kthehen nga misionet në jetën që e lanë pas, ata gjithashtu kthehen te shumë prej zakoneve të përqendrimit te vetja, të cilat ishin pjesë e asaj jete. Veçanërisht ata kthehen te të qenit të pushtuar nga vetvetja, te mënyra se si po ia kalojnë, se si duken apo se si flasin dhe se çfarë mendojnë të tjerët për ta.

Me po aq siguri sa sjell dritë, paqe dhe gëzim shikimi drejt të tjerëve dhe të ndihmuarit e tyre, po ashtu kthimi drejt vetes sjell dyshim, ankth e zymti.

Pata një përvojë disa muaj më parë kur isha i shtrirë për shumë orë, duke u përpjekur të flija, por pa qenë në gjendje të flija. Më së fundi u ngrita dhe eca nëpër shtëpi për pak kohë, më pas u ktheva në shtrat dhe u përpoqa të flija përsëri. Teksa vazhdonte të mos më zinte gjumi, një ide shndërruese më lindi papritur: “Mos mendo më për veten tënde”. Dhe atëherë erdhi pyetja: “Kë mund të ndihmoj?” Qëndrova atje i shtrirë duke u lutur fuqishëm: “Kë mund të ndihmoj tani dhe si?” Një mbresë erdhi për t’u lidhur me një shok dhe për t’i dhënë nxitje. Nuk ishte gjë e madhe, por të nesërmen në mëngjes iu përgjigja asaj dhe shpresoj se bëra diçka të mirë. Ajo që di është se, kur u luta në atë mënyrë, duke kërkuar të di se kë mund të ndihmoja, gjeta paqen që më ishte larguar dhe më së fundi isha në gjendje të flija.

Shembuj të Dhënies së Shërbesës nga Ana e Shpëtimtarit

Shpëtimtari “e përshkoi vendin duke bërë mirë”4, duke kërkuar gjithmonë dikë që ta ndihmonte dhe “duke shëruar të gjithë ata që ishin të [shtypur]”5. Ai vazhdimisht i bekoi, mësoi dhe udhërrëfeu të tjerët që ta ndryshonin këndvështrimin e tyre dhe, si rrjedhojë, jetën e tyre. Është udhëzuese që, kur Ai i thirri Pjetrin, Andrean, Jakobin dhe Gjonin që ta ndiqnin, ndryshimi i tyre në drejtim dhe përqendrim ishte i çastit: “Ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën”6.

Më vonë, pas Kryqëzimit, kur Shpëtimtarin e morën prej tyre në mënyrën më mizore, ata u kthyen te peshkimi, tek ajo gjë që mendonin se e dinin. Në një rast, Shpëtimtari i ringjallur erdhi tek ata ndërsa peshkonin më kot. “Dhe ai u tha atyre: ‘Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni’. E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.”7 Kjo ishte provë se Ai nuk e kishte humbur aspak fuqinë e Tij, por edhe një pamje shumë e qartë se ata po shihnin në vendin e gabuar dhe po përqendroheshin te gjëja e gabuar. Teksa hëngrën peshq së bashku në bregdet, Shpëtimtari e pyeti Pjetrin tri herë nëse e donte Atë. Çdo herë, dhe me një ndjenjë në rritje të ankthit, Pjetri u përgjigj se e donte. Pas çdo përgjigjeje të Pjetrit, Jezusi i kërkoi Pjetrit t’i ushqente delet e Tij.

