Vlera Juaj e Pafundme dhe Dashuria e Pafundme e Perëndisë
Një Mbrëmje me Plakun Patrik Kiëron
Takim Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore • 6 Maj 2018 • Qendra e Universitetit “Brigam Jang” - Ajdaho
E falënderoj korin për atë himn të bukur në përlëvdim të Krijuesit tonë.
Është kënaqësi dhe privilegj i vërtetë të jemi me ju për këtë takim shpirtëror. I gëzohemi çdo mundësie që të jemi me të rinjtë në moshë madhore të Kishës. Ne ju duam! Sa emocionuese të jemi pjesëmarrës aktivë me ju në një periudhë të tillë të shndritshme në rivendosjen e vazhdueshme të ungjillit të Jezu Krishtit.
Të rinj apo të moshuar, ne të gjithëve na pëlqen një përrallë e bukur, veçanërisht kur është një histori dashurie. Duhet të them se historia e dashurisë sonë ishte një përrallë e bukur dhe tërësisht e papritur. Unë u rrita në Kaliforni; bashkëshorti im u rrit në Angli dhe Arabinë Saudite. Unë u rrita në Kishë që nga lindja; bashkëshorti im ishte një i kthyer në besim në Kishë kur ishte njëzet e ca vjeç. U bashkuam nga dy kontinente të veçanta në qytetin e madh të Londrës. Ai kishte qenë anëtar i Kishës për dy vjet dhe po frekuentonte lagjen e të rinjve në moshë madhore beqarë në Londër kur unë mbërrita për të kaluar gjashtë muaj duke studiuar historinë e artit dhe letërsinë angleze. Kurrë nuk synoja, as nuk e pritja, të bija marrëzisht në dashuri ndërkohë që studioja në Angli, por jeta mund të ndërmarrë disa kthesa shumë të paparashikuara – dhe të mrekullueshme.
Unë i jam shumë mirënjohëse Zotit që na çoi drejt njëri‑tjetrit. U martuam në Tempullin e Oklandit në Kaliforni dhe u shpërngulëm menjëherë në Angli ku jetuam për 19 vitet pasues, deri në kohën e thirrjes së bashkëshortit tim si Autoritet i Përgjithshëm në vitin 2010.
Jemi bekuar me katër fëmijë. E humbëm fëmijën tonë më të madh, një djalë, gjatë një operacioni zemre kur ai ishte vetëm 19 ditësh. Ky difekt në zemër u zbulua gjatë shtatëzanisë sime dhe beteja jonë e ashpër dhe e palëkundur për jetën e tij të shkurtër na mësoi për mrekullitë, vullnetin e Perëndisë dhe realitetin intim, vetjak të Shlyerjes dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit.
Biri ynë i ëmbël u pasua nga tri bija të shtrenjta, të cilat i adhurojmë, respektojmë dhe nga të cilat mësojmë çdo ditë. Ato janë thesare për ne. Me besim të pazakontë ato janë shpërngulur me gatishmëri – gjatë gjithë viteve të adoleshencës së tyre – nga shtëpia e tyre në Angli për në Jutë, në Gjermani dhe tani përsëri në Jutë, ndërkohë që babai i tyre është caktuar të shërbejë në detyra të ndryshme në Kishë.
Vlera Juaj e Pafundme dhe Dashuria e Pafundme e Perëndisë
Tani, a ka gjëra që me të vërtetë nuk ju pëlqenin kur ishit fëmijë, të cilat i doni tani që jeni të rritur? Po koha e gjumit të drekës? Jam e sigurt që kurrë nuk donit të flinit kur ishit fëmijë. Unë s’doja! Por tani rasti për të fjetur pak më shumë është luks! Më pëlqen shumë gjumi i drekës. Në rregull, po brokolin ose ushqime të tjera që ju thjesht s’i pëlqenit si fëmijë? E po, a i pëlqeni tani?
Pavarësisht se si ndiheni për gjumin e drekës apo brokolin, ka gjëra që nuk i pëlqenit kur ishit fëmijë – shumë gjëra – të cilat ende nuk i pëlqeni si të rritur. Kurrë nuk na pëlqente të binim dhe të gërvishtnim gjunjët. Kurrë nuk na pëlqente të konkurronim për një skuadër sportive dhe të mos ia dilnim mbanë. Kurrë nuk na pëlqente që dikush tjetër të na ngacmonte, të na tallte, të mos na përfshinte ose të na lëndonte qëllimisht. Dhe ende nuk na pëlqen!
Më kujtohet që në shkollën tetëvjeçare isha mjaft e suksesshme në mësimet në klasë, isha balerinë, por edhe një dështim i plotë në fushën sportive. Mund ta bëja piruetën, por nuk mund ta pasoja topin – as ta godisja me këmbë, me dorë, me shkop bejsbolli apo ta kapja atë. Disa fëmijë më shanin dhe talleshin me krahët e mi të hollë. Kisha krahë të hollë, vërtet, por kjo ende më lëndonte! Më kujtohet qartë se, nëse zgjidhnim ndonjëherë skuadrat tona për ndonjë lloj konkurrimi mësimor, unë zgjidhesha nga bashkëmoshtarët e mi diku në krye fare. Por nëse zgjidhnim ndonjëherë skuadra për konkurrime sportive, unë zgjidhesha gjithmonë e fundit fare. Ndihesha tmerrësisht keq!
Tani, përse jua them diçka të tillë disa dekada pasi ndodhi? Sepse, siç e shihni, gjëra të tilla nuk harrohen kollaj. E mbajmë mend se si u ndiem kur nuk na pranuan, nuk na donin apo na kundërshtuan bashkëmoshatarët tanë dhe ndoshta, tragjikisht, vetë pjesëtarët e familjes sonë. Dhe kjo nuk ndryshon thjesht ngaqë rritemi dhe bëhemi në moshë madhore. Mund të jeni ndier kështu pikërisht dje. Bashkëmoshatarët, prindërit, vëllezërit e motrat, bashkëshortët, mësuesit, kolegët e punës, miqtë – ata të gjithë mund të thonë e bëjnë gjëra që ju lëndojnë shumë. Shpesh është pa qëllim. Por nganjëherë mund të jetë me shumë paramendim. Dhe me raste ne kundërpërgjigjemi.
Të mësuarit për të gjetur, ndier dhe kuptuar vlerën tonë individuale pavarësisht nga ajo që mund të mendojnë ose thonë për ne njerëzit e tjerë, është vendimtare për mirëqenien tonë afatgjatë, emocionale dhe shpirtërore. Kur i lejojmë fjalët, veprimet ose opinionet e të tjerëve për ne që të diktojnë në mënyrën se si ndihemi për veten, ne bëhemi viktima të brishta, pa e ditur kurrë se kur do të kthehet në përçmim miratimi i dikujt për ne.
Po kështu, nëse e bazojmë vlerën tonë vetëm tek arritjet tona, tek ajo që kryejmë ose dhuntitë tona që duken, ne bëjmë diçka që na shkakton dështim e zhgënjim kur nuk matemi dot me të tjerët dhe nuk dalim në krye.
Ju e dini këtë gjë, por ata prej jush që hasin vështirësi me të, kanë nevojë ta dëgjojnë shpesh dhe të sigurohen për vlerën e tyre të pafundme, e cila është krejtësisht e palidhur me arritjet e tyre, por lidhet në mënyrë të pandashme me marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Çfarë do të thotë e pafundme? E pakufishme, e pakufizuar, pa mbarim. Secili prej jush ka vlerë të pakufishme, të pakufizuar, të pambarueshme. Për kë? Për personin që metaforikisht ju shan në këndin e lojërave? Jo. Ju keni vlerë të pakufishme, të pakufizuar, të pambarueshme për Atin tuaj në Qiell, Atë që ju njeh më mirë nga të gjithë, pavarësisht nga ajo që mendon ose thotë kushdo tjetër për ju. Peshoftë për një çast në shpirtin tuaj bukuria dhe qetësia e asaj të vërtete. Ju jeni të “çmuar në sytë e [Tij]”1.
Kur dikush ju lëndon ose përjetoni dështim të ndonjë lloji, ejani atje ku ju kurrë nuk ndiheni të përjashtuar dhe kurrë të përqeshur. Ati ynë në Qiell ju do, cilido qofshi, pavarësisht nga ajo me të cilën po ndesheni. Jeni mjaft [të vlefshëm]. Jeni mjaft [të vlefshëm]. Ai ju do ashtu siç jeni, pikërisht këtu, pikërisht tani, me gjithë rrëmujën tuaj të bukur. Por Ai gjithashtu ju do aq sa të mos ju lërë të mbeteni ashtu siç jeni pikërisht këtu, pikërisht tani. Ai ka plane shumë më të mëdha për ju! Ju jeni “trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit”2 dhe prandaj duhet të vazhdoni të mësoni që t’i zbatoni urdhërimet, të bëni gabime, të rriteni, të mundoheni dhe të ndryshoni, derisa të arrini potencialin tuaj hyjnor, të përmirësuar e të pastruar – dhe në një ditë të përjetshme, të përsosur – nëpërmjet hirit të Krishtit.3
Nëse do ta hartonim skicën e vetë jetës sonë, ka të ngjarë që do të planifikonim për veten tonë një jetë lumturie, suksesi dhe relativisht të lehtë, ndoshta me fare pak vështirësi të lehta, të cilat mund t’i kapërcenim pa shumë përpjekje. Kush dëshiron të përjetojë dështim, mundim apo ndonjë lloj humbjeje ose vuajtjeje? Kush dëshiron të bëjë gjëra të vështira? Nëse do të jetonim jetën që do të donim të jetonim, ne gjithmonë do të pranoheshim nga universiteti apo shkolla pasuniversitare jonë më e zgjedhura, do të zinim punën që ëndërronim dhe do të martoheshim me shokun apo shoqen e përsosur, me të cilin ose të cilën nuk do të kishim kurrë ndonjë zënkë. Nuk do të na duhej kurrë të hasnim vështirësi me një thirrje në kishë, të gjithë njerëzit tanë të dashur do të mbeteshin tërësisht të kthyer në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit dhe kushdo që do të besonte si ne, do të pagëzohej brenda javës. Nënave tona nuk do t’u shfaqej kancer, baballarët tanë nuk do të largoheshin dhe vëllezërit e motrat tona nuk do të vdisnin në moshë të re në aksidente tragjike. Nuk do të na vdisnin foshnjat në operacione zemre dhe kurrë nuk do të na duhej të prisnim për kohën e Zotit. E kuptoni se ç’dua të them. Por gjithashtu nuk do të zhvillonim ndonjë shkallë domethënëse të durimit, dhembshurisë, përulësisë, durueshmërisë, mirësisë plot dashuri, qëndrueshmërisë, disiplinës, vetëmohimit, apo besimit, shpresës dhe dashurisë hyjnore. Do të ktheheshim tek Ati ynë në Qiell në pothuaj të njëjtën gjendje që ishim kur u larguam nga prania e Tij, pasi nuk do të kishim përjetuar asgjë që kërkonte ndryshim ose rritje apo varësinë tonë të plotë dhe tërësore nga Perëndia.
