Takime Shpirtërore 2020
Përballimi i Stuhive të Jetës me Anë të Shoqërimit të Frymës së Shenjtë


Përballimi i Stuhive të Jetës me Anë të Shoqërimit të Frymës së Shenjtë

Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror për Të Rinjtë në Moshë Madhore

E Diel, 3 Maj 2020

Mirëmbrëma, vëllezër dhe motra. Jam kaq mirënjohëse për atë këngë. Është një nga këngët e mia më të parapëlqyera dhe më ka dhënë një ndjesi paqeje dhe dashurie në këtë rast. Gjithashtu dua të shpreh përulësinë dhe dashurinë time që jam këtu me ju këtë mbrëmje. Ngaqë njoh shumë njerëz anekënd botës, është shumë përulëse të di për lutjet që janë thënë. Dhe dua t’u dërgoj dashurinë time nipërve e mbesave tona që nuk i kam parë për shumë muaj. Shpresoj se po dëgjojnë dhe e dinë se sa shumë i duam ata.

Nëse do të ishin këtu, ata do të dëshmonin për faktin që mua më pëlqen shumë moti, të gjitha llojet e motit: shkëlqimi i diellit, puhizat e këndshme, stuhitë e dëborës, stuhitë e erës, stuhitë me bubullima dhe madje erërat në shtetet verilindore të SHBA‑së që krijojnë valë gjigante të oqeaneve duke u përplasur në bregdet. Gjatë 45 viteve të fundit, ne kemi jetuar në shumë pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara dhe anekënd botës, dhe çdo vend kishte sfidat e veta të motit. Në shtetet qendrore të Shteteve të Bashkuara, ishin stuhitë dramatike me vetëtima dhe tornadot; në shtetet juglindore ishin uraganet; në shtetet verilindore, stuhitë e dëborës, shirat e akullt dhe stuhitë me ngrica; në shtetet perëndimore, erërat e nxehta të Santa Anës dhe tërmetet. Në Afrikën Perëndimore, kishte rrebeshe shiu me rrëshqitje toke dhe stuhi të fuqishme rëre nga Harmatani, që ishin rëra të kuqe nga Sahara duke fryrë përmes vendit; në Europë kishte shi, llohë, dëborë e diell, nganjëherë të gjitha në të njëjtën ditë; dhe më pas në Azi ndiem fuqinë e tajfuneve. Të gjitha këto përvoja të ndryshme me motin ishin përherë emocionuese për mua! Çfarë mund të them? Më pëlqen shumë moti!

Megjithëkëtë, edhe pse mezi e pres të përjetoj Nënën Natyrë dhe madhështinë e saj, kam respekt të thellë për fuqinë dhe rrezikun e mundshëm, përherë të pranishëm në ngjarjet e motit të ashpër. Nuk do ta rrezikoja kurrë jetën time, pavarësisht nga tundimi ose bukuria që shoh në atë forcë. Kurrë nuk do të zgjidhja qëllimisht që ta vija veten në mes të një fushe djerrë, thjesht që të vëzhgoja një shfaqje mahnitëse me vetëtima; nuk do të zhytesha në oqean ndërkohë që dallgë të fuqishme e të stërmëdha përplaseshin rrezikshëm në breg; dhe nuk do ta tundoja Nënën Natyrë duke mos ia dalë mbanë të gjeja strehim ndërkohë që afrohej një tornado apo një uragan. Unë sigurisht e pranoj vogëlsinë time në krahasim me forcën e plotë të motit të pranishëm përreth meje.

Për mua forca e motit të ndryshueshëm është një metaforë e rëndësishme për jetën. Kur dalim jashtë shtëpisë çdo ditë, ju dhe unë përshëndetemi jo vetëm nga ngjarje të pakontrollueshme të motit fizik, por edhe nga forca e tundime gjithnjë të fuqishme që na gërryejnë shpirtërisht. Edhe pse rrethanat ka të ngjarë të jenë të ndryshme për secilin prej jush, kjo duhet t’ju bëjë të pyesni: “Si mund të përgatitem në mënyrën më të mirë për përballimin e stuhive të përditshme që e rrethojnë jetën time?”