Përse e pyeti Shpëtimtari tri herë nëse ai e donte? E po, Pjetri ishte thirrur ta ndiqte Jezusin më parë dhe ai ishte përgjigjur menjëherë, duke e lënë pas peshkimin. Por kur Jezusi u mor prej tyre, Pjetri u brengos; ai e humbi udhën. U kthye tek e vetmja gjë që mendonte se e dinte – peshkimi. Tani Jezusi donte që Pjetri me të vërtetë ta dëgjonte Atë dhe ta kuptonte rëndësinë e ftesës këtë herë; Atij i nevojitej që Pjetri ta kuptonte se çfarë do të thoshte të ishte një dishepull dhe ndjekës i Krishtit të ringjallur, tani që Ai nuk do të ishte më fizikisht përkrah tyre. Çfarë dëshironte Zoti nga Pjetri? Ai donte që Pjetri t’i ushqente delet e Tij, qengjat e Tij. Kjo ishte një punë që kishte nevojë për veprim. Pjetri e dalloi këtë thirrje të dhembshur, të drejtpërdrejtë nga Mësuesi i tij dhe Apostulli kryesues u përgjigj, me guxim dhe pa frikë, duke ia dhënë pjesën tjetër të jetës së vet shërbesës në të cilën ishte thirrur.

Si Zbatohet Kjo për Ju

Nëpërmjet Rivendosjes tani ne kemi një Apostull tjetër kryesues në tokë sot. Presidenti Nelson po na jep juve dhe mua ftesën që t’i ushqejmë delet e Jezusit. E dëgjuam në konferencën e përgjithshme me fjalët më të qarta dhe më të dashura që ishin të mundshme. Ne u nxitëm dhe u frymëzuam, por a u ndryshuam? Me të gjitha shpërqendrimet përreth nesh dhe kaq shumë gjëra më pak të rëndësishme që e kërkojnë vëmendjen tonë, sfida tani është që t’i përgjigjemi kësaj ftese dhe të veprojmë – praktikisht të bëjmë diçka, me të vërtetë të sjellim ndryshim dhe të jetojmë ndryshe.

Pyetja juaj mund të jetë, si përgjigje ndaj thirrjes për të dhënë shërbesë: “Ku ta filloj?” Filloni me lutje. Presidenti Nelson na drejtoi sfidën që “të shtrihe[mi] përtej aftësisë [sonë] të tanishme shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake, sepse Zoti ka premtuar që ‘në qoftë se do të kërkosh, ti do të marrësh zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie, që të mund të dish misteret dhe gjërat paqësore – ato që sjellin gëzim, ato që sjellin jetë të përjetshme’ [DeB 42:61]”8.

Pyeteni Atin tuaj në Qiell se çfarë mund të bëni dhe për kë. Çdo veprim i vogël mirësie shkakton që ne të shohim tek të tjerët dhe sjell bekimet e veta. Përgjigjiuni cilësdo mbrese që merrni, pavarësisht se sa e parëndësishme të mund të duket. Veproni sipas saj. Mund të jetë një mesazh dashamirës me celular drejtuar dikujt që nuk e pret atë. Ndoshta është një mesazh i njëfarë lloji. Ndoshta është një lule, disa biskota ose një fjalë e mirë. Ndoshta është më shumë, si pastrimi i një kopshti ose oborri, larja e rrobave për dikë që nuk lëviz dot aq shumë sa më parë, larja e një makine, prerja e barit, pastrimi i dëborës ose thjesht të dëgjuarit kur ju flet një mik ose një mikeshë rreth sfidave që po has.

Sikurse e shprehu Motra Xhin B. Bingham: “Nganjëherë ne mendojmë se duhet të bëjmë diçka madhështore dhe heroike që të ‘llogaritet’ si shërbim ndaj të afërmve tanë. Sidoqoftë, veprime të thjeshta të shërbimit mund të kenë një ndikim të thellë tek të tjerët – si edhe te ne vetë.”9

Ju mund të ngurroni për ta hedhur hapin e parë, të bindur se nuk keni kohë ose nuk mund të sillni vërtet ndryshim, por do të mahniteni se çfarë mund të bëjë edhe diçka e vogël.

