Zgjedhje dhe Zotim
Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore
12 Janar 2020
E falënderoj Atin tim Qiellor për privilegjin që kam të jem me të gjithë ju sonte. Dhe dëshiroj ta falënderoj bashkëshorten time dhe i miratoj fjalët e saj. Dhe një falënderim të veçantë për këtë kor të mrekullueshëm. Ata janë një provë më shumë e vlerës së Institutit. E dua shumë Institutin. Shpresoj që të gjithë ju që keni mundësi, jo vetëm që jeni regjistruar, por po e frekuentoni dhe po merrni pjesë aktive në Institut. Është një nga gjërat më të mira që bëjmë në Kishë. Numri që kori këndoi një çast më parë, disa nga ju mund ta dinë, është një himn që u shkrua nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Fjalët janë të tijat, dhe ndjenja e frazat depërtojnë në zemrën time siç besoj se bëjnë edhe në tuajën. Dhe unë ju shpreh dashurinë e tij e ju përcjell përshëndetjen e tij. Më lejoni gjithashtu të them një fjalë vlerësimi për Presidentin Astrid Tuminez e administratën dhe personelin e Universitetit “Utah Valley” për mikpritjen e tyre të këndshme me këtë rast.
Disa vjet më parë, unë dhe Plaku L. Tom Peri ishim në një detyrë së bashku në Nju‑Jork‑Siti. Ndërkohë që ishim atje vizituam një sinagogë historike në Bruklin. Sinagoga ishte një ndërtesë dinjitoze në një lagje që kishte qenë, dhe ndoshta akoma ishte, një nga pjesët më luksoze të njësisë administrative. Gruaja që shërbente si rabine e bashkësisë së Reformës Hebraike na përshëndeti përzemërsisht dhe na tregoi gjithë ndërtesën historike. Fillimisht, ajo kishte qenë një strukturë elegante, por tani ishte e qartë se kishte nevojë për riparime të konsiderueshme. Rabinia na tha se bashkësia e saj kishte rënë në numër dhe se fondet për ta mirëmbajtur sinagogën dhe programet e saj, përfshirë një shkollë ditore, ishin të pamjaftueshme.
Ndërsa biseduam më tej, ajo përmendi se përgjithësisht, të rinjtë e të rejat në moshë madhore ishin të angazhuar ndaj trashëgimisë së tyre hebraike, por që për çfarëdo arsye, ata ngurronin të bashkoheshin dhe të bëheshin anëtarë të zotuar të sinagogës. Pavarësisht kësaj, ata përherë e planifikonin ndërtesën për veprimtari shoqërore. Ishte si një lloj vendi grumbullimi për ta, dhe ata herë pas here bënin dhurime për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve për përdorimin e objekteve, por pak vetë ishin të gatshëm të bëheshin anëtarë të bashkësisë që adhuronte atje.
Unë dhe Plaku Peri diskutuam me rabinen pse mund të ndodhte kjo. Nga bisedat e saj me shumë nga këta të rinj e të reja në moshë madhore, shumica e tyre beqarë, ajo vërejti se ata nuk i jepnin përparësi të madhe fesë në jetën e tyre. Të tjerët thjesht nuk dëshironin të zotoheshin në këtë sinagogë apo çfarëdo sinagoge tjetër. Plaku Peri pyeti nëse kjo ishte një shfaqje e “FEH‑së” së famshme (ose famëkeqe) – frika e humbjes – që nëse zotoheshin ndaj kësaj, ata mund të humbnin diçka tjetër.
Dhe kjo është kryesisht tema për të cilën do të doja të flisja me ju këtë mbrëmje – zgjedhja dhe zotimi.