Por nuk po jetojmë një jetë të vetëskicuar lehtësie. Ne po jetojmë jetën që Perëndia e ka planifikuar për gëzimin dhe përparimin tonë maksimal. Pra, jini të sigurt se dashuria e pafundme dhe e dhembshur e Perëndisë do t’ju ftojë të bëni ndryshime në jetën tuaj nëpërmjet përvojave që ju shfaqen gjatë udhës, qofshin të hidhura apo të ëmbla. Por Ai gjithmonë do ta ftojë ndryshimin në një mënyrë të dashur, nxitëse dhe pohuese. Mos i dëgjoni zërat në kokën tuaj – që mund të kenë qenë aty që nga fëmijëria juaj – që ju thonë se nuk mund të ndryshoni, se nuk jeni të mirë sa duhet dhe që sërish do të dështoni. Dëgjoni vetëm pëshpëritjet e Shpirtit të Shenjtë dhe “fjalën e këndshme të Perëndisë … që shëron shpirtin e plagosur”4, të cilat pohojnë vlerën tuaj të pafundme dhe sigurinë plot dashuri nga Perëndia se mund t’ia dilni mbanë.
Kur jeni të rraskapitur nga jeta dhe ndieni se nuk mund të shihni asgjë të mirë duke ardhur nga të gjitha përpjekjet tuaja për të jetuar me drejtësi, mos u dorëzoni. Mos bëni kompromis me ëndrrat dhe synimet tuaja. Rriteni besimin tuaj se gjithmonë ia vlen të prisni për kohën e Zotit.
Dhe kur gjëra të tmerrshme, të dhimbshme, tragjike vërtet ndodhin në jetën tuaj dhe vërtet nuk e dini se si do të mbijetoni në shtegun përmes Gjetsemanit tuaj vetjak, mbani mend se Krishti, i Vajosuri, gjithmonë i ka mbajtur pikëllimet tuaja dhe i ka marrë përsipër dhembjet tuaja.5 Ai u shtyp për paudhësitë tuaja dhe për shkak të vurratave të Tij ju jeni shëruar.6 Ai e di, në mënyrë intime dhe vetjake, dhembjen që duroni. Ai është i Parëlinduri i Atit dhe e ka mbajtur fillimisht vuajtjen tuaj në tërësinë e saj, qoftë ajo mendore, fizike, emocionale apo shpirtërore. Kurrë mos i vini në dyshim premtimet e Tij të shpresës dhe shërimit. Jeni krijuar për një ekzistencë të gëzueshme, të begatë. Vlera juaj është e pafundme dhe po ashtu është dashuria e Perëndisë për ju.
Përfundimi
Jam e gëzuar që do të dëgjoni bisedë nga bashkëshorti im. Dua ta dini – lidhur me moshën dhe fazën tuaj në jetë, teksa po dilni në takime e po martoheni – që ky burrë, të cilin e dua kaq shumë, ka qenë tërësisht dashamirës ndaj meje gjatë 27 viteve të martesës. Ai kurrë, as edhe një herë, nuk më ka bërë të ndihem pa vlerë ose pa dashuri dhe ai kurrë nuk ka bërë ndonjë shaka që do të më ulte mua. Shpresoj që mund të mësoni prej kësaj.
Dua të shpreh besimin tim të gjallë te Krishti i Gjallë, i cili me të vërtetë “është drita, jeta dhe shpresa e botës. Udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen.”7 Kjo është Kisha e Tij e drejtuar nga profeti i Tij.
Në emrin e shenjtë, shpëtues të Jezu Krishtit, amen.
© 2018 nga Intellectual Reserve, Inc. I rezervohen të gjitha të drejtat. Miratuar për anglisht: 2/18. Miratuar për përkthim: 2/18. Përkthim i “Your Infinite Worth and God’s Infinite Love”. Albanian PD60005945 101