Nëse gjendeni të shqetësuar për një mik ose mike që po largohet nga Kisha dhe po e humb besimin dhe shpresën e vet që dikur shkëlqente, ftojeni të bashkohet me ju në ndonjë veprim shërbimi ose dhënie shërbese. Nuk ka mënyrë më të mirë për zbutjen e zemrave ndaj gjërave të Perëndisë dhe zbulimit sërish të dashurisë së Tij në jetën tonë sesa përfshirja në një shërbim kuptimplotë për dikë në nevojë.

Arsyeja e Shërbimit dhe e Dhënies së Shërbesës nga Ana Jonë

Duhet t’ia kujtojmë vazhdimisht vetes arsyen përse shërbejmë dhe japim shërbesë. Ne jemi fëmijë të Atit tonë Qiellor, këtu në tokë për të mësuar e për t’u rritur nëpërmjet një morie përvojash, që të jemi më të plotësuar kur të kthehemi tek Ai. Të mësuarit që të shohim drejt të tjerëve, jo brenda vetes, dhe t’i shërbejmë njëri‑tjetrit është kaq shumë pjesë e qëllimit tonë këtu. Në fakt, është thelbi i tij. Mrekullia e të shikuarit tek të tjerët dhe e dhënies së shërbesës ndaj një njeriu tjetër nevojtar është që me kalimin e kohës ne mësojmë se mund ta harrojmë veten dhe vetë problemet tona.

Presidenti Nelson po paraqet një model më të lartë e më të shenjtë të shërbimit për ju dhe mua. Kur përgjigjemi, ne do të zbulojmë se sa përmbushës, çlirues dhe qetësues është ai për ne dhe mënyrën se si mund të jemi veprues për ndryshim e ngushëllim në jetën e të tjerëve.

Kur e keni marrë dhurimin në tempull dhe keni shërbyer në mision, ka një tundim që të thoni: “E po, tani mbarova. Kam qenë një makinë shërbyese kohëplotë për 18 muaj apo 2 vjet. Tani e ka radhën dikush tjetër.” Po kështu mund të thuhet pasi martohemi. Mund të mendojmë: “E po, u bë. Tani është koha për pushim.” Por kjo lloj shërbese nuk pushon. Është mënyrë jetese. Mund të kemi ndërprerje nga veprimtaritë tona të rregullta si dhe pushime festive që të pushojmë dhe ripërtërihemi, për ta “zgjidhur kravatën” sikurse e tha Jozef Smithi.10 Por nuk ndalet përgjegjësia jonë besëlidhëse për ta dashur njëri‑tjetrin siç na ka dashur Ai ne dhe për t’i ushqyer delet e tij.

Unë kam qenë edhe përfituesi i kësaj lloj shërbese, si edhe kam zbuluar paqen e gëzimin që vjen nga të qenit një mjet në duart e Perëndisë në emër të dikujt tjetër.

Xheni përshkroi betejën që patëm për jetën e birit tonë foshnjë. Pas humbjes së tij, vritnim mendjen nëse do ta merrnim veten ndonjëherë. Gjatë asaj kohe ne morëm shprehje të jashtëzakonshme dashurie, mirësie dhe ndihme nga familja dhe miqtë, si edhe nga njerëz që nuk para i njihnim. Një çift i dashur, të cilët ishin tashmë miq të shtrenjtë, ishin shërbestarët e vazhdueshëm gjatë gjithë periudhës. Na qëndruan përkrah, duke u lutur me ne e për ne dhe duke na dhënë bekime, ushqime, fjalë ngushëlluese, si edhe heshtje. Në njëfarë mënyre ata u shfaqën gjithmonë kur na ishte dhënë një pjesë e rëndësishme informacioni ose kur po zhyteshim në rraskapitje e më pas në hidhërim. Ata kanë treguar me kalimin e viteve se kjo është mënyra e tyre e jetës. Ata qetësisht dhe vazhdimisht japin shërbesë.