Besoj se e bëjmë këtë gjë për shkak të asaj që profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, na e këshilloi fuqishëm në konferencën tonë të fundit, për të ndjekur “atë shpallje të thellë që e hapi këtë periudhë ungjillore [kur] Perëndia … tha: ‘Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’ [Joseph Smith – Historia 1:17].”1

Ne mund të mos e shohim ose kuptojmë tërësisht atë që mund të vërtitet rreth e rrotull nesh, mbi ne apo mbas nesh, ose mund të mos jemi gjithnjë në gjendje t’i parashikojmë forcat e fuqishme dhe të padukshme që po vijnë drejt nesh, por ne mund të jemi vetëbesues në udhëtimin tonë të përditshëm, në qoftë se e “dëgjoj[më] Atë”. Shpesh Plaku Bojd K. Paker u dëgjua të thoshte: “Nëse gjithçka që dini është ajo që e shihni me sytë tuaj natyrorë dhe e dëgjoni me veshët tuaj natyrorë, atëherë nuk do të dini shumë”.

Një e vërtetë e madhërishme e Vegimit të Parë është ky realitet: Nëse mbështeteni vetëm te këndvështrimi dhe dituria juaj vetjake, ju do të jeni tepër të kufizuar për të parë tablonë më të gjerë që ju rrethon, dhe shpirti juaj do të jetë në rrezik. Në konferencën e përgjithshme të fundit, Presidenti Nelson sërish tha:

“Asnjëherë nuk ka qenë më e domosdoshme ta dini se si ju flet Shpirti sesa është pikërisht tani. Në Kreun-Perëndi, Fryma e Shenjtë është lajmëtari. Ai do t’ju sjellë në mendje mendime që Ati dhe Biri dëshirojnë që ju t’i merrni. Ai është Ngushëlluesi. Ai do t’ju sjellë në zemër një ndjenjë paqeje. Ai dëshmon për të vërtetën dhe do t’jua pohojë se çfarë është e vërtetë teksa e dëgjoni dhe e lexoni fjalën e Zotit.

E përsërit përgjërimin tim ndaj jush që të bëni çfarëdo që [ju] duhet që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake.”2

Shumë kohë më parë, nëpërmjet këshillimit shpirtëror me vështirësitë vetjake dhe përgjigjet ndaj lutjes, unë u ndërgjegjësova për këtë realitet dhe të vërtetë të rëndësishme: Për të na ndihmuar që t’i shohim dhe të përgatitemi për çfarëdo lloj moti apo stuhish vorbulluese, Perëndia na dha premtimin dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe të zbulesës vetjake. Ajo është një dhuratë e paçmuar në jetën tonë të përditshme, e aftë për të na “treg[uar] të gjitha gjërat që [ne] duhet të bë[jmë]”3.

Gjatë periudhës së rritjes, mendova për zbulesën si diçka që ishte vetëm për udhëheqësit e Kishës ose profetët, apostujt, peshkopët dhe njerëzit më të moshuar, por sigurisht jo për mua si e re në moshë. Sot kam më shumë njohuri dhe këtë mbrëmje dëshmoj se zbulesa vetjake është një bekim të cilin duhet ta kërkojmë. Kur zemra dhe mendja jonë janë të përulura, të afta që të mësohen dhe të hapura ndaj besimit te Jezu Krishti, neve do të na mësohen të vërteta dhe do të udhërrëfehemi nga Fryma e Shenjtë. Disa prej jush mund të ndihen të padenjë për zërin udhërrëfyes të Perëndisë. Mund të ndiheni si Lamani e Lemueli, se Perëndia nuk do t’ua bëjë të “njohur” juve zërin e Tij. Mos e besoni këtë gjë. Shpirti i Tij është në dispozicion të të gjithëve. Plaku D. Tod Kristoferson kohët e fundit tha: “Dhe nuk kemi nevojë [për] njëfarë niveli minimal të aftësisë ose mirësisë përpara se Perëndia të na ndihmojë – ndihma hyjnore mund të jetë e [juaja] në çdo orë të çdo dite”4. Perëndia do t’ju takojë atje ku jini, pa asnjë kusht. Jezusi tha: “Lypni dhe do të merrni”5. Sigurisht, qielli afrohet edhe më pranë dhe ai hapet edhe më shumë kur ju përpiqeni me përulësi e zell të kuptoni dhe të zbatoni urdhërimet e Tij.