Le të vëzhgojmë duke filluar me atë se “frika e humbjes” është, deri në njëfarë pike, një ndjenjë mjaft racionale. Aq sa është e mundur, të gjithë ne duam të provojmë gjërat më të mira dhe të arrijmë mundësitë më të mira në çdo aspekt të jetës. Por të vonosh në dukje përgjithmonë bërjen e një zgjedhjeje apo zotimi sepse kjo mund të nënkuptojë të humbësh diçka tjetër, ndoshta më të mirë, nuk është e arsyeshme. Çdo zgjedhje përjashton mundësi të tjera: nëse zgjidhni të shkoni në punë ose në shkollë në mëngjes, nuk mund të shikoni një film në Netflix në të njëjtën kohë (apo mundeni?); nëse shkoni në shkollë dhe diplomoheni në inxhinieri ndërtimi, nuk do të diplomoheni në histori, ose art, ose biologji, apo në ndonjë gjë tjetër (vetëm nëse nuk largoheni kurrë nga shkolla); nëse udhëtoni për në Kataraktin e Viktorias në Afrikë tani, nuk mund të udhëtoni diku tjetër në të njëjtin çast, dhe mund të mos shkoni në vende të tjera që mund të doni të vizitoni; nëse zgjidhni të shërbeni në një mision, ju hiqni dorë nga shumë veprimtari shoqërore për atë periudhë; dhe mund të ketë edhe shumë shembuj të tjerë. Por nëse nuk bëni një zgjedhje dhe nuk zotoheni në një drejtim të caktuar, jeta juaj do të jetë goxha kaotike, dhe në fund, ju në fakt do të humbisni shumicën e gjërave më të mira.
Ashtu siç bashkëshortja ime vëren herë pas here: “Ju nuk mund të keni gjithçka – ku do t’i vinit?” Nuk mund të kemi gjithçka që do të ishte mirë ta kishim, dhe nuk mund të bëjmë gjithçka që do të ishte e mirë ose interesante ta bënim. Edhe nëse i kufizoni zgjedhjet tuaja vetëm tek ato gjëra që janë “me famë të mirë apo të denjë për t’u lavdëruar”1, ju prapë nuk mund të keni ose të përjetoni gjithçka. Thjesht nuk ka kohë, mjete apo hapësirë të mjaftueshme në jetën në vdekshmëri të cilitdo. Dhe prandaj, ne duhet të zotohemi në zgjedhje të veçanta, duke e ditur se me këtë, detyrimisht humbasim të tjerat, edhe pse mund të jenë të mira. Duhet të mbajmë gjithashtu në mendje se vonimi me tepri i një zgjedhjeje mund të përbëjë një zgjedhje në vetvete.
Martesa është një shembull kryesor. Duke zgjedhur një partner, ne heqim dorë nga gjithë të tjerët. Zoti thotë: “Duaje bashkëshorten tënde me gjithë zemër dhe do të kapesh pas saj e pas askujt tjetër”2. Për shkak se është një zgjedhje përfundimtare, disa njerëz rezistojnë që të zotohen ndaj dikujt pas të cilit janë shumë të dhënë, ndaj dikujt që e dashurojnë dhe me të cilin mund të përparojnë lumturisht dhe përjetësisht, të shqetësuar se mund të ketë një shpirt binjak edhe më të përsosur diku, të cilin nuk do të donin ta humbnin. Mbaj mend një të ri të tillë vite më parë, që e njihja, i cili refuzoi një partnere të mrekullueshme të mundshme, sepse ai mendonte që ajo kishte shumë mbushje dentare. Reagimi im ishte: “Ti do një përsosmëri që nuk ekziston, dhe meqë ra fjala, a ke ndaluar të mendosh se ti vetë nuk je askund pranë të qenit një zgjedhje e përsosur?”
Kjo është një mbledhje e të rinjve dhe të rejave në moshë madhore. Për shumicën prej jush, theksi është tek të qenit i rritur. Ju keni ndjekur apo jeni duke ndjekur përgjegjësitë e të rriturve, arritjet e të rriturve dhe kontributet e të rriturve, në vend që të vononi [procesin] e të qenit të rritur dhe të ndiqni festat e përhershme. Dhjetë vjet më parë, autori dhe studiuesi Çarls Mërej foli për kuptimin e “një jete të jetuar mirë”. Ai tha: “Po flas për llojet e gjërave të cilat i vështrojmë kur arrijmë në pleqëri dhe le të vendosim që të mund të jemi krenarë për ç’kemi qenë dhe ç’kemi bërë”3.