Shërbesa e Kishës Mbarëbotërore

Ndërkohë që shërbeja në zonën e Europës për Kishën gjatë disa prej viteve të fundit, po jetonim në Gjermani dhe e dëshmova këtë parim që po zbatohej me ndikim mahnitës teksa anëtarët e Kishës dhe miqtë tanë të besimeve të tjera fetare u bashkuan për të ndihmuar mijëra refugjatë të panumërt të cilët kishin humbur gjithçka ndërkohë që arratiseshin prej luftimeve dhe shkatërrimit nga një luftë që ende zien në Lindjen e Mesme. Ata erdhën, nganjëherë duke ecur mijëra kilometra, duke mbajtur vetëm çanta të vogla me plaçka. Duke parë nevojën, duke parë vëllezër e motra, duke parë qengjat e Tij, njerëzit tanë u përfshinë për t’i ndihmuar, veshur, ushqyer, strehuar dhe ngushëlluar këta refugjatë që kishin humbur gjithçka. Nëpërmjet kësaj u shndërruan ata që dhanë ndihmë. Ata u bekuan me dritë, energji e gëzim që, ose nuk i kishin përjetuar kurrë më parë, ose ishin venitur nga përqendrimi te vetja dhe rutinat e rëndomta të jetës. Njerëzit tani e vazhdojnë këtë ndihmë të mrekullueshme anekënd botës.

Refugjatët kanë nevoja të menjëhershme dhe tepër të dukshme, por ka njerëz të tjerë kudo përreth nesh, sfidat e të cilëve mund të mos jenë aq të dukshme, që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe ne po ashtu kemi nevojë t’i ndihmojmë ata. Shërbesa dhe shërbimi ynë nuk ka pse të jetë në anën tjetër të botës. Në shumë raste është më e mirë nëse është pranë shtëpisë.

Jam shumë krenar t’i përkas një Kishe që e ushtron këtë gjë. Vetëm vitin e kaluar, mbi 7 milionë orë pune vullnetare u dhuruan për të rritur, korrur dhe shpërndarë ushqim për të varfrit dhe nevojtarët. Sërish vitin e kaluar, Kisha siguroi ujë të pastër për gjysmë milioni njerëz të cilët përndryshe nuk do ta kishin atë. Dyzet e nëntë mijë njerëzve iu dhanë karrige invalidësh në 41 vende. Vullnetarët u rikthyen shikimin dhe trajnuan 97 000 përkujdesës për njerëzit me probleme shikimi në 40 vende. Tridhjetë e tre mijë përkujdesës u trajnuan për kujdesin e nënave dhe të foshnjave në 38 vende. Për të mos përmendur Duart Ndihmëtare ku, në vitet e fundit, qindra mijëra prej njerëzve tanë kanë dhuruar miliona orë shërbimi. Ata menjëherë i ndihmojnë njerëzit e ndikuar nga fatkeqësi të mëdha e të vogla, si edhe për të përmirësuar lagjet e banimit dhe komunitetet e tyre.

Nisma e Kishës JustServe [Vetëm Shërbe], që është një vend i mirë për të kërkuar mundësi shërbimi nëse i keni pranë, tashmë ka mbi 350 000 vullnetarë të regjistruar, të cilët kanë kontribuar miliona orë shërbimi në komunitetet e tyre vendore.

Kjo është Kisha e veprimit. Kjo është ajo që bëjmë. Kjo është ajo që bëni. Qoftë kjo një tipar përcaktues se kush jeni. Kjo është mënyra se si gjejmë gëzim e paqe, sepse kjo është një nga mënyrat më të larta, më të mira dhe më të dukshme për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit.

Presidenti M. Rasëll Ballard ka thënë: “Gjëra të mëdha bëhen përmes gjërave të vogla e të thjeshta. Njësoj si grimcat e vogla të arit që grumbullohen me kohën në një thesar të madh, veprat tona të vogla e të thjeshta të mirësisë dhe shërbimit do të mblidhen në një jetë mbushur me dashuri për Atin tonë Qiellor, përkushtim ndaj punës së Zotit Jezu Krisht dhe një ndjesi paqeje dhe gëzimi çdo herë që ne zgjasim duart për të dashur njëri‑tjetrin.”11

Tri Lloje Shërbimi

Do të doja të theksoja tri lloje të zgjeruara shërbimi në të cilat secili prej nesh ka mundësinë të përfshihet.