Jeta juaj dhe jeta e të tjerëve do të bekohen kur veproni me guxim me njërën dhe të gjitha nxitjet që ju jepen nga Shpirti. A mund të tregoj një përvojë që ma mësoi këtë të vërtetë disa vite më parë? Shumë vite më parë, kur bija jonë më e madhe ishte studente në Universitetin e Jutës, u zgjova paqësisht në mes të natës dhe mora një mbresë të menjëhershme, por të qetë për të. Isha tërësisht zgjuar, por nuk ndjeva ndonjë frikë – thjesht dashuri për të – por pata mbresën se ajo mund të ishte në rrezik. Ne jetonim në Konektikat dhe ajo ishte në anën tjetër të vendit, në Jutë. Atëherë më erdhi ky mendim: “Telefonoji policisë. Kërkoju nëse mund të dërgojnë një makinë policie që të kontrollojë zonën përreth vendit ku jeton ajo.” Ngurova për një minutë, duke u përpjekur që të kuptoja atë që po dëgjoja, dhe e dëgjova sërish zërin: “Telefonoji policisë”. Prandaj e bëra pikërisht atë gjë. I telefonova policisë. Nuk mund t’ia shpjegoja saktësisht oficerit arsyen pse po i telefonoja në mes të natës, por i thashë se do ta vlerësoja vërtet nëse ai do të dërgonte një makinë për të kontrolluar zonën përreth banesës së bijës sime. Më siguroi se do ta dërgonte dhe unë qetësisht u ktheva sërish në shtrat. U zgjova të nesërmen duke mos e mbajtur mend mirë se çfarë kishte ndodhur gjatë natës.

Disa ditë më vonë, ndërkohë që udhëtonim drejt Jutës dhe ndërsa po shkonim me makinë për në hotel, dëgjuam në radio se policia kishte arrestuar një burrë në lidhje me sulmet që kishin ndodhur përreth shtëpive të banimit pranë kompleksit universitar të Universitetit të Jutës. Reportazhi tha se një e re ishte vrarë tragjikisht një mbrëmje atë javë. Më pushoi zemra dhe menjëherë m’u kujtua telefonata që i bëra policisë në mes të natës disa ditë më parë. Nuk e kam idenë nëse ishte po e njëjta mbrëmje. Nuk e kam idenë nëse banesa e saj ishte njëra nga shtëpitë që u sulmuan. Kurrë nuk do të di saktësisht se çfarë ndodhi atë natë, por unë e di se një shtytje e qetë më zgjoi në mes të natës dhe më detyroi të bëja një telefonatë për të ndihmuar që të garantoja sigurinë e bijës sime në atë situatë që padyshim ishte e pasigurt.

Stuhitë e jetës mund të duken gjithëpushtuese në disa raste, por pikërisht tani nuk ka forcë më të fuqishme sesa fuqia e priftërisë dhe dhurata e Frymës së Shenjtë në jetën tuaj. Natën e Shlyerjes së Tij, Shpëtimtari dha mësim se dhurata e paçmuar, e dhënë nga Ati, Fryma e Shenjtë, jepet që t’i sjellë paqe dhe ngushëllim shpirtit tuaj, që t’ju “mësojë çdo gjë” dhe t’ju “kujtojë të gjitha [gjërat]”6, t’ju “prijë në çdo të vërtetë” dhe t’ju “kumtojë gjërat që do vijnë”7. Neve na jepet Fryma e Shenjtë që t’i “mbushë shpirt[rat tanë] me gëzim”8.

Këto bekime më përulin dhe nganjëherë më pushtojnë tërësisht. A është ndonjë çudi që Presidenti Nelson na fton të bëjmë gjithçka mundemi që të marrim zbulesë vetjake dhe ta dëgjojmë zërin e Perëndisë nëpërmjet Frymës së Shenjtë në jetën tonë? A e keni vënë re temën e zbulesës vetjake dhe këshillën për ta dalluar dhuratën e Shpirtit në jetën tuaj, që është theksuar në tre vitet e fundit të konferencës? Unë kam qenë dhe jam thellësisht mirënjohëse për këshillën e tyre tek e cila hedhim spirancën e dëshmive tona dhe të jetës sonë me vetë dhuratat tona personale, të qëllimshme dhe vetjake të dritës dhe të shpirtit.