Mërej kujtoi një rast kur i foli një publiku në Zyrih rreth kënaqësive të mëdha që vijnë nga një jetë e jetuar mirë. Ai tha: “Pas fjalimit, disa anëtarë nga publiku të cilët ishin njëzet e ca vjeç u afruan dhe e thanë hapur se shprehja ‘një jetë e jetuar mirë’ nuk kishte kuptim për ta. Ata po kalonin një kohë të mrekullueshme me partnerin apo partneren aktual/e të seksit dhe BMV-në e re dhe shtëpinë e pushimeve në Majorka, dhe nuk shihnin kurrfarë zbrazëtie që kishte nevojë të mbushej në jetën e tyre. Ishte mbresëlënëse”, tha Mërej, “ta dëgjoje të ma thoshin përballë, por jo befasuese. … Kjo lloj mendësie nënkupton pak a shumë këtë: Qeniet njerëzore janë një koleksion i kimikateve që aktivizohen dhe, pas një periudhe kohe, çaktivizohen. Qëllimi i kësaj jete është që ta kalojmë sa më kënaqshëm që të jetë e mundur kohën e ndërmjetme”4.
Në fund të fjalëve të tij, Mërej bëri këtë deklaratë të mprehtë: “Një koncept të mençur që njerëzimi e ka kuptuar për një kohë të gjatë është se një jetë e jetuar mirë kërkon angazhim me ata që janë përreth nesh”5. Të rriturit e vërtetë e kuptojnë këtë. Ata e pranojnë se kënaqësia vetjake nuk funksionon kurrë si pika qendrore e jetës dhe nuk mund të mjaftojë si qëllimi i jetës. Kjo e vërtetë nënvizon dy urdhërimet e mëdha: ta doni Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tuaj dhe ta doni të afërmin si vetveten.6 Ashtu siç tha Jezusi: “Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”7 Besëlidhja e ungjillit8, me premtimin e saj për jetë të përjetshme, mbështetet te këto dy urdhërime të mëdha që janë dhënë sipas rendit të përparësisë: e para dhe e dyta. Besnikëria ndaj këtyre dy urdhërimeve të mëdha përcakton një jetë të jetuar mirë dhe se çfarë do të thotë të jesh i rritur.
Në fund të fundit, nuk ka asnjë rrugë asnjanëse, pa zotim për ta ndjekur, të paktën kur bëhet fjalë për gjëra me rrjedhim të përjetshëm. Alma e theksoi këtë pikë kur dha mësim se Krishti, Bariu i Mirë, na thërret ta ndjekim Atë në rrugën e dishepullimit dhe të lumturisë:
“Vini re, unë ju them, se bariu i mirë ju thërret; po, dhe në emrin e tij ai ju thërret, që është emri i Krishtit; dhe, nëse ju nuk ia vini veshin zërit të bariut të mirë, emrit me të cilin ju quheni, vini re, ju nuk jeni delet e bariut të mirë.
Dhe tani, në qoftë se ju nuk jeni delet e bariut të mirë, të cilës grigjë jeni ju? Vini re, unë ju them juve, se djalli është bariu juaj dhe ju jeni të grigjës së tij; dhe tani, kush mund ta mohojë këtë?”9
Alma po jep mësim faktin se ekzistojnë vetëm dy mundësi, dhe se Krishti është alternativa e vetme e mirë. Nëse nuk po zgjidhni Krishtin, më e pakta që mund të thuhet është se ju automatikisht po ndiqni një perëndi të rremë, një rrugë të gabuar që çon drejt një zhgënjimi përfundimtar dhe madje të përjetshëm. Pra, nëse nuk e ndiqni Shpëtimtarin, ju po e refuzoni Atë.10
Duke e ditur këtë, ne nuk duhet të ndiejmë ngurrim që t’i zotohemi Zotit dhe të përpiqemi të bëhemi një me Të. Ashtu siç Ai u lut në Darkën e Fundit për apostujt e Tij dhe të gjithë ata që do të besonin në fjalët e tyre: “Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne”11. A nuk është kjo atje ku duam të jemi? Përse atëherë ngurrojmë për t’u zotuar plotësisht dhe pa rezerva? Përse frenohemi për të marrë mbi vete zgjedhën e Tij, duke e ditur se “zgjedha [e Tij] është e ëmbël dhe barra [e Tij] është e lehtë”?12
Frikë nga Dështimi
Duke iu përgjigjur vetë pyetjes sime, unë mund të shoh se pavarësisht logjikës dhe lutjeve të Shpirtit teksa përpiqet me ne, ka dy arsye përse dikush akoma mund të ndiejë njëfarë ngurrimi. Njëra është një shqetësim që kemi në lidhje me aftësinë tonë për të mbajtur një zotim me ndikim të gjerë. A mund ta ndjekim vërtet dhe a nuk do të ishte më mirë sikur të mos zotoheshim nëse ka mundësi që të dështojmë?
Ky është një shqetësim i kuptueshëm, por si përgjigje do të theksoja se në një kuptim shumë të rëndësishëm, ju e keni kaluar tashmë atë urë. Kur ishit në botën paratokësore ju zgjodhët ta pranonit planin e shpëtimit dhe të ekzaltimit, të përgatitur nga Ati dhe të përkrahur nga Biri, ju zgjodhët Krishtin. Lindja juaj fizike është dëshmi e faktit se tashmë u zotuat. Ju e mbajtët “gjendjen [tuaj të] parë”13 dhe tani pyetja është se a do ta mbani atë zotim në këtë “gjendje … të dytë” dhe “të ken[i] lavdi të shtuar mbi kokat [tuaja] përherë e përgjithmonë”?14 Nuk duhet të kemi frikë që ta ripohojmë zotimin tonë paratokësor, veçanërisht kur kemi parasysh se sa e keqe është alternativa tjetër.
Nuk kemi pse të jetojmë me frikën e dështimit. Nuk jemi vetëm. Nuk jemi pa ndihmë. Kushdo që zotohet me të vërtetë ndaj Krishtit, në dishepullim të plotë, nuk mund të dështojë. Nëse jemi të lidhur me Atë që zbriti nën të gjitha gjërat, i cili i mposhti të gjitha gjërat, dhe i cili tani ka gjithë fuqinë, nuk mund të dështojmë.15 Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari nuk janë thjesht vëzhgues të pa interesuar, kureshtarë për të parë nëse gjërat do të funksionojnë për ne ose jo. A mund t’i përfytyroni ata duke parë nga qielli e duke thënë: “Shikoni Semin. E katranosi herën e fundit që u përball me një situatë si kjo, dhe vëmë bast se do ta bëjë përsëri”, ose “Hej, shikoni. Shoqet e Sandrës e kanë vënë atë në një situatë me të vërtetë të vështirë. Do të jetë interesante të shohim nëse mund të dalë prej saj”. Sigurisht, kjo është qesharake. Ata janë të përfshirë aktivisht në anën tonë, duke siguruar ndihmë, udhërrëfim dhe burime të vazhdueshme, dhe ndoshta do të na jepnin më shumë nëse do ta pranonim atë.
E thashë më parë se kur i nderojmë besëlidhjet që na lidhin me Krishtin dhe fuqinë e Tij, ne nuk mund të dështojmë. Në fund të fundit kjo është e vërtetë, por e pranoj që me raste, të gjithë ne përjetojmë dështime – gabimet dhe vetë mëkatet tona, dhe ndikimin që gabimet e mëkatet e të tjerëve ndonjëherë kanë te ne. Por me dhuratat e pendimit dhe të faljes, të gjitha këto dështime në rastin më të mirë, janë të përkohshme. Asnjëra prej tyre nuk mund të na lërë pa jetë të përjetshme, pa pëlqimin tonë. Pse? Sepse kur bëjmë atë që mundemi për ta rimarrë veten, ne kemi të drejtën që ta përdorim hirin e Krishtit për të zgjidhur e ndrequr gjithçka që nuk mundemi ta bëjmë vetë. Mbani mend, fuqia shlyese ose hiri i Krishtit jo vetëm që largon fajin e mëkatit dhe të gabimit, por gjithashtu na shenjtëron dhe na bën qenie të shenjta, të afta për të jetuar në praninë e Perëndisë.16
Tani, nuk po them se e gjithë kjo është e lehtë. Ju e dini po aq mirë sa dhe unë se jeta është e mbushur me beteja dhe disa gjëra shumë të vështira, madje tragjedi. Dhe të jesh një dishepull besnik i Jezu Krishtit është më e thjeshtë të thuhet se të bëhet. Nuk ishte fare e lehtë për Jezusin që të ishte një dishepull i Atit të Tij dhe të pinte “kupë[n] e [Tij të] hidhur”17. Por Ai e bëri atë, dhe Ai di si të na ndihmojë që të ecim me sukses në shtegun e dishepullimit. Për më tepër, Shpëtimtari ka fuqinë dhe gatishmërinë për të na ndihmuar. Ai do të qëndrojë me ne me aq ndihmë sa na nevojitet dhe për aq kohë sa kërkohet. Ai thotë: “Po, dhe kurdo që njerëzit e mi pendohen, unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje.”18 Frika nga dështimi nuk është arsye për të mos bërë një zotim të plotë e përfundimtar ndaj Krishtit. Thjesht vazhdoni të pendoheni dhe të bëni më të mirën tuaj për të qenë i mirë – kjo do të jetë e mjaftueshme.
Sakrifica
Mund të mendoj një arsye tjetër përse një person mund të ngurrojë që t’i përgjigjet thirrjes së Bariut të Mirë dhe t’i bashkohet tufës së Tij: frika nga sakrifica që mund të kërkohet. Ju të gjithë e mbani mend djalin e ri që e pyeti Jezusin me gjithë sinqeritetin e tij, “Çfarë më mungon tjetër?” për t’u kualifikuar për jetë të përjetshme.19 Marku na tregon se “Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të [mendoj se kjo është domethënëse]”, “dhe i tha: Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq”20. Ju e mbani mend përgjigjen: “Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri.”21
Shpresoj që pasi reflektoi për këtë gjë, ky i ri i pasur pati një ndryshim të zemrës dhe më vonë e pranoi ftesën e Shpëtimtarit. Në çdo rast, ne të gjithë e pranojmë se zotimi ndaj Krishtit do të përfshijë sakrificë. Një gjë që do të sakrifikohet do të jetë “frika e humbjes”, sepse ne e dimë, që në fakt do të humbasim shumë gjëra. Kaq shumë mundësi në jetë janë të papajtueshme me dishepullimin, dhe madje shumë gjëra të mira mund të përjashtohen nga kërkesat që ka dishepullimi për kohën dhe burimet tona, për gjëra që janë më të mira ose më të mirat.
I riu i zellshëm në moshë madhore që e pyeti Shpëtimtarin, “Çfarë më mungon tjetër?”, ka vdekur. Çfarëdo pasurie që ndoshta ka pasur, nuk ekziston më, dhe sido që të jetë, ai nuk i ka ato, as nuk i përdor. Aq saç mund t’i jetë dukur sakrificë në atë kohë, a kishte ai një mundësi më të mirë sesa të pranonte ftesën e Mësuesit? A mund të krahasohet ndonjë gjë që ai kishte ose mund ta ketë fituar me pasuritë e veta, me atë që Zoti po i ofronte përfundimisht? Ne e dimë se çdo gjë që Shpëtimtari kërkon prej nesh, përfshirë edhe jetën tonë, është e parëndësishme në krahasim me ekzaltimin. Ne nuk mund ta përfytyrojmë: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”22.
Në vend që të kemi frikë nga sakrificat e dishepullimit, ne duhet ta mirëpresim mundësinë për t’u rritur në fuqi shpirtërore, për të përjetuar gëzim më të thellë dhe për të gjetur, secili prej nesh, domethënie të vërtetë në jetën tonë. Sakrifica, veçanërisht sakrifica në kauzën e Krishtit, tregon seriozitet – ne me të vërtetë do t’i zbatojmë të dy urdhërimet e mëdha për ta dashur Perëndinë dhe të afërmin. Sakrificë do të thotë që me të vërtetë do të bëjmë disa gjëra të mira në botë.
Dashuria për Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur me zemër, fuqi, mendje dhe forcë i pohon shpirtrave tanë se çfarë jemi dhe kush jemi. Kjo na jep një lloj sigurie, e cila na mundëson që të ndalojmë së përqendruari vetëm te vetvetja dhe të shikojmë përtej, t’i shikojmë me të vërtetë të tjerët – nevojat e tyre dhe realitetin me të cilin përballen, me një dëshirë për t’i kuptuar e ndihmuar ata. Në shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë, prifti dhe leviti e panë udhëtarin e plagosur në buzë të rrugës, por nuk e panë atë me të vërtetë. Vetëm samaritani e pa me të vërtetë të huajin e plagosur, dhe si rezultat “kishte dhembshuri ndaj tij. Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët”23. Kaq shumë vetë ndiejnë vetmi të vazhdueshme. Me siguri, sakrificat tona mund të sjellin një ndryshim.
Zotimi
Zotimi gjithëpërfshirës që garanton gëzim këtu dhe më pas, është zotimi ndaj Perëndisë, Atit tonë të Amshuar dhe Birit të Tij, Zotit Jezu Krisht. Te Omni ne gjejmë këtë lutje bindëse:
“Unë do të doja që ju të vini te Krishti, që është i Shenjti i Izraelit dhe të merrni pjesë në shpëtimin e tij dhe në fuqinë e shlyerjes së tij. Po, ejani tek ai dhe dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij dhe vazhdoni në agjërim dhe lutje dhe duroni deri në fund; dhe ashtu si Zoti jeton, ju do të shpëtoheni.”24
Historia flet për një baba i cili e vuri djalin e tij të vogël në shtrat, dhe kur u largua nga dhoma e gjumit dëgjoi një zhurmë të mbytur. Kur u kthye prapa, e pa djalin e tij në dysheme dhe e pyeti se si kishte rënë nga shtrati. Djali u përgjigj: “Nuk u futa plotësisht”. Sigurohuni që në zotimin tuaj ndaj Perëndisë të futeni plotësisht.
Ju jeni pjesë e trupit të Krishtit.25 Është përkatësia juaj. Zotohuni plotësisht, duke dhënë dhe duke marrë falas. Shikojini me të vërtetë ata që janë përreth jush dhe bëni që të shikoheni nga të tjerët në mënyrë që e juaja të jetë një jetë e jetuar mirë, një jetë shërbese, bekimi dhe kënaqësie. Një jetë e bekuar dhe e shenjtëruar nga Shpëtimtari, i cili i ka mposhtur të gjitha gjërat dhe me hirin e të cilit edhe ju do t’i mposhtni të gjitha gjërat.
Koncerti për Ditën e Pionierëve verën e kaluar nga Tabernacle Choir [Kori i Tabernakullit] dhe Orkestra në Sheshin e Tempullit, mirëpriti këngëtaren shumë të talentuar norvegjeze, Siselin. Publiku, përfshirë dhe unë vetë, u prek thellësisht nga interpretimi i saj plot nderim i një kënge të titulluar “Ngadalëso” që solli në kujtesë shkrimin e shenjtë prej Psalmeve: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi”26.
Do të doja të përdor materialin e regjistruar filmik të Siselit që këndoi në atë rast, dhe teksa dëgjoni, ju kërkoj që të përsiatni mesazhin se ne mund të kemi mirëbesim të plotë te Perëndia dhe te dashuria dhe gatishmëria e Tij e mrekullueshme për të na bekuar e mbështetur, çfarëdo që të ndodhë. Dhe përsiatni mbi shenjtërinë e zotimit të jetës suaj dhe të vetes suaj ndaj Atij, çfarëdo që të ndodhë.
Ngadalësoni. Mblidheni mendjen dhe vendosni në zemrën tuaj që të zgjidhni Perëndinë. Gjeni kohën e qetë kur mund të gjunjëzoheni në një vend të fshehtë dhe thuajini Atit tuaj Qiellor, në emër të Jezu Krishtit, se ju jeni i Tiji, se i jeni zotuar, trup e shpirt, Atij, Birit të Tij dhe shtegut të ungjillit. Pastaj ndiqeni atje ku Ai ju drejton, tani dhe për pjesën tjetër të jetës suaj. Mos ngurroni ose mos u frenoni më gjatë, por vazhdoni me qëllimin dhe misionin tuaj në jetë. Vdekshmëria është kaq e shkurtër. Bëni që kjo kohë t’ia vlejë në mënyrë që përjetësia juaj të jetë me gëzim, jo keqardhje. A nuk e ndjeni Shpirtin t’ju thotë se kjo është e drejtë? Dhe shkoni përpara me vetëbesim.
Ju premtoj se shpërblimi i Zotit për dhënien nga ana juaj të gjithçkaje, do të jetë gjithçka që Ai ka për të dhënë, “një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese”28. Realiteti i ringjalljes së Tij është një provë se Ai ka të gjithë fuqinë, se Ai mund të japë atë që Ai ka premtuar dhe se Ai jep. Ai është jeta, dhe Ai ka ardhur që ne të mund të kemi jetë dhe “ta ke[mi] me bollëk”29. Po jua them si dikush që e di se Jezu Krishti është Shëlbuesi i ringjallur. Ky fakt sjell gjithë ndryshimin në botë dhe në përjetësi. Ju ofroj bekimin e Tij dhe dëshminë time në emrin e Jezu Krishtit, amen.