I pari është lloji i shërbimit që caktohemi ose ftohemi ta kryejmë si përgjegjësi në kishë. Kjo u trajtua kaq bukur dhe në mënyrë frymëzuese në konferencën e përgjithshme. Do të përpiqemi për llojin e shërbesës që shihet me vlerë, që nuk matet, ku mendojmë e lutemi dhe i ndihmojmë ata për të cilët na është dhënë përgjegjësia të kujdesemi.

I dyti është lloji i shërbimit që e zgjedhim ta bëjmë sipas vetë dëshirës sonë. Ky është një zgjerim i llojit të parë, i cili do të rrjedhë në të gjitha veprimet dhe ndërveprimet tona të përditshme, teksa kërkojmë në mënyrë më të vetëdijshme që ta harrojmë vetveten dhe të kthehemi drejt të tjerëve. Nuk ka caktim përkatës, por ne nxitemi nga një dëshirë për ta ndjekur Krishtin, duke e filluar nëpërmjet të qenit më dashamirës dhe më të vëmendshëm ndaj njerëzve përreth nesh. Veprime mirësie dhe bujarie të heshtur i ndryshojnë zemrat dhe çojnë drejt marrëdhënieve më të ngrohta, më domethënëse.

I treti është shërbimi publik. Edhe në moshën tuaj ju mund të shërbeni në kryesitë e shkollave, në shoqata bamirëse dhe në qeverisjen vendore, rajonale dhe kombëtare. Do t’i nxitja burrat dhe gratë që të përfshihen në këtë mënyrë. Kur është e përshtatshme, përfshihuni në politikë me syrin drejtuar te shërbimi dhe ngritja e individëve dhe komuniteteve. Shmangiuni përçarjeve në politikë që janë bërë kaq të polarizuara, të ashpra dhe shkatërrimtare nëpër komunitete, vende dhe kontinente. Bashkohuni me politikanë të tjerë që po gjejnë një kauzë të përbashkët për t’u sjellë shërim jetëve të turbulluara brenda vetë juridiksionit të tyre dhe më tej. Ju mund të jeni një zë baraspeshe dhe arsyeje, duke e përkrahur drejtësinë në të gjitha aspektet e shoqërisë. Ka një nevojë të rritje për ju që ta jepni energjinë tuaj të këtij lloji në përfshirjen e denjë civile.

Kur lexojmë lajmet, mund të ndiejmë se bota po bëhet edhe më e keqe. Nëse secili prej nesh vepron në mënyra të mëdha e të vogla çdo ditë, ne mund ta ndryshojmë vetë botën tonë dhe atë të njerëzve përreth nesh. Teksa i shërbeni fqinjit tuaj dhe shërbeni me fqinjët tuaj në komunitetin tuaj, ju do të gjeni miq që e përkrahin dëshirën tuaj për të ndihmuar. Këto do të bëhen miqësi të ngushta, duke ndërtuar ura mes kulturave dhe besimeve fetare.

Antuan dë Sent‑Ekzyperia tha: “Jeta na ka mësuar se dashuria nuk përbëhet nga vështrimi në sytë e njëri‑tjetrit, por në shikimin së bashku drejt të tjerëve, në të njëjtin drejtim. Nuk ka miqësi përveçse nëpërmjet bashkimit në të njëjtën përpjekje të lartë. Edhe në kohën tonë të mirëqenies materiale kjo duhet të jetë e tillë, përndryshe si do ta shpjegonim lumturinë që e ndiejmë kur e ndajmë kafshatën tonë të fundit me të tjerët në shkretëtirë?”12

Përfundimi

Nëse secili prej nesh do t’i përgjigjej ftesës për të dhënë shërbesë siç e jep Jezusi, ju do të shndërroheni, duke u bërë edhe më shumë vetëmohues në vend që të bëheni egoistë. Ju do të zbuloni gëzimin që vjen nga dhënia e shërbesës sipas mënyrës së Shpëtimtarit, duke lënë pas ankthet e pasiguritë tuaja dhe zymtësinë që vjen nga paaftësitë që i mendoni për veten tuaj.