Në ditët dhe vitet e ardhshme, ju do të keni përvoja që do të shfaqin mënyra të ndryshme se si Shpirti vepron dhe flet në jetën tuaj. Mos i shpërfillni këto mbresa. Mund të jetë një pëshpëritje e vogël ose një shtytje e lehtë. Mund të jetë një ndjenjë apo mendim, ose madje një udhëzim i drejtpërdrejtë dhe i qartë. Mund të jetë një mbresë e përsëritur ose emri i një personi. Fryma e Shenjtë pa dyshim sjell derdhje të inteligjencës dhe kuptueshmëri që e ndriçon mendjen tonë. Unë vetë e kam përjetuar shumicën e këtyre shfaqjeve dhe kam mësuar se, në qoftë se emri ose fytyra e një njeriu vazhdon të më vijë në mendje, atëherë unë kam nevojë të marr telefonin dhe të lidhem me të. Kam mësuar të ndjek mendime e nxitje edhe kur nuk pati asnjë shpjegim ose rezultat të veçantë që mund ta shihja. Shpirti më ka paralajmëruar të mos shkoj në vende të caktuara dhe të largohem nga njerëz të caktuar dhe veprimtari të caktuara. Kjo përvojë që ta keni Shpirtin t’ju pëshpëritë dhe t’ju flasë është një përvojë jetëgjatë. Thjesht nuk ndodh vetëm një herë. Do të duhen shumë herë për ju që të mësoni të dalloni atë që po dëgjoni dhe se si po drejtoheni.

Pse zgjodha t’ju flas për këtë? Ashtu siç nuk mund t’i shohim ose dëgjojmë tërësisht të gjitha format e motit të ashpër në horizont dhe siç nuk jemi gjithmonë të vetëdijshëm për të gjitha rrethanat përpara nesh, nëse përdorim vetëm sytë dhe veshët tanë natyrorë për t’i kuptuar rrethanat, atëherë ne nuk do të jemi të përgatitur për forcat dhe stuhitë e jetës rreth e qark nesh. Kam përshtypjen se gjuha e vetme, e vërtetë që ne të gjithë duhet ta dëgjojmë, dimë e kuptojmë është gjuha e Shpirtit. E bëfshi të përsosur atë gjuhë në jetën tuaj! Teksa e bëni këtë, ju do të udhërrëfeheni, mbroheni dhe lartësoheni shpirtërisht në çdo mënyrë të nevojshme.

Miq të dashur, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë nuk jam një studiuese. Nuk jam një mjeshtre e shkrimeve të shenjta. Por jam një besimtare. E di se kjo është Kisha e vërtetë dhe e gjallë e Jezu Krishtit, se zbulesa është e vërtetë dhe se qiejt janë të hapur për ju. E di se Jezu Krishti është Shpëtimtari im. Ai është Shpëtimtari juaj dhe Ai dëshiron t’ju bekojë, t’ju mbrojë, të ndërhyjë për ju, t’ju udhërrëfejë dhe t’ju lartësojë shpirtërisht. Kur askush tjetër nuk ju kupton, Ai ju kupton. Ai ju kupton. Plot dashuri ju nxit që të shihni drejt Shpëtimtarit çdo ditë – jo larg prej Tij. Kthehuni tek Ai me besim në ato të vërteta që i dini se janë të vërteta. Mos i lejoni dyshimet tuaja, frikën tuaj ose ato gjëra që ju lënë pa gjumë natën, që t’ju largojnë nga mbrojtja dhe fuqia e Frymës së Shenjtë dhe premtimet e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë e duan me çiltërsi secilin prej jush.

Lutem që Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve tuaja si kurrë më parë dhe do t’ju japë çdo dhuratë të Frymës së Shenjtë që ju nevojitet për të shkuar përpara në jetë dhe e them këtë me dashuri të madhe për secilin prej jush. Do të ketë ditë të vështira dhe të ashpra përpara. Por ju premtoj se do të ketë shumë më tepër ditë të bukura, të gëzueshme, plot paqe, me qiej ngjyrë blu dhe puhiza të ngrohta kur ju ktheheni tek Ai i cili ka gjithë fuqinë në qiell dhe mbi tokë.

E them këtë me dashuri, në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër