Zoti do të na Ndihmojë ta Ngremë Mbretërinë e Tij
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore
12 janar 2020
Faleminderit korit për atë muzikë të mrekullueshme. Ajo është një nga të preferuarat tona. Faleminderit që kënduat aq bukur. Vëllezërit e motrat e mia të dashura, jam shumë e lumtur që kam mundësinë t’ju flas këtë mbrëmje. Kam përsiatur shumë kohët e fundit mbi ato gjëra që e kanë forcuar besimin tim gjatë gjithë jetës sime. Një gjë që kam arritur të di, është se Ati ynë në Qiell na ndihmon me të vërtetë, veçanërisht kur jemi duke u përpjekur që të bëjmë gjithçka mundemi për t’i zbatuar urdhërimet e Tij dhe për ta ndërtuar mbretërinë e Tij këtu në tokë.
Profeti Nefi e shfaqi këtë besim gjatë gjithë jetës së tij. Edhe pse vuajti nga shumë mundime dhe kundërshtime, ai qëndroi përherë i palëkundur dhe e falënderoi gjithnjë Perëndinë për bekimet e Tij. Ai tha këtë gjë pas tetë vjetësh endjeje në një vend të shkretuar:
“Në qoftë se fëmijët e njerëzve i mbajnë urdhërimet e Perëndisë, ai i ushqen dhe i forcon ata dhe siguron mjete me anë të të cilave ata mund të plotësojnë gjënë për të cilën ai i ka urdhëruar; prandaj, ai siguroi mjete për ne, ndërsa ne qëndruam në vendin e shkretë.”1
E di se ky parim është i vërtetë. Më lejoni t’ju tregoj një ngjarje nga historia e Kishës. Nga fundi i vitit 1830, shumica e anëtarëve të Kishës u mblodhën në shtetin Misuri, ku shpresonin të themelonin Sionin. Por në vitin 1839 turmat i detyruan ata që të largoheshin nga shteti. Me shtëpi të shkatërruara dhe bagëtitë e katandinë që ua vodhën, ata udhëtuan për në verilindje drejt Ilinoisit, ku u vendosën në tokën moçalore buzë lumit Misisipi. Ata e thanë moçalin dhe ndërtuan një qytet të këndshëm që e quajtën Navu. Por ndjenjat negative kundrejt Kishës vazhduan dhe Profetin Jozef Smith e martirizuan bashkë me vëllanë e tij Hajrëmin vetëm pesë vjet më vonë. Me tempullin e tyre mezi të përfunduar, ata u detyruan që të largoheshin sërish në shkurt të vitit 1846, duke marrë arratinë përmes lumit Misisipi në mes të dimrit. Bashkë me ta ishte një burrë që quhej Benxhamin F. Xhonsoni, stërgjyshi im, me familjen e tij me fëmijë të vegjël. Ai e përshkroi atë kohë në autobiografinë e tij:
“Ja tek ishim, duke e nisur në mesin e dimrit pa as edhe një dollar, në një udhëtim pa ditur kurrgjë se çfarë largësie do të përshkojmë e sa kohë do të na marrë … me vetëm disa ushqime aq sa të na mbajnë për më e shumta disa javë dhe me shëndet të dobët, të cilin vitin e kaluar a më shumë e kemi pasur tejet delikat. Shpesh unë vuaj nga dhembjet akute e prerjet në stomak, të cilat nganjëherë bëjnë që të më dalë djersë nga çdo por. … Kjo bashkë me probleme të tjera me tretjen më bënë të papërshtatshëm për punë të tilla të vështira. Vetëm detyrat e përkujdesjes për pendët e kafshëve dhe detyrat e tjera në kamp më dukeshin vërtet sfilitëse. …
Pasi qëndruam disa ditë në kamp, disa filluan të ankoheshin për vështirësitë dhe ushqimin e pakët, por Presidenti Brigam Jang iu vrumbulliti atyre si një luan dhe u tha se të gjithë ata që nuk e nisnin dot jetesën me fasule e misër të zier, duhet t’i mirëbesonin Perëndisë dhe të ishin mirënjohës për aq sa merrnin ose duhet të ktheheshin menjëherë nga erdhën, pasi kampi i shenjtorëve do të ishte një vend i shkretë për ta. Kjo gjë më erdhi mua si fjala e Zotit, por ç’duhet të bëja unë? Për një kohë të gjatë, nuk kisha qenë në gjendje të haja bukë misri apo fasule, sepse ato më jepnin dhembje të padurueshme në stomak. E si mund të vazhdoja përpara kur i gjithë ushqimi që kishim ishte vetëm misër e fasule? Ndjeva se për mua kjo ishte një çështje për jetë ose vdekje.”
Do ta ndërpres këtu historinë për të thënë se jo shumë vite më parë, motra e tij 22‑vjeçare kishte vdekur nga probleme të ngjashme me stomakun, ndaj me gjasë ai nuk e ka tepruar për frikën e tij. Në vijim ai thotë:
“E bisedova çështjen me familjen. I thashë se isha aty për t’i mirëbesuar Zotit dhe nëse Ai nuk ishte me ne, Ai me siguri nuk ishte prapa nesh dhe se nuk duhej të kthehesha. Isha i gatshëm ta haja atë ushqim që kishim dhe të isha mirënjohës për të. Dhe nëse Zoti nuk do të kujdesej për ne tani, sa më shpejt që të vdisnim të gjithë, aq më mirë do të ishte, pasi nuk do t’ia dilnim mbanë të kujdeseshim për veten apo ta mbronim jetën tonë gjatë këtij udhëtimi.”
Një muaj më vonë ai shkroi këtë në ditarin e tij:
“Fasulet dhe misrin që nuk i haja dot më parë, mund t’i haja me kënaqësi dhe që nga ajo kohë problemi i dikurshëm nuk m’u shfaq më gjatë udhëtimit. I tregova Zotit atë që kishte thënë shërbëtori i Tij, se me ndihmën e Tij unë do të përmbushja çdo kërkesë dhe nëse ishte vullneti i Tij që duhet të jetoja për të qenë shërbëtori i Tij, Ai duhej të bënte që ushqimi tʼi përshtatej gjendjes së stomakut, gjë të cilën e di se Ai e bëri.”
Besimi i paraardhësve të mi dhe shembulli i profetëve më kanë forcuar në jetë dhe më ndihmuan t’i mirëbesoja Zotit, edhe në kohë të vështira. Kujtoj kohën në fillimet e martesës tonë kur ishim veçanërisht ngushtë nga ana financiare. Kishim dy fëmijë të vegjël gjatë tri viteve që Plaku Kristoferson ishte në universitet. Kishim vendosur se, pasi të krijonim një familje, unë nuk do të punoja jashtë shtëpisë, kështu që u përpoqa të bëja atë që mund të bëja në shtëpi për të fituar ca para për ndihmë. Bashkëshorti im kishte gjithashtu disa punë me kohë të pjesshme dhe punësim gjatë verës, nga të cilat siguronim pjesën më të madhe të të ardhurave tona. E megjithatë nuk kishim shumë. Ne kishim një shprehje që nëse nuk do të ishte ushqim, qira apo lëndë djegëse për makinën tonë të vjetër, nuk kishim nevojë ta blinim.
Një të diel, vetëm disa muaj përpara diplomimit të Plakut Kristoferson, peshkopi ynë na paraqiti një plan fondi për ndërtesën, për ta rinovuar godinën tonë të vjetër kishtare. Kjo do të kërkonte që çdo familje të paguante një kuotë monetare për të mbuluar kostot. Ne nuk kemi më kuota monetare për fondin e ndërtesave, por në ato kohë, lagjet dhe kunjet ndihmonin për të paguar një pjesë të kostove të ndërtesës ose për rinovimin e godinave kishtare, përveç dhurimeve të së dhjetës, të cilat i paguanim gjithashtu.
Ashtu si anëtarët e tjerë të lagjes, u ulëm me peshkopin për të diskutuar atë që mund të dhuronim bazuar tek të ardhurat tona. Kuota monetare që sugjeruam nuk ishte e lartë, por atëherë na mbeteshin vetëm pak para mënjanë. Disa studentë të diplomuar që ishin në situatën tonë dhe do të shpërnguleshin së shpejti nuk mendonin se ishte e drejtë që duhej të paguanin për fondin e ndërtesave duke qenë se nuk do të rrinin aty kur të përfundonin rinovimet. Gjithsesi, ne vendosëm ta paguanim dhurimin te fondi i ndërtesave, edhe pse nuk e dinim se si do t’ia dilnim deri në fund të vitit shkollor. Tani, ju mund të mendoni se thjesht mund të nxirrnim kartën tonë të kreditit dhe t’i ngarkonim shpenzimet tona mujore e t’i paguanim ato me kalimin e kohës, por ne vinim nga një periudhë tjetër. Asokohe nuk mund të merrje një kartë krediti nëse nuk kishe një vërtetim si i punësuar me kohë të plotë dhe të ardhurat duhet të ishin deri në një nivel të caktuar. Kështu që nuk mund të kualifikoheshim për një kartë krediti. Kjo mund të duket e fortë, por një rregullore paksa më e rreptë se cili mund ta përfitojë sot një kartë krediti, mund të shpëtojë shumë njerëz nga fatkeqësitë e borxhit që po përjetojnë tani.
Sidoqoftë, vetëm nja dy javë pas kësaj po udhëtonim me makinë në një rrugë të qetë një natë dhe ndaluam kur pamë tabelën e ndalimit. Në atë çast ne dëgjuam nga pas fërshëllimën e frenave dhe pjesa e pasme e makinës sonë të vjetër u godit. Plaku Kristoferson doli nga makina për të këqyrur, ndërsa unë qëndrova në makinë. Pak kohë më pas, ai u kthye në makinë dhe e pyeta se çfarë ndodhi. Ai tha vetëm që prapakolpi ishte dëmtuar. Burri që na goditi, ishte një shitës në terren dhe jetonte në një qytet tjetër. Ai e kuptoi që kishte frena të këqija por nuk e dinte se i kishte aq keq. Ai kishte nevojë për makinën e tij për punën dhe shpresonte se mund ta rregullonte çështjen me ne privatisht që të mos haste një rritje të shumës në sigurimin e tij të makinës dhe të mos merrte gjobë, të cilën do t’i duhej ta paguante gjithashtu. Fundja, askush nuk u lëndua. Mendoj se ai ishte ngushtë nga buxheti për vete. Ai tha se nëse do të bënim një llogari me shkrim për kostot e riparimit dhe t’ia çonim te dhoma e tij e motelit në periferi të qytetit, ai do të na paguante personalisht.
Tani, unë nuk kisha lindur dje! Mendova se bashkëshorti im i dashur të cilit i kisha mirëbesuar plotësisht, kishte rënë pre e mashtrimit në këtë rast. A mendoi vërtet ai që ky burrë do ta mbante premtimin? Sa mundësi kishte që ky burrë nuk do ndërronte qytet? Epo, Plaku Kristoferson e bëri llogarinë për riparimin dhe shkoi vërtet tek ai motel dhe e gjeti burrin. Ai burrë i shkroi një çek për shumën dhe a e merrni dot me mend? Çeku qe i rregullt!
Tani vjen pjesa e mbetur e historisë. Ai çek ishte pothuajse e njëjta shumë sa vlera monetare për fondin e ndërtesave që kishim paguar. Ne sigurisht që mund të prisnim derisa të kishim një rrogë të qëndrueshme për t’u marrë me riparimin dhe ndërkohë mund të paguanim për nevojat bazë, gjë për të cilën kishim dyshuar se mund ta bënim. Kjo ishte një dëshmi për ne se Zoti vërtet bën ashtu siç tha Nefi, “siguron mjete me anë të të cilave [ne] mund të plotësoj[m]ë gjënë për të cilën ai [na] ka urdhëruar”2. Kam mësuar se besim shpesh do të thotë të shkelësh në errësirë, por ndërsa e bëjmë këtë, unë e di se Zoti do ta ndriçojë udhën para nesh. Unë jam mirënjohëse për një Atë të dashur Qiellor që na mbron dhe kujdeset për ne. Unë e di se kjo është Kisha e Tij dhe se Shpëtimtari ynë jeton. E falënderoj Zotin për bekimet që ungjilli ka sjellë në jetën tonë! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.