Ndoshta, ndërkohë që keni qenë duke dëgjuar, një emër ose një kauzë ju ka ardhur në mendje. Kjo mund të jetë një ftesë nga Shpirti dhe ndoshta e keni marrë më parë. Drejtojuni dikujt, vëzhgoni dhe lartësoni. Zgjidhni t’i përgjigjeni kësaj ftese dhe të luteni sot që të dini se çfarë mund të bëni. Kur i shihni dhe i ndieni bekimet që kjo ju sjell juve dhe atyre të cilëve u jepni shërbesë, ju vërtet do të doni ta bëni këtë një model të përditshëm.

Përpjekja jonë më e lartë dhe më e mirë është ta përhapim dritën, shpresën, gëzimin dhe qëllimin e ungjillit të Jezu Krishtit tek të gjithë fëmijët e Perëndisë dhe t’i ndihmojmë të gjejnë shtegun drejt shtëpisë. Të ndihmuarit, të shërbyerit dhe dhënia e shërbesës ndaj tyre janë shfaqje të ungjillit në veprim. Teksa e bëjmë këtë një mënyrë jetese, ne do të zbulojmë se ajo është përmbushëse në mënyrë të pashoqe dhe është mënyra se si mund të gjejmë paqen dhe gëzimin që mund të na jetë larguar.

Më lejoni ta përsërit këshillën e Presidentit Nelson drejtuar secilit prej nesh: “Një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit do të jetë gjithmonë një përpjekje e organizuar, e drejtuar për t’u dhënë shërbesë fëmijëve individualë të Perëndisë dhe familjeve të tyre. Ngaqë kjo është Kisha e Tij, ne si shërbëtorë të Tij do t’i japim shërbesë individit, pikërisht siç bëri Ai. Ne do të japim shërbesë në emër të Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij dhe me mirësinë e Tij plot dashuri.”13

Kjo është mënyra se si jetoi Shpëtimtari dhe kjo është arsyeja përse Ai jetoi – që të siguronte balsamin e përsosur dhe shërimin përfundimtar me anë të dhuratës së Tij të madhërishme, të pafundme, shlyese për ju dhe për mua. E ndjekshim Krishtin e gjallë me më shumë gatishmëri, me më shumë efektshmëri, teksa përpiqemi fort të bëhemi dishepujt e Tij të vërtetë nëpërmjet dhënies së shërbesës siç do ta jepte Ai.

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 69.

  2. Spencer W. Kimball, “The Abundant Life”, Ensign, korrik 1978, f. 4.

  3. Spencer W. Kimball, “The Abundant Life”, Ensign, korrik 1978, f. 3.

  4. Veprat e Apostujve 10:38.

  5. Veprat e Apostujve 10:38.

  6. Mateu 4:20, theksimi i shtuar.

  7. Gjoni 21:6.

  8. Rasëll M. Nelson,“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95.

  9. Xhin B. Bingham, “Dhënia e Shërbesës Ashtu siç e Jep Shpëtimtari”, Liahona, maj 2018, f. 104.

  10. Shih William M. Allred, në “Recollections of the Prophet Joseph Smith”, Juvenile Instructor, 1 gusht 1892, f. 472.

  11. M. Rasëll Ballard, “Duke Gjetur Gëzim përmes Shërbimit të Përzemërt”, Liahona, maj 2011, f. 49.

  12. Antoine de Saint-Exupéry, Airman’s Odyssey (1939), f. 195.

  13. Rasëll M. Nelson, “Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë”, Liahona, maj 2018, f. 69.

Shtyp në